Wesley Sneijderi barazoi rezultatin. Giuseppe Meazza ishte arena e superduelit të parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve, ndërmjet Interit dhe Barcelonës, që përfundoi me fitoren e zikaltërve me rezultat 3-1.
Në fillim të ndeshjes të dyja skuadrat shfaqën lojë të mbyllur me raste të pakta shënimi. Duhet përmendur se në pjesën më të madhe të ndeshjes, strategjia e Jose Mouronhos në ndaljen e Leo Messit u tregua e suksesshme, pasi argjentinasi nuk arriti ta shfaqë lojën e tij.
Ishte minuta e 19-të momenti i zhbllokimit të rezultatit, kur pas një depërtimi të bukur të Maxwell, Pedro Rodriguez kaloi mysafirët në epërsi.
Mirëpo, pas gjysmë ore lojë, Samuel Eto’o pasoi te Diego Milito dhe ky i fundit e gjeti për mrekulli Wesley Sneijderin, i cili nuk e pati të vështirë ta mposhtte portierin Victor Valdes, dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Porsa filloi pjesa e dytë (48’), Douglas Maicon shënoi për epërsinë e parë të Nerazzurëve, ndërsa sërish asistues ishte Milito.
Një aksion i treshes Eto’o, Sneijder dhe Milito, u konkretizua nga ky i fundit, i cili shënoi me kokë golin e tij të merituar për rezultatin 3-1 (61’).
Deri në fund të ndeshjes, Blaugranët krijuan presion për të ndryshuar diçka në rezultat, mirëpo e patën të vështirë të thyenin mbrojtjen vendase, ndërsa nga ana tjetër kanë mundur të dënohen nga kundërsulmet e Interit.
Rezultati 3-1 është shumë i favorshëm për Interin për të kaluar në finalen e Madridit, mirëpo nuk duhet harruar se Barcelona është e aftë të bëjë gjithçka në ndeshjen kthyese në Camp Nou, e cila zhvillohet pas një jave.
Mesfushori i Real Madridit, Fernando Gago, është i bindur se Barcelona do të humbasw pikë dhe pozitë në raport me Real Madridin, duke i kërcënuar Blaugranët se çdo gabim i tyre do të shfrytëzohet nga Los Blancos.
“Ne duhet të vazhdojmë t’i fitojmë ndeshjet. Ne do të vazhdojmë të luftojmë pasi që kemi ende gjasa. Unë jam i sigurt se Barcelona do të dështojë përsëri. Gjithçka mund të ndodhë”.
“Ne e dimë se duhet ta konsiderojmë secilën ndeshje sikur të ishte e fundit. Ne do ta shfrytëzojmë secilën dhe do të tentojmë të vëmë presion mbi Barcelonën në kohën kur kampionati po përfundon”.
“Barcelona është shumë e fortë dhe luan futboll të mrekullueshëm. Sistemi që përdor është shumë i përshtatshëm për atë ekip”, deklaroi Gago për Marca.
Lazio iu gjunjëzua Romës në derbin kryeqytetas dhe kjo nuk do të ndodhte nëse Sergio Floccari, i huazuar nga Genoa te Lazio, do të shënonte nga pika e bardhë.
“Është gabimi im pse pësuam disfatë në derbi”, mësohet t’u ketë thënë sipas La Repubblica, Floccari bashkëlojtarëve.
Shumë tifozë të Lazios thonë se Floccari nuk bëri asgjë gabim dhe se ai nuk është fajtori për disfatën, por duket se Floccari e ka marrë këtë incident shumë rëndë .
“Nuk është e vërtetë. Unë kam bërë një gabim të pafalshëm dhe shpresoj të mos përsëritet më një gabim i tillë”, citohet të ketë thënë ai.
Lazio i shkon Genoas fundjavën e ardhshme në kohën kur Lazio gjendet vetëm tre pikë larg Series B.
