Ronaldo dhe Higuain festojnë golin e tretë të shënuar nga argjentinasi Real Madridi ka shpërthyer në pjesën e dytë të ndeshjes duke shënuar tre gola për të mposhtur Sporting Gijon në Bernabeu me rezultat 3-1.
Rrjetat qëndruan të paprekura gjatë pjesës së parë, por ato ‘u çanë’ me të filluar pjesa e dytë. Së pari mysafirët befasuan duke kaluar në epërsi me golin e David Barral tetë minuat në pjesë të dytë (53’).
Të zgjedhurit e trajnerit Manuel Pellegrini arritën të barazojnë pas dy minutash tjera me një gol të Rafael van der Vaart (55’), ndërsa e përmbysën rezultatin pas edhe dy minutash tjera me anë të Xabi Alonso (57’).
Gonzalo Higuain shënoi edhe një gol tjetër në minutën e 68-të të ndeshjes, që doli të ishte edhe i fundit i takimit.
Real Madridi tash kryeson me tre pikë para Barcelonës, që nesër udhëton në fushë të Real Zaragozas.
Lucas Barrios Bayer Leverkusen ka dështuar plotësisht në ndeshjen ndaj Borussia Dortmund duke u mposhtur me rezultat 3-0 dhe duke humbur rastin të marrë kreun e Bundesligës.
Stefan Kiessling kishte shansin e artë për të dërguar Leverkusen në epërsi pas 10 minutash, por e dërgoi topin drejt në portierin vendas Roman Weidenfeller. Edhe Eren Derdiyok lëshoi një rast pas 10 minutash tjera, pas një reagimi të shkëlqyeshëm të Weidenfeller.
Lucas Barrios ishte ai që dërgoi vendasit në epërsi pesë minuta në pjesë të dytë, për ta dyfishuar atë pas një ore lojë. Bullgari Dimitar Rangelov kompletoi fitoren e thellë të Dortmund tre minuta para fundit të ndeshjes.
Humbja e Leverkusen dhe ajo e mëhershme e Bayern Munich, do t’i japë rast Schalkes të marrë kreun e Bundesligës, nëse nesër shënon fitore në derbin përballë Hamburg.
Nga një gol i shënuar në secilën pjesë të ndeshjes, i kanë dhënë fitoren 2-0 Arsenalit në takimin e zhvilluar në Emirates Stadium përballë West Ham United.
Edhe pse me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes, Arsenali ka nxjerrë tre pikë shumë të rëndësishme nga ky takim.
Një gol i shënuar në minutën e pestë të ndeshjes nga mesfushori brazilian Denilson ia solli epërsinë e hershme ekipit vendas, që megjithatë në fund të pjesës së parë pësoi një ‘goditje’ pas eliminimit nga loja të Thomas Vermaelen dhe një penaltie të akorduar për mysafirët.
Megjithatë Alessandro Diamanti dështoi të jetë i saktë nga pika e bardhë, me portierin Manuel Almunia që ia doli ta ndalojë gjuajtjen e sulmuesit italian.
Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë, Arsenali arriti të shënojë edhe një gol tjetër të qetësisë. Kësaj here Cesc Fabregas fitoi penaltinë dhe doli të ishte i saktë nga pika e bardhë (83’).
Tre pikët e reja e rendisin Arsenalin në maje të Ligës Premier me 67 pikë, një më shumë se Manchester United që nesër pret në fushë të vet rivalin e përbetuar, Liverpoolin.
Chelsea qëndron tre pikë prapa Arsenalit, por ka edhe dy ndeshje më pak të zhvilluara. Blutë nesër udhëtojnë në fushë të Blackburn.
Autori i golit të dytë për Fiorentinën, Alberto Gilardino Një gol i hershëm dhe dy të vonshëm i kanë ndihmuar Fiorentinas të shënojë fitore në Artemio Franchi përballë Genoas me rezultat 3-0.
