Real Madridi ka arritur të shënojë fitore relativisht të lehtë në transfertë ndaj Racing Santanderit me rezultat 2-0, duke mbajtur kreun para super-duelit përballë Barcelonës.Pjesa e parë ishte e baraspeshuar në posedim, por me iniciativën e Real Madridit. Një gabim i Casillasit ka mundur t’i kushtojë rëndë Los Blancos kur Sergio Canales nuk arriti të shënojë në portën e zbrazët.
Sidoqoftë, pas një depërtimi rutinor të tij, Cristiano Ronaldo rrëzohet në mënyrë të palejuar në zonë nga kundërshtari, me ç’rast u akordua penalti. Nga pika e bardhë i sigurt u tregua portugezi që vetë mori përgjegjësinë (23’) duke shënuar për 1-0.
Pjesa e dytë ishte tejet monotone me dominim në posedim të Real Madridit por me pak raste shënimi.
Ishte Gonzalo Higuain ai që iu shmang mirë një gracke të ofsajdit nga ekipi nikoqir, duke shënuar vetë përballë portierit vendas (76’) për rezultatin përfundimtar 2-0.
Me këtë fitore Real Madridi mban kreun me pikë të barabarta me Barcelonën por me golaverazh më të mirë, para ndeshjes vendimtare ‘el Clasico’, që zhvillohet në Bernabeu.
Valencia ka shënuar fitore ashtu si Villareali, ndaj Osasunës respektivisht Valladolidit, në kuadër të javës së 30-të në La Liga.Villareali kishte të bëjë me Valladolidin në transfertë me ç’rast doli fitues nga udhëtimi i bërë. Dominimi ishte i Nëndetëses së Verdhë.
Angel shënoi i pari (9’) për 1-0, ndërsa Nilmar nga ana tjetër përfundoi takimin pas një ore lojë (59’).
Valencia shënoi gjithashtu fitore të lehtë në Mestalla ndaj Osasunas. Të tre golat e kësaj sfide u shënuan në pjesën e dytë.
Joquain pas shërbimit të Matas (48’) arriti të kalojë në epërsi Valencian, ndërsa David Villa kompletoi fitoren e 16-të të Valencias këtë sezon, me dy golat e tij të shënuar në fund të takimit, njërin një minuta pa përfunduar koha e rregullt, ndërsa tjetrin nga pika e bardhë gjatë lojës shtesë (90’+3).
Birminghami ka ndalur në shtëpi Liverpoolin në një barazim me rezultat 1-1 duke ia vështirësuar Liverpoolit punët për pozitën e katërt.Pjesa e parë ishte tejet e baraspeshuar. Rasti i vetëm në këtë periudhë ishte transversalja e Maxi Rodriguezit.
Në fraksionin e dytë fotografi tjetër. Liverpooli me të filluar pjesa e dytë kalon në epërsi me anë të kapitenit Steven Gerrard (47’).
Nuk kaloi shumë dhe vendasit vunë nën presion Liverpoolin. Pas një harkimi fantastik të McFadden, Ridgwell u gjet më së miri përballë mbrojtjes mysafire për të barazuar shifrat.
Në vazhdim vendasit bënë presion, me Lee Bowyer që dështoi në një situatë të pastër para portierit Reina.
Në minutat e fundit Liverpooli me të gjitha mjetet sulmoi. Maxi Rodriguez dhe David N’gog nuk arritën të shfrytëzojnë dy-tri raste ideale për shënim, duke treguar se N’gog nuk është njeriu i duhur për ta zëvendësuar Torresin.
