Kampioni i La Ligës, Barcelona, ka shënuar fitore 4-1 në fushë të vet ndaj Athletic Bilbao, për të marrë kreun e tabelës.Jeffren Suarez ishte ai që hapi rezultatin pas gati gjysmë ore lojë në Nou Camp (27’), ndërsa Bojan Krkic dyfishoi atë pesë minuta para fundit të pjesës së parë (40’).
I njëjti lojtar dyfishoi rezultatin pas një ore lojë (59’), ndërsa në listën e golashënuesve nuk mungoi edhe Lionel Messi që i dha avantazhin 4-0 ekipit vendas në minutën e 68-të.
Markel Susaeta Laskurain shënoi golin e nderit për ekipin mysafir 13 minuta para fundit të ndeshjes, duke vulosur rezultatin.
Barcelona me tre pikët e reja mbledh 77, tre më shumë se rivali kryesor Real Madridi që nesër udhëton në fushë të Racing Santander dhe mund të rikthehet në maje nëse shënon fitore.
Manchester City është ngritur në pozitën e katërt të Ligës Premier falë fitores së lartë prej 6-1 në fushë të Burnleyt.‘Qytetarët’ shënuan pesë gola në pjesën e parë, tre prej të cilëve në shtatë minutat e para të takimit. Emmanuel Adebayor hapi rezultatin në minutën e katërt të ndeshjes, ndërsa një minutë më pas Craig Bellamy e dyfishoi atë. Pas edhe dy minutash tjera, Carlos Tevez shënoi golin e tretë të takimit (7’).
Pjesa e parë solli edhe dy gola, së pari Patrick Vieira çoi Cityn në avantazh të katërfishtë në minutën e 20-të dhe në fund të pjesës së parë Adebayor shënoi golin e tij të dytë dhe të pestin për ekipin mysafir.
Pjesa e dytë filloi duke premtuar gola, me Vincent Kompany që shënoi golin e gjashtë të Cityt në minutën e 58-të. Megjithatë pjesa tjetër e ndeshje solli vetëm edhe një gol, që ishte edhe i nderit për vendasit, i shënuar nga Steven Fletcher (71’).
Tre pikët e reja e ngrenë Cityn në pozitën e katërt të tabelës me 59 pikë, një më shumë se Tottenhami që më herët u mposht nga Sunderlandi me rezultat 3-1.
Darren Bent ka shënuar dy gola, njërin nga penaltia, dhe ka humbur dy penalti të tjera për të ndihmuar Sunderlandin të shënojë fitore me rezultat 3-1 në fushë të vet ndaj Tottenhamit.Bent pati një ndeshje për tu mbajtur mend kundër ish-ekipit të tij, duke shënuar golin e parë me të filluar ndeshja. Sulmuesi anglez shënoi edhe golin e dytë pas gati gjysmë ore lojë, kësaj here nga penaltia (29’), pasi Kyle Walker kishte prekur topin me dorë në zonën e rreptësisë.
Për Sunderlandin u akorduan edhe dy penalti të tjera gjatë ndeshjes, por Bent i huqi të dyja (41’ dhe 61’), para se Peter Crouch t’i japë shpresa ekipit mysafir me golin e shënuar në minutën e 72-të.
Por shpresat e Tottenhamit për pikë dhe për të forcuar pozitën e katërt pësuan goditje kur Boudewijn Zenden vulosi fitoren për vendasit pesë minuta para fundit të takimit.
Sunderlandi tash mbledh 38 pikë në pozitën e 13-të, ndërsa Tottenhami vazhdon të qëndrojë në të katërtën me 58 pikë, pozitë kjo që kërcënohet nga Manchester City që më vonë udhëton te Burnley.
Një gol i shënuar në minutën e fundit të lojës shtesë (95') nga Nicklas Bendtner i siguroi Arsenalit një fitore tejet të rëndësishme ndaj Wolverhampton Wanderers në luftën për titull të Premier Ligës.Edhe pse të përzgjedhurit e Arsene Wenger dominuan pothuajse gjatë gjithë kohës dhe patën raste të shumta shënimi, asesi nuk mund të mposhtej portieri Marcus Hahnemann. Por, kur të gjithë prisnin përfundimin e takimit me rezultat të barabartë, ishte Nicklas Bendtner i cili realizoi gol me kokë, pas një harkimi të bukur nga Bacary Sagna.
