Sipas mesfushorit Deco, Portugalia nuk llogaritet favorite për të fituar Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, për arsye se kësaj skuadre aktuale i mungon përvoja.
“Shumë lojtarë që ishin në skuadrën e Portugalisë të vitit 2006 nuk janë më këtu, por ne kemi lojtarë të rinj të cilët do të luajnë për herë të parë në një garë të tillë. Unë mendoj se cilësia është ende e lartë, edhe pse ne kemi nivelin e njëjtë të eksperiencës si në vitin 2006”.
“Favorite janë ato kombëtare me uri për Kupën e Botës, diçka që Portugalia, që nuk e ka fituar kurrë, nuk e ka. Kështu që ne nuk mund të konsiderohemi favoritë. Më mirë thënë, ne kemi ekip me cilësi të lartë, që mund të na dërgojnë deri në finale”.
“Nuk është lehtë të fitosh një Kampionat Botëror. Para së gjithash, ka arsye pse aq pak vende e kanë arritur këtë deri tani. Ka shumë ekipe që kurrë nuk e kanë fituar Kampionatin Botëror, sepse diferenca disa herë bëhet nga detajet e vogla, sikurse që është fati në momentet vendimtare”, tha Deco për FIFA.com.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, është i entuziazmuar para ndeshjes kthyese gjysmëfinale të Europa League ndaj Atletico Madridit në Anfield Road.
Atletico Madridi do të hyjë në sfidën kthyese me një përparësi të vogël prej 1-0 nga ndeshja e parë, ndërsa përkundër këtij fakti Gerrard tashmë ka filluar ta shohë veten në finale të kësaj gare.
“Ne duhet të jemi pozitivë nga fillimi i ndeshjes dhe t’i mbajmë tifozët prapa nesh e të shpresojmë se do të arrijmë të fitojmë. Ne e kemi bërë këtë më parë kështu që do të bëjmë gjithçka. Lojtarët janë optimist për të enjten mbrëma, unë mund të garantoj për këtë. Ne jemi të angazhuar për këtë dhe duhet të japim pikën e fundit të gjakut në fushë”.
“Le të shpresojmë se do të fitojmë me dy gola, por nëse ata shënojnë, do të shënojmë të tretin. Ne do të adaptohemi gjatë ndeshjes dhe të bëjmë gjithçka për të fituar. Ka pasur raste kur kemi qenë të mbështetur për muri nga situata ku jemi gjendur, por si lojtarë, ne kurrë nuk dyshojmë në aftësitë tona”, tha Gerrard.
Siç njofton Marca, mesfushori holandez i Realit, Rafael Van der Vaart, pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit përkundër se stafi mjekësor i Realit që ka lënë hapur mundësinë që ai të kthehet më herët.
Van der Vaart pësoi një çarje në muskuj në minutat e para në takim ndaj Zaragozas, me ç’rast u zëvendësua nga Rauli që gjithashtu u lëndua.
Nëse holandezi rikthehet me kohë, do të mund të luajë në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Mallorcas.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ua ka tërhequr vërejtjen bashkëlojtarëve të tij se ata duhet të llogarisin në një Liverpool sulmues që do luftojë për fitore, edhe pse kjo e fundit do t’i shërbente Manchester Unitedit.
Shumë ekspertë të futbollit mendojnë se Liverpooli mund t’i bëjë një nder Chelseat duke e lënë atë ta fitojë derbin e kësaj fundjave, kur dihet rivaliteti i Unitedit dhe Liverpoolit, pasi që nëse United fiton sivjet titullin e katërt me radhë, do të barazohej me tituj me Liverpoolin.
“Nuk ka gjasa që të 11 lojtarët e Liverpoolit të hyjnë në fushë duke menduar për Unitedin. Ata do të hyjnë në fushë për të fituar. Ata duan të jenë profesionistë”.
“Nuk ka gjasa tjera pos asaj se ata do të mendojnë të fitojnë ndeshjen dhe asgjë tjetër, pa marrë parasysh nëse kjo fitore nuk do të ndikojë në gjasat e tyre për Ligën e Kampionëve. Ata do të japin gjithçka, nuk ka kurrfarë dyshimi”, deklaroi Lampard.
Sulmuesi francez i Real Madridit, Karim Benzema, ka shprehur dëshirën e tij për të pasur një rol më aktiv në ekipin e Pellegrinit, pasi që po shpreson të rikthehet në formën e tij më të mirë.
