Reagimi i Dennis Aogos. Hamburgu nuk ka arritur asgjë më shumë se një barazim pa gola në shtëpi ndaj Fulhamit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Europa League.
Hamburgu ishte dukshëm skuadra më e mirë gjatë gjithë takimit, kurse anglezët hynë me qëllim të qartë, barazimin.
Me këtë barazim të plogësht, Hamburgu ia vështirëson vetes punët për finalen e madhe në stadiumin e vet NordBank Arena, pasi që ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave në Craven Cottage.
Diego Forlan shënoi golin e fitores. Atletico Madridi ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Liverpoolit, në takimin e parë gjysmëfinal të Europa League, të zhvilluar të enjten mbrëma në Vicente Calderon.
Atletico Madridi ishte skuadër më e mirë gjatë gjithë takimit, si me posedim të topit ashtu dhe me rastet e treguara. Madje, Liverpooli nuk u vërejt fare në këtë takim, në të cilin u mbrojt gjatë gjithë kohës.
Pas një harkimi, në zonë u gjet mirë Diego Forlan që dështoi të shënojë me kokë, por topi mbeti në këmbët e tij dhe në tentimin e dytë e dërgoi topin në rrjetën e Reinas për rezultatin 1-0 (9’), që doli të jetë dhe goli i vetëm i sfidës.
Kështu, Atletico Madrid në ndeshjen e dytë do të hyjë me një përparësi të vogël, kur dihet se ndeshja kthyese zhvillohet pas një jave, në folenë e Liverpoolit, Anfield.
Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka pranuar se ai do të shkojë në Amerikë gjatë verës, por vetëm për një pushim dhe jo për t’iu bashkuar kampionatit amerikan në futboll- MLS.
Është spekuluar se pas këtij sezoni zhgënjyes të Juves, Del Piero do të mund të largohej drejt SHBA-ve, për t’u lënë vedn lojtarëve të rinj, por është vetë legjenda juventine qe mohon këto spekulime.
“Të dashur miq, për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja që i kam marrë ditëve të fundit unë ju them: ‘Po, është e vërtetë. Unë do të shkoj në SHBA….për një pushim. Por, natyrisht se do të kthehem përsëri”, shkroi Del Piero në facebook dhe faqen zyrtare të tij.
Legjenda e Real Madridit, Raul Gonzalez, ka folur rreth mundësisë së largimit të tij nga Real Madridi, duke mohuar njëkohësisht pensionimin e tij.
“A do të largohem nga Reali? Unë do të vazhdoj të luajë futboll”, citohet të ketë thënë Raul për AS, duke aluduar në një largim.
“La Liga? Nuk varet nga ne, por është shumë në mundësitë tona. Ne nuk mund të dështojmë të fitojmë pesë ndeshjet e fundit në rast se Barca lëshon pikë”.
“Inter – Barca? Të them të drejtën nuk e njoh Mourinhon, por Barcelona është ekip që di të kthehet nga situatat e vështira, por edhe Interi është skuadër që di si të luajë. Ishte ndeshje e mirë”.
“Pellegrini? Vetëm nën urdhrat e tij mund ta shohim La Ligan me sy”, përfundoi Raul.
Skuderitë e Formula 1 përfundimisht kanë hequr brengat e tyre pas hapjes së qiejve, si rezultat i zvogëlimit të hirit vullkanik në atmosferë, që shkaktoi brenga tek ekipet për garën e Spanjës.
Ishte vënë në pikëpyetje sjellja e personelit dhe pajisjeve në Evropë nga Shangai, por të gjitha brengat janë hequr, pasi që tashmë ekipet kanë filluar përgatitjet për garën e Çmimit të Madh të Spanjës.
“Ne jemi të bindur se nuk do të shkaktojë ndonjë shqetësim”, citohet të ketë thënë bosi i Red Bull, Christian Horner.
Gara e ardhshme zhvillohet në shtegun e Katalunisë në Barcelonë, më 9 maj.
Sulmuesi danez, Nicklas Bendtner, beson se kombëtarja daneze ka potencial për ta fituar Kampionatin Botëror pas kualifikimit të pastër para Portugalisë dhe Suedisë në kualifikimet për këtë garë.
“Unë pres lojë të mirë atje. Nëse nuk e kalojmë fazën grupore, do të ishte zhgënjim i madh. Por, çfarë do të ndodhë në fazën tjetër, vërtet nuk e di. Duke parë nga kalendari i ndeshjeve, duket se do të përballemi me Italinë në fazën 1/16, e që do të ishte test i vështirë për ne”.