Pas kësaj fitoreje të Arsenalit, lufta për titull bëhet edhe më interesante, dhe tani është Chelsea që kryeson me 74 pikë që ka dy më shumë se Manchester United në pozitën e dytë dhe tre më shumë se Arsenali që mban pozitën e tretë në tabelë.
Edhe pse me një lojtar më pak në fushë për pjesën më të madhe të ndeshjes, Bayern Munich ka arritur të shënojë fitore 2-1 në derbin e Bundesligës në fushë të Schalke për t’ia rimarrë edhe kreun në tabelë.E gjithë ndeshja u vendos brenda gjashtë minutash lojë. Bavarezët kaluan në avantazh të dyfishtë me dy gola të shpejtë të shënuar nga Frank Ribery në minutën e 25-të dhe Thomas Muller një minutë më pas.
Vendasit arritën ta ngushtojnë epërsinë pas pesë minutash (31’) me anë të Kevin Kuranyi. Katër minuta para fundit të pjesës së parë mysafirët mbetën me 10 lojtarë në fushë pas përjashtimit të Halil Altintop me kartonin e dytë të verdhë, por vendasit nuk arritën ta shfrytëzojnë epërsinë e një lojtari më shumë në fushë.
Bayerni tash mbledh 59 pikë në krye të tabelës, një më shumë se Schalke që me 58 pikët zbret në pozitën e dytë.
Sampdoria ka shënuar fitore 2-1 në udhëtim te Chievo e Erjon Bogdanit për të qëndruar në garë për pozitën e katërt të tabelës.Antonio Cassano shënoi me të filluar ndeshja për të çuar në avantazh ekipin mysafir, ndërsa Giampaolo Pazzini dyfishoi atë 10 minuta në pjesën e dytë (55’).
Edhe me 10 lojtarë në fushë pas përjashtimit të Santiago Morero me kartonin e dytë të kuq, Chievo arriti të ngushtojë rezultatin me anë të Andrea Mantovani, 15 minuta para fundit të ndeshjes (76’).
Me tre pikët e reja Sampdoria mbledh 51, sa ka edhe Palermo që ndodhet në pozitën e katërt.
Napoli në anën tjetër ka dështuar të nxjerrë tre pikë në udhëtim te Lazio duke barazuar 1-1 dhe duke ngecur në garën për pozitën e katërt (49 pikë).
Pozita për vendin e katërt mbetet e hapur me Palermon më vonë udhëton në fushë të Catanias dhe Juventusin që udhëton te Udinese.
Mirko Vucinic ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë fitoren minimale, 1-0, Romës në udhëtim te Bari.Goli i sulmuesit malazias erdhi pas 19 minutash lojë dhe doli të ishte vendimtari për tre pikët e reja të Romës.
Gialorosët vazhdojnë të mbeten në pozitën e dytë me 65 pikë, një më pak se Interi që shënoi fitore bindëse me rezultat 3-0 në fushë të vet ndaj Bolognas.
Milani, që shënoi fitore 3-2 në fushë të Cagliarit, po ashtu ka mbetur në garë për titull me dy pikë më pak se Roma dhe tre më pak se Interi.
Kampioni në fuqi dhe lideri i Serie A, Interi, ka shënuar fitore 3-0 në Giuseppe Meazza ndaj Bolognas për të ruajtur kreun e tabelës.Nerazurët kaluan në epërsi pas gati gjysmë ore lojë me anë të Thiago Motta (29’), me të cilin avantazh minimal përfundoi edhe pjesa e parë.
Goli i dytë i Interit erdhi në pjesë të dytë nga Mario Balotelli (52’), ndërsa rezultatin e vulosi Motta me golin e tij të dytë dhe të tretin për ekipin e trajnerit Jose Mourinho, pesë minuta para fundit të takimit.
Interi ruan kreun me 66 pikë, dy më shumë se Roma dhe tre më shumë se Milani.
