Seydou Keita ka sulmuar Real Madridin para ‘el Classicos’, duke thënë se rivalët e Realit nuk e japin më të mirën kur luajnë ndaj Mbretërve.
I pyetur nga gazetarët nëse e kishte shikuar derbin e fituar nga Reali ndaj Atleticos, Keita u përgjigj: “Nuk e kam shikuar atë ndeshje, pasi që e kam ditur se Reali do të fitojë. Nuk mendoj se rivalët e Realit po japin më të mirën kur luajnë kundër tyre”.
“Këto janë mendime personale të mia dhe nuk do të ishte befasuese nëse diçka të tillë thotë dhe një futbollist i Realit. Për më shumë, unë kam fakte. Një ditë para ndeshjes me Getafen, trajneri i kësaj skuadre, Michel, tha se Reali do ta fitonte La Ligan”.
“Nëse fitojmë ndaj Real Madridit do të jetë me rëndësi, por kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Për çdo rast, ne duhet të mendojmë për Arsenalin. Ne do të kemi kohë për të menduar për Realin”, përfundoi Keita.
Diego Milito u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të harrojnë humbjen e hidhur nga Romës, për t’u fokusuar në takimin e parë çerekfinal të Ligës së Kampionëve kundër CSKA-së, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Giuseppe Meazza.
“Ne duhet ta harrojmë humbjen dhe të mendojmë vetëm për CSKA-në. Nuk është mirë të humbasësh siç bëmë ne. Një barazim do të ishte më i mirë”.
“Tani duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet. Varet nga ne. Ne jemi të parët, por duhet të sigurohemi që të mos bëjmë gabime”, deklaroi Milito për Sportmediaset.
Njeriu më kontrovers në futbollin italian, Luciano Moggi, ka mohuar se Interi është favorit për të fituar Ligën e Kampionëve duke thënë se Barcelona do ta rifitojë titullin e më të mirit të Evropës.
“Interi as këtë vit nuk do ta fitojë Ligën e Kampionëve. Mendoj se Barcelona do të rikonfirmohet si kampion. Liga e Kampionëve po tërheq shumë energji fizike dhe mentale nga Interi”, ka thënë ish-drejtori i Juventusit.
Moggi foli edhe për kaosin tek ish-skuadra e tij Juventus, duke thënë se Bianconerëve u duhen ndryshime radikale duke filluar nga koka e klubit.
“Jam i bindur se Juventusi do të përfundojë në pozitën e katërt, por e ardhmja duket jo e mirë për arsye se ekipi duhet të rindërtohet”, tha Moggi.
Njëri nga futbollistët kryesorë të Bayern Munichut, Arjen Robben, është lënduar në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Stuttgartit dhe ashtu siç kemi raportuar ditë më parë, Robben mendon se nuk do të mund të luajë ndaj Manchester Unitedit.
Bayerni pret në Allianz Arena Manchester Unitedin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa mungesa e Robben është goditje e rëndë para ndeshjes që zhvillohet të martën.
“Lëndimi erdhi në ndeshjen ndaj Schalkes. Ai është përkeqësuar në minutat e fundit të sfidës ndaj Stuttgartit. Nuk është dëmtim serioz por ndeshja kundër Manchester United është shumë pranë. Unë nuk do të luaj, por vendimin definitiv do ta marr pak para fillimit të ndeshjes”, tha Robben.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka thumbuar Serien A, duke pohuar se në Itali më shumë flitet se sa që luhet në krahasim me vendet tjera.
“Unë e kam lënë Italinë 25 vite më parë dhe sinqerisht, nuk e di nëse atje luhet futbolli. Por, jam i sigurt se ata flasin më shumë, sidomos kur kemi të bëjmë me debate të futbollit. Ky është njëri prej aktiviteteve më të preferuara në Itali”, tha legjenda franceze.
Platini u shpreh dhe për krizën e Juventusit dhe e lavdëroi Jose Mourinhon për punën e bërë.
“ Mendoj se Juventusi është dorëzuar shumë lehtë. Sa për Interin, nuk mund të parashikoj se kush do ta fitojë Scudetton, por Mourinho është një trajner i shkëlqyer”, deklaroi Platini.
