Maicon shënoi golin e parë. Interi ka shënuar fitore me rezultat 2-0 kundër Juventusit në Derby d’Italia, që u zhvillua të premten mbrëma në Giuseppe Meazza.
Të dyja skuadrat kishin nevojë për pikë maksimale, duke qenë se zikaltrit janë në garë për titull, ndërsa bardhezinjtë luftojnë për pozitën e katërt që çon në Ligën e Kampionëve.
Juventusi e filloi më mirë takimin duke pasur iniciativën në minutat e para të ndeshjes, ndërkohë që Interi dalëngadalë baraspeshoi lojën.
Në minutën e 37-të, Momo Sissoko ia vështirësoi punët ekipit të tij, pasi që u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa Zaccheroni ‘sakrifikoi’ Del Pieron për të inkuadruar Christian Poulsenin në mesfushë (41’).
Në pjesën e dytë, Juventusi arriti të mbahet me një lojtar më pak, përkundër dominimit të Interit në fushë. Vlen të përmendet një rast i mirë i Samuel Eto’o dhe dy raste të Diego Militos, të cilët nuk u treguan konkretë.
Qëndrimi i mysafirëve zgjati deri në minutën e 75-të, kur Douglas Maicon me një goditje të bukur mposhti portierin Buffon, për t’i dhënë avantazh kampionit në fuqi.
Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Mario Balotelli goditi transversalen pas një gjuajtje të lirë, ndërsa nga ana tjetër goditjen e Diegos e mbrojti portieri Cesar (88’).
Në minutat shtesë të takimit (90’+2), pas një kombinimi ndërmjet Militos e Balotellit, topi arriti te kamerunasi Eto’o, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar prej 2-0.
Pas kësaj fitoreje, Interi rikthen kreun me dy pikë më shumë se Roma, që të dielën zhvillon derbin e kryeqytetit kundër Lazios.
Ndërkohë, nëse Palermo e Sampdoria shënojnë fitore në ndeshjet e tyre respektive, atëherë Zonja e Vjetër mund të përshëndetet me Ligën e Kampionëve, duke qenë se kanë mbetur edhe katër xhiro pa u zhvilluar, kurse Juve do të mbetej gjashtë pikë prapa pozitës së katërt.
Sulmuesi i ri i Barcelonës, Pedro, ka deklaruar se trajneri i Interit, Jose Mourinho, është njeriu i vetëm që mund ta bëjë Barcelonën të vuajë duke vënë në pah vështirësinë për të eliminuar Nerazzurët në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Mourinho është njeriu i vetëm që do të na bëjë të vuajmë. Ne do ta kemi të vështirë ta eliminojmë Interin”, tha Pedro.
Pedro gjithashtu shtoi se Guardiola ia shpëtoi karrierën atij duke thënë se po të mos ishte Pep, ai do të luante në ndonjë kategori më të ulët.
Përderisa dëshmitë e Calciopolit kanë zgjuar shumë pluhur në jetën mediatike italiane, zhvillimet e ditës së sotme janë jo pak të zakonshme dhe jo pak sensacionale kur dihet magnituda e manipulimeve, me Tottin këtë herë në qendër që i shpëtoi një dënimi, dhe presidentin e Palermos, Maurizio Zamparini, i cili akuzon Moggin.
Fracesco Totti i shpëtoi një dënimi pas ndeshjes ndaj Palermos, pasi që në telefonata shihet qartë një intervenim i zyrtarëve romakë dhe dizejnatorëve Bergamo dhe Pairetto që në raportin e ndeshjes të mos përmendet Totti. Si pasojë, ai luajti në derbin ndaj Juventusit, të cilën e fituan këta të fundit me rezultat 2-0.
Nga ana tjetër, Jean-Claude Blanc është vënë në mbrojtje të ekipit rreth kësaj çështje pas akuzave të Moggit se Blanc po bën pak për ekipin: “Juventusi po e shikon situatën nga afër dhe na duhet kohë për të vlerësuar situatën dhe për të vënë drejtësi”, theksoi Blanc.
