Nicolas Anleka shënoi golin e vetëm. Chelsea ka arritur të shënojë fitore të vështirë ndaj Boltonit në Stamford Bridge me rezultat minimal prej 1-0, duke forcuar kreun, katër javë para përfundimit të Ligës Premier.
Pjesa e parë i takoi plotësisht Chelseat që dominoi gjatë gjithë kohës. Pas një harkimi preciz të Didier Drogbës, ishte Nicolas Anelka ai që u gjet mirë në zonë duke shënuar me kokë, për epërsinë e parë dhe të fundit të Chelseat në këtë takim (43’).
Fraksioni i dytë ishte tejet dinamik. Chelsea i kishte rastet më konkrete por presionin e bënë mysafirët të cilët për pak sa nuk nxorën një barazim në fund.
Dymbëdhjetë minuta pa përfunduar takimi, Frank Lampard gode shtyllën pingule të Boltonit.
Ivan Klasnic nuk arriti ta bëjë më dramatike Ligën Premier kur dështoi të shënojë nga afërsia pasi ia vodhi topin Didier Drogbas (87’).
Në minutat shtesë, Joe Cole nuk arriti të shënojë pothuajse nga dy metra për të thelluar rezultatin, por edhe ashtu nuk pati ndryshime deri në fund të kohës shtesë.
Me këtë fitore Chelsea pothuajse e ka siguruar titullin në kampionatin anglez pasi që ka katër pikë më shumë se rivali direkt për titull Manchester United, katër javë pa përfunduar Liga Premier.
Interi ka siguruar kualifikimin në finale të Kupës së Italisë, pasi në gjysmëfinale e ka eliminuar Fiorentinan me rezultat të përgjithshëm prej 2-0.
Takimi i parë i zhvilluar në Giuseppe Meazza, i takoi Interit që shënoi fitore minimale prej 1-0, ndërsa edhe ndeshja kthyese e zhvilluar në Artmeio Franchi përfundoi me të njëjtin rezultat në favor të Nerazzurëve.
Golin e vetëm në ndeshje e shënoi kamerunasi Samuel Eto’o, i cili pranoi një krosim të Thiago Mottas për ta mposhtur portierin Frey (57’).
Në finale Interi do të luajë kundër skuadrës që do të kualifikohet nga dueli Udinese-Roma që zhvillohet më 21 prill. Ndeshja e parë në Olimpico ka përfunduar me fitoren e Romës me rezultat 2-0, ashtu që gjasat janë të mëdha që të kemi një finale gjigantësh, Inter-Roma.
Përpos që është lënduar, Sebastian Giovinco është shumë pranë largimit nga Juventusi, me Napolin dhe Sampdorian tejet të interesuara për të.
Siç njofton Tuttosport, Napoli ka shprehur haptas interesimin për Giovincon kurse Sampdoria është nën hije. Ndërkohë që spekulohet se Giovinco do të përdoret si mjet për transferimin e Gianpaolo Pazzinit nga Sampdoria.
Nga ana tjetër njoftohet të ketë përfunduar sezoni për Giovincon, pas një lëndimi të marrë gjatë stërvitjes së mëngjesit në Vinovo.
Ndeshja e fituar 1-0 e Juves ndaj Cagliarit ndoshta do të jetë ndeshja e fundit e Giovincos në fanellën bardh e zi.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, ka refuzuar të tërheqë paralele mes ekipit të tij dhe Barcelonës duke thënë se Reali ka potencial për më shumë se sa të kopjojë Barcelonën.
“Ne nuk duhet të synojmë që të luajmë si Barca, por në vend të kësaj të bëhemi ekip i mirë. Ky është projekt i ri me lojtarë të rinj dhe me një president të ri. Tani për tani jemi në fazën kur po vendosen gjërat dhe në fund do të del rezultati. Nuk na duhen ndryshimet”.
“Mënyra më e mirë për të harruar ‘el Classicon’ ndaj Barcelonës do të ishte një fitore ndaj Almerias të enjten. Janë edhe 21 pikë për t’u fituar. Nëse ne i marrim të gjitha pikët dhe nëse të njëjtën gjë e bën Barcelona atëherë ne duhet t’ua zgjasim dorën atyre”, deklaroi Alonso.