Milani është i gatshëm të bëjë një transferim sensacional për të sjellë në San Siro sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres.
Sipas Il Giorno, Torres është synim i Milanit qe një kohë të gjatë, ndërsa drejtuesit e gjigantit italian e kanë monitoruar situatën e spanjollit në klub, të cilën dëshirojnë ta shfrytëzojë për të transferuar njërin nga sulmuesit më të mirë në botë.
Torres nuk është aspak i kënaqur me mungesën e trofeve në Anfield dhe është i gatshëm për t’u larguar në drejtim të qytetit të modës.
Për më shumë, thuhet se ai është gati që të pranojë dhe shkurtim të pagës vetëm e vetëm për t’u transferuar te Milani.
Dzeko gjithashtu është synim i Milanit, mirëpo çështja rreth boshnjakut mbetet ende e ngrirë për shkak të klauzolës së tij prej 40 milionë eurosh e vënë nga gjermanët e Wolfsburg.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është në dyshim për sfidën e të mërkurës ndaj Barcelonës, në duelin e parë çerekfinal të Ligës së Kampionëve.
Bëhet fjalë për një lëndim në gju për të cilin pritet të konfirmohen të dhënat e para zyrtare pak para fillimit të ndeshjes, kur do të konfirmohet dhe pjesëmarrja në takim e futbollistit kryesor të Topçinjve.
Arsenali nuk është skuadra e vetme me mungesa para sfidës. Andres Iniesta gjithashtu do të mungojë në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit të mërkurën në Emirates, për shkak të një lëndimi në kofshë. Iniesta mund të mungojë edhe në ndeshjen kthyese.
Eksperti gjerman i futbollit anglez, Dietmar Hamann, mendon se fituesi i duelit Bayern – Manchester United, do të depërtojë deri në finale të Ligës së Kampionëve.
“Manchester United është favorit. Kjo për shkak se ka luajtur në dy finalet e fundit të kësaj gare. Por, unë mendoj se nëse Bayerni fiton në Allianz Arena, atëherë United do të ketë punë të vështirë. Më vështirë se sa që mendohet”.
“Fituesi i këtij takimi është favorit për të shkuar në finale. Për Bayernin, ndalja e Rooneyt varet nga ndalja e anësorëve të rrezikshëm. Është me rëndësi që Bayerni të ndalë Nanin dhe Valencian për të mos lejuar harkimet e tyre milimetrike në kokën e rrezikshme të Rooneyt”, u shpreh Hamann.
Real Madridi do të sfidojë Interin për anësorin fantastik të Lazios, Aleksandar Kolarov.
Edhe Real Madridi edhe Interi do të kenë të bëjnë më presidentin e papërshtatshëm të Lazios, Claudio Lotito, i cili nuk është në disponim për të qëndruar duarkryq dhe për të lënë yllin e tij të largohet aq lehtë.
Kolarov nuk ka arritur ende marrëveshje me drejtuesit e Lazios dhe dëshiron largimin. Në ndërkohë, Real Madridi ka dërguar super agjentin Ernesto Bronzettin për t’u takuar me Igli Taren në mënyrë që transferimi të realizohet sa më shpejtë. Lotito kërkon hiq më pak se 18 milion euro.
Sidoqoftë, Jose Mourinho e kërkon Kolarovin, por Real Madridi mbetet favorit për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara pas transferimit pa asnjë cent të Goran Pandevit në Meazza.
Mesfushori i Manchester United, Ryan Giggs, pranon se atij do t’i rizgjohen kujtimet e finales emocionuese të vitit 1999, kur United të takohet me Bayernin në Allianz Arena të martën.
“Nuk mund të besoj, 11 vite kanë kaluar. Ishte nata më e mirë e jetës time ashtu si për tifozët. Ai takim do të rikthejë emocionet. Ne do të tentojmë të fitojmë me atë rezultat, por natyrisht jo aq vonë sikurse në atë takim”, është shprehur anësori veteran.
United e ka mposhtur vetëm një herë Bayernin, në shtatë ndeshjet e fundit dhe Giggs tregohet i befasuar me historinë.
