Duket se Palermo e ka marrë mjaft seriozisht sigurimin e një vendi që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.Sicilianët kanë shënuar fitore prej 3-1 përballë Bolognas, në takimin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Renzo Barbera.
Heroi i vendasve ishte Fabricio Miccoli i cili realizoi het-trik (10’, 43’ dhe 79’), ndërsa golin e nderit për mysafirët e realizoi Adailton (38’).
Me këtë fitore, Palermo ngritët në kuotën e 51 pikëve, katër më shumë se Sampdoria dhe gjashtë më shumë se Juevntusi, që mbajnë pozitat pesë, respektivisht gjashtë.
Mallorca ishte nikoqir i Barcelonës në Ono Stadi për të zhvilluar takimin e javës së 29-të në La Liga, i cili përfundoi me fitoren e Blaugranëve me rezultat 1-0.Fraksioni i parë i lojës përfundoi pa gola, edhe pse nuk munguan rastet e vendasve, të cilët dy herë e goditën shtyllën, ndërsa njëherit edhe mysafirët patën rastet e tyre të pashfrytëzuara.
Edhe në pjesën e dytë, kampioni i Spanjës në fuqi e pati të vështirë të realizonte, megjithatë në minutën e 63-të, Zlatan Ibrahimovic e gjeti rrjetin e portës kundërshtare për të kaluar katalunasit në epërsi dhe ky rezultoi të ishte goli i fitores.
Pas kësaj fitoreje, Barca shkëputet në krye të tabelës me tre pikë më shumë se Real Madridi, që të dielën mbrëma zhvillon derbin e vështirë kundër Atletico Madridit.
Manchester United ka mposhtur në udhëtim Bolton Wanderers me rezultat 4-0 për t’u rikthyer në maje të tabelës së Ligës Premier, vetëm disa orë pasi e humbi atë.Të zgjedhurit e trajnerit Alex Ferguson kaluan në epërsi që në pjesën e parë falë autogolit të Jlloyd Samuel pas harkimit të topit nga Ryan Giggs (39’).
Pjesa e dytë solli edhe tre gola të tjerë për Djajtë e Kuq, dy prej të cilëve nga Dimitar Berbatov. Giggs pasoi për Darren Fletcher, goditja e të cilit ndalohet nga portieri Jaskelainnen, por sulmuesi bullgar reagon shpejtë për të dyfishuar epërsinë e mysafirëve (69’).
Goli i tretë për United dhe i dyti për Berbatov erdhi në minutën e 78-të pas një harkimi nga Nani, ndërsa rezultatin e vulosi një gol i shënuar nga Darron Gibson po ashtu falë një asistimi të portugezit.
Manchester United rimerr kreun me 72 pikë, një më shumë se Chelsea që më herët mposhti Aston Villan me rezultat 7-1. Dy rivalët për titull do të takohen të shtunën e ardhshme në Old Trafford në derbin e Ligës Premier.
Schalke ka arritur të mposhtë në fushë mysafire rivalin për titull, Bayer Leverkusen, duke marrë kështu edhe kreun e tabelës së Bundesligës.Të dy golat për ekipin mysafir i shënoi sulmuesi gjerman Kevin Kuranyi dhe që të dyja në pjesën e parë të ndeshjes (11’ dhe 28’).
Me Bayern Munichun që u mposht më herët në fushë të vet nga Stuttgart, Schalke kalon në maje të tabelës së Bundesligës me 58 pikë, dy më shumë se bavarezët. Leverkuzen mbetet në pozitën e tretë me 53 pikë.
Roma ka shënuar fitore 2-1 ndaj rivalit kryesor për titull Interit për të ngushtuar vetëm një pikë diferencën në kreun e tabelës së Serie A. 
Daniele De Rosi shënoi në minutën e 16-të të ndeshjes së zhvilluar në Olimpico për të çuar vendasit në avantazh, të cilin e ruajtën deri në minutën e 66-të kur Diego Milito barazoi rezultatin.
Nuk vonoi shumë, pas shtatë minutash, sulmuesi i huazuar nga Bayern Munichu, Luca Toni, shënoi për të rikthyer epërsinë për Romën, që në fund doli të ishte goli vendimtar.
