Real Madridi ka dalë fitues i njërit nga tre derbit e javës së 33-të në La Liga, duke mposhtur Valencian në Bernabeu me rezultat 2-0.Mbretërit ishin skuadër dominuese që nga fillimi i ndeshjes, mirëpo shpërdoruan raste të shumta dhe arritën të jenë konkretë vetëm dy herë.
Gonzalo Higuain kaloi Realin në epërsi në minutën e 25-të, pas asistimit të Gutit, i cili ishte njëri nga lojtarët më solidë të vendasve në këtë ndeshje, dhe me rezultat 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë, Los Blancos dominuan ndeshjen, por nga të gjitha rastet shfrytëzuan vetëm një. Nga rastet e pakta Valencias vlen të përmendet gjuajtja e David Silvas, i cili nga largësia prej 25 metrash goditi shtyllën (72’).
Nga ana tjetër, një pasim të Marcelos, e shfrytëzoi Cristiano Ronaldo, i cili mposhti portierin Cesar (78’), që këtë mbrëmje pati shumë punë për të bërë.
Me këtë fitore, Reali i afrohet Barcelonës në vetëm një pikë dhe do të shpresojë në pesë javët e mbetura për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit të Spanjës.
Ndërsa Valencia, përkundër humbjes mban pozitën e tretë në tabelë, porse duhet të ketë kujdes në javët në vijim, pasi që rrezikohet nga Sevilla dhe Mallorca.
Roma ka përmbysur epërsinë minimale të Lazios, për të dalë fitues në derbin e kryeqytetit italian, me rezultat 2-1.Në minutën e 13-të, Lazio që ishte në rolin e nikoqirit, kaloi në epërsi me anë të Tommaso Rocchit, i cili shënoi pas asistimit të Cristian Ledesmas.
Në minutën e 47-të u akordua penallti në favor të Biancocelestëve, mirëpo nga pika e bardhë dështoi të shënonte Sergio Floccari, pasi që goditjen e tij e mbrojti portieri Julio Sergio.
Nga ky moment gjërat u kthyen në dëm të Lazios. Fillimisht u akordua penallti në favor të Romës, të cilën e shndërroi në gol Mirko Vucinic (53’), për të barazuar rezultatin.
I njëjti lojtar rezultoi hero i Giallorossëve, pasi që shënoi edhe golin e dytë dhe të fitores për Romën, pas një supergoditjeje nga gjuajtja e lirë (64’).
Me këtë fitore, Roma rikthen kreun me një pikë më shumë se Interi që gjendet në vendin e dytë.
Gara për pozitën e katërt ka filluar të qartësohet pas barazimit të vështirë të arritur nga Palermo, dhe pas humbjes së Fiorentinas në transfertë te Atalanta.Napoli arriti të shënojë fitore në udhëtim te Bari me rezultat 2-1, duke e vënë Juventusin jashtë pozitës për Europa League.
Palermo mezi barazoi në udhëtim te Cagliari me rezultat 2-2, duke mbajtur ende gjallë shpresat për pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Fiorentina përfundimisht nuk ka kurrfarë gjase që të kualifikohet për ndonjë vend në Evropë pas humbjes me rezultat 2-1. Viola luajti me një lojtar më pak një pjesë të madhe të lojës.
Milani ka shënuar humbje në udhëtim te Sampdoria duke humbur gjasat për titullin në Serie A.Milani pati një dominim të lehtë në lojë, por nuk arriti që në fund të dalë pastër nga ky takim dhe gjithë kjo falë nxitimit të Boneras.
Fillimisht, Marco Boriello kaloi në epërsi mysafirët pas asistimit të Amantino Mancinit (20’).
Pas 53 minutash lojë, Daniele Bonera ndërhyri në zonë, me ç’rast u akordua penalti për Sampdorian, të cilën e shndërroi në gol Antonio Cassano për të barazuar shifrat.
Kur të gjithë menduan se ndeshja do të përfundonte me barazim, në skenë doli Giampaolo Pazzini, i cili shënoi golin e fitores së madhe të Sampdorias (90’).