Pas këtij barazimi, vendi i katërt duket shumë larg Liverpoolit, pasi që ka 55 pikë dhe gjendet në pozitën e gjashtë. Tottenham në pozitën e pestë ka 58 pikë ndërsa City në pozitën e katërt ka 59 pikë, ndërkohë që edhe City edhe Tottenham kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar se Liverpooli.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, shpreson që të realizojë një rikthim shokues duke u paraqitur në sfidën vendimtare ndaj Bayern Munichut, të mërkurën në kuadër të Ligës së Kampionëve.Sunday Mirror shkruan se sulmuesi anglez nuk dëshiron që ta humbasë ndeshjen e vitit dhe është në gjendje të sakrifikojë veten për t’u paraqitur.
Sipas mediave angleze, Rooney do të kërkojë nga Ferguson që ta inkuadrojë në lojë, edhe pse pritet që ky i fundit të mos ia plotësojë dëshirën, pasi që nuk dëshiron ta rrezikojë sulmuesin kryesor.
Rooney ka kohë deri të martën për t’u rikuperuar, nëse deri atëherë nuk përmirësohet gjendja e tij, rikthimi i tij do të jetë vetëm një dëshirë e parealizueshme.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se skuadra e Pep Guardiolas do ta ketë të vështirë ta ndalë sulmuesin e ri Theo Walcott në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve që zhvillohet në Cam Nou.“Ata do të kenë kokëçarje nga Walcott. Jam i lumtur që ai ka pasur një ndikim të tillë në lojën tonë. Ju keni lojtarë të mëdhenj në bankinë dhe harroni ndonjëherë se ndonjëri prej tyre mund të ketë një ndikim të tillë”.
“Theo plotësoi hapësirën. Në pjesën e dytë ne patëm dy herë më shumë pasime se në të parën dhe e mbajtëm më mirë topin, kështu që ne ishim në gjendje më të mirë për të komunikuar me lojtarët anësor. Pa dyshim, mendoj se Barcelona do të ketë punë ekskluzivisht me Theo Walcottin”, tha Wenger.
Portieri holandez i Manchester Unitedit, Edwin Van der Saar, ka harruar shpejtë disfatën ndaj Chelseat për të menduar për ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut, skuadër për të cilën mendon se mund të mposhtet edhe nëse Rooney nuk do të luajë.“Gjëja e vetme që unë di për gjermanët është fuqia mentale, pasi që ata nuk u dorëzuan edhe kur ne ishim në avantazh. Natyrisht, kemi të bëjmë me fuqinë gjermane. Ata janë të fortë fizikisht dhe kanë besim në vetvete, gjë që i mban gjallë shpresat e tyre deri në momentin e fundit”.
“Dhe me një Louis Van Gaal në stol, ata kanë shtuar shumë gjasat për kualifikim, sepse sipas përvojës time unë e di që ai nuk lejon as të vetmin gabim. Ai është njeri për të cilin kam shumë respekt dhe njeri që di se si ta tejkalojë pengesën e quajtur Old Trafford”.
“Por, edhe ne kemi një trajner shumë të mirë. Ferguson e di më mirë se unë se çfarë është duke menduar Van Gaal. Ne e kemi përvojën dhe kualitetin për të tejkaluar Bayernin. Ne do ta mposhtim Bayernin edhe pa Rooneyn”, përfundoi Van der Saar.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, është rikthyer në stërvitje mëngjesin e të dielës me bashkëlojtarët dhe sipas mediave spanjolle, ai është në rrugë të mirë për të luajtur në ‘el Classico’.Iniesta pësoi një lëndim në ndeshjen kundër Mallorcas, që si pasojë pati mungesën e tij në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit. Ai gjithashtu është në dyshim për ndeshjen kthyese ndaj Arsenalit në Camp Nou, por është e sigurt paraqitja e tij kundër Real Madridit në Bernabeu.
Ndërsa sa i përket ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve, Guardiola përballet edhe me mungesa tjera. Gjasat që Ibra të luajë ndaj Arsenalit janë 50-50 pas një zgjatjeje muskulore, kurse Yaya Toure ka dëmtim muskulor dhe është ende në dyshim, ndërkohë që Puyol nuk luan për shkak të suspendimit.
