Messi feston me bashkëlojtarët. Barcelona ka regjistruar fitoren e radhës në La Liga duke e mposhtur Real Zaragozan me rezultat 4-2.
Ishte një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme për argjentinasin Lionel Messi, i cili krijoi epërsi të trefishtë për Balugranët.
Me një gol të shënuar në pjesën e parë (5’) dhe dy në pjesën e dytë (66’ dhe 78’), SuperMessi përcaktoi fituesin e ndeshjes.
Megjithatë, vendasit u këndellën kah fundi i ndeshjes, me ç’rast Adrian Colunga realizoi dy herë (85’ dhe 89’).
Rezultatin përfundimtar të takimit e vendosi Zlatan Ibrahimovic, i cili shënoi nga pika e bardhë në fund të ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje Barca barazohet me Real Madridin në krye të tabelës dhe vazhdojnë garën për titullin e kampionit të Spanjës.
Golashënuesi i vetëm, Antonio Cassano. Ka vazhduar seria e rezultateve të dobëta të Juventusit edhe në javën e 29-të të Serie A, me ç’rast Bianconerët janë mposhtur me rezultat minimal nga Sampdoria.
Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Luigi Ferraris, i ka takuar skuadrës gjenovase, e cila fitoi me rezultat 1-0.
Golin me vlerën e tre pikëve e shënoi Antonio Cassano (77’) me një goditje brilante duke mposhtur portierin Chimenti.
Kjo humbje e zhvendos Juventusin në pozitën e gjashtë, ndërsa vendin e pestë ia zë Sampdoria me një pikë më shumë.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka deklaruar pas ndeshjes kundër Liverpoolit, se gara për titullin e Ligës Premier është jashtëzakonisht e paparashikueshme dhe se nuk do të dihet asgjë deri në javën e fundit.
“Nëse do të mbaj mirë fizikisht Vidicin dhe Ferdinandin atëherë do ta fitojmë titullin. Nuk dyshoj në këtë. Vidic sot ishte gjithashtu fenomenal”.
“Gara për titull është tejet e nxehtë, dhe nuk kam dyshim për këtë. Nëse shikoni ndeshjet e të gjitha skuadrave mund të konkludoni se gara për titull është e nxehtë”, ka thënë Ferguson.
Trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, për herë të parë ka pranuar se frikësohet që skuadra e tij nuk do të mund të përfundojë në pozitën e katërt në Ligën Premier, pas humbjes 2-1 nga Manchester United.
“Do të jetë vështirë, por ne duhet të luftojmë. Janë edhe shumë pikë për t’u fituar, kështu që presim se çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër. Mendoj se tifozët shohin se ekipi ka qenë solid sot. Nuk është se nuk po luajmë mirë, apo nuk po krijojmë raste, apo jemi shumë të dobët”.
“Varet shumë edhe nga ekipet tjera. Duhet të fitojmë ndeshjen, të shohim çfarë po bëhet në tabelë, dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër”.
“Mendoj se takimi ishte i ngushtë. Ata nuk patën raste, as ne nuk patëm. Ndërmjet dy skuadrave të mëdha, gjithnjë gjërat e vogla vendosin fituesin”, ka thënë Benitez.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ishte paksa i dëshpëruar me barazimin 1-1 ndaj Napolit, me ç’rast ekipi i tij dështoi ta kalojë Interin në krye të tabelës.
“Ishte rast për të dëshmuar kualitetin e lojës tonë. Lëndimi i Patos, natyrisht se ndryshoi lojën”.
“Ne ishim në dizavantazh, por më pas treguam karakter dhe u kthyem. Ekipi tregoi natyrën kompetitive sot. Sidoqoftë, Scudetto ende as nuk është humbur, e as nuk është fituar, sepse janë edhe shumë ndeshje në kalendar”.
“Nuk e di se sa është i rëndë lëndimi i Patos, por të shohim pas dy-tri ditësh”, tha Leonardo pas ndeshjes.
Nabil Baha shënoi dy golat e Malagas. Villarreali dhe Atletico Madridi kanë pësuar disfata në kuadër të javës së 27-të të Primera Divisionit spanjoll.
Nëndetësja e Verdhë ka pësuar me rezultat 2-0 si mysafir i Malagas, ndërsa kryeqytetasit janë turpëruar me rezultat 4-1 nga Mallorca në transfertë.
Kjo humbje prish punët e Villarrealit drejt qëllimit për të siguruar një vend në Europa League, ndërkohë që nëse Atletico Madridi vazhdon të luajë keq, shumë shpejtë mund ta shohë veten në zonën e rrezikut.
