Xabi Alonso dhe Raul Albiol. Real Madridi ka fituar derbin e kryeqytetit spanjoll kundër Atletico Madridit, me rezultat 3-2, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Santiago Bernabeu.
Pas dhjetë minutash lojë, Jose Antonio Reyes kaloi mysafirët në epërsi pas një pasimi të Kun Agueros.
Vendasit patën më shumë nga loja deri në mbylljen e 45 minutave të para, mirëpo nuk arritën të barazonin shifrat.
Në pjesën e dytë, Mbretërit shfaqën fuqinë e tyre duke realizuar tri herë për më pak se pesëmbëdhjetë minuta.
Xabi Alonso barazoi rezultatin (49’), ndërsa Alvaro Arbeloa shënoi për epërsinë e parë të Los Blancos (55’).
Golashënuesi më i mirë i Realit këtë edicion, me golin e tij të 23-të në La Liga shënoi për rezultatin 3-1 (62’).
Në minutën e 68-të u akordua penallti në favor të Atleticos, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Diego Forlan, i cili arriti që ta zbusë epërsinë e Merengues.
Pas kësaj fitore, Reali barazohet sërish me pikë me Barcelonën dhe merr primatin e La Ligas, falë golaverazhit më të mirë.
Stephan Lichsteiner barazoi rezultatin. Milani ka barazuar kundër Lazios në takimin e zhvilluar në San Siro me rezultat 1-1 duke dështuar t’u afrohet liderëve të Kampionatit italian, Interit dhe Romës.
Milani e filloi më mirë takimin. Pas një ndërhyrjeje të palejuar në Flaminin, u akordua penallti në favor të vendasve, ndërsa ishte Marco Boriello lojtari që realizoi nga pika e bardhë për epërsinë 1-0 (18’).
Pas një harkimi në zonë, Stephan Lichsteiner gjendet mirë në një tollovi në zonë duke shënuar në portën e Didas (32’) për të barazuar shifrat.
Milani në fraksionin e dytë ishte skuadra më e mirë duke bërë presion. Antonini pas një depërtimi godet bukur por vetëm për të goditur transversalen. Edhe Abate pati një rast në fund të takimi kur me kthim nuk arriti të shënojë në portën e zbrazët.
Ky barazim nuk u përshtatet aspak Rossonerëve, pasi që e shohin veten në pozitën e tretë me 60 pikë, dy më pak se Roma dhe tre më pak se Interi që është lider.
Dygolësh i Fernando Torres. Liverpooli ka mposhtur Sunderlandin në Anfield me rezultat prej 3-0 duke dalë edhe zyrtarisht nga kriza e këtij sezoni.
Liverpooli e filloi këtë takim në mënyrën më të mirë të mundshme. Një eurogol i Fernando Torresit zhbllokoi rezultatin e takimit në fazën e hershme të tij (3’).
Si rrjedhim, gjysmë ore më vonë Glen Johnson i rikthyer nga lëndimi shënon për 2-0 duke treguar vlerën e tij (32’).
Takimin e përfunduan të dy emrat e përmendur më lartë kur Glen Johnson asistoi te Torres për golin e tretë dhe të fundit në këtë takim (60’).
Liverpooli me këtë fitore ngjitet në pozitën e pestë me 54 pikë. Tottenhami është në pozitën e katërt me 58 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar ndërsa Manchester City gjendet prapa Liverpoolit me 53 pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, do të jetë jashtë aksionit për më shumë se dhjetë ditë pas një lëndimi të marrë në kofshë në ndeshjen kundër Mallorcas. Ai do të mungojë në mesjavë kur Barcelona do të përballet me Arsenalin në Emirates.
AS shkruan se stafi mjekësor i Barcelonës do të punojë pandërprerë për ta sjellë në formë Iniestan për ndeshjen kthyese kundër Arsenalit në Camp Nou.
Andres Iniesta rrezikon për 99% që të mungojë në ndeshjen kryesore të sezonit në La Liga, në ‘el Classicon’ e 161-të kundër Real Madridit.
Strategu i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka mohuar spekulimet për një largim të mundshëm të sulmuesit Gonzalo Higuain në fund të sezonit, duke thënë se ai është pjesë e rëndësishme e skuadrës.
