Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, ka lavdëruar yllin e Argjentinës, Lionel Messi, duke thënë se ai është numri një në botë dhe ka këshilluar Maradonan ta shikojë atë si sytë e tij.“Leo është më i miri në botë. Ai është lojtar unik dhe duket se ai po luan sikurse nëpër rrugica me shokët e tij duke dribluar një nga një të gjithë”.
“Shpresoj se Maradona do ta shikojë si sytë e tij dhe shpresoj se ai kurrë nuk do ta humbë këtë famë, sepse ai po luan një futboll shumë të mirë”, ka thënë Del Bosque.
Napoli ka arritur të përmbysë rezultatin në takimin e të enjtes mbrëma kundër Juventusit duke arritur të shënojë fitore të madhe në San Paulo me rezultat 3-1.Përkundër dominimit të Napolit gjatë tërë takimit, ishin Bianconerët ata që shënuan të parët. Një asistim i Del Pieros përfundoi te Giorgio Chiellini, i cili u tregua i sigurt para portierit Morgan De Sanctis për rezultatin 1-0 (7’).
Loja e Napolit ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë. Napolitanët në këtë periudhë shkelën juventinët duke shënuar tri herë.
Ishte Marek Hamsik që përfitoi nga një shërbim i Quagliarellas për barazimin e rezultatit (51’). Hamsik ia ktheu nderin Quagliarellas duke ia kthyer asistimin, ndërsa italiani kaloi vendasit në epërsi, 2-1 (72’).
Ezequel Lavezzi kompletoi kapitullimin e 11-të të Juventusit këtë sezon (88’) kur shënoi për 3-1 dhe vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Napoli me këtë fitore ka 45 pikë dhe gjendet në pozitën e gjashtë, me tri pikë më pak se Palermo në pozitën e katërt. Juventusi ka po ashtu 45 pikë por gjendet në pozitën e shtatë në Serie A.
Real Madridi e ka mposhtur Getafen me rezultat 4-2 në ‘mini-derbin’ e kryeqytetit spanjoll, të zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin Coliseum Alfonso Perez.Cristiano Ronaldo kaloi Mbretërit në epërsi nga gjuajtja e lirë (13’), duke hapur kështu serinë e golave.
Dy golat e radhës ishin të golashënuesit më të mirë të Los Blancos këtë edicion, Gonzalo Higuan, i cili realizoi dy herë brenda tre minutash (20’ dhe 23’), ndërsa asistues ishin Van der Vaart dhe Gago.
Në minutën e 37-të, portugezi Ronaldo barazoi numrin e golave me Higuainin në këtë ndeshje, ndërkohë që një minutë pas, Parejo ngushtoi epërsinë në 4-1, dhe me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.
Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (80’), Getafe ngushtoi epërsinë në 4-2, ndërsa realizues ishte Pedro Leon.
Pas kësaj fitoreje, Reali kthehet në krye të tabelës me pikë të barabarta me Barcelonën, por me golaverazh më të mirë.
Mesfushori i Liverpoolit, Javier Mascherano, ka thënë se ai dëshiron të nënshkruajë kontratën e re me Liverpoolin brenda disa javësh.“Klubi po negocion me agjentët e mi. Unë nuk dua të përfshihem në takimet e tyre kështu që këtë çështje ua lë atyre ta zgjidhin”.
“Kurrë nuk kam thënë se nuk jam i lumtur te Liverpooli. Unë jam i kënaqur me trajtimin dhe këtë po e dëshmoj në fushë”, përfundoi Mascherano.
Sulmuesi i Flamengos, Adriano, dëshiron të rikthehet në Evropë sipas agjentit të tij Gilmar Rinaldi.“Te Flamengo ai po luan shumë mirë. E ardhmja e tij? Ai dëshiron të rikthehet në Evropë. Në dhjetor kemi pasur disa oferta interesante, por tani nuk ka të tilla. Ai do të vendosë pas Kampionatit Botëror”.
Perandori është i kërkuar nga Roma dhe nga Milani.
Chelsea ka konfirmuar se lëndimi i marrë në ligamentin e gjurit në fitoren 5-0 ndaj Portsmouthit pritet ta mbajë një muaj jashtë fushave të blerta qendërmbrojtësin Ricardo Carvalho.Blutë ende nuk e kanë bërë të qartë nëse Carvalho do të ketë nevojë për t’u operuar. Në ndërkohë, ky lëndim nuk është pritur aspak mirë në qarqet e Chelseat pasi që lista e të lënduarve është e gjatë në klimaksin e sezonit.