Pas kësaj humbjeje, mund të thuhet se Milani nuk ka gjasa për titull, duke qenë se është gjashtë pikë prapa vendit të parë kur kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar.
Ndërkohë, Sampdoria nga ana tjetër, është pozicionuar në vendin e katërt me dy pikë më shumë se Palermo që barazoi kundër Cagliarit.
Wigan Athletic është rikthyer nga disvantazhi prej 2-0, për ta mposhtur Arsenalin me rezultat 3-2, në takimin e javës së 35-të të Ligës Premier.Theo Walcott kaloi mysafirët në epërsi, kur pas një pasimi të Bendtner, depërtoi bukur mes dy mbrojtësve dhe kaloi Topçinjtë në epërsi, ndërsa me rezultat 1-0 përfundoi pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë, Arsenali dominoi ndeshjen, ndërsa porsa filloi fraksioni i dytë i lojës (48’), Mickael Silvestre dyfishoi epërsinë me koka pas një krosimi nga këndi.
Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Ben Watson e bëri ndeshjen dramatike duke ngushtuar epërsinë e mysafirëve në 2-1.
Deri në fund të ndeshjes vendasit shkaktuan presion dhe më në fund arritën ta barazojnë rezultatin, kur pas një gabimi të portierit Fabianski, Titus Bramble e barazoi rezultatin (89’).
Mirëpo, Wigani nuk u ndal me kaq, në minutën e parë shtesë, me një eurogol, Charles N’Zogbia shënoi për fitoren e vendasve, e cila ia siguron Wiganit qëndrimin në Ligën Premier.
Ndërkohë, pas kësaj humbjeje, Arsenali mund të përshëndetet nga çdo shpresë për titull, pasi që gjendet gjashtë pikë pas vendit të parë, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje për t’u zhvilluar.
Të dyja gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve do të zhvillohen ashtu siç është paraparë pas paralajmërimeve të para se ato mund të rrezikohen nga anulimi i fluturimeve për shkak të hirit vullkanik.Barcelona është nisur me autobus të dielën nga Katalunia për të arritur me kohë në Milano për supersfidën kundër Interit që zhvillohet të martën, ndërsa edhe Lyoni do të niset me autobus një ditë para ndeshjes kundër Bayernit në Munih.
Ende pritet të merret një vendim për dy gjysmëfinalet e Europa League mes Atletico Madridit dhe Liverpoolit, dhe asaj mes Hamburgut dhe Fulhamit që zhvillohen të enjten.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka pranuar se stafi mjekësor i Milanit nuk është në gjendje të precizojë një afat kohor se kur do të mund t’i rikthehej në dispozicion sulmuesi Alexandre Pato.“Testet e bëra mjekësore i janë përgjigjur disa pyetjeve të cilat duhet t’i vlerësojmë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Rikthimi i tij do të ndodhë atëherë kur nuk do të ketë asnjë dhimbje të vetme”.
“Ne nuk jemi në gjendje të themi se kur do të rikthehet ai në Milanello. Ndoshta javën e ardhshme, por një gjë dihet, ai nuk do të luajë ndaj Palermos”, deklaroi Leonardo.
Pato pritet që të rikthehet në dy ndeshjet e fundit në Serie A.
Real Madridi thuhet të ketë shprehur interesimin edhe për sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, në kohën kur bisedimet për rinovim të kontratës kanë dështuar.News of the World njofton se, përkundër që Tevez arriti sezonin e kaluar te City, ai nuk është aspak i kënaqur me pagën e tij dhe kërkon që në kontratën e re të fitojë nga 160 mijë funte në javë me ç’rast do të barazonte rekordin e Robinhos.
Reali është duke vuajtur për tituj dhe është vënë në kërkim të sulmuesve. Me Rooneyn që do të qëndrojë tek United, menjëherë gjiganti spanjoll ka përqendruar vëmendjen te sulmuesi argjentinas, të cilin po e vështron edhe Jose Mourinho i Interit.