“Gonzalo Higuain është një lojtar për Real Madridin, lojtar i mrekullueshëm, shumë i ri dhe me të ardhme të ndritur. Nuk mendoj se klubi mendon të vazhdojë pa të”.
“Ai është lojtar i ri që po përmirësohet çdo vit. Ai është shumë i fuqishëm dhe jam krenar që ai është këtu. Përmirësimi i tij nuk është rastësi, ai po stërvitet shumë çdo ditë”, deklaroi Pellegrini.
Real Madridi është lidhur me një transferim të Wayne Rooneyt dhe David Villas, në kohën kur mbretërit po shqyrtojnë mundësinë e përforcimit të radhëve të veta në sulm.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry, ka pranuar se humbja në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës kur ai ishte tek Arsenali, përbën zhgënjimin më të madh të karrierës së tij.
Në një konferencë për shtyp, Henry rikujtoi kohën e tij tek Arsenali, në momentin kur Barcelona po përgatitet për të udhëtuar në Emirates për të zhvilluar duelin e parë çerekfinal.
“I kalova tetë vite me Arsenalin dhe unë e di se ndonjë ditë do të rikthehesha. Është e çuditshme, por unë do të jap më të mirën ashtu siç kam bërë gjithmonë”.
“Çdo moment që kalova në Londër ishte i mrekullueshëm, me përjashtim humbjen në finale të Ligës së Kampionëve nga Barcelona. Ah, ajo ishte periudhë e vështirë”.
“Kur flisni për Arsenalin, duhet të flisni për Fabregasin. Unë kam luajtur me të dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë. Ai është inteligjent dhe ka luajtur shumë vite në mënyrë të rregullt. Nuk ka favorit në këtë sfidë, do të jetë e vështirë”, përfundoi Henry.
Tom Hicks thuhet të mos jetë i interesuar për të shitur 40 % të aksioneve të tij te Liverpooli për të bllokuar kështu edhe njëherë investimet në skuadrën nga Merseyside.
Presioni është rritur në mënyrë enorme mbi pronarët George Gillet dhe Tom Hicks, por Hicks ka vendosur të mos heqë dorë nga The Reds.
Christian Purslow, drejtor menaxhues te Liverpooli, mendon se Hicks do të sigurojë mjaft para për të investuar gjatë verës nëse ai qëndron.
Thuhet se Hicks është duke e menduar shitjen e Fernando Torresit në mënyrë që të transferohen katër ose pesë lojtarë të rinj. E ardhmja e Torresit varet edhe nga qëndrimi i Hicks.
Shumë grupe të fuqishme investitorësh janë treguar të interesuara për ta blerë Liverpoolin, si Rhone Group dhe Sahara Group e Indisë.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka ripërsëritur dëshirën e tij për të qëndruar tek Arsenali, përkundër interesimit për një rikthim te Barcelona apo një transferim tek Interi.
“Nuk ka nevojë të flasim për të ardhmen time. Nuk i kuptoj gjithë këto spekulime për mua. Gjithnjë kam thënë se jam i lumtur tek Arsenali”.
“Unë kam thënë dhe do të them me mijëra herë se nuk dua të kaloj tek asnjë klub spanjoll, por askush nuk më beson”.
“Emirates është shtëpia ime dhe nuk kam plane për t’u larguar”, ka thënë Fabregas.
Trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores, ka besim se skuadra e tij ka gjithçka për të shkatërruar serinë e pamposhtshmërisë së Real Madridit në Santiago Bernabeu.
“Ne kemi lojtarë të nivelit të lartë të cilët janë gati të ballafaqohen me këso lloj sfidash. Gjithnjë kam menduar se duhet të luash shumë mirë në ndeshjet e mëdha”.
“Ekipi është shumë i motivuar dhe mezi e pret takimin. Bernabeu është vend i mirë për të fituar. Më kujtohet një fitore shumë e mirë atje. E kam provuar me Valencian. Do të ishte kënaqësi e madhe për tifozët dhe për lojtarët nëse fitojmë”.
“Ne e dimë se duhet të luajmë ndeshjen e sezonit dhe të shpresojmë në formë jo të mirë të Realit. Ne do ta fitojmë derbin ndaj Realit”, u shpreh trajneri i Atleticos.