Përzgjedhësi i kombëtares spanjolle, Vicente Del Bosque, shpreson se do të ketë të gatshëm si fizikisht ashtu dhe mentalisht pjesën më të madhe të lojtarëve, edhe pse ai pohon se ka mjaft alternativa për lojtarët e lënduar.
“Në rast se disa lojtarë nuk mund të luajnë, ne kemi alternativa të shkëlqyera. Shpresoj se të gjithë lojtarët do të jenë të shëndetshëm deri atëherë”.
“Nuk mund të ftoj pesë ose gjashtë lojtarë të lënduar në skuadrën e Botërorit me shpresë se ata do të rikthehen me kohë. Nëse ndonjë lojtar nuk mund të luajë, ka kush t’i zëvendësojë”, deklaroi Del Bosque për Marca.
Aktualisht, Fernando Torres, Cesc Fabregas dhe Andres Iniesta janë duke vuajtur nga lëndimet, ndërsa ëndrra e tyre për një Botëror mund të shuhet nëse nuk kthehen me kohë.
Ronaldinho ka deklaruar se ai nuk mund ta paramendojë një Kampionat Botëror pa ‘Ronaldinhon’ dhe se ai e sheh veten shumë pranë kombëtares.
“Më duhet t’iu them një sekret: Nuk mund ta paramendoj një Kampionat Botëror pa Ronaldinhon në fushë”.
“Duket e pamundshme edhe pse unë e kam parasysh se rrezikoj të mos jem atje. Në këtë rast do të ndjeja dhimbje. Por, më duhet t’iu garantoj se unë do të luaj në Kampionatin Botëror të viti 2014-, të cilin do ta fitojmë”.
“Scudetto? Do të përfundojë vetëm kur të mos kemi gjasa matematike. Nuk e di pse besoj se do ta fitojmë. Secila ndeshje është një betejë për mua dhe unë jam gati”, theksoi Dinho në një intervistë për Chi.
Ngasësi i McLaren, Jenson Button, e ka përshkruar fitoren në garën për Çmimin e Madh të Kinës si më të mirën e karrierës së tij.
Kampioni i botës e mbajti veten pasi prapa kishte Lewis Hamiltonin, ndërsa në fund e fitoi garën për t’u renditur i pari në renditjen e ngasësve.
“Për mua është fitorja ime më e mirë. Secilën herë që fitoj më duket se është fitorja më e mirë”.
“Por, kjo ishte një fitore e veçantë sepse ishin kushte shumë të vështira dhe gjëja më e mirë është se lëvizja jonë ishte e mirë”, tha Button.
Gjermania do të ketë të bëjë me kundërshtarë relativisht të papërshtatshëm në fazën grupore të Kampionatit Botëror, ndërsa portieri legjendar, Oliver Kahn, ka deklaruar se Gjermania është krah favoritëve.
“Analizoni sa të doni por favoritët mbeten të njëjtë: Spanja, Brazili, Italia, Franca dhe Gjermania gjithashtu. Sidoqoftë, forma e ekipeve para Botërorit nuk do të thotë asgjë”.
“Çdo Botëror zhvillohet në formën e vet, i fuqishëm dhe dinamik, i bazuar në atë se kush mund ta përballojë klimën, kushtet dhe kështu me radhë. Kështu që, është vështirë të themi se çfarë mund të ndodhë”.
“Unë personalisht besoj se Gjermania është në një nivel me ekipet tjera favorite. Gjermania është në gjendje të mposhtë Brazilin apo Spanjën dhe e kundërta. Asgjë nuk mund të përjashtohet”.
“Nuk ka ndikuar humbja minimale e Gjermanisë ndaj Argjentinës në mendimet e mia. Unë po mendoj për vitin 2002 kur nuk u paraqitëm mire, por në fund arritëm në finale”, deklaroi Kahn për FIFA.com.
Mbrojtësi i Arsenalit, Gael Clichy, ka thënë se do të preferonte më shumë qëndrimin tek Arsenali se sa një kalim te Barcelona.