“Është kënaqësi t’i rikthehesh fushës, por është e komplikuar sepse nuk kam qenë në gjendje të shënoj në një numër ndeshjesh. Më mungon vazhdimësia. Edhe pse unë po stërvitem mirë, më duhet minutazhi për t’u përmirësuar”.
“Shpeshherë unë luaj më shumë, shpeshherë më pak, ky është vendim i trajnerit. Ky është klub i madh dhe kështu shkojnë gjërat këtu. Unë do të duhet të jem gati të luaj 5, 15 ose sado minuta që të më jepen”, u shpreh Benzema për Marca.
Arsenali duket ta ketë ‘prangosur’ Cesc Fabregasin, pasi që duket t’ia ketë rritur pagesën e tij për tre milionë euro në sezon më shumë se që e ka pasur, duke përfituar tani 50 % më shumë se më parë.
Siç mëson Goal.com, kjo paketë ka hyrë në fuqi vitin e kaluar pas negociatave të gjata mes menaxherit të Fabregas dhe drejtuesve të Arsenalit nga të cilat, spanjolli duket se do të përfitojë 110.000 funte në javë, 50.000 funte më shumë se sa nga kontrata tetëvjeçare e vitit 2006.
Ky hap u ndërmor në mënyrë që të shmanget interesimi i klubeve të shumta nga Kontinenti i Vjetër, siç është Barcelona.
Ky sezon i Juventusit ishte më shumë se katastrofal, por përkundër se kishte një skuadër më të mirë, Bianconerët dështuan të jenë në majën e suksesi, ndërsa Luciano Moggi shprehet se Juventusi këtë sezon pati një skuadër më të mirë se Milani, por që sukseset i munguan.
“Juventusi zhgënjeu shumë këtë vit. Ata patën një skuadër superiore ndaj Milani, por dështuan edhe në Ligën e Kampionëve me plot meritë. Ekipe si Sampdoria apo Palermo kanë luajtur shumë më mirë se Juventusi”.
“Milani është duke rënë dita ditës. Ky ekip luan me një ritëm të ulët dhe është i dobët ndaj kundërshtarëve të shpejtë. Skuadra është qartë në fund të ciklit. Vitin e ardhshëm trajner do të jetë Mauro Tassoti me Filippo Gallin”, përfundoi Moggi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk është treguar i disponuar të flasë për Serien A, pasi që ai po mendon vetëm për Barcelonën dhe ndeshjen që vendos se a do të shkojë Interi në finale.
“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë deri në javën e fundit të sezonit në Serie A. Kanë mbetur edhe tri ndeshje të rëndësishme deri në fund të sezonit, si për ne ashtu dhe për Romën”, tha Moratti pas pyetjes se si e ndjen veten si lider.
“Tani për tani po mendojmë vetëm për Barcelonën. Ne tanimë jemi duke planifikuar rrjedhën e takimit. Ne jemi plotësisht të përqendruar në këtë ndeshje shumë të rëndësishme të Ligës së Kampionëve”, përfundoi Moratti.
Interi do të mbrojë rezultatin prej 3-1 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Giuseppe Meazza, kur do të përballet me kampionin aktual të Evropës për klube, në ndeshjen kthyese në Camp Nou.
Sipas të gjitha gjasave, Wesley Sneijder do të mungojë në supersfidën e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të cilën Interi e zhvillon ndaj Barcelonës në Camp Nou.
“Sneijder iu nënshtrua një serie testimesh pas lëndimit të pësuar në pjesën e parë ndaj Atalantas. Rezultatet treguan se ai e ka dëmtuar muskulin e tij në femur të këmbës së majtë”, thotë një komunikatë në faqen zyrtare të Interit.
Sipas informatave aktuale, holandezi do të mungojë, por mbetet të shihet nëse Mourinho do të vendosë që në sekondën e fundit ta rrezikojë atë. Kjo është një goditje e rëndë për Interin pasi që edhe Stankovic nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për shkak të suspendimit.
Interi udhëton në Camp Nou në ndeshjen kthyese me përparësi prej 3-1 nga ndeshja e parë, në kërkim të finales së parë pas 38 vitesh.
Gjiganti bavarez, Bayern Munich, ka marrë lajme aspak të mira para duelit kthyes të të martës ndaj Lyonit në Ligën e Kampionëve, pasi që do të jetë pa dy qendërmbrojtësit kryesorë.
Louis Van Gaal nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e Martin Demichelis dhe Daniel Van Buytenit, pasi që të dy u lënduan në sfidën ndaj Monchengladbachut.