Njëri nga golashënuesit e Fiorentinas, Alberto Gilardino. Fiorentina ka deklasuar në shtëpi Udinesen, Napoli ka ndjekur Violan për ta mposhtur Catanian, derisa Sampdoria barazoi kundër Cagliarit në Marassi.
Sampdoria nuk ka arritur të mbajë epërsinë deri në fund të takimit kundër Cagliarit në shtëpi. Goli i epërsisë për Sampdorian erdhi nga Stefano Guberti (47’), ndërsa rezultatin e këtij takimi e barazoi Nene pas asistimit të Contit (80’).
Napoli sigurt vazhdon luftën për pozitën e katërt. Napolitanët u treguan të fortë për sicilianët e Catanias, duke i mposhtur ata me rezultat minimal. Të vetmin gol e shënoi Paolo Cannavaro nga shërbimi i Fabio Quagliarellas (51’).
Fiorentina i dha leksion futbollistik Udineses në Artemio Francchi duke e shkelur me rezultat 4-1.
Juan Manuel Vargas hapi serinë e golave (36’), kurse rezultatin e pjesës së parë e vendosi Simone Pepe nga shërbimi i Di Natales për barazimin 1-1 (41’).
Në pjesën e dytë, Fiorentina shënoi edhe tri herë të tjera. Alberto Gilardino (55’) dhe Santana (68’) shënuan për 3-1, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Stevan Jovetic (84’).
Napoli me këtë fitore mban pozitën e pestë me 48 pikë aq sa ka edhe Juventusi dhe Sampdoria, që mbajnë pozitat gjashtë dhe shtatë, respektivisht. Fiorentina është prapa rivalëve me 44 pikë.
Alex Del Piero, shënoi golin e parë dhe asistoi në të dytin Zonja e Vjetër ka arritur që me vështirësi të madhe të shënojë fitore prej 2-1 para tifozëve të vet kundër Atalantas.
Pas gjysmë ore lojë, ikona e klubit bardhezi dhe mjeshtri i gjuajtjeve të lira, Alessandro Del Piero kaloi vendasit në epërsi pikërisht nga gjuajtja e lirë.
Në fund të pjesës së parë (45’), Nicola Amoruso barazoi rezultatin për të dërguar skuadrat në pushim me rezultat të barabartë.
Në pjesën e dytë, mysafirët treguan lojë më të mirë, derisa Bianconerët e patën të vështirë që të organizoheshin në fushë, ndërsa këtë arritën ta bëjnë vetëm në 15 minutat e fundit të ndeshjes.
Goli i fitores për Juven erdhi në minutën e 82-të, kur pas një krosimi të Del Pieros, Felipe Melo shënoi me kokë.
Pas kësaj fitoreje, Juventusi pozicionohet në vendin e gjashtë me pikë të barabarta me Napolin (vendi i pestë) dhe Sampdorian (vendi i shtatë), ndërsa ka tre pikë më pak se Palermo që mban vendin e katërt.
Anësori holandez i Bayernit, Arjen Robben, ka thumbuar rivalët e tij të Manchester Unitedit para duelit çerekfinal në Allianz Arena, duke thënë se skuadra angleze është ekip individual dhe se Bayerni do të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Ky ekip i Manchester Unitedit nuk është i padukshëm. Nëse shtypi dëshiron t’i shohë ata si favoritë, atëherë kjo na përshtatet neve pasi që presioni do të jetë mbi ta. I kam shikuar disa herë në TV dhe mendoj se nuk janë aq të fuqishëm si dy sezonet e kaluara”.
“Rooney është duke kaluar formë fenomenale. Por, për momentin duket se ai është zgjidhja e tyre e vetme: Çfarë nëse ai dështon?”.
“Ai është bërë ylli që pas shitjes së Ronaldos verën e kaluar, por ne do të përgatitemi për ta ndalur atë. United është ekip individual i Rooneyt dhe mbrojtësit tanë do të përkujdesen non-stop për 180 minuta”, ka thënë Robben.
Diego Milito përkundër zhgënjimit të madh pas disfatës nga Roma në Serie A, u shpreh të jetë i sigurt se Interi këtë sezon do të fitojë Scudetton e pestë me radhë.
“Ne jemi të zhgënjyer me këtë humbje por jemi të relaksuar pasi që jemi në maje të tabelës. Ne do të tentojmë të fitojmë ndeshjet e radhës. Është dashur që të shënojmë një gol të dytë”.