Clichy ishte lidhur kohëve të fundit me një transferim në Camp Nou për një vlerë prej rreth 10 milionë funtesh dhe gjithë kjo të finalizohej në paketë me Cesc Fabregasin. Sidoqoftë, këto spekulime Clichy i mohon kategorikisht.
“Është e mrekullueshme pasi që ekipe si Barcelona dhe Real Madridi janë duke më vështruar. Këto janë ekipe të mëdha që secili i njeh, por unë dua të them se jam i fokusuar në fundin e sezonit. Unë dua të fitoj diçka këtu. Unë kam dhe dy vite të mbetura në kontratën time, kështu që këtë pyetje më duhet ta lë pa përgjigje”.
“Unë nuk dua të them se ndjehem anglez sepse shumë njerëz do të ofendoheshin. Por, unë vërtetë ndihem si në shtëpinë time”, deklaroi Clichy për London Evening Standard.
Ronaldinho është duke e shqyrtuar mundësinë për të kaluar te skuadra angleze Manchester City, pasi që Milani ende është duke hezituar rinovimin me brazilianin.
La Gazetta dello Sport pohon se Ronaldinho është ngopur nga drejtuesit e Milanit dhe zvarritjet e tyre për zgjatjen e kontratës edhe pse Dinho ka pranuar një shkurtim të pagës prej 25%.
Si rezultat i kësaj, Ronaldinho ka filluar të mendojë seriozisht një kalim në Ligën Premier, ku do t’i garantohej paga që e ka aktualisht te Milani.
Raportet nga Italia javën e kaluar thoshin se Ronaldinho ishte pranë nënshkrimit të kontratës, por tërheqja e Milanit në momentet e fundit ka bërë që spekulimet për një largim të Ronaldinhos të rriten.
Steven Gerrard ka folur rreth sezonit të Liverpoolit duke shprehur dëshirën për katër lojtarë të rinj por jo dhe për një revolucion.
“Ka ekipe që janë bërë shumë të forta me vite, p.sh Chelsea. Për më shumë, Manchester United ka qenë shumë i fortë për ne për shumë vite. Vitin e kaluar ishim pranë për t’i mposhtur por është vështirë të tejkalosh një ekip aq të fuqishëm”.
“Të gjithë e dinë se duhet të mësojmë nga ky sezon. Shumë lojtarë kanë thënë se na duhet një skuadër e fortë dhe çelësi është që të blejmë lojtarë dhe të përmirësohemi. Nuk besoj në ndryshime të mëdha ose në revolucione. Tre ose katër lojtarë të rinj do të ishin të mjaftueshëm”, ka thënë Gerrard për The Daily Mail.
Lorik Cana Mesfushori kosovar i Sunderlandit, Lorik Cana, do t’u rikthehet fushave të blerta ndaj Hull Cityt, edhe pse kjo ndodh më vonë se ç’është parashikuar.
Lorik Cana do të luajë nga fillimi për Sunderlandin në sfidën ndaj Hull Cityt. Lajmin e konfirmoi trajneri Steve Bruce, që natyrisht se e mirëpriti futbollistin më të mirë shqiptar në radhët e veta.
Kosovari ishte jashtë aksionit që prej 28 marsit pas ndeshjes ndaj Liverpoolit, kur pësoi një dëmtim në ije.
Mesfushori kuqezi aktualisht gjendet në Washington ku po mori pjesë në një tubim të tifozëve të Sunderlandit.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka lëvduar talentin e Cesc Fabregas, duke thënë se ai pasonte më mirë se askush tjetër në ekipin e të rinjve të Barcelonës.
“Kur ne ishim në ekipin e të rinjve të Barcelonës, Fabregas pasonte në fushë si askush tjetër. Ai është ende i tillë, pasimet e tij vrasëse mund të copëtojnë çdo mbrojtje”, theksoi Messi për BBC.
Messi gjithashtu pohon se ka miqësi me Carlos Tevezin dhe thotë se ai është njëri prej njerëzve më të mirë që ka takuar ndonjëherë.
