Të martën mbrëma në Allianz Arena, Bayern Munichu dhe Manchester Unitedi kanë zhvilluar ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, takim i cili përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 2-1.Porsa filloi ndeshja (2’), Wayne Rooney u regjistrua në listën e golashënuesve duke mposhtur portierin Butt pas një harkimi të bukur të Nanit.
Deri në fund të fraksionit të parë nuk u shënua gol, ndërsa skuadrat zhvilluan një lojë relativisht të baraspeshuar dhe me epërsi minimale të mysafirëve përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë u shfaq një Bayern ndryshe. Ekipi bavarez filloi të krijojë presion të vazhdueshëm drejt portës mysafirë dhe në fund kjo u shpagua.
Pas një gjuajtje të lirë nga lojtari më i mirë i vendasve në këtë takim, Franck Ribery, topi u devijua dhe përfundoi në portën e Van der Sar (77’).
Një rast shumë të mirë për United e pati Nemanja Vidic, i cili pas krosimit të Ryan Giggs nga këndi, goditi transversalen (83’), por në anën tjetër një rast shumë të mirë e pati Mario Gomez, mirëpo priti portieri mysafir.
Ndërkohë, në minutat shtesë të takimi (90’+3), Ivica Olic veproi në mënyrën më të mirë duke vjedhur një top nga Evra dhe duke e plasuar në rrjetin e United, për fitoren 2-1.
Ky rezultat tregon se në Old Trafford do të zhvillohet një superndeshje, duke qenë se Bayerni është në epërsi, ndërsa Manchesteri do të kërkojë fitoren.
Lyoni ka shënuar fitore prej 3-1, në takimin e parë çerekfinal të zhvilluar në Stade de Gerland në derbin francez kundër Bordeaux.Lyoni ishte skuadra më e mirë që nga fillimi i takimi, duke aplikuar lojën e vet pa kurrfarë problemi.
Pas një goditjeje të Bodmer, në zonë gjendet mirë Lisandro Lopez që shënoi për epërsinë e parë të Lyonit (10’).
Nuk kaloi shumë kohë dhe Marouane Chamakh shënoi më bukur me kokë pas harkimit të Yoan Gourcuff (14’) për të barazuar rezultatin në 1-1.
Një gabim katastrofal në mbrojtjen e Bordeaux u dënua nga Bastos (32’), i cili riktheu epërsinë e Lyonit.
Ndeshjen e përfundoi Lisandro Lopez, i cili realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për vendasit nga pika e bardhë (77’).
Me këtë rezultat nga ndeshja e parë (3-1), Lyoni i garanton vetes qetësi para duelit kthyes të derbit francez ndaj Bordeaux më 7 Prill.
Edhe pse Barcelona është ekip me strategji të qartë sulmuese, është drejtori Txiki Begiristain ai që ka porositur Pep Guardiolan të jetë i kujdesshëm, pasi që Arsenali është i rrezikshëm dhe mund të shkatërrojë ëndrrën e finales së Bernabeut.“Duhet të jemi të fortë në mbrojtje dhe të mbajmë ekuilibrin. Nëse ekipi nuk luan mirë në mbrojtje, atëherë nuk do ta arrijmë finalen”.
“Nuk më pëlqejnë ndeshjet e hapura. Pa e përjashtuar stilin tonë të lojës, nuk do të doja të shihja nesër një rezultat 4-4 ndaj Arsenalit. Shpresoj se Arsenali nuk do të jetë në gjendje të rrezikojë Victor Valdesin dhe ai të ndalë çdo gjë”, deklaroi Begiristain për AS.
Super-sulmuesi i ri i Anderlechtit, Romelu Lukaku, ka tërhequr interesimin e gjigantit italian Milan, pas paraqitjeve fantastike këtë sezon.Sipas Il Sussidiario, Milani pritet t’i ofrojë Anderlechtit një ofertë të parefuzueshme prej 15 milionë eurosh.
Milani më herët gjatë verës së kaluar dëshironte sulmuesin Edin Dzeko por për shkak të çmimit të lartë ka hequr dorë nga boshnjaku.