Milanit i ka mjaftuar vetëm pjesa e parë e ndeshjes, për të shënuar fitore 3-2 në udhëtim ndaj Cagliarit.Marco Boriello ishte ai që hapi rezultatin pas vetëm shtatë minutash lojë, ndërsa vendasit arritën të barazojnë pas 10 minutash tjera me anë të Daniele Ragatzu. Por nuk vonoi shumë, pas dy minutash tjera (19’), të zgjedhurit e trajnerit Leonardo rikthyen epërsinë kësaj here me anë të holandezit Klaas-Jan Huntelaar.
Në minutën e 32-të të takimit Alessandro Matri barazoi përsëri rezultatin, gjashtë minuta para se rosonerët ta rikthejnë anë me anë të një autogoli të Davide Astori (38’). Pjesa e dytë e takimit ishte më e qetë dhe nuk solli asnjë gol tjetër.
Me tre pikët e reja, Milani grumbullon 63 në pozitën e tretë, dy më pak se Roma dhe tre më pak se Interi.
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, është mposhtur me rezultat 2-1 në Old Trafford nga rivali i drejtpërdrejtë për titull, Chelsea.Blutë kontrolluan ndeshjen në pjesën më të madhe dhe patëm raste më të mira shënimi se Djajtë e Kuq, që ishin në mungesë të golashënuesit kryesor, Wayne Rooney.
Chelsea kaloi në epërsi të merituar që në pjesë të parë me anë të Joe Cole. Një depërtim i mirë nga ana e Florent Malouda dhe një asistim i tij nga e majta u dërgua në rrjetën e portierin Edvin van der Sar nga Cole pas 20 minutash lojë.
Pavarësisht rasteve, rezultati nuk ndryshoi deri në 10 minutat e fundit të ndeshjes kur blutë e dyfishuan epërsinë me anë të një goli nga pozita jashtë loje, i shënuar nga Didier Drogba (79’).
Por nuk vonoi shumë dhe vendasit ngushtuan epërsinë me anë të një goli të shënuar nga i riu italian Federico Macheda. Pas një harkimi të Nanit dhe dëbimi nga portieri Peter Cech, topi goditet në gjoksin e Macheda dhe duke prekur edhe dorën e lojtarit përfundon në rrjetën e mysafirëve (81’).
Dimitar Berbatov pati një rast të barazojë rezultatin në minutat shtesë, por bullgari e keqpërdori atë, siç bëri edhe në disa raste më herët.
Me tre pikët e sotme Chelsea pozicionohet në krye të tabelës me 74 pikë, dy më shumë se United që zbret në pozitën e dytë. Kandidati tjetër për titull, Arsenali, tash mbetet gjashtë pikë prapa kreut (68), por ka rastin ta ngushtojë në tre, kur më vonë pret në Emirates ekipin Wolves.
Braziliani është shndërruar në njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë të krahut të djathtë nën fanellën e Interit dhe është bërë cak i klubeve më mëdha evropiane.
Së fundi ai lidhet fuqimisht me një kalim në Real Madrid, por agjenti i lojtarit thotë se është herët të flitet për të ardhmen e Maicon dhe shton se Reali nuk është i vetmi klub që interesohet për të.
“Këto janë vetëm spekulimet, por nuk është fshehtësi se ai është duke u përcjellë nga Reali dhe ne nuk jemi të befasuar nga kjo. Megjithatë, një numër i madh klubesh janë të interesuara për Maicon, por tash nuk është koha për ta shqetësuar lojtarin, pasi Interi po lufton në tre fronte”, ka thënë Caliendo.
Në prag të takimit të sotëm derbi në Old Traffrod menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, thotë se loja e United ka ndryshuar këtë vit pas largimit të Ronaldos.“Mendoj se këtë sezon United po luan më ndryshe në krahasim me të kaluarën. Sezonin e kaluar ata kishin Ronaldon si sulmues dhe luanin më ndryshe. Tash janë përmirësuar më shumë dhe Wayne Rooney ka bërë një punë fantastike i ndihmuar nga anësorët”.
