Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, beson se gara për Scudetto do të nxehet tej mase me Romën dhe Milanin që konsiderohen ende kandidatë seriozë për titull.
“Roma është kundërshtar që është në garë për titull, ashtu si Milani. Do të jetë ndeshje që ndoshta do ta vendosë Scudetton”.
“ Kampionati në Itali është shumë interesant dhe do të mbetet ashtu deri në fund”, është shprehur Sneijder.
Juventusi është duke punuar në një transferim mjaft ambicioz të treshes nga Liverpooli: Rafael Benitez, Fernando Torres dhe Javier Mascherano.
Il Corriere dello Sport pohon se zëvendësdrejtori gjeneral i Juventusit, Roberto Bettega ka filluar negociatat me përfaqësuesit e Benitez në Londër javën e kaluar.
Bettega e shfrytëzoi rastin për t’u takuar me Benitezin kur Juve udhëtoi në Londër për t’u ndeshur me Fulhamin.
Bettega dëshiron që me trajnerin Benitez, në Torino të vijnë edhe mesfushori defensiv Javier Mascherano dhe sulmuesi Fernando Torres, natyrisht nëse gjithçka përfundon me sukses.
Benitez që në janar ishte lidhur me një kalim te Juventusi në kohën kur u shkarkua Ciro Ferrara.
Përzgjedhësi i kombëtares katalunase, Johan Cruyff, ka vënë në pah madhështinë e Lionel Messit, pas fitores së Barcelonës përballë Zaragozas, sfidë në të cilën Messi shënoi het-trikun e tretë të sezonit.
“Messi është i pakapshëm. Produkti që jep ai në fushë është i pallogaritshëm, jo vetëm për faktin se ai po e mban ekipin, por për shkak se ai po e tregon më të mirën në momentet më të duhura”.
“Shtatë nga tetë skuadrat e mbetura në Ligën e Kampionëve po e synojnë këtë titull dhe vetëm një mund ta fitojë. Messi e forcon ekipin, në momentin kur skuadrës i duhet përqendrim maksimal në fund të sezonit”, deklaroi Cruyff për El Periodico de Catalunya.
Grand Slami i dytë më i rëndësishëm, French Open, është në rrezik për t’u zhvendosur nga Parisi, për shkak të problemeve në infrastrukturën në qendrën e Roland Garros.
Organizatorët e Grand Slamit janë duke e menduar që një kohë të gjatë rritjen e kapacitetit të stadiumit qendror të French Open, Roland Garros, por ky mendim ka hasur në kundërshtime të popullsisë dhe ambientalistëve.
“Kemi dy mundësi: Ose ta rrisim kapacitetin, ose të zhvendosemi. Një largim nga Parisi do të na thyente zemrën, por duhet ta shqyrtojmë”, ka deklaruar drejtori i turneut, Gilbert Ysern.
Trajneri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka pranuar se objektivi i Liverpoolit varet shumë nga rezultatet e skuadrave tjera rivale për pozitën e katërt që çon në Ligën e Kampionëve.
“Ne e kemi ditur se do të jetë vështirë ndaj United. Pyetja shtrohet tani për ekipet tjera. Tottenhami fitoi në fundjavë por ne duhet të shkojmë përpara. Ne jemi të bindur se ata do të gabojnë, pasi që do të fitojmë ndeshjet dhe do të ngushtojmë diferencën, dhe më pas do të jemi në Ligën e kampionëve”.
“Janë edhe shumë pikë për t’u luajtur. Nëse i fitojmë ndeshjet ne do të jemi në Ligën e Kampionëve. Si menaxher unë duhet të besoj në ekipin tim. Do të jetë vështirë por unë e di se mund ta bëjmë”, u shpreh Benitez për Press Association.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, duket ta ketë rigjetur rrugën për në formacionin startues të Interit për ndeshjen e të mërkurës ndaj Livornos, njofton La Gazzeta dello Sport.
