Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka pranuar për herë të parë këtë fundsezon se skuadra e tij ka gjasa minimale për të triumfuar në Ligën Premier pas barazimit pa gola ndaj Blackburnit.
“Mirë, kjo nuk është ajo që kemi pritur duke parë posedimin e topit që e patëm. Loja e sulmuesve ishte e dobët. Ne i patëm rastet tona në këtë takim dhe nuk mendoj se ata kanë pasur ndonjë rast gjatë ndeshjes”.
“Ewood Park është impiant i vështirë për të gjithë jo vetëm për ne, edhe pse kemi mundur të fitojmë. Kjo është goditje e rëndë pa kurrfarë dyshimi, na bën më të vështirë triumfin në kampionat tani. Ky është rezultat fantastik për Chelsean, sepse ata do të jenë të kënaqur edhe me ndeshjen e të martës ndaj Boltonit, të cilën pritet ta fitojnë”.
“Mirë, tani titulli na iku nga duart sepse rezultatin nuk e morëm sot, na nevojitej fitorja. Chelsea është një pikë para nesh me një ndeshje më shumë kështu që nëse fiton do të jetë katër pikë, një epërsi e madhe”, deklaroi pas ndeshjes Fergie.
Cristiano Ronaldo edhe pas turpërimit në ‘el Classico’ assesi nuk mund të pajtohet se skuadra e tij është n një nivel më i ulët se Barcelona, duke thënë me siguri të madhe se Reali mund ta fitojë La Ligan.
“Barcelona luajti në një nivel më të lartë se ne, por ne ishim kryelartë, sepse kemi edhe shtatë ndeshje të mbetura”.
“Derisa kemi gjasa matematikore, jam i bindur se do ta fitojmë La Ligan. Ne duhet të besojmë se ajo është e mundshme. Unë jam profesionist dhe nuk dorëzohem lehtë”.
“Kurrë nuk është mirë të humbasësh, por duhet ta kemi të qartë se duhet të mësojmë nga kjo humbje. Shpeshherë ju humbisni, shpeshherë fitoni, por le të shohim çfarë do të ndodhë në fund”, deklaroi Ronaldo.
Claudio Ranieri - Roma Pasi që pa skuadrën e tij të ngjitej për herë të parë pas një kohe të gjatë në pozitën e parë të Serie A, trajneri i Romës, Claudio Ranieri, u shpreh se skuadra e tij duhet të vazhdojë kështu dhe të jetë e kujdesshme nga rivalët në vazhdim të kampionatit.
“Kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur dhe ne duhet t’i marrim një nga një me kujdes të plotë. Tani gara për Scudetto është në duart tona dhe ne duhet të mbesim të fokusuar për secilën ndeshje”.
“Ne ia vështirësuam vetes punët në pjesën e dytë kur kemi mundur ta përfundojmë takimin. Tani duhet të përgatitemi për derbin e javës së ardhshme. Lazio është në formë të mirë dhe duket se do të jetë ndeshje e madhe”, deklaroi Ranieri.
Fredrique Piquionne dhe Kevin Prince Boateng festojnë golin e parë të Portsmouth. Portsmouthi do të jetë kundërshtari i Chelseat në finale të FA Cup, pasi e ka eliminuar Tottenhamin me rezultat 2-0.
Koha e rregullt e takimit përfundoi pa gola, ashtu që u desh të zhvilloheshin vazhdimet për të caktuar fituesin.
Në vazhdime, Portsmouthi u tregua skuadër më e mirë duke realizuar dy herë, me anë të Frederic Piquionne (99’) dhe Kevin-Prince Boateng nga pika e bardhë (117’), për të siguruar finalen e Wembleyt kundër skuadrës së Carlo Ancelottit.
Alberto Aquilani dhe portieri Mark Schwarzer. Liverpooli nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një pikë në takimin e zhvilluar në Anfield ndaj Fulhamit duke zvogëluar maksimalisht gjasat për pozitën e katërt.