Me tre pikët e reja Roma mbledh 62 pikë, një më pak se Interi që pavarësisht humbjes ruan kreun (63 pikë).
Pretendenti tjetër për titullin, Milani, nesër pret në fushë të vet Lazion.
Sezoni i tmerrshëm i Portsmouth vetëm se po keqësohet edhe më tej, pasi të zgjedhurit e trajnerit Avram Grant u mposhtën me rezultat 2-0 nga Tottenham Hotspur në White Hart Lane.Peter Crouch (27’) dhe Niko Kranjcar (41’) që të dy kanë shënuar kundër ish-klubit të tyre për t’i dhënë tre pikë të reja Tottenhamit që e mbajnë atë në pozitën e katërt të tabelës.
Mysafirët pësuan edhe një goditje tjetër, pasi ekipi pati tre lojtarë të larguar nga fusha për shkak të lëndimeve, Hermann Hreidarsson, Danny Webber dhe portieri David James.
Tottenham tash ka 58 pikë, pesë më shumë se Manchester City që të hënën pret në fushë të vet Wiganin, dhe shtatë më shumë se Liverpooli që nesër pret Sunderlandin.
Frank Lampard ka shënuar katër gola, dy prej të cilëve nga pika e bardhë për të ndihmuar Chelsan të shkatërrojë Aston Villan me rezultat 7-1 dhe për të marrë kreun e Ligës Premier.Lampard hapi rezultatin pas 15 minutash lojë pas një asistimi të Florent Malouda, por pas gati aq minutash lojë John Carew barazoi për Aston Villan (29’). Një penalti e fituar nga Yuri Zhirkov u shndërrua në gol nga Lampard, duke çuar vendasit në pauzë me avantazh 2-1.
Pas 12 minutash në pjesë të dytë Malouda shënoi golin e tretë për blutë (57’) që iu dha edhe më shumë energji vendasve. Pesë minuta më vonë (62’), Lampard shënoi golin e tij të tretë, edhe kësaj here nga penaltia, gjashtë minuta para se Malouda të shënojë golin e tij të dytë dhe të pestin për Chelsan.
Edhe pse kishin avantazh 5-1, të zgjedhurit e trajnerit Carlo Ancelotti vazhduan të sulmojnë edhe më tej. Shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt, Salomon Kalou çoi në gjashtë numrin e golave për blutë. Por, nuk mbaroi këtu. Frank Lampard shënoi golin e tij të katërt në minutat shtesë për të vulosur vuajtjen e të zgjedhurve të trajnerit Martin O’Neill.
Fitorja e ngre Chelsean në pozitën e parë të tabelës me 71 pikë, dy më shumë se Manchester United që më vonë udhëton te Bolton.
Arsenali nuk ka arritur të shijojë kreun e tabelës së Ligës Premier, pasi nxori vetëm një barazim 1-1 në fushë të Birminghamit.Rrjetat mbetet të paprekura deri në 10 minuat e fundit të ndeshjes. Topçinjtë e panë veten në avantazh nëntë minuta para fundit të takimit, falë një goli të shënuar nga Samir Nasri (81’).
Por kur u mendua se Arsenali do të prekë kreun e tabelës, vendasit shënuan një gol të papritur. Bacary Sagna tentoi të largojë topin nga zona, por ai u godit në gjoksin e sulmuesit Kevin Phillips dhe përfundoi në rrjetën e portierit Manuel Almunia.
Me një pikë të fituar Arsenali mbledh 68 gjithsej, një më pak Manchester United në pozitën e dytë, e që më vonë udhëton te Bolton Wanderers. Pas fitores së thellë prej 7-1 ndaj Aston Villas, Chelsea tash ka marrë kreun e tabelës me 71 pikë.
Lideri i Bundesligës, Bayern Munich, ka pësuar disfatë me rezultat 2-1 në Allianz Arena nga Stuttgart.Bavarezët kaluan të parët në epërsi me golin e Ivica Olic në minutën e 32-të të lojës, por mysafirët nga Stuttgart arritën të barazojnë katër minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Christian Trasch (41’).
Pas pesë minutash në pjesë të dytë Ciprian Marica shënoi edhe golin e dytë për mysafirët për të vulosur kështu disfatën e Bayernit (50’).
