Mbrojtësi i krahut të majtë të Manchester United, Patrice Evra, ka pohuar se rrëmbimi i titullit të katërt me radhë në Ligën Premier është synimi kryesor i Djajve të Kuq këtë edicion.“Ne e fillojmë çdo sezon me dëshirën për të arritur sa më shumë në secilën garë. Tek United nuk qëndron teza e fitimit të një titulli të vetëm. Ne jemi të obliguar për të fituar më shumë, nëse jo gjithçka. Këtë vit, qëllimi kryesor është fitimi i titullit të katërt radhazi, që do të ishte historik”.
“Nata më e keqe e jetës time ishte humbja në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës. Ende nuk më besohet se e kemi humbur atë finale për shkak se unë jam një fitues i lindur”, pohoi Evra për FIFA.com.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ka kërkuar nga Fernando Torres që të mos frustrohet nëse dështon në ndeshjet e mëdha.“Fernando e di se ai duhet të përqendrohet më shumë. Ne po flasim për atë që ndodhi pas pjesës së parë ndaj United, kur ai ishte i frustruar, dhe ne e dimë se e kundërta e kësaj do të ishte më e mirë për ekipin”.
“Ai mund të shënojë më shumë gola nëse përqendrohet në futboll. Të gjithë sulmuesit, sidomos ata të klasit të Torres janë më shumë të mbuluar se të tjerët, dhe kjo është gjë normale”, deklaroi Benitez.
Ish- trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, që ka luajtur edhe për Barcelonën edhe për Real Madridin gjatë karrierës së tij, ka përdorur fjalët më të ashpra për të kritikuar legjendën argjentinase Diego Maradona.“Argjentina nuk di se çfarë të bëjë me Messin. Ata nuk po e lejojnë që ai të luajë. Do të mund të ndryshohet, por nuk e besoj. Nuk mund ta keni këtë luks, për të mos e lërë atë të luajë si të dojë. Maradona duhet të mësohet me këtë stil të lojës”.
“Messi më i miri në histori? Ai duhet të fitojë Kupën e Botës për të hyrë në atë rreth”.
“‘El Classcio’? Unë nuk e kam idenë se kush do të dështojë, por një gjë di, ‘el Classico’ nuk do të vendosë titullin. Skuadrat po luajnë shumë mirë, dhe njëra palë do të lëshojë pikë. Barcelona është skuadra e vetme që mund të mposhtë Real Madridin”, deklaroi Schuster për Radio Marca
Interi është aq i sigurt në transferimin e Cesc Fabregasit nga Arsenali, saqë klubi Nerazzur e ka futur spanjollin në listën e sigurimeve shëndetësore për sezonin e ardhshëm.Sky Sport Italia raporton se përkundër asaj se Fabregas është ende me kontratë lojtar i Arsenalit, ai tashmë është futur në listën e sigurimeve nga lëndimet për sezonin e ardhshëm, gjë të cilën e bëjnë lojtarët me kontratë të Interit.
Pjesë e marrëveshjes për transferimin e Fabregasit tek Arsenali është Mario Balotelli, që nuk ka marrëdhënie të mira me Jose Mourinhon dhe tifozët zikaltër.
Një transferim i tillë nuk është parë qe një kohë të gjatë për arsye se rrallë ndodh që lojtarët të sigurohen nga lëndimet para se të nënshkruajnë kontratën. Sidoqoftë, gazetarët dhe burimet e ndryshme nga Italia janë të sigurt se Fabregas tashmë është lojtar i Interit.
“Fabregas nuk është ende nën kontratë tek Interi, por ai do të jetë. Fabregas lojtar i Interit. Po, e keni kuptuar mirë”, tha një reporter i Sky Sport Italia kur është lansuar lajmi.
Strategu i Romës, Claudio Ranieri, nuk dëshiron që të flasë për gjasat e Romës për të fituar Scudetton, pasi që preferon të flasë për realitetin se sa të bëjë parashikime absurde.“Kur pësojmë, ëndrra për triumf shuhet, ndërsa kur fitojmë, Scudetto është e jona. Ne duhet të mbesim të fokusuar dhe të bëjmë punën tonë. Është e drejtë për qytetin të ëndërroj, por ne duhet të mendojmë për Bolognan”.
“Interi mbetet favorit për titull. Kandidat tjetër është Milani, që do të luftojë kokë më kokë. Mua nuk më intereson Scudetto. Ne po mendojmë vetëm për Bolognan, jo për Interin”, tha Ranieri.
Njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, ka aluduar në një rikthim të mundshëm te Juventusi.Ish- drejtori i Juventusit është shkarkuar nga kjo pozitë për shkak të Calciopolit të ‘krijuar’ nga ai në vitin 2006.
