Presidenti i federatës italiane te futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, ka deklaruar se ai po e mbështet trajnerin e Interit, Jose Mourinho, dhe se dëshiron që portugezi të mbetet për shumë vite në Itali.
“Më vjen keq që ai po suspendohet, pasi që pa marrë parasysh sjelljen e tij, ai është trajneri më i mirë në botë”.
“Ai është karakter në dukje. Njeri që ruan futbollin Italian. Unë shpresoj që ai të mbetet për shumë vite këtu”, ka thënë Abete.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, beson se Wayne Bridge duhet të rishqyrtojë mundësinë për t’u rikthyer në kombëtaren angleze para kampionatit botëror.
Bridge është tërhequr nga kombëtarja angleze muaj më parë pas skandalit të John Terryt me ish- të dashurën e tij.
“Gjithnjë është me rëndësi për një lojtar që të luajë në Kampionatin Botëror, sepse mund të luani në të, njëherë ose dy herë në jetën tuaj”.
“Unë shpresoj se Bridge do të ndërrojë mendje. Nëse ke rast të luash për Anglinë në Kampionatin Botëror, do të thotë se mund të fitosh Kupën e Botës. Për një lojtar është me rëndësi të luajë në një Kampionat Botëror dhe mendoj se Bridge do të ndërrojë mendje”, ka thënë Mancini.
Carlo Ancelotti ka obliguar futbollistët e Chelseat që të fokusohen vetëm në Ligën Premier dhe Kupën FA dhe të mos mendojnë për eliminimin nga Liga e Kampionëve.
“Tani duhet të shikojmë vetëm në Ligën Premier dhe FA Cup. Nuk është moment i lehtë sepse ne jemi jashtë një gare të rëndësishme si Liga e Kampionëve. Ne jemi të zhgënjyer por ky është futbolli dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e ardhshme”.
“Ne mund të arrijmë gjëra interesante këtë sezon. Ne mund të fitojmë dy tituj. Do të jetë vështirë por unë e di se mund të fitojmë dy tituj. Vetëm pesë skuadra në 140 vitet e fundit kanë fituar dy tituj, dhe ky është synimi ynë”, deklaroi Ancelotti.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është tejet i kënaqur me shortin, pasi që skuadra e tij u shmang nga Manchester Unitedi dhe Barcelona.
CSKA Moska do të jetë rivali i Interit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, dhe nëse eventualisht ndodh që Interi të kualifikohet, atëherë në gjysmëfinale zikaltrit do të kenë punë me Barcelonën apo Arsenalin.
“Është short i mirë, por gjithçka mund të ndodhë. Do të ishte e frikshme për ne po të luanim ndaj Barcelonës apo Manchester Unitedit”, tha presidenti i Nerazzzurëve.
Moratti shprehu besimin e tij për Mario Balotellin, që përsëri është lënë jashtë formacionit për ndeshjen ndaj Palermos.
“Jam në të njëjtën vijë si Mourinho. Por Balotelli është një kampion dhe ai është pjesë e të ardhmes tonë”, përfundoi Moratti.
Strategu i Bordeaux, Laurent Blanc, ka deklaruar pas tërheqjes së shortit të Ligës së Kampionëve, se ai do të preferonte ndonjë skuadër tjetër dhe jo Lyonin.
“Unë kam dashur të luaj ndaj një klubi tjetër. Ne e pranojmë shortin dhe themi se do të jetë një ndeshje e fitueshme. Nuk e di nëse është short i mirë. Më pëlqen që e kemi shmangur Barcelonën”.
“Lajmi i vetëm i mirë është se një klub francez do të jetë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, u shpreh Blanc.
Mbrojtësi i Bordeaux, Michael Ciani ishte i sigurt për kualifikimin në gjysmëfinale kur tha se: “Nuk jam i zhgënjyer, jemi në gjysmëfinale. Më falni por, unë e shoh veten në gjysmëfinale…”.
Bosi i skuderisë gjermane Mercedes, Ross Brawn, ka pranuar se skuderia e tij aktualisht është jashtë ritmit të Formulës 1 dhe se do të marrë kohë për të qenë në një nivel me rivalët tjerë.