Humbja e bavarezëve i jep rastit njërit nga dy ndjekësit, Bayer Leverkusen ose Schalke, të marrin kreun, pasi të dy ekipet takohen në derbin e mëvonshëm.
Ish-lojtari i Juventusit, Pavel Nedved, thotë se ai është i dëshpëruar me gjendjen në të cilën ndodhet Zonja e Vjetër dhe thotë se aspak nuk e ka pritur këtë.Nedved u tërhoq nga futbolli në fund të sezonit të kaluar, por legjenda e futbollit çek ka besuar se Juve do të vazhdojë përparimin pas investimeve që bëri në tregun e transferimeve.
“Nuk mund të shkoj në stadium pasi nuk ndjehem i qetë ta përcjell ekipin. Situata e tashme më dëshpëron. Ajo që ndodh është e pabesueshme. Ekipi është jashtë kupës dhe për një javë e ka humbur edhe shpresën për Ligën e Evropës dhe për pozitën e katërt”.
“Kur u pensionova, kurrë nuk mendova se do të paraqiten probleme të tilla. Por mendoj se ky ekip është më i fuqishëm se në dy sezonet e kaluara. Potenciali është aty, por është e nevojshme të gjendet një mënyrë që ky të shfaqet”, ka thënë Nedved.
Sipas mediave në Angli, ekipi i Tottenhamit dëshiron ta angazhojë mesfushorin e Real Madridit, Lassana Diarra.Francezi, i cili luajti në Chelsea, Arsenal dhe Portsmouth, kaloi në Santiago Bernabeu në janar të vitit të kaluar dhe pati një fillim të shkëlqyeshëm të karrierës. Por duket se Lass nuk është në raporte të mira me Manuel Pellegrinin dhe spekulohet se është e mundshme të largohet nga klubi spanjoll në fund të sezonit.
Daily Mail thotë se ekipi i Tottenhamit është duke e përcjellë situatën e Diarra në Madrid dhe përgatitet ta rikthejë atë në Ligën Premier.
Gazeta shkruan edhe se Reali do të përpiqet së pari të gjejë zëvendësim për të, para se ta lejojë të largohet. Diarra vlerësohet rreth 19 milionë euro. Për të interesim ka shprehur edhe Liverpool.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se para tyre janë dhjetë finale dhe se ndeshjet e ardhshme janë ‘jetë ose vdekje’.“Para nesh janë dhjetë ndeshje, dhjetë ndeshje për jetë ose vdekje, në të cilat duhet të bëjmë sa më pak gabime”.
“Nëse kampionati do të fitohet ose humbet në El Classico? Nuk e di, ka gjashtë ndeshje të tjera para përballjes me Barcelonën. Nuk e di nëse kjo ndeshje do të jetë vendimtare, por sigurisht se do të ketë një ndikim të madh në atë se kush do ta fitojë titullin”, ka thënë Ramos.
Real Madridi aktualisht është lider në La Liga me pikë të barabarta me Barcelonën dhe duket se gara deri në fund to jetë tepër e ashpër.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres thotë se e ardhmja e tij qëndron në Anfield, por sërish ka thënë se klubi duhet të përforcohet me disa lojtarë kualitativ.Me Liverpoolin që po kalon një sezon të dobët dhe që mundohet të përfundojë sezonin në top katërsh, mediat spekulojnë se Torres mund të jetë një prej lojtarëve që mund të largohet nga Anfield.
“Vendi im është këtu në Liverpool dhe në Angli. Është herët të flitet, por unë ende mendoj se mund të arrijmë të përfundojmë në top katërsh. Por, sigurimi i këtij vendi që dërgojnë Ligën e Kampionëve nuk është gjëja më e rëndësishme në mendjen time”.
“Më e rëndësishme është që klubi të përpiqet të angazhojë lojtarë kualitativ, futbollistë që do ta përmirësojnë kualitetin e ekipit dhe sezonin e ardhshëm të luftojmë për Ligën Premier, Ligën e Kampionëve ose Ligën e Evropës”, ka thënë Torres, i cili po ashtu ka potencuar se ka ‘edhe tre vjet’ nga kontrata e mbetur.