“Është me rëndësi që ne të qëndrojmë realistë. Natyrisht, ne po shkojmë atje për ta fituar atë, por më duhet të them se për ne nuk ka dhe aq domethënie sa për vendet tjera. Sidoqoftë, ne do ta bëjmë më të mirën. Danimarka ka shkruar histori, kështu që, pse jo përsëri”, deklaroi Bendtner për FIFA.com.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka shokuar tifozët e klubit duke pohuar se ai nuk është në formë të mirë fizike.
Drogba nuk është në formë të mirë fizike që pas lëndimit të marrë në muskuj pas takimit ndaj Tottenhamit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është lënduar në kohën më të papërshtatshme pasi që Chelsea ka një pike më shumë se United në tabelën e Ligës Premier, me vetëm tri ndeshje para fundit.
“Ky sezon është i gjatë dhe kam filluar të ndjej dhimbje, të cilat tani janë duke u zgjeruar. Unë kam pasur një operacion në muskuj gjashtë vite më parë dhe po shoh se ka filluar të ndikojë përsëri”.
“Mendoj se adrenalina më ka mbajtur në lojë, por nuk shkon më kështu. Nuk e di nëse do të operohem, por diçka do të bëhet sepse sezonin e ardhshëm nuk mund të vazhdoj kështu. Duhet të bëhet diçka pasi që Botërori po afrohet”, tha Drogba për Ealing Gazette.
Jose Mourinho është shndërruar në njeriun më të kërkuar në Evropë pas fitores ndaj Barcelonës, aq i kërkuar sa që Tuttosport parashikon një luftë mes Real Madridit, Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt për të.
Sidoqoftë, Massimo Moratti nuk dëshiron të dëgjojë për klube të interesuara pasi që ia ka ofruar Mourinhos një kontratë të re. Megjithatë, Florentino Perez së shpejti do ta kontaktojë portugezin dhe agjentët e tij për një transferim në Bernabeu.
Klube të interesuara ka dhe në Angli. Mourinho mendohet se do të jetë pasuesi i legjendarit Sir Alex Ferguson kur ky i fundit të pensionohet. Nëse ndodh që Roberto Mancini të mos sigurojë pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve, atij pritet t’i tregohet dera dhe Mourinho është opsion, pasi që paratë për Cityn nuk janë problem.
Por, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë. Moratti në kontratën e re i ka premtuar Mourinhos liri të shtuar në tregun e transferimeve, liri të shtuar në aspektin teknik dhe një rritje enorme të pagës së tij, ndërsa Mourinho është tashmë njeriu më i paguar në botën e futbollit.
Mourinho ka në kontratën aktuale një klauzolë e cila ia mundëson atij largimin në fund të këtij sezoni, por duhet të paguajë një dënim prej 7 milionë eurosh.
Mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka thënë se Real Madridi është klub që nuk mund të mposhtet dhe se është klub që nuk e njeh fjalën dorëzim, pasi që sipas Arbeloas, gara për La Ligan është ende e hapur.
“Real Madridi kurrë nuk di të mposhtet. Ne e kemi demonstruar këtë në karakterin tonë duke bërë disa rikthime sensacionale dhe duke qenë të pamposhtshëm. Është në gjenet tona dhe kur veshim fanellën e bardhë ndjejmë përgjegjësi të madhe”.
“Ndeshja ndaj Zaragozas? Është sfidë e komplikuar. Ajo është shtëpia ime. Atje jetova deri në moshën 18 vjeçare, kur më pas erdha në Madrid. Prindërit e mi, binjakët dhe miqtë e mi janë atje. Është e veçantë për mua. Ndeshja ime e fundit në La Romareda ishte para se të shkoja te Liverpool. Kam miq të mrekullueshëm atje. Do të jetë motivuese për mua të luaj para gjithë këtyre njerëzve të rëndësishëm”, përfundoi Arbeloa.
Arsenali dhe Manchester City janë favoritët për të transferuar sulmuesin e Interit, Mario Balotelli, pasi që këtij të fundit i është treguar dera nga drejtuesit zikaltër.
Sipas The Daily Mail, sjelljet e fundit të Balotellit kur e hodhi në tokë fanellën e Interit në shenjë hidhërimi ndaj tifozëve, kanë vulosur largimin e tij nga Giuseppe Meazza dhe destinacioni i tij i radhës, sipas tabloidit, do të jetë Liga Premier.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, në të kaluarën kishte mohuar ndonjë interesim konkret për SuperMarion, ndërsa besohet se ai po e vështron situatën.