Carlo Ancelotti tha të enjten se Chelsea do të luajë nëntë finale (nëntë ndeshjet e mbetura në Ligën Premier) dhe duhet t’i fitojë ato nëse dëshiron titullin e Ligës Premier.
Interi, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e dy top-lojtarëve, Wesely Sneijder dhe Mario Balotelli, në ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të sezonit në Serie A, kundër Romës.Holandezi mungoi në sfidën ndaj Livornos për shkak të problemeve muskulore, ndërsa të premten pritet që stafi mjekësor i Interit të konfirmojë gjendjen e mesfushorit.
Në ndërkohë, Jose Mourinho nuk e ka ndërmend ta ftojë Mario Balotellin në skuadër pas acarimeve dhe polemikave të sulmuesit të ri.
Roma është katër pikë prapa Interit në Serie A dhe një fitore ndaj Nerazzurëve do t’i shihte Giallorosët shumë pranë Scudettos.
Sulmuesi danez i Arsenalit, Nicklas Bendtner, ka lansuar breshëri lëvdatash për futbollistin më të mirë në botë Lionel Messi, por thotë se ai do ta ketë vështirë ndaj Arsenalit.“Është përparësi për ne që po luajmë në një mënyrë që ai nuk është mësuar në Spanjë. Ai nuk do të ketë aq shumë hapësirë për të dribluar dhe shpejtësia e lojës në Angli është shumë më e madhe”.
“Messi ka vizion fantastik të lojës dhe është teknikisht fenomenal. Gjërat që bën ai nuk janë lehtë të përsëriten por edhe më mbresëlënëse është shpejtësia në të cilën ai i ekzekuton ato lëvizje. Megjithatë, gjëja më kryesore është që ai po luan me ekip dhe jo për vete. Kjo e bën atë edhe më të mirë”, përfundoi Bendtner.
Vitali Klitschko është bartës i brezit të kategorisë së rëndë në WBC dhe ai do të duhet ta mbrojë këtë titull kur të përballet me Sosnowskin. Përvoja është në anën e Sosnowskit përkundër se është shtatë vjet më i ri. Megjithatë, Klitschko ka mposhtur disa kundërshtarë të nivelit të lartë.
“Jam më i forti në botë dhe kushdo që do të vijë të përcjellë duelin i premtoj një paraqitje të paharrueshme nga ana ime. Unë do të heq dorë nga ky brez kur të them unë dhe këtë nuk do ta bëj kurrë. Unë do ta shqyej Sosnowskin”.
“Muhamed Aliu e pati këtë brez. Mike Tyson dhe Lennox Lewis ishin gjithashtu pronarë të tij. Jam takuar me Sosnowksin dhe unë pashë urinë në sytë e tij. Ai e dëshiron titullin”.
“Ai ka boksuar më shumë se unë dhe ka më shumë përvojë në kategorinë e rëndë. Unë jam i kënaqur me këdo që më del përpara, sepse unë jam fitues”, përfundoi Klitschko.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumaher, ka thënë se suksesi i rikthimit të tij në Mercedes këtë sezon duhet të gjykohet vetëm në bazë të rezultateve.Schumaher është mposhtur për herë të parë nga një bashkëkombës i tij në karrierë, pasi që Nico Rosberg në çdo sesion të shtegut të Baherinit e la prapa legjendën e Formulës 1.
“Është e drejtë të gjykohem në bazë të rezultateve dhe nuk mendoj se duhet t’i arsyetohem dikujt për atë që do të arrij këtë sezon”.
“Unë jam këtu për kënaqësi por jo për të qenë i fundit, unë dua të fitoj. Kënaqësia është më e madhe kur jeni të suksesshëm”, deklaroi Schumaher.
Legjenda romake Francesco Totti ka mbajtur pezull tifozët e Romës gjatë një prezantimi në universitetin e kryeqytetit italian, kur tha para mediave se ai nuk do të luajë ndaj Interit. Sidoqoftë, pas disa çastesh ai konfirmoi shakanë dhe tha se do të luajë.“Nuk mendoj se jam në gjendje të luaj ndaj Interit”, theksoi Totti duke bërë shaka.
“Do të jetë një ndeshje e veçantë për ekipin dhe për qytetin e Romës”.
Më pas Totti pranoi se kishte bërë shaka dhe konfirmoi pjesëmarrjen e tij në derbin përballë Interit.