El Hadji Diouf barazoi rezultatin. Blackburn Rovers ka arritur t’i shkaktojë telashe të mëdha Chelseat në sfidën e javës së 31-të në Premier Ligë, duke barazuar 1-1, dhe duke i lënë Blutë në pozitën e tretë në tabelë.
Chelsea filloi furishëm takimin, duke kaluar në epërsi në minutat e hershme të takimit me golin e Didier Drogbas që u ndihmua nga Nicolas Anelka (6’).
Mysafirët ishin skuadër dukshëm më e mirë gjatë gjithë takimit, por një asistim i Michel Salgados, bëri që El Hadji Diouf të shënojë për 1-1 dhe rezultatin përfundimtar të takimit (70’).
Chelsea nuk arriti të shënojë golin e fitores deri në fund duke bërë që ndeshja të përfundonte me barazim.
Pas këtij barazimi, Blutë e shohin veten në pozitën e tretë me 65 pikë, katër më pak se United në pozitën e parë, dhe dy më pak se Arsenali në pozitën e dytë. Duhet përmendur që Chelsea ka një ndeshje më pak të zhvilluar se rivalët për titull.
Pas një paraqitjeje tjetër fenomenale me asistin e tij të 16-të në Serie A këtë sezon, Ronaldinho u shpreh të jetë relativisht i kënaqur me barazimin e arritur ndaj Napolit.
“Nuk kemi shije të hidhur sepse nuk fituam. Kemi edhe shumë ndeshje para nesh dhe ne po punojmë shumë ashtu siç kemi bërë më parë, dhe krahas kësaj ne ende besojmë në titull”.
“Ajo çfarë na mungoi sot është aftësia për të luajtur mirë me top në fushë, por ishte një ndeshje mjaft e mirë”, deklaroi pas ndeshjes, Ronaldinho.
Ish-trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, beson se lojtarët e Carlo Ancelottit e kanë moshën e duhur për të fituar Ligën e Kampionëve sezonin tjetër.
“Atyre nuk iu duhen ndryshime të mëdha. Ky është ekip i mrekullueshëm me njerëz profesionistë në një moshë të mirë”.
“Ata nuk e kanë një Zanetti siç e kam unë, ata nuk e kanë një Toldo si unë, ose një Materazzi. Ata nuk kanë lojtarë 36, 37 ose 38 vjeçarë”.
“Ata janë në moshën më të mirë, në moshën e përvojës, në moshën e gjithçkaje, kështu që ata mund ta bëjnë atë. Është vështirë të themi se çfarë iu nevojitet”, ka thënë Mourinho.
Festa e lojtarëve të Lazios. Lazio iu është rikthyer fitoreve pas një kohe të gjatë, duke mposhtur në transfertë Cagliarin me rezultat 2-0, kurse nga ana tjetër Parma u ndal në fushë të Barit me rezultat të barabartë 1-1.
Lazio nisi mirë takimin, kur Tomasso Rochi shënoi për epërsinë e parë (4’), me anë të asistimit të Maurit.
Lazio kreu punën në pjesën e parë, kur Sergio Floccari shënoi për 2-0 dhe fundosjen e ishullorëve (37’).
Nga ana tjetër, Bari mezi arriti të nxjerrë një barazim 1-1 ndaj Parmës në San Nicola.
Të parët në epërsi kaluan mysafirët nga Parma që shënuan me anë të golit të Zenonit me asistim të Hernan Crespos (36’).
Bari u mbrojt mirë, dhe bëri presion, që iu shpagua në minutat e fundit të takimit, kur Andrea Masiello shënoi për 1-1 (85’) dhe siguroi një pikë të artë të Barit.
Lazio përkohësisht është jashtë zonës së rrezikshme, kurse Parma dhe Bari mbeten në pozitat 12 respektivisht 11.
Ronaldinho dhe Inzaghi festojnë golin e barazimit. Milani ishte nikoqir i Napolit në San Siro për të zhvilluar ndeshjen e javës së 29-të në Serie A, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Mysafirët shënuan të parët me anë të Hugo Campagnaros (13’) pas një pasimi të bukur të Lavezzit.
Shifrat i barazoi Filippo Inzaghi (26’) pas një harkimi të Ronaldinhos dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë Rossonerët nuk arritën të ndryshojnë asgjë dhe përfunduan takimin duke fituar vetëm një pikë.