Përkundër asaj se Lukaku nuk mendohet se do të largohet për shkak të besnikërisë së treguar ndaj Anderlechtit, ka tërhequr interesimin e Barcelonës, Real Madridit, Chelseat dhe Manchester Cityt.
Ish-sulmuesi i Arsenalit, Thierry Henry, është shprehur se ishte tejet i emocionuar pak para nisjes për në Londër, para takimit çerekfinal që zhvillohet në Emirates.“Jam shumë i emocionuar. Para shortit thashë se nuk dua të takohem me Arsenalin. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë dhe duhet të japim më të mirën. Ishte një ekip ndaj të cilit nuk doja të luaja për arsye që dihen, por ja që ndodhi. Do të jetë e çuditshme kthimi në shtëpi, sidomos në çerekfinale të Ligës së Kampionëve”.
“Që pas ardhjes time në Barcelonë, unë kam qenë vetëm një herë në Emirates, para katër muajve kur ata luajtën ndaj Blackburnit. Kjo do të jetë vetëm hera e dytë. Nuk e di si do reagojnë njerëzit. Unë kam lidhje të veçantë me tifozët e Arsenalit. Ata janë të mrekullueshëm. Të pabesueshëm. Ata gjithnjë të mbështesin dhe ndihmojnë ekipin”.
“Tani jam tifoz i Arsenalit dhe gjithnjë do të jem një i tillë. Kur Arsenali luan dhe unë mund ta shoh ndeshjen, të jeni të sigurt se do të më gjeni para TV-së”, u shpreh i emocionuar Henry.
Arsenali është pranë pësimit të një goditjeje të rëndë para duelit çerekfinal përballë Barcelonës, me strategun Arsene Wenger që ka konfirmuar se Cesc Fabregas është në dyshim për sfidën që zhvillohet në Emirates.“Ai nuk u stërvit sot (e martë) dhe për momentin ai nuk është në gjendje që të luajë. Ne kemi edhe 24 orë, por nuk e di nëse ai do të jetë i aftë për lojë”.
“Nëse ndeshja do të ishte të martën, ai nuk do të luante. Nëse ai nuk është në gjendje të luajë nuk do të rrezikoj për ta ftuar atë si rezervist”, deklaroi Wenger në një konferencë për shtyp.
Synimet e Interit për titull morën një goditje të rëndë pas disfatës nga Roma 2-1, megjithatë Wesley Sneijder tregohet optimist duke thënë se vetëm lëndimet dhe suspendimet mund ta pengojnë skuadrën e tij për të triumfuar për herë të pestë radhazi.“Milano është vend i dashur, më pëlqen të jetoj këtu. Më pëlqen llojllojshmëria e restoranteve dhe dyqaneve këtu. Përpos kësaj, njerëzit në Milano janë shumë të shoqërueshëm”.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se vetëm suspendimet dhe lëndimet mund të na ndalin. Përndryshe, asgjë nuk do të mund të na ndal në fitimin e Scudettos këtë vit”.
“Ekipi ynë është definitivisht njëra prej top 6 skuadrave në Evropë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë Sneijder.
Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, shprehet të jetë tejet i kënaqur me lojën e tij dhe stilin e jetesës në Angli, përveç një të mete që është moti.“Më pëlqen gjithçka në Angli, përpos motit. Më pëlqejnë njerëzit, tifozët, qyteti dhe loja këtu. Unë dua të luaj mirë këtu”.
“Por, unë nuk flas mirë Anglisht. Tani kuptoj më shumë se më parë por duhet të përmirësohem. Në fillim mbaja mësime të anglishtes, por kohëve të fundit nuk po gjej kohë dhe mësuesi është i hidhëruar në mua. Është vështirë për shkak të familjes dhe ndeshjeve të shumta”, deklaroi Aquilani.
Gjiganti i italian Juventus po përballet kohëve të fundit me krizën e rezultateve dhe ish-drejtori i Juves, Luciano Moggi, nuk sheh dritë në fund të tunelit për Bianconerët.“E ardhmja duket e zezë për Juventusin. Gjërat do të bëhen edhe më keq se që janë. Ekipit i duhet rindërtim total në vitet e ardhshme. Ekipi ka disa lojtarë në moshë dhe nuk po ka zëvendësime të duhura”.