Këtë sezon, Tevez ka shënuar 28 gola në fanellën e Manchester Cityt.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, është në rrugë të mirë për t’u larguar nga Old Traffordi dhe për të shkuar në Allianz Arena, me ç’rast do të mund ta shpëtonte karrierën e tij.Sipas News of the World, bosi i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson është i gatshëm të largojë sulmuesin e frustruar me formën e tij. United shpenzoi më shumë se 30 milionë funte për transferimin e bullgarit, por Berbatov ka dështuar të ripërtërijë formën që e pati te Tottenhami.
Berbatov ka kaluar pesë sezone te Bayer Leverkuseni dhe spekulohet se destinacioni i tij i radhës mund të jetë Bayern Munichu, pasi që me ardhjen e sulmuesit meksikan Javier Hernandez në radhët e United, pritet që bullgari të qëndrojë në bankën rezervë.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se skuadra e tij duhet të bëjë një hap para triumfit në Ligën e Kampionëve, kur Nerazzurët të presin në Giuseppe Meazza, Barcelonën, në ndeshjen e parë gjysmëfinale.“Jam i bindur se mund t’i fitojmë të tre titujt. Unë do ta luaj gjysmëfinalen e parë në karrierën time të martën dhe unë e di se do të jetë e mrekullueshme”, theksoi Sneijder për Inter Channel.
Ndeshja kthyese do të zhvillohet një javë më vonë, më 28 prill, në Camp Nou.
Alessandro Del Piero ende beson se Juventusi mund të përfundojë në pozitën e katërt, përkundër humbjes prej 2-0 ndaj rivalit të përbetuar, Interit.Del Piero këmbëngul se shpresat e Bianconerëve për kualifikim në Ligën e Kampionëve nuk janë të vdekura, por e di mjaft mirë se ata janë nën kontroll të fatit.
“Le t’i marrim ato 12 pikët e mbetura dhe më pas le ta shikojmë tabelën. Ndeshja në San Siro ishte pjesërisht e ndikuar nga vendimet që na dëmtuam. Ne jemi të zhgënjyer sepse nuk është paraqitja që e dëshironim. Fatkeqësisht, lufta për vendin e katërt është bërë një ngjitje rrëzë malit që nuk varet nga ne”, tha Del Piero.
Juventusi në katër javët e fundit do të përballet me Barin, Catanian, Parmën dhe Milanin.
Pas barazimit pa gola mes Espanyolit dhe Barcelonës në derbin lokal, të dy trajnerët e skuadrave respektive kanë reflektuar në pikën e marrë në këtë takim.“Ekipi ishte shumë i fortë dhe sot (e diel) do të jemi përsëri liderë. Është kënaqësi të jesh në krye të lojtarëve me këtë shpirt. Ne meritojmë çdo lëvdatë për pozitën ku jemi tani”, tha Guardiola.
Pochettino nga ana tjetër ishte shumë i kënaqur duke thënë se skuadra e tij nxori një pikë nga skuadra më e fortë në botë.
“Kundërshtar e kemi pasur ekipin më të fortë në botë. Ishte një vuajtje titanike dhe një presion enorm. Ekipi ynë meriton komplimente. Nuk më kujtohet hera e fundit kur Barcelona ka pasur aq pak goditje në portë”, përfundoi Pochettino.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka pranuar se do t’i pëlqente të shihte përzgjedhësin e Anglisë, Fabio Capello, në bankinën madrilene për herë të tretë.“Unë jam ende mik me Rooneyn, Rio Ferdinandin dhe Nemanja Vidicin. Unë mendoj se Rooney është mjaft i lumtur në Mançester dhe edhe nëse Reali tenton ta transferojë nuk besoj se ai do të më bashkohet këtu”.
“A do të më pëlqente të luaja nën Capellon? Definitivisht po. Ai është trajner i rëndësishëm, njëri prej më të mirëve në botë. Ai ka bërë punë të mirë në Angli dhe ka fituar shumë tituj në Itali, kështu që, pse jo? Kurrë nuk i dihet”.
