Bayern Munichu e ka turpëruar Lyonin para tifozëve të vet duke e mposhtur me rezultat 3-0 në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.Takimi i parë i zhvilluar në Allianz Arena përfundoi me fitore minimale të bavarezëve, të cilët u treguan edhe më të fortë në stadiumin Gerland.
Njeriu i ndeshjes ishte kroati Ivica Olic i cili me het-trikun e tij dërgoi gjermanët në finalen e madhe të Bernabeut.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 26-të, kur Olic bëri një rrotullim të bukur për të kaluar mysafirët në epërsi, dhe me këtë avantazh u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës gjërat u përkeqësuan për vendasit, pasi që Cris u përjashtua me dy kartonë të verdhë (60’).
Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi Bayerni që realizoi edhe dy herë, ndërsa të dy golat mbajnë firmën e Olic (67’ dhe 78’).
Në finalen e madhe, Bayern Munichu do të takohet me skuadrën që do të kualifikohet të mërkurën mbrëma pas ndeshjes Barcelona-Inter që zhvillohet në Camp Nou.
Juventusi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes për transferimin e Rafa Benitezit në Olimpico të Torinos, pasi që Juventusi ka arritur marrëveshje me agjentin e Benitez.Sipas Tuttosport, Bettega dhe agjenti i Benitezit, Manuel Quillon Garcia, janë takuar të hënën në Monte Carlo ku arritën marrëveshje verbale për kontratë trevjeçare dhe se tani ka mbetur të bindet vetëm Liverpooli.
Në ndërkohë, La Stampa shkruan se me ardhjen e Benitezit te Juventusi, shembullin e tij do ta ndiqnin edhe Fernando Torres, Javier Mascherano, Dirk Kuyt dhe Martin Skrtel.
Sipas kësaj gazete, Torres do të largohej nga Liverpooli, por për hiç më pak se 70 milionë euro.
Sipas agjentit të sulmuesit të Flamengos, Adriano, e ardhmja e klientit të tij do të sqarohet pas Kampionatit Botëror duke cekur interesimin e lartë të Romës për të.“Adriano ka kontratë me Flamengon që i skadon në fund të majit, pas kësaj ai do të jetë i lirë. Por, është dhe Kampionati Botëror dhe të shohim më pas. Për momentin, nuk po negociojmë me klubet”.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Një vendim mund të merret gjatë ose pas Kampionatit Botëror, por tani për tani nuk ka asgjë për të shtuar”, deklaroi Rinaldi për një komunitet të klubit të Romës.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, ka zbuluar se bashkëlojtari i tij në kombëtaren angleze, Wayne Rooney, është një humbës shumë i keq, por me tipare kompetitive.“Wayne Rooney është kompetitiv edhe në stërvitje. Unë gjithmonë dua të jem në ekipin e tij. Ai urren të humbasë aq shumë, saqë kur e mposhta një herë në pishinë, ai përfundoi me gisht të thyer”, sqaroi Walcott.
Walcott gjithashtu lëvdoi dhe kolegun e tij spanjoll të Arsenalit, Cesc Fabregas, duke thënë se ai është lider edhe pse është vetëm 23 vjeçar.
Sipas Kicker, stafi mjekësor i Bayern Munichut i ka dhënë dritën e gjelbër mbrojtësit belg, Daniel Van Buyten, para ndeshjes kthyese gjysmëfinale ndaj Lyonit në Stade Gerland.Mbrojtësi u lëndua në barazimin 1-1 ndaj Borussia Moenchengladbachut dhe ishte në dyshim të lartë për sfidën ndaj Lyonit. Van Buyten me sukses iu nënshtrua testeve të fitnesit më herët gjatë të martës dhe për këtë do të jetë në gjendje të përballet ndaj titanëve francezë.
Sipas këtij raporti, Martin Demichelis nuk do të jetë i gatshëm për Lyonin përderisa nuk ka informacione mbi gjendjen e Diego Contentos dhe Miroslav Kloses.