Gjatë gjithë takimit, Liverpooli shkeli mysafirët e Fulham, të cilët nuk patën madje as një goditje jashtë kornizave.
The Reds përkundër përpjekjeve të mëdha nuk arritën të mposhtin portierin Shwarzer që ishte në formë të jashtëzakonshme në këtë takim.
Dygolësh i Marco Borriellos. Milani nuk ka arritur të mbajë hapat me liderët, kur barazoi kundër Catanias në San Siro në një ndeshje jashtëzakonisht dramatike.
Pjesa e parë u takoi plotësisht mysafirëve nga Sicilia. Pas një pasimi fantastik të Ledesmas, Maxi Lopez lehtë shënoi në këndin e poshtëm të Didas (13’) për 1-0.
Dy minuta para se të përfundojë pjesa e parë (43’), Maxi Lopez shërben në mënyrë maestrale Ricchuitin që shënoi me kokë në portën e Didas.
Pjesa e dytë ishte kontrast i të parës. Marco Boriello shënoi tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë (48’) për ta zvogëluar epërsinë.
Në 15 minutat e fundit të takimit ndeshja ishte tejet dramatike. Marco Boriello shënoi për 2-2 pas një harkimi fenomenal të Ignazio Abates. Deri në fund Rossonerët tentuan të shënojnë për fitore, por Inzaghi nuk u tregua i saktë para portës duke humbur një rast të volitshëm pak para fundit.
Milani me këtë barazim mund të thuhet se ka humbur gjasat për titull duke marrë parasysh Romën që gjendet në pozitën e parë me katër pikë më shumë dhe Interin në pozitën e dytë me tre pikë më shumë se Rossonerët.
Giorgio Chiellini shënoi golin e fitores. Juventusi ka arritur që në fushë të vet të shënojë fitore minimale, por shumë të rëndësishme ndaj mysafirëve të Cagliarit.
Takimi ishte i baraspeshuar nga fillimi, por ishte kryesisht nën kontrollin e Bianconerëve.
Goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga Giorgio Chiellini që me kokë paraboloi portierin Marchetti (35’).
Me këtë fitore Juventusi vazhdon luftën për pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve me 51 pikë në pozitën e pestë, me tre më pak se Palermo në pozitën e katërt dhe me pikë të barabarta me Sampdorian që në ora 20:30 zhvillon derbin lokal me Genoan.
Simone Perrota e Marco Cassetti festojnë golin e dytë. Me fitoren prej 2-1 kundër Atalantas, Roma është ngjitur, për herë të parë këtë edicion, në maje të Kampionatit italian.
Mirko Vucinic kaloi Giallorossët në epërsi (12’), ndërsa Marco Cassetti dyfishoi epërsinë (27’), për të dërguar skuadrat në pushim me rezultat 2-0 në favor të vendasve.
Në pjesën e dytë, Simone Tiribocchi ngushtoi epërsinë në 2-1 (53’), për t’i dhënë shpresë skuadrës së tij për një pikë eventuale.
Mirëpo, deri në fund të takimit mysafirët nuk arritën të shënojnë, ashtu që largohen nga kryeqyteti kokulur.
Me këtë fitore, Roma mban kreun e Serie A me një pikë më shumë se lideri i deritanishëm, Inter, që të shtunën barazoi kundër Fiorentinas.

Sulmuesi i United, Dimitar Berbatov. Blackburn Rovers ka arritur të ndalw në një barazim pa gola kampionin e Anglisë, Manchester United, në Ewood Park.
Pjesa e parë u takoi plotësisht Djajve të Kuq, por nuk ishin efikas sa duhet. Valencia pati rastin më të mirë kur vetë me portierin Robinson nuk arriti ta kalojë në epërsi skuadrën e tij.