Vendasit kaluan në avantazh me të filluar takimi me anë të golit të Mario Santana (4’), ndërsa goli i qetësisë erdhi në minutën 73-të nga Alberto Gilardino, i cili shënoi nga pika e bardhë. Katër minuta para fundit të ndeshjes rezultatin e vendosi Khouma Babacar (86’).
Me tre pikët e reja Fiorentina grumbullon 41 pikë në pozitën e tetë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në garat evropiane.
Autori i dy golave për Sunderlandin, Darren Bent Dy gola të shënuara në 20 minutat e fundit të ndeshjes i kanë dhënë fitoren 2-0 Evertonit në fushë të vet ndaj Boltonit.
Pas pjesës së parë pa gola, momenti më vendimtar në ndeshje erdhi në minutën e 71-të, kur mysafirët e Boltonit mbetën me10 lojtarë në fushë pas eliminimit me karton të kuq të Gretar Steinsson.
Mickael Arteta iu dha avantazhin vendasve një minutë më pas, ndërsa rezultatin e vulosi Steven Pinear një minutë para fundit të kohës së rregullt. Fitorja e mban Evertonin në pozitën e tetë të tabelës, me 45 pikë.
Lorik Cana ka munguar për të dytën ndeshje radhazi për shkak të suspendimit, por kjo nuk e ka penguar ekipin e tij të shënojë fitore bindëse prej 3-1 në fushë të vet ndaj Birminghamit.
Dy gola të hershëm të shënuar nga Darren Bent (5’ dhe 11’) vulosën dominimin e vendasve në pjesën e parë të takimit. Pjesa e dytë iu takoi mysafirëve që pas një ore lojë ngushtuan disavantazhin me anë të Cameron Jerome, por fati ishte anën e vendasve të cilët ia mohuan disa raste të pastra Birminghamit, para se rezultatin ta vulosë një gol të vonshëm të shënuar nga Fraizer Campbell (88’).
Niko Kranjcar duke festuar golin e fitores Tottenhami ka shënuar fitore 2-1 në fushë të Stoke Cityt për të qëndruar edhe më tej në pozitën e katërt të tabelës së Ligës Premier.
Pjesa e parë e ndeshje përfundoi pa gola, por me të filluar pjesa e dytë ish-sulmuesi i Barcelonës, Eidur Gudjohnsen ua dha avantazhin mysafirëve (46’).
Ekipi i trajnerit Harry Redknapp u stimulua edhe më shumë pas tre minutash tjera, kur vendasit mbetën me 10 lojtarë në fushë pas përjashtimit të Dean Whitehead me kartonin e dytë të verdhë (49’). Megjithatë ishte Stoke City që arriti ta barazoi rezultatin kur Matthew Etherington ishte i saktë nga pika e bardhë (64’).
Tre pikët e rëndësishme Tottenhamit ia siguroi kroati Niko Kranjcar, i cili shënoi në minutën 77-të të takimit, pas një asistimi të Gudjohnsen.
Spurs vazhdojnë të qëndrojnë në pozitën e katërt me 55 pikë, katër më shumë se Liverpooli që nesër udhëton në Old Trafford te Manchester United, dhe pesë më shumë se City, që po nesër udhëton te Fulhami.
Aston Villa më herët barazoi me rezultat 2-2 në fushë të vet ndaj Wolwerhampton, duke iu dhënë një goditje shpresave për pozitën e katërt të tabelës. Villa tash ka 50 pikë në pozitën e shtatë të tabelës.
Lideri i Bundesligës, Bayern Munich, është mposhtur me rezultat 2-1 në fushë të Eitracht Frankfurt, duke rrezikuar të humbasë kreun e tabelës.
Bavarezët kaluan të parët në epërsi, kur pas shtatë minutash lojë, Miroslav Klose shënoi për t’i dhënë avantazhin ekipit të tij. Por, kur u mendua se ky gol do ta forcojë Bayernin në maje të tabelës, erdhën dy gola të vonshëm të vendasve.
