Në një konferencë për shtyp, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka lëvduar Real Madridin duke reflektuar në fuqinë e rivalëve të përbetuar.
“Disa mund të thonë se Real Madridi po i fiton ndeshjet më lehtë se ne, por mos të harrojmë se ata kanë shpenzuar shumë për të arritur këtë. Ata kanë shumë fuqi dhe kanë një trajner të mirë… ata kanë gjithçka”.
“(Gjatë historisë së Primera Divisionit) kemi pasur kampionë në La Liga me 75 pikë, ndërsa ne (që tani) i kemi nga 71. Ata janë një ekip i mirë dhe për ne do të jetë e vështirë t’i mposhtim, por do ta bëjmë më të mirën”, ka thënë Guardiola.
Pas fitores së tij në garën e lirë në Melbourne, ylli i McLarenit, Lewis Hamilton, është ballafaquar me policinë australiane për shkak të përdorimit të jashtëligjshëm të automjetit të tij.
Siç duket Hamilton ishte në disponim për të bërë edhe disa xhiro, kësaj radhe me super-veturën e tij ‘Mercedes 2010’ duke shqetësuar disa dëshmitarë për shkak të shpejtësisë marramendëse.
Policia australiane nuk u tregua tolerante duke e ndaluar ish-kampionin e Formula 1.
Hamilton kishte të bëjë rreth 30 minuta me policët, të cilët e detyruan atë t’i nënshtrohet madje dhe testit alkoolik.
Pilotit britanik iu konfiskua vetura dhe do të mbahet nga policia australiane për 48 orë.
Në ndërkohë, protagonisti i ngjarjes Lewis Hamilton ka kërkuar falje për veprimin e tij.
“Çfarë bëra ishte budallallëk. Kërkoj falje për atë veprim”, u shpreh Hamilton.
Trajneri i Liverpoolit, Rafa Benitez, i ka mbështetur të gjitha shpresat te Steven Gerrard dhe Fernando Torres, në kohën kur Të Kuqtë po luftojnë për të siguruar pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Ekipi ka pasur disa probleme dhe disa lojtarë kanë vuajtur për shkak të formës sepse nuk u japim shumë opsione dhe topa të mirë. Gerrard është lojtar i rëndësishëm, sepse ai luan për ekipin dhe ai e di se duhet të përmirësohet”.
“Torres? Forma e tij nuk ishte brilante, por me golat e fundit ai tregoi se është në gjendje të shënojë në çdo moment. Definitivisht unë pres më shumë nga ata”, potencoi Benitez.
Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, ka folur për dëshirën e tij që Leonardo të mbetet në postin e trajnerit të Rossonerëve dhe gjithashtu ka mohuar spekulimet për një kalim të Mario Balotellit te Milani.
“Balotelli? Nuk ekziston garë mes Interit dhe Milanit për të dhe nuk e njoh atë mirë. Kam thënë që ka një fytyrë të mirë, sidomos kur e vesh fanellën kuqezi”, u shpreh Berlusconi.
Më pas ai komentoi për raportet që thoshin se Leonardo mund të largohet në fund të sezonit.
“Unë shpresoj se ai do të qëndrojë. Ndonjëherë ka mosmarrëveshje mes meje dhe tij, por nuk është logjike që t’i zbulojmë ato. Në dialogun tim me trajnerin unë gjithnjë e mbroj pozitën time dhe ai të tijën. Unë vuaj kur shoh se skuadra po pëson disfata, sepse unë jam njeriu që duhet të investojë”, deklaroi Berlusconi.