Palermo gjithashtu u akuzua për telefonim të arbitrave, por presidenti kontrovers Maurizio Zamparini nuk përtoi aspak për ta akuzuar Luciano Moggin si krijues të kësaj rrëmuje.
“Unë gjithnjë kam qenë kundërshtar i Moggit në Serie A, si i Moggit ashtu dhe i Giraudos. Unë ua kam tërhequr vërejtjen Bianconerëve kur e kanë punësuar dyshen. Moggi e kupton futbollin, por nuk është shembull i drejtësisë në sport. Nëse ai është përzier në Calciopoli duhet fajësuar Juventusi. Ne i kemi telefonuar gjyqtarët, sepse donim të mbronim klubin”, ka thënë Zamparini.
Për këto zhvillime kritik u tregua presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis i cili deklaroi: “Nuk jam as brenda e as jashtë zhvillimeve dhe nuk jam në gjendje të flas për Calciopolin. Por, unë pyes veten nëse duhet të qëndroj ende në këtë ambient futbollistik”, përfundoi Laurentiis.
Mesfushori holandez i Realit, Rafael Van der Vaart, ka deklaruar se Real Madridi do të vazhdojë ecurinë e fitoreve dhe shtoi se do të jetë tifoz i Espanyolit kur ky i fundit të luajë kundër Barcelonës në derbin katalunas.
“Normalisht, ne jemi të fortë në shtëpi sepse i kemi fituar pothuajse të gjitha ndeshjet, ne kemi humbur vetëm ndaj Barcës. Ne nuk kemi frikë nga askush dhe aq më pak kur luajmë në Bernabeu. Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Valencias dhe duhet të luajmë mirë për të fituar. Valencia ka tri ose katër lojtarë të rrezikshëm në sulm, të cilët do ta komplikojnë ndeshjen”.
“Për ne është me rëndësi që Espanyoli të fitojë. Është derbi dhe këto janë ndeshje të veçanta. Nesër unë do të jem tifoz i Espanyolit. Në ndeshjen ndaj Barcelonës ne patëm tre ose katër raste shënimi dhe logjikisht kur nuk shënojmë ne pësojmë. Barca gjithnjë ka shumë raste dhe nuk i humb ato”, përfundoi holandezi.
Sipas menaxherit Roberto Mancini, klubi i tij Manchester City duhet të sigurojë pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve, nëse City dëshiron të bëhet forcë konkurruese në Evropë.
City ka vetëm edhe pesë ndeshje në Ligën Premier dhe gjendet në pozitën e katërt, ndërsa rivalizon me Tottenhamin për këtë pozitë.
“Këto janë ndeshje të rëndësishme. Muaji i fundit i sezonit do të jetë fantastik për ne. Pas të shtunës do të na mbesin vetëm edhe katër ndeshje dhe këto do të jenë ndeshjet më të rëndësishme në histori të klubit”.
“Imperativi ynë është që të përfundojmë në pozitën e katërt për arsye se do ta ndryshonim mënyrën e të zhvilluarit. Do të luanim në Ligën e Kampionëve dhe do të mund t’i sjellim lojtarët e preferuar”, deklaroi Mancini.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka bërë të ditur se ai ua ka ndaluar lojtarëve të tij të flasin për titujt në fazën kur sezoni është duke përfunduar.
Chelsea ka mundësi që sezonin ta përfundojë me dy tituj, atë të Kupës FA dhe të Ligës Premier, por Ancelotti pohon se ai nuk dëshiron që lojtarët e tij të fokusohen në tituj, por në futboll.
“Është shumë lehtë t’i mbaj lojtarët të fokusuar. Nuk më duhet të punoj më në fokusimin dhe motivimin e tyre. Puna ime tani është e lehtë, sepse ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Kjo nuk është mënyra më e mirë për t’u përgatitur”.