“Franco Baldini si drejtor i Juves? Kjo do të ishte goditje tjetër për tifozët. Ai ishte njëri prej njerëzve kryesorë të katastrofës së Calciopolit”.
“Cesare Prandelli është trajner i mirë, por nuk mendoj se është njeriu i duhur për Juventusin. Klubit i duhet dikush si Ancelotti, Fabio Capello ose Marcello Lippi. Juventusi ka nevojë për një lider të fortë”, deklaroi Moggi për Gold Sport.
Përzgjedhësi i përfaqësueses argjentinase, Diego Armando Maradona, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik pasi që ishte kafshuar nga njëri prej qenve të tij.Siç njoftojnë mediat argjentinase, 49- vjeçari nuk duket të jetë në rrezik për jetë dhe ai pritet që brenda javës të lëshohet nga spitali.
Maradona është dërguar në klinikën Los Arcos në Buenos Aires për një operacion urgjent pas kafshimit të njërit prej qenve të tij në fytyrë.
Me më pak se dy muaj para fillimit të Kampionatit Botëror, tifozët argjentinas të futbollit shpresojnë se Maradona do të bëjë kthesën e historisë këtë vit.
Këshilltari i Real Madridit dhe legjenda franceze, Zinedine Zidane, përkundër formës fantastike të Barcelonës, vazhdon të mendojë se Reali është në të njëjtin nivel, duke besuar se Florentino Perez do të rikthejë epokën e artë të titujve në Bernabeu.“Unë e shoh Real Madridin ashtu sikurse Barcelonën, me plot tituj. Jam i sigurt se Florentino Perez do të rikthejë epokën e artë të titujve këtu, në Bernabeu”, u shpreh Zidane.
Real Madridi lufton vetëm në një front këtë sezon, në La Liga, ku ka pikë të barabarta me Barcelonën para ‘el Classicos’. Los Blancos janë eliminuar kohë më parë nga Liga e Kampionëve.
Anësori i Bayern Munichut, Franck Ribery, duket të ketë mendime të ngjashme me Arjen Robbenin kur bëhet fjalë për Wayne Rooneyn, pasi që edhe francezi thotë se United varet nga Rooney.“Rooney po e ruan Unitedin këtë sezon. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij. Ai po kalon sezon fantastik dhe jam i lumtur për të. Ai është lojtar që më pëlqen shumë”.
“Ai është i uritur. Ai jep gjithçka për ekipin. Ai hyn nëpër duele, mbron, sulmon dhe shënon gola. Ai është me plot besim në vete”, tha Ribery.
I pyetur për gjasat e Bayernit në duelin e të martës ndaj Manchester Unitedit, Ribery shprehet të jetë mjaft optimist edhe pse është i dyshimtë për shkak të një dëmtimi në kavilje.
“E tërë bota na sheh të humbur por unë mendoj se kemi gjasa. Ne kemi një ekip mjaft të mirë për të besuar në kualifikim”, përfundoi Ribery.
Nicklas Bendtner thotë se Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë, por shpreson se Arsenali do të arrijë ta ndalojë superyllin e Barcelonës.“Për mua, Messi për momentin është lojtari më i mirë në botë. Ai ka një vizion fantastik për ndeshjen dhe atë që mund ta bëjë me teknikën e tij është çmenduri. Gjërat që ai i bën me top në shpejtësi të lartë thjesht janë mrekulli”.
“Nëse unë do të isha mbrojtës do të kujdesesha që ai të mos ketë hapësirë për topin. Mendoj se kundër nesh ai nuk do të ketë shumë hapësirë për të lëvizur, ndërsa edhe tempoja e lojës në Angli është shumë më e lartë se ajo në Spanjë”.
Milani është duke përgatitur rinovim të marrëveshjes me Ronaldinhon, por lojtari duhet të pranojë zvogëlim të pagës për 25%.Pas formës së shkëlqyeshme të brazilianit këtë sezon nën drejtimin e Leonardos, rosonerët shprehën dëshirë ta vazhdojnë marrëveshjen e lojtarit që skadon në vitin e ardhshëm.
