Palermo ka bërë një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të vendit të katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve, pasi ka mposhtur me rezultat 3-1 Milanin, që në anën tjetër eliminohet përfundimisht nga gara për titull.Vendasit shënuan dy gola të hershëm në pjesën e parë të takimit, së pari duke hapur rezultatin me anë të mbrojtësit Cesare Bovo pas nëntë minutash lojë dhe pastaj duke dyfishuar epërsinë me anë të sulmuesit Abel Hernandez pas po aq minutash (18’).
Dhjetë minuta në pjesë të dytë Clarence Seedorf ngushtoi disavantazhin për Milanin pas një asistimi të Ronaldinhos (55’). Por shpresat e rosonerëve për të nxjerrë pikë morën një goditje tjetër kur kapiteni Fabrizio Miccoli shënoi një gol të shkëlqyeshëm pas një asistimi të Fabio Liverani për të rikthyer avantazhin prej dy golash të ekipit vendas (69’).
Me tre pikët e reja Palermo merr pozitën e katërt të tabelës që dërgon në Ligën e Kampionëve duke mbledhur 58 pikë, një më shumë se Sampdoria që nesër do të ketë një ndeshje të vështirë pasi udhëton te Roma në Olimpiko.
Me edhe tre ndeshje deri në fund të sezonit Milani vazhdon të mbajë pozitën e tretë me 64 pikë, nëntë më pak se Interi duke u eliminuar edhe matematikisht nga gara për titullin e kampionit të Serie A (për shkak të diferencës shumë më pozitive të Interit në gola).
Leite Kaka është rikthyer në fushë për të ndihmuar Real Madridin të shënojë fitore 2-1 në udhëtim te Real Zaragoza dhe të vazhdojë të bëjë presion ndaj Barcelonës në garën për titullin e kampionit të Spanjës.Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa asnjë gol pavarësisht se mysafirët nga Madridi patën iniciativën. Rezultatin e hapi sulmuesi spanjoll Raul me një gol të shënuar pesë minuta në pjesë të dytë. Pas edhe dy minutash tjera ekipi vendas pësoi një goditje tjetër pas përjashtimit të mbrojtësit italian Mattea Contini me karton të kuq për shkak të ndërhyrje ndaj Gonzalo Higuain.
Edhe pse pritej Reali të shtojë epërsinë duke pasur një lojtar më shumë në fushë, ishin vendasit ata që gjetën rrjetën. Pas gati një ore lojë Adrian Colunga arriti të çajë mbrojtjen mysafire dhe të barazojë rezultatin.
Mbretërit patën vështirësi të gjejnë portën kundërshtare derisa në lojë u inkuadrua Kaka. Vetëm disa minuta pasi u zbarkoi në fushë pas një kohe të gjatë mungese për shkak të lëndimit, Kaka shfrytëzoi një asistim të Cristiano Ronaldo për të kthyer epërsinë për Realin e që u dëshmua të jetë edhe vendimtar për fitoren.
Reali tash rikthen diferencën prej vetëm një pike ndaj Barcelonës në krye të tabelës së kampionatit spanjoll me edhe katër ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Arsenali nuk ka mundur të nxjerrë më shumë se një pikë në ndeshjen si nikoqir i Manchester Cityt që përfundoi pa gola.Barazimi e nxjerr Aresnalin edhe matematikisht jashtë garës për titull, derisa City dështoi të shfrytëzojë shansin pas disfatës së Tottenhamit për t’u rikthyer në pozitën e katërt të tabelës që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Dita u bë edhe më e zymtë për menaxherin e Cityt, Roberto Mancini, kur 15 minuta para fundit të ndeshjes Shay Given u largua nga ndeshja për shkak të një dëmtimi serioz në kraharor që mund ta mbajë atë jashtë ndeshjes vendimtare ndaj Tottenhamit më 5 maj.
Barcelona u është rikthyer fitoreve pas disfatës së mesjavës ndaj Interit, duke mposhtur me rezultat 3-1 ekipin e fundit në tabelën e kampionatit spanjoll, Xerez, për të forcuan kështu edhe kreun.Jeffren Suarez i dha epërsinë e hershme ekipit vendas (13’) para se Thierry Henry ta dyfishojë atë në minutën e 24-të. Por vetëm një minutë më pas Mario Bermejo arriti të ngushtojë disavantazhin e ekipit mysafir.
Në pjesën e dytë Zlatan Ibrahimovic shënoi golin e tretë duke vulosur kështu fitoren e cila e mban kampionin e Spanjës me katër pikë epërsi ndaj rivalit të vetëm për titull Real Madridit. Mbretërit mund ta rikthejnë në vetëm një pikë diferencën nëse sonte më vonë shënon fitore ndaj Real Zaragoza.