Ky barazim e lë Milanin në pozitën e dytë në tabelë me një pikë më pak se lideri Inter dhe tre pikë më shumë se Roma që mban pozitën e tretë.
Wayne Rooney shënoi sërish Manchester United ka shënuar fitore në derbin e javës së 31-të në Ligën Premier, duke e mposhtur Liverpoolin me rezultat 2-1.
Edhe pse vendasit dominuan në pjesën e parë, pas 45 minutave rezultati ishte 1-1.
Fernando Torres kaloi mysafirët në epërsi në fillim të ndeshjes (5’), kur spanjolli e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë një krosim të Kuyt, për të mposhtur me kokë portierin Van der Sar.
Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe pas një ndërhyrje të Mascheranos në Valencian u akordua penallti në favor të United.

Edhe pse goditjen e Wayne Rooneyt nga njëmbëdhjetëmetërshi e mbrojti portieri Pep Reina, sulmuesi anglez ishte aty për të përmirësuar gabimin e tij dhe për të barazuar rezultatin (12’).
Edhe në gjysmën e dytë, ishte e njëjta skenë në Teatrin e Ëndrrave ku dominonin Djajtë e Kuq.
Pas një ore lojë, Darren Fletcher harkoi në zonë, derisa harkimit të tij iu përgjigj Ji-Sung Park, i cili shënoi me kokë golin e epërsisë dhe të fitores për United.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United rimerr kreun e Kampionatit anglez me dy pikë më shumë se Arsenali që mban vendin e dytë dhe pesë më shumë se Chelsea që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Ylli brazilian Ronaldinho ka pranuar se Interi është favorit për titullin e Kampionatit italian, por ka thënë se skuadra e tij ka motivacion të shtuar, duke qenë se Rossonerët nuk e kanë fituar Scudetton qe gjashtë vite.
“Interi është në maje, ata e kanë fituar titullin me vite të tëra dhe janë para Milanit. Ata janë para nesh, si në tabelë, ashtu dhe me tituj. Por, ne jemi ndoshta më të motivuar”.
“Ne nuk e kemi fituar Scudetton që një kohë të gjatë. Ne po vuajmë për atë, ne po luftojmë për atë, ne e duam atë”.
“Ne kemi edhe dhjetë ndeshje për të luajtur e të cilat do të jenë si dhjetë finale. Ne nuk do të dorëzohemi. Jam i kënaqur me veten deri tani. Por dua ta përfundoj mirë sezonin. Unë dua t’ua dhuroj Scudetton tifozëve të Milanit”, është shprehur Ronaldinho.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, parapëlqen që ta zëvendësojë gjatë verës Rafa Benitezin në postin e trajnerit të Liverpoolit.
Mourinho qe një kohë të gjatë është subjekt i spekulimeve për një kalim te Real Madridi apo Manchester City, ndërsa tani News of the World njofton se portugezi është i interesuar ta drejtojë skuadrën nga Anfield.
Sidoqoftë, mësohet se njëri nga strategët më të mirë në botë- Mourinho nuk do të shkojë te Liverpooli derisa George Gillet dhe Tom Hicks të jenë pronarë të klubit.
Për më shumë, Mourinho dëshiron garanci që nëse bëhet trajner i Liverpoolit, të ketë para të mjaftueshme për të investuar në lojtarë.
Liverpooli është pranë shitjes, ndërsa favorit për blerjen e Redsave është kompania multi-miliardëshe Rhone Group.
Sulmuesi i Romës, Luca Toni, ka pohuar se me fitoren e Romës kundër Udineses, gara për titull në Serie A është bërë më e hapur se kurrë. Roma fitoi sfidën e të shtunës me rezultat 4-2, dhe tani Giallorossët janë vetëm katër pikë prapa liderit Inter.
“Ne jemi ende në garë dhe kemi rihapur garën për titull. Le t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në fund”.
“Nuk është lehtë për shkak se Udinese është ekip që luan mirë dhe ishte në formë para takimit, pas fitores ndaj Palermos. Ne e kemi ditur se do të na vështirësonte punët. Por ne bëmë mirë që i goditëm në fund me dy gola pas barazimit”.
Të mërkurën, Roma udhëton në Bologna, para se të zhvillojë duelin vendimtar për Scudetto kundër Interit në fundjavën e ardhshme.
Mbrojtësi i Milanit, Gianluca Zambrotta, beson se Rossonerët kanë gjasa të mëdha për ta fituar Scudetton, pas gjashtë vitesh.