Për shkak të përfshirjes së Milanit në garën për skudeton, zëvendëspresidenti i klubit Adriano Galliani nuk dëshiron të flasë shumë për këtë dhe ka lejuar që negociatat të zgjasin deri në fund të sezonit.
Corriere dello Sport shkruan se për të qëndruar në San Siro, Ronaldinho duhet të pranojë zvogëlim të pagës.
Ish-lojtari i Barcelonës merr pagë vjetore prej 8 milionë eurosh, por jo edhe sipas marrëveshjes së re, sipas të cilët do të fitojë 6 milionë në sezon.
Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, thotë se ai nuk është i befasuar me sukseset e Cesc Fabregas.Cesc do të përballet me ish-klubin e tij Barcelonën nesër mbrëma, derisa Henry do të ketë përvojë të njëjtë emocionale në Emirates ndaj Arsenalit.
“Nëse flisni për Arsenalin, duhet të flisni për Cesc. Por unë nuk jam i befasuar me atë çfarë ai ka bërë. Kam luajtur me të dhe e di se çfarë mund të bëjë. Njerëzit në Barcelona po ashtu e dinë. Ai është shumë inteligjent dhe tashmë ka shumë vite lojë të rregullt”, ka thënë Henry.
New Jersey Nets kanë shmangur çdo shans për të thyer rekordin e ekipit më të keq në historinë e NBA-së, duke mposhtur San Antonio Spurs me rezultat 90-84.Fitorja ishte e 10-ta e sezonit për Nets, që do të thotë se ata tashmë kanë shmangur mundësinë për të thyer rekordin e dështimit që mbahet nga Philadelphia 76ers, e që përfundoi sezonin 1972-73 me rekord prej 9 fitoresh dhe 73 humbjesh.
“Është një çlirim. Djelmoshat vërtet dëshironin të dilnin nga kjo situatë. Askush nuk dëshiron të jetë ekipi më i keq në histori”, ka thënë lojtari i Nets, Devin Harris.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, mund ta shohë veten në rolin e Karim Benzema dhe të kuptojë problemet e tij te Real Madrid.Anelka shijoi ca sukses në fushën e Realit, duke fituar Kupën Evropiane, por dështoi t’i përshtatet jetës në Spanjë.
“Kur shoh çfarë po kalon Benzema, e shoh veten dhjetë vite më parë. Disa muaj më herët parashikova se çfarë do të ndodhë me Karim. Real Madrid është një klub i bukur, por shumë i komplikuar. Kur shkoni nga Franca, gjithçka është rrënjësisht e ndryshme”.
“Për Benzema, atij i mungon diçka të cilën unë e kisha atë kohë: Unë vija nga një përvojë jashtë vendi, e dija se si është të jetosh larg shtëpisë. Karim i mungon kjo përvojë për të tejkaluar situatën”, ka thënë Anelka.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka përjashtuar lojën mbrojtëse në takimin e nesërm të Ligës së Kampionëve përballë Arsenalit.Guardiola është i vendosur t’u japë fansave një lojë që ia vlen të shihet, derisa kërkon titullin e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve.
“Që kur e kam marrë detyrën, loja jonë është karakterizuar nga futbolli i guximshëm, sulmues. Është një filozofi e futbollit. Fitore ose humbje, dua që ne të tregojmë se kush jemi dhe në çfarë futbolli besojmë. Dua që ekipi im të dalë në fushë dhe të jetë vetvetja”.
“Njerëzit bëjnë sakrifica të mëdha me qëllim që të shkojnë të shohin një ndeshje futbolli. Andaj për mua e gjitha ka kuptim, përpjekja, pina, planifikimi, përqendrimi dhe disiplina”, ka thënë Guardiola.
Përzgjedhësi i kombëtares angleze, Fabio Capello, thotë se ai është i ngazëllyer nga forma e James Milner.Capello ka veçuar mesfushorin e Aston Villas si lojtari që është përmirësuar më së shumti nën drejtimin e tij.