Ngasësit e Mercedes, Nico Rosberg dhe Michael Shumacher morën pozitat pesë respektivisht gjashtë në garën hapëse të Bahreinit, duke qenë 40 sekonda prapa fituesit të garës, Fernando Alonso të Ferrarit.
“Ne e pranojmë se nuk jemi kompetitivë dhe se ne duhet të punojmë ende për të zvogëluar hapësirën me liderët. Ne kemi një plan zhvillimi, që do të sjellë përmirësimet e pritura”, ka thënë Brawn.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ka pranuar se Manchester Unitedi është skuadër e vështirë për t’u mposhtur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Manchester Unitedi është ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur. Ata janë favoritë me Barcelonën. Ata po kënaqen me momentin e mirë në të cilën po kalojnë”.
“Por, ekipet angleze kanë të njëjtin stil. Lojë sulmuese, që na përshtatet neve pasi që kemi pasur të bëjmë me skuadra tejet defensive. Do të jetë ndeshje tejet argëtuese për tifozët”, deklaroi Van Gaal.
Ambasadori i Interit, Luis Figo është shprehur të ketë besim të madh për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi që Nerazzurët do të kenë punë me rusët jo të favorizuar të CSKA Moskës.
“Ju nuk mund të zgjidhni ekipe në këtë fazë, por është normale që dëshirojmë të shmangim ndonjë skuadër, si p.sh Barcelonën apo Manchester Unitedin”.
“Barcelona apo Arsenali? Më falni por unë di se Interi do të duhet të mposhtë të gjithë, për të fituar Ligën e Kampionëve”.
“CSKA Moska është skuadër tipike ruse, dhe është tejet e fortë. Fusha sintetike? Nuk mendoj se do të paraqesë problem, pasi që kemi përvojë nga ndeshjet e luajtura më parë në Rusi, në terrene të atilla”, u shpreh Figo për Sky Sports Italia.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, shprehet të jetë optimist para ndeshjes çerekfinale me Barcelonën, duke thënë se gjasat e skuadrave për tu kualifikuar janë të barabarta.
“Unë e di se ne nuk jemi favoritët, por për mua, kjo do të jetë një ndeshje 50-50. Kështu do të hyjmë në këtë sfidë. Natyrisht, Barcelona është skuadër e mirë, ashtu si ne”.
“Do të jetë ndeshje interesante dhe tejet argëtuese. Në të dyja takimet do të hyjmë me besim të plotë e fokus të drejtë. Kur luani në çerekfinale, duhet të keni punë me ekipe të forta, dhe Barcelona është njëra prej tyre”.
“Më shumë më pëlqen të flas për West Hamin sesa për Barcelonën, pasi që kështu do të tregonim pjekuri dhe inteligjencë”, është shprehur Wenger pas shortit.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka deklaruar pas shortit të Ligës së Kampionëve se skuadra e tij do të kënaqet me ndeshjet ndaj Bayern Munichut për shkak të atmosferës dhe historisë.
Siç dihet, Manchester Unitedi tradicionalisht ka pasur probleme me Bayern Munichun, dhe hera e fundit kur këto dy skuadra janë takuar na kthen nëntë vite më parë, kur Bayern dërgoi në shtëpi Djajtë e Kuq.
“Historia ndaj Bayernit tregon se ndeshja do të jetë shumë e vështirë për ne. Do të jetë ndeshje me atmosferë fantastike në të dyja takimet”.
“Shpresoj se do t’i kemi të gjithë lojtarët e gatshëm për sfidën, dhe nëse kjo ndodh, ne kemi gjasa të mëdha për tu kualifikuar”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, nuk dëshiron që skuadra e tij të dorëzohet në garën për titull në Serie A, por ua ka rikujtuar tifozëve të mos presin ndonjë mrekulli.