“Pasi barazuam rezultatin ne luajtëm mirë, e donim golin e tretë, por fatkeqësisht erdhi goli i Tonit që ishte goditje e rëndë. Mendoj se një barazim do të ishte rezultat i drejtë, nëse marrim parasysh tre shtyllat e qëlluara nga ekipi jonë”, deklaroi Milito për Sky Sport Italia.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka pranuar se ai është i interesuar për të siguruar shërbimet e mjeshtrit të mesfushës bavareze, Franck Ribery.
“Më pëlqen Ribery. Bayerni më kërkoi 70 milion funte për të verën e kaluar, por duket se këtë verë ai do të largohet. Duket se do të shkojë në Spanjë, por unë do ta kem fjalën e fundit”, u shpreh Ferguson për The Sun.
Ribery kohë më parë deklaroi se destinacioni i tij i radhës do të jetë La Liga, por Manchester United pret Bayernin të martën mbrëma në Old Trafford, me ç’rast Ferguson do të ketë mundësinë për të negociuar dhe pse jo, për të përfunduar një marrëveshje për transferimin e francezit në Ligën Premier.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, shpreson se do të realizojë qëllimet e tij jetësore për të fituar Ligën Premier dhe Kupën e Botës gjatë pesë viteve të ardhshme.
“Është koha vendimtare për mua – unë e di sa vjeçar jam dhe çfarë dua të realizoj në pjesën e mbetur të karrierës. Unë jam fizikisht në formë të mirë dhe kam gjithçka për të vazhduar luftën time edhe për pesë vite tjera për titujt që jam duke i kërkuar”.
“Do të ishte një shtytje për mua nëse me Liverpoolin përfundoj në pozitën e katërt dhe më pas shkoj në Botëror”, tha Gerrard.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, ishte plot humor në konferencën për shtyp pas takimit kundër Interit, kur Roma iu afrua kampionëve në një pikë.
“Kur Milito e qëlloi shtyllën në minutat shtesë, unë humba 10 kilogram!”, qeshi Totti.
“Scudetto? Kemi gjasa të mëdha tani, por me rëndësi është që të luajmë mirë, nuk është me rëndësi Scudetto, e as rekordi im si njeriu i parë që do ta fitonte dy herë Scudetton me Romën”, përfundoi Totti.
Totti është futbollisti i vetëm i mbetur i Romës nga viti i artë 2001 kur skuadra nga kryeqyteti fitoi titullin në krye me Fabio Capellon.
Fundjavën e ardhshme, Roma udhëton në Bari, kurse Interi pret Bolognan në Giuseppe Meazza.
Arsenali është vënë në kërkim të strategut të Barcelonës, Pep Guardiola, në rast se Arsene Wenger vendos të largohet kur të përfundojë kontrata e tij më 2011.
Sipas Daily Star, Topçinjtë besojnë se spanjolli do të ishte zëvendësuesi ideal i Wengerit për shkak të stilit të lojës dhe bisedave jo zyrtare me Guardiolën.
Raporti në tabloidin britanik citon një burim brenda Arsenalit që ka thënë se Topçinjtë janë admirues të Guardiolas.
“Emri i Pep Guardiolas është përmendur çdo herë kur është diskutuar situata afatgjate menaxheriale. Bordit të Arsenalit i pëlqen loja e Barcelonës nën drejtimin e Guardiolas dhe mënyra se si ai e trajton postin e tij”, citohet të ketë thënë burimi.
Arsenali dhe Barcelona takohen të mërkurën në Emirates për të zhvilluar takimin e parë çerekfinal në Ligën e Kampionëve.
Skuadra me tifozerinë më të flaktë dhe njëra prej skuadrave më të trofeshme në historinë e basketbollit kosovar, Bashkimi, është turpëruar në Mitrovicë nga Bambi të premten kur pësoi disfatë prej 97 pikë dizavantash, 137:40, në duelin e fundit të stinorit të rregullt në Technomarket Superligën e basketbollit.
Kjo humbje me plot kuptimin e fjalës është turpëruese dhe është humbja e dytë më e thellë këtë sezon e regjistruar në Technomarket Superligën e basketbollit, pasi që ishte Bashkimi që ia shkaktoi Dritës kohë më parë humbjen më të thellë me 98 pikë dallim.