“Nuk është zyrtare që ne do ta fitojmë titullin. Do të duhet të luajmë ndeshje të rëndësishme dhe shumë të vështira, prandaj duhet të tregojmë përqendrim maksimal”, tha Ancelotti.
Rafael Nadal ka kaluar në gjysmëfinale të Monte Carlo Masters me fitore ndaj Juan Carlos Ferreros me rezultat 2-0 në sete (6-4 dhe 6-2).
Kjo fitore është e 30-ta me radhë për spanjollin, përderisa ai vazhdon të luftojë për titullin e gjashtë me radhë në Monte Carlo Masters.
Në gjysmëfinale, Nadal do të takohet me David Ferrerin që mposhti gjermanin Phillip Kohlschreiber me rezultat 7-5 dhe 7-6.
Fernando Alonso thotë se nuk brengoset për problemet e motorit të Ferrarit përkundër një dështimi tjetër në Kinë.
Seanca e parë stërvitore përfundoi shpejtë pas problemeve me motor, të cilat u shfaqën edhe në garën e Bahrejnit kur motori i Alonsos u përfshi nga flakët.
“Nuk po brengosem. Të premteve nga tani do të përdorim motorët e vjetër edhe pse kjo është rrezik. Gjithçka po shkon sipas planit”, tha Alonso.
Alonso ka vetëm edhe gjashtë motorë të mbetur nga tetë të lejuar për këtë sezon.
Agjenti i Rafael Benitezit, Manuel Garcia Quilon, edhe njëherë ka mohuar spekulimet se ai ka pasur kontakte me drejtuesit e Juventusit për një kalim të mundshëm të spanjollit në Olimpico të Torinos.
Ditëve të fundit mediumet spanjolle dhe angleze pohonin një takim mes Jean-Claude Blanc dhe agjentit të Benitezit ku mësohet se janë diskutuar detajet.
“Nuk kam thënë ato fjalë për të cilat kanë shkruar mediumet spanjolle. Unë thashë se të jesh agjent do të thotë të takohesh me drejtuesit e klubeve të ndryshme për klientët tuaj. Unë thashë se bisedova për lojtarë por jo dhe për trajnerin e Liverpoolit”, ka deklaruar Quilon.

Sulmuesi i Milanit, Marco Borriello, shpreson se trajneri Leonardo do të qëndrojë te Rossonerët, përkundër spekulimeve se ai është pranë largimit.
“Ne shpresojmë se ai do të jetë me ne edhe sezonin e ardhshëm. Ai është njeri i mirë që garanton bashkimin e lojtarëve në zhveshtore”.
“Ishte sezoni i parë i tij si trajner. Ndoshta ka bërë disa gabime, por ai do të bëhet i mirë. Mendoj se Milani do ta mbajë atë. Shpresoj që të mos ndodhë e kundërta”, deklaroi Borriello.
Strategu i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pohuar se ai nuk do ta shikojë ndeshjen ndërmjet Interit dhe Juventusit, para duelit të rëndësishëm gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e tij do të luajë pikërisht kundër kampionit të Italisë, Inter.
“Nuk do ta shikoj derbin Inter – Juventus. Interi është favorit, sepse gjithnjë luan mirë në shtëpi. Më pas, dihet se është ndeshje klasike dhe komplikimet do të rriten. Mendoj se do të jetë një ndeshje e madhe”, ka thënë Guardiola për La Gazzeta dello Sport.
Spekulimet tjera thonë se Guardiola do ta shikojë të regjistruar në DVD takimin Inter – Juventus, për të studiuar lojën e Interit, para duelit të të martës në San Siro.
Milani i ka hedhur poshtë spekulimet se Leonardo tashmë e ka shkëputur kontratën me klubin para se të largohet në fund të sezonit.
Më herët gjatë ditës Sky Sport Italia dhe disa nga gazetat më të famshme sportive italiane thoshin se Leonardo tashmë e ka shkëputur kontratën, ndërsa është thënë se vendin e tij do ta zë Marcello Lippi.
