Robin Soderling me lehtësi spastroi nga rruga Mikhail Youzhnyn për të arritur në gjysmëfinalen e turneut Sony Ericsson Open në Miami, pas fitores 2-0 në sete, 6-1 dhe 6-4.
Youzhny shokoi kundërshtarin e tij në ‘gejmin’ e parë të setit të parë, kur nuk arriti të shfrytëzojë një ‘break point’. Sidoqoftë, Soderling më pas ishte solid dhe në asnjë moment nuk iu cenua fitorja.
Me këtë fitore, suedezi është kualifikuar për në gjysmëfinale ku do të takohet me çekun Tomas Berdych që eliminoi Fernando Verdascon.
Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen Rafael Nadal dhe Andy Roddick.
Kim Clijsters është fituese e një dueli dramatik me belgen tjetër Justin Henin, për të arritur në finale të turneut Sony Ericsson Open, ku do të ketë përballë Venus Williams.
Fitorja prej 6-2, 6-7 dhe 7-6 e Clijsters do të thotë se të shtunën ajo do të luftojë për titullin e saj të 37-të në karrierë.
Williams nga ana tjetër vazhdoi me super-formën e saj me fitoren e 15-të me radhë me rezultat 6-3 dhe 6-4 ndaj Marion Bartoli.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka lënë dyert e hapura për një rikthim të mundshëm në futbollin italian, më saktësisht te skuadra në krizë të thellë, Juventus.
“Jam gati që të rikthehem, nëse do të më jepet ndonjëherë rasti. Sa për Juventusin, Juve është gjithmonë Juve. Po kalon një periudhë të vështirë, por po flasim për një klub me histori dhe prestigj, i krijuar për të fituar”.
“Se sa jam pranë rikthimit në Itali, këtë nuk e di, por futbolli është i çuditshëm. Ishte mirë që shkova në një vend tjetër, por një ditë do të rikthehem”.
“Inter? Unë po konsiderohem armik për të kaluarën tek Interi. Por, dua të them se bisedat e të kaluarës janë personale dhe të lidhura me persona të caktuar. Unë kam thënë shumë herë se isha tifoz i Juventusit në fëmijëri”, u shpreh Mancini.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka lavdëruar punën e bërë nga Carlo Ancelotti në stolin e Chelsea këtë sezon.
Të shtunën në Old Trafford zhvillohet ndeshja vendimtare për titullin e Ligës Premier, ndërmjet Djajve të Kuq dhe Bluve, ndërsa Ferguson ka thënë fjalë të mira për homologun e tij te skuadra rivale për titull.
“Ancelotti nuk ka dështuar nga ana e tij. Ai ka bërë punë të mirë. Ai është njeri me përvojë të madhe. Ai ka fituar dy Liga të Kampionëve si trajner dhe ishte futbollist i madh”.
“Po flasim për një nivel të lartë të çdo gare. Megjithatë, Chelsea është një pikë prapa nesh dhe është në gjysmëfinale të FA Cup. Ata u zhgënjyen pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Mirëpo, Interi pati një paraqitje të fortë për t’i eliminuar ata. Në përgjithësi mendoj se ai ka bërë një punë të mirë”, përfundoi Ferguson.
Arsene Wenger ka thënë se ai është tejet i impresionuar me standardin e lojës të aplikuar nga skuadrat e Ligue 1 të Francës, duke thënë se ata janë shumë pranë nivelit të skuadrave nga La Liga dhe Liga Premier, sidomos pas sukseseve në Ligën e Kampionëve.
“Klubet franceze po përparojnë. Ato nuk janë ende si ato të Spanjës ose Anglisë, por ato janë shumë pranë. Kampionati Francez është tri herë më i fortë se tri vite më parë”.
“Shumë është investuar, të drejtat televizive janë më të shtrenjta se më parë dhe taksat janë të veçanta. Kjo i lejon ata të mbajnë futbollist si Yoann Gourcuff dhe të jenë atraktivë për emrat tjerë jashtë Francës”, deklaroi Wenger.
Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, para ndeshjes kundër Athletic Bilbaos, ka thënë se ‘el Classico’ është ndeshja më e parëndësishme e mbetur e këtij sezoni, dhe se nuk do të merr fund bota në derbin më të madh botëror për klube.
