Sulmuesi i Togos dhe Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren togoleze.26- vjeçari është paraqitur 38 herë për kombëtaren e tij dhe ka shënuar 16 gola. Por, tani Adebayor ka vendosur t’i japë fund lojës me kombëtaren, pas ngjarjeve tragjike që ndodhën para fillimit të Kupës së Kombeve të Afrikës, kur autobusi i kombëtares togoleze ishte cak i një sulmi terrorist.
“Pas ngjarjeve tragjike të janarit gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës, në të cilën dy prej bashkëlojtarëve të mi ishin vrarë nga terroristët në Angola, unë kam marrë vendimin e vështirë për t’u pensionuar nga kombëtarja”, thotë një komunikatë e Adebayor në faqen zyrtare të Manchester Cityt.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, është shprehur pas ‘el Classicos’ se ai u kënaq me skuadrën e Barcelonës dhe me atë që pa në ndeshjen e zhvilluar në Bernabeu.“Nëse flasim me shifra, ne mund të llogarisim se ishte vetëm një ndeshje nga shtatë të mbetura dhe nëse mendojmë kështu, atëherë Reali do të jetë në gjendje ta përballojë presionin”.
“Do të ishte e padrejtë të mos përgëzonim intervenimet e Victor Valdesit, pasimet e Xavit dhe golat e Messit dhe Pedros. Gjëja më e mirë për ekipin ishte se të gjithë ishin të mirë dhe ekipi përfitoi. Ata ishin perfektë”.
“Reali është ekip shumë më i mirë se vitin e kaluar edhe pse pritjet janë të mëdha pas investimeve që bënë. Kur një ekip luan në bashkësi, atëherë ekuilibri në mesfushë mund të dominojë. Në këtë aspekt, Xabi Alonso atë mbrëmje ishte i larg i vetmuar”, përfundoi Cruyff.
Ndihmës-menaxheri i Manchester Unitedit, Mike Phelan, ka thënë se skuadra duhet që urgjentisht të tregojë se di të luajë edhe pa Wayne Rooneyn.“Ne nuk duhet të qëndrojmë kështu në këtë situatë pa Rooneyn. Wayne Rooney po kalon një sezon të jashtëzakonshëm. Ne nuk mund ta mohojmë këtë. Por, ky është Manchester United. Ne kemi shumë lojtarë tjerë kualitativ në skuadër”.
“Ndodh që të humbisni lojtarët më të mirë. Kur kjo ndodh, të tjerët duhet të vihen në front dhe të tregojnë kalibrin se pse luajnë për këtë klub. Tre ndeshjet e fundit nuk shkuan siç dëshiruam por duhet të jemi të qetë. Titulli nuk është në duart tona, që është zhgënjyese sepse jemi mësuar ta kemi situatën nën kontroll”.
“Por, nuk ka përfunduar asgjë, kanë mbetur dhe shumë ndeshje për t’u luajtur”, ka thënë Phelan për BBC.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ishte pa fjalë kur kishte të bëjë me sulmuesin e ri Pedro, duke thënë se ai i ka tejkaluar pritjet për të.“Ai është i pabesueshëm. Ne të gjithë e dinim se ai është lojtar kualitativ dhe se ai është mjaft i mirë për ekipin e parë, por ai po ofron më shumë se që kemi paramenduar”.
“Nuk kam fjalë për këtë djalosh dhe atë çfarë ka bërë ai këtë sezon. Ne jemi të kënaqur me paraqitjet e tij dhe unë vetëm shpresoj se ai do të vazhdojë kështu siç ka bërë deri tani”, u shpreh Guardiola.
Nicklas Bendtner beson se rikthimi i sulmuesit më të mirë të Arsenalit, Robin Van Persie, është shtytje e madhe për ekipin kur dihet faza në të cilën gjenden Topçinjtë.Holandezi Van Persie do të paraqitet ndaj Tottenhamit të mërkurën në White Hart Lane, por vetëm nga banka rezerviste.
“Kur luani për një top-klub atëherë ju dëshironi konkurrencë të fortë dhe kjo është ajo që kemi këtu”.