Së pari sulmuesi Juvhel Tsoumou barazoi rezultatin tre minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërsa dy minuta më pas Martin Fenin shënoi golin e fitores për Frankfurtin.
Bayern vazhdon të kryesojë me 56 pikë, por nëse Bayer Leverkusen shënon fitore më vonë në fushë të Borussia Dormund, do barazojë pikët dhe do të marrë kreun ndaj bavarezëve.
Daniel Agger nuk ka dyshime se Liverpooli mund ta eliminojë Benfican kur të dy ekipet do të takohen në çerekfinale të Europa League.
Nëse Redsat eliminojnë ekipin portugez, në gjysmëfinale do të takojnë njërin nga ekipet spanjolle, Atletico Madrid ose ish-ekipin e trajnerit Rafa Benitez, Valencia, të cilët do të përballen në çerekfinalen tjetër të ligës evropiane.
“Ky është trofeu i fundit të cilin mund ta fitojmë, andaj duhet të japim gjithçka që kemi për ta fituar atë. Duhet ta tregojmë këtë në fushë dhe mendoj se e kemi bërë këtë kundër Lille. Nëse duhet ta fitoni një turne si ky, duhet t’i mposhtni të gjithë”, ka thënë Agger.
Carlos Tevez thotë se ai është plotësisht i përkushtuar ndaj marrëveshjes së tij që ka me Manchester City.
Në një seri pyetjesh dhe përgjigjesh nga fansat, Tevez iu ka thënë tifozëve të Cityt të harrojnë tregimet nga Buenos Aires se ai mund të pensionohet nëse Argjentina fiton në Kupën Botërore në korrik.
“Jam këtu për një kohë të gjatë. Sigurisht, nëse e fitojmë Kupën Botërore me Argjentinën do të ishte mrekulli. Por kur erdha këtu verën e kaluar, mu ofrua një projekt i madh dhe po planifikoj të jem këtu për një kohë të gjatë”, ka thënë Tevez.
Cristiano Ronaldo - Real Madrid Mesfushori portugez, Cristiano Ronaldo, i ka premtuar presidentit të klubit, Florentino Perez, se ata do të triumfojnë në La Liga këtë sezon.
Pas ardhjes së Perez në stolin e presidentit dhe investimit prej 250 milionë eurove në përforcime të reja, qëllimi i Realit ishte të fitohen tre titujt. Por mbretërit shpejt u zhgënjyen duke u eliminuar nga Copa del Rey dhe së fundi edhe nga Liga e Kampionëve.
Mundësia e vetme për titull ka mbetur La Liga dhe sipas Marca në takimin e fundit në mes të Perez dhe futbollistëve, Ronaldo i ka premtuar atij se ata do ta fitojmë kampionatin.
Gazeta shkruan se ish-ylli i Manchetser United i ka thënë Perez të qëndrojë ‘i qetë’ dhe e ka siguruar se ata ‘do ta fitojnë La Ligën’.
Për momentin Real Madridi është në maje të tabelës së kampionatit spanjoll me numër të njëjtë të pikëve me kampionin aktual, Barcelonën.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, thotë se ai është i pakënaqur me shortin e çerekfinales së Europa League, që nxori ekipin e tij përballë rivalit tjetër spanjoll, Atletico Madrid.
Emery thotë se më shumë do të kishte preferuar kundërshtarë të huaj.
“Është për të ardhur keq që dy ekipe spanjolle duhet të përballen me njëri-tjetrin në çerekfinalet, por është po ashtu e vërtetë se siguron që një përfaqësues nga liga jonë do të jetë në gjysmëfinale”, ka thënë Emery për faqen zyrtare të klubit.
Mbrojtësi i Interit, Lucio, thotë se Jose Mourinho e ka këshilluar atë të qëndrojë në mbrojtje në vend se të dalë në sulm.