“Ne do të jetojmë jetën para ndeshjes në Bernabeu dhe më pas kemi ndeshje shumë më të rëndësishme. Kemi edhe shumë pikë për të fituar, dhe ndeshjet tjera janë shumë më të vështira se sa ajo ndaj Real Madridit”, është shprehur trajneri spanjoll.
I pyetur për paraqitjen e ekipit të tij ndaj Arsenalit, Guardiola sqaroi: “Synimi i ekipit është që të vazhdojë kështu. Ne jemi në një trajektore të mirë, por janë edhe faktorët tjerë ndikues: ekipi kundërshtar e mban topin, stadiumi, etj…Kështu që nesër nuk duhet të dalim për të përsëritur një paraqitje të tillë”, ka thënë Guardiola për Marca.
Sipas të përditshmes sportive italiane, Il Corriere dello Sport, Lassana Diarra shoqëroi kolegun e tij Sergio Ramosin në një vizitë në Milano, por për dallim nga Ramos që u takua me drejtuesit e Milanit, Lassana Diara shkoi në Appiano Gentile për t’u takuar me ata të Interit.
Nga ana tjetër AS, raporton se Real Madridi dhe Interi mund të negociojnë një marrëveshje prej 10 milionë eurosh plus mesfushorin Lassana Diarra, kurse në drejtim për në Bernabeu do të shkonte anësori brazilian Douglas Maicon.
Përkundër një starti të mirë një vit më parë në fanellën e Los Blancos, mesfushori francez mësohet të jetë i pakënaqur me zëvendësimet e shpeshta dhe ndjen se Xabi Alonso ka zënë pozitën e tij.
Diarra nuk luan për Realin që nga 20 marsi, ndërsa Reali thotë se ai është lënduar, derisa mediat spekulojnë vazhdimisht për një largim.
Milani ka shprehur interesim për të sjellë në San Siro mbrojtësin e Manchester Unitedit, Nemanja Vidic, për një shumë që besohet të jetë rreth 20 milion funte.
Serbi është i pari në listën e gjatë të dëshirave të Gallianit pas një sezoni katastrofal të Rossonerëve.
“Milani e ka bërë Vidicin top-prioritet. Vidic është caku i tyre, por nëse United nuk dëshiron ta shesë atë, atëherë kjo është çështje tjetër”, i ka thënë një burim gazetës The Daily Star.
Drejtuesit e Milanit që pas shkatërrimit nga United prej 7-2 në Ligën e Kampionëve janë në kërkim të një mbrojtësi të ri, që të jetë partner i Thiago Silvas në mbrojtjen kuqezi.
Bayern Munichu është gati për të lansuar një ofertë marramendëse në mënyrë që Mirko Vucinic të ndërrojë ambient, përkatësisht të kalojë në Allianz Arena.
Klubet pritet të takohen gjatë verës për të diskutuar mbi të ardhmen e Luca Tonit, që është si huazim gjashtë mujor në Romë. Roma e dëshiron komplet kartonin e Tonit pas një starti fenomenal të tij në kryeqytet. Ndërsa thuhet se Bayerni do të shfrytëzojë rastin që ta marrë Vucinicin në drejtim të kundërt.
Gjermanët e shohin malazezin si zëvendësues të Ribery, i cili sipas të gjitha gjasave do të largohet në fund të sezonit. Roma do ta sakrifikojë sulmuesin e vet vetëm nëse Bayerni vendos në tavolinë 25 milion euro plus shërbimet e Tonit.
Mesfushori kreativ i Real Madridit, Jose Maria Guti është në rrugë për t’u larguar nga Real Madridi, pasi një klub nga Dubai i ka bërë atij një ofertë mjaft luksoze.
El Mundo Deportivo spekulon se agjenti i Gutit, Zoran Vekic, është i katranosur me Valdanon për të marrë pagesën e fundit prej 5 milionë eurosh nga sezoni i kaluar në mënyrë që ai të largohet gjatë kësaj vere.
Guti në fillim të këtij sezoni ishte fantastik por që pas humbjes skandaloze ndaj Alcorconit gjërat për të kanë ndryshuar. Ai është zgjedhja e dytë e Pellegrinit dhe në fillim të sezonit shprehu dëshirën për t’u larguar nga Real Madridi.