“Shpresoj se do të ndodhë. Nuk dyshoj se do të rikthehesha. Shpresoj që këtë sezon Juventusi do të zgjohet nga gjumi sepse diçka vërtetë nuk është në rregull”.
“Më vjen keq çfarë i ndodhi ekipit për arsye se po e shoh të shkatërruar pa logjikë. Nuk kuptoj pse po ndodh kjo, por fushata e transferimeve ishte e gabuar, nuk dyshoj për këtë”, deklaroi Moggi për Radio Erre 2.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka hedhur poshtë pohimet se ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, duke thënë se atij i nevojitet Kupa e Botës për t’u bërë legjendë.Lionel Messi, vetëm 22 vjeçar tanimë krahasohet me futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, me disa që mendojnë se ai është më i mirë se Pele, Cruyff, Di Stefano apo Maradona.
“Që të jesh legjendë, duhet të fitosh Kupën e Botës. Tashmë jam 22 vjeçar. Gjithçka ndodh aq shpejtë dhe më duhet të jem i qetë”, ka thënë argjentinasi.
Ndodh që Messi të driblojë nga shtatë lojtarë, dhe i pyetur nga El Mundo, se a po stërvitet për ta bërë këtë, Messi tha: “Gjithçka ndodh sepse vërtetë ndodh aty për aty. Unë nuk mendoj më parë për driblime të tilla. Gjëja më e rëndësishme është t’i dëshirosh ato”.
Carlo Ancelotti ka hequr çdo dyshim për të ardhmen e tij, duke thënë se ai do të mbetet trajner i Chelseat së paku edhe sezonin tjetër.Është spekuluar kohëve të fundit se Carlo Ancelotti mund të vihej ‘në sëpatën’ e Roman Abramovichit, por italiani është shumë i sigurt se e ardhmja e tij nuk varet nga rezultatet e këtij sezoni.
“Definitivisht unë mbetem trajner i Chelseat edhe për sezonin e ardhshëm, pavarësisht prej rezultateve”.
“Ne po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë të lëndimeve. Jemi në një periudhë ku plotësisht varemi nga lëndimet. Sidoqoftë, të gjitha klubet kishin lëndime dhe kjo nuk është arsye”.
“Nuk e përkrah metodën – ‘shpenzo shumë për të fituar tituj’. Ne kemi një skuadër të mirë që do të ndryshohet lehtë vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Ancelotti për La Stampa.
“Ne jemi të kënaqur me pozitën tonë në kampionat. Ekipi është i fokusuar dhe ne po mendojmë për vete jo për të tjerët”.
“Kanë mbetur nëntë ndeshje, 27 pikë për të cilat duhet luftuar dhe të gjitha ndeshjet mund të jenë vendimtare. Ky ekip ka luajtur në mënyrën e vet, dhe do të shohim nëse ky grup i lojtarëve ka atë që i duhet për të triumfuar në fund”, ka thënë Leonardo.
Milani është në pozitën e dytë në Serie A, me një pikë prapa Interit që është lider.
Juventusi ka marrë një hap të pazakontë duke thirrur një mbledhje emergjente të bordit drejtues për të diskutuar se çfarë mund të shpëtohet nga pjesa e mbetur e sezonit dhe të përgatitet plane për sezonin e ardhshëm.Tuttosport dhe Sky Sport Italia pohojnë se presidenti Jean-Claude Blanc thirri bordin e drejtorëve në Torino për të diskutuar për të ardhmen e ekipit dhe të Alberto Zaccheronit.
Mbledhja e zyrtarëve të Juventusit zgjati më se dy orë dhe në të nuk është marrë ndonjë vendim i rëndësishëm përpos shqetësimeve për rezultatet e fundit, duke bërë thirrje për një rikthim të shpejtë.
Në ndërkohë skuadra e Juventusit mbajti stërvitket e zakonshme në Vinovo për sfidën e radhës kundër Napolit. Alessandro Del Piero do të mungojë kurse Giorgio Chiellini rikthehet në mbrojtje.
Interi tani ka mbetur edhe pa sulmuesin kryesor Diego Milito për ndeshjen e mesjavës ndaj Livornos, për shkak të një lëndimi.Sipas Sky Sports Italia, Militos papritmas iu paraqitën probleme gjatë stërvitjes, me ç’rast menjëherë intervenoi stafi mjekësor. Ai nuk është rikthyer më duke zgjuar spekulime për mosparaqitje në takimin ndaj Livornos.
Ky nuk është lajm aspak i mirë për Jose Mourinhon, që nuk do të mund të llogarisë as në shërbimet e Dejan Stankovicit dhe Wesley Sneijderit.