Fillimi i pjesës së dytë i takoi vendasve të cilët patën posedimin dhe iniciativën. Sidoqoftë ata nuk ishin të saktë ndërsa nga ana tjetër fundi i takimit i takoi Unitedit që nuk arriti të shënojë dot gol. Madje United ka mundur të dal me disfatë nga Eëood Park nëse Kalinic dhe Hadji Diouf do të konkretizonin aksionin e fundit.
Me këtë barazim Manchester United ia minimizon vetes gjasat për të fituar titullin pasi që ka 73 pikë, dy më shumë se Arsenali që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Nga ana tjetër United ka një pikë më pak se lideri Chelsea që gjithashtu ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Fernando Torres Juventusi mendohet se ia ka bërë tashmë ofertën Rafa Benitezit për të ardhur në Olimpico të Torinos, me ç’rast ai me vete do të merrte Fernando Torresin dhe Javier Mascheranon.
Sipas The Sunday Times, gjiganti italian besohet se tanimë kanë bindur spanjollin Benitez për t’u larguar nga Anfield duke sjellë dhe lojtarët e tij të preferuar për të bërë revolucion në sezonin e ardhshëm.
Ashtu si Liverpooli, edhe Juventusi ka pasur probleme këtë sezon si në rang vendor ashtu dhe në atë evropian.
Pas spekulimeve në janar për kalimin e Benitezit te Juventusi, duket se tani kjo do të bëhet realitet për shkak se buxheti i transferimeve te Juvja këtë verë është i lartë. Mbetet të shihet nëse Torres dhe Mascherano do të binden për t’u larguar nga Anfield.
Legjenda holandeze Marco Van Basten ia ka tërhequr vërejtjen Wayne Rooneyt se është duke e rrezikuar karrierën duke luajtur i lënduar ashtu siç bëri ndaj Bayern Munichut.
“Kur e pashë Rooneyn duke çaluar ndaj Bayernit në minutat e para, unë jam lutur që ai të zëvendësohej. Nuk më besohet ende se si një njeri si Sir Alex Ferguson, menaxher të cilin e respektoj, nuk e nxori nga loja”.
“Unë kam qenë në pozitën e Rooneyt. Unë e di se si është ajo ndjenjë. Nëse nyja juaj është e dëmtuar atëherë ju përfshiheni në një duel tjetër të ashpër dhe zgjeroni dëmtimin. Nëse zgjerohet dëmtimi është keq sepse sulmuesi nuk duhet të ndjejë dhimbje, nëse dëshironi që ai të luajë. Unë e kam parë çdo hap që e bënte Rooney në fushë”, deklaroi Van Basten për The Mirror.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, mendon se fakti që asnjë klub anglez nuk gjendet në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve mund të ndikojë pozitivisht që Anglia të fitojë Kampionatin Botëror.
“Ne mund të nxjerrim një fakt të fortë pozitiv nga eliminimi i skuadrave angleze prej Ligës së Kampionëve këtë sezon. Është zhgënjyese që asnjë klub anglez nuk do të jetë në finale, sepse është ndeshja më e madhe që mund ta luash për klubin. Por, Anglia luan ndaj Austrisë më 17 maj dhe finalja është pesë ditë më vonë”.
“Nëse ndonjë prej ekipeve tona do të shkonte në finale atëherë skuadra do të kishte disa mungesa të rëndësishme në fazën më të madhe përgatitore. Tani të gjithë jemi së bashku dhe do të krijojmë një terren tejet të fortë për njëri tjetrin. Jam i sigurt se nga kjo perspektivë zotëri Capello është tejet i lumtur”, deklaroi Terry.
Manchester City besohet se do të arrijë të finalizojë një transferim sensacional- mesfushorin e Arsenalit, Cesc Fabregas, i cili është njëri nga lojtarët që kërkon City.
Spekulohet se pronari i Cityt, Sheikh Al Mansour, ka dhënë dritën e gjelbër për transferimet e dëshiruara nga Roberto Mancini. Lista e Mancinit përfshin lojtarë si Fabregas, Torres dhe Ibrahimovic, për të cilët pronari ka dhënë garanci se do t’i transferojë nëse City përfundon në pozitën e katërt.