As Reali e as përfaqësuesit e Gutit nuk i kanë konfirmuar këto spekulime.
Alberto Zaccheroni thotë se i ka porositur futbollistët e tij që të ndezin motorët, në mënyrë që fundi i sezonit të sjellë të paktën pozitën e katërt në tabelë.
“Ne kemi hyrë vonë në kampionat dhe duhet të ndezim motorët. Koha është që të nxitojmë sepse gara për pozitën e katërt ka filluar të bëhet vendimtare”.
“Për herë të parë kemi punuar të gjithë një javë së bashku. Ne duhet të fitojmë ndaj Udineses, të cilët në skuadër kanë golashënuesin më të mire, Antonio Di Natale”, tha Zaccheroni.
Juentusi do të udhëtojë në Friulli pa Buffonin, Caceresin, Chiellinin dhe Iaquintan.
Trajneri i Milanit, Leonardo, është treguar retorik në trajtimin e gjasave të Milanit për Scudetto duke thënë se Milani ende lufton për titullin.
“Rezultatet tona të fundit nuk ishin të mira, por ne jemi vetëm tre pikë larg liderit dhe dy larg Romës. Ne kemi kohë për t’u përgatitur për secilën ndeshje veç e veç, kurse Interi deri në fund ka edhe 13 ndeshje, kurse Roma edhe nëntë”.
“E ardhmja ime? Do të flas për të ardhmen time kur të vijë koha, sepse tani kemi gjëra më të rëndësishme”, përfundoi Leonardo.
Bayerni i Munichut nuk dëshiron të nënvlerësojë takimin vendimtar ndaj Schalkes në fundjavë, ndërsa Karl Heinz Rummenigge deklaron se ndeshja ndaj Schalkes është e një rëndësie të veçantë.
Bayerni udhëton në GelsenKirchen për t’u takuar me liderin e Bundesligas, që ka dy pikë më shumë se bavarezët, e që do të duhet të fitojë për ta rikthyer kreun në Kampionatin gjerman. Nëse Bayerni do të pësojë disfatë, atëherë kjo do të përbënte një goditje të rëndë para sfidës së të mërkurës mbrëma ndaj United.
“Kjo do të jetë ndeshja e sezonit dhe jam i sigurt se ne duam të shpëtojmë. Unë jam më i nxehtë kundër Schalkes se sa për ndeshjen ndaj Untiedit. Do të japim gjithçka”, deklaroi Rummenigge për Kicker.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka konfirmuar se sulmuesi i tij kryesor, Wayne Rooney, pritet të mungojë vetëm tri javë pas lëndimit të marrë në ligamentet e nyjës.
“Ne mendojmë se ai do të mungojë dy deri në tri javë. Nuk është dhe aq serioze siç kemi menduar në fillim. Ndoshta këto tri javë ai do mungojë në ndeshjet e rëndësishme, por me rëndësi është që ai të rikthehet para se të përfundojë sezoni”.
“Nuk bëhet fjalë për dëmtim serioz në asht, apo për ndonjë dëmtim të rëndë në ligamente”, u shpreh Ferguson.
Mesfushori i Arsenalit, Cesc Fabregas, spekulohet të ketë hyrë i lënduar në ndeshjen ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve, që do të thotë se nuk u lëndua pas duelit të tij me Puyolin.
The Sun pohon se ka paqartësi rreth kësaj çështjeje në Emirates, pasi që shumë mendojnë se Fabregas hyri me këmbë të thyer në sfidën kundër Barcelonës. Fakti që lëndimi është në vendin e njëjtë sikurse ai i marrë ndaj Birminghamit, rrit dyshimet se Fabregas mund të kishte qenë i lënduar më parë.
Arsene Wenger vendosi ta inkuadrojë atë në lojë pak para fillimit të ndeshjes, pasi Fabregas është stërvitur në mënyrë të veçantë. Strategut të Arsenalit do t’i mbetet të vërtetojë nëse ka pasur skanime me rezonancë magnetike para takimit çerekfinal.
Jose Mourinho është shprehur të jetë tejet i hidhëruar me mediat italiane, pasi që këto të fundit e shtrembëruan një deklaratë të tij, duke thënë se portugezi kishte pohuar fillimin e Calciopolit.