Mbrojtësi i Hamburgbut, Jerome Boateng, është duke e parë veten në mes të një lufte mes Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit, për të siguruar kartonin e tij gjatë afatit kalimtar veror.Spekulohet se ‘qytetarët’ e Roberto Manicit janë në pole pozicion për të transferuar mbrojtësin në top formë, por edhe Ferguson ka shprehur interesim dhe së shpejti do të bëjë një ofertë konkrete.
City është pranë finalizimit të marrëveshjes me Boateng që vlen 11 milionë funte, por mbetet të shihet nëse United do t’ia prishë punët rivalit lokal.
Mesfushori kosovar i West Hamit, Valon Behrami, është pranë rikthimit në Serie A, me skuadrën e Palermos që ka shtuar interesimin për të.Sipas The Mirror, Behrami ishte pranë kalimit në Serie A që në janar, mirëpo ai priti oferta tjera, duke qenë se edhe Stuttgart dhe Manchester Unitedi u treguan të interesuar për shërbimet e tij.
Përkundër paraqitjeve jo të mira të skuadrës së tij aktuale, Behrami ka marrë lëvdata për lojën e tij te skuadra angleze që ka detyruar klubin t’i ofrojë rinovim të kontratës. Sidoqoftë, West Hami është në situatë të vështirë financiare.
Nëse ndodh që West Hami të mos sigurojë qëndrimin në Ligën Premier, një interesim i vogël i Palermos do të mund të lëkundte Behramin për t’u transferuar, duke qenë se gjasat janë të mëdha që Palermo sezonin e ardhshëm të garojë në Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Nemanja Vidic, ka deklaruar se ai do të respektojë kontratën që e sheh atë deri në verën e vitit 2012 në Old Trafford, duke heshtur përfundimisht spekulimet për një largim të mundshëm.Kohëve të fundit ishim dëshmitarë të spekulimeve për një kalim të mundshëm të serbit te Real Madridi apo së fundmi te Milani, spekulime të cilat i hedh poshtë Vidic.
“Kurrë nuk kam thënë se do të transferohem te Real Madridi. Unë do të qëndroj këtu së paku deri në vitin 2012 dhe më pas do të bisedojmë për të ardhmen time”.
“Po kënaqem këtu dhe mendoj se këtë po e tregoj edhe në fushë. Tani për tani, jam i fokusuar në futboll dhe po e bëj më të mirën. Spekulimet e mediave mund të ndikojnë në përqendrim dhe unë nuk dua një gjë të tillë tani”.
“Ndoshta më herët gjatë këtij sezoni, për shkak të disa lëndimeve, njerëzit filluan të thoshin: ‘Ai nuk është i lumtur’, por, asnjë fjalë të tillë unë nuk e kam thënë. Unë do të doja të fitoja katër tituj me radhë në Ligën Premier pasi që askush këtë nuk e ka arritur më parë dhe unë dua të shkruaj histori”, përfundoi Vidic.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, beson se Arsenali mund të mposhtë Barcelonën në ndeshjen kthyese çerekfinale që zhvillohet në Camp Nou.Arsenali do të hyjë në ndeshjen e dytë në Camp Nou me rezultat të barabartë 2-2 nga ndeshja e parë. Topçinjtë do të jenë pa Fabregasin, Arshavinin dhe Gallasin, kurse Barcelona nuk do të mund të llogarisë në Ibrahmovicin që është në dyshim, Puyolin dhe Piquen.
“Ne shfaqëm besim dhe karakter në ndeshjen e parë. Unë mendoj se mund të kualifikohemi më tej. Unë do ta luaj ndeshjen e sezonit në Camp Nou”.
“Barcelona atje ka pësuar tashmë një herë ndaj rusëve të Rubin Kazan dhe ndaj nesh do të jetë pa mbrojtësit kryesorë Puyol dhe Pique”, u shpreh Bendtner.