“Do të jetë mirë që Van Persie të rikthehet. Ai ka pësuar një lëndim të rëndë dhe iu desh kohë e madhe për t’u rikthyer. Ai ndoshta nuk është në formën më të mirë sepse i duhet kohë për këtë, por rikthimi i tij është shtysë e madhe për ekipin”, përfundoi Bendtner.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka deklaruar se Manuel Pellegrini është i paprekshëm në stolin e Realit.“Është normale dhe logjike që tifozët të jenë të frustruar për shkak të pritjeve që ka gjeneruar ekipi i Pellegrinit pasi që ne e duam La Ligan. Është evidente që rezultati nuk është ai që dëshiruam, por La Liga ende nuk ka mbaruar”.
“Dua të jem i qartë, as klubi, as trajneri e as ekipi nuk do të dorëzohen. Janë edhe 21 pikë për t’u fituar dhe nuk do të ishte etike që të dorëzoheshim. Reali kurrë nuk humb shpresën dhe La Liga ende nuk është e humbur”.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka deklaruar se Nerazurrët mezi presin të takohen me Barcelonën, për ta eliminuar atë dhe për të përfunduar tabunë e titujve në garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.“Interi është ekip i mrekullueshëm, të cilit i ka munguar suksesi në Evropë qe një kohë të gjatë. Tifozët e duan këtë titull dhe ne jemi të detyruar të luajmë mirë. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne do të bëjmë më të mirën për t’u kualifikuar në finale”.
“Messi është numri një, ai vërtet nuk ka të ndalur. Është mirë të luash përkrah me të me Argjentinën, më ndodhi në Poloni, ishte kënaqësi. Ai u rrit, si lojtar ashtu dhe si njeri. Në Argjentinë, pritjet janë të mëdha nga ai për Kampionat Botëror dhe ai po mësohet se si ta menaxhojë presionin”, deklaroi Milito.
Maestro i mesfushës blaugrane, Xavi Hernandez, ka lavdëruar Pep Guardiolan për punën e tij me skuadrën dhe ka shtuar se falë tij, Barcelona ka një mentalitet fitues në Bernabeu, kur dihet se finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet pikërisht në Bernabeu.“Nuk kemi frikë tani nga Bernabeu. Gjithë kjo falë trajnerit tonë Pep Guardiola që është vendimtar kur tregon se si të shkohet në sulm. Diferenca bëhet nga Guardiola, pasi që më herët shkonim në Bernabeu të frikësuar duke shpresuar për të mos pësuar”.
“Të dalësh nga Bernabeu si fitues është një ndjenjë e mrekullueshme. Ne e patëm besimin dhe euforinë, pasi që fituam një ndeshje të tillë. Unë e paramendoj zhgënjimin e tyre”.
“Messi, definitivisht është futbollisti më i mirë në botë”, përfundoi Xavi.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka deklaruar se skuadra e tij do të bënte gabim të madh nëse do të mendonte të dorëzohej në garën për titullin e La Ligas, pasi që kanë mbetur edhe 21 pikë për të cilat duhet luftuar.“Ne do të vazhdojmë të luftojmë, sepse do të ishte gabim të dorëzohemi për La Ligan. Ne do të luftojmë deri në fund. Ne nuk do ta lëmë dhe aq lehtë, pasi që kanë mbetur edhe 21 pikë për t’u fituar”.
“Ne nuk besojmë se pësuam disfatë pas golit të parë. Barcelona shfrytëzoi rastet dhe detajet e vogla bënë diferencën”, tha Sergio Ramos.
Sulmuesi i Juventusit, Carvalho Amauri, tani e tutje mund të luajë për kombëtaren e Italiasë, pasi që ka fituar nënshtetësinë italiane, njofton Sky Sport Italia.Tani shtrohet pyetja nëse ai do të jetë pjesë e kombëtares Azzure për Kampionatin Botëror në qershor. Vetë sulmuesi me origjinë braziliane shprehet të jetë mjaft i lumtur që fitoi nënshtetësinë.