Përzgjedhësi i Italisë, Marcello Lippi, ka vazhduar me avazin e vjetër duke thënë përsëri se Interi nuk është fytyra e futbollit italian.
Lippi, i cili javë më parë tha se Interi nuk është klub italian, nuk ndryshon qëndrim. Fituesi i Kupës së Botës preferon ekipe me baraspeshë të lojtarëve vendorë, me një trajner italian në mënyrë që të reflektohet imazhi i Serie A. Ndërsa Interi nuk i plotëson ‘këto kritere’.
“Ne vazhdojmë ta gjykojmë futbollin italian me anë të Interit, që është ekip i mrekullueshëm, por që nuk po luan futboll italian sepse nuk ka italianë”.
“Futbolli italian përbëhet nga lojtarët dhe trajnerët italianë. Interi është ekip i mirë, por nuk mund ta bazojmë futbollin italian tek ata”, deklaroi Lippi për Sky Sport Italia.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, shpreson se do të mund të shënojë më shumë gola se sa kundërshtari i tij direkt për të fituar në fund Këpucën e Artë, Wayne Rooney.
Deri më tani Messi ka shënuar 25 gola në La Liga. Drogba në Ligën Premier ka qëlluar portën 24 herë, kurse Rooney është lideri me 26 gola në Kampionatin anglez.
“Do të ishte fantastike nëse fitoj Këpucën e Artë. Teksa po shikoja listën, pashë që kam shënuar më shumë gola se Didier Drogba dhe kjo është fenomenale”.
“Por, të jem një gol prapa Rooneyt është arritje e madhe. Rooney është sulmues i madh dhe ajo çfarë po bën ai është shndërruar në një sezon fenomenal”, deklaroi Messi për The Sun.
Ikona e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka pranuar se nuk është i kënaqur me formën e tij këtë sezon.
“Mendoj se mund të jetë më mirë. Kur e shikoj formën time këtë sezon ndjehem totalisht i pakënaqur sepse nuk e kam arritur nivelin në të cilën do të doja të jem”.
“Nuk po brengosem shumë pasi që kjo mund të ndryshojë kurdo dhe kudo. Unë kam luajtur mirë, por shpeshherë jam ndarë i zhgënjyer në fund të sfidave”.
“Jam kritiku më i madh i vetvetes. Sfidat e mia të ardhshme janë finalja e Europa League dhe Kupa e Botës”, deklaroi Gerrard për Sky Sports.
Ish- strategu i Milanit, Carlo Ancelotti, ka mbështetur skuadrën e Romës para takimit vendimtar ndaj Interit në Serie A. Ancelotti pësoi dy herë përballë Interit këtë sezon, por thotë se Roma ka kapacitet për ta fituar Scudetton.
“Interi është shumë i fortë. Ata kanë kualitet dhe forcë fizike. T’i mposhtësh ata është arritje e madhe për secilën skuadër. Roma do të fitojë nëse do të jetë Roma e vërtetë. Ata do të kenë raste, jam i sigurt për këtë”.
“Interi është i fortë në kundërsulme. Nëse ata e vjedhin topin, atëherë kurrë nuk falin. Ndeshja është vendimtare për Interin pasi që është në pyetje Scudetto. Roma duhet të besojë sepse kampionati është i gjatë”, ka thënë trajneri i Chelseat.