Në prag të ndeshjes së të mërkurës ndaj Interit në Ligën e Kampionëve, trajneri Pep Guardiola zgjodhi të luajë me ekipin e rregullt por me Lionel Messi dhe Gerard Pique që qëndruan në stol. Të dy u kyçën në lojë vetëm në pjesën e dytë.
Kampioni në fuqi i Serie A, Interi, nuk e ka ndërmend të dorëzohet në asnjërën garë për titull, pasi nerazurët shënuan fitore 3-1 ndaj Atalantas në Giuseppe Meazza.Ekipi i trajnerit Jose Mourinho e pa veten në disavantazh pas vetëm pesë minutash lojë pas golit të Simone Tribocchi, por arriti të barazojnë në minutën e 24-të me anë të Diego Milito dhe madje të kalojë në epërsi që në pjesë të parë me anë të McDonald Mariga (35’).
Christian Chivu shënoi edhe një gol tjetër në pjesën e dytë për Interin për të vulosur fitoren e merituar të vendasve.
Tre pikët e reja e pozicionojnë Interin në krye të tabelës me 73 pikë, dy më shumë se Roma që nesër do të ketë një punë të vështirë në Olimpiko ku e pret Sampdorian.
West Ham United, ekipi ku aktivizohet mesfushori kosovar Valon Behrami, po thuajse ka siguruar mbijetesën në Ligën Premier pasi mposhti Wigan Athletic në Upton Park me rezultat 3-2.Mysafirët e Wigan kaluan në epërsi të hershme me një autogol të Jonathan Spector (4’), por vendasit arritën së pari të barazojnë me anë të braziliani Ilian pas 30 minutash lojë, para se të marrin epërsinë me anë të Radoslav Kovac në fund të pjesës së parë të takimit (45’).
Pjesa e dytë solli edhe barazimin e rezultatin me Hugo Rodallega që shënoi për Wiganin vetëm shtatë minuta pas pauzës. Por tre pikët e ndeshjes i takuan ekipit vendas që arriti te fitorja falë golit të Scott Parker (77’).
Me edhe dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, West Hami mbledh 34 pikë në pozitën 17-të, gjashtë më shumë se Hull City që tashmë është eliminuar nga liga, pas disfatës prej 1-0 nga Sunderlandi.
Burnley në anën tjetër mbetet shtatë pikë prapa West Hamit por me një ndeshje më pak, të cilën e zhvillon nesër ndaj Liverpool.
Bayern Munich ka arritur vetëm një barazim 1-1 në ndeshen e zhvilluar si mysafir i Borussia Monchengladbach duke lënë të hapur garën për titullin e kampionit të Gjermanisë.Marco Reus shënoi golin e parë të ndeshje pas një orë lojë duke çuar në avantazh Monchengladbach, por Miroslav Klose gjeti golin e barazim duke shënuar me kokë kur kishin mbetur 20 minuta para fundit të ndeshjes.
Në anën tjetër, rivali tjetër për titull, Schalke, ka shënuar fitore minimale në udhëtim te Hertha Berlin duke nxjerrë tre pikë të rëndësishme në takimin e sotëm.
Bayerni, pavarësisht barazimin mban kreun e Bundesligës, por vetëm në bazë të diferencës më të mirë të golave ndaj Schalke, që me tre pikët e reja tash ka barazuar pikët me bavarezët.
Ish-sulmuesi i Interit, Adriano, beson se nerazurët janë të aftë të fitojnë tre tituj këtë sezon.Interi është në luftë me Romën për të fituar Skudeton, ndërsa po ashtu do të përballet me të njëjtin ekip edhe në finalen e Kupës së Italisë. Nerazurët kanë shanse të mira të kualifikohen edhe në finalen e Ligës së Kampionëve pasi me 3-1 e mposhtën Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në Giuseppe Meazza.
“Dua që ish-lojtarët e mi të kualifikohen në finale dhe pastaj ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për ekipin dhe për presidentin Moratti”.
“Duket se Inter këtë sezon është fokusuar në Ligën e Kampionëve, por mendoj se ata kanë shanse për ta fituar Skudeton edhe krahas asaj që Roma ka sezon fantastik dhe është në krye. Kampionati do të mbetet i pavendosur deri në fund”, ka thënë Adriano.
Braziliani po ashtu ka thënë se një ditë mund të rikthehet në Itali.
Manchester Unietd ka shënuar fitore 3-1 ndaj Tottenhamit në Old Trafford për të marrë kreun e tabelës së Ligës Premier.Pas një pjese të parë pa gola, rezultati u thye me anë të një penaltie të shndërruar në gol nga Ryan Giggs në minutën e 58-të të takimit. Mbrojtësi i United, Patrice Evra u faulua në zonë nga mbrojtësi i Spurs, Assou-Ekotto.