Interi barazoi me Palermon 1-1 të shtunën mbrëma, që do të thotë se, nëse Milani mposht Napolin, do të ngjitet në maje të tabelës për të lënë prapa pas një kohe të gjatë rivalin e qytetit, Inter.
“Milani duhet të mendojë për vete. Ne jemi dy pikë larg Interit, dhe ne besojmë në titull. Nuk është me rëndësi të dimë rezultatin e Interit. Tani ka rëndësi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit”.
“Ne kemi gjasa për të fituar të gjitha ndeshjet, dhe të tejkalojmë liderët. Por ndeshje të vështira na presin. Napoli është skuadër shumë e fortë, dhe nëse sot nuk e ngjitemi në krye të tabelës, kurrë nuk do të ngjitemi. Është çështje, o sot o kurrë”. Është shprehur Zambrotta.
John Terry si duket ende nuk mund ta harrojë disfatën ndaj Interit, duke kritikuar tani arbitrin e takimit të zhvilluar në Stamford Bridge, Wolfgang Stark.
“Ishte performancë e keqe e jona, por edhe më e keqe ishte paraqitja e gjyqtarit. Ky referim është i keq për këtë fazë të garës. Ne bëjmë më të mirën për të arritur deri këtu, dhe qe dy vite me radhë eliminohemi shkaku i gjyqtarëve”.
“Nuk dua ta them fjalën konspiracion. Por, jam shumë i frustruar me atë që ndodhi. Penaltia ndaj Didier Drogbas u pa nga aeroplani, dhe nuk e di se si nuk u akordua nga gjyqtari kryesor dhe ai anësor. Wolfgang Stark nuk dëshironte të fliste me mua pas takimit. Ky është mosrespekt”, tha John Terry i frustruar.
Legjenda e Manchester Unitedit, Ryan Giggs, ka këshilluar sulmuesin e klubit, Wayne Rooney, që të qëndrojë përjetë në Old Trafford, dhe ti thyejë të gjitha rekordet e klubit.
Rooney ka shënuar gjithsej 32 gola në të gjitha garat, deri më tani këtë sezon, dhe është shumë pranë për ta thyer rekordin e Cristiano Ronaldos, që kishte shënuar 42 gola brenda një sezoni me fanellën e United.
“Rooney është në vendin e duhur, ai ka menaxherin më të mirë në United, me të cilin gjithnjë lufton për trofe, gjë të cilën e dëshiron si futbollist”.
“Kemi shumë lojtarë të mirë këtu te United, dhe ai e do klubin. Unë e shoh atë këtu për një kohë të gjatë. Nëse Rooney qëndron këtu, së paku edhe dhjetë vite, atëherë ai do të thyejë të gjitha rekordet”.
“Ai do të thyejë rekordin tim të paraqitjeve, dhe do të thyejë rekordin e golave të Bobby Charltonit prej 249 golash. Shpresoj se kjo është diçka që ai mund ta bëjë”, ka thënë Giggs.
Mbrojtësi i Chelseat, Paulo Ferreira, ka bërë pohime të jashtëzakonshme duke thënë se skuadra aktuale e Chelseat nuk do të mund ta fitojë kurrë Ligën e Kampionëve.
“Ne kemi arritur të shkojmë deri në finale dhe ishim disa herë pranë saj. Shumë lojtarë mendojnë se ky është një trofe që nuk do të fitohet kurrë”.
“Ne kemi fituar tituj të Ligës Premier, FA Cup dhe shumë të tjera por Liga e Kampionëve është shumë e rëndësishme. Vitet shkojnë, dhe shumë lojtarë, e përsëris mendojnë se nuk do ta fitojnë kurrë atë”, përfundoi Ferreira.
Sipas “Daily Star”, Manchester United do të ofrojë 35 milionë funte për njërin prej sulmuesve më të vlerësuar në botën e futbollit, David Villan e Valencias.
Sir Alex Ferguson ka dërguar agjentët e tij që të vështrojnë nga afër sulmuesin spanjoll, në mënyrë që gjatë verës ai të transferohet dhe së bashku me Rooneyn të formojë dyshen më të rrezikshme në botë.
David Villa ka edhe katër vite kontratë me Valencian, por skuadra spanjolle po ka probleme financiare, të cilat mund të detyrojnë një shitje masive të lojtarëve gjatë verës.
E përditshmja sportive AS, e cila është e njohur për favorizimet ndaj Real Madridit, dhe shpesh e akuzuar për analizat jo të vërteta për të destabilizuar rivalin e përbetuar Barcelonën, ka kërkuar nga lexuesit e saj që të votojnë për favoritin e Ligës së Kampionëve.