Sir Alex Ferguson ka caktuar 17 prillin si datën e rikthimit të sulmuesit kryesor Wayne Rooney, pikërisht në derbin e qytetit të Mançesterit, kundër Manchester Cityt.“Unë mendoj se ai do të kthehet pas tri javësh dhe mund të them se ai do të rikthehet ndaj Manchester Cityt. Ai ka kohë ende për të pasur ndikim këtë sezon. Nëse kalojmë Bayernin, ai do të jetë gati për gjysmëfinalet”.
Sipas të gjitha gjasave, Rooney nuk luan ndaj Bayernit, ndeshje në të cilën Manchester United do të hyjë me dizavantash prej 2-1 nga ndeshja e parë.
Kampioni i WBA-së në kategorinë rëndë, David Haye, nuk është duruar madje as një ditë të vetme pa i kërcënuar përsëri vëllezërit Klitschko se do t’i mposhtë ata, në të njëjtën mënyrë siç bëri dhe me John Ruizin.Haye demoloi Ruizin duke e rrëzuar disa herë në tokë dhe duke e detyruar atë të dorëzohet në raundin e fundit. Britaniku beson se nëse edhe vëllezërit Klitschko i godet në të njëjtën mënyrë, atëherë ai do t’i mposhtë ata pa kurrfarë dyshimi.
“Po, unë mendoj se mund t’i mposht ata. Shikoni në kundërshtarët e tyre të fundit, vërtetë të dobët. Eddie Chambers ishte komplet jashtë sistemit (ndaj Wladimirit) dhe ashtu ishte edhe Chris Arreola (ndaj Vitalit). Klitschkot janë turp për boksin. Duhet të hyni si atlet i vërtetë në një meç, të tregoni shpejtësi dhe inteligjencë”.
“Unë mendoj se mund t’i mposht që të dy. Nuk kam dyshime për këtë. Nëse i godas Klitschkot ashtu siç e godita Ruizin, atëherë që të dy to të jenë në tokë”, deklaroi Haye për Sky Box Office.
Sipas mediave në ishull, Arsene Wenger e ka përcaktuar sulmuesin e Bordeaux, Marouane Chamakh, si transferimin e parë gjatë afatit kalimtar veror.Mail on Sunday shkruan se spekulimet për të ardhmen e Chamakh pritet të marrin fund kur sulmuesi algjerian të vendosë përfundimisht kalimin tek Arsenali si transfer i lirë, pasi që kontrata e tij skadon në qershor.
Ky transferim do të pritej mirë në qarqet e klubit londinez e sidomos nga tifozët, të cilët përpos Bendtnerit nuk kanë parë sulmues tjetër startues për shkak të lëndimeve.
Sipas The Mirror, ky transferim do të mund të vihej në jetë, përkundër asaj se sulmuesi i Wolfsburgut ka shprehur hapur dëshirën për të kaluar te Milani, duke mos përjashtuar një transferim në Ligën Premier.
Harry Redknapp është duke planifikuar shitjen e Robbie Keane dhe Roman Pavlyuchenkos, në mënyrë që të krijojë hapësirë për boshnjakun. Sidoqoftë, për të sjellë një sulmues të kalibrit të Dzekos, Tottenhami së pari duhet të sigurojë Ligën e Kampionëve.
Së shpejti në garë për Edin Dzekon pritet të futen Chelsea dhe Manchester City të cilat janë duke e monitoruar situatën që një kohë të gjatë.
Sipas spekulimeve në Itali, mbrojtësi i Tottenhamit, Gareth Bale, është duke u monitoruar nga zyrtarët e Juventusit, të cilët dëshirojnë ta transferojnë atë gjatë afatit kalimtar veror.Drejtuesit nga White Hart Lane kërkojnë hiç më pak se 15 milionë euro për 20- vjeçarin, shumë që nuk do të ishte problem për Juventusin kur dihen problemet e mëdha në mbrojtjen bardhezi.