Kaka ka qenë njëri ndër futbollistët më të kritikuar në rruzull për formën e tij dhe lëndimet, pasi që paraqitjet e tij në fanellën e Realit ishte katastrofale. Sidoqoftë këtë fakt e pranon dhe vetë Kaka në një konferencë për shtyp të raportuar nga Marca.“Nuk jam i kënaqur me paraqitjet e mia, por problemi im është te forma fizike, unë vuajta shumë që nga ardhja këtu. Kur të jem më mirë fizikisht paraqitjet e mia do të ndryshojnë. Unë do të jem i kënaqur ashtu si tifozët”, deklaroi Kaka.
Kaka shtoi se nuk i penguan fishkëllimat e tifozëve në ndeshjen ndaj Lyonit ku Kaka luajti i lënduar, duke thënë se në të kaluarën këtë e kishin bërë dhe tifozët e Sao Paolos dhe të Milanit.
Qendër mbrojtësi i Interit, Lucio, ka deklaruar për FIFA.com se ai beson që skuadra e Interit është e gatshme për ta fituar Ligën e Kampionëve nën drejtimin e Jose Mourinhos.“Ne patëm një qëndrim të mrekullueshëm, sepse filluam nga disavantazhi prej 1-0 dhe më pas arritëm të shënojmë tre gola. Definitivisht ishte fitore e rëndësishme, që na dha besim. Ne e dimë se nuk ka mbaruar ende asgjë, sepse ka mbetur dhe një sfidë dhe ne e dimë se ajo do të jetë e vështirë”.
“Ne do të shkojmë atje me shpirt të njëjtë, me të njëjtin vullnet, pasi që kemi një rast të mirë për të arritur finalen. Mourinho ka transmetuar qetësi që i jep motivacion lojtarëve, kjo ka qenë vendimtare. Njerëzit na bëjnë të besojmë në ëndrrat tona, të besojmë në ekipin tonë dhe kjo e ka bërë diferencën në garat e këtij sezoni. Është me rëndësi që trajneri t’u japë besimin lojtarëve”, përfundoi Lucio.
Tashmë edhe zyrtarisht, Schalke 04 është klubi i ri i mbrojtësit gjerman Christoph Metzelder, pasi që ky i fundit u transferua si lojtar i lirë nga Real Madridi.Metzelder ka nënshkruar kontratë që e mban atë në Veltins Arena deri në vitin 2013.
Kështu, nga njëra anë, Metzelder largohet nga Real Madridi ku dështoi plotësisht dhe nga ana tjetër mbaroi luftën Wolfsburg-Schalke për firmën e tij.
Mesfushori kreativ i Interit, Wesley Sneijder u është rikthyer stërvitjeve dhe është gati për të luajtur ndaj Barcelonës në atë që quhet ndeshja më e rëndësishme e Interit këtë sezon.Kishte spekulime se ai mund të mungonte në supersfidën kthyese për shkak të zgjatjes muskulore të pësuar ndaj Atalantas të shtunën. Sipas këtyre spekulimeve, Sneijder nuk do të udhëtonte me skuadrën në Barcelonë, por do të qëndronte pranë fizioterapautëve.
Por, duket se ai është gati për të startuar ndaj Barcelonës pas që u stërvit në mënyrë të plotë të martën. holandezi ekzekutoi taktika të ndryshme me skuadrën në sytë e Mourinhos.
Nga ana tjetër, dihet se Stankovic nuk do të udhëtojë për në Barcelonë, ndërsa Balotelli është stërvitur në mënyrë të rregullt për të udhëtuar me pjesën tjetër të skuadrës.
Mesfushori i Real Madridit, Guti, është i gatshëm të transferohet në Dubai.Sipas disa burimeve nga Spanja, Guti ka arritur marrëveshje për t’u larguar nga Real Madridi dhe për të kaluar në Dubai.
33-vjeçari muajin e kaluar bëri të ditur se planifikon të largohet nga Real Madridi pas fundit të sezonit, pasi ishte lënë jashtë ekipit për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Manuel Pellegrini.
Spanjolli është lidhur me një transferim në Angli, por oferta e pasur nga Dubai ka qenë shkak që ai të mendojë për një kalim në një klub të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Guti është një prej futbollistëve i cili ka dalë nga shkolla e të rinjve e Real Madridit dhe me të cilin klub ka fituar tre tituj në Ligën e Kampionëve dhe pesë në La Liga.
Sipas France Football, Cristiano Ronaldo e ka këshilluar Real Madridin të angazhojë mbrojtësin e majtë të Manchester United, Patrice Evra.Portugezi është mik i mirë me mbrojtësin francez dhe i njeh mirë kualitetet e tij pasi ka luajtur disa sezone në krah të tij në Old Trafford.