“Unë jam shok i ngushtë me Carlos Tevezin, unë e thërras atë Carlito. Ai është njëri prej njerëzve më të mirë që kam takuar ndonjëherë”, përfundoi Messi.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, vazhdon të shpresojë se Barcelona do të lodhet nga Liga e Kampionëve për të dështuar në La Liga.
“Nuk kam dyshime në aftësinë tonë për ta fituar La Ligan. Pasi u mposhtëm nga Barcelona, u tha se La Liga kishte përfunduar, por kanë mbetur edhe pesë ndeshje dhe mund të rikthehemi. Ky ekip ka vetëbesim”.
“Nëse do ta përfundojmë kampionatin me 98 pikë (nëse Reali i fiton pesë ndeshjet e mbetura) atëherë kjo do të ishte arritje e madhe. Barcelona gjithashtu është për çdo lëvdatë nëse e kalon këtë shifër”.
“Shpresoj se ata do të lodhen mirë nga Interi në Ligën e Kampionëve”, deklaroi Higuain për Marca.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka bërë pohime të pabesueshme në prag të duelit Inter-Barcelona kur tha se ekziston frika në kampin zikaltër.
“Unë po pres një ndeshje të madhe dhe ekziston pak frikë kur luani me këso lloj ekipesh të forta. Por, nga ana tjetër, frika është ndjenjë e sportit. Ne e dimë se kemi një ekip të mirë dhe shpresojmë të luajmë mirë”.
“Jo, kjo ndeshje nuk është sikur ato të grupeve. Do të shohim kush do të kualifikohet në finale. Bernabeu është fushë me rëndësi për ne, por ne po mendojmë vetëm këtë takim”, përfundoi Moratti.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është dënuar nga Lega Calcio me 20.000 euro për gjestin e tij drejtuar tifozëve të Lazios pas derbit kryeqytetas.
Gjesti i Tottit edhe pse i drejtuar kah tifozët e Romës, ishte i menduar për tifozët e Lazios që po lufton për ekzistencë në Serie A.
Kjo nuk është e tëra. Roma dhe Lazio gjithashtu janë dënuar me nga 40.000 euro secila për përleshjet mes tifozëve gjatë dhe pas takimit.
Legjenda e Milanit, Franco Baresi, ka thënë se Rossonerët kanë nevojë për një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, për të përforcuar skuadrën edhe pse ai është i kënaqur me ecurinë e Milanit këtë sezon.
“Unë mendoj se Milani ka kaluar nëpër një sezon të mirë në kampionat, pavarësisht se cila do të jetë pozita në fund. Sigurisht, ata kanë mundur të bëjnë më shumë në Ligën e Kampionëve. Por, duke parë pritjet matematike dhe pozitën e siguruar për Ligën e Kampionëve, mendoj se ky sezon ishte i suksesshëm për Milanin”.
“Mendoj se një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues duhet të vijnë këtu. Unë jam i bindur se zyrtarët e Milanit do të bëjnë këto lëvizje në merkato”, tha Baresi.
Nëse Rafa Benitez pranon ofertën e Juventusit, ai do të ketë në dispozicion rreth 80 milionë euro për të rindërtuar ekipin gjatë kësaj vere.
Tashmë nuk është sekret se menaxheri i Liverpoolit është caku kryesor i gjigantit italian, dhe biankonerët po mundohen ta bindin spanjollin në çdo mënyrë të marrë nën drejtim ekipin.
Corriere dello Sport së fundi shkruan se Juve do t’i ofrojë atij 80 milionë euro për të blerë cilindo lojtar që dëshiron. Spekulohet se Benitez do të dëshironte të marrë me veti edhe disa yje të Liverpoolit, si Javier Mascherano, Fernando Torres dhe Dirk Kuyt.
Zonja e vjetër tashmë një kohë është duke vëzhguar edhe lojtarë të tjerë si David Silva, Florent Malouda dhe Joaquin.
Sulmuesi i Atletico Madrid, Sergio , ka zbuluar se ai dëshiron të luajë për Chelsean.