“Jam i gatshëm për lojë dhe do të jem në fushë të shtunën”, përfundoi simboli romak.
Roma është katër pikë larg Interit, lider në Serie A, ndërsa ndeshja e të shtunës mund të jetë ndeshja më e madhe e këtij sezoni për Giallorossët.
Legjenda braziliane Ronaldo kishte humbur durimin pas ndeshjes së humbur ndaj Bauerit me rezultat 1-0, duke iu përgjigjur me gishtin e mesëm sulmeve dhe brohoritjeve të tifozëve kundër tij.Sipas La Gazzeta dello Sport, tifozët e hidhëruar protestuan kundër Ronaldos pas ndeshjes duke e fajësuar atë për lëshimin e një numri rastesh ideale. Kur brohoritjet kundër tij kaluan kufijtë në stadium, Ronaldo nuk duroi më dhe drejtoi gishtin e mesëm kah tifozët.
Po këta tifozë edhe më të hidhëruar me këtë veprim, tentuan që t’i afrohen autobusit të skuadrës në parkun e stadiumit. Sidoqoftë, policia braziliane reagoi shpejtë dhe gjithçka u spastrua me kohë.
Ronaldo dhe skuadra e tij Corinthians po vuajnë këtë sezon në Kampionatin brazilian duke qenë se janë nëntë pikë prapa liderëve të Santos pas 16 ndeshjeve të zhvilluara.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të fitojnë ndeshjet e mbetura në Ligën Premier në mënyrë që Topçinjtë të shpallen kampionë në fund të sezonit.“Janë edhe tri ekipe në garë dhe ekipi që është më i qëndrueshëm ai do të triumfojë. Ne mund të fokusohemi vetëm në paraqitjet tona. Ne e dimë se duhet të luajmë në mënyrë perfekte. Dhe që të jesh perfekt duhet të fokusohesh në ndeshjet e tua”.
“Na duhet pak ndihmë nga ekipet tjera, por ne e dimë se duhet të luajmë mirë që ajo ndihmë të na shërbejë në fund. Ne kemi krijuar një besim fantastik në skuadër. Qëndrueshmëria deri në fund është gjëja më e rëndësishme”.
“Ne duam të mbajmë këtë shpirt, urinë, dëshirën dhe inteligjencën e treguar deri më tani. Ne i kemi qartësuar qëllimet tona që një kohë të gjatë. Ne po hyjmë në secilën ndeshje sikurse të jetë në pyetje jeta jonë. Ne duhet të vazhdojmë kështu dhe titulli do të jetë i yni”, përfundoi Wenger.
Ronaldinho nuk do t’i bashkohet Flamengos apo të largohet nga Milani. Këto janë fjalët e vëllait dhe agjentit të Ronaldinhos, Roberto de Assis, përkundër spekulimeve se Ronaldinho është pranë rikthimit në vendlindje.“Ronaldinho? Unë them se Ronaldinho ka kontratë me Milanin deri në vitin 2011. Nuk dua të flas më shumë sepse bëhem i mërzitshëm. Flamengo është klub i madh, por ne jemi këtu. Nuk mund të them më shumë për këtë”, u shpreh de Assis.
Globoesport në një raport të mërkurën pohoi se Flamengo po e kërkonte Ronaldinhon në mënyrë që të përforconte sulmin pas largimeve të paralajmëruara të Adrianos dhe Vagner Love.
Luis Aragones dhe drejtuesit e Sevillas nuk kanë arritur të dakordohen për detajet e marrëveshjes së punësimit të trajnerit në stolin andaluzianëve, duke bërë që ish-strategu i Spanjës të heqë dorë përfundimisht nga kjo punë.Palët janë pajtuar në të gjitha pikat e marrëveshjes përpos kohëzgjatjes së saj. Presidenti i Sevillas, Jose Maria Del Nido, nuk ishte i gatshëm t’i ofronte Aragonesit kontratë që do t’i garantonte atij stolin e Sevillas për sezonin e ardhshëm, dhe kjo ka bërë që trajneri ta refuzojë ofertën.
Si pasojë e kësaj, Sevilla në ndeshjen e radhës do të duhet të mbështetet në Antonio Alvarezin, njërin prej ndihmësve të Manolo Jimenezit, gjatë ndeshjes ndaj Villarealit në fundjavë.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka mbetur i zhgënjyer pas humbjes nga Parma, e cila i lë Rossonerët katër pikë prapa liderit të Kampionatit italian, Inter.“Mendoj se ne luajtëm keq në pjesën e parë. Ne vuajtëm për të krijuar raste dhe iu nënshtruam atyre. Ata ishin shumë të mirë. Pjesa e dytë ishte paksa më e mirë sepse krijuam disa raste, por goli në fund e vendosi ndeshjen”.