Sebastian Vettel dhe Mark Webber kanë marrë dy pozitat e para derisa veturat Red Bull kanë ‘fluturuar’ në kualifikimet e sotme për Australian Grand Prix në Melbourne.Edhe pse 22-vjeçar Vettel duket se do të jetë një prej favoritëve për të fituar titullin e këtij viti në Formula 1 dhe do të niset nga pozita e parë për të dytën herë në po aq gara këtë sezon. Gjermani kaloi shtegun Albert Park për një minutë e 23.919 sekonda.
Australiani Webber do të niset nga pozita e dytë para publikut vendas pasi u vonua vetëm 11 të qindtat (0.116 sekonda) ndaj shokut të tij të skuadrës.
Ngasësi i Ferrarit, Fernando Alonso do të fillojë nga pozita a tretë, derisa kampioni në fuqi Jenson Button përfundoi i katërti më i shpejti.
Felipe Massa ka siguruar pozitën e pestë me Ferrarin e tij, derisa ngasësit e Mercedes GP Nico Rosberg dhe Michael Schumacher pushtojnë pozitat gjashtë dhe shtatë.
Britaniku Lewis Hamilton ka dështuar të futet në rundin e tretë të kualifikimeve dhe do të niset nga pozita e 11-të.
Oklahoma City Thunder ka bllokuar në mënyrë të përkryer yllin Kobe Bryant për t’i dhënë fund serisë prej shtatë fitoreve të Los Angeles Lakers duke e mposhtur kamponin e NBA me rezultat 91-75.Bryant shënoi vetëm 11 pikë, me Lakers që treguan lojën më të dobët të sezonit. Fitorja po ashtu i dha fund 12 humbjeve radhazi të Thunder në takimet përballë Lakers. Ata nuk e kanë mposhtur liderin e Konferencës Perëndimore që nga viti 2006.
“Ne po zhvillohemi. Ne po piqemi si grup gjatë gjithë sezonit dhe mendoj se bëmë një punë të mirë sonte”, ka thënë Kevin Durant pas ndeshjes.
Durant shënoi 26 pikë për Thunder që shënuan fitoren e 44 të sezonit (27 humbje).
Pas një serie të rezultateve të tmerrshme, kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, thotë se ata nuk do të dorëzohen.Juve tash është në pozitën e gjashtë të cilën e ndan me Napolin, pasi ka nxjerrë vetëm një pikë nga tre ndeshjet e fundit kundër Siena, Sampdoria dhe Napoli.
“Ne nuk jemi dorëzuar. Unë nuk jam dorëzuar. Ne jemi goditur, por nuk ka mbaruar dhe nëse shikojmë në tabelë atëherë ende jemi në pozitë për të realizuar qëllimet.
“Vetëm tre pikë na ndajnë nga pozita e katërt me tetë ndeshje deri në fund të sezonit. Këto janë statistika të cilat duhet t’i mbajmë në zemër. Ka edhe 24 pikë të kapshme dhe jemi vetëm katër pikë prapa vendit të Ligës së Kampionëve”, ka shkruar Del Piero në faqen zyrtare të klubit.
Mesfushori i Romës, David Pizarro, thotë se stili i tyre i lojës është superior ndaj ish-klubit të tij, Interit.Dy ekipet takohen sonte në derbin e Serie A, dhe Pizarro thotë se stili i lojës i Romës është i mjaftueshëm për të thyer qëndrueshmërinë e Interit në garën për skudeton.
“Kur luajmë kundër ekipeve fizikisht të fuqishme si Interi, duhet t’i sulmoni ata nga të gjitha anët”, ka thënë mesfushori.
“Duhet ta merrni topin prej tyre dhe të luani me këmbë. Kjo lloj karakteristike është në ADN-në tonë së bashku me teknikat e mrekullueshme, dhe kjo është arsyeja se pse i kemi shkaktuar probleme Interit në vitet e fundit”, ka thënë Pizarro.
Derisa lideri i Ligës Premier, Manchester United dhe rivali tjetër për titull Arsenal janë kualifikuar në çerekfinale të garës evropiane, Chelsea ka dështuar të futet në tetëshen më mirë duke u eliminuar nga Interi.