“Tifozët tanë janë realistë. Ata e dinë se ne nuk jemi si Interi, por ata e dinë se ne do ti shkaktojmë telashe Nerazzurëve. Ne duam të luajmë sa më mirë dhe t’u japim gjëra sa më të mira tifozëve, dhe t’i arrijmë ata që janë në maje të tabelës”.
“Ne po luajmë mirë, do të presim Udinesen, Bolognan dhe Interin. Janë edhe tri ndeshje të cilat do të qartësojnë luftën tonë për titull. Totti do të rikthehet, dhe shpresoj se ai do të kënaqë tifozët”, ka deklaruar Ranieri.
Për herë të parë pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve, trajneri i Los Blancos, Manuel Pellegrini ka folur për të arriturat e skuadrës madrilene, dhe për eliminimin e pabesueshëm nga Liga e Kampionëve.
“Në La Liga duhet të luajmë edhe 12 ndeshje të cilat janë si finale. Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje. Për mua do të ishte kënaqësi e jashtëzakonshme nëse e mposhtim Barcelonën në garën për titull në La Liga”.
“Është shumë lehtë që të fajësohet trajneri për ndonjë dështim dhe nuk merren parasysh sukseset e arritura. Mua nuk më besohet se jemi eliminuar nga Liga e Kampionëve. Sidoqoftë po luajmë mirë dhe tifozët pëlqejnë lojën tonë me shumë gola”, ka thënë Pellegrini për Marca.
Barcelona do të luajë kundër Arsenalit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa mbrojtësi katalunas Gerard Pique ka tërhequr vërejtjen për të mos nënvlerësuar skuadrën ‘e re’ angleze.
“Arsenali është skuadër ‘e re’ por ata nuk duhen nënvlerësuar. Cesc Fabregas është lojtari më i mirë i Arsenalit, që bart peshën e ekipit dhe i kryen vetë të gjitha punët”, është shprehur spanjolli.
Në rast se Barcelona dhe Inter kualifikohen në gjysmëfinale, atëherë do të ndeshen në duelin e gjigantëve, mirëpo Pique kërkon përqendrim te dy takimet kundër Topçinjve dhe pastaj gjithçka me radhë.
Lojtarëve të Juventusit iu është bërë një pritje “e mirë” në Aeroportin Caselle të Torinos, pas turpërimit bërë nga Fulham në Londër, dhe pas të cilit pasuan protesta të mëdha të tifozëve bardhezi.
Tifozët i garantuan Alessandro Del Pieros dhe drejtorit të Juves, Roberto Bettega, një natë jo të qetë pasi që protestat zgjatën tërë natën. Tifozët kërkuan një sqarim se pse Juventusi dështoi këtë sezon.
Del Piero dhe Bettega negociuan 15 minuta me tifozët për t’i qetësuar ata. Sidoqoftë priten ende protesta dhe reagime të mëdha në ndeshjet e radhës të Juventusit.
Juventusi u eliminua nga Europa League nga skuadra angleze Fulham, me rezultat të përgjithshëm, 5-4.
Bayern Munichu do ta ketë kundërshtar Manchester Unitedin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa kryetari i bordit ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Heinz Rummenigge, thotë se Djajtë e Kuq janë favoritë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Shorti i tërhequr në Nyon të Zvicrës i vuri përballë Bayernin dhe Unitedin, me ç’rast takimi i parë do të zhvillohet në Allianz Arena, ndërsa ndeshja kthyese në Old Trafford.
“Është një përballej e vështirë por tejet atraktive. Niveli i Manchesterit është me atë të klubeve më të mëdha. Duhet të tejkalojmë limitet tona nëse dëshirojmë të vazhdojmë tutje”.
“Manchesteri është favorit, por kjo është pjesë e joshjes: ti e bën më të mirën nga vetja për të shqetësuar favoritin. Futbolli anglez na përshtatet më mirë sesa loja spanjolle”, ka thënë Rummenigge për faqen zyrtare të Bayernit.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka bërë të ditur listën e plotë të skuadrës së tij, e cila do të luajë kundër Sporting Gijonit këtë fundjavë.