Sidoqoftë, nuk vonoi shumë dhe në faqen zyrtare të klubit kuq e zi doli një komunikatë ku mohohej një gjë e tillë.
“Në lidhje me lajmet e sotme rreth shkëputjes së kontratës nga trajneri, Leonardo ka konfirmuar se këto janë spekulime të pavërteta”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ia ka garantuar Barcelonës një ambient si në shtëpi të saj nëse Blaugranët arrijnë finalen e Ligës së Kampionëve.
“Nëse Barcelona arrin finalen e Ligës së Kampionëve, ne do të bëjmë çdo gjë të mundur që ata të ndihen sikur në shtëpinë e tyre. Është nder për ne të jemi mikpritës të finales së kësaj gare”, theksoi Perez.
“Ne përgëzojmë dhe falënderojmë qytetin e Madridit për elegancën dhe ‘fair play-in’ e treguar, gjë me të cilën e tregon veten”, tha në shenjë falënderimi president nderi i Barcelonës, Johan Cruyff.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar edhe njëherë se Cesc Fabregas nuk është në shitje pas spekulimeve se është zhvilluar një takim sekret mes drejtuesve të Barcelonës dhe atyre të Arsenalit.
“Natyrisht, ka shumë fjalë rreth kësaj çështjeje, por nuk ka ndonjë takim sekret për Cesc Fabregasin. Personalisht unë nuk kam njohuri se është zhvilluar ndonjë takim dhe nuk dua të komentoj mbi këtë”.
“Unë mendoj se ata duhet të na thërrasin neve për lojtarët të cilët janë nën kontratë dhe ju them se nuk është zhvilluar ndonjë takim sekret, sepse ne nuk duam t’i shesim lojtarët tanë”.
“Sidoqoftë, nuk e shoh ndonjërin prej lojtarëve të luajë në Spanjë. Fakt është, ata kanë dy ekipe të mira, por vendi i tretë është 27 pikë prapa”, përfundoi Wenger.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se ai do të përkrahë Juventusin gjatë derbit të sotëm kundër Interit që zhvillohet në San Siro.
Galliani shpreson për një favor nga Juve dhe ka kërkuar nga ata t’i thyejnë shpresat e Interit për titull, duke shtuar ambiciet e Milanit për triumf në Serie A.
“Dëshironi të dini nëse do ta përkrah Juventusin? Çfarë mendoni ju?”, ka thënë Galliani.
“Është një javë vendimtare dhe do të dimë më shumë të hënën në raport me si po shkon lufta për skudeton, duke marrë parasysh se ka tre ndeshje vitale të cilat zhvillohen, Inter-Juve, Sampdoria-Milan dhe Lazio Roma”, ka shtuar italiani.
Mesfushori i Manchester United, Paul Scholes, iu ka dhënë fund thashethemeve rreth pensionimit, duke nënshkruar marrëveshje të re njëvjeçare me klubin anglez.
Scholes, 35-vjeçar, ka kaluar të gjithë karrierën e tij në Old Trafford, duke shënuar 100 gola në ligë dhe duke bërë mbi 400 paraqitje për United.
“Ne jemi të ngazëllyer që Paul do të qëndrojë edhe për një vit. Forma e tij këtë vit tregon se aftësia dhe kënaqësia e tij në fushë janë më të fuqishme se kurrë, dhe kjo është një arsye që ai të vazhdojë”, ka thënë menaxheri i klubit, Sir Alex Ferguson.
“Jam i kënaqur që kam nënshkruar për edhe një vit. Ndjehem mirë dhe po shijoj futbollin. Do të dëshiroja ta falënderoj menaxherin, stafin stërvitor dhe po ashtu edhe fansat për përkrahjen e vazhdueshme”, ka thënë Scholes.
Dy pronarët e Liverpoolit, Tom Hicks dhe George Gillett. Dy pronarët e Liverpoolit, Tom Hicks dhe George Gillett, kanë konfirmuar se klubi anglez është në shitje.