Aguero shpesh është lidhur me një transferim në ndonjërin prej klubeve të mëdha si: Manchester United, City, Inter, Chelsea, Real Madrid. Por duket se argjentinasi ka hedhur shikimin e tij kah ekipi Stamford Bridge.
“Chelsea është një klub i madh. Në disa vitet e kaluara ky është bërë një prej klubeve më të frikshme. I shoh futbollistët si Didier Drogba dhe Frank Lampard dhe ata kanë qenë dhe janë prej më të mirëve në pozitat e tyre. Vërtet do të doja të mësoj nga futbollistë si ata, nuk ka dyshim në këtë”, ka thënë Aguero për Daily Express.
Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, ka kritikuar lojtarët e tij pas humbjes së vikendit nga Reali i Madridit.
Llorente thotë se ekipi i tij kishte dështuar të tregojë vlerat në ndeshjen e zhvilluar në Bernabeu.
“Neve na mungoi ambicia. Ishim të frikësuar. Në pjesë e dytë u kthjellëm dhe kishim shanset tona, por nuk shënuam dhe Real Madridi nuk na lejoi të rikthehemi. Sidoqoftë, mendoj se ka qenë më shumë se një pengesë për ne”, ka thënë Llorente.
Mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo, thotë se ai dëshiron ta mbyllë karrierën me Milanin.
Italiani po ashtu thotë se ata tashmë janë jashtë garës për titullin e kamponit të Serie A.
“Kam kontratë me Milanin dhe shpresoj t’i përfundoj ditët e mia të lojës aktive këtu në Milan”, ka thënë Pirlo.
“Skudetoja ka mbaruar. Ka shumë pikë për të rikuperuar dhe jo mjaft ndeshje për të luajtur. Ne kemi humbur shumë pikë në ndeshjet e fundit, përndryshe tash do të mund të garonim për titull”, ka shtuar mesfushori rosoner.
Menaxheri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është i bindur se ai do të drejtojë klubin mbretëror edhe në sezonin e ardhshëm.
Pellegrini thotë se ai tashmë është duke planifikuar stërvitjet para-sezonale dhe ka përjashtuar mundësinë për të dhënë dorëheqje, nëse Reali fiton ligën këtë sezon.
“Jo, në fakt është e kundërta. Erdha në Real Madrid për sfidë. Nuk pranoj kur njerëzit kritikojnë lojën tonë pasi e kam dëshmuar këtë në Villarreal. Nuk është për arsye ekonomike. Kam pasur oferta më të mira se kjo e Madridit. Por sa më shumë kritika dhe sfida, më shumë përmirësohem”, ka thënë Pellegrini.
LeBron James ka shënuar 40 pikë dhe ka bërë një lojë të shkëlqyeshme në çerekun katërt, për të ndihmuar Cleveland Cavaliers të mposhtë Chicago Bulls me rezultat 112-102 dhe për të çuar në 2-0 serinë e ndeshjeve të rundit të parë të play-offit.
James po ashtu kontribuoi me tetë kërcime dhe tetë asistime për Cavaliers. Te Chicago Bulls, Joakim Noah shënoi 25 pikë dhe 13 kërcime, derisa Derrick Rose shënoi 23 pikë dhe tetë astitime.
Që nga e enjtja seria e play-offit rikthehet në Chicago ku do të zhvillohen dy ndeshjet e radhës.
Në Konferencën Perëndimore, Utah Jazz ka mposhtur Denver Nuggets me rezultat 114-111 për të barazuar ndeshjet në 1-1.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, sigurisht se ka qenë i ngazëllyer pasi ekipi i tij bëri një paraqitje të qëndrueshme për të mposhtur West Hamin me rezultat 3-0 në takimin e mbrëmshëm të zhvilluar në Anfield.
Golat nga Yossi Benayoun dhe David Ngog dhe një autogol i portierit Robert Green i dhanë të kuqve tre pikë të reja.