“Këtë vit lojtari që është përmirësuar më së shumti ka qenë Milner. Ai ka luajtur tre ose katër ndeshje me ne dhe tashmë është pjesë e rëndësishme e ekipit kombëtar”, ka thënë Capello
Agjenti i sulmuesit të Lyonit, Sidney Govou, ka konfirmuar interesimin e Sevillas.Francezi do të jetë pa kontratë në fund të qershorit dhe Frederic Guerra thotë se klubet evropiane janë duke pritur në radhë për të folur me të.
“Sevilla është një prej ekipeve të interesuara për Govou, por nuk ka marrëveshje përfundimtare. Kontrata e tij është në përfundim dhe janë shumë klube që interesohen për të, andaj të gjitha opsionet mbeten në vend”, ka thënë Guerra.
Fernando Gago thotë se është i lumtur me mënyrën se si ka luftuar për t’u rikthyer në ekipin e parë të Real Madridit.Mesfushori argjentinasi është kthyer në planet e trajnerit Manuel Pellegrini duke zënë vendin e Lassana Diarra.
“Nuk më pëlqen kur nuk luaj dhe ka pasur momente të vështira, por kjo më ka bërë të rritem. Kurrë nuk kam ndaluar së ndjeri si futbollist”.
“Ne duhet të gjithë të gjejmë qëllimet në jetë dhe unë doja të luaj. Vazhdoj të punoj, nuk mungoj në stërvitje dhe nuk jam ngurrues. Sot jam falënderues ndaj futbollit”, ka thënë Gago.
Almunia ka qenë në një formë të jashtëzakonshme që kur u rikthye nga lëndimi dhe ka fituar shumë lëvdata nga menaxheri Arsene Wenger javën e kaluar.
Por u kritikua së fundi pasi pranoi një gol qesharak nga Kevin Phillips në barazimin 1-1 ndaj Birmungham Cityt gjatë vikendit.
“Kurrë nuk i dëgjoj kritikat. Nuk i lejoj që ato të më pushtojnë. Preferoj t’i analizoj vet paraqitjet e mia me njerëzit me të cilët punoj”, ka thënë Almunia së fundi.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka arritur që brenda 12 minutash të realizojë tre gola kundër Wigan Athletic, në ndeshjen e të hënës mbrëma të zhvilluar në Stadiumin e Qytetit të Mançesterit.Në pjesën e parë nuk pati asgjë për t’u regjistruar. Në minutat e para të pjesës së dytë (56’), mbrojtësi i Wiganit, Gary Caldwell, u përjashtua me karton të kuq. Megjithatë, u desh të kalonte minuta e 72-të që të shënohej goli i parë.
Sulmuesi argjentinas Carlos Tevez arriti që nga minuta e 72-të deri në minutën e 84 të realizojë het-trik (72’, 74 dhe 84’) dhe ta fitoje ndeshjen.
Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për Cityn që lufton për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Ndërsa aktualisht mban vendin e pestë me dy pikë më pak se Tottenhami, që gjenden në vendin e katërt.
Manchester United ka marrë lajme të mira para takimit çerekfinal përballë Bayern Munichut, pasi që Wayne Rooney dhe Rio Ferdinand janë deklaruar të jenë të gatshëm për të luajtur.Rooney dhe Ferdinand ishin brengat më të mëdha të Fergusonit kohëve të fundit, pasi që siç dihet forma e tyre fizike nuk ishte në nivelin më të lartë, fakt që u tregua edhe në fitoren e lartë ndaj Boltonit, ku dy njerëzit kryesorë të United nuk luajtën.
Por që të dy kanë udhëtuar me pjesën tjetër të skuadrës për në Munih nga Aeroporti i Mançesterit të hënën dhe pritet që të dy të paraqiten në këtë takim.