“Të kishim nën pronë Klubin Liverpool gjatë tre viteve të kaluara ka qenë një përvojë që është shpërblyer dhe ngazëlluese për ne dhe familjet tona”.
“Pasi kemi zhvilluar klubin deri tash, kemi vendosur së bashku të shikojmë ta shesim atë për pronarë të përkushtuar për ta rritur dhe zhvilluar”, thuhet në deklaratën e dy pronarëve.
Hicks dhe Gillet kanë vendosur ta caktojnë njëshin e British Airways, Martin Broughton, si drejtor që do të menaxhojë shitjen.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, beson se ekipi aktual i tij mund të rikthehet edhe më i fuqishëm sezonin e ardhshëm pa pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha.
“Ne kemi një strukturë të arsyeshme këtu. Nuk ka asgjë të keqe me të. Ne ndoshta mund të shikojmë në një ose dy gjëra, por asgjë serioze”.
“Është e rëndësishme të mos hutohemi nga të tjerët të cilët kanë më shumë fuqi blerëse, si Chelsea dhe Manchester City. Ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për ta. Ne vetëm përpiqemi të përqendrohemi në atë që bëjmë”, ka thënë Ferguson.
Manchester United tashmë ka nënshkruar me sulmuesin meksikan Javier Hernandez dhe me mbrojtësin e Fulhamit, Chris Smalling.
Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Capello, thotë se ai nuk ka ide se çfarë ka ndodhur me ish-klubin e tij Juventus.
Capello është lidhur së fundi me një rikthim te ish-klubi i tij, që rrezikon madje të mos kualifikohet as në Europa League, pasi tashmë është jashtë garës për Ligën e Kampionëve.
“Ata më kanë zhgënjyer. Vërtet kam menduar se ata kanë bërë përforcime gjatë verës, por nuk mund të kuptoj se çfarë shkoi keq”, ka thënë Capello.
Blerim Xhemaili Mesfushori shqiptar i Parmës, Blerim Xhemaili, raportohet se është afër të nënshkruajë kontratë të përhershme me Parmën.
Futbollisti i lindur në Maqedoni dhe i cili mbron ngjyrat e kombëtares së Zvicrës, është duke luajtur te Parma si huazim nga Torino, por duket se do të qëndrojë te ky klub edhe më tej.
“Gjatë verës pres të nënshkruaj për Parmën. Jam i lumtur këtu”, ka thënë ish-mesfushori i Bolton Wanderers dhe ish-kapiteni i Zurichut.
Gjiganti i Bundesligës, Bayern Munich, raportohet se ka bërë ofertë për anësorin e Sevillas, Adriano.
Braziliani është lidhur së fundi me një kalim në Real Madrid dhe Barcelona në fund të këtij sezonit. Megjithatë sportivja Cadena Ser shkruan se Bayern është në avantazh në këtë garë.
Bavarezët raportohet se kanë bërë ofertë gjatë kësaj jave për mbrojtësin e krahut të majtë i cili mund të luajë gjatë gjithë anës së majtë. Sevilla thuhet se ka kërkuar disa ditë për ta menduar ofertën.
Spekulimet e fundit në mediat angleze thonë se gjiganti spanjoll Real Madrid do të bëjë ofertë në vlerën e 90 milionë funteve për sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney.
The Sun shkruan se United do t’i ofrohet kjo shumë rekorde ndërsa Rooneyt do t’i ofrojnë 250,000 funte në javë për pesë vite kontratë.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, mendohet se dëshiron ta ribashkojë Rooneyn me ish-partnerin e tij të sulmit Cristiano Ronaldo.
Po ashtu besohet se klubi spanjoll dëshiron të rikthejë në Bernabeu përzgjedhësin e kombëtares angleze Fabio Capello.
Rafael van der Vaart është i bindur se Real Madridi ende mund ta mposhtë Barcelonën në garën për titullin e La Liga.