“Pajtohem me Arsene. Mentalisht nuk ka qenë mirë për ne të eliminohemi nga Liga e Kampionëve. Por pas fitores ndaj Portsmouth, kjo gjë ka përfunduar. Ne tash duhet të shikojmë në ndeshjet tjera”.
“Luajmë ndaj Aston Villas dhe pastaj përgatitemi për Manchester United. Kjo mund të jetë një avantazh. Më herët kishim ndeshje në mes javë. Jemi të zhgënjyer që jemi jashtë Ligës së Kampionëve, por kjo mund të jetë një avantazh”, ka thënë italiani.
Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Capello, thotë se ai do të dëshironte të rikthehet përsëri te Real Madridi.Capello është pyetur nëse do të mendonte të rikthehet në Santiago Bernabeu gjatë verës dhe italiani ka thënë se ndoshta jo gjatë kësaj vere, por se dëshiron ta mbyllë karrierën me klubin spanjoll.
“Real Madridi është një prej atyre ekipeve që mbetet brenda jush. Por të drejtoj Anglinë gjithmonë ka qenë një prej ëndrrave të mia dhe për shkak të moshës që kam, dua ta mbylli karrierën në Real Madrid”, ka thënë Capello.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, ua ka tërhequr vërejtjen skuadrave të mëdha që të llogarisin si pretendent serioz për titull skuadrën e Arsenalit në kohën kur gara për titull në Ligën Premier është bërë më e ngushtë se kurrë.Topçinjtë i kanë humbur të katër takimet ndaj Chelseat dhe Manchester Unitedit këtë sezon, por sot ata janë shumë pranë stolisjes me titullin e kampionit në Ligën Premier.
“Kur i mposhtëm ata në nëntor ne ishim 11 pikë larg tyre dhe unë nuk i llogarita ata si pretendentë për titull. Por, duhet të jemi të drejtë dhe të marrim në shqyrtim skuadrën e re dhe lëndimet. Ata janë kundërshtarë të vështirë për skuadra të vogla, sidomos në Emirates”.
“Është fushë aq e madhe dhe mënyra se si luajnë ata, ua vështirëson lojën ekipeve të vogla. Ndaj ekipeve të mëdha ndodh që të humbasin, porse dallimi në mënyrën e lojës nuk është dhe aq i madh”, tha Terry.
Pronari i Juventusit, John Elkan, ende nuk po mund të besojë se çfarë i ndodhi Zonjës së Vjetër këtë sezon, duke premtuar rindërtim të shpejtë dhe të menjëhershëm të skuadrës.Juventusi ka dështuar krejtësisht këtë sezon dhe nuk është në garë për asnjë trofe. Madje është në rrezik që të mos e sigurojë as pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Jam i pikëlluar, i zhgënjyer dhe i hidhëruar. Si tifoz nuk mund ta tejkaloj këtë gjendje. Nuk kemi arsyetime. Ne duhet të reagojmë shpejtë për të ndërtuar një Juventus më të fortë”, deklaroi Elkan për La Gazzeta dello Sport.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ka bërë pohime të jashtëzakonshme në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij Lionel Messi duke thënë se Diego Maradona e urren Messin për shkak se atij i rrezikohet statusi i legjendës argjentinase.Të enjten Maradona tha se padyshim që Messi do të luajë për Argjentinën në Kampionatin Botëror, por se nuk do të mund të bëhej futbollisti më i mirë në histori pa e fituar atë. Maradona shtoi se ai nuk mund t’i sjellë lojtarët e Barcelonës në mënyrë që Messi të ketë sukses.
“Kur keni bërë dhe fituar gjithçka në futboll dhe kur shihni se dikush mund t’iu zëvendësoj, atëherë natyrisht se do të nervozoheni. Messi luan për ekip, jo për vete siç bëri Maradona”, është shprehur Alves
I pyetur më pas se cilat janë gjasat që Barcelona të përsërisë suksesin e vitit të kaluar, braziliani u përgjigj: “Është një vit i veçantë sepse finalja është në Bernabeu dhe unë dua të jem atje. Ishte zhgënjyese mosparaqitja në finale ndaj Manchester Unitedit, por ajo më jep kurajë për të luajtur në finalen e këtij viti”.
