Fabregas është në krye të listës së mesfushorëve të Mancinit, në të cilën gjenden dhe David Luiz, Angel Di Maria dhe Jerome Boateng, përkundër interesimit të Barcelonës për ta rikthyer Fabregasin në vendlindje.
Mario Balotelli është gjithashtu një emër i përfolur për t’u ribashkuar me njeriun që e solli në botën e futbollit, pas acarimeve me Mourinhon.
Mbetet të shihet nëse Manchester City do të arrijë të bindë Arsenalin për futbollistin kryesor të skuadrës, ashtu siç bëri për Kolo Touren dhe Emmanuel Adebayorin.
Sipas të përditshmes nga Firence, “La Nazione”, gjiganti spanjoll Real Madrid do të bëjë një ofertë të parefuzueshme për Fiorentinan, në mënyrë që anësori Juan Manuel Vargas të transferohet në Bernabeu.
Vargas është në radarin e Real Madridit që një kohë të gjatë dhe Los Blancos pritet të bëjnë hapat konkretë duke ofruar hiç më pak se 22 milionë euro për reprezentuesin peruan.
Vargas ka këmbëngulur në të kaluarën se nuk do të lëkundet nga interesimi i skuadrave të mëdha.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ishte tej mase i zhgënjyer me humbjen turpëruese të skuadrës së tij në Bernabeu.
“Ndjehem i frustruar dhe i pafuqishëm. Ne kemi mundur të bëjmë më shumë. Barcelona nuk ishte si në ndeshjet tjera, por ajo shënoi e para dhe kjo e bëri më të fortë. Ne jemi në gjendje për më shumë se saqë kemi treguar”.
“Ne jemi ekip i njëjtë ashtu siç kemi luajtur kohëve të fundit, por ndaj Barcës ne nxituam së tepërmi. Në fund humbëm ndaj një ekipi superior”.
“Kanë mbetur edhe 21 pikë për të cilat duhet luftuar dhe ne nuk do të dorëzohemi. Ne do ta detyrojmë Barcelonën t’i fitojë ndeshjet. Ata e kanë gjithashtu Ligën e Kampionëve. Nëse bëjmë presion ne kemi gjasa”.
“Është humbje e rëndë kjo, por është dhe një rrugë e gjatë deri te titulli. Nuk mendoj se sot është kurorëzuar kampioni i Spanjës”, deklaroi Pellegrini.
Sipas “The Daily Mail”, Manchester Unitedi ka hequr dorë nga transferimi i sulmuesi i Valencias, David Villa, gjatë afatit kalimtar veror për shkak të kërkesave astronomike të spanjollit.
Villa kërkon pagë javore prej 200.000 funtesh, që përafërsisht i bie rreth 10 milionë funte në sezon, që do ta bënte atë njërin nga futbollistët më të paguar.
Kjo dhe kërkesat tjera të Valencias, që kërkon mbi 40 milionë funte për Villan, besohet se i kanë detyruar Djajtë e Kuq të heqin dorë përfundimisht nga njeriu që shënoi 20 gola këtë sezon.
Spekulohet se borxhet e mëdha të Los Che prej 600 milionë eurosh do të detyrojnë Valencian të shesë lojtarët më të mirë. Kështu, kjo lëvizje e fundit e United ka alarmuar sigurisht Barcelonën dhe Real Madridin që janë në kërkim të Villas që një kohë të gjatë.
Pep Guardiola është shprehur se fitorja prej 2-0 ndaj Real Madridit ishte fantastike por që është arritur me kurajë dhe zemër.
“Ne erdhëm nga pozita e dytë për t’i mposhtur liderët dhe ne kemi fituar një ndeshje tejet të rëndësishme. Ne jemi të kënaqur, shumë të lumtur. Është fitore e madhe, pasi që kemi bërë një hap të rëndësishëm edhe pse kanë mbetur dhe 21 pikë për t’u luajtur”.