Kapiteni i ekipit mysafir Ledley King barazoi pas 12 minutash (70’), por pas 10 minutash tjera Nani riktheu epërsinë për Djajtë e Kuq pas një asistimi të zëvendësuesit Federico Macheda. Vendasit fituan edhe një penalti tjetër të vonshme me Giggs që nuk huqi as kësaj here, për t’i dhënë fitoren 3-1 kampionit në fuqi të Ligës Premier (86’).
United me këtë fitore merr kreun e tabelës me dy pikë mbi Chelsean, që nesër pret në Stamford Bridge, Stoke Cityn. Tottenham në anën tjerët mund ta humbasë pozitën e katërt nëse Manchester Cityt shënon fitore ndaj Arsenalit në ndeshjen e mëvonshme që zhvillohet në Emirates Stadium.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, e vlerëson menaxherin e Sunderlandit, Steve Bruce, si njeriun e duhur për të pasuar Sir Alex Ferguson në stolin e Manchester United.“Bisedat kanë filluar edhe një herë se Fergie do të largohet si menaxher. Mos vëni bast për këtë. Ai ende e ka të njëjtën energji dhe entuziazëm rinor për futbollin si gjithmonë, por një ditë ai do të largohet nga detyra e klubit më të madh të këtij vendi. Emrat e kandidatëve të zakonshëm kanë në sipërfaqe”, ka shkruar Redknapp në kolumnen e tij për The Sun.
“Do të duhet një karakter i madh për të mbushur këpucën më të madhe në futbollin anglez, sigurisht. Jose Mourinho, Pep Guardiola dhe David Moyes janë në mesin e tyre. Por unë do të doja ta shoh (Steve) Bruce të marrë këtë detyrë, kur kjo të jetë e lirë”.
“Ai ka qenë kapiten i klubit, andaj ai din si të punojë. Ai din se çfarë pritet nga punëtorët e United, lojtarët dhe trajnerët. Bruce ka punuar shumë mirë në klubet e mëhershme. Fansat do ta pranojnë atë menjëherë. Ai është United tashmë sa kohë”, ka shtuar më tej Redknapp.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, është i gatshëm të befasojë fansat me disa nënshkrime të reja.Ancelotti ruajti po thuajse të njëjtin ekip që luajti sezonin e kaluar dhe është duke luftuar në dy fronte, por planifikon ndryshime të mëdha në ekip për sezonin e ardhshëm.
“Ata do të jenë të lumtur nëse Chelsea fiton titullin dhe Kupën FA. Pas kësaj, mendoj se ata do të shohin disa lojtarë të ri në të ardhmen”, ka thënë Ancelotti.
Boston Celtics ka mposhtur Miami Heat me rezultat 100-98 në Miami për të avancuar 3-0 në serinë e ndeshjeve të rundit të parë të play-offit në Konferencën Lindore.Paul Pierce shënoi 32 pikë për Boston, derisa te Heat, Dwyane Wade shënoi 34 pikë para se të largohet me 11 sekonda të mbetura për shkak të një lëndimi.
Në Konferencën Perëndimore, San Antonio Spurs ka mposhtur Dallas Mavericks me rezultat 94-90, duke marrë avantazhin 2-1 në serinë e shtatë ndeshjeve. Utah Jazz ka shkatërruar Denver Nuggets me rezultat 105-93 në ndeshjen tjetër të Perëndimit, po ashtu duke avancuar 2-1.
Emmanuel Adebayor nuk ka dyshime se klubi i tij aktual Manchester City ka një të ardhme shumë më të ndritshme se sa ish-klubi i tij, Arsenali.Sulmuesi i Togos i ka bërë këto komente në prag të derbit të sotëm të Ligës Premier, kur ai do të rikthehet në Emirates Stadium për të parën herë që kur u largua nga Arsenali verën e kaluar.
“Doja një projekt tjetër andaj nuk është se kam qenë i pakënaqur që jam larguar nga Arsenali. City është një projekt më i madh dhe mund të jetë më i madhi nga të gjithë sezonin e ardhshëm. Kam ende shumë shokë në Arsenal, por një është pyetja për miqësinë, tjetra është për sportin”.
“Ambicia ime është të luaj në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn sezonin e ardhshëm. Ne kemi një shans dhe ky do të jetë më i fuqishëm nëse fitojmë në Londër. Andaj ndeshja ndaj Arsenalit është si finale për ne”, ka thënë Adebayor.