“Shumë ndeshje të United ishin taktikisht shumë të mira. Kundër Milanit, ata luajtën mirë taktikisht. Ata nuk japin shumë shanse. Ata janë një ekip shumë kompakt dhe preferojnë të mbrohen mirë dhe të luajnë me kundërsulme. Ata janë të aftë ta bëjnë këtë pasi kanë anësorë shumë të shpejtë”, ka thënë Ancelotti, i cili ka pasur një rezultat të mirë kundër Ferguson në të kaluarën.
Ngasësi i Red Bull, Mark Webber, ka dalë të jetë më i shpejti në kualifikimet për Malaysian Grand Prix, që u zhvillua nën mot me shi.Piloti i Mercedes, Nico Rosberg po ashtu do të niset nga reshti i parë në garën e nesërme, pasi përfundoi i dyti më i shpejtë. Në rreshtin e dytë do të jenë ngasësi tjetër i Red Bull, Sebastian Vettel dhe ai i Force India, Adrian Sutil, të cilët përfunduan në pozitat tre dhe katër në kualifikimet e sotme.
Dy britanikët ngasës të McLarenit, ish-kampioni Lewis Hamilton dhe kampioni në fuqi Jenson Button, do të jenë kah rreshtat e fundit. Hamilton është i fundit (20-ti) ndërsa Button i 17-ti.
Dy Ferrarit, Fernando Alonso dhe Felipe Massa, do të fillojnë njëri para (i 19-ti) dhe tjetri prapa Hamilton (i 21-ti). I rikthyeri Michael Schumacher do të startojë nga pozita e tetë.
Lideri i NBA-së, Cleveland Cavaliers, ka mposhtur Atlanta Hawks me rezultat 93-88 për të shijuar fitoren e 60-të të sezonit për të dytin sezon radhazi.LeBron James përfundoi ndeshjen me 27 pikë dhe 12 kërcime, duke ndihmuar Cavaliers të shënojnë fitoren e 10 radhazi në fushë vendore (60 fitore dhe 16 humbje këtë sezon). Mo Williams shënoi 24 pikë , derisa J.J. Hickson kontribuoi 16 kërcime për Cleveland.
Josh Smith shënoi 20 pikë për Hawks, të cilët me 48 fitore këtë sezon (27 humbje) ndodhen në pozitën e tretë të Konferencës lindore prapa Cleveland dhe Orlando Magic.
Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, mbetet me shpresa se ai do të mund të luajë përsëri këtë sezon, nëse topçinjtë arrijnë në finalen e Ligës së Kampionëve.Cesc do të qëndrojë jashtë fushe për gjashtë javë për shkak të thyerjes së këmbës gjatë barazimit 2-2 ndaj Barcelonës. Por, spanjolli shpreson të mund të rikthehet për finalen e Ligës së Kampionëve, që zhvillohet më 22 maj në Santiago Bernabeu, nëse Arsenali arrin deri atje.
“Këmba ime është e thyer dhe ndjehem i thyer edhe në brendi. Penaltinë që shënova mund të jetë ndihma e fundit si lojtar i Arsenalit këtë sezon. Por kam një shpresë se ne mund t’ia dalim në Nou Camp, të fitojmë në gjysmëfinale dhe të jemi në finalen e Ligës së Kampionëve”.
“Kjo mund të jetë shumë, por është ëndërr e imja dhe ajo për të cilën lutem. Kemi qenë aq të bashkuar këtë sezon dhe nuk dua të përfundoj kështu”, ka shkruar Arsenal në kolumnen e tij për The Sun.
Kampioni i NBA-së, Los Angeles Lakers, ka nënshkruar kontratë të re tre-vjeçare me yllin Kobe Bryant.Bryant, MVP i finaleve të vitit 2009, është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Lakers dhe 31-vjeçari shihet nga shumica si lojtari më i mirë i periudhës së tij.
“Ne jemi më se të kënaqur që ishim në gjendje të arrijmë marrëveshje dhe të pajtohemi për kushtet e vazhdimit. Kobe ka qenë shtyllë e Lakers për një dekadë duke na ndihmuar të fitojmë katër kampionate të NBA-së dhe të jemi në proces të zhvillimit të një prej lojtarëve më të mëdhenj në histori”, ka thënë menaxheri gjeneral Mitch Kupchak.