“Ne kemi menduar se kjo ndeshje do të ishte ndryshe dhe ideja ishte të përdornim kualitetet tona për të luajtur me posedim të topit, por ne dështuam ta bëjmë atë. Ne nuk ishim të shkëlqyer por katastrofal”, deklaroi Leonardo.
Njëri prej pronarëve të West Ham United, David Sullivan, thotë se klubi qëndron plotësisht prapa Gianfranco Zolas edhe krahas rezultateve të dobëta.West Hami ka pësuar një varg humbjesh të cilat kulmuan me ndeshjen e fundit kundër Wolverhampton në Upton Park, kur çekanët u mposhtën me rezultat 3-1. Edhe pse u spekulua për një largim të italianit, klubi duket se qëndron prapa tij.
“Ne jemi 100% prapa menaxherit. Nuk ka kurrfarë ndryshimesh. Të gjithë kemi biseduar me të pas ndeshjes për të parë se çka mendon. Paraqitjet në ndeshjen kundër Wolves ishin shumë shqetësuese”, ka thënë Sullivan për Guardian.
“Nuk mund të luajmë përsëri kështu, jam i sigurt se menaxheri do të bëjë ndryshime për ndeshjen kundër Stoke të shtunën dhe jam i sigurt se do të luajmë shumë më mirë”, ka shtuar pronari i klubit.
Carlo Ancelotti thotë se në çdo ndeshje deri në fund të sezonit Chelsea duhet të jetë i gatshëm të luajë si në një finale të kupës, nëse dëshiron ta fitojë Ligën Premier.Blutë mbrëmë shkatërruan Portsmouthin duke e mposhtur me rezultat 5-0 dhe i dhanë fund serisë negative. Chelsea tash është në pozitën e dytë me një pikë prapa United, ndërsa të shtunën ata presin Aston Villan në Stamford Bridge dhe më pas udhëtojnë në Old Trafford, që mund të jetë vendimtare për sezonin.
“Kishim nevojë për një paraqitje të tillë, kishim nevojë për një fitore. Shpresoj se periudha e vështirë për ne ka përfunduar. Të shtunën do të shohim nëse është kështu, por sonte ishim të përqendruar në 90 minuta dhe luajtëm shumë mirë”.
“Jemi të përfshirë në Ligën Premier dhe Kupën FA, andaj kemi edhe tetë ose nëntë ndeshje deri në fund të sezonit, duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë dhe këtë atmosferë në lojë. Duhet të përgatitemi për këto ndeshje sikur ato të ishin finale”, ka thënë Italiani.
Agjenti i Cesc Fabregasit ka thënë se klientit të tij nuk i interesojnë spekulimet për largimin e tij nga Arsenali dhe se ai është i fokusuar vetëm në futboll.Është spekuluar ditëve të fundit për një kalim të Fabregasit te Interi, ndërsa është agjenti i tij që mohon pjesërisht spekulimet.
“Neve nuk na intereson e ardhmja dhe ne po mendojmë se si të fitojmë Ligën e Kampionëve dhe Premier Ligën”.
“Inter? Natyrisht, është ide fascinante, ashtu sikurse Reali apo Barca, por Cesc është i lumtur në Angli”.
“A ka ardhur ofertë nga Interi? Po, por jo vetëm nga Italia”, ka thënë agjenti i Fabregas.
LeBron James ka udhëhequr Cleveland Cavaliers drejt fitores së tetë radhazi duke shënuar 38 pikë për të mposhtur New Orleans Hornets në udhëtim me rezultat 105-92.James po ashtu kontribuoi me nëntë asistime. J J Hickson shënoi 20 pikë për ekipin lider të ligës, që shënoi fitoren e 57-të të sezonit, krahas 15 humbjeve.
Marcus Thornton udhëhoqi Hornets me 20 pikë. Humbja ishte e 39-ta e sezonit për New Orleans, që kanë 34 fitore.
Trajneri i Milanit, Leonardo, thotë se ekipi i tij ka luajtur dobët në takimin e mbrëmshëm dhe se e ka merituar disfatën.Sulmuesi i huazuar nga Manchester City, Valeri Bojinov, shënoi golin e fitores në minutën e 89-të të ndeshjes për Parmën.