Mourinho të enjten tha për Inter Channel: “Nuk dua të flas për kampionatin. Por, nuk është një garë mes tri ekipeve. Është një luftë mes një ekipi dhe shumë gjërave të tjera…”.
Ky përshkrim për Serien A është keqkuptuar nga mediat italiane të cilat kanë shkruar se Mourinho ka pohuar fillimin e një Calciopoli të ri.
“Kush e ndryshoi deklaratën time..’shumë gjëra të tjera…’? Unë? Jo. A nuk paskam të drejtë të flas me tifozët e Interit, pa u përzier dhe njerëzit të cilët non-stop fusin hundët këtu? ...Faleminderit…por nesër ne jemi prapë kështu si jemi. Të lodhur, të lënduar dhe të suspenduar”.
“Falënderoj tifozët e Interit për mbështetjen gjatë gjithë sezonit, janë tifozët më të mirë në botë”, ka thënë Mourinho.
Anësori i Manchester United, Nani, thotë se është vendimtare që ata të mos e lejojnë Chelsean të rikthehet në garën për titull.
Chelsea ka nevojë për tre pikë në takimin e nesërm kundër United për të marrë kreun e tabelës së Ligës Premier.
“Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë para rivalëve tanë dhe të mos i lejojmë ata të fitojnë kurajë. Do të jetë një rezultat i madh nëse fitojmë në ndeshjen e të shtunës. Kjo do të na japë një shans të madh për të fituar ligën”, ka thënë Nani.
Afrim Muçiqi KF “Vëllaznimi” është ndëshkuar me një lojë pa praninë e publikut, për shkak të lëshimeve në derbin përballë Prishtinës, ndërsa Afrim Muçiçit i ndalohet për gjashtë muaj të ushtrojë çfarëdo funksioni në KF Prishtina.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për të ndëshkuar ekipin gjakovar për shkak të ‘trazirave’ në ndeshjen Vëllaznimi - Prishtina. Por më së shumti ka pësuar nënkryetari i ekipit prishtinas, i cili për gjashtë muaj nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë asnjë funksion në klub në aktivitet të cilat i organizon FFK-ja.
“(Komisioni Disiplinor i FFK-së) ka ndëshkuar me 6 muaj mosushtrim të funksioneve në klub në gjithë aktivitetin që organizon FFK-ja (ndeshjet kampionale të kupës dhe të tjera) Afrim Muçiçin nënkryetar i KF ‘Prishtina’ për shkak të deklaratave të pabaza dhe fyese kundër FFK-së”, thuhet në deklaratën e Federatës kosovare të futbollit.
“Po ashtu KD ka ndëshkuar lojtarin e KF ‘Flamurtari’ Burim Fejza me dy ndeshje moslojë si dhe gjyqtarin Agim Rexhepi për shkak të notimit me notë të dobët me 5 ndeshje mosreferim”, shkruhet më tej në deklaratë.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se ata janë të etur për sukses dhe për të fituar trofe dhe shton se ndeshja përballë United nuk do të jetë vendimtare për pozitën e parë.
Blutë nesër do të udhëtojnë në Old Trafford në tentim për të rrëzuar Manchester United nga kreu i tabelës dhe për të bërë një hap drejt titullit.
“Ndeshja përballë United është e rëndësishme. Por mendoj se kjo ndeshje nuk do të jetë vendimtare për titull, por sidoqoftë ekipi që do të fitojë këtë ndeshje do të ketë shanse të mira për të qenë kampion”.“Unë punoj me ngulm për ta sjellë trofeun e Ligës Premier në Stamford Bridge. Ne jemi të etur për sukses pasi Chelsea në tre vitet e fundit ka qenë shumë afër dhe tash është koha për të arritur sukses” , ka thënë Ancelotti.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, është i bindur se ata do ta eliminojnë Arsenalin në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve.
Xavi nuk ka dyshime se blaugranët janë superior ndaj topçinjve, pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë.
“Ne bëmë një paraqitje të shkëlqyeshme dhe ndjehemi shumë më superior ndaj Arsenalit. Ne kishim shanse për të zgjidhur sfidën. Në ndeshjen e kthimit duhet të luajmë me të njëjtin intensitet. Ndoshta ishte ndeshja jonë më e mirë e sezonit dhe ishte turp që nuk e fituam”, ka thënë Xavi.