Më konkret pritet se do të jetë Roberto Mancini, i cili hapur kishte shprehur dëshirën për ta sjellë Balotellin te City.
Gjiganti gjerman, Bayern Munich, është dashur të djersitet mirë për të siguruar një fitore me rezultat minimal në takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve ndaj Lyonit, ndërsa golashënuesi Arjen Robben shprehet se ndeshja e dytë do të jetë e vështirë.
“Asgjë nuk është vendosur ende. Ndoshta ne kemi një përparësi të vogël para ndeshjes së vështirë në Lyon. Punuam shumë në pjesën e parë. Lyoni është ekip i mirë, ata janë të fortë teknikisht dhe kompaktë e mirë të organizuar në mbrojtje”.
“Ne kemi pasur disa gjysmëraste. Kartoni i kuq na e bëri më të vështirë, por më pas kur edhe lojtari i tyre u përjashtua, atëherë ndeshja mori kah tjetër. Ne ishim më të mirë pas kësaj, ne ishim më komfortë kurse goli ishte i mire”, tha Robben për faqen zyrtare të Bayernit.
Robben po kalon nëpër një formë fantastike këtë sezon duke qenë vendimtar në disa prej takimeve kryesore të Bayernit.
Manchester United përsëri është gjendur në maje të listës së revistës Forbes për klubet më të çmuara të futbollit për të gjashtin vit radhazi.
Djajtë e kuq mbajnë kreun pasi Forbes e ka vlerësuar United me 1.8 miliardë dollarë, që megjithatë është 2% në krahasim me vitin e kaluar.
Në top 20shin e klubeve më të pasura në botë ka edhe gjashtë klube të tjera angleze. Arsenali që ndodhet i treti, Liverpooli i gjashti, Chelsea i nënti, Tottenham i 12-ti dhe Manchester City i 19-ti, ndërsa befasisht Newcastle United ka zënë pozitën e 20-të.
Real Madridi është gjendur i dyti në listë edhe krahas harxhimeve të mëdha gjatë verës. Forbes e vlerëson klubin mbretëror me 1.3 miliardë dollarë. Kampioni në fuqi i Spanjës, Evropës dhe Botës, Barcelona në anën tjetër është gjendur në pozitën e katërt me një miliardë dollarë.
Bayern Munich është pozicionuar i pesti me 990 milionë dollarë, ndërsa prej klubeve italiane Milani është më së miri i pozicionuar me 800 milionë dollarë.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, ka mohuar spekulimet të cilat thonë se ai do të pasojë Sir Alex Ferguson në stolin e Manchester United.
“Mark Hughes, Steve Bruce dhe Roy Keane ishin përmendur në të kaluarën. Kur lojtarët e mi lidhen me klube të tjera kjo më nervozon. Andaj aspak nuk dua të futem në gjëra të tilla. Sipas meje këto janë gjëra të pakuptimta”.
“Unë mund vetëm të them se do të jetë një ditë e zhgënjyer kur Sir Alex Ferguson do të thotë se do të pensionohet. Ai është diçka të cilën të gjithë menaxherët e dëshirojnë, të gjithë e respektojnë”, ka thënë Moyes.
Mbrojtësi i Chievos, Mario Yepes, është i gatshëm t’i bashkohet Milanit pasi ai ka nënshkruar kontratë me ekipin italian.
Ish-lojtari 34-vjeçar i River Plate, Nantes dhe Paris St German shpreson t’i japë fund karrierës së tij me rosonerët, pasi ka zbuluar se ai ka arritur marrëveshje dy-vjeçare.
“Kam pasur shumë kontakte, por mund të konfirmoj se vitin e ardhshëm do të luaj në Milan, kjo është e sigurt. Presim fundin e kampionatit për të konfirmuar gjithçka. Shpresoj se do të jetë mirë për pjesën e mbetur të karrierës time”, ka thënë ai për radio Europe 1.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka deklaruar se Mario Balotelli do të dënohet për sjelljet e tij jo të mira pas fitores së Interit ndaj Barcelonës me rezultat 3-1.
Pasi Balotelli ofendoi klubin duke hedhur fanellën në tokë, tifozët e Interit kishin kërkuar nga presidenti i tyre që ta largojë sulmuesin sa më shpejtë që është e mundur.