Spekulohet se dyshja përsëri mund ta ringjallim bashkëpunimin, kësaj here në Santiago Bernabeu, pasi Ronaldo ka thënë disa fjalë të mira për Evra para presidentit Florentino Perez.
Sportivja francez shkruan se Sir Alex Ferguson mund të llogarisë të shesë 29-vjeçarin nëse arrin ndonjë ofertë në vlerën e rreth 20 milionë eurove, shumë e cila nuk do të ishte problem për ekipin spanjoll që verën e kaluar harxhoi 250 milionë euro për përforcime të reja.
Arritja e Evra do të mund të stabilizojë mbrojtjen e Realit, e cila këtë vit ka pasur probleme pikërisht në anën e majtë.
Steven Gerrard e ka paralajmëruar Chelsean se ata nuk do të kalojnë lehtë kundër tyre, madje edhe nëse kjo do të thotë që Manchester United do ta fitojë titullin.Të dielën do të luhet mbase ndeshja më vendimtare për titull në Ligën Premier, kur Chelsae do të udhëtojë në Anfield për t’u përballur me Liverpoolin.
“Kemi edhe dy ndeshje dhe duam të fitojmë dhe të shohim nëse do të mund të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Nëse fitojmë maksimumin e pikëve, kush e di? Ekipet para nesh ndoshta do të humbin pikë. Nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Gerrard.
Andrei Arshavin edhe një herë ka bërë të ditur se klubi i tij i zemrës është Barcelona.Para se të kalonte në Arsenal, Arshavin u lidh me një kalim te gjiganti spanjoll dhe edhe haptas pati deklaruar se është tifoz i Barcës.
“Madje të luaj edhe vetëm një sezon për Barcelonën do ta arrinte kulmin e karrierës time. Barca është ekipi më i mirë në botë dhe shumë më pëlqen stili i tyre i lojës”.
“Por të shoh ata të luajnë kundër Arsenalit, kënaqësia shpejt mu shndërrua në vuajtje. Ata janë shumë më të mirë nga të gjithë në këtë moment”, ka thënë Arshavin.
Orlando Magic ka triumfuar në rundin a parë të play-offit duke shënuar edhe fitoren e katërt ndaj Charlotte Bobcats me rezultat 99-90.Vince Carter shënoi 21 pikë, derisa Jameer Nelson 18 për të ndihmuar Magic të bëhen ekipi i parë që kualifikohet në rundin e dytë të play-offit.
Ata do të përballen ose me Milwaukee Bucks ose me Atlanta Hawks, të cilët ekipe kanë barazuar ndeshjet në 2-2 pas fitores prej 111-104 të Bucks gjatë të hënës.
Tyrus Thomas shënoi 21 pikë dhe nëntë kërcime për debutuesit e pas-sezonit, Charlotte.
Thierry Henry i ka porositur lojtarët e Barcelonës t’i injorojnë sjelljet e trajnerit të Interit, Jose Mourinho, në prag të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.Interi do të udhëtojë në Nou Camp me avantazh 3-1 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Giuseppe Meazza, derisa Barcelona do të ketë një punë të vështirë në tentim për t’u kualifikuar në finale.
“E kam njohur atë me vite nga koha e ndeshjeve në mes të Chelseat dhe Arsenalit. Kam mësuar të mos i kushtoj vëmendje dhe të mendoj vetëm për futbollin”, ka thënë Henry.
Clarence Seedorf ka kërkuar qetësi për fansat e Milanit pas disfatës së tyre të fundit nga Palermo.Trajneri i Milanit, Leonardo, është pjesë e spekulimeve për shkarkim në fund të sezonit, por sipas Seedorf nuk është momenti i duhur për t’ia lënë fajin dikujt.
“Është e dukshme se këto thashetheme nuk japin qetësi, por ne jemi mësuar me faktin se në futboll flitni për të tilla gjëra në fund të sezonit. Kemi një objektiv shumë të qartë, të cilin do ta kuptojmë vetëm duke vazhduar të jemi të qetë”.