Që të dy këta kanë udhëtuar me Bayernin në Lyon, por një vendim se a do të luajnë apo jo, pritet të merret para fillimit të takimit.
“Unë shpresoj që së paku njëri prej qendërmbrojtësve të rikthehet nga lëndimi. Më pas do të kishim Badstuberin në mbrojtje dhe Contenton në krahun e majtë. Do të isha i kënaqur me këtë”, tha Van Gaal për faqen zyrtare të Bayernit.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, më në fund ka pranuar se do të fillojë të shpenzojë në lojtarë të klasit botëror gjatë afatit kalimtar veror.
“Për shkak të rindërtimit të stadiumit Emirates, ne për shumë vite është dashur të mos shpenzojmë para. Tani situata jonë financiare është përmirësuar. Më në fund jemi në gjendje të blejmë lojtarët që mendojmë se na nevojiten”.
“Chamakh? Ai është njëri prej kandidatëve dhe ka gjasa të mëdha që ai të vijë te Arsenali gjatë verës”, deklaroi Wengër për Voetbal.
Komuniteti i dytë më i madh ‘bianconer’ në Itali, J1897Network.com, që ka rreth 40 mijë anëtarë, u ka dërguar nga një letër Federatës Italiane të Futbollit dhe zyrtarëve të Juventusit, nga të cilët kërkojnë zbardhjen e çështjes së Calciopolit.
Tifozët e Juventusit kanë reaguar ashpër në këtë letër, duke kërkuar rikthimin e dy Scudettove të marra nga Juventusi, falje publike për vendimet e gabuara, kompensimin e humbjeve dhe dërgimin e skuadrave tjera të akuzuara në Serie B.
Këta tifozë thonë në këtë letër se nga gjykimi i ri ekzistojnë dy mundësi, ose të gjithë të jenë të fajshëm ose të gjithë të jenë të pafajshëm. Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, atëherë ata do të bojkotojnë abonimet televizive, qasjen në internet, biletat sezonale madje gjithë kampionatin e Series A, derisa të mos zbardhet plotësisht e vërteta e Calciopolit.
Kamer Qaka (me të kuqe) në aksion gjatë një ndeshje me fanellën e Brondby Kampioni i Spanjës dhe Evropës, Barcelona, raportohet se është duke e interesuar për mesfushorin kosovar, 15-vjeçarin Kamer Qaka, i cili vlerësohet ndër futbollistët më të talentuar në Norvegji.
Sipas gazetës “Dagbladet”, për shërbimet e të riut kosovar janë të interesuara edhe skuadrat e tjera evropiane, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe babai i futbollistit.
“Menaxherët e Barcelonës çdo ditë më thërrasin për të më pyetur që të dërgoj djalin në këtë klub. Ata përcjellin çdo ndeshje ku luan Kameri. Përveç Barçës janë duke u interesuar edhe Hamburgu e Werder Bremen në Gjermani, Blackburn Rovers në Angli, Brondby në Danimarkë dhe klubet më të forta norvegjeze. Në Blackburn e Brondby ka stërvitur më herët, ndërsa drejtuesit e këtyre dy klubeve menjëherë kanë bërë ofertë", ka thënë Adem Qaka për gazetën norvegjeze.
Pavarësisht interesimit të klubit më të mirë në botë për të, Kamer Qaka duket se favorizon rivalin e përjetshëm të Barcelonës, Realin e Madridit.
Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, beson se Barcelona do ta eliminojë Interin dhe do të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve.
Barcelona të mërkurën pret në Camp Nou, Interin, në ndeshjen e kthimit pasi u mposht me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë në Giuseppe Meazza. Pavarësisht se do të jetë një sfidë e vështirë, Puyol mendon se Barcelona do të kualifikohet në finale, edhe pse ai është i suspenduar për këtë takim.
“Ndeshja e dytë kundër Interit do të jetë një sfidë e vështirë për ne, por jam i bindur se ne mund t’ia dalim. Do ta lëshoja gjysmëfinalen çdo vit nëse ekipi kualifikohet në finale. Sido që të jetë dua të luaj në çdo ndeshje. Por më e rëndësishme është të fitojmë”.
“Mund të fitojmë. Me ndihmën e fansave, të cilët janë më të mirët në botë, do të japim gjithçka nga vetja në Nou Camp”, ka thënë Puyol.