Me Sneijderin që ka probleme muskulore, e që do të mungojë, dhe me suspendimin e Dejan Stankovicit, është shumë e besueshme që Balotelli të luajë nga fillimi ndaj Livornos. Balotelli mësohet t’i ketë kërkuar falje Mourinhos për fjalosjen pas stërvitjes më 14 Mars.
Ricardo Quaresma pritet që të luajë gjithashtu ndaj Livornos, për arsye se Mourinho dëshiron t’i pushojë lojtarët kryesorë para ndeshjes vendimtare kundër Romës që zhvillohet të shtunën.
Milani ka konfirmuar se sulmuesi Alexandre Pato është duke vuajtur përsëri nga lëndimet, dhe se ai do të jetë jashtë aksionit për tre javë.
Braziliani është rikthyer nga lëndimi i tij i mëparshëm ndaj Napolit të dielën, pasi që ishte jashtë aksionit tri javë. Por, ai luajti vetëm 14 minuta të ndeshjes dhe u lëndua përsëri.
“Milani dëshiron të komunikojë se Pato i është nënshtruar ekzaminimeve klinike të cilat treguan se ai po vuan nga një lëndim i shkallës së dytë në bicepsin e tij femoral në kofshë. Ai do t’i nënshtrohet kontrollimeve tjera gjatë javës”, thotë një komunikatë e klubit nga San Siro.
Derisa Pato do të mungojë tri javë, në aksion do të rikthehet sulmuesi tjetër Marco Boriello që gjithashtu ishte i lënduar.
Pasi shënoi në sfidën ndaj West Hamit, mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, u shpreh të jetë më i çliruar për shkak se u rikthye me sukses nga lëndimi.
“Nuk më pëlqeu që isha i lënduar për dy javë. Unë dëshiroja të kthehesha, por isha paksa i shqetësuar në gjysmën e parë sepse doja të shikoja se si ishte tejza e këmbës”.
“Unë gjithashtu kam pasur një infeksion të vogël në fytyrë. Nuk kam mundur të stërvitem si duhet. Kështu që e mora me të lehtë. Në fillim ishte vështirë, por në fund dola të jem i fortë”, përfundoi Fabregas.
Lionel Messi, njeriu që me formën e tij brilante ka fascinuar të gjithë anembanë globit, tani ka hapur një debat të gjerë në qarqet e futbollit, se a është ai futbollisti më i mirë në histori të futbollit.
Përderisa një numër i konsiderueshëm i stafit të Barcelonës, duke përfshirë dhe Joan Laportën dhe Pedron, kanë pranuar se Messi është numri një në historinë e futbollit, tifozët e Real Madridit gjithashtu kanë shprehur mendimin e tyre, duke pranuar se ‘ El Messiah’ është thjeshtë i pakrahasueshëm.
Në një sondazh të së përditshmes sportive madrilene Marca, një numër i jashtëzakonshëm i lexuesve, prej 75.2 %, besojnë se Messi është futbollisti më i mirë në histori të futbollit. Vetëm 24.8 % nuk dëshirojnë ta shohin Messin në librat e historisë.
Interi ka përgatitur një ofertë prej 20 milionë eurosh, plus pronësinë komplete të portierit Emiliano Viviano, për anësorin e Fiorentinas, Juan Manuel Vargas.
Calciomercato.com pohon se presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti, ka urdhëruar që ky transferim të përfundojë sa më shpejtë që është e mundur. Oferta e Interit bërë ndaj Violas, do të konkretizohet javën e ardhshme, dhe është shumë e mundshme që drejtuesit nga Artemio Francchi të pranojnë një marrëveshje të tillë.
Peruani Vargas është lidhur në të kaluarën me një transferim te Liverpooli dhe Real Madridi.
Mesfushori i Real Madridit, Esteban Granero, ka thënë në një konferencë për shtyp se ai nuk i frikësohet Lionel Messit, ashtu siç bën e gjithë Spanja.