“Jam paksa i befasuar me historinë por gjithnjë ka qenë vështirë. Zakonisht është vështirë ndaj skuadrave gjermane sidomos ndaj më të mirëve. Ne e kemi fituar Ligën e Kampionëve tri herë, kurse ata katër herë. Po flasim për dy klube me histori në këtë garë me lojtarë të mëdhenj në një spektakël të paparë futbollistik”, ka thënë Giggs.
Frank Lampard është krenar që të shtunën arriti ta tejkalojë rekordin Peter Osgood dhe Roy Bentley dhe të bëhet shënuesi i tretë më i mirë në historinë e Chelseat.
Anglezi pati një paraqitje të shkëlqyeshme të shtunën kur shënoi katër gola në fitoren 7-1 të Aston Villas dhe çoi në 21 numrin e shënimeve këtë sezon. Ai po ashtu u rendit në pozitën e tretë në listën e shënuesve më të mirë të bluve me 151 gola të shënuar.
“Kam dashur ta arrijë këtë sukses këtë sezon dhe Peter Osgood dhe Roy Bentley janë dy legjenda absolute në historinë e Chelseat. Nuk prita se kjo do të ndodhë të shtunën, por jam krenar që kam arritur dhe tash do të mundohem ta vazhdoj atë me të njëjtin stil”.
“Jam një person shumë ambicioz dhe përpiqem çdo javë të jap maksimumin, por nuk mund të shënoni një numër të tillë të golave nëse nuk jeni i rrethuar me lojtarë të mirë. Unë e kam këtë nder dhe jam i lumtur”, ka thënë Lampard.
Alessandro del Piero thotë se Juventusi vazhdon të luftojë me të gjitha forcat që ka për pozitën e katërt e cila dërgon në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Dje Juve u mundua shumë, por arriti të fitojë me rezultat 2-1 ndaj Atalantas.
“Dëshiruam të fitojmë me çdo çmim dhe e arritëm këtë, edhe pse ishte vështirë. Jam i lumtur për shkak të golit tim dhe kontributit tim në tre pikë”
“Nuk mund të them se të gjithë probleme janë zgjedhur, por fitorja na jep entuziazëm. Fitorja është arsye për të vazhduar lufton për pozitën e katërt të tabelës, për të vazhduar të luftojmë”, ka thënë Del Piero.
Ish-përzgjedhësi i Anglisë dhe Meksikës, Sven Goran Eriksson, është caktuar drejtuesi i ri i kombëtares së Bregut të Fildishtë.
Emërimi i Eriksson është pohuar edhe zyrtarisht mbrëmë nga Souleyman Alex Bamba, anëtar i federatës së futbollit të BF.
“Të vetëdijshëm për pritjet e mëdha të popullatës tonë, komiteti ekzekutiv është fokusuar në zgjidhjen dhe ka caktuar Sven Goran Erikson. Në mes tjerash, suedezi ishte përzgjedhës i Anglisë dhe Meksikës. Ai është një trajner me përvojë, i cili është dëshmuar në botën e futbollit”, ka thënë Bamba.
Gonzalo Higuain ka kritikuar mbrojtjen e Real Madridit pas fitores së tyre ndaj rivalit lokal, Atletico.
Argjentinasi shënoi në fitoren 3-2, por ka qenë i pakënaqur me mbrojtjen e ekipit në takimin e mbrëmshëm në Santiago Bernabeu.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë dhe aq më pak në shtëpi. Ne duhet t’i menaxhojmë më mirë ndeshjet. Ne nuk mund të lejojmë që ekipet të rikthehen në ndeshje. Këto gjëra duhet të përmirësohen”.
“Tash vjen Racing, që po ashtu do të jetë vështirë dhe pastaj Barcelona, që nuk ka humbur pikë”, ka thënë Higuain.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, është i kënaqur me golin e tij që i dha fitoren blaugranëve në takimin përballë Real Mallorca.
“Për mua është e rëndësishme të luaj, të cilën dua ta bëj. Kur e bëj këtë, mund të shënoj gola, dhe kur nuk luaj mirë, e adaptoj lojën time ashtu që të mund të përmirësohem”.
“Kur jam i lumtur jashtë fushe, jam i lumtur edhe në fushë. Vetëm shpresoj të jap më të mirën dhe të ndihmoj bashkëlojtarët. Rruga është e qartë, përpiqem t’i ndihmoj ata pasi ata më ndihmojnë mua. Nuk jam vetëm unë, është sport ekipor”, ka thënë Ibrahimovic.