“Gjithçka ishte në nivel, ata u përpoqën të fitojnë që nga fillimi. Pasi shënuam golin e parë ishte më lehtë, kishim më shumë shanse. Ne shënuam edhe golin e dytë dhe i treti e mbylli ndeshjen”, ka thënë Benitez.
Frank Lampard vazhdon të ndjejë dhimbjen e disfatës së vikendit, dhe thotë se Chelsea kishte mjaft shanse për të mposhtur Tottenhamin gjatë të shtunës.
“Gjëja e fundit që dëshironi të bëni kur shkoni në White Hart Lane është t’i lejoni ata të avancojnë 1-0 që në fillim, veçanërisht në derbi. Kur ne ishin në disavantazh 1-0, ata fituan vetëbesim dhe kur ndeshja u bë 2-0 ne ishin nën presion të madh dhe ata janë një ekip i mirë”.
“Pastaj ndeshja u përkeqësua në pjesën e dytë dhe ne mbetëm me 10 lojtarë. Por të jemi të sinqertë ne kishim shumë topa në drejtim të golit të tyre, por vetëm nuk mund të gjenim atë goditjen e saktë të fundit”, ka thënë Lampard.
Gjiganti gjerman Bayern Munich besohet se është shumë i interesuar të transferojë sulmuesin e West Ham United, Carlton Cole.
Skysports shkruan se 26-vjeçari i ka impresionuar vëzhguesit e Bayernit gjatë disa sezoneve të fundit dhe ata tash janë të gatshëm të bëjnë hapin e duhur për ta rrëmbyer atë.
Cole e ka ngritur veten si një prej pretendentëve për të qenë pjesë e kombëtares së Anglisë nën drejtimin e Fabio Capellos dhe ka ndihmuar West Hamin të dalë nga zona e rrezikut në Ligën Premier.
Klubi vështirë se do të pranojë të heqë dorë nga shërbimet e tij, por një ofertë e majme mund të bëjë që anglezi të luajë në Bundesliga sezonin e ardhshëm.
Mesfushori i West Ham United, Valon Behrami, nuk ka dyshime se Alberto Aquilani do të dëshmojë vlerat e tij në Liverpool.
Dyshja janë miq të mirë pasi të dy kanë luajtur në kampionatin italian, Behrami te Lazio dhe Aquilani te Roma.
“Ka qenë vështirë për atë të vijë në futbollin anglez. Është shumë vështirë, por ai është një lojtar shumë i mirë dhe është duke u rikthyer nga lëndimi, nga i cili ende vuan ndonjëherë”.
“Ai ende nuk ka qenë në gjendje të tregojë kualitetet e tij, por në të ardhmen ai do të jetë një prej lojtarëve më të mirë për Liverpoolin”, ka komentuar Behrami pas ndeshjes së mbrëmshme me Liverpoolin.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, e ka paralajmëruar Barcelonën të ketë kujdes nga Interi pasi që Nerazzurët do ta shkatërrojnë lojën e Barcës.
“Nuk kam frikë nga askush. Ne e respektojmë Barcelonën sepse është ekipi më i mirë në Evropë për momentin, por ne nuk kemi frikë. Ata kanë një ekip shumë të fortë. Ata kanë posedim të lartë të topit në secilën ndeshje”.
“Por, Jose Mourinho do t’i ketë gjithmonë taktikat e tij. Ne do ta bëjmë këtë nesër (e martë), do ta shkatërrojmë lojën e tyre, do t’i sulmojmë ata dhe do të shënojmë”.
“Kam një parandjenjë të mirë. Është gjysmëfinalja ime e parë dhe ne kemi shumë respekt për ata, por ne do të luftojmë për atë dhe do ta bëjmë atë. Javën e ardhshme shkojmë në Barcelonë për të luajtur ndeshjen e dytë, por së pari kemi këtë ndeshje dhe ne duam të jemi bosët në stadiumin tonë”, përfundoi deklaratën e tij sensacionale Sneijder.
Kampioni në fuqi në kategorinë e lehtë WBC, Edwin Valero, ka bërë vetëvrasje në burg, 24 orë pasi që pranoi se ai e vrau bashkëshorten e tij.