Bryant, i cili është 12 herë pjesëtar i ekipit All-Star, është lojtari më i ri në NBA që ka shënuar 25 mijë pikë. Ai ka një mesatare prej 27.2 pikësh, 5.3 kërcime dhe 5.1 asistime këtë sezon.
Pep Guardiola kërkon që Barcelona të ruajë formën që tregoi në Arsenal edhe për takimin e sotëm ndaj Athletic Bilbao.Guardiola e ka përshkruar lojën e pjesës së parë të blaugranëve si 45 minutat më të mira gjatë kohës sa ai është nën drejtim.
Menaxheri i Barcelonës dëshiron më shumë lojë të tillë dhe kundër Athletic, edhe pse beson se kjo do të jetë e pamundshme për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampoonëve ndaj Arsenalit që zhvillohet të mërkurën.
“Ne nuk do të arrijmë ta përsërisim kurrë atë që bëmë në Londër, por duhet të përpiqemi ta ruajmë atë formë. 11 goditje brenda 15 minutash, si kundër Arsenalit, kurrë nuk do të përsëriten më”, ka thënë spanjolli.
Kapiteni i Manchester Cityt, Kolo Toure, ka kritikuar ish-bashkëlojtarin e tij te Arsenali, William Gallas, duke thënë se ai mendon më shumë për veten se për ekipin.Toure, 29-vjeçar, kishte pasur një përplasje me Gallas gjatë sezonit të kaluar. Më pas Gallas u shkarkua nga roli i kapitenit pasi kishte publikuar një zënkë që kishte ndodhur në dhomën e zhveshjeve të topçinjve.
“Ai mendon më shumë për vetveten. Një lider është ai i cili mendon për gjithë ekipin”, ka thënë Toure për The Sun.
Sulmuesi i Fulhamit, Bobby Zamora, thotë se Europa League është caku kryesor i ekipit anglez këtë sezon.Fulhami pritet të pushojë disa lojtarë të formacionit të parë për ndeshjen e nesërme kundër Wigan Athletic, pasi javën e ardhshme kanë ndeshjen e kthimit ndaj Wolfsburg në Ligën e Evropës.
“Mendoj se forma jonë në ligë ka rënë ca. Nëse mund ta fitojmë Europa League dhe të përfundojmë me 42 pikë, do ta bëjmë këtë. Nëse humbasim disa dhe fitojmë një ose dy do të isha i lumtur. Por dëshirojmë t’ia dalim mirë edhe në ligë. Mos u shqetësoni”, ka thënë Zamora.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka qeshur me pohimet e fundit se skuadra e tij duhet të sulmojë nga fillimi ndaj Manchester Unitedit nëse dëshiron ta fitojë titullin.“Nuk e konsideroj veten të jem një strateg sulmues. Unë jam italian dhe filozofia e futbollist italian është defensiva. Më pëlqen baraspesha. Jam strateg i balancuar”.
“Ky është synimi ynë, të sulmojmë dhe të luajmë futboll, por gjëja e parë është që të vazhdojmë me baraspeshën, sepse nuk dua të pranoj gol”.
“Mënyra më e lehtë për të shënuar janë kundërsulmet. Në Itali, skuadra që fiton titullin nuk është ajo që shënon më shumë, por ajo që pranon më pak gola”, përfundoi Ancelotti.
Sipas veteranit Gary Neville, Manchester Unitedi mund të mposhtë Chelsean edhe pa sulmuesin kryesor, të lënduarin Wayne Rooney, në ndeshjen vendimtare për titullin e Ligës Premier.“Ne nuk dëshirojmë lëndime, sidomos te lojtarët më të mirë. Rooney do të na mungojë, sepse ai ishte në një formë shumë të mirë, por ne kemi njerëz ta gatshëm për të dhënë më të mirën për klubin edhe nëse ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë”.
“Ne kemi pasur lojtarë të mëdhenj që nuk luajtën në ndeshjet e mëdha edhe në të kaluarën. Ne kemi hyrë në ndeshjet vendimtare pa tre lojtarë kyç dhe ka ndodhur që t’i fitojmë ato”.