“A më mungon United? Manchester United është klub fantastik ku kam fituar shumë gjëra. Por, tani luaj për Real Madridin, klubin më të mirë në botë dhe unë vetëm dua të luaj ashtu siç luajta për Manchesterin. Vërtet jam i lumtur që jam këtu. Manchester United mund t’ia dalë edhe pa mua”, deklaroi Ronaldo për News of the World.
Ish-trajneri i Interit, Roberto Mancini, ka akuzuar pasuesin e tij Jose Mourinho, duke pohuar se portugezi po i shfrytëzon beneficionet e punës së palodhshme të dikujt tjetër.“Gjëja më e vështirë është të fillosh të fitosh. Pas asaj, është më lehtë. Ne e fituam Scudetton në fushë në vitin 2007, diçka që Interi nuk e ka bërë për 17 vite”.
“Siç thashë, gjëja më e vështirë është të fillosh një cikël. Pjesa tjetër vjen vetvetiu”, deklaroi Mancini për L’Equipe.
Interi është ende në garë për tre tituj këtë sezon dhe rasti ideal që Mourinho t’i përgjigjet Mancinit është të hënën në konferencën për shtyp para supersfidës ndaj Barcelonës.
Besohet se Topçinjtë tashmë kanë siguruar transferimin e Marouane Chamakh nga Bordeaux, ndërsa lëvizja e radhës është portieri i Birminghamit, Joe Hart.Francezi është vënë në kërkim të një portieri të ri për shkak të gabimeve fatale të Almunias këtë sezon, ndërsa nga ana tjetër, Hart ka pasur paraqitje fantastike këtë sezon.
Meqë jemi te Wenger, edhe për francezin ka lajme të mira. Ai do të nënshkruajë së shpejti një kontratë katër vjeçare duke iu përkushtuar maksimalisht vetëm Arsenalit.
Arsenali është jashtë garës për titull edhe pse gjasat matematikore ende janë në letër.
Rafael Benitez ka filluar të frikësohet se ndoshta nuk do ta ketë në dispozicion për pjesën përfundimtare të sezonit sulmuesin kryesor Fernando Torres, pasi që këtij të fundit i duhet një operacion në gju.Torres nuk ka arritur të shkojë te mjeku i tij personal në Barcelonë për shkak të mbylljes së aeroporteve, por sipas stafit mjekësor të Liverpoolit, Torresit i duhet një operacion. Nëse spanjolli eventualisht operohet, përveç se do të mungonte në ndeshjet e Liverpoolit në Ligën Premier dhe Europa League, do të mungonte dhe në Botëror.
“Ne nuk jemi të sigurt nëse ai do të luajë përsëri këtë sezon. Ai duhet të kontrollohet nga specialisti në Barcelonë dhe më pas ai do të na tregojë se a nevojitet një operacion dhe kur do të rikthehet përsëri”, ka thënë Benitez për The Mirror.
Është spekuluar se Torres do të mund të luante të hënën ndaj West Hamit, por tani ekziston frika se ai do të mund të mungojë disa muaj.
Njëri nga pronarët e Liverpoolit, Tom Hicks, dëshiron ta shesë klubin nga Anfield për hiç më pak se 800 milionë euro.Bashkëpronarët Hicks dhe Gillet e kishin blerë klubin në vitin 2007 për 217 milionë funte dhe amerikanët dëshirojnë të përfitojnë nga shitja e klubit. Dyshja amerikane ka paralajmëruar shitjen e Liverpoolit kur e caktuan Martin Broughtonin si agjent të shitjes së klubit.
Banka mbretërore e Skocisë u ka dhënë ultimatum pronarëve gjashtë muaj për të shlyer borxhin prej 237 milionë funtesh dhe kjo është arsyeja pse ata janë vënë në kërkim të një blerësi.
“Liverpooli do të jetë investimi më profitabil që kam bërë ndonjëherë”, citohet të ketë thënë Hicks.