Dwight Howard ka shënuar 17 pikë, 20 kërcime dhe pesë bllokime për të ndihmuar Orlando Magic të shënojë fitore 97-82 në fushë të Dallas Mavericks.
Mickael Pietrus përfundoi ndeshjen me 24 pikë, derisa Vince Carter u rikthye nga lëndimi për të shënuar 19 pikë dhe për të ndihmuar Magic të shënojë fitoren e tretë radhazi dhe të 53-tën e sezonit (22 humbje).
Dirk Nowitzki ishte më i miri te Dallas me 24 pikë. Jason Terry dhe Jose Barea shënuan nga 16 pikë për Mavericks, që pësuan humbjen e 26-të të sezonit (50 fitore).
Pamje nga takimi Real Madrid - Barcelona (Basketboll) Katërshja më e mirë e basketbollit të Euroleague-s është vendosur mbrëmë me të katër gjysmë-finalistët që u përcaktuan pas katër takimesh (fitore 3-1).
Barcelona mposhti Real Madridin për të tretën herë nga katër takimet mes tyre, kësaj here me rezultat 84-74 në Madrid, për të arritur për të 11-tën herë në çerekfinale që kur turneu filloi në vitin 1998.
Partizani i Beogradit po ashtu i është bashkuar ekipit spanjoll pasi mposhti Maccabi Electra me rezultat 76-67, për të arritur në katërshen e fundit për të parën herë në 12 vite.
CSKA Moska ka shënuar fitore 74-70 ndaj Caja Laboral për t’u kualifikuar në katërshen e fundit për të katërtin vit, derisa Olympiacos dominoi ndaj Asseco Prokom në fitoren 86-70.
Barcelona në gjysmëfinale do të përballet me CSKA Moskën, derisa Olympiacos me Partizanin. Gjysmëfinalet zhvillohen në Paris më 7 maj, ndërsa finalja dhe lufta për vendin e tretë dy ditë më vonë.
Roberto Mancini thotë se qëllimi i Manchester Cityt duket të jetë të përballet me ekipe si Barcelona në të ardhmen.
“Barcelona dhe Arsenali që të dyja janë ekipe të shkëlqyeshme. Por për pjesën tonë, ne duhet të përmirësohemi shumë nëse dëshirojmë të luajmë futboll të Ligës së Kampionëve dhe të kënaqemi me mundësinë kur luajmë rregullisht me ekipe të kualitetit të Barcelonës”, ka thënë Mancini.
“Nëse ne dëshirojmë të mendojmë të luajmë këto lloje të ndeshjeve, duhet së pari të përfundojmë në pozitën e katërt dhe ky është fokusi jonë”, ka shtuar italiani.
Këshilltari i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk ka dyshime për të ardhmen e mesfushorit Kaka dhe trajnerit Manuel Pellegrini në klub.
Kaka ka dështuar të plotësojë pritjet e mëdha nga ai këtë sezon dhe po dështon të rikthejë formën e tij më të mirë.
“Nuk kam dyshime për brazilianin. Do të shohim më të mirën nga ai. Pellegrini? Nuk e njoh atë aq mirë. Por unë do ta mbaja atë këtu”, ka thënë Zidane.
Sulmuesi i Bolognas, Marco di Vaio, është i bindur se ekipi i tij mund të befasojë të gjithë gjatë vikendit, kur do të presë në fushë të vet Interin.
“Ka pikë për t’u luajtur çdo ndeshje dhe ne jemi duke i ndjekur. Ndeshja e të shtunës mund të interpretohet si të tjerat që kemi luajtur së fundi, duke korrigjuar gabimet e disa ndeshjeve të fundit”.
“Brenda 10 ditësh ne përballemi për të tretën herë me një ekip të pjesës së sipërme të tabelës, andaj jemi të përgatitur për ndeshje të kësaj natyre dhe kësaj here shpresojmë të sjellim në shtëpi diçka pozitive, e cila do të na ndihmojë neve të sigurojmë mbijetesën”, ka thënë Di Vaio.