Ndërkohë, gjasat që Balotelli të rikthehet në fushë janë të vogla, pas skenave të fundit nëpër televizionet Italiane me fanellën e Milanit.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, do të kompletojë paraqitjen e 100-të në fanellën e Real Madridit në takimin ndaj Getafes të ënjtën, dhe ‘El Pipita’ nuk hezitoi të komentonte mbi të arriturat personale dhe La Ligan.“Është krenari për mua të kem luajtur 100 ndeshje për një klub prestigjioz siç është Real Madridi. Shpresoj se do të jem në gjendje të kënaqem më këtë të arritur”, tha argjentinasi.
I pyetur nga gazetarët në konferencë për shtyp se sa është i rëndësishëm ‘el Classico’, Higuain u përgjigj të mos jetë i interesuar tani për atë duel, por se ai do të mund të përcaktonte titullin.
“Tani po mendoj vetëm për Getafen. Sidoqoftë, jam i bindur se titulli do të vendoset në Madrid, më 11 Prill”.
“Messi? Nuk jam i befasuar me formën e tij dhe do të kem kënaqësinë të luaj me të në përfaqësuese”, përfundoi sulmuesi i Realit.
Sulmuesi legjendar i Milanit, Pippo Inzaghi, dëshiron ta përfundojë karrierën në San Siro, por edhe të luajë më shpesh.Sulmuesi 36-vjeçar ka vetëm tre starte këtë sezon në fanellën e Milanit dhe ka shënuar dy gola, i fundit ishte të dielën kundër Napolit. Së fundi është spekuluar se ai mund të largohet për në Parma ku do të fitonte më shumë minuta, por Pippo thotë se dëshiron të qëndrojë te Milani.
“Ai është vendim i trajnerit. Ai është personi i cili vendos. Të gjithë janë të hidhëruar kur nuk luajnë. Por unë nuk i hidhërohem trajnerit, pasi e di se ai i dëshiron të mirën Milanit”, ka thënë Pippo.
“Unë hidhërohem për pamundësinë për të bërë diçka për ekipin. Kur jeni i gatshëm dhe nuk mundeni ta tregoni këtë në fushë, atëherë ndjeheni keq. Isha i lumtur që të dielën i ndihmova Milanit të dalë nga një situatë e pakëndshme”.
“Dua të përfundoj karrierën në Milan. Punoj vazhdimisht që të mos kem një sezon si ky. Nuk kërkoj të luaj gjithë kohën, por do të më pëlqente të më tregonin çfarë roli kam”, ka shtuar sulmuesi italian.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, thotë se nuk ka nevojë që ata të kenë frikë nga ylli i Barcelonës, Lionel Messi.Argjentinasi shënoi hat-trick në ndeshjen e vikendit kundër Real Zaragozas dhe shumica e krahasuan atë me trajnerin e tij të kombëtares, legjendën Diego Maradona. Por Valdano nuk mendon kështu.
“Messi nuk është problem, ai është stimulim. Forma e shkëlqyeshme e Messi do t’i nxisë fansat ta vlerësojnë më shumë ligën, nëse ne fitojmë”, ka thënë Valdano.
Utah Jazz ka shënuar fitore 110-97 ndaj Boston Celtics për t’iu hakmarrë për disfatën e katër muajve më parë.Jazz u demoluan me rezultat 105-86 nga Celtics në muajin nëntor, por e kthyen tavolinën mbrapsht në ndeshjen e mbrëmshme falë 22 pikëve dhe 11 asistimeve nga Deron Williams dhe 23 pikëve nga C.J. Miles.
Ray Allen shënoi 15 pikë ndërsa Paul Pierce vetëm 11 për Celtics, të cilët pësuan humbjen e 25-të të sezonit (45 fitore). Për Jazz fitorja ishte e 46-ta (25 humbje).
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ai e sheh kampionatin spanjoll si më të rëndësishëm se Ligën e Kampionëve.Barcelona fitoi të dy trofetë sezonin e kaluar dhe dëshiron që të dy trofetë të mbeten në Camp Nou edhe këtë sezon.
Megjithatë me Real Madridin që aktualisht udhëheq në ligë, Guardiola thotë se të sfidojë rivalin e Barcelonës është prioritet i tij këtë vit.
“Caku kryesor këtë sezon nuk është Liga e Kampionëve, por të ruajmë titullin e La Liga. Kurrë nuk minimizoj asgjë, por është e qartë se nëse nuk po ia dalim mirë në garat vendore, nuk do të arrijmë shumë në Evropë. La Liga mbetet objektivi kryesor i yni, pasi kam kërkuar maksimumin nga lojtarët e mi çdo ndeshje”, ka thënë Guardiola.