“Ai është lojtar vendimtar dhe një lojtar që po luan shumë mirë, duke bërë diferencën në secilën ndeshje. Sidoqoftë, tani për tani po na intereson vetëm Getafe. Ne nuk po mendojmë për Barcelonën ose Messin pasi që kjo është humbje kohe”.
“Ne nuk duhet të frikësohemi nga asgjë, e lëre më nga një futbollist i vetëm. Në fushë janë 11 lojtarë, nga të cilat Reali ka më të mirët e rruzullit”.
“Ai (Messi) ka luajtur ndeshjet e fundit shumë mirë, duke treguar se ai është njëri prej më të mirëve. (Por) ne nuk po merakosemi për të”.
“El Clasico do të jetë vendimtar për titull. Sidoqoftë, do të gabojmë nëse mendojmë vetëm për këtë ndeshje. Ne kemi ndeshje tjera të vështira, dhe duhet të mendojmë për secilën me radhë. La Liga do të vendoset në 11 ndeshjet e mbetura”, përfundoi Granero.
Ish- mesfushori i Manchester United, Roy Keane, ka mbështetur Djajtë e Kuq në garën për të fituar titullin e Ligës Premier, ndërkohë që beson se Arsenali është sfiduesi kryesor për titull këtë edicion.
“United mund të fitojë çdo ndeshje deri në fund të sezonit, pa kurrfarë dyshimi. Ata janë të freskët, ata kanë baraspeshën e duhur, përvojë të madhe dhe lojtarë klasi. A e keni parë Chelsean të dielën ndaj Blackburnit? Ata flasin për shpirt ekipor, por unë këtë nuk e pashë”.
“Mendoj se pa kurrfarë dyshimi Arsenali është rreziku më i madh i United në garën për titull”.
“Unë dëgjoj të gjithë lojtarët dhe trajnerët që flasin për shpirt dhe karakter. Vetëm shikojeni se si po i trajton United humbjet dhe fitoret, ata janë më të mirët në botë për këtë”, deklaroi Keane për Sky Sports.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të drejtuesve të Interit, kinse vendimet e dyshimta të gjyqtarëve, iu kanë ndihmuar Rossonerëve që të rihapin garën për titull.
“Nuk dua të flas për askënd tek Interi. Ata shpeshherë e bëjnë për ne, por unë e kam krijuar një rregull këtu, që thotë të mos flasim për Interin”.
“Ne gjithashtu nuk duam të flasim as për gjyqtarët”, theksoi Galliani.
Drejtori i Interit, Gabriele Oriali, pas barazimit ndaj Palermos ka përdorur ironinë, kur tha se gjyqtari dështoi të ndëshkojë mbrojtësin e Palermos, Cesare Bovo, me karton të kuq, pasi ky i fundit përdori bërrylin në duel me Militon.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro Rodriguez, ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij Lionel Messi, duke thënë se ai është më i mirë se legjenda argjentinase Diego Maradona, pas një paraqitjeje tjetër fascinuese ndaj Zaragozas.
“Për mua, Messi është më i mirë se Maradona. Unë luaj me të, unë e shoh atë çdo ditë, dhe për mua ai është më i miri. Maradona ishte lojtari më i mirë në histori, por Messi është edhe më i mirë se ai. Ai është i ri dhe ka për të fituar shumë gjëra, për mua, ai është më i miri”, ka thënë Pedro për Marca.
Ndërkohë, sa i përket garës për titullin e La Ligas, spanjolli ka thënë se Real Madridi do të gabojë deri në fund të Kampionatit dhe titulli sërish do të ndalet në Barcelonë.
“Ne jemi të fortë, po luajmë mirë, dhe Real Madridi do të humbasë pikë deri në fund të sezonit. Kështu, ne do të arrijmë në fund që të sigurojmë titullin, me një luftë të pakompromis”, u shpreh Pedro.