Sipas spekulimeve më të reja, sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, është pranë kalimit te skuadra e Ligës Amerikane të Futbollit- MLS, New York Red Bulls.
Tabloidi britanik The Daily Telegraph shkruan se Henry do të mund t’i bashkohet skuadrës amerikane pas Kampionatit Botëror ose kur të fillojë sezoni në MLS. Francezi do të kishte një pagë të majme te skuadra amerikane.
Për më shumë, në kohën kur spekulimet për një transferim të Henry po rriten, komisioneri i garave në MLS ka bërë të ditur se do të lehtësojë rregulloret, në mënyrë që transferimet të kryhen më lehtë.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Droba, beson se fitorja e kundër Portsmouthit, tregoi se Blutë e kanë kaluar me sukses periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalonin kohëve të fundit.
“Gjithmonë keni momente të vështirë gjatë një sezoni, por ky i yni nuk erdhi në momentin e duhur. Nëse do të ndodhte më herët do të ishte më lehtë për t’u rimëkëmbur. Tani nuk kemi kohë për të menduar sepse duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura për të fituar titullin”.
“Dhe duhet të besojmë. Manchester United ishte një pikë prapa nesh dhe ata u rikthyen. Është mirë të kalojmë nëpër situata të këtilla dhe pastaj të fitojmë sikurse ndaj Portsmouthit. Kjo është ajo që duhet të bëni për të fituar kampionatin, ky është futbolli”, u shpreh Drogba.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka rritur tensionet para takimit vendimtar për Scudetto ndaj Interit, duke thënë se presioni do të jetë mbi skuadrën zikaltër.
“Interi rrezikon më shumë pasi që janë ata që dëshirojnë të fitojnë Scudetton. Ne do të tentojmë ta bëjmë atë nëse ata humbasin. Ne nuk kemi asgjë për të humbur, Interi është kampion dhe është skuadra më e fortë”.
“Fitorja do të ishte e mirë dhe nëse nuk pësojmë kjo do të thoshte se ne jemi në garë për titull. Ne presim një Inter të cilin e njohim. Një ekip i madh, kompakt dhe gjithnjë i gatshëm për të ndëshkuar. Të fortë në ndërprerje dhe kundërsulme. Ata do të jenë agresivë”, përfundoi Ranieri.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të shënojnë sa më shumë gola pasi që golaverazhi në fund mund të tregohet vendimtar.
“Fitorja e Chelseat ndaj Portsmouthit e ka barazuar golaverazhin, kurse golat në fund do të jenë të rëndësishëm. E kam thënë disa herë gjatë këtij viti por askush nuk më besoi. Gjatë viteve të kaluara kemi qenë në pozitë të mirë sa i përket golaverazhit por këtë vit do të jetë ngushtë”.
“Ne po shikojmë punën tonë dhe tentojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi i Interit, Mario Balotelli, është parë duke dalë nxitimthi nga qendra stërvitore në Appiano Gentile, pasi bisedimet për paqe me trajnerin Jose Mourinho dështuan.