“A do të ndërmarrim diçka? Diçka do të bëhet. Sidoqoftë, dëshira jonë është që ai të vazhdojë të punojë me skuadrën, sepse ai na nevojitet”, citohet të ketë thënë Moratti për Corriere dello Sport.
Këto fjalë të Morattit japin shenja se Balotelli do të marrë vetëm një dënim të lehtë.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai mund të luajë edhe në Bundesliga në të ardhmen.
Ronaldo thotë se ai ka përcjellë zhvillimin e klubeve gjermane në vitet e fundit dhe është i impresionuar. Portugezi po ashtu nuk ka mohuar se një ditë mund të luajë në kampionatin gjerman.
“Pse jo? Është një ligë e shkëlqyeshme, me lojtarë si Robben, Ribery, Van Nistelrooy. Stadiumet janë gjithmonë të mbushura dhe të bukura. Është një ligë që po zhvillohet”, ka thënë Ronaldo.
Mediat britanike edhe njëherë kanë shkruar se Manchester City do të bëjë çmos për të angazhuar sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres,
Daily Star thotë se në fund të sezonit City do të dërgojë një ofertë në vlerën e 60 milionë funteve për sulmuesin spanjoll, pasi ‘qytetarët kanë kuptuar se ai është i gatshëm të largohet nga Anfield.
Sipas kësaj gazete pronari i klubit, Sheikh Mansour, është i gatshëm të harxhojë plot 150 milionë funte për përforcimet e verës dhe Torres është në maje të listës së përforcimeve.
Po ashtu City planifikon të angazhojë edhe yje të tjera të futbollit, mes të cilëve Cesc Fabregas nga Arsenal dhe Zlatan Ibrahimovic nga Barcelona.
Kaka ka arritur të jetë pjesë e një ndeshjeje në stërvitjet e djeshme të Real Madridit.
Braziliani vazhdon të rikuperohet nga lëndimi në ijë, por pas disa javësh mungese në fushën e stërvitjeve, ai është paraqitur dje për të qenë pjesë e një ndeshje. Kaka madje ka shënuar një gol.
“Ai ishte shumë i lumtur. Nuk e di nëse ende ndjente lëndimin, por dukej se lëvizte rrotull pa asnjë problem”, ka thënë njëri prej bashkë-lojtarëve të Kaka për AS.
Menaxheri aktual i Real Madridit, Manuel Pellegrini, është lidhur me marrjen nën drejtim të Valencias.
Marca shkruan se edhe pse Valencia është afër për të siguruar një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve, presidenti Manuel Llorente dëshiron ta çojë klubin në tjetër drejtim dhe planifikon të shkarkojë trajnerin aktual Unai Emery.
Llorente ka disa emra në listën e tij për të zëvendësuar Emery, përfshirë këtu edhe Pellegrinin.
Kiliani ka marrëveshje dyvjeçare me Realin, por është nën presion të madh pas eliminimit nga Liga a Kampionëve dhe nga Kupa e Mbretit.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, pret që Arsenali t’i sulmojë ata me gjithçka pas disfatës së të dielës nga Wigan Athletic.
Pasi ka studiuar dështimin 3-2 ndaj Wiganit, pasi topçinjtë më herët kishin pasur avantazhin 2-0, menaxheri i Cityt e di se topçinjtë janë edhe më të uritur për fitore.
“A do të jenë ata më të rrezikshëm tash? Po, por Arsenali gjithmonë është i rrezikshëm. Ata janë një ekip i mirë, me lojtar dhe menaxher të mirë. Një ekip i tillë gjithmonë është i rrezikshëm”, ka thënë Mancini.
Javier Mascherano thotë se ndeshja e sotme gjysmëfinale e Europa League në Atletico Madrid është më e madhja e Liverpoolit këtë sezon.
Ka qenë një sezon tepër zhgënjyer për Redsat të cilët duket se nuk do të arrijnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, por djelmoshat e trajnerit Rafa Benitez janë të vendosur për të çuar një trofe në shtëpi.
“Trofetë janë gjërat kryesore. E kam thënë këtë disa javë më parë. Kjo është ndeshja më e madhe e sezonit për ne. Ne do të dalim në stadium dhe do të përpiqemi të japim më të mirën”.
“Pas një udhëtimi të gjatë jemi së bashku, mendojmë për ndeshjen dhe e dimë se nëse dalim me bindje të duhur mund të nxjerrim një rezultat të mirë”, ka thënë Mascherano.