Por, pengesë mund të jetë pozita e dobët e Juventusit në Serie A, pasi që Bale dëshiron Ligën e Kampionëve dhe nëse ndodh që Tottenhami të sigurojë pozitën e katërt në Ligën Premier, atëherë Juventusi duhet të trokasë në dyert e ndonjë klubi tjetër.
Manchester United është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të sulmuesit të Real Madridit, Karim Benzema, pasi që klubi mbretëror dëshiron që ta lë francezin si huazim në mënyrë që ai të luajë më shumë, gjë që do të ndikonte në uljen e çmimit.Me Gonzalo Higuainin në top-formë, Karim Benzema është tanimë zgjedhja e dytë e Pellegrinit pas transferimit të tij 30 milionësh nga Lyoni verën e kaluar. Atëkohë, Ferguson ofroi 20 milionë euro për francezin, por Reali në fund doli të jetë fitimtar.
Tani Real Madridi është në kërkim të ndonjë klubi të interesuar për ta marrë Benzeman si huazim, por ky fakt mund të ndikojë që United ta transferojë atë në baza permanente për një çmim të ulët.
Edhe Milani ka shprehur interesim për transferimin e Benzemas dhe pritet një luftë Milan – Manchester United për sulmuesin francez.
Piloti i Red Bull, Sebastian Vettel, ka dalë fitues i garës për Çmimin e Madh të Malajzisë që u zhvillua të dielën. Në vendin e dytë është plasuar piloti tjetër i Red Bull, Mark Webber, i cili e filloi garën nga ‘pole position’. Ndërkohë, ngasësi i Mercedesit, Nico Rosberg, ishte piloti i tretë i cili u ngjit në podium.Ishte një dështim për Fernando Alonson, i cili ka dalë nga gara 2 xhiro para përfundimit, derisa shoku i tij te Ferrari, Felipe Massa, arriti të zë vendin e shtatë për t’u përfshirë në rrethin e pikëve.
Ish-kampioni Lewis Hamilton u rendit i gjashti, derisa kampioni në fuqi dhe fituesi i Çmimit të Madh të Australisë, Jenson Button, arriti vetëm pozitën e tetë.
Një ditë jo me fat për shtatëherë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher, i cili ka braktisur garën që në xhirot e para, pas një defekti mekanik në Mercedesin e tij.
Pas kësaj gare, në krye të klasifikimit për pilotët është Massa me 39 pikë duke lënë pas Alonson dhe Vettelin me nga 37 pikë, ndërsa Button është i katërti me 35 pikë. Ndërkohë kreun e klasifikimit të përgjithshëm për konstruktorët e mban Ferrari me 76 pikë, pasojnë McLareni me 66 pikë dhe Red Bulli me 41 pikë.
Sandro Rosell, favoriti për të zëvendësuar Joan Laportan në postin e presidentit blaugran, është në përgatitje të një oferte prej 50 milionë funtesh (56 milion euro) për të transferuar mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas.Rosell do të përdor transferimin e mundshëm të Fabregas si promovim për të siguruar postin e presidentit në zgjedhjet që mbahen në qershor.
Fabregas ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2014. Këtë sezon, spanjolli ka bërë 35 paraqitje për Topçinjtë duke realizuar 19 gola.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri ka thënë se skuadra e tij do të bëjë çmos për të vazhduar me formën aktuale, me shpresë se Interi do të lëshojë pikë edhe pse, sipas tij, kjo gjë vështirë se mund të ndodhë.“Ne do të luajmë pa u penduar se mund të mos fitojmë. Në fund gjithçka varet nga Interi. Ne po luajmë mirë dhe fitoret na japin besim. Ne duhet të vazhdojmë të mendojmë për secilën ndeshje veç e veç, duke i fituar”, ka thënë Ranieri.
Roma gjendet në pozitën e dytë, me një pikë më pak se Interi që është lider, gjashtë javë para përfundimit të Kampionatit italian.