Faqja zyrtare e Real Madridit njofton se për ndeshjen e të shtunës kiliani ka zgjedhur 17 lojtarë nga ekipi i parë dhe një nga ekipi i të rinjve.


Lajmi më i rëndësishëm është se Ricardo Kaka, i cili nuk luan që pas eliminimit të Mbretërve nga Liga e Kampionëve, është lënë sërish jashtë skuadre.


Kundër Gijonit nuk do të luajnë as Karim Benzema, Royston Drenthe dhe Mahamadou Diarra, të cilët janë të lënduar.


Lista e plotë e lojtarëve që do të jenë në dispozicion kundër Sporting Gijon:


Portierë: Casillas, Dudek


Mbrojtës: Ramos, Albiol, Garay, Arbeloa, Marcos Alonso, Metzelder, Marcelo


Mesfushorië: Granero, Lass, van der Vaart, Guti, Gago, Xabi Alonso


Sulmeus: Cristiano Ronaldo, Higuain, Raul

Shorti i Liges se Kampioneve Shorti i Ligës së Kampionëve i hedhur sot në Nyon të Zvicrës, ka nxjerrë kampionin në fuqi të Evropës, Barcelonën, përballë Arsenalit.

Barcelona, që vitin e kaluar mposhti Manchester United me rezultat 2-0 në finalen e kësaj gare, kishte mposhtur edhe Arsenalin me rezultat 2-1 në finalen e vitit 2006.


Finalisti i vitit të kaluar, Manchester United, po ashtu do të ketë një rival të vështirë përballë, Bayernin e Munichut, të cilin ekip e kishte mposhtur në finalen e vitit 1999 me dy gola të vonshëm.


Kampioni i Serie A, Interi, që eliminoi Chelsean në 1/8 e finales, në çerekfinale të garës evropiane do të ketë një rival shumë më të lehtë, CSKA-në e Moskës. Megjithatë fituesi i kësaj ndeshje do të ketë një kundërshtar shumë më të vështirë në gjysmëfinale, fituesin e sfidës Arsenal – Barcelona.


Në katërshen më të mirë të Evropës me siguri se do të ketë edhe një ekip francez, pasi dy gjigantët e këtij vendi, Lyon dhe Bordeaux, u caktuan përballë njëri-tjetrit. Fituesi i kësaj sfide në gjysmëfinale do të ketë përballë fituesin e sfidës Bayern Munich – Manchester United.


Ndeshjet çerekfinale:


Bordeaux - Lyon
Bayern Munich - Manchester United
Arsenal - Barcelona
Inter - CSKA Moscow


Ndeshjet e para çerekfinale do të zhvillohet më 30 dhe 31 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit më 6 dhe 7 prill. Finalja e këtij viti mbahet në Santiago Bernabeu më 22 maj.