Në seancën gjyqësore të mbajtur të martën në Napoli, është bërë një hap i rëndësishëm në zbardhjen e fatit të Calciopolit, pasi që ekipi i Luciano Moggit me sukses ka arritur të bindë gjyqin të pranojë dëshmitë e reja.
Në fillim të seancës gjyqësore, u dëgjuan 75 transkripte telefonike mes dizejnatorit të gjyqtarëve, Paolo Bergamos dhe zyrtarëve të klubeve të mëdha. Moggi pas dëgjimit të 75 transkripteve kryesore tha se ai është i gatshëm të japë dhe 3.000 transkripte të tjera telefonike mes dizejnatorëve të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të klubeve më të mëdha në Apenine.
Në fund të seancës gjyqësore, trupi gjykues i Calciopolit me në krye gjykatësin Casoria ka dhënë dritën e gjelbër që të dëgjohen të gjitha dëshmitë tjera të Moggit dhe që rasti të lihej i hapur, edhe pse në një moment ai hedh poshtë mundësinë e përfshirjes së Morattit në skandal.
Luciano Moggi me të dalë nga gjykata u përshëndet nga tifozët e Juventusit të cilët e brohorisnin emrin e tij, gjë për të cilën Moggi u shpreh: “Ndjehem krenar që ka mbetur dikush të më mbështet”.
Massimo Moratti nga ana tjetër tha: “Më falni por nuk pata kohë ta përcjell këtë seancë”.
Në mëngjes gjithashtu është raportuar nga mediumet italiane se Guido Rossi, ish-president i federatës italiane të futbollit, që ia mori Juventusit Scudetton në vitin 2006 për t’ia dhënë Interit, është kërcënuar me vdekje nga tifozët e Juves.
Seanca e ardhshme gjyqësore në gjyqin e Calciopolit në Napoli do të mbahet më 20 prill, ditën kur dhe Interi e zhvillon gjysmëfinalen e parë në Ligën e Kampionëve ndaj Barcelonës.
Numri një i botës në tenisin femëror, Serena Williams, do të rikthehet në aksion për herë të parë që pas Australian Open, ku dhe pësoi lëndimin.
28 vjeçarja, e cila vuajti nga një lëndim në gju nuk ka luajtur qe kur e fitoi Grand Slamin e 12-të në karrierën e saj në janar në Melbourne.
Williams do të rikthehet në turneun Italian Open, turne që fillon më 3 maj, e në të cilin do të marrin pjesë tenistet më të mira të rruzullit.
Paraqitja e McLarenit në garën për Çmimin e Madh të Kinës nuk do të preket nga sqarimi i rregullit i lartësisë së bolidit gjatë vozitjes, gjithnjë sipas drejtorit të inxhinieringut Paddy Lowe.
FIA ka ritheksuar me anë të një rregulli të ri se rregullimi i lartësisë së automjetit nga toka në mes garës kualifikuese dhe garës finale është ilegale.
“Duke parë gjërat e reja që po zhvillohen, ne duket se jemi inkuadruar vonë, sepse të tjerët ishin të parët. Ne absolutisht që nuk dimë se kush ka përdorur ndonjë sistem të rregullimit të lartësisë së automjetit gjatë garës e aq më pak ta ketë përdorur skuadra e McLarenit”.
“Gjëja kryesore në gjithë këtë është se lartësia e automjetit nuk mund të rregullohet gjatë garës, por p.sh. në pit stop”, deklaroi Lowe.
Andres Iniesta do të jetë rreth një muaj jashtë aksionit, duke munguar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj Interit dhe në pjesën më të madhe të ndeshjeve në La Liga.
Siç njofton Marca, Pep Guardiola ka marrë lajme të këqija në stërvitjen e mëngjesit të të martës, kur njëri prej lojtarëve të tij kryesorë, Andres Iniesta, u dëmtua në muskulin e këmbës së djathtë. Ky lëndim është ripërtëritje e atij të pësuar ndaj Mallorcas që e mbajti atë dhjetë ditë jashtë fushave të blerta.
Iniesta pritet që të mungojë një muaj, periudhë në të cilën mesfushori do të mungojë në dy ndeshjet gjysmëfinale ndaj Interit në Ligën e Kampionëve ashtu si në të gjitha ndeshjet e mbetura në Kampionatin spanjoll.
Presidenti i Juventusit, Jean-Claude Blanc, është takuar me agjentin e trajnerit të Liverpoolit, Rafa Benitez, Manuel Garcia Quiolin, për të biseduar mbi mundësinë e kalimit të Benitezit te Zonja e Vjetër.