Presidenti blaugran Joan Laporta ka porositur skuadrën e tij që të fokusohet vetëm tek Arsenali dhe të mos mendojë për ‘el Classicon’.“Është fitore e madhe pasi që na jep kurajë para takimit në Ligën e Kampionëve të martën ndaj Arsenalit. Të jesh në gjendje të luash një ndeshje, siç bëmë ne të shtunën, ndaj Athletic Bilbaos që luajti në Evropë, vërtetë është për çdo lëvdatë”.
“Tani duhet të fokusohemi tek Arsenali. Ne do të hyjmë në ndeshjen kthyese me një rezultat pozitiv për ne, por sfida është ende e hapur dhe ka nevojë që ne të japim më të mirën”.
“Nuk, dua të flas e as të mendoj për Real Madridin. Reali mund të mendojë për ‘el Classicon’ që prej të hënës, kurse ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë sepse kemi ndeshje shumë më të rëndësishme. Nuk e di nëse klubi do ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar. Jemi eliminuar nga Copa del Rey, por luajmë në të njëjtin nivel”, ka thënë Laporta.
Sulmuesi suedez i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, mund të mungojë në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve, të cilën Balugranët e zhvillojnë në Camp Nou kundër Arsenalit, pasi ka lënduar këmbën e djathtë para ndeshjes kundër Athletic Bilbaos.Ibrahimovic është dashur të startojë nga fillimi i takimit, por lëndimi i marrë në një stërvitje rutinore para takimit, ka bërë që në vend të tij të startojë Bojan Krkic.
Sipas Marca, Ibrahimovic është në dyshim për të luajtur në sfidën vendimtare të martën ndaj Arsenalit, kurse atij i kanë mbetur vetëm tri ditë për t’u rikuperuar. Nëse mungon Ibra, në sulmin katalunas do të jetë ose Thierry Henry ose Bojan Krkic.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti ka lavdëruar ‘fitoren e rëndësishme’ të ekipit të tij pasi mposhti Manchester Unitedin në Old Trafford me rezultat 2-1.“Nuk e kam parë xhirimin e ngadalësuar të golit të Drogbas. Por unë mendoj se luajtëm shumë mirë në pjesën e parë edhe pse ishte më vështirë në pjesën e dytë. Mendoj se është fitore shumë e rëndësishme për ne, me një paraqitje tejet të rëndësishme. Të fitojmë këtu nuk është lehtë dhe unë mendoj se kryem punën si duhet”.
“Ne patëm kontrollin në pjesën e parë me intensitet, për arsye se nuk jemi në Ligën e Kampionëve, pasi që në Ligën e Kampionëve humbet shumë energji. Synimi ynë ishte që të kemi intensitet në lojën tonë, pasi që në pjesën e dytë, United luajti shumë mirë”.
“Tani jemi në maje të tabelës por kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur dhe ne duhet të luajmë me intensitet dhe të mbesim të fokusuar. Kjo është fitore e rëndësishme por jo vendimtare”, ka thënë Ancelotti për Sky Sports pas takimit.
Fituesi i super duelit ndaj John Ruiz, David Haye, ka deklaruar pas meçit se paraqitja e tij ishte fantastike ndërsa falënderoi tifozët për përkrahjen në MEN Arena të Mançesterit.“Isha mbi hënë, vërtetë jam i kënaqur me këtë që bëra – u ndjeva vërtetë i mprehtë”.
“Kishte shumë fansa këtu. Tifozeria ishte elektrike për mua. Më duket se ishin rreth 20 mijë vetë që thërrisnin emrin tim”.
“Me këso lloj performancash, unë i mbaj fansat prapa meje. Më pëlqeu gjithë kjo që ndodhi”, ka deklaruar Haye pas meçit.