“Nuk arrijmë gjithmonë të fitojmë atë që duam. Do të preferoja të mos flasim për këtë gjë, siç bën edhe Leonardo. Në botë e dimë se këto gjëra ndodhin në fund të sezonit”, ka thënë Seedorf.
Sulmuesi i Romës, Luca Toni, thotë se ata kanë nevojë për ndihmën e Lazios gjatë këtij vikendi.Pas disfatës nga Sampdoria gjatë vikendit, Roma tashmë ka humbur kreun Serie A ndaj Interit, që në ndeshjen e radhës do të përballet me Lazion.
“Është një situatë e vështirë. Ne duhet t’i fitojmë të tre ndeshjet dhe të shpresojmë se Interi do të humbasë pikë. Shpresoj që Lazio do të luajë një ndeshje të shkëlqyeshme kundër Interit”.
“Kundër nerazurëve ata do të duhet të japin më të mirën dhe vërtet shpresoj se ata do ta bëjnë këtë. Por duke ditur se ata janë nga ‘ana’ e kundërt, nuk jam shumë i bindur”, ka thënë Toni.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, nuk ka dyshime se ata do ta mposhtin Interin dhe do të arrijnë në finale të Ligës së Kampionëve.Ibrahimovic është i sigurt se më 22 maj, ekipi i tij do të luajë në finale të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu.
“Jam i sigurt se do të jemi në Madrid. Besoj fuqishëm në ekipin tim dhe në veten. Kemi mentalitetin e duhur për t’u futur dhe për ta fituar ndeshjen. Do të luftojmë dhe jemi shumë të bindur në aftësitë tona”.
“Jemi një ekip që shënon shumë gola dhe kjo është ajo çfarë duhet ta bëjmë për ta mposhtur Interin dhe për të arritur në finale”, ka thënë Ibrahimovic.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, ka lavdëruar ndikimin e Maxi Rodriguez që kur ai arriti në janar nga Atletico Madrid.Në ndeshjen e fundit ndaj Burnleyt, Maxi shënoi një gol të jashtëzakonshëm pas një pasimi të Alberto Aquilanit, dhe kapiteni i të kuqve është më se i impresionuar me të.
“Maxi është një lojtar fantastik. Ai ka lëvizje të mira dhe si futbollist është kënaqësi të luash me lojtarë të mirë dhe i tillë është Maxi. Ai ka qenë vërtet i freskët dhe këtë e ka treguar paraqitja e tij e fundit dhe ai e shënoi golin e tij vërtet shumë bukur”, ka thënë Gerrard.
Ish-futbollisti më i mirë në botë, Ricardo Kaka, ka këmbëngulur se ai është gati të lë prapa lëndimet e tij për ta ndihmuar Realin ta fitojë titullin e 32-të në La Liga.“Unë dua t’i ndihmoj Real Madridit ta fitojë këtë kampionat. Fizikisht jam mirë dhe ndjehem më mirë, por më duhet të punoj për të qenë gati”, theksoi Kaka për Marca.
Shumë njerëz kanë dyshuar mbi formën e Kakas pas rikthimit nga lëndimi, por pas paraqitjes së fundit në La Romareda të Zaragozas, ai ka heshtur gjithë kritikët e tij, duke bërë me dije se është ai i vjetri.
Sipas disa burimeve brenda klubit nga Old Trafford, një grup biznesmenësh aziatikë ka vendosur të blejë Manchester Unitedin dhe finalizimi i një marrëveshjeje mes këtij grupi dhe familjes Glazer është vetëm formalitet dhe çështje kohe.Ardhja e biznesmenëve do të sillte në të njëjtën kohë një revolucion total në klub, duke u rritur njëkohësisht ndikimi i tifozëve në drejtimin e klubit.
Pos kësaj, Wayne Rooney do të bëhej futbollisti më i paguar në botë edhe pse burimet nuk kanë precizuar një shumë, por se pagesa e Rooneyt si më i miri i botës nuk do të ishte ndonjë problem i madh për multi-miliarderët aziatikë, të cilët janë tifozë të mirënjohur të United.
Kjo, nuk është e tëra. Pronarët e rinj ia kanë garantuar menaxherit Sir Alex Ferguson një shumë prej hiç më pak se 200 milionë funte, si mjete për transferimin e futbollistëve më të mirë në rruzull.
Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Manchester Unitedi, por mbetet të shihet në javët në vazhdim se çfarë do të ndodhë në Old Trafford.
President-nderi Barcelonës, Johan Cruyff, ka deklaruar se lojtarët dhe tifozët duhet të bashkohen për ta copëtuar Interin dhe për të mos e lënë asnjë lojtar të Interit të prekë madje një herë topin si duhet.Cruyff e ka përkufizuar takimin e të mërkurës si të veçantë, duke besuar se ekipi i tij është në gjendje ta rikthej këtë rezultatin.
“Një ndeshje kthyese e një gjysmëfinale është gjithnjë e veçantë, por ajo çfarë ndodhi në ndeshjen e parë është e padrejtë. Unë gjithmonë mbështes arbitrat, por ka gabime dhe vetëm gabime. Gabimi që bëri anësori në ndeshjen e parë është e pamundur të mos ishte parë”.
“Ne duhet t’i copëtojmë ata në sfidën kthyese. Nuk duhet ta lëmë asnjë lojtarë ta prekë topin si duhet”, theksoi Cruyff për El Periodico.
Ai shtoi gjithashtu se tifozët duhet t’i qëndrojnë pranë klubit edhe nëse ndodhë që skuadra e tyre e zemrës të mos kualifikohet.
Sulmuesi kryesor anglez, Wayne Rooney, ka deklaruar se është i frustruar për lëndimin e tij, por se garanton për një rikthim të freskët për Botërorin e këtij viti.“Unë jam i kënaqur të kem luajtur mirë në vitin e Botërorit, por ka qenë e vështirë për shkak të lëndimeve që i kam marrë muajve të fundit. Jam i zhgënjyer që kam munguar në disa prej ndeshjeve kryesore javët e fundit”.
“Asnjë lojtari nuk i pëlqen të shikojë futboll, është vështirë kur e di se nuk mund të kesh ndikim në lojë. Është frustruese. Por, nëse do të përkushtohem, mund të jem më i freskët për Botërorin, që do të jetë i mirë për mua”, ka thënë Rooney.
Sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, edhe pse nga njëra anë pranon se është tifoz i Milanit, nga ana tjetër ka mohuar spekulimet se ai do të luajë në një të ardhme të afërt për gjigantin italian.Sipas spekulimeve të fundit, Milani kishte arritur marrëveshje me zyrtarët gjermanë dhe pritej vetëm prezantimi i Dzekos në fanellën e Milanit, por është vetë protagonisti ai që mohon çdo spekulim.
“Po, Milani është ekipi im i preferuar dhe për këtë arsye mediat më kanë lidhur me një kalim te Rossonerët. Kjo nuk do të thotë se unë do të luaj për Milanin vitin e ardhshëm”.
“Sezon tjetër me Wolfsburgun? Kam disa oferta të cilat janë duke i përpunuar agjentët. Nuk e di nëse do të qëndroj këtu edhe për një sezon”, tha Dzeko për Spox.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur mendimin e tij për supersfidën Barca-Inter dhe natyrisht nuk ka lënë pa kritikuar kandidatin e tij direkt për postin e presidentit Sandro Rosell.“Ky ekip e ka shpirtin për ta rikthyer atë rezultat, duke filluar nga lojtarët, trajnerët, punëtorët dhe tifozët. Ne do të jemi të bashkuar për këtë ndeshje. Vendimi më i mirë sportiv ishte që të vazhdojmë me filozofinë e Johan Cruyffit. Txiki Begiristain na ndihmoi për këtë, duke u vazhduar nga Rijkaard e implementuar për mrekulli nga Guardiola”.
Me respekt për akuzat e bëra në librin e tij ndaj ish-zëvendëspresidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, që është dhe kandidat aktual për president, Laporta tha se Rosell dëshironte ta lejonte blerjen e Ronaldinhos për 100 milionë euro, aq sa kishte dhënë Chelsea.
“Unë duhet të ritheksoj se Rosell më tha se Chelsea kishte bërë ofertë prej 100 milionë eurosh për Ronaldinhon dhe se ata do të na jepnin neve nga 10 për qind. Unë refuzova dy herë, një herë në Paris (gjatë finales së Ligës së Kampionëve). Çfarë më çudit është fakti se ai e mohon këtë”, tha Laporta për TVE.
