Sipas Tuttosport, bisedimet e Blanc me agjentin e Benitez janë zhvilluar një ditë të tërë në Milano ku u diskutua nëse Juventusi do të ishte në gjendje të paguante klauzolën prej 16 milionë eurosh në kontratën e Benitezit, për ta shkëputur atë.
Agjenti i Benitezit dhe Blanc gjithashtu folën për planet e spanjollit dhe politikat e Juventusit, pasi që Benitez dëshiron Edin Dzekon kurse gjithashtu në Torino do të sjellë dhe Fernando Torresin.
Për më shumë, pronari i Juventusit, John Elkann, dëshiron më të mirën për klubin dhe është gati që të shtojë edhe më shumë fonde transferimi në mënyrë që Benitez të vijë në Torino dhe këtij të fundit t’i plotësohen dëshirat. Benitez do të përfitonte hiç më pak se 4 milionë euro plus bonuset e sukseseve nëse nënshkruan me Juventusin.
Legjenda gjermane, Franz Beckenbauer, ka deklaruar se Bayernit nuk i nevojitet sulmuesi boshnjak i Wolfsburgut, Edin Dzeko, pas spekulimeve të fundit nëpër mediumet gjermane për interesimin e Milanit dhe Bayernit.
“Edhe pse e vlerësoj lartë Edin Dzekon, neve nuk na nevojitet një sulmues tjetër. Ne kemi shumë sulmues të mirë dhe ka gjasa që Luca Toni të rikthehet gjatë verës”.
“Na duhen përforcime në mbrojtje. Ne pranojmë shumë gola dhe na duhet më shumë cilësi në vijën defensive. Bayernit gjithashtu i nevojitet një portier i ri. Butt ka qenë i mirë këtë sezon, por nuk premton të ardhme”, përfundoi Beckenbauer.
Trajneri i Fulhamit, Roy Hodgson, mbështet ish-klubin e tij Interin dhe trajnerin Jose Mourinho për të eliminuar kampionin aktual të Evropës, Barcelonën.
Hodgson ishte trajner i kampionit të Italisë në vitet nëntëdhjeta, ndërsa është shprehur i impresionuar nga progresi i bërë i zi-kaltërve në Evropë.
”Ata kanë luajtur vërtetë mirë këtë sezon. Natyrisht ata kanë arritur çerekfinalet më parë, por tani janë në gjysmëfinale, ku vërtetë do të kenë kundërshtar të vështirë”.
“Unë favorizoj Interin për të shkuar në finale të Ligës së Kampionëve edhe pse duhet të thyhet arra e fortë që quhet Barcelona”, përfundoi Hodgson.
Sipas një raporti të publikuar nga Goal.com, Arsene Wenger mund të bëhet njëri prej menaxherëve me buxhetin më të madh për afatin kalimtar veror, në mënyrë që të përforcojë skuadrën e tij.
Raporti thotë se pas analizave të bëra, të hyrave dhe të dalave, Arsene Wenger do të ketë në dispozicion hiç më pak se 45 milionë funte (50 milionë euro) për të shpenzuar gjatë afatit kalimtar veror.
Këto fonde janë mundësuar nga pronarët në Emirates, sidomos pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Marouane Chamakh, Mario Balotelli dhe disa lojtarë tjerë të përfolur nëpër tabloidet britanike, janë lojtarët të cilët i do Wenger gjatë afatit kalimtar veror.
Veterani Ryan Giggs beson se skuadrës së tij Manchester United javëve të fundit është duke i munguar fati, pasi që Djajtë e Kuq pësuan disfatë ndaj Chelseat dhe u eliminuan nga Liga e Kampionëve.
“Ndoshta për një periudhë prej dhjetë ditësh fati nuk ishte në anën tonë. Gola të devijuar dhe vendimet për pozitë jashtë loje shpeshherë janë në dobi tuajën, e shpeshherë në dëm tuajin. Tani për tani ne nuk kemi pasur këtë fat, por shpresoj se do ta kemi në katër ndeshjet e radhës”.