Manu Ginobili ka shënuar 28 pikë për të udhëhequr ekipin e tij San Antonio Spurs drejt fitores 94-73 ndaj Boston Celtics
Argjentinasi vazhdon të tregohet shtyllë e Spurs pas mungesës së Tony Parker, duke kontribuar edhe me shtatë asistime. Tim Duncan shënoi vetëm tetë pikë për San Antonio, që shënoi fitoren e tretë në katër ndeshje dhe të 44-tën e sezonit (28 humbje).
Paul Piercce shënoi 18 pikë dhe Kevin Garnett 12 pikë dhe 10 kërcime për Boston, që pësuan humbjen e 26-të të sezonit (47 fitore).
Fernando Torres mendon se fansat e Liverpoolit tash po shohim formën më të mirë të ekipit, pasi ata mposhtën Sunderlandin në Anfield.
Sulmuesi çoi në shtatë numrin e golave të shënuar në katër ndeshje, me dy gola të shënuar kundër ekipit të Lorik Canës.
“Arsyeja kryesore se pse shënova është sepse ekipi luajti mirë, pranova asistime të mira. Goli i dytë nga Glen (Johnson) ishte i mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë të shënojmë dhe kjo është detyra që duhet të bëj unë”.
“Kemi qenë më të mirë në ndeshjet e fundit dhe tash kemi edhe gjashtë ndeshje për të luajtur. Duhet të vazhdojmë të luajmë kështu dhe të sigurohemi se jemi po aq të fuqishëm në udhëtim sa jemi në shtëpi. Që nga minuta e parë e takimit ju mund të shihnit një ekip tjetër nga pjesa e parë e sezonit”, ka thënë Torres.
Sulmuesi i Barcelonës, Thierry Henry thotë se ai është i gatshëm për ndeshjen përballë ish-klubit të tij, Arsenalit, por thotë se do të jetë një ndeshje ‘emocionale’.
Barcelona të mërkurën udhëton në Emirates në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve dhe ky do të jetë udhëtimi i parë i Thierry Henry si rival në fushën e Arsenalit, ku kaloi tetë vite të shkëlqyeshme.
“Unë jam shumë emocionues, por po ashtu edhe i qetë. Ky do të jetë një takim i çuditshëm për mua. Para shortit thash se nuk do të luaj kundër Arsenalit. Kjo ishte dëshira ime e parë. Por ndodhi të luajmë kundër tyre dhe tash duhet të jap maksimumin”, ka thënë Henry.
“Kam kaluar tetë vite në Arsenal. Kjo është njëjtë sikur Xavi të largohet nga Barcelona një dhe ditë të rikthehet. Unë jam fans i Arsenalit. Gjithmonë do të jem fans. Kur Arsenali luan edhe unë mund ta përcjelli ndeshjen, gjithmonë jam para televizorit”, ka shtuar francezi.
Philipp Lahm thotë se humbja e Arjen Robben për shkak të lëndimit është një goditje e madhe për Bayern Munichun në prag të takimit të Loigës së Kampionëve përballë Manchester United.
Lojtarët e Bayernit i llogarisin se kanë ‘më pak se 50-50’ gjasa për të eliminuar Djajtë e Kuq.
“Kur e merrni parasysh rëndësinë e golave kundër Fiorentina dhe Schalke, nuk ka dyshime se për ne do të jetë më vështirë se kurrë, nëse Arjen nuk përfshihet në ndeshje”, ka thënë Lahm.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, është i impresionuar nga performanca e ekipit të tij, pasi ata mposhtën Sunderlandin në Anfield me rezultat 3-0.
Të ndihmuar nga dy gola të Fernando Torres, Redsat rikthyen tempon e lojës, stilin e pasimeve në ndeshje dhe funksionuan në mënyrë të përkryer, duke ngazëllyer Benitezin.
“Gjithmonë përpiqeni të tregoni më të mirën dhe të luajë ca më mirë. Por sot ne filluam një tempo vërtet të lartë, pasime të mira të topave dhe shënimet e golave të hershëm gjithmonë na ndihmojnë”, ka thënë Benitez.