“Tash jemi në të njëjtën pozitë me Romën dhe mund të shohim se ata janë një ekip në formë të shkëlqyeshme. Ata kanë talent dhe fat që kanë shumë lojtarë në formë në të njëjtën kohë”, ka thënë Leonardo.
“Sonte luajtëm një pjesë të parë nën mesatare dhe dështuam të përballemi me presionin e Parmës. Edhe kur e kishin topin, nuk kishim ide të qartë çfarë të bëjmë me të”,
“Pas pauzës ishim më të uritur dhe krijuam shanse. Dëshironim ta pasonim topin dhe ta arrijmë kuadratin e golit. Por nuk mundëm, pasi nuk ishim aq në formë dhe dështuam këtë mbrëmje”, ka shtuar braziliani.
Të mërkurën, presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, kishte hapur dyert e një transferimi të mundshëm të Mario Balotelli në Milanello, por është agjenti i sulmuesit që i nevrikosur ndaj mediave dhe Berlusconit porositi të gjithë që të heshtin.“Nuk jam nga ata shërbëtorët e Berlusconit dhe nuk mund të komentoj fjalët e tij. Ai është president i një bordi dhe është e natyrshme që këto gjëra t’i mirëpresë. Shtypi ka folur mjaft për Balotellin dhe është mirë që të heshtë”, tha agjenti Mino Raiola.
Në ndërkohë, Raiola komentoi dhe për polemikën televizive të Balotellit kur para audiencës veshi fanellën e Milanit.
“Ishte një shaka e keqe në një kohë të papërshtatshme”, përfundoi ai.
Mbrojtësi francez William Gallas është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen e re me Arsenalin.The Mirror shkruan se Gallas do të nënshkruajë kontratën e re pasi bisedat në mes të klubit dhe agjentit të tij janë mbyllur. Francezi së fundi është lidhur me një largim nga Emirates, por dy palët kanë ‘arritur marrëveshje’, sipas burimeve të brendshme.
Topçinjtë u ofrojnë vetëm marrëveshje njëvjeçare lojtarëve që janë në të 30-tat, por një kompromis është shumë afër për të parë Gallas të nënshkruajë për një sezon me opsion të luajë edhe një tjetër nëse ai luan mjaft ndeshje.
Arritja e marrëveshjes pritet të bëhet e ditur në disa javët e ardhshme.
Mbrojtësi i Romës, Philippe Mexes dëshiron të zhvendoset në Angli gjatë verës, shkruajnë mediat angleze.Daily Mail shkruan se Juventus dhe Milan janë interesuar për francezin, por ai dëshiron ta provojë veten në një ligë tjetër sezonin e ardhshëm.
Mexes ndjehet i nënvlerësuar që kur Claudio Ranieri e mori drejtimin e Romës dhe shpreson të joshë interesimin e Roberto Mancinit te Manchester City.
Mbrojtja e dobët e Cityt ka pranuar 37 gola në 29 ndeshje në Ligën Premier këtë sezon, që është dukshëm më e lartë se çdo rival serioz për pozitën e katërt.
Sulmuesi i Parmës, Valeri Bojinov, shënoi golin e fitores kundër Milanit në sekondën e fundit të sfidës, ndërsa bullgari është shprehur se këtë gol ia dedikon trajnerit të Interit, Jose Mourinho.“Këtë gol ia dedikoj Jose Mourinhos, sepse më pëlqen si trajner. Kudo që ka shkuar, ai gjithmonë ka fituar. Më pëlqen Interi si ekip dhe kam ndjesi të veçantë për ta”.
“Ne e donim fitoren ashtu siç kishte kërkuar trajneri, dhe kështu që ishim të obliguar për të fituar”, ka thënë Bojinov pas ndeshjes.
Bayern Munich ka shënuar fitore minimale kundër Schalkes në kuadër të Kupës së Gjermanisë- DFB Pokal, për të siguruar kualifikimin në finale të kësaj gare.Duke qenë se 90 minutat e rregullta të ndeshjes përfunduan pa gola, është dashur të zhvillohen vazhdimet për t’u vendosur fituesi.
Heroi i bavarezëve ishte holandezi Arjen Robben, i cili realizoi të vetmin gol (112’) që e dërgon Bayernin në finale të Kupës, ku kundërshtar do ta ketë Werder Brermenin që eliminoi Augsburgun.
