Bashkimi në sfidën ndaj Bambit është paraqitur me ‘fëmijë’ pasi që asnjë lojtar senior nuk është ftuar. Madje, Bashkimi në Mitrovicë udhëtoi vetëm me pesë lojtarë. Zyrtarët e klubit arsyetohen se ndeshja “all star” e të mërkurës kishte ndikuar në lodhjen e lojtarëve të tyre. Përpos kësaj, zyrtarët e klubit janë frikësuar nga ndonjë lëndim i mundshëm para ‘play off-it’.
Në vendet perëndimore dhe sipas rregullores së FBK-së, pavarësisht nga karakteri i takimit, skuadrat duhet të paraqiten me formacionet më të forta. Sidoqoftë, Bashkimi ka dalë i padënuar nga FBK për shkak të arsyetimit të fortë.
Bashkimi në ‘play off’ të Technomarket Superligës do të luajë përballë Trepçës.
Kampioni në fuqi i Formula 1, Jenson Button, ka dalë fitues i Çmimit të Madh të Australisë në garën që u zhvillua të dielën në Melbourne.
Piloti i McLarenit triumfoi në një garë që është karakterizuar me incidente të shumta, ndersa vetëm 14 bolide arritën ta përfundonin garën.
Vendin e dytë e ka zënë Robert Kubica me Renault, ndërsa i treti përfundoi piloti i Ferrarit, Felipe Massa, i cili ia zuri vendin shokut te skuadrës, Fernando Alonso, ashtu që ky i fundit përfundoi në vendin e katërt.
Shtatëherë kampioni i garës më prestigjioze automobilistike, Michael Schumacher, arriti që të zë vetëm vendin e dhjetë me Mercedesin e tij.
Pas kësaj gare, kreun në renditjen e përgjithshme për pilotët e mban Alonso me 37 pikë, Massa me 54 dhe Button me 31. Ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm për konstruktorët kryeson Ferrari me 70 pikë, duke lënë pas McLaren me 54 dhe Mercedes me 29 pikë.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ua ka dedikuar tifozëve kryeqytetasës fitoren prej 2-1 ndaj liderit aktual në Serie A, Inter.
“Është fitore e rëndësishme, por jo për mua, për tifozët dhe për qytetin e Romës. Kemi bërë pesë muaj të sakrificës dhe punës së rëndë. Nëse vazhdojmë kështu do bëhemi më të mirë”.
“Më duhet të komplimentoj një ekip të mrekullueshëm të Interit, por gjithashtu për lëvdata janë dhe lojtarët e mi të cilët nuk u ndalën sot. Tifozët tanë sot ishin fantastik”, deklaroi pas ndeshjes Ranieri.
Frank Lampard u shpreh të jetë mjaft i kënaqur me katër golat e shënuar të shtunën ndaj Aston Villës, duke thyer njëkohësisht rekordin e Peter Osgood në listën e golashënuesve të klubit londinez.
“Jam shumë krenar. E kam tejkaluar Peter Osgood, kam edhe më shumë ndeshje përpara, por jam i nderuar të jem ndër këta emra”.
“Jam frikësuar kur i kam goditur penaltitë për shkak se kam dështuar shumë në stërvitje. Megjithatë, duke parë që Friedel është portier me përvojë, u detyrova të shënoj”, deklaroi Lampard.
Mesfushori anglez këtë sezon ka realizuar 21 gola në Ligën Premier.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se është tejet i frustruar pas barazimin 1-1 ndaj Birminghamit, që rezulton në humbje të terrenit në garën për titull të kampionit në Ligën Premier.
Dhjetë minuta para fundit të sfidës ndaj Birminghamit, Samir Nasri shënoi një gol të bukur për rezultatin që u mendua të jetë përfundimtar. Por në çastet e fundit ishte Kevin Phillips ai që siguroi barazimin e Birminghamit.
“Po, natyrisht se jam i frustruar sepse një minutë para fundit, ne kemi pasur dy ose tri raste shënimi dhe nuk e bëmë atë. Ne do të luftojmë deri në fund për titullin. Kjo është ajo që do të bëjmë edhe pse zhgënjimi që duhet përtypur është i madh”, tha Wenger.