Balotelli është parë duke vrapuar nga qendra stërvitore kokulur në ora 11:40, përderisa pjesa tjetër e skuadrës përgatitej për sfidën ndaj Romës.


SuperMario nuk është ftuar përsëri nga Mourinho dhe është hera e pestë këtë sezon që Balotelli do të mungojë për shkaqe disiplinore.


Skuadra e Interit për takimin ndaj Romës:


Portierë: Francesco Toldo, Julio Cesar, Paolo Orlandoni.


Mbrojtës: Ivan Ramiro Cordoba, Javier Zanetti, Lucio, Maicon, Marco Materazzi, Walter Samuel, Cristian Chivu.


Mesfushorë: Dejan Stankovic, Ricardo Quaresma, Thiago Motta, Wesley Sneijder, Sulley Muntari, Mariga, Esteban Cambiasso.


Sulmues: Samuel Eto'o, Diego Milito, Goran Pandev, Marko Arnautovic.

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, pritet që të përballet me konsekuenca nga FA për shkak të sjelljes jo të mirë në lidhje me incidentin që shpërtheu në fund të takimit kundër Evertonit, me trajnerin David Moyes.
Pasi plasi sherri në vijën fatale të trajnerëve, të dy strategët u dërguan në tribuna. Mësohet se më pas të dy ia kishin shtrirë njëri-tjetrit dorën e pajtesës, por që të dy e kanë mohuar një gjë të tillë.
Mancini pritet të dënohet së paku me një ose dy ndeshje suspendim nga stoli, teksa Moyes nuk do të dënohet.
Mesfushori i Manchester United, Nani, ka nënshkruar marrëveshje të re me ekipin e Manchester United.
23-vjeçari ka pasur dy vite nga kontrata e tij e mëhershme, të cilën e nënshkroi kur iu bashkua klubit nga Sporting Lisbona në vitin 2007. Kontrata tash është zëvendësuar nga një e re që do ta lidhë portugezin në Old Trafford deri në qershor të vitit 2014.
“Nani është një talent i madh dhe është zhvilluar shumë që kur i është bashkuar klubit. Ne jemi të ngazëllyer që ai ka nënshkruar kontratë të re dhe jam i sigurt se ai do të mbetet për gjatë kohë dhe me shumë sukses në Manchester United”, ka thënë Ferguson.
“Jam i ngazëllyer që kam nënshkruar kontratë të re. Ka qenë ëndërr e realizuar të luaj për Manchester United”, ka thënë Nani për faqen zyrtare të klubit.
Presidenti i Juventusit, Jean-Claude Blanc, ka porositur fansat të mos e braktisin klubin pas humbjes së mbrëmshme nga Napoli.
Biankonerët humbën sërish mbrëmë duke i bërë edhe më të vështira shanset për t‘u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve.
“Po, e kuptoj se është shumë vështirë për fansat ta përkrahin ekipin. Ka një zhgënjim të madh. Por, ne duhet të jemi të bashkuar për tetë ndeshjet e ardhshme, pasi kualifikimi në Ligën e Kampionëve është gjë e mundshme”, ka thënë Blanc.
Mesfushori i Manchester United, Ryan Giggs, nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’u rikthyer në kombëtaren e Uellsit.
Ish-kapiteni i Uellsit i dha fund karrierës me kombëtaren në vitin 2007. Por tash Giggs thotë se do të mendonte për idenë për t’u rikthyer në kombëtare.
“Është diçka të cilën duhet ta diskutoj me John Toshak dhe Sir Alex Ferguson. Nuk e përjashtoj këtë ide. Nëse marr ftesë, do të mendoj për këtë. Nuk e mohoj”, ka thënë Giggs.
Miami Heat u ka dhënë një goditje të fuqishme shpresave të Chicago Bulls për të arritur në playoff të NBA-së duke e shkatërruar me rezultat 103-74.
Jermaine O'Neal shënoi 24 pikë, derisa Dwyane Wade ishte lojtari më i mirë duke kontribuar me 12 pikë dhe 10 asistime për fitoren e 38-të të sezonit për Heat (34 humbje).
Për Bulls, që kanë 33 fitore këtë sezon, humbja ishte e 38-ta. Hakim Warrick ishte më i sakti në radhët e Chicagos me 14 pikë.
Yaya Toure është i bindur se Barcelona do të arrijë ta mposhtë Arsenalin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Barcelona udhëton të mërkurën në Emirates Stadium duke synuar gjysmëfinalen e tretë radhazi dhe Toure është i bindur se ata mund ta arrijnë këtë synim.
“Barcelona po fiton ndeshjet, pavarësisht se rivalët tanë ndryshojnë sistemet e tyre për t’u përballur me ne. Në fakt kjo është një shenjë pozitive për ne pasi na tregon se ne jemi në gjendje të shënojmë sukses kundër çdo rivali. Ndeshja kundër Arsenalit do të jetë më ndryshe. Anglezët kanë një stil të ngjashëm me ne”.