Sekretari teknik i Barcelonës, Txiki Begiristain, beson se pasi e shikoi derbin katalunas dhe Victor Valdesin në top formë, ky i fundit sipas tij jo vetëm që meriton të luajë në Botëror por dhe të jetë në formacionin startues.Barcelona mezi arriti një barazim pa gola, pasi që luajti me dhjetë lojtarë dhe tre intervenimet e Valdesit ishin vendimtare që Barcelona të mos pësojë.
“Unë nuk mendoj që ai meriton vetëm të shkojë në Botëror, por ai mund të luajë si portier i parë. Ai po kalon një sezon fantastik, me një formë të jashtëzakonshme”, tha Begiristain.
Ndeshja e radhës e Barcelonës është ndaj Interit të martën në Giuseppe Meazza, në duelin që konsiderohet si përplasja e gjigantëve të Ligës së Kampionëve.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka përgëzuar lojtarët e tij për fitoren e madhe në sekondat e fundit ndaj rivalit Manchester City.“Ishte një përfundim i çmendur. Ky është goli i tretë këtë sezon në sekondat e fundit ndaj Cityt, por të gjithë i kemi merituar. Ne i patëm rastet tona, por unë mendova se nuk do të kishte fitues. Ndeshja ishte shumë e hapur në dhjetë minutat e fundit”.
“Derbi është derbi dhe mënyra si kemi fituar u ka dhënë kënaqësi tifozëve. Ta bëjmë këtë në fushën e Cityt është një rezultat i mrekullueshëm për ne”, përfundoi Ferguson.
Kampioni aktual në Formula 1, Jenson Button, ka triumfuar në garën për Çmimin e Madh të Kinës në Shangai, duke lënë prapa rivalët e drejtpërdrejtë për titull në një garë që u përshkrua nga shiu.Starti i garës ishte tejet interesant pasi që menjëherë ndryshoi renditja dhe gjithë kjo për shkak të kushteve jo të mira atmosferike. Edhe gjatë garës pati ndryshime drastike në renditje.
Për çdo lëvdatë ishte Lewis Hamilton, i cili një nga një tejkaloi kundërshtarët për t’u renditur i dyti prapa kolegut të McLarenit, Button. I treti përfundoi Nico Rosberg që në një pjesë të konsiderueshme të garës ishte lider.
Fernando Alonso doli i katërti kurse, ngasësi që filloi nga pole pozicioni Sebbastian Vettel përfundoi vetëm i gjashti. Shtatë herë kampioni i Formulës 1, Michael Schumaher, përfundoi në pozitën e dhjetë.
Me këtë fitore, Button merr kreun me 60 pikë, i ndjekur nga piloti i Mercedes GP, Nico Rosberg (50 pikë), ndërsa Fernando Alonso i Ferrarit renditet i treti (49 pikë).
Sa i përket renditjes së konstruktorëve, prin McLareni (109 pikë), i ndjekur nga Ferrari (90 pikë) dhe Red Bulli (73 pikë).
“Jam i sigurt nuk jemi favoritë ndaj Romës. Vetëm shikojeni tabelën dhe do ta vërtetoni këtë. Ranieri është konfuz dhe ndoshta ka të drejtë, por unë nuk pajtohem me të duke parë faktin se jemi 31 pikë prapa Giallorosëve”.
“Ne jemi vetëm një hap larg sigurimit të ekzistencës në Serie A për sezonin tjetër. Pas një sezoni zhgënjyes, një fitore në derbi do të përbënte kënaqësi për fansat dhe lojtarët. Ne duhet të luajmë një ndeshje të përsosur. Jemi të gatshëm mendërisht për të dhënë gjithçka nga vetja”, deklaroi Reja.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, u shpreh të jetë mjaft i lumtur që titulli i Ligës Premier është ende në duart e skuadrës së tij, pas humbjes në udhëtim te Tottenhami me rezultat 2-1.“Mendoj se tani të gjitha ekipet kanë presion, të gjitha ekipet kanë synimet e veta, është normale. Kanë mbetur edhe tri ndeshje, dhe titulli është ende në duart tona. Duhet të shikojmë para, për ndeshjen ndaj Stoke Cityt”.