Protagonisti kryesor në fitoren e madhe të Romës ndaj Interit, Luca Toni, thotë se skuadra për të cilën luan ai ka gjasa më të mëdha se kurrë për të fituar Scudetton.
“Kjo është natë e madhe për ne. Ishte me rëndësi të fitojmë dhe të tentojmë të arrijmë një ëndërr. Tani jemi një pikë prapa. Do të provojmë dhe të shohim nëse do ta fitojmë”.
“Kualiteti dhe motivimi llogariten këtu. Ne luajtëm shumë mirë dhe këto tri pikë janë të rëndësishme. Interi është ende në krye, por kanë mbetur edhe disa ndeshje”, u shpreh Toni pas ndeshjes.
Mourinho nga ana tjetër vazhdoi heshtjen mediatike duke injoruar mediat pas takimit Roma – Inter.
Aktualisht, Roma gjendet në pozitën e dytë në Serie A, me një pikë që e ndan atë nga lideri Inter.
Arjen Robben Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, rrezikon seriozisht paraqitjen ndaj Manchester Unitedit në Ligën e Kampionëve, pas lëndimit të marrë në ndeshjen e të shtunës kundër Stuttgartit.
Lëndimi i Robben ngjason me atë të David Beckhamit, pasi që është marrë gjatë vrapimit me top. Sidoqoftë natyra e lëndimit mbetet ende e paqartë.
“Nuk duket keq, por ai është në dyshim për sfidën ndaj Manchester United”, thotë një komunikatë në faqen zyrtare të Bayernit.
Holandezi ka treguar formë të jashtëzakonshme javëve të fundit duke shënuar një numër të konsiderueshëm të golave të rëndësishëm për Bayernin.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka rritur presionin mbi rivalët e tjerë për titull pas elaborimit të fitores së lartë ndaj Boltonit prej 4-0.
“Vetë pozita jonë e parë, na detyron të themi që secili rezultat është me rëndësi. Kjo fitore ndaj Boltonit është fantastike pasi që duhet të mbajmë hapin me Chelsean”.
“Më vjen keq për Arsenalin që lëshoi pikë sot (e shtunë), por ne të gjithë lëshojmë ndërsa synimi është që të mos lëshojmë pikë siç bëjnë të tjerët”, ka deklaruar Ferguson.
Në javën e 32-të të Ligës Premier, Manchester Unitedi mposhti Boltonin me rezultat 4-0 në transfertë, përderisa Chelsea shqeu Aston Villan në shtëpi me rezultat 7-1.
Juventusi vazhdon të kurojë lëndimet e marra nga Napoli gjatë fundjavës, ndërsa strategu Alberto Zaccheroni tregohet retorik duke thënë se do të jetë skuadra e tij ajo që në fund do të buzëqeshë.
“Më pëlqeu disfata, pasi që i pashë lojtarët e mi kokulur. Kjo dëshmon dëshirën e tyre për të luftuar”.
“Tabela nuk është komforte tani, por gjithnjë them se ne nuk dorëzohemi. Jam i bindur se do të përfundojmë në pozitën e katërt”, u shpreh Zaccheroni. Të dielën, Juventusi zhvillon takimin e javës së 31-të në Serie A, kundër Atalantas.
Carlos Diogo (majtas) dhe Jiri Jarosik festojnë golin e parë. Zaragoza ka arritur të shënojë fitore të madhe në takimin kundër Valencias, me rezultat të lartë 3-0.
Valencia ishte jashtë sistemit që nga fillimi i takimit, me vendasit që suksesshëm arritën të deklasojnë Los Che.
Goli i parë i takimi erdhi në fund të pjesës së parë, kur Diogo shënoi për epërsinë e parë të vendasve (41’), kurse katër minuta më vonë Nicola Zigic për shkak të kartonit të dytë të verdhë dërgohet në zhveshtore.
Në fraksionin e dytë loja u ashpërsua tej mase, situatë nga e cila përfituan përsëri vendasit. Arizmendi dyfishoi epërsinë për të përfunduar në njëfarë mënyre takimin (63’).
Vulën takimit ia dha Jarosik pas asistimit të Gabit për 3-0 (71’).
Valencia me këtë disfatë nuk rrezikon pozitën e tretë, përderisa Zaragoza largohet paksa nga zona e rrezikshme.