Bayern Munichu pret Manchester Unitedin të martën në duelin e gjigantëve të Ligës së Kampionëve.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka dhënë sinjalet e para të rikthimit të Balotellit në skuadrën zikaltër, duke thënë se SuperMario është pjesë e rëndësishme e skuadrës kampione.“Mendoj se këtë mëngjes ai u stërvit. Ne do të shohim se a do të ftohet në ndeshjen e radhës, apo në ndeshjet tjera. Nuk mendoj se situata ka ndryshuar shumë. Natyrisht, ai është pjesë e rëndësishme e këtij ekipi”, deklaroi Moratti për Il Corriere dello Sport.
64 vjeçari Moratti i goditi spekulimet që thoshin se ai do të duhej të gjente zgjidhje të shpejtë për të shitur Mario Balotellin, pas konflikteve të këtij të fundit me Jose Mourinhon.
Sidoqoftë, portugezit nuk i bëhet vonë pasi që Ricardo Quaresma ka gjetur vend në përbërjen e Interit pas mungesave të Balotellit.
Arsene Wenger ka zbuluar disa prej faktorëve të cilët kanë ndikuar në transferimin e Cesc Fabregasit si 16- vjeçar nga Barcelona, duke thënë se të gjithë të rinjtë duan të kalojnë tek Arsenali.“Unë nuk kam mundur të shkoj dhe ta shikoj atë për së afërmi pasi që ata nuk do të më mirëprisnin. Kështu që unë e shikova atë në përfaqësuesen U-17. Unë më pas i obligova agjentët ta përfundonin transferimin”.
“Është parë menjëherë që ai ka vizion të jashtëzakonshëm të lojës. Ai ishte fizikisht i dobët, por me kohë ai filloi të shënonte gola”
“Nuk e di nëse ekipe tjera ishin në garë për të. Ne jemi të parët pasi që të gjithë duan të na bashkohen neve sepse ndjejnë se kanë gjasa për të luajtur. Shumë lojtarë vijnë këtu për këtë arsye”, përfundoi Wenger.
Rezultati i ndeshjes Vllaznimi-Prishtina përfundoi në të mirë të vendasve falë dy golave kontrovers, njëri nga penaltia inekzistente dhe një tjetër që kishte te bëjë me vijën fatale.
“Ajo çfarë ndodhi dje (të dielën) në Gjakovë është turp për futbollin kosovar. Turp, turp, turp. Turp për klubin e Vllaznimit, pasi që dje nuk kishte organizim të ndeshjes. Ne e fituam ndeshjen, por Vllaznimi ‘fitoi’ falë dy golave që nuk ekzistuan. Dëgjoj që dikush flet për futbollin kosovar dhe Evropën. Ajo që ndodhi dje në Gjakovë dhe Evropa, janë shumë, shumë larg”.
“Dje nuk kishte referim në fushë. Ai nuk mund të quhet referim pasi që ata për mendimin tim nuk janë gjyqtarë, ata janë njerëz të pashkollë, njerëz të rrugës, çobanë dhe njerëz që s’kanë të bëjnë me referim. Dje në Gjakovë nuk ishte i pranishëm asnjë zyrtar i FFK-së, përpos të deleguarve të takimit”, theksoi Muçiqi.
Në ndeshjen e të dielës mes Vllaznimit dhe Prishtinës kishte dhe sulme fizike nga vendasit, ndaj të cilave reaguan butë forcat speciale të SHPK-së.
“Nuk pashë forca të rendit. Ata nuk hynë në fushë për të parandaluar konfliktin fizik. Ata qëndronin prapa zhveshtores. Kur lojtarët tanë hynë në fushë, ata janë goditur nga tifozët me mjete të ndryshme të forta, të ndihmuara dhe nga forcat e policisë”.
“Sidoqoftë, komisioni disiplinor pranë FFK-së duhet të merret me këtë rast. Por, dua t’i bëj një paralajmërim të gjitha skuadrave të Superligës – kjo është hera e fundit që dikush luan me kafshatën tonë në krah tonin, me bukën e fëmijëve tanë. Nuk do të lejojmë që kjo të përsëritet edhe njëherë, sepse ne po përfaqësojmë një qytet me 600 mijë banorë”, përfundoi deklaratën e tij të jashtëzakonshme, në konferencën për shtyp, Afrim Muçiqi.
