“Gjithnjë është zhgënjyese të eliminoheni nga Liga e Kampionëve, sidomos ashtu sikurse ndaj Bayernit, ne luajtëm aq mirë në pjesën e parë”, deklaroi Ryan Giggs.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, mund t’ia kthejë shpinën klubit duke e shitur atë pas pohimeve të fundit të bëra na Gjykatën e Napolit në lidhje me Calciopolin.
Të hënën, Moratti sqaroi se pse babai i tij Angelo Moratti deshi ta shiste klubin në vitin 1960 pas presioneve të mëdha nga shtypi.
“Ne kishim arritur në një pikë kur ishim prekur nga kritikat e shtypit. Natyrisht, tani presioni është me miliona herë më i madh”, tha Moratti sipas Tuttosport.
Është pikërisht Tuttosport gazeta që pohon se nëse ndodh që të zbulohet një Calciopoli i ri, atëherë shumë lehtë Moratti do të zbriste nga froni presidencial i Interit për ta vënë klubin në shitje.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e vlerëson ekipin e kombëtares angleze si superior ndaj atij të kombëtares italiane.
Italiani mendon se bashkëvendësi i tij Fabio Capello ka bërë një punë të shkëlqyeshme me Tre Luanët dhe beson se ata mund t’ia marrin kurorën e kampionit Italisë.
“Ekipi i Anglisë ka kredenciale të shkëlqyeshme. Ata kanë lojtarë të cilët luajnë në një nivel shumë të lartë dhe ka shumë pritje për Kupën Botërore. Në Itali situata është më ndryshe pasi ata po kalojnë nëpër një periudhë transitore”, ka thënë Ancelotti.
Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, thotë se Pep Guardiola është ‘fajtori kryesor’ për historinë të cilën ata janë duke e shkruar.
Katalanasit sezonin e kaluar fituan tre tituj të rëndësishëm, La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve, të cilëve më pas ua shtuan edhe Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kupën Botërore të Klubeve.
“Si katalanas ndjehem shumë krenar, krenar që Barcelona vazhdon të shkruajë histori në këtë udhëtim në të cilin përpiqemi të jemi ekipi më i mirë në botë. Po ashtu mendoj se prapa këtij ekipi është një sekret dhe ky është trajneri i jonë. Guardiola është shumë figurë e rëndësishme për ne, ai është heroi ynë në prapaskenë”, ka thënë Valdes.
Ronaldinho ka arritur marrëveshje verbale për të vazhduar marrëveshjen me Milanin deri në vitin 2014, shkruan Gazzetta dello Sport.
Milani dëshiron ta mbajë në San Siro, Ronaldinhon, i cili pati një sezon të kënaqshëm, por edhe më tej ata qëndrojnë në atë se ai duhet të pranojë ulje të pagës për 25%.
Ronaldinho do të nënshkruante marrëveshjen, por vetëm nëse Milani qëndron në pozitën e tretë të tabelës dhe siguron pjesëmarrje direkt në Ligën e Kampionëve.
Këto lajme vijnë pas informatave të fundit që thonë se vëllai i lojtarit, i cili është edhe agjent i tij, ka pasur biseda për një ofertë nga Manchester City.
Sido që të jetë, duket se braziliani është i gatshëm ta refuzojë Cityn dhe të vazhdojë në Milan. Sipas Gazzetta dello Sport, Ronaldinho do të luajë në Milan edhe në katër vitet e ardhshme, pas të cilëve do të rikthehet në Brazil për ta përfunduar karrierën.
Ish-portieri i Bayern Munichut, Oliver Kahn, i ka këshilluar drejtuesit e klubit se duhet ta shesin mesfushorin Frank Ribery për 50-60 milionë euro.
Francezi tashmë një kohë të gjatë është lidhur me një largim nga Bayerni, pasi disa klube të mëdha evropiane kanë paraqitur interesim për shërbimet e tij. Dhe Kahn mendon se klubi edhe duhet ta shesë anësorin.
“Shitja e Ribery mund të jetë shumë e dobishme. Një kesh prej 50 ose 60 milionë eurosh mund të jetë shumë i rëndësishëm për klubin. Këto para mund të jenë të nevojshme për ta përforcuar ekipin me ndonjë anësor të djathtë ose mbrojtës”.
“Të paguhen 100 milionë euro për një lojtar në këtë kohë është fantazi e pastër. Nuk mund të mendoj që dikush të paguajë më shumë se 50 milionë euro për Ribery”, ka thënë Kahn.