Ky sondazh i cili u zhvillua në AS.com, dhe që është portali më i vizituar i madrilenëve, ka nxjerrë rivalin e përbetuar- Barcelonën në pozitën e parë, me 66% të votuesve që besojnë se Barcelona do të triumfojë në garën më të madhe evropiane për klube – Ligën e Kampionëve.



Rezultatet e plota janë si vijon:



Barcelona: 66%
Manchester United: 19%
Inter: 6%
Arsenal: 3%
Bayern Munich: 2%
Bordeaux: 2%
Lyon: 1%
CSKA Moska: 1%

Portieri i Interit, Julio Cesar ka thënë se ekipi i tij do ta fitojë Scudetton, përkundër barazimit 1-1 ndaj Palermos, që do të thotë se me fitore eventuale kundër Napolit, Milani mund t’ia rrëmbejë kreun kampionit në fuqi.
“Unë besoj në ekipin tim, sepse ne e dimë fuqinë tonë. Ende luhet në kampionat dhe janë edhe shumë ndeshje, me të cilat do ta vazhdojmë traditën tonë për ta fituar Scudetton”.
“Ne jemi të qetë. Ne luajtëm ndaj një ekipi që u mbrojt mirë. Ne ishim të mirë në posedim, edhe pse nuk kemi goditur shumë në portë. Kanë ekzistuar disa vendime kontroverse ndaj Catanias. Sot (e shtunë) ishte më ndryshe. Secili ekip bën impenjimin e vet, dhe kjo ishte arsyeja pse nuk shënuam”, ka thënë Cesar pas ndeshjes.
Real Madridi fitoi tre pikë të reja në takim kundër Sporting Gijonit, mirëpo trajneri Manuel Pellegrini nuk ishte i impresionuar nga paraqitja e ekipit të tij.
“Ne luajtëm keq në pjesën e parë. Ne u përmirësuam në fillim të së dytës, por nuk patëm kreativitetin për t’i gjunjëzuar ata. Ne shënuam tri gola, por nuk jam i kënaqur me paraqitjen”.
“Sportingu u mbrojt mirë dhe ishte i rrezikshëm në kundërsulme. Ishte ndeshje e vështirë. Kjo ishte ndeshja jonë e parë, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve”, është shprehur kiliani pas ndeshjes.
Arsene Wenger beson se Arsenali i tij mund të fitojë Ligën Premier pas fitores ndaj West Hamit në Emirates të shtunën me rezultat 2-0.
“Mendoja se do të ishte keq pasi që ishim me një lojtar më pak, madje morën penaltinë. Por edhe njëherë kemi treguar fuqi mentale dhe kualitete të mëdha teknike, të cilat janë të kombinuara me qetësinë në ekip”.
“Me këtë besim që kemi ne do ta fitojmë Ligën Premier. Para së gjithash duhet të presim që të gabojnë rivalët, sepse ne vetëm mund t’i fitojmë ndeshjet”, deklaroi Wenger.
Esteban Granero Me fitoren kundër Sporting Gijonit, Real Madridi ka forcuar kreun në La Liga, ndërsa Esteban Granero thotë se skuadra e tij duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura në Kampionatin spanjoll.
“Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur. Sot (e shtunë) ishim të fortë në mbrojtje dhe shfrytëzuam rastet tona”.
“Nuk e di nëse Barcelona do të fitojë nesër (e diel)”, ka thënë Granero për Marca pas ndeshjes.
Të dielën mbrëma, rivali i Realit është mysafir i Real Zaragozas për të zhvilluar takimin e javës së 27-të në Primera Division, ndërsa çdo lëshim pikësh do t’u konvenonte Los Blancos.
Rio Ferdinand dëshiron që Manchester Unitedi t’i japë fund paraqitjeve të dobëta kundër Liverpoolit me një fitore në derbin e të dielës në Old Trafford.
“Kemi humbur tri ndeshjet e fundit që kemi luajtur kundër Liverpoolit. Ato ndeshje nuk kanë shkuar sipas planit, por gjithmonë ka vend për përmirësim dhe tash është koha që ne t’i mposhtim”.