“Jam shumë i lumtur sepse sot merr fund një rrugëtim që filloi një vit më parë. Unë gjithnjë kam dashur ta përjetoj këtë ditë. Është emocion tjetër të luash për kombëtaren, por Lippi do të mendojë për këtë. Unë duhet të fokusohem te Juventusi dhe Lippi bën zgjedhjet e tij. Jam i lumtur për pasaportën e re”, deklaroi Amauri.
Jose Mourinho, Rafa Benitez, Carlo Ancelotti, Fabio Capello dhe Luiz Felipe Scolari, janë emrat në listën e shkurtër të Real Madridit për të zëvendësuar Manuel Pellegrinin.Është e përditshmja sportive madrilene Marca ajo që ka publikuar këtë listë të shkurtër të top-trajnerëve për postin e Realit dhe pos kësaj ka vënë një sondazh mbi suplementin e publikuar.
Në sondazh nuk është futur Manuel Pellegrini, gjë për të cilën protestuan shumë tifozë të Realit të cilët ende e dëshirojnë kilianin në stolin e Realit, përkundër zhgënjimit në Ligën e Kampionëve dhe disfatës turpëruese në ‘el Classico’.
Në sondazh prijnë trajneri i Interit, Jose Mourinho (42%) dhe ai i Liverpoolit, Rafa Benitez (35%), por mbetet të shihet nëse ndonjëri prej të lartpërmendurve do të zëvendësojë vërtetë Pellegrinin në bankinën mbretërore të Real Madridit.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, beson se tifozët dhe lojtarët e Liverpoolit nuk kanë arsye pse të zhgënjehen nëse The Reds nuk përfundojnë në pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.“Të gjithë duan të luajnë në Ligën e Kampionëve, sepse është garë e madhe por është një kompeticion tjetër gjithashtu për t’u luajtur e ai për ne sezonin e ardhshëm mund të jetë Europa League”.
“Nuk ka lidhje për mua se ku do të luajmë, në Ligën e Kampionëve apo në Ligën e Evropës, me rëndësi është të jem te klubi i duhur dhe ai është Liverpooli. Vërtet jam i lumtur te Liverpooli. Fansat dhe klubi janë të kënaqur me paraqitjet e mia dhe me qëndrimin tim. Kjo është arsyeja pse kam vazhduar kontratën edhe për gjashtë vite të tjera”, përfundoi Reina.
Edhe pse Argjentina konsiderohet njëri prej favoritëve për të fituar Kampionatin Botëror të këtij viti, është mesfushori defensiv Javier Mascherano, ai që tërheq një vijë paralele mes Spanjës dhe Brazilit të cilët i cilëson si favoritë për të fituar Botërorin.“Tani për tani nuk merren parasysh gjasat, por loja të cilën do ta luani gjatë një muaji të tërë. Spanja dhe Brazili duken për një nuancë mbi të gjithë të tjerët sepse kanë fituar trofe viteve të kaluara”.
“Sidoqoftë, përvoja më ka thënë se Botërorin e fiton ajo skuadër që përmirësohet më shumë gjatë kampionatit, jo ajo që luan më mirë. Italia nuk shkëlqeu në vitin 2006, Brazili kishte momentet e vështira në vitin 2002 dhe Francës iu desh një ‘gol i artë’ ndaj Paraguait në vitin 1998. Ne duhet të presim dhe të shohim”.
“Futbolli është për rezultate: fitove je më i miri…humbe je më i dobëti. Por, për mua nuk është as njëra e as tjetra. Ne kemi disa lojtarë fantastikë në skuadër të cilëve duam t’ua ripërtërijmë formën në kombëtare, gjë të cilën nuk e kemi bërë gjatë kualifikimeve”, tha Mascherano.
Kampioni i kategorisë së rëndë në IBF dhe WBO, Wladimir Klitschko, ka ftuar haptazi britanikun David Haye për të luftuar në ring pasi që Klitschko më nuk po mund t’i durojë deklaratat e Haye.Haye anuloi një meç mes tij dhe Wladimir Klitschkos për shkak të një lëndimi, por pasi ‘shkeli’ rend kundërshtarët një nga një, deklaroi se është i gatshëm për Wladimir Klistschkon, ose vëllanë e tij Vitali.