Për Ribery të interesuar kanë qenë Manchester United, Chelsea, Real Madrid dhe Barcelona, ndërsa dëshirë e francezit është të transferohet në Spanjë.
Burime nga Torino janë të bindur se menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, është i gatshëm të marrë drejtimin e Juventusit.
Tuttojuve.com shkruan se Benitez ka qenë në kontakt me ish-ndihmës trajnerin e Juves, Antonio Pintus, i cili tash është në West Ham United në krah të Gianfranco Zola. Benitez e ka pyetur Pintus për jetën në Torino dhe për ambientin e punës në Juventus, shkruajnë mediat italiane.
Duket se spanjolli do të presë deri në fund të prillit për të dëgjuar nga Real Madrid para se seriozisht të fillojë bisedat me Juventusin për të transferim në Itali gjatë verës.
Agjenti i sulmuesit të Villarrealit, Giuseppe Rossi, ka zbuluar se Napoli është shumë i interesuar për klientin e tij.
Andrea Pastorello thotë se është e mundshme një lëvizje e verës drejt Napolit për ish-sulmuesin e Manchester United.
“Partenopei kanë qenë të interesuar për Giuseppe për tashmë një kohë të gjatë. Presidenti Aurelio De Laurentiis ka interesim për klientin tim. Ai më ka kontaktuar një vit më parë pyesë për të. Ai dëshironte të dijë se si janë gjërat në mes të Giuseppe dhe Villarreal”.
“Ne vetëm kemi biseduar për të pasi koha nuk ka qenë e duhura. Është e qartë se gjatë verës diçka do të ndodhë dhe klienti im është i gatshëm”, ka thënë Pastorello.
Toronto Raptors kanë mbajtur gjallë shpresat për një vend në play off pasi shënuan fitore me rezultat 111-97 ndaj Detroit Pistons në Michigan.
Andrea Bargnani shënoi pikët më të larta në ndeshje, 33, dhe ndihmoi me shatë kërcime, derisa Amir Johnson shënoi më të lartat në karrierë, 26, për t’i dhënë fund pesë humbjeve radhazi për Raptors.
Fitorja ishte e 39-ta për Torinon (42 humbje), aq sa kanë edhe Bulls që pushtojnë pozitën e tetë të Lindjes, të cilët megjithatë kanë një humbje më pak (41).
Agjenti i mbrojtësit të Arsenalit, Bacary Sagna, është i vetëdijshëm se Interi është duke e përcjellë francezin.
Përfaqësuesi i Sagna ka konfirmuar se ai është kontaktuar nga Interi në prag të afatit kalimtar të verës.
“Nëse nerazurët dëshirojnë ta shesin Douglas Maicon do të ishte normale për ta të nënshkruajnë me Sagna. Në afatin e ardhshëm kalimtar pres shumë lëvizje në atë pozicion”.
“Kam qenë në kontakte me Interin, por asgjë serioze nuk ka ende. Është shumë herët. Do të flasim për këtë më vonë”, ka thënë agjenti Christophe Mongai.
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, ka mbrojtur vendimin për të shitur Arjen Robben te Bayern Munichu.
Holandezi ndihmoi Bayernin të futet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve gjatë javës së kaluar me një gol të shkëlqyeshëm të shënuar kundër Manchester United.
“Robben? Nuk mund të kemi 25 superyje. Ai ishte i vetmi që luante gjysmë ore kur ishte këtu. Ishte vetë ai që dëshironte të largohej. Ne jemi përpjekur të rinovojmë ekipin”, ka thënë Valdano.
Sulmuesi i Arsenalit, Nicklas Bendtner, thotë se përmirësimi i rekordit të tij shënues është si rezultat i ndërrimit të pozitës.
Bendtner ka marrë rolin e sulmuesit të qendrës në mungesë të Robin Van Persiet. Sipas tij, kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në golat që shënon.
“Që nga lëndimi im më ka marrë ca kohë të rikthehem plotësisht dhe duket se tash jam rehatuar. Po luaj në rolin tim të preferuar si sulmues, jo në të djathtë siç kam bërë në fillim të sezonit, para lëndimit”.
“Mendoj se kjo ka dhënë shumë gola për mua. Nëse do ta kisha shënuar çdo gol që kam humbur ndaj Burnleyt, atëherë golat e mi do të ishin dyfish më shumë se ndeshjet që kam luajtur”, ka thënë Bendtner.