Arsene Wenger thotë se skuadra e tij, Arsenal, nuk e ka fituar respektin e duhur nga fansat e futbollit, për shkak të pozitës së dytë në Ligën Premier.
“Kur humbni ndaj kandidatëve kryesorë aq bindshëm, atëherë askush nuk ju konsideron seriozë më. Madje disa nuk dinë. Duhet kohë për të krijuar një bindje të tillë. Nuk keni mundur të parashikoni se Chelsea do të humbiste pikë. Natyrisht, ata kishin një seri të mirë, dhe ne ishim jashtë garës, por nuk u dorëzuam”.
“Të them të drejtën, kur kemi humbur ndaj Chelseat dhe Manchester Unitedit, me atë rezultat bindës, atëherë askush më nuk besoi në ne. Unë ende vazhdoj t’u them lojtarëve, që të mos dorëzohen pasi që titulli do të jetë i yni në fund”, ka thënë Wenger.
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është duke e hetuar ndeshjen e fundjavës mes Chievos dhe Catanias për manipulim dhe fiksim të rezultatit.
La Republica raporton se hetuesit e FIGC janë duke shikuar nga afër provat se në një bastore është vënë 2.2 milionë euro që ndeshja të përfundonte me barazim. Edhe një shumë tjetër prej 241.308 euro është vënë për rezultatin e barabartë 1-1.
Në Angli shumë bastore e kanë eliminuar takimin Chievo – Catania nga skedinat, për shkak se shumë para janë vënë mbi këtë ndeshje që rezultati të përfundonte 1-1.
Shumë bastore tjera me renome si Betfair kanë pohuar se ndeshja është qartë e manipuluar.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, pranon se është i shqetësuar që do të duhet të luajë kundër ish-skuadrës së tij Arsenal në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Blaugranët do të kenë kundërshtarë Topçinjtë në çerekfinale të garës më prestigjioze të futbollit evropian për klube, ndërsa francezi nuk dëshiron të luajë kundër skuadrës me të cilën kaloi tetë vitet më të mira të karrierës së tij.
“Sa herë që ka tërheqje shorti në Ligën e Kampionëve, unë jam në dhimbje”.
“Nuk them se nuk do të luftoj apo diçka tjetër, sepse i tillë është futbolli. Mirëpo nuk dua të luaj kundër Arsenalit”.
“Do të ndihem shumë çuditshëm- edhe pse do të dal në Emirates jo në Highbury- me fanellën e një skuadre tjetër”, ka thënë 32-vjeçari për Sky Sports.
Arjen Robben ka këshilluar bashkë-lojtarin e tij të Bayern Munich, Franck Ribery, të zgjedhë Barcelonën para Realit të Madridit.
Anësori francez kërkohet nga të dy gjigantët spanjoll dhe ish-mesfushori i Realit, Robben, thotë se Nou Camp do të ishte një opsion më i mirë për të.
“Nëse ai nuk e rinovon kontratën me Bayernin, do të ishte mirë që Franck të shkojë në Barcelona. Në Madrid është një klimë që nuk është e përshtatshme për të”, ka shpjeguar ish-anësori i Chelseat.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, ka përmendur lodhjen fizike si arsye për humbjen e mbrëmshme nga Sampdoria.
Biankonerët u mposhtën me rezultat minimal 1-0, me golin e vetëm të shënuar nga Antonio Cassano.
“Kemi pasur një gjysmë ore shumë të mirë, kemi luajtur shumë më mirë se ta, pastaj ramë në lodhjen e Europa League, që na ka lënduar neve edhe psikologjikisht. Javën e kaluar kemi bërë një hap prapa”, ka thënë Del Piero.
Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic thotë se ai është shumë i lumtur te Barcelona.
Shtatlarti, i cili është lënë në stol së fundi nga trajneri Pep Guardiola, e shënoi emrin e tij në listën e golashënuesve duke qenë i saktë nga pika e bardhë në fitoren e mbrëmshme prej 4-2 të Barcës ndaj Zaragozas.