Pas takimit të fituar ndaj Wolverhampton Wanderers në çastet e fundit, menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se kjo ishte shfaqje të fuqisë mentale nga klubi i tij, në kohën kur lufta për titull është nxehur maksimalisht.“Është fitore e rëndësishme, ata kanë një portier të mrekullueshëm. Ata u mbrojtën shumë mirë dhe ne patëm raste të cilat nuk i shfrytëzuam. Sa më shumë kohë që shkonte ata fitonin besim për t’u mbrojtur më mirë për këtë arsye ne është dashur të jemi të durueshëm”.
“Në fund ne i morëm ato tre pikë, por natyrisht kjo ishte pak kohë pas Ligës së Kampionëve”.
“Unë e di që ekipi im kurrë nuk dorëzohet, ju e dini se gjatë sezonit, ne nuk jemi vërejtur gjatë gjithë ndeshjes, jemi mbrojtur por në fund me një harkim triumfonim. Barcelona ka një fuqi fantastike mentale dhe dëshirë të madhe për të luajtur futboll. Në skuadër ka harmoni dhe kjo shfaqet edhe në fushë”, deklaroi Wenger për Sky Sports.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ishte plot buzëqeshje pas fitores së lartë prej 6-1 ndaj Burnelyt, fitore që zhvendosi ‘qytetarët’ në pozitën e katërt.“Jam shumë i lumtur. Ne e filluam ndeshjen shumë mirë dhe shënuam golat shumë shpejtë. Pas asaj, ndeshja përfundoi. Ishte me rëndësi për ne që të fitojmë këtë ndeshje. Ne e kemi ditur që kemi rastin ideal pasi Tottenhami pësoi disfatë”.
“Gjëja më rëndësishme ishte që të startonim mirë në takim. Ne ishim shumë agresivë dhe luajtëm shumë mirë”, u shpreh Mancini.
Skuadra e Juventusit, ka urdhëruar lojtarët dhe stafin që t’i shmangin mediat, pas humbjes turpëruese nga Udinese në Friulli.Disfata e lartpërmendur është e 12-ta për Juventusin këtë sezon, që automatikisht i minimizon gjasat e Bianconerëve për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Zyrtarët, ekipi dhe lojtarët u kërkojnë falje tifozëve, por duhet t’i nënshtrohen një heshtjeje mediatike”, tha zëdhënësi i Juventusit, Gattino.
Tani Juventusi është tre pikë larg Sampdorias dhe Palermos që kanë pikë të barabarta në pozitën e katërt.
Britaniku David Haye, ka mbrojtur titullin e tij në kategorinë e rëndë WBA në MEN Arena të Mançesterit, me një fitore ndaj John Ruizit në raundin e nëntë duke e detyruar atë të dorëzohet pas lëndimeve të marra nga goditjet brutale të tij.Hayes iu deshën vetëm 25 sekonda për ta rrëzuar në tokë John Ruizin, por amerikani nuk u dorëzua dhe u kthye në sfidë. Haye vazhdoi me goditjet e tij, dhe në raundin e gjashtë, kur fytyra e Ruizit ishte plotësisht e demoluar, ky i fundit përsëri u rrëzua, ndërkohë që pësoi ‘knockdown’ edhe në raundin e pestë.
John Ruiz nuk kishte më forcë dhe trajneri i tij e dorëzoi meçin në raundin e nëntë, pas tre rrëzimeve të Ruiz.
David Haye bëhet vetëm njeriu i dytë që mposht Ruizin në 54 ndeshjet e amerikanit. Kjo fitore e Haye i hap rrugë super dueleve shekullore ndaj vëllezërve Klitschko, pasi që Haye shihet si njeriu i vetëm që mund të mposhtë vëllezërit ukrainas.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u shpreh të jetë i zhgënjyer me humbjen ndaj Chelseat, duke akuzuar për një moment arbitrit e takimit, ndërkohë që njëherit thote se Chelsea është favorit për titull.“Chelsea ishte ekipi më i mirë në pjesën e parë pa kurrfarë dyshimi, por në të dytën u përmirësuam dhe ishim të pafat për të marrë së paku një pikë. Ndoshta në Old Trafford ne gjithnjë mendojmë se mund të kthejmë rezultatin dhe ta shpëtojmë takimin. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi sot (e shtunë)”.