Ylli i Milanit, Ronaldinho, raportohet se është i interesuar të transferohet në kampionatin brazilian të futbollit, saktësisht te Flameng
Terra shkruan se vëllai i Ronaldinhos, i cili është edhe agjent i tij, Roberto de Assis është në Brazil për t’u takuar me drejtorin e Flamengos, Marcos Braz.
Ronaldinho thuhet se e pëlqen idenë e transferimit në Flamengo dhe të luajë rregullisht në Maracana.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, thotë se topçinjtë mund ta mposhtin Barcelonën në Nou Camp në javën e ardhshme.
Cesc do të jetë jashtë fushe gjatë gjithë sezonit për shkak të një çarje në këmbë të pësuar në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Ekipi mund t’ia dalë pa mua. Barcelona ka humbur lojtarë të mëdhenj si Puyol dhe Pique, andaj nuk mendoj se është njëjtë pa ta, pasi ata e lëvizin topin mirë dhe i japin siguri ekipit. Do të shohim. Do jetë vështirë, por mund t’ia dalim”, ka thënë Fabregas.
Roberto Mancini ka lavdëruar sulmuesin e tij te skuadra e Manchester Cityt, argjentinasin Carlos Tevez, duke thënë se ai do të konsiderohej njëri prej sulmuesve më të mirë në botë nëse do të luante në Ligën e Kampionëve.
Tevez ka shënuar 19 gola në 28 paraqitjet e tij në Ligën Premier këtë sezon, një statistikë që e ka lënë të impresionuar menaxherin e tij.
“Tevez mund të krahasohet me cilindo sulmues. Por, Rooney luan në Ligën e Kampionëve, Lionel Messi luan në Ligën e Kampionëve. Nëse Tevez do të luante në Ligën e Kampionëve ai do të ishte në të njëjtin nivel, sepse ai është njëri prej futbollistëve më të mirë në botë”.
“Përfundimi në pozitën e katërt është një gjë e mirë sepse do të luanim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe kjo do të ishte mirë për klubin. Më pas ne mund të përmirësohemi shpejtë. Por, nuk duhet të mendojmë vetëm për atë. Ne po bëjmë më të mirën për të përfunduar në pozitën e katërt, por është e mundshme që të mos përfundojmë aty”, ka thënë Mancini.
Një përballje e David Silva dhe Raul Garcia. Dy skuadrat spanjolle, Valencia dhe Atletico Madridi, janë ndarë baras në ndeshjen e parë çerekfinale të Europa League, të zhvilluar të enjten mbrëma më Mestalla.
Mysafirët kaluan dy herë në epërsi, ndërsa vendasit reaguan dy herë duke barazuar rezultatin.
Fillimisht realizoi Diego Forlan (59’), ndërsa barazoi Manuel Fernandes (67’).
Antonio Lapez kaloi sërish kryeqytetasit në epërsi, ndërsa për Los Che barazoi David Villa, dhe me rezultat 2-2 u mbyll takimi.
Ky rezultat më shumë i konvenon Atleticos që në ndeshjen e kthimit luan para tifozëve të vet, dhe njëherit ka barazuar në terren mysafir duke realizuar dy herë.
Nistelrooy (majtas) feston me bashkëlojtarët. Hamburgu ka vazhduar me sukses rrugëtimin për në finale të Europa League në NordBank Arena, ku mposhti Standardin në ndeshjen e parë të çerekfinales me rezultat 2-1.
Të gjitha golat u shënuan në fraksionin e parë. Belgët e Standard befasuan pas gjysmë ore lojë me golin e papritur të Mbokanit (31’) që kaloi në epërsi mysafirët.
Mladen Petric me përpikëri realizon nga pika e bardhë (42’) për 1-1. Nuk kaloi shumë kohë dhe nga hutia e belgëve përfitoi holandezi Ruud Van Nistelrooy që shënoi për 2-1 (45’). Në pjesën e dytë nuk u shënua asnjë gol, kurse Hamburgu dominoi.
Hamburg do të hyjë në ndeshjen kthyese me një përparësi të vogël dhe është favorit, por goli i Standardit në NordBank Arena mund të shkaktojë mjaft telashe për gjermanët.
Festa e anglezëve Fulhami ka arritur të mposhtë kampionin e Gjermanisë, Wolfsburg, në ndeshjen e parë të çerekfinales së Europa League në Craven Cottage.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa pas një orë lojë Bobby Zamora (60’) zhbllokoi rezultatin për 1-0.