“Emocionalisht jam mirë, pasi kam luajtur mirë, kam punuar shumë. Por kur topi nuk shkon kah dëshironi ju, nuk shkon...”, ka thënë Ibrahimovic.
Suedezi javën e kaluar tha se ishte i pakënaqur që nuk angazhohej rregullisht dhe se nuk ka marrë shpjegime nga trajneri për qëndrimin e tij në stol.
Lëndimi i fundi i Kaka ka shtuar edhe më shumë shqetësimet e Real Madridit.
Mesfushori brazilian ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të një lëndimi. El Mundo Deportivo shkruan se derisa zyrtarisht Reali thotë se Kaka ka pësuar lëndime në stërvitje, disa burime thonë se ai ka filluar sërish në ankohet në dhimbjet në ijë.
Kaka gjatë Krishtlindjeve tha se ai kishte luajtur shtatë muaj me lëndim dhe mediat kritikuan Milanin se i ka shitur një lojtar të lënduar Realit.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka qenë i lumtur që ia ka lënë të shënojë penaltinë bashkë-lojtarit të tij Zlatan Ibrahimovic.
Sulmuesi suedez shënoi nga pika e bardhë për të vulosur fitoren 4-2 ndaj Zaragozas, pasi më herët shpërdori disa raste të mira.
“Ia lash penaltinë Ibras pasi ai kishte nevojë të shënonte për të thyer krizën e tij të golave. Ishte e rëndësishme për të dhe po ashtu për ekipin që ai të shënonte sërish”, ka thënë Messi.
Ekipi i Lorik Canës, Sunderland, raportohet se është në kërkim të sulmuesit të Ajaxit, Luis Suarez.
Mirror ka shkruar se menaxheri Steve Bruce tashmë ka filluar të bëjë një listë të lojtarëve të cilët dëshiron t’i sjellë në Stadiumin e Dritave dhe në mesin e tyre është ylli i Ajaxit, Suarez.
Gazeta britanike shkruan se vëzhgues të klubit anglez e kishin përcjellë sulmuesin uruguaian në fitoren 3-1 të Uruguait ndaj Zvicrës më herët gjatë këtij muaji.
Suarez shënoi në atë ndeshje dhe Bruce e di se 23-vjeçari, që është një prej sulmuesve më të spikatur në kampionatin holandez, do t’i kushtojë shumë para, pasi shumë ekipe evropiane kanë drejtuar shikimin kah ai.
Henry si lojtari i Arsenalit Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e di se shumë fansa do të dëshironin ta shihnin sulmuesin e Barcelonës, Thierry Henry, të rikthehet në klub në të ardhmen në rolin e trajnerit.
Henry do të ketë një rikthim emocionues në Emirates Stadium në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, ku Barcelona është caktuar të përballet me Arsenalin.
“Ai mund të përgjigjet më mirë. Nëse më pyetni mua nëse ai ka potencial (të bëhet trajner), do të thosha po. Besoj se për momentin ne nuk jemi duke kërkuar trajner në klub dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, nuk vendosi unë”, ka thënë Wenger për faqen zyrtare të Arsenalit.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ata nuk mund ta përjashtojnë Liverpoolin nga gara për pozitën e katërt të tabelës.
Fitorja e Cityt ndaj Fulhamit erdhi vetëm disa orë pasi Liverpooli u mposht nga Manchester United, por Mancini ende e sheh ekipin e Rafa Benitez si kërcënim për pozitën e katërt të tabelës.
“Shpresoj se kjo humbje ta eliminojë Liverpoolin, por nuk mendoj se është kështu. Ata janë një ekip fantastik me një menaxher shumë të mirë dhe ata do të luftojnë me të gjitha mënyrat deri në fund të sezonit”, ka thënë Mancini për ueb-faqen zyrtare të Cityt.