“Ne kemi studiuar shumë ndeshje të Realit dhe e kemi parë që është tmerrësisht i rrezikshëm në kundërsulme. Ne ishim të ngurtë dhe fusha ishte e rrëshqitshme në fillim, por goli na qetësoi dhe më pas e patëm kontrollin e topit”.
“Na është dashur zemër dhe kurajë që të fitojmë këtu pasi që askush nuk e kishte bërë më parë këtë sezon në këtë impiant. Ata kanë thellësi në lojën e tyre dhe është një ekip që ka një mesatare prej tre golash për ndeshje. Reali është ekip i frikshëm, por sot, ata kanë pasur vetëm një ose dy raste të cilat u krijuan pasi ne humbëm topin”.
“Puna që ka bërë Pellegrini në kampionat është tej mase e mirë. 77 pikë janë të jashtëzakonshme. Unë i dëshiroj atij çdo të mirë edhe nëse ai vazhdon apo nuk vazhdon të jetë më trajner i Real Madridit”, përfundoi Guardiola.
Arsenali do të duhet të luftojë me Manchester Unitedin për të siguruar firmën e njërit prej portierëve më të mirë në botë, atë të Fiorentinas, Sebastien Frey.
Sipas News of the World, interesimi i skuadrave u rrit dukshëm pas eliminimit të tyre nga Liga e Kampionëve. Manuel Almunia ka çaluar atëherë kur i nevojitej më shumë Wengerit dhe për këtë arsye ai dëshiron ta zëvendësojë atë me një portier të klasit siç është Frey.
Sidoqoftë, Sir Alex Ferguson është gjithashtu në treg kur dihen kërkimet e tij për pasuesin e Van der Saar. Përkundër asaj se Wenger e mbrojti Almunian dhe qëndrimin e tij në Emirates, një portier i ri për ta forcuar Arsenalin për sezonin e ardhshëm duket të jetë prioritet i Arsenalit.
Nëse ndodh që Arsenali të transferojë Sebastien Frey nga Fiorentina, atëherë ky do të duhej të ishte transferi i dytë gjatë verës kur dihet se edhe Marouane Chamakh në rrugë për në Emirates.
Rafael Benitez ka deklaruar se Liverpooli duhet të blejë më shumë se tre ose katër lojtarë gjatë afatit kalimtar veror, një lëvizje që, sipas tij, do të kushtonte rreth 60 milionë funte.
“Nëse analizoni se çfarë kanë thënë Torres dhe Carragher, atëherë do të kuptoni që ata folën për tre ose katër lojtarë të rinj sezonin tjetër”.
“Nuk ka lidhje nëse janë katër ose pesë, tre ose pesë. Çmimi i një top-lojtari është rreth 20 milionë funte. Kështu, llogaritni shumën e përgjithshme nëse dëshirojmë tre ose katër lojtarë”.
“A më nevojiten katër lojtarë të rinj? Po, unë mendoj kështu. A do të duhet të shes ndonjë për të rritur buxhetin? E them përsëri, varet. Ne duam të ruajmë lojtarët që i kemi tani ashtu siç kemi bërë në të kaluarën. Shpeshherë duhet të shitni tre ose katër lojtarë të cilët nuk luajnë rregullisht”, deklaroi Benitez.
Drejtori sportiv i Real Madridit, Jorge Valdano, ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj Barcelonës në ‘el Classico’ përkundër asaj se Blaugranët i dhanë një mësim Merengezëve të shtunën mbrëma.
“Ne duhet të mbajmë qetësinë. Ne duhet të dimë çfarë të bëjmë me shtatë ndeshjet e mbetura dhe të luftojmë deri në fund. Shtatë ndeshje më parë, Barcelona ishte pesë pikë para nesh dhe ne ishim në gjendje për të zvogëluar atë dizavantazh. Tani shpresojmë për një rast të dytë”.