28- vjeçari ishte duke qëndruar në një hotel në vendlindjen e tij Venezuela, kur në orët e hershme të mëngjesit alarmoi policinë se e ka vrarë bashkëshorten e tij me tre të shpuara.
Valero, që me sukses mbrojti titullin e kampionit në WBC dy muaj më parë në kategorinë e lehtë, ishte arrestuar nga policia nën akuzë për vrasje. Sidoqoftë, ai është gjetur nga një i arrestuar tjetër në qelinë e njëjtë, i vetëvarur me anë të rrobave të tij.
Edwin Valero është sportist me emër në Venezuelë pas sukseseve të tij në boksin profesionist. Sidoqoftë ai pati disa herë probleme me ligjin në Venezuelë, pasojat e së cilës ishin depresioni që dhe e detyroi ta vras bashkëshorten e tij dhe me pas edhe veten.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka pranuar se John Terry e kishte humbur kontrollin pasi ishte përjashtuar në duelin e humbur ndaj Tottenhamit.
Terry jo vetëm që ia dhuroi një penalti Tottenhamit, por më pas u dërgua dhe në zhveshtore, me ç’rast u dha mundësi Spursave ta fitojnë sfidën.
“Unë kam qenë lojtar dhe shpeshherë ndodh që ju të mos jeni racional, të humbisni kontrollin. Ai kaloi një sezon fantastik. Ndoshta ndonjëherë ai ka pasur probleme dhe nuk luajti aq mirë, ndoshta ndaj Tottenhamit nuk luajti shumë mirë”.
“Ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund. Fakt është, Tottenham luajti më mirë se ne”, deklaroi Carlito për Sky Sports.
Ancelotti nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Didier Drogbas, pasi që ky i fundit është lënduar.
Mesfushori i Lazios, Cristian Ledesma ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga reagimet e kapitenit të Romës, Francesco Totti, pas fitores së madhe ndaj Lazios.
“Ndonjëherë humbisni, por duhet të dini dhe si të fitoni. Duhet të jesh sportist dhe dikush këtë nuk e ka”, theksoi Ledesma duke aluduar në reagimin e Tottit, kur ky i fundit mbajti dy gishta poshtë në drejtim të tifozëve të Lazios.
“Ndërhyrja e Tottit në Andre Dias do të duhej të ishte karton i kuq dhe jo i verdhë, por ndoshta me një arbitër tjetër. Unë bëra një gabim, por isha i hidhëruar me qëndrimin e gjyqtarit ashtu siç jam dhe sot”, përfundoi Ledesma.
Pas ndeshjes tifozët e të dy skuadrave rivale u përleshën jashtë stadiumit duke lënë disa të lënduar në mesin e këtyre fansave.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka kërcënuar Barcelonën me eliminim nga Liga e Kampionëve, pasi që, sipas ‘të veçantit’, skuadra e tij është më e përgatitur se në nëntor.
“Barcelona tregoi superioritet në ato dy ndeshje dhe fitoi me meritë, kurse ne nuk patëm aftësi për t’iu përgjigjur dominimit të tyre. Ajo ishte në nëntor. Tani ata janë të mirë, ashtu si në nëntor, por ne jemi më të fortë se në nëntor. Unë pranoj se njerëzit thonë që ata janë favoritët, por unë mendoj se është një ndeshje 50-50”.
“Nuk mendoj se fituesi duelit Barca-Inter është fitues i titullit. Kjo është një gjysmëfinale dhe më pas duhet të luani në finalen e Madridit. Lyoni dhe Bayerni kanë përqindjen e njëjtë si Interi, ashtu si edhe Barcelona për ta fituar titullin”.
“Messi? Sipas meje futbolli nuk luhet me një lojtar dhe kjo sfidë nuk është një kundër një, por dhjetë kundër dhjetë, por është e natyrshme se ai meriton kujdes të veçantë”, deklaroi në konferencë për shtyp Mourinho.