“Them se kjo është ndeshja jonë më e keqe e sezonit. Duhet të rifokusohemi dhe të luajmë më mirë në ndeshjet e radhës”, ka thënë pas ndeshjes Ancelotti.
Cristiano Ronaldo nuk beson se po i mungon ish-skuadrës së tij Manchester United, përkundër kontributit të tij vitin e kaluar në Old Trafford, i cili ishte esencial që United të fitojë titullin e Ligës Premier.“Pa mua, Manchester United ka arritur gjëra të mira. Ata kanë fituar Carling Cup dhe janë në luftë për Ligën Premier”.
“Ata janë eliminuar nga Liga e Kampionëve por për mendimin tim United e meritoi të jetë në gjysmëfinale edhe pse në futboll këto gjëra ndodhin. I dëshiroj çdo të mirë Unitedit, gjithnjë ishte klub i veçantë për mua”, përfundoi CR9.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka lavdëruar ekipin e tij për paraqitjen fenomenale, kur këta të fundit mposhtën liderin e Ligës Premier, Chelsean.“Lojtarët ishin fantastikë. Pas një jave zhgënjyese, rikthimi me dy fitore ndaj Arsenalit dhe Chelseat është top-klasë. Nuk dua të them se Chelsea është në nivel tjetër krahas Arsenalit, por është në krye të tabelës, dhe është dashur të luajmë më mirë se ndaj Arsenalit. Ne u kthyem nga një javë e keqe me fitore të rëndësishme”.
“Manchester United na bëri një nder që e mposhti Cityn. Kjo na ngriti në tabelë. Old Trafford është vend i mirë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme. Nëse do të thoshit se ekipi im do të marrë vetëm pesë pikë nga tre ndeshje do ta pranoja, por gjashtë nga dy ndeshje është mrekulli”, përfundoi Redknapp.
Në kohën kur po rriten pritjet për seancën e radhës dëgjimore të gjyqit të Calciopolit në Napoli, në shesh kanë dalë dëshmi të reja të cilat e akuzojnë kryekëput Luciano Moggin për krijimin e skandalit.Bëhet fjalë për disa telefonata të bëra nga Moggi me gjyqtarët dhe dizejnatorin Paolo Bergamo, të cilat po hetohen nga prokurorët Giuseppe Narducci dhe Stefano Capuano. Në telefonata shihet qartë Moggi që detyron një gjyqtar të paraqitet në ndeshjen e Juventusit, edhe pse e ka anuluar sfidën për shkak të një sëmundje.
Nuk ka vonuar deklarata e Moggit, i cili u shpreh: “Kur njerëzit thonë se unë kam biseduar me gjyqtarët, pse nuk gjejnë prova për ta dëshmuar këtë. Unë nuk fola me gjyqtarët. Gjithçka do të marrë fund kur njerëzit do të thonë Moggi nuk ka bërë asgjë”.
“Njerëzit punuan për interesat e klubeve të veta. Askush nuk është i fajshëm këtu. Njerëzit punuan për interesat e klubeve të tyre. Nuk ishte sistem i Juventusit, por të gjithë komunikuan me të gjithë”, deklaroi Moggi.
Buffon nga ana tjetër për Calciopolin shprehet: “Calciopoli është një diskurs që e lëndon futbollin italian dhe sportin në përgjithësi. Krijon tensione që nuk na nevojiten. Vitet kanë kaluar nga ajo dhe unë nuk jam i interesuar. Kushdo që e do Scudetton mund ta fitojë atë”.
Kurse Moratti kundërshtoi: “A jam i frikësuar se do të ma marrin Scudeton e viti 2006? Jo, aspak”.
Seanca e ardhshme dëgjimore e gjykatës së Calciopolit në Napoli mbahet më 20 prill.
