“Unë zyrtarisht të ftoj që të dalësh dhe të luftosh me mua. Ti nuk mund të ikësh nga unë përgjithmonë dhe ti duhet të vish patjetër dhe të luftosh me mua, që të fitosh respekt. Unë jam gati”, tha Wladimir Klitschko në një videomesazh.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, thotë se nuk ka kurrfarë dyshimi se Chelsea do ta fitojë Ligën Premier dhe se nuk ekziston ndonjë gjasë që Chelsea të rrëshqasë nga tabela për t’ia ‘dhuruar’ titullin Manchester Unitedit.“Ne po luajmë mirë, besimi është i madh. Ne e kemi humbur një herë kreun e tabelës dhe tani detyrohemi që titullin të mos e lëshojmë nga duart”.
“Janë tre vite që kur ne nuk e kemi fituar Ligën Premier dhe jemi vërtet të përkushtuar që ta rikthejmë atë në Stamford Bridge”, është shprehur mbrojtësi anglez.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano dhe qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gabriel Milito, kanë pasur një konfrontim në tunelin e stadiumit pas përfundimit të ndeshjes mes dy gjigantëve spanjollë.Sipas raporteve nga Marca, Milito nuk i harroi fjalët e Valdanos dhënë për mediat spanjolle një vit më parë kur Valdano tha se Milito nuk e ka gjurin në rregull, një diagnozë që sipas Valdanos nuk lejoi që Milito të transferohej te Reali, për të cilën mori bërtima nga Milito: “ Tani çfarë? A ke për të thënë tani diçka?”.
Siç thuhet nga dëshmitarët e ngjarjes, Valdano e injoroi Militon dhe komentet e tij dhe sipas disa burimeve, zyrtarë të Barcelonës ndërhynë duke e parandaluar Militon në mënyrë që situata të mos eskalojë.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka mohuar krahasimet me Cristiano Ronaldon pas fitores së vikendit ndaj Real Madridit.Messi ishte në listën e golashënuesve së bashku me Pedro Rodriguez, pas fitores 2-0 në El Classico.
“Ekipi tregoi se është superior ndaj të gjithëve, por ne duhej ta dëshmonim atë përsëri. Ishte një fitore e rëndësishme, por tash duhet të vazhdojmë më tej. Ronaldo? Nuk dua të flas për të, ne ishim më të mirë se Madrid. Tash ne jemi të parët dhe keni një avantazh në La Liga”, ka thënë Messi.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, edhe një herë ka mohuar se ai do të drejtojë kombëtaren azure pas kësaj vere, por ka pranuar se në të ardhmen do të rikthehet në Itali.Strategu është në sezonin e tij të parë në Chelsea dhe ka shanse të fitojë dy tituj, pasi blutë janë në finale të Kupës FA dhe qëndrojnë në krye të tabelës së Ligës Premier.
Por italiani shpesh është lidhur me marrjen nën drejtim të kombëtares italiane, ku Marcelo Lippi do të tërhiqet pas Kupës Botërore. Megjithatë ish-menaxheri i Milanit ka mohuar se mund të bëjë një hap të tillë.
“E kam mirë në Angli, por unë e dua Italinë dhe e ardhmja ime është në Itali. Por nuk do ta pasoj Lippin. E kam mirë në Londër dhe shpresoj të mbeten në Chelsea. Kemi shanse të mira të fitojmë trofe”, ka thënë Ancelotti.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, thotë se para tyre tash janë edhe pesë finale, pasi gialorossët arritën të marrin kreun nga nerazurët.Romakët, që mbrëmë mposhtën Atalantan me rezultat 2-1, arritën më në fund ta rrëzojnë Interin nga kreu i tabelës pasi nerazurët të shtunën nxorën vetëm një barazim 2-2 kundër Fiorentinës.
“Është ftohtë, pasi jemi shumë lart”, ka thënë me shaka Totti.
“Fitorja ndaj Atalantas na lejoi t’i fitojmë tre pikë vërtet të rëndësishme. Një gjë është e sigurt: do ta japim maksimumin në pjesën e mbetur të sezonit. Prej tash deri në fund, çdo ndeshje është si finale për ne”, ka shtuar kapiteni i Romës.
