“Chelsea do të përballet me mungesa. Tek ata mungon Essien dhe Ashley Cole. Të gjitha klubet përballen me lëndime të natyrave të ndryshme dhe klubet duhet t’ia dalin disi. Nuk dyshoj aspak se ndeshja e të dielës është ndeshja vendimtare e këtij sezoni”, përfundoi Neville.
Cristiano Ronaldo ka pranuar se që pas eliminimit nga Liga e Kampionëve me skuadrën e tij Real Madrid, më nuk e ka shikuar këtë kompeticion për shkak të frustrimit të tij.“Unë jam aq i frustruar me eliminimin nga Liga e Kampionëve, sa që kam ndaluar së shikuari ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Më lëndon. Ne humbëm për shkak të gabimeve tona personale dhe kemi marrë mësim për të ardhmen”.
“Nuk kam nënshkruar për Realin vetëm për një vit dhe unë dua të luftoj që Ligën e Kampionëve ta fitoj sezonin e ardhshëm”, deklaroi CR9.
Sipas raporteve të fundit nga Madridi, mbrojtësi i Realit, Pepe, mund të rikthehet më herët se që është menduar nga lëndimi i tij i rëndë i pësuar në dhjetor të vitit të kaluar.Sipas AS, Pepe mund të rikthehet shumë shpejtë, një muaj më herët se që është menduar, më saktësisht bëhet fjalë për datën 5 maj, kur Pepe do të ketë mundësinë të luajë dhe në tre ndeshjet e fundit ndaj Mallorcas, Athletic Bilbaos dhe Malagas.
Pepe gjithashtu me një rikthim të shpejtë që po ndihmohet nga gjimnastika e sofistikuar dhe ushtrimeve në not, do të siguronte dhe vendin në kombëtaren portugeze për Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Ish-ylli i Interit, Christian Vieri, ka kërkuar nga prokurorët e federatës italiane të futbollit (FIGC) që t’ia marrin Interit Scudetton e vitit 2005-06 dhe t’ia japin Romës.Kërkesa e 36- vjeçarit bazohet në pohimet e tij se ishte viktimë e spiunazhit, duke thënë se klubi e ka përgjuar atë. Në gjithë këtë rrëmujë është përfshirë skuadra e Interit dhe kompania Telecom Italia.
Skuadra e Morattit fitoi një Scudetto në vitin 2005-06 pasi që po ky titull iu morr Juventusit në kohën kur Calciopoli ishte aktual . Nëse Vieri do të ketë sukses, Scudettoja do të duhet t’i jepet Romës, që atëkohë e zuri vendin e dytë.
Seanca e parë dëgjimore rreth kësaj çështje do të mbahet së shpejti në Milano.
Këto pohime të Vierit sigurisht se do të shkaktojnë një vale të re spekulimesh në Itali, në kohën kur Calciopoli ende është një temë kontroverse, me shumë fansa të futbollit italian, që mendojnë se krijues është Massimo Moratti dhe Telecom Italia.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka bërë pohime sensacionale në një intervistë për televizionin TVE, kur tha se Real Madridi do ta mposhtë Barcelonën në ‘el Classico’ dhe më pas do ta fitojë La Ligan.“Unë jam i sigurt se do ta fitojmë ndeshjen ndaj Barcelonës në Bernabeu dhe më pas do ta fitojmë dhe La Ligan”.
“Megjithatë, nuk do të na nevojitej ndeshja ndaj Barcelonës nëse do të humbasim pikë ndaj Racing Santanderit, ose pjesa tjetër e rivalëve që kemi për t’i mposhtur. Ne duhet të hyjmë në secilin takim të fokusuar”.
“Ndeshja e parë ‘el Classico’ këtë sezon në Camp Nou, ishte ndeshja jonë më e mirë këtë sezon, që do të jetë dhe udhërrëfyes se si ta mposhtim Barcelonën në Bernabeu”, përfundoi Ronaldo.
Derbi i 161-të ‘el Classico’ zhvillohet më 10 Prill, me fillim nga ora 22:00 në Santiago Bernabeu.
