Menaxheri i Romës, Claudio Ranieri, ka mbetur i zhgënjyer pas disfatës së mbrëmshme nga Sampdoria.
Romakën kaluan të parët në epërsi me anë të Franesco Tottit në pjesë të parë, por dy gola të shënuar në pjesë të dytë nga Giampaolo Pazzini vulosën disfatën e Romës dhe zmbrapsjen në pozitën e dytë.
“Nëse do të kishim barazuar në këtë ndeshje, do të kishte qenë e njëjta gjë. Ne e kishim në duar fatin tonë dhe tash nuk e kemi. Duhet të vazhdojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Skudetoja do të vendoset në javën e fundit. Fati ishte në anën tonë në derbi, por jo edhe sonte”, ka thënë Ranieri.
Duke u inkuadruar me ‘frikën’ se kjo mund të jetë loja e fundit me Miami, Dwyane Wade ka shpërthyer duke shënuar pikët më të larta në karrierë, 46, për të ndihmuar Heat të shënojnë fitore 101-92 ndaj Boston Celtics.
Wade, i cili do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit dhe mund të largohet nga Miami, shënoi 19 pikë vetëm në çerekun e katërt, përfshirë edhe tre trepikësha.
Fitorja e Miamit e ngushton në 3-1 serinë e ndeshjeve të play-offit mes dy ekipeve të Konferencës Lindore, me ndeshjen e pestë që do të zhvendoset përsëri në Boston të martën.
Rajon Rondo shënoi 23 pikë dhe nëntë asistime derisa Kevin Garnett përfunoi ndeshjen me 18 pikë dhe 12 kërcime për Celtics.
Në ndeshjen tjetër të Lindjes, LeBron James ka shënuar po ashtu triple-double me 37 pikë, 12 kërcime dhe 11 asistime, për të ndihmuar Cleveland Cavaliers të shënojnë fitore 121-98 në udhëtim te Chicago Bulls dhe për të çuar në 3-1 avantazhin e ekipit të tij.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se Pippo Inzaghi do të qëndrojë me rosonerët edhe në sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi veteran do të jetë pa kontratë në muajin qershor dhe së fundi spekulohet se mund të largohet nga Milani pasi është i pakënaqur me rolin e tij. Por Galliani thotë se sulmuesi do të qëndrojë me rosonerët.
“Ka një marrëveshje në mes meje dhe Inzaghit: nëse ne luajmë në Ligën e Kampionëve ai do të mbetet. Inzaghi do të qëndrojë me ne”, ka thënë Galliani
Menaxheri gjeneral i Real Madridit, Jorge Valdano, e ka lënë derën e hapur për një largim të Raul në fund të sezonit.
Argjentinasi thotë se klubi do të pranojë çfarëdo qoftë vendimi që Raul merr për të ardhmen e tij.
“Ai është vlerë për klubit, një shembull brenda dhe jashtë fushe dhe ne shpresojmë që ai të qëndrojë më gjatë. Ai dha shumë (kundër Zaragozas) dhe luajti me dhimbje dhe u dorëzua vetëm kur nuk mundi të qëndrojë në këmbë”.
“Do të jetë vetë Raul ai i cili do të vendosë dhe klubi do të pranojë vendimin që do të marrë ai”, ka thënë Valdano.
Fitorja e Chelseat ndaj Stoke Cityt ka qenë një fitore shumë e rëndësishme sipas Salomon Kalou.
Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë shënoi hat-trick në fitoren 7-0 të bluve dhe është i lumtur që ka qenë pjesë e tre pikëve të rëndësishme për klubin e tij.
“Kjo do të thotë shumë. Ka qenë një ndeshje e rëndësishme për secilin. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe ta ruajmë përqendrimin në ndeshjet tona. Këtë e bëmë së fundi, 7-0 është një rezultat i shkëlqyeshëm”, ka thënë Kalou.
Real Madridi raportohet se është duke përcjellë mbrojtësin e Bayern Munichut, Martin Demichelis.
Agjenti i mbrojtësit 30-vjeçar argjentinas tha javën e kaluar se ai është kontaktuar nga klube të mëdha spanjolle dhe angleze për aftësitë e mbrojtësit.
Burime spanjolle tash bëjnë të ditur se Reali është duke e kërkuar lojtarin, i cili ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2012.
Barcelona është e gatshme të diskutojë një ofertë të majme shkëmbimi me Valencian për sulmuesin David Villa.