Mesfushori holandez shënoi edhe një gol tjetër për mbretërit për t’i dhënë fitoren 2-1 Realit në takimin e mbrëmshëm ndaj Almerias.
“Jemi të kënaqur, ekipi po ia del mirë. Kemi shumë vetëbesim, ka edhe gjashtë ndeshje të mbetura dhe kemi shanse. Po, mendoj se është e mundshme ta fitojmë ligën”, ka thënë Van der Vaart.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se kjo javë mund të jetë ajo e cila do të vendosë fituesin e Ligës Premier.
Me Chelsan që udhëton te Tottenham në derbin londinez, rivali kryesor Manchester United do të luajë në një derbi tjetër qytetesh, pasi do të përballet gjatë vikendit me Manchester Cityn. Dhe portieri çek thotë se kjo mund të jetë java vendimtare.
“Në vikend ka një derbi në Manchester dhe një derbi në Londër. Mund të jetë javë vendimtare”, ka thënë Cech.
Ryan Giggs thotë se lojtarët e Manchester United do të luftojnë deri në fund për titullin e kampionit të Ligë Premier.
Me vetëm katër ndeshje të mbetura, Djajtë e Kuq janë katër pikë larg kreut të tabelës, ku gjendet Chelsea, por Giggs thotë se lojtarët janë të vendosur për të luftuar deri në maksimum.
“Ne vetëm duhet të vazhdojmë. Kanë qenë 10 ditë të këqija për ne, rezultatet nuk kanë shkuar në rrugën tonë dhe as fati, dhe ju duhen të dyja këto në këtë pjesë të sezonit. Ne duhet të rikuperohemi nga zhgënjimi që patëm në disa javët e fundit dhe përfundimisht nuk do të dorëzohem. Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”, ka thënë Giggs.
Lartmadhëria braziliane e futbollit, Pele, ka hedhur poshtë mundësinë se Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë duke deklaruar se ai duhet të shënojë së pari 1.000 gola për t’u krahasuar me të.
Messi ka shënuar 40 gola në 44 ndeshjet me Barcelonën këtë sezon, ndërsa katërgolëshi i tij ndaj Arsenalit, ka çuar në pohime se ai është më i mirë se Maradona dhe Pele.
Por, Pele ka dyshime mbi aftësinë dhe potencialin e Lionel Messit, duke besuar se nuk duhet të bëhen krahasime të tilla përpara se ai të shënojë 1.000 gola.
“Ata gjithnjë tentojnë ta krahasojnë dikë me Pelen. Unë gjithnjë bëj shaka më miqtë e mi argjentinas se ata duhet të zgjedhin lojtarin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Argjentina. Më pas, kur njëri prej tyre të shënojë 1.000 gola, atëherë mund të fillojmë të flasim”.
“Messi është lojtar i madh. Ai luan shumë mirë për Barcelonën por ka dështuar të tregojë talentin e tij me kombëtaren argjentinase. Ndoshta do ta bëjë këtë në Kampionat Botëror, le të presim dhe të shohim”, përfundoi Pele.
Këto pohime të Peles natyrisht se pritet të zgjojnë debate mes argjentinasve dhe brazilianëve para fillimit të Kampionatit Botëror.
Garës për pozitën e katërt në Ligën Premier po i vjen fundi, ndërsa trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, deklaron se pozita që dërgon në Ligën e Kampionëve mund të vendoset nga golaverazhi.
“Ne e dimë se është vitale që të kemi një golaverazh të mirë, sepse kjo në fund mund ta vendosë pozitën e katërt”.
“Ne kemi shënuar shumë gola javëve të fundit, që është mirë. Nuk ka arsye pse ne të mos vazhdojmë të shënojmë gola nëse luajmë në këtë mënyrë, pavarësisht nga kundërshtari”, deklaroi Mancini.
Manchester City e pret në stadiumin e qytetit të Mançesterit rivalin e përbetuar lokal, Manchester Unitedin në derbin e kësaj jave në Ligën Premier.