“Tifozët janë të zhgënjyer. Edhe njëherë i falënderoj tifozët që qëndruan prapa skuadrës. Nuk mund të flas keq për ekipin pasi që luftoi deri në fund”, u shpreh Valdano pas sfidës.
Fitorja e Barcelonës ndaj Real Madridit në ‘el Classicon’ numër 160-të ua ka rritur dukshëm gjasat për titull Blaugranëve, ndërsa i të njëjtit mendim është dhe futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi.
“A e kemi fituar titullin ? Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Ne kemi disa ndeshje të vështira në udhëtim, por po, ne kemi bërë një hap të madh dhe jemi shumë pranë titullit me këtë fitore”.
“Ishte ndeshje e mbyllur për arsye se ekipet respektojnë njëra-tjetrën shumë, ne e njohim mirë njëri-tjetrin dhe për këtë arsye ekzistoi respekt i madh. Ne i patëm rastet dhe i shfrytëzuam, për këtë arsye dhe kemi fituar”.
“Unë kundër Ronaldos? Nuk ishte për atë, ju lutem, Barca ishte superiore ndaj Real Madridit dhe kjo vlen më shumë. Ne morëm tri pikë tejet të rëndësishme këtu. Ne jemi në krye të kampionatit dhe kemi gjasa të mira për të shkuar kështu deri në fund”.
“Liga e Kampionëve? Le të shkojmë hap pas hapi. Ne mund të shkruajmë më shumë histori, shumë më shumë nëse na vjen përpara rrugës, por duhet të vazhdojmë të punojmë shumë”, deklaroi Messi pas ‘el Classicos’.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra, pohon se skuadra për të cilën luan ai mund ta fitojë Ligën Premier pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
“Kurrë nuk e kam pritur të eliminohemi në atë mënyrë. Por nëse jemi eliminuar kjo është për shkak se nuk e merituam. Shoh shumë njerëz që fajësojnë Rafaelin por nuk e besoj atë. Ai është lojtar i ri. Në rregull, ai u përjashtua, por United mund të fitojë ndeshje edhe me 10 lojtarë. Duhet të fajësohet ekipi për eliminimin”.
“Liga Premier? A mund të fitojmë pesë ndeshje me radhë? A është e vështirë kjo? Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se mund ta bëjmë këtë, por vetëm nëse luajmë mirë dhe tregojmë shpirt. Kur United luan me shpirtin e duhur atëherë s’ka kush të na mposhtë”, tha Evra.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, beson se paraqitja e skuadrës së tij në pjesën e dytë ndaj Aston Villas në gjysmëfinalen e FA Cup ishte vendimtare që Blutë të kalojnë në finalen e garës.
“Pas pjesës së parë ne thamë se ende nuk kemi filluar si duhet. Besimi erdhi pas golit të parë dhe ne e merituam në fund”.
“Mund të fitojmë dy tituj edhe FA Cup edhe Ligën Premier. Do të jetë e vështirë por do ta bëjmë këtë”, deklaroi Lampard.
Chelsea ka rastin ideal për të rifituar titullin e FA Cup pasi që në finale pret fituesin e duelit Tottenham – Portsmouth, duel që zhvillohet të dielën në Wembley.
Me trajnerin Jose Mourinho që ende vazhdon të injorojë mediat italiane, drejtori i zikaltërve Marco Branca foli në emër të Interit duke deklaruar pas barazimit të dobët ndaj Fiorentinas se Interit nuk i intereson aspak Roma që të dielën luan kundër Atalantas.
“Ne gjithnjë tentojmë të japim maksimumin në secilin takim”.
“Neve nuk na intereson se çfarë rezultati do të arrijë nesër Roma ndaj Atalantas. Ndaj Fiorentinas, skuadra bëri gjithçka të mundur për fitore dhe fatkeqësisht nuk ishte e mjaftueshme në fund. Mendoj se kjo paraqitje e dobët nuk është shpagim i lodhjes në Ligën e Kampionëve”.