Liverpoli do të përballet me ekipin portugez Benfica, ndërsa Valencia do të ketë rival Atletico Madridin në çerekfinale të Europa League.
Shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës vendosi edhe për ndeshjet gjysmëfinale, ashtu që fituesi nga sfida e parë, Liverpool-Benfica, do të përballet me fituesin e derbit spanjoll, Valencia-Atletico Madrid.
Fulhami, që eliminoi Juventusin nga 1/8 e finales, do të ketë edhe një sfidë të vështirë, pasi do të përballet me kampionin e Gjermanisë, Wolfsburg. Fituesi i kësaj sfide do të përballet me ekipin që do të triumfojë nga çerekfinalja tjetër, ajo mes gjermanëve të Hamburg dhe belgëve të Standard Liege.
Ndeshjet e para do të luhen më 1 prill, ndërsa të dytat më 8 prill. Finalja e Europa League këtë vit do të zhvillohet në Hamburg, më 12 maj.
Agjenti i Zlatan Ibrahimovic thotë se klienti i tij ka qenë i zhgënjyer që nuk është gjendur në ekipin startues të Ligës së Kampionëve kundër Stuttgart.
“Ibrahimovic është në disponim të keq. Ai është i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Ibra dëshiron të luajë më shumë. Ai dëshiron të jetë pjesë e rëndësishme e ekipit”.
“Ai nuk është i përkryer por është luftarak dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të dalë nga kjo situatë. Ai është një futbollist me karakter të shkëlqyeshëm”, ka thënë Raiola për El Mundo Deportivo.
Agjenti po ashtu mendon se Ibra nuk fiton shumë asistime nga bashkëlojtarët e tij, edhe pse asiston për të tjerët.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, beson se ata mund ta fitojnë skudeton këtë sezon.
Giallorosët aktualisht qëndrojnë në pozitën e tretë të tabelës së Serie A, por ata kanë dështuar së fundi duke barazuar të tri ndeshjet e fundit.
“Gara për titull në Serie A është ende e hapur për të gjitha pozitat: Skudeton, Ligën e Kampionëve, Europa League dhe për mbijetesë. Unë mendoj se prej tash deri në fund të sezonit ka edhe shumë të luhet dhe ne mund t’i rezervojmë vetes disa befasi”, ka thënë Totti.
Sulmuesi italian po ashtu ka qenë krenar që ka parë Interin të mposhtë Chelsean në Stamford Bridge.
“Të martën pamë një ndeshje të shkëlqyeshme ndërkombëtare në mes të liderit të ligës italiane dhe një prej klubeve më të vlerësuara në botë, Chelsean e Carlo Ancelottit. Kush priti që Inter ta sfidojë Chelsean me një prirje tipike italiane, me secilin në mbrojtje, me kundërsulme, ka qenë gabim”, ka shtuar italiani.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, thotë se Real Madridi mund ta transferojë Sergio Agueron, por nëse dëshiron që ai të shkëmbehet me Cristiano Ronaldon.
Cerezo është i vetëdijshëm për interesimin e presidentit të Realit, Florentino Perez, për sulmuesin argjentinas, por nuk është i gatshëm të heqë dorë nga ai.
I pyetur rreth mundësisë së largimit të Agueros te rivali i qytetit, presidenti i Atleticos është përgjigjur me shaka: “Marrëveshja është arritur. Kaka, Cristiano, Higuain dhe ca para..”.
Trajneri i Palermos, Delio Rossi, thotë se i mungon ish-sulmuesi i tij te Lazio, Mauro Zarate.
Rossi është lavdëruar për faktin se ka nxjerrë më të mirën nga Zarate sezonin e kaluar kur drejtonte Lazion.
“Më mungon ai. Më mungon pasi kur e filloni një projekt, duhet t’i njihni njerëzit, duhet t’i njihni ata dhe pastaj dëshironi ta çoni atë projekt drejt përfundimit. Mauro menjëherë më bëri për vete me anarkinë, me klasin e tij”.
“Ne shpejt kuptuam se kishim një lojtarë të veçantë në duart tona. Shpejtësia e tij është e jashtëzakonshme. Jam i sigurt se ai do të bëhet kampion”, ka thënë Rossi.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, thotë se mënyra e eliminimit të tyre nga Liga e Evropës është ‘tmerr’.
Fulhami mposhti Juventusin me rezultat 4-1 në takimin e mbrëmshëm, për t’u kualifikuar më tej me rezultat të përgjithshëm 5-4 nga të dy ndeshjet.
“Është shumë vështirë të flas për momentin dhe është turp që për këtë fajësohen vetëm disa lojtarë. Sonte ishte tmerr, një prej momenteve më të këqija në karrierën time me Juventusin. Do të jetë vështirë të rikthehemi në këmbë pas kësaj. Është detyrë e jona të gjejmë zgjidhje, andaj të mund ta përfundojmë sezonin në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Del Piero.
Carmelo Anthony ka shënuar 26 pikë dhe kërcimet më të larta në karrierë (18), për të ndihmuar Denver Nuggets të mposhtin në shtëpi New Orleans Hornets me rezultat 93-80.
Për Nuggets kjo ishte fitorja e tetë në nëntë ndeshjet e fundit dhe e 47-ta këtë sezon (përkundër 22 humbjeve), që e mban ekipin në pozitën e dytë para Dallas Mavericks, dhe prapa Los Angeles Lakers.
Darren Collison shënoi 15 pikë për New Orleans Hornets, ekip ky që pësoi humbjen e dytë brenda një javë dhe të pestën në gjashtë ndeshjet e fundit (33 fiore dhe 37 humbje këtë sezon).
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka qenë i ngazëllyer me dygolëshin e Fernando Torres në ndeshjen e mbrëmshme të Europa League ndaj Lille.
Benitez tha se sulmuesi nuk ishte 100% i gatshëm, por tash pas katër golave të shënuar në dy ndeshjet e fundit, trajneri spanjoll thotë se Torres vetëm ka nevojë të luajë për të ngritur formën e tij.
“Torres ka punuar shumë dhe jam i kënaqur pasi ai bëri një punë fantastike. Forma fizike është ajo të cilën mund ta arrini vetëm duke luajtur ndeshje. Do të them se ai është vetëm 50% i vetvetes, dhe ai duhet të luajë”.
“Unë ende mendoj se ai mund të përmirësohet. Mund të shihni dallimin kur ai luan mirë dhe po ashtu edhe Gerrard. Kjo ndihmon pjesën tjetër të ekipit të luajë më mirë”, ka thënë Benitez.