Braziliani, i cili verën e kaluar iu bashkua Interit nga Bayern Munich, thotë se i pëlqen të ‘fluturojë’ në sulm, por këtë veti të tij nuk e pëlqen trajneri Jose Mourinho.
“Mourinhos aspak nuk i pëlqen që unë shkoj në sulm, por unë e kuptoj atë pasi detyra ime kryesore është të jem në mbrojtje. Nuk ka nevojë vazhdimisht të sulmoj” ka thënë Lucio.
Megjithatë trajneri i kombëtares së Brazilit, Dunga, nuk ka asgjë kundër karakterit ofensiv të tij.
“Dunga kurrë nuk më ka thënë të mos shkoj në sulm. Këto janë karakteristikat e mia, por e di se vetëm në periudha të caktuara të ndeshjes mund ta bëj këtë”, ka shtuar braziliani.
Bayern Munichu në fund të këtij sezoni do të mundohet të angazhojë Robin van Persien.
Sipas L’Equipe holandezi Robin van Persie sezonin e ardhshëm do të mund të luajë për Bayern Munichun, si zëvendësim për Miroslav Klose që pritet të largohet në fund të sezonit.
Spekulimet e tilla vijnë pasi drejtori sportiv i bavarezëve, Christian Nerlinger, së fundi pohoi se ata do të përpiqen të sjellin disa lojtarë kualitativ në Allianz Arena pas fundit të sezonit, me qëllim që të krijojnë një ekip konkurrues në Ligën e Kampionëve.
Gazeta franceze shkruan se Louis van Gaal planifikon ta zgjerojë koloninë holandeze në Munchen dhe Van Persie do t’u bashkohet tashmë dy bashkë-vendasve të tij Mark van Bommel dhe Arijen Robben.
Por është vështirë të besohet se Van Persie do të pranohet të largohet nga Emirates, pasi së fundi e rinovoi marrëveshjen me topçinjtë deri në vitin 2014.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, edhe një herë e ka hedhur poshtë mundësinë për të marrë nën drejtim kombëtaren e Italisë pas Kupës Botërore.
Mancini është lidhur me këtë rol pasi Marcello Lippi ka pohuar se do të largohet nga ky post pas kampionatit Afrika e Jugut 2010.
“Ndoshta pas 10 vitesh do të isha i interesuar. Nëse Lippi largohet pas Kupës Botërore, Prandelli do të ishte një zgjidhje e mirë. Nuk e di nëse Lippi do të largohet, por unë do të qëndroj këtu”, ka thënë italiani.
Arjen Robben thotë se Bayern Munich nuk ka përse të ketë frikë nga Wayne Rooney ose Manchester United.
Bayern u caktua të përballet me United në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe ish-mesfushori i Chelseat mbetet optimist se ekipi gjerman mund t’i bëjë ballë kampionit të Anglisë.
“Njerëzit flasin për Rooneyn, por United nuk është vetëm ai. Në Chelsea, kam shënuar fitore të rëndësishme kundër United. Do të jetë si një finale. Bayern ka ngritur fuqinë e vet në Evropë, ky sezon mund të jetë sensacional”, ka thënë Robben për The Sun.
Manchester City ka hedhur poshtë spekulimet se Robinho mund t’i japë fund huazimit të tij te Santos para kohe.
City thotë se Santos është duke i kryer me kohë pagesat për lojtarin dhe se nuk do të ketë prishje të marrëveshjes.
“Nuk ka probleme me paratë. Gjithçka realizohet me kohë dhe nuk ka pasur mospagesa për lojtarin”, ka thënë zëdhënësi i klubit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thotë se ata e kanë ‘Lionel Messi-n’ e tyre, në kapitenin Cesc Fabregas.
Topçinjtë janë caktuar të përballen me Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që do të jetë një përsëritje e finales së katër viteve më parë.