Ishte Zamora ai që asistoi tre minuta më vonë (63’) për Damien Duff që dyfishoi epërsinë.
Fulhami mendoi të kalojë pastër nga ndeshja e parë, por Madlung shënoi golin shumë të vlefshëm si mysafir për gjermanët pas shërbimit të Zvjezdan Misimovicit.
Skuadra angleze në ndeshjen kthyese që zhvillohet pas një jave hyn me një përparësi të lehtë, kur dihet rëndësia e golit të shënuar si mysafir nga Wolfsburgu.
Ryan Babel u përjashtua me karton të kuq. Të enjten mbrëma, Liverpooli ishte mysafir i Benficas në Estadio Da Luz, për të zhvilluar ndeshjen e parë çerekfinale të Europa League, e cila përfundoi me fitoren e Benficas me rezultat 2-1.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me anë të Daniel Agger, i cili realizoi pas një gjuajtje të lirë nga Steven Gerrard (9’).
Mirëpo gjërat u përkeqësuan për Redsat në minutën e 31-të, kur Ryan Babel u përjashtua me karton të kuq pas një gjesti josportiv në dëm të Luisaos.
Në pjesën e dytë, vendasit realizuan dy herë, edhe atë nga pika e bardh, ndërsa në të dyja rastet i pagabueshëm ishte Oscar Cardozo (59’ dhe 79’).
Pas një jave, Benfica do të jetë mysafir në Anfield, derisa Të Kuqtë do të duhet ta kërkojnë fitoren nëse dëshirojnë të vazhdojnë tutje.
Lajmet e këqija për Arsenalin nuk kanë të ndalur. Pas lajmit se për Fabregasin ka përfunduar sezoni, tani është trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ai që pohon mungesat e Gallas dhe Arshavin edhe për tri javë të tjera.
William Gallas dhe Andrei Arshavin u lënduan gjatë sfidës kundër Barcelonës, duke pësuar zgjatje muskulore që do t’i mbajnë futbollistët nga tre javë jashtë aksionit.
“Për momentin, jemi si një ushtri që u kthye nga një betejë. Ne kemi disa të plagosur por duhet të rikthehemi për të shkuar në betejën e radhës. Kush do të jetë i gatshëm për betejën e radhës? Më duhet të pres 24 orë më shumë”.
“Gallas ka pasur përkeqësim të zgjatimit muskulor. Kjo është së paku tri javë (moslojë). Me radhë është Arshavin me zgjatim muskulor, gjithashtu tri javë jashtë aksionit. Gael Clichy po vuan nga një problem në shpinë. Atij do t’i duhet një respirator. Nuk e di ende sa do mungojë, por do ta mësoj nesër”.
“Por të gatshëm kemi Silvestren dhe Campbellin. Më pas aty është dhe Rosicky dhe Eduardo. Vela gjithashtu kthehet”, deklaroi Wenger për faqen zyrtare të Arsenalit.
Kampioni në konkurrencën WBA të kategorisë së rëndë, David Haye ka vazhduar me deklaratat sensacionale, duke e kërcënuar konkurrentin e radhës John Ruiz se do të mund ta nokautojë kur të dojë ai.
Haye të shtunën pret në ringun e Mançesterit Ruizin në duelin e vlefshëm për titullin e WBA. Nëse ndodh që Haye të fitojë atëherë në fundvit do të jemi dëshmitar të duelit të dekadës mes tij dhe Wladimir Klitschkos.
“Mund ta nokautoj kur të dua. Sa më shumë që zgjat dueli aq më mirë për mua. Nuk është si më herët. Tani sa më shumë që dueli zgjat unë jam më i fortë dhe më i fortë. Deri atëherë ai do të duhet të ketë marrë goditje të rënda dhe në fund pason KO”.
“Ruiz ka thënë se do të më mposhtë? Unë i dëshiroj fat nëse ky është plani i tij, por para se ta bëjë atë ai do të jetë në tokë. Të gjithë duan të ma marrin titullin, këtë e di mirë. Unë do të bëj diçka dramatike dhe do t’i shokoj njerëzit të shtunën”, përfundoi britaniku David Haye.