Barcelona kërkoi me ngulm Villan gjatë verës së kaluar, para se të vendosë për sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic. Megjithatë, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, mbetet i vendosur për të marrë shërbimet e 28-vjeçarit dhe dëshiron të shikojë mundësinë për të nënshkruar me të në fund të këtij sezoni.
Valencia do të ketë nevojë të shesë lojtarë me qëllim që të baraspeshojë financat dhe do të mirëpresë një mundësi shkëmbimi që përfshin para dhe lojtarët si Bojan Krkic dhe Alexandr Hleb.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka porositur lojtarët të mbeten të fokusuar në titull pas fitores 7-0 ndaj Stoke Cityt.
Fitorja e lehtë e bluve e riktheu ekipin në maje të tabelës ku Manchester United kaloi 24 orë pasi mposhti Tottenhamin, dhe italiani kërkon që tash lojtarët të jenë të përqendruar dhe të qetë për dy ndeshjet e radhës.
“Na takon neve të humbasim, por kjo është gjë e mirë. Ta kesh titullin në duart tuaja është gjë e mirë. Gjithçka është në duart tona, andaj tash jam i qetë. Jam i lumtur pasi luajtëm mirë. Ishte një ndeshje e rëndësishme. Kishim nevojë të rikthehemi në maje dhe luajtëm mirë”.
“Kishte ca presion para ndeshjes, por ekipi mbeti i përqendruar dhe tregoi një paraqitje fantastike. Por ne nuk kemi nevojë t’u dërgojmë mesazhe ekipeve tjera. Ky është një mesazh i mirë për ne”, ka thënë Ancelotti.
Sipas Mail on Sunday, bosit të Liverpoolit, Rafa Benitez, i është ofruar një pagë prej 15 milionë funtesh për stinor, nëse merr drejtimin e Juventusit.
Pos kësaj, tabloidi shkruan se Benitezi do të ketë në dorë të tij fonde ‘të pakufishme’ për të sjellë futbollistët më të mirë në Torino. Raporti shton se ai do ta ketë të lejuar të zgjedhë stafin e tij, pasi që Juventusi po kërkon të rikthehet në skenë si fuqi evropiane dhe globale e futbollit.
Rafael Benitez kishte shprehur hapur pakënaqësinë me pronarët aktualë të Liverpoolit, George Gillet dhe Tom Hicks, për mosinvestim në lojtarë të rinj. Sidoqoftë, ka indikacione që nëse ndërrohen pronarët në Anfield, atëherë Benitez mund të qëndrojë në bankinën e The Reds.
Trajneri i Schalkes, Felix Magath, është i bindur se rivali direkt për titull, Bayern Munich, me të cilin gjenden në pozitën e parë me pikë të njëjta, do të lëshojë pikë në dy ndeshjet e fundit të Bundesligas.
“Bayern Munichu mund të pësojë edhe dy herë. Por, ata janë ende në Ligën e Kampionëve. Nëse ata arrijnë finalen, jam i bindur se edhe një barazim është duke i pritur”.
“Nuk ka lidhje si shkojnë dy ndeshjet e mbetura, sepse është e sigurt që unë do të vazhdoj punën time te Schalke edhe vitin e ardhshëm. Së bashku me Clemens Toennies jemi pajtuar që të vazhdojmë këtë rrugë, për ta shpjerë Schalken jo vetëm në maje të Bundeligas, por edhe të Evropës”, deklaroi Magath për faqen zyrtare të Schalkes.
Përderisa Juventusi ende mban gjallë ato pak shpresa për Ligën e Kampionëve, trajneri Alberto Zaccheroni lëvdoi paraqitjen e lojtarëve të tij.
“Ne i ndezëm motorët në pjesën e dytë. Përkundër paraqitjes së mirë në pjesën e dytë, nuk dua t’u bëj kritika djelmoshave për 45 minutat e para. Në përgjithësi, unë isha më shumë se i kënaqur me atë që pashë. Skuadra shfaqi shpirt luftarak”, tha trajneri.
Më pas ai sqaroi se pse u fjalos me Alessandro Del Pieron pak para zëvendësimit të tij me Hasan Salihamidzicin.
“Ishte një keqkuptim në mes meje dhe Alex Del Pieros. Gjatë një ndeshjeje kjo mund të ndodhë, por ne jemi qenie njerëzore dhe kurrë nuk do të shkëmbenim fjalë në tone të ashpra madje edhe në këto kushte”, deklaroi Zaccheroni për Sky Sport Italia pas takimit.