“Heshtja e Mourinhos? Nuk mund të detyrojmë atë sepse ai i merr vendimet dhe ne i respektojmë”, theksoi Branka për Sky Sport Italia.
Pedro dhe Messi duke iu gëzuar golit të dytë Barcelona ka treguar se pse është kampion i Spanjës, Evropës dhe Botës, pasi mposhti me rezultat 2-0 në Santiago Bernabeu rivalin e përjetshëm, Real Madridin, duke bërë një hap të madh drejt mbrojtjes së titullit.

Pjesa e parë

Ndeshja filloi në mënyrë të baraspeshuar me të dyja ekipet që patën rastet e veta. Reali fillimisht tentoi të shënojë me disa depërtime të shpejta të Ronaldos, por nuk arriti të konkretizojë. Marcelo po ashtu dy herë pati iniciativa në drejtim të golit të Victor Valdes, por njëri prej tyre u keqpërdor nga Xabi Alonso dhe tjetri u asistua gabimisht, kur braziliani pati mundësinë të godasë në drejtim të portës.

Barcelona patin rastin e parë më të mirë në ndeshje, me Messi që u faullua në zonën e rreptësisë, por me arbitrin kryesor Mejuto Gonzales që ngurroi të tregojë në pikën e bardhë (12’). Por, në minutën e 33-të të ndeshjes blaugranët bënë një aksion të shkëlqyeshëm, kur Xavi pasoi një top për lojtarin më të mirë në botë, Lionel Messi, që nuk fali nga afërsia.

Messi duke festuar golin e parë të ndeshjes
Pjesa e dytë

Duke mos pasur çfarë të humbasin, mbretërit e filluan më me intensitet pjesën e dytë të takimit, por Valdes arriti të mbrojë goditjet nga Marcelo (51’) dhe Ronaldo (55’).
Në anën tjetër blaugranët shfrytëzuan kundërsulmet për të shtuar epërsinë në 2-0 pas gati një ore lojë (59’). Një asistim i shkëlqyeshëm nga Sergio Busquets dërgoi topin te sulmuesi Pedro Rodriguez, i cili i gjendur ballë për ballë me portierin Iker Casillas u gjend më së miri.
Pedro dhe Messi duke iu gëzuar golit të dytëReali pati disa raste të mira më pas me anë të Gago (58’) dhe Rafael van der Vaart (59’), por që të dyja goditjet u ndaluan nga njëshi i Barcelonës.
Ronaldo goditi murin e gjallë gjatë një goditje e lirë jo larg golit (63’), ndërsa një tjetër goditje të lirë më vonë e dërgoi në duart e Valdes (65’). Portugezi po ashtu pati një rast të mirë shënimi gjatë një kundërsulmi, por goditja e tij u mbrojt edhe një herë nga Valdes (68’), që shumë shpejt më pas i mohoi një goditje edhe Gutit (69’).
Të fokusuar në sulm lojtarët e Realit harruan mbrojtjen, duke iu dhënë mysafirëve raste të kërcënojnë me kundërsulme. Messi pati një rast tjetër shënimi (71’), por u ndalua nga portieri Casillas. Argjentinasi më vonë (78’) pranoj një top tjetër të shkëlqyeshëm, por keqpërdori edhe këtë rast.
Ndeshja vazhdoi me disa aksione më të ngadalshme, por nuk solli asgjë shënim tjetër, përveç një goli të shënuar nga Raul, por të anuluar paraprakisht për shkak të prekjes me dorë (86’).
Me fitoren e sotme, Barcelona merr kreun e tabelës me tre pikë epërsi ndaj Real Madridit, dhe ka shansin më të mirë për të fituar kampionatin dhe për të mbrojtur titullin e kampionit të Spanjës.