Të mërkurën mbrëma në Camp Nou, Barcelona dhe Interi kanë zhvilluar supersfidën kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 1-0.Takim i parë i zhvilluar në Giuseppe Meazza përfundoi me fitoren e zikaltërve me rezultat 3-1, ashtu që rezultati i përgjithshëm pas dy ndeshjeve është 3-2 në favor të Interit.
Nga minuta e parë e takimit, Barcelona ishte skuadër dominuese në fushë dhe loja zhvillohej në gjysmëfushën e Interit. Mirëpo, përkundër këtij dominimi, vendasit nuk arrinin të thyenin mbrojtjen e fortë mysafire, dhe njëherit arritën të krijojnë pak raste.
Rasti më i mirë në pjesën e parë ishte i Leo Messit, mirëpo goditjen e tij e mbrojti portieri Julio Cesar (32’).
Momenti më i rëndësishëm i pjesës së parë, ishte përjashtimi i Thiago Mottas me kartonin e dytë të verdhë (28’), megjithatë Blaugranët nuk arritën ta shfrytëzojnë epërsinë numerike në fushë dhe pas 45 minutave rrjetat heshtën.
E njëjta skenë në fushë u shfaq edhe në pjesën e dytë, me dominim të plotë të Barcelonës, porse vështirë se thyhej Interi.
Nerazzurrët arritën të bëjnë rezistencë deri në minutën e 84, kur pas një pasimi të Xavit, mbrojtësi Gerard Pique shënoi golin e shpresës për Barcelonën.
Duke qenë se iu nevojitej vetëm edhe një gol për të kaluar në finale, Blaugranët shtuan edhe më shumë presionin para portës së Julio Cesar, mirëpo nuk arritën të realizojnë deri në fund të ndeshjes, duke bërë që Interi të kalojë në finale.
Në finalen e madhe të Bernabeut, Interi do ta ketë kundërshtar Bayern Munichun që në gjysmëfinale eliminoi Lyonin.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i është kundërpërgjigjur trajnerit të Interit, Jose Mourinho, që tha se Barcelona është e ‘fiksuar’ pas Ligës së Kampionëve, duke e quajtur portugezin psikolog të kategorisë së dytë.“Finalja është synim i yni dhe ne duam që të kalojmë në finale duke kaluar gjysmëfinalen. Kjo është ambicia jonë. Ne nuk jemi të fiksuar dhe kushdo që na quan ashtu është një psikolog i kategorisë së dytë”.
“Unë mendoj se ne e meritojmë titullin. Ky ekip ka treguar se ka mentalitet fitues. Ata do të vdesin në fushë nëse ka nevojë. Çfarëdo që të ndodhë, lojtarët dhe trajneri meritojnë ovacione në fund të takimit”, ka thënë Laporta.
Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol, ka potencuar se ardhmja e Sergio Agueros te Real Madridi do të ishte një lajm i mirë për të dyja palët pasi që sipas tij, Aguero do të përshtatej me lojën e Los Blancos.“Aguero është një lojtar fantastik dhe do të ishte një transferim i mirë për çdo ekip. Pos kësaj, nuk di asgjë tjetër. ‘El Kun’ tashmë është treguar tek Atletico dhe për këtë arsye shumë klube janë pas tij. Ai është një sulmues i rëndësishëm”.
“Barcelona? Të shohim nëse e kalon Interin. Kjo ndeshje do të jetë me intensitet dhe do të ndikojë në formën e Barcelonës ndaj Villarrealit në El Madrigal. Të shpresojmë se Barcelona do të humbasë pikë këtu”, ka thënë Albiol për AS.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se Topçinjtë janë duke negociuar me disa prej futbollistëve, të cilët ai do t’i transferojë para Kampionatit Botëror.“Unë kam preferenca të definuara dhe kam biseduar me njerëz të tjerë, të cilët nuk do t’u tregoja se kush janë. Unë besoj që sa ma herët të përshtatet ekipi aq më mirë do të jetë”.
“Transferimet do të përfundojnë para Botërorit, sepse çmimet pas kësaj gare janë artificiale. Unë ndjehem i rrezikuar të shpenzoj pas Kampionatit Botëror, sepse ka lojtarë që nuk kanë luajtur tërë sezonin por për tre javë shkëlqejnë, unë nuk i dua këta”, u shpreh Wenger për Arsenal Matchday Programme.