“Kush është favorit? Barcelona, pasi ne jemi kampionë të Evropës”, ka thënë Toure.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai është i gëzuar që ka filluar të shënojë përsëri për blaugranët.
Ibra shënoi njërin nga golat e fitores 2-0 ndaj Osasunas të martës, vetëm disa ditë pasi e shndërroi në gol një penalti në fitoren e vikendit ndaj Real Zaragozas.
“Jam i lumtur. Po luaj mirë, shënova gol dhe fituam tre pikë. Gjëja më e rëndësishme është se ekipi fitoi. Ishte një ndeshje e vështirë, por kemi luajtur mirë. Nuk ka qenë ndeshja më e mirë e sezonit, por ishim fitues”, ka thënë Ibrahimovic.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se ndeshja e vikendit përballë Aston Villas është një ndeshje shumë e rëndësishme për titullin.
Shpresat e Chelseat për titull janë ringjallur pas fitores bindëse ndaj Portsmouth dhe Drogba porosit bashkë-lojtarët të fokusohen më shumë në takimin ndaj Villas se sa në atë që vjen më pas, ndaj Manchester United.
“Aston Villa është një ndeshje shumë, shumë e madhe për ne. Ne duhet ta harrojmë Portsmouthin dhe të mendojmë për Aston Villan. Duhet të rikuperohemi shpejt dhe të sigurohemi se jemi të gatshëm për këtë ndeshje”.
“Është e rëndësishme për ne ta ruajmë distancën (prej një pike) dhe të udhëtojmë në Old Trafford me shumë vetëbesim dhe të pritni diçka mirë nga ekipi atje”, ka thënë Drogba.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, e quan ndeshjen e vikendit përballë Interit 'ndeshja më e rëndësishme e sezonit'.
Gialorosët do të presin të shtunën liderin e ligës në stadiumin Olimpico, duke qëndruar vetëm katër pikë prapa dhe tre pikë të reja nga ky takim do ta shihnin këtë diferencë të ngushtohet në vetëm një pikë.
“Është bukur ta shohësh Romën të luajë ndeshjen e vitit me tetë takime të mbetura. Kjo do të thotë se djelmoshat kanë punuar mirë. Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Shpresojmë se do të mund të festojmë në fund”, ka thënë Ranieri.
“Interi ka qenë superfuqi viteve të fundit, por ne jemi të gatshëm. Ne nuk dorëzohemi. Ekipi im është në formë të mirë dhe të shtunën, duhet të luajmë një superndeshje”, ka shtuar italiani.
Sulmuesi uruguaian Edinson Cavani ka nënshkruar kontratë të re me Palermon.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i klubit italian, Maurizio Zamparini.
“Po, ai ka nënshkruar rinovimin me një klauzulë largimi të ngjashme me lojtarët me emër të madh”, ka thënë presidenti i Palermos.
Zamparini po ashtu ka zbuluar se çdo ekip i interesuar duhet të paguajë 25 milionë euro ‘në kesh’ nëse dëshiron ta transferojë lojtarin.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Vincent Kompany, ka përshëndetur aktin e trajnerit Roberto Mancini- kur italiani ishte përfshirë në një incident me trajnerin e Evertonit, David Moyes.
Sherri mes dy strategëve plasi në fund të takimit, kur David Moyes tentoi të humbiste kohë duke mbajtur topin pranë vetes në kohën kur City ishte duke pësuar. Ky veprim i Moyes ka irrituar Mancinin duke e detyruar atë të fjaloset keq me Moyes dhe madje të fillojë një konflikt fizik.“Të gjithë në këtë klub janë të pasionuar dhe dëshirojnë të sjellin sukses. Ka raste kur emocionet shpërthejnë dhe e humbisni veten. Mancini tregoi se sa shumë kujdeset për ne dhe nuk shoh ndonjë problem për atë që bëri”.
“Ne ishim duke pësuar dhe ai e dëshironte topin në lojë, asgjë më tepër. Mendoj se është zmadhuar ky incident”, ka deklaruar Kompany.

Pas incidentit të dy trajnerët u takuan në zyrën e Mancinit ku dhe vendosën paqe me nga një gotë verë.
Shikoni videon:


Mario Yepes Sipas raporteve nga Italia, Milani ka arritur të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të Chievos, Mario Yepes.
Yepes nga ky transferim do të fitojë 900.000 euro për sezon. Lojtari do të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës kuqezi pas Kampionatit Botëror.
Milani ishte lidhur më parë me një transferim të qendërmbrojtësit të kërkuar nga tërë Evropa, Simon Kjaer.