“Çfarë nuk mund të kuptoj është gjyqtari anësor, që ishte përballë Drogbas, pa asnjë lojtar pranë tij. Asnjë njeri përpara tij dhe ai e huq këtë pozitë jashtë loje? Vërtetë, ndeshja ishte e një magnitude që pati nevojë për arbitra kualitativë, por sot ata nuk ishin të tillë. Paraqitje shumë e dobët. Kur e pashë që Mike Dean është gjyqtar kryesor më duhet të pranoj se pata dyshime, por njerëzit tjerë duhet ta kritikojnë atë, jo unë”.
“Chelsea është tani favorit, pa kurrfarë dyshimi – me pesë ndeshje të mbetura, dy pikë dhe me katër gola diferencë ata janë para nesh. Ata janë të parët dhe favoritët absolut, pa kurrfarë dyshimi”, deklaroi Ferguson për Sky Sports pas ndeshjes.

Interi mbajti kreun në Serie A pas fitores së lartë ndaj Bolognas dhe njeriu kryesor i fitores, Thiago Motta, është shprehur se skuadra e tij duhet të vazhdojë kështu në mënyrë që ta fitojë titullin.
“Jam i kënaqur, por jo vetëm për golat e mi, por sepse i gjithë ekipi luajti një ndeshje të mirë. Tri pikët ishin me rëndësi për tabelën që gjithashtu na japin besim para ndeshjes kundër CSKA Moskës të martën”.
“Ne duhet të përqendrohemi, sepse Roma dhe Milani janë të fortë. Ne nuk mund të humbasim pikë dhe duhet të shkojmë përpara. Të gjithë duhet të punojnë për të luajtur mirë, ashtu si sot (e shtunë). Secila ndeshje prej tani është si finale”, u shpreh Motta.
“Jam i kënaqur, por jo vetëm për golat e mi, por sepse i gjithë ekipi luajti një ndeshje të mirë. Tri pikët ishin me rëndësi për tabelën që gjithashtu na japin besim para ndeshjes kundër CSKA Moskës të martën”.
“Ne duhet të përqendrohemi, sepse Roma dhe Milani janë të fortë. Ne nuk mund të humbasim pikë dhe duhet të shkojmë përpara. Të gjithë duhet të punojnë për të luajtur mirë, ashtu si sot (e shtunë). Secila ndeshje prej tani është si finale”, u shpreh Motta.
Juventusi është mposhtur me rezultat 3-0 nga Udinese, duke ngecur në luftën për pozitën e katërt të tabelës.Derisa Juve nuk arrin të shënoj fitore, në anën Udinese është forcuar në fund të sezonit në tentim për t’iu shmangur rënies në Serie B, pasi arriti të mposhtë bindshëm Zonjën e Vjetër në fushë vendore.
Alexis Sanchez çoi vendasit në avantazh pas vetëm nëntë minutash lojë. Në minutën e 65-të të ndeshjes Simone Pepe dyfishoi epërsinë për Udinesen ndërsa fitoren e vulosi Antonio Di Natale 13 minuta para fundit të takimit.
Pas humbjes së sotme Juve mbetet në kuotën e 47 pikëve dhe bie në pozitën e shtatë të tabelës, megjithatë jo edhe aq larg pozitës së katërt ku ndodhet Palermo me 51 pikë, sa ka edhe Sampdoria në pozitën e pestë.
Udinese në anën tjetër ngitet në pozitën e 15-të me 35 pikë, katër larg zonës së rrezikut.
