Ish-trajneri i kombëtares së Anglisë, Sven Goran Eriksson, raportohet se do të emërohet përzgjedhës i ri i Bregut të Fildishtë për Kupën Botërore.Daily Mail shkruan se Jacques Anouma, presidenti i Federatës së Futbollit të vendit afrikan, është në Paris për të mbyllur negociatat me suedezin, i cili ishte opsioni i parë pasi Guus Hiddink refuzoi ofertën.
Eriksson, 62-vjeçar, është duke menduar një kontratë afat-shkurte para se t’i kthehet menaxhimit të ndonjë klubi pas Afrikës së Jugut 2010.
Sulmuesi i ri i Interit, Mario Balotelli, ka shkaktuar kundërthënie të re pasi ka veshur fanellën e Milanit në një shou televiziv.Balotelli ishte lënë jashtë ekipit të Interit në tre ndeshjet e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve me Jose Mourinhon. Tashmë një kohë të gjatë në media spekulohet se ai mund të largohet nga ekipi, me Milanin që përmendet si një opsion, pasi Mario kishte qenë fans i këtij ekipi që nga fëmijëria.
19-vjeçari ka marrë edhe një imazh negativ para fansave të Interit pasi në një emision humoristik, Stritscia La Notizia, ai kishte marrë si dhuratë një fanellë kuqezi, me numrin dhe mbiemrin e tij, ndërsa në fund të emisionit ai e kishte veshur atë.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka konfirmuar se mesfushori Javier Mascherano është afër nënshkrimit të marrëveshjes së re me klubin.Kapiteni i Argjentinës më herët kishte pohuar se marrëveshja tash është në duart e klubit dhe me Benitez që thotë se bisedat janë duke u zhvilluar, duket se marrëveshja do të zgjidhet së shpejti.
“Ne kemi biseduar, në mënyrë progresive, dhe jemi afër. Ende kemi për të biseduar disa detaje por jemi afër. Do të jetë shumë e rëndësishme për klubin. Ne kemi disa lojtarë të rëndësishëm me disa vite të mbetur në kontrata dhe kjo do të jetë edhe një tjetër. Është shumë e rëndësishme të mbajmë kurrizin e ekipit”, ka thënë Benitez.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka kritikuar metodat e Real Madrid për të nënshkruar me emra më të mëdhenj në vend se të fokusohet në fitimin e trofeve.Francezi ka ngritur këto pyetje duke u bazuar në formën e fundit të Realit në Ligën e Kampionëve, pasi klubi nuk ka kaluar në çerekfinale gjatë gjashtë viteve të kaluara dhe dyshon nëse klubi vërtet dëshiron të fitojë trofe.
“Është sukses për Realin kur ata blejnë lojtar me emër, në këtë mënyrë ata ulin shqetësimin e fansave. Mua më duket çuditshëm kur fansat kërkojnë nënshkrime të reja më shumë se sa trofe”, ka thënë Wenger.
“Por edhe ne jemi në presion ta bëjmë atë, për shkak të afateve kalimtare. Por ky është sport ekipor dhe gjërat kurrë nuk mund të parashikohen. Real Madridi, për shembull është eliminuar në 16-shen e fundit (1/8 e finales) të Ligës së Kampionëve për gjashtë vite. Është shumë delikate”, ka shtuar francezi.
David Villa është lidhur së fundi me një kalim në Chelsea si zëvendësim i sulmuesit francez Nicolas Anelka.The Sun shkruan se Chelsea është duke e renditur sulmuesin e Valencias si opsion të parë, pasi spanjolli përgatitet të largohet nga Mestalla gjatë kësaj vere.
Anelka ka ngecur rreth vazhdimit njëvjeçar të marrëveshjes me Chelsean, dhe Villa do të ishte një zëvendësim i përkryer i francezit.
“Për momentin jam i përqendruar vetëm në Valencia dhe në Kupën Botërore. Pas Afrikës së Jugut do të vendos çfarë është më mirë. Vendimi im përfundimtar nuk do të bazohet vetëm në para”, ka thënë Villa.
Mesfushori i Real Madridit, Rafael Van der Vaart, ka thënë se Mbretërit dëshirojnë ta fitojnë me çdo kusht La Ligan, dhe se ai dhe ekipin i tij janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të rrëmbyer titullin e 32-të të Spanjës.“Ne kemi Kampionatin spanjoll në shikim të parë dhe ne duam ta fitojmë. Ne do të japim gjithçka për ta bërë atë. Duhet të shohim se si përgjigjet Barcelona dhe të mbesim me besim në gjasat tona”.
“El Classico? Ky duel do të jetë i ngjashëm sikurse ai me Sportingun. Për mua më shumë ka rëndësi dueli ndaj Atletico Madridit se sa ndaj Barcelonës. Ne do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”, u shpreh Van der Vaart.
