Pep Guardiola ua ka tërhequr vëmendjen lojtarëve të tij që të jenë të kujdesshëm në javën vendimtare të këtij sezoni, në ndeshjet që ai i quan sfidat kryesore të sezonit.“Kjo javë do të vendosë gjithçka. Nuk brengosem për më tutje sepse varemi nga vetvetja dhe nuk pres të kemi rënie të formës. Xerez është i pamposhtur në tre ndeshjet e fundit dhe ata po luftojnë për mbijetesë. Ne do të duhet ta marrim këtë takim me seriozitet”, theksoi Guardiola rreth takimit të sotëm ndaj Xerezit.
Barcelona ka një ndeshje edhe më të vështirë të mërkurën, pasi pret Interin në supersfidën kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Camp Nou dhe Guardiola thotë se kualifikimi në finale do të jetë mision i vështirë.
“Ne jemi të përgatitur, por do të jetë e vështirë ta zhbllokojmë atë rezultat. Ne do të provojmë ta rikthejmë rezultatin. Na duhet fuqi mentale dhe ne e dimë se duhet të punojmë shumë për t’u kualifikuar”, përfundoi Guardiola.
Liverpooli ka filluar bisedat me Real Madridin për të transferuar mesfushorin holandez Rafael van der Vaart në fund të sezonit.The Sun shkruan se Liverpooli shpreson të sigurojë holandezin për 6 milionë euro gjatë verës dhe burime nga Anfield kanë thënë se bisedat janë në një nivel fillestar.
Reali ishte përpjekur ta huazojë Van der Vaart edhe vitin e kaluar dhe nuk i dha atij rast të luajë në fillim të sezonit. Van der Vaart gradualisht është rikthyer në ekipin e Realit, por spanjollët përsëri dëshirojnë ta shesin atë.
Numri shtatë në botën e tenisit, Andy Roddick ka anuluar pjesëmarrjen në turneun Roma Masters, i cili fillon të dielën.Amerikani në top formë ka nënvizuar problemet personale si shkak për mospjesëmarrje në këtë turne, ku do marrin pjesë gati të gjithë yjet më të mëdha të botës së tenisit.
Roddick nuk do të dënohet për anulimin e pjesëmarrjes pasi që një herë në vit ai ka të drejtë të anulojë një turne të ATP Masters. Të njëjtën gjë Roddick e bëri dhe vitin e kaluar.
Carlo Ancelotti ka hedhur poshtë thëniet se Chelsea dhe ai vetë janë duke jetuar nga hija e Jose Mourinhos, që ishte menaxher i bluve deri në vitin 2007.Mourinho e ka mposhtur Ancelottin dhe Chelsean e tij për t’u hakmarrë nga të dyja anët, ndërsa Ancelotti nuk mendon se ai është duke u ndjekur nga hija e portugezit.
“Unë kuptoj këtu dy gjëra, hija dhe Mourinho. Ndoshta është e vërtetë ajo që tha Joe Cole, por Mourinho nuk është hija ime. Ai është një trajner shumë i mirë. Ai po bën punë fantastike te Interi. Ai bëri një të tillë në gjysmëfinale ndaj Barcelonës. Por, tani është tregim tjetër”, tha Ancelotti duke iu referuar deklaratës së Joe Cole, që tha se Chelsea duhet të fitojë tituj për të vrarë hijen e Jose Mourinhos.
“Fakti qe nuk kemi fituar tituj që kur shkoi Mourinho varet më shumë nga ne. Ne kemi fituar vetëm një kupë prej atëherë dhe ishim pranë fitimit të Ligës së Kampionëve. Mourinho është menaxher i mirë por nuk është as fillimi e as fundi i futbollit”, përfundoi Ancelotti.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka lëvduar karakterin e skuadrës së tij në një konferencë për shtyp, duke e ‘kërcënuar’ Barcelonën me luftë deri në fund të sezonit.“Çdo kundërshtar do të jetë i vështirë për t’u mposhtur në këtë fazë të sezonit. Ne kemi një seri të mirë në La Liga. Ishim në gjendje të kalojmë nëpër momente të vështira, duke luftuar krah për krah ndaj një Barcelone të mrekullueshme. Ne kemi fituar një numër të jashtëzakonshëm pikësh deri tani. Kjo skuadër do ta tregoj karakterin e saj deri në fund”.
“Ne kemi presion të njëjtë çdo javë. Tensioni është gjithnjë i lartë sepse gjithnjë dua që skuadra ime të jetë në një nivel të lartë. Ne kemi luftuar për titullin në të njëjtin nivel apo ca më ulët se Barcelona gjatë gjithë sezonit. Shpresoj se mund ta fitojmë kampionatin duke mos lëshuar pikë. Nuk na intereson se çfarë bën Barcelona”, ka thënë Pellegrini.
