“Mendoj se ata janë lojtarë krejtësisht të ndryshëm. Por, ajo që është më interesante është se ata kanë luajtur së bashku në ekipin e të rinjve të Barcelonës”.
“Kur kam folur me nënën e Fabregas, kur ajo e solli atë këtu në moshën 16-vjeçare, ajo tha se ata gjithmonë ktheheshin me fitore, 6, 7, 8, 9-0 pasi gjithmonë kanë pasur të njëjtin ekip, Gerard Pique, Messi, Fabregas. Nuk jam i befasuar”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se Fernando Torres ka një të ardhme shumë më të mirë te Redsat se ylli i Manchester United, Wayne Rooney.
Dy sulmuesit do të përballen me njëri-tjetrin në derbin e nesërm të Ligës Premier në Old Trafford.
“Për ne, Fernando është shumë i rëndësishëm. Nëse ai do të kishte qenë në formë gjithë sezonin, diferenca ndaj kreut do të ishte më e vogël. Nëse Fernando është në formë ai shënon në shumicën e ndeshjeve, andaj është shumë e thjeshtë. Do të kishte qenë një sezon më ndryshe për ne, nëse ai nuk do të ishte lënduar dhe do të kishte luajtur më shumë”.
“A do ta shkëmbeja me Rooney? Jo, vërtet. Fernando është një lojtar fantastik dhe nuk ka dyshime se Rooney është shumë, shumë i mirë. Por Fernando është lojtari ynë, fansat e duan dhe duam ta mbajmë”, ka thënë Benitez.
Anësori i Manchester United, Nani, i ka thënë kapitenit Steven Gerrard se ai humb kohë kur mendon se mund të fitojë trofe në Liverpool.
Në prag të takimit të nesërm mes dy rivalëve anglezë, mesfushori portugez po ashtu ka përmendur trofetë që ai ka fituar gjatë periudhës së tij të shkurtër në Manchester United, për ta bërë Gerrard të lakmojë.
“Nuk e di për synimet e Steven Gerrard gjatë verës, por është normale që një lojtar me kualitetet e tij të dëshirojë të fitojë tituj dhe nëse kjo nuk ndodh në Liverpool, ai mund të mendojë për largim”, ka thënë Nani.
23-vjeçari ka thënë edhe se Gerrard nuk do të ketë çfarë të festojë nesër, pasi beson se Manchester United nuk do të humbë asnjë ndeshje në Old Trafford deri në fund të sezonit.
Problemet me lëndime të mbrojtësit të Arsenalit, William Gallas, mund të ndikojnë që ai të mos jetë i gatshëm për supersfidën e Topçinjve ndaj Barcelonës në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.
“Shpresoj se ai do të luajë së shpejti, por për momentin nuk duket mirë. Ai do të luajë pak para fundit të sezonit, por a do të jetë i gatshëm ndaj Barcelonës?”.
“Këtu dua të vë një pikëpyetje tjetër. Mund të them se ai është 80% sigurt jashtë sfidës. Por, ai do të luajë pak para fundit të sezonit”, përfundoi trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.
Drejtori teknik i Bayern Munichut, Christian Nerlinger, ka thënë se përballja ndaj Manchester Unitedit është një sfidë që do të ringjallë kujtimet e asaj që ndodhi para një dekade.
Bayerni dhe Unitedi u takuan në finalen e vitit 1999 në Camp Nou, në të cilën triumfoi në mënyrë dramatike skuadra angleze pasi që përmbysi rezultatin prej 1-0, në 75 sekondat e fundit të takimit për të fituar titullin e më të mirit të Evropës me rezultat 2-1.
“Do të jetë festival për ne. Të luajmë në Manchester është shumë speciale për ne, sepse po luajmë ndaj njërit prej ekipeve më të forta në Evropë. Ne duhet të hyjmë optimist në sfidë, dhe të shikojmë se si të kualifikohemi”, u shpreh Nerlinger.