“Liverpooli është njëri nga rivalët tonë më të mëdhenj dhe neve asnjëherë nuk na pëlqen që të mposhtemi nga ata. Jam i bindur se mund të marrim tre pikë të dielën dhe t’i japim fund suksesit që kanë ata ndaj nesh”, ka thënë mbrojtësi anglez për faqen zyrtare të klubit nga Mançesteri.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, beson se sigurimi i vendit të katërt në Ligën Premier, që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, do të ishte i mjaftueshëm që dyshja Fernando Torres dhe Steven Gerrard të vazhdojnë qëndrimin në Anfield.
Ky ka qenë një sezon i vështirë për Të Kuqtë, qëllimi i vetëm i të cilëve tashmë është që të sigurojnë një vend që çon në Ligën e Kampionëve. Aktualisht Liverpooli mban vendin e pestë në tabelë me katër pikë më pak se Tottenhami që gjendet në vendin e katërt.
Ekzistojnë spekulime që Torres e Gerrad mund të shiten nga klubi nëse Redsat nuk sigurojnë Ligën e Kampionëve, ndërsa sipas Sunday Express, trajneri Benitez është i bindur se sigurimi i një vendi në garën më prestigjioze të futbollit evropian për klube do të thoshte që dyshja kryesore e Liverpoolit nuk do të braktiste skuadrën.
Wladimir Klitschko Klitschko ka mbajtur premtimin e tij që do ta nokautojë sfiduesin Eddie Chambers, në përballjen e tyre në Duesseldorf, në rrugën për të mbrojtur titujt e tij IBO, WBO dhe IBF.
Boksieri 33-vjeçar ka shfrytëzuar pesë sekondat e fundit të raundit të 12-të për të rrëzuar përtokë kundërshtarin e tij, amerikanin Chambers.
Edhe pse të gjitha statistikat e shpallnin ukrainasin fitues, megjithatë ai nuk ia la asgjë rastit dhe e fitoi përballjen në mënyrën më të mirë.
“Chambers është shumë i shpejtë dhe super-i fortë”, u shpreh Klitschko.
Diego Milito Interi nuk ka nxjerrë më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen në fushë të Palermos, duke rrezikuar kështu të humbasë kreun e Serie A.
Diego Milito ishte ai që çoi nerazurët në avantazh pas 11 minutash lojë. Mbrojtësi Cesare Bovo faulli në zonën e rreptësisë mbrojtësin e Interit, Lucio, dhe sulmuesi argjentinas ishte i saktë nga pika e bardhë.
Por vendasit u treguan të guximshëm dhe arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 27-të, kur Edinson Cavani shënoi për Palermon. Rezultati nuk ndryshoi gjatë pjesës së mbetur të ndeshjes, duke ndarë pikët në këtë derbi të Serie A.
Me pikën e fituar Interi mban kreun me 60 pikë, por që rrezikohet nga Milani që ka dy pikë më pak dhe që nesër mund të ngjitet në maje nëse fiton në fushë të vet ndaj Napolit.
Palermo që tash mbledh 47 pikë po ashtu rrezikon të humbasë pozitën e katërt nëse nesër Juventusi shënon fitore në fushë të Sampdorias.
Heroi i Romës, Mirko Vucinic Pas tre barazimeve të fundit në Serie A dhe një humbje në Europa League, Roma iu është rikthyer fitore duke mposhtur Udinesen në Olimpico me rezultat 4-2.
Heroi i mbrëmshme ishte sulmuesi malazias Mirko Vucinic, i cili shënoi hat-trick.
Romakët kaluan në epërsi të dyfishtë në fillim të pjesës së parë me golat e Luca Tonit (15’) dhe Mirko Vucinic (24’), por mysafirët arritën të ngushtojnë diferencën në 2-1 që në pjesë të parë me anë të Antonio Di Natale, i cili shënoi nga pika e bardhë (38’).
Pjesa e dytë filloi po ashtu në favor të Udineses, me Di Natale që pas një ore lojë shënoi golin e tij të dytë për të barazuar rezultatin (61’). Pesë minuta më vonë penalti u akordua edhe në anën e kundër, dhe Vucinic po ashtu ishte i saktë nga pika e bardhë për të shkruar edhe ai emrin për të dytën herë në listën e golashënuesve.
Por, publiku në Olimpico nuk u mjaftua me kaq, pasi në ndeshja solli edhe golin e gjashtë dhe të tretin nga Vucinic, që vulosi fitoren e Romës (83’).
Me tre pikët e reja Roma mbledh 56 pikë në pozitën e tretë dhe i afrohet në katër pikë kreut, ku ndodhet Inter që sonte barazoi ndaj Palermos. Milani, që pret në San Siro ekipin e Napolit, mban pozitën e dytë me 58 pikë.