Trajneri i Bayernit, Louis Van Gaal, do të duhet t’ia dalë pa shërbimet e francezit Franck Ribery edhe në finalen e Ligës së Kampionëve, pasi UEFA ka vendosur ta suspendojë anësorin francez për tri ndeshje.Në takimin e parë kundër Lyonit, Ribery e humbi kontrollin në fushë dhe e goditi me tërë fuqinë Lisandro Lopezin në nyje. Kjo nuk kaloi lehtë nga gjyqtari i atij takimi Roberto Rosetti, i cili e përjashtoi me karon të kuq.
Bayerni shpresoi se Ribery do të dënohej për vetëm një ndeshje, por UEFA vendosi për suspendim me tri ndeshje. Kjo do të thotë se Ribery mungon në finale, por Bayerni brenda tri ditësh mund të apelojë vendimin.
Drejtori sportiv i Milanit, Ariedo Braida, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet të cilat e lidhnin Alexandre Paton me një largim nga klubi kuqezi.“Kjo është vetëm një imagjinatë e shtypit. Nuk ka nevojë të përsëriten çdo herë fjalët e njëjta, sepse Pato është i lumtur këtu dhe nuk ka probleme te Milani. Pato nuk do të largohet nga Milani”.
“Ai do të vendosë në fund të sezonit për të ardhmen e tij. Tani është shumë herët të flitet”, deklaroi Braida.
Mesfushori i Manchester Unitedit, Darren Fletcher, beson se Djajtë e Kuq janë të aftë për të fituar të gjitha ndeshjet dhe për të luftuar deri në fund për titullin Ligës Premier.Chelsea aktualisht është në krye të Ligës Premier dhe me dy ndeshjet e mbetura mbetet favorit për ta fituar titullin.
“Menaxheri na tha para ndeshjes ndaj Tottenhamit se ndeshja mund të vendoset në dhjetë minutat e fundit. Ne kemi besim në lojën tonë. Ne nuk jemi monotonë. Ne i vëmë lojtarët përpara, por loja e tyre nuk është monotone, nuk është vetëm lojë e gjatë brenda zonës”.
“Ne besojmë në pasime dhe kështu krijojmë rastet tona. Shpeshherë tifozët mund të dëshirojnë të luajnë shumë përpara me topa të gjatë, por ato nuk janë zgjidhja adekuate. Ju duhet të luani futboll dhe të krijoni raste të mira shënimi”, tha Fletcher.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka vënë në pah rëndësinë e takimit kthyes mes Barcelonës dhe Interit, duke shtuar se finalja është më shumë se një ëndërr për Interin.Gjatë mbrëmjes së kaluar, tifozët e Barcelonës u treguan tejet të ashpër me ekipin kundërshtar, duke e demoluar veturën e Jose Mourinhos dhe duke bërë zhurmë gjatë gjithë natës në hotelin ku ishin duke fjetur futbollistët e Interit.
“Finalja është më shumë se një ëndërr për ne. Dëgjova disa zëra mbrëmjen e kaluar, por isha në gjendje që të fle mirë pa brenga. Tensionet janë normale për këso lloj takimesh, por ekipi ynë është i qetë”, theksoi Moratti për Sky Sports 24.
Në ndërkohë, La Repubblica shkruan se rreth 5.000 tifozë të Interit janë duke qëndruar nëpër rrugët e Barcelonës para takimit që zhvillohet në Camp Nou.
Arjen Robben thotë se do ta dëshironte Interin në finalen e Ligës së Kampionëve që zhvillohet më 22 maj në Santiago Bernabeu.Bayern Munich mbrëmë mposhti me rezultat 3-0 Lyonin për të siguruar vend në finalen e garës më të madhe evropiane dhe holandezi do të dëshironte kampionin e Italisë si rival në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
“Dua të luaj kundër Interit. Do të jetë më mirë për ne nëse luajmë kundër tyre. Mund të kemi probleme të mëdha kundër Barcelonës. Por, po ashtu dua të luaj kundër Mourinhos dhe mikut tim të mirë Wesley Sneijder”, ka thënë Robben.
Cristiano Ronaldo shpreson se Barcelona sonte do të eliminohet nga Liga e Kampionëve dhe thotë se do të jetë një lehtësim psikik për të nëse Interi udhëton në finale.“Sonte do të ketë një ndeshje të shkëlqyeshme, të vështirë për të dyja ekipet. Barcelona duhet të sulmojë ndërsa Interi ta ruajë avantazhin prej dy golash”.
“Është vështirë të parashihet se kush do të fitojë. Unë do të preferoja që Barcelona të mposhtet pasi unë jam nga Madridi dhe e dua Madridin pasi ky është klubi im. Në aspektin psikik, për ne do të ishte mirë që Interi të fitojë”, ka thënë Ronaldo.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Ivica Olic, është më se i kënaqur që ka shënuar hat-trick për të ndihmuar ekipin gjerman të kualifikohet në finalen e Ligës së Kampionëve.Bavarezët mbrëmë shënuan fitore bindëse me rezultat 3-0 me të tre golat e sulmuesit kroat dhe u kualifikuan për në finalen në Bernabeu me rezultat të përgjithshëm 4-0 (rezultati në Allianz Arena ishte 1-0).
“Nuk kam besuar se mund të fitojmë në këtë mënyrë. Të arrihen tre gola në një ndeshje të tillë vërtet është e mrekullueshme. Luajtëm vërtet mirë dhe tash jemi në finale. Mendova se ndeshja kundër Manchester United ishte më e mira në jetën time, por kjo është edhe më e mirë. Ekipi ma ka lehtësuar punën shumë”, ka thënë Olic.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, ka kritikuar ish-bashkëlojtarët e Barcelonës në prag të ndeshjes së sotme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke thënë se ata janë aktorë të mirë në fushë.Interi do të udhëtojë në Nou Camp me avantazh 3-1 nga ndeshja e parë e zhvilluar në Giuseppe Meazza dhe është favorit për të kaluar në finale.
“Ne jemi të qetë dhe presim të bëjmë një ndeshje të mirë këtu. Është normale që pas humbjes në San Siro ata duhet të bëjnë gjithçka për të nxehur atmosferën. Ne do të bëjmë gjithçka në fushë për të ndihmuar arbitrin dhe për të siguruar që ndeshja të jetë e drejtë. Nëse luajmë fer, do të jetë më lehtë për referët”.
“Ne do të përpiqemi të luajmë pastër. E përcjelli Barcelonën në televizor dhe shoh lojtarët që mashtrojnë, por gjëja më e rëndësishme për ne është të dalim në fushë me kokë të qetë dhe t’i ndihmojmë arbitrit”, ka thënë Motta.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, thotë se Alberto Aquilani mund të luajë si sulmues dytësor kundër Atletico Madridit në ndeshjen e nesërme gjysmëfinale të Europa League.Strategu spanjoll është duke menduar ta shndërrojë italianin në një armë sekrete sulmuese në tentim për t’u kualifikuar në finalen e garës evropiane, pasi në ndeshjen e parë u mposht me rezultat minimal 1-0.
“Përfundimisht është një opsion. Ai mund të luajë në të dyja pozitat. Aquilani mund të pasojë topin mirë dhe kur loja është e hapur si në pjesën e dytë kundër Burnleyut, ai mund të lëvizë dhe të krijojë disa asistime të mira”, ka thënë Benitez.
Kampioni në fuqi i NBA-së, Los Angeles Lakers, ka rimarrë kontrollin në serinë e ndeshjeve të rundit të parë të play-offit përballë Oklahoma City Thunder, duke shënuar fitore 111-87 në ndeshjen e pestë të serisë.Pau Gasol shënoi 25 pikë dhe 11 kërcime ndërsa Andrew Bynum ndihmoi ekipin me 21 pikë dhe po me 11 kërcime. Fitorja i jep avantazhin 3-2 Lakersave, të cilët të premten do të udhëtojnë në Oklahoma City për ndeshjen e gjashtë.
Në Dallas, Mavericks janë rikthyer me fitore 103-81 ndaj San Antonio Spurs për të ngushtuar disavantazhin e ndeshjeve në 3-2. Caron Butler shënoi 35 pikë dhe realizoi 11 kërcime për të mbajtur Dallasin në garë.
Cleveland Cavaliers janë kualifikuar për në rundin e dytë të NBA-së duke shënuar një fitore të ngushtë 96-94 ndaj Chicago Bulls, e cila mbeti nën hijen e lëndimit të LeBron James.James shënoi 19 pikë, 10 kërcime dhe nëntë asistime në këtë ndeshje para se të largohet për të humbur rastin të shënojë triple-double për të dytën ndeshje radhazi. Derrick Rose shënoi pikët më të larta në ndeshje 31 për Bulls, ndërsa Luol Deng shënoi 26 tjera.
Cavaliers tash kualifikohen për në rundin e ardhshëm me rezultat të përgjithshëm 4-1 me ndeshje dhe do të kenë rival të radhës Boston Celtics, të cilët po ashtu eliminuan Miami Heat 4-1 në ndeshje, pas fitores së fundit 96-86.
Mesfushori brazilian Diego thotë se Juventusi ende ka gjasa të arrijë në top katërsh para fundit të sezonit.Biankonerët aktualisht qëndrojnë në pozitën e gjashtë në Serie A, gjashtë pikë larg pozitës së katërt me vetëm tre ndeshje të mbetura këtë sezon.
“Ne kemi pasur ngritje dhe ulje këtë sezon dhe tash duhet të mendojmë për rikuperim. Ende kemi mundësinë të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve dhe nuk duam të largojmë shikimin nga ky objektiv”, ka thënë Diego.
Mesfushori i Evertonit, Mikel Arteta, është i bindur se ata do të mund të luftojnë për top katërt sezonin e ardhshëm.Arteta beson se gara më e mirë evropiane është një cak real për ekipin e trajnerit David Moyes.
“Mendoj se jemi mjaft të mirë për të arritur në top katërsh. Por ndoshta nuk është mirë për ne ta themi këtë, se nëse nuk do t’i kishim të gjitha këto problemeve sigurisht se do të ishim atje tash. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të mbajmë secilin në formë fizike. Pastaj duhet vërtet të punojmë shumë dhe të bëjmë gjërat e duhura”, ka thënë Arteta.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka pohuar se Barcelona është e fiksuar për të arritur në finalen e Madridit këtë sezon, përderisa për skuadrën e tij kjo mbetet vetëm një ëndërr.“Ne e kemi ëndërr finalen e Ligës së Kampionëve, por për Barcelonën është fiksim. Kjo është diferenca. Një ëndërr është më e pastër se një fiksim. Ka krenari në ëndërr, çdo kund në botë. Për Barcelonën ishte ëndërr të arrinte në finalen e Romës, por finalja e Bernabeut është një obsesion për ata”.
“Sneijder është mirë dhe do të luajë. Do të shohim gjatë ndeshjes nëse ai do të mund të luajë 90 minuta. Ai ka ende një problem të vogël, por i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për të luajtur dhe nuk dyshoj në të”.
“Barcelona është një top-ekip me top-lojtarë dhe top-trajner. Ata e kanë filozofinë e njëjtë me vite të tëra, por në të njëjtën kohë është një ekip që është adaptuar. E kemi parë Ibrahimovicin dhe Messin të luajnë në pozita të ndryshme. Është një ekip me shumë diversitet në lojën e tij. Ne kemi mënyrën tonë të të luajturit, por ne po mendojmë për vete. Nuk na intereson si do luajnë ata”, deklaroi Mourinho në konferencën e rregullt për shtyp para takimit.
Edhe Pep Guardiola iu bashkëngjit grupit të shtabit teknik të tij në deklaratat rreth ndeshjes kthyese ndaj Interit në Camp Nou, duke thënë kësaj radhe se Barcelona po mendon se si ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve dhe se si ta sulmojë Interin.“Interi është ekip i jashtëzakonshëm. Të gjithë po flasin shumë për ne, por asgjë për Interin. Ne duhet të kontrollojmë posedimin e topit dhe të sulmojmë më shumë se në ndeshjen e parë. Ne jemi të kënaqur, është kënaqësi të luajmë në këtë takim, dua t’ua bëj me dije lojtarëve se është privilegj, një nder që nuk do të përsëritet. Unë dua që ata të kënaqen dhe unë dua që tifozët ta konsiderojnë këtë si festë”.
“Nuk e di nëse do ta rikthejmë rezultatin. Ne duam ta arrijmë finalen dhe kemi një ekip mjaft të mirë për ta bërë këtë, por kurrë nuk kemi thënë se kjo është punë e kryer. Në Milano shënuam golin e parë por më pas dështuam ta shënojmë të dytin, por kemi edhe 90 minuta për ta ndryshuar këtë”.
“Ne e respektojmë Interin, por nuk po mendojmë se çfarë kemi bërë më parë, vetëm se si ta fitojmë përsëri Ligën e Kampionëve. Nëse do të kualifikohemi në finale, do të jetë sepse kemi luajtur shumë mirë”, përfundoi Guardiola.
Chelsea është duke përgatitur një super-ofertë për sulmuesin e Valencias, David Villa, në atë që quhet fillimi i merkatos më të madhe që prej katër vitesh.Sipas Goal.com, më në fund, 28 vjeçari duket të jetë i vendosur të largohet nga Mestalla, pasi që po kërkohet nga klube si Manchester United, Real Madrid apo Barcelona, ndërkohë që Valencia kërkon 40 milionë funte për të hequr dorë nga sulmuesi kryesor i skuadrës.
Nëse Blutë transferojnë Villan, atëherë pritet t’u tregohet dera Joe Cole dhe Michael Ballackut. Franck Ribery sipas burimeve brenda Chelseat po e shfrytëzon interesimin e Bluve për të nxitur Realin ta transferojë atë. Sipas këtyre zhvillimeve, Chelsea do të mund të tejkalonte dhe merkaton e vitit 2006 që ishte prej rreth 68 milionë funtesh.
Për këtë arsye, zyrtarët e Chelseat janë kthyer kah David Villa. Alexandre Pato është gjithashtu nën radarin e Chelseat. Braziliani do të mirëpriste një interesim nga Ancelotti.
Ashtu siç ishte paralajmëruar ashtu dhe ndodhi. Seanca gjyqësore e paraparë të mbahej të martën, është zhvilluar duke nxjerrë në pah telefonata të reja që akuzojnë Interin, por nga ana tjetër Luciano Moggi është detyruar të pranojë se ka biseduar me arbitra.Claudio Salvagno, një komisioner i lartë i policisë që ishte përfshirë në procesin e hetimit gjatë vitit 2006, është marrë ne pyetje nga prokuroria e gjykatës së Calciopolit në Napoli. Salvagno përmendi disa prej emrave të zyrtarëve të lartë me të cilët Moggi kishte pasur kontakt, duke përfshirë zyrtarë të lartë të policisë, të federatës italiane dhe të shoqatës së gjyqtarëve të Serie A.
Nuk vonoi shumë dhe mbrojtja e Moggit ndërhyri për ta heshtur Salvagnon, duke ia ofruar panelit 10 telefonata tjera që akuzojnë Interin, Bolognan, Parmën dhe Cagliarin.
Pas seancës dëgjimore, Moggi u detyrua të pranojë nën presionin e mediave se ka kontaktuar me gjyqtarët, por ritheksoi se nuk ka bërë asgjë të keqe.
“Unë jam takuar me Massimo De Santis (gjyqtar) në fund të ndeshjes, por kjo nuk ishte e ndaluar. Të tjerët bisedonin me gjyqtarët në pushim të pjesës së parë. Faccheti (presidenti i ndjerë i Interit) njëherë ishte dënuar me suspendim prej tre muajsh, pasi është parë duke biseduar me një gjyqtar pas pjesës së parë”, u shpreh ish-drejtori i Juves.
Seanca e ardhshme dëgjimore do të mbahet më 11 maj dhe në të pritet të merret në pyetje ish-trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai nuk do ta konsideronte dështim këtë vit edhe nëse Reali nuk fiton ndonjë titull, duke shprehur besimin e tij se La Liga në fund do të jetë në dorë të Los Blancos.“Unë ndjehem mirë me atë që kam arritur personalisht, por jo dhe kolektivisht edhe pse jemi eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe Copa del Rey. Ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në La Liga dhe në Botëror. Për mua, mosfitimi i titullit këtë sezon nuk përbën dështim të këtij viti. Unë besoj se mund ta fitojmë La Ligan”.
“Jam i bindur se Real Madridi dhe unë kemi të njëjtin personalitet. Pasi humbas një ndeshje, unë shkoj në shtëpi dhe shpeshherë nuk flas me askënd, as me nënën time, as me familjen. Ata e dinë dhe ekuptojnë këtë reagim. Madje unë kam qarë pasi i humbisja ndeshjet”, u shpreh Ronaldo në një intervistë për Don Balon.
Sergio Busquets e ka përkufizuar ndeshjen kthyese të Barcelonës ndaj Interit, si momentin e të vërtetës për klubin katalan, pas disfatës prej 3-1 në ndeshjen e parë.“Ekziston optimizëm në zhveshtore, pasi që është ndeshje e veçantë. Ne jemi një hap larg finales, përpos një rikthimi. Ky është momenti i së vërtetës dhe entuziazmi ynë dhe i tifozëve do të jetë vendimtar. Ne duhet të shfaqim stilin tonë të posedimit, shpejtësisë dhe të kombinimeve për t’i vënë ata në vështirësi”.
“Nuk ka rëndësi se cili do të jetë formacioni ynë, por qëndrimi ynë. Interi është klub shumë i rëndësishëm dhe Milito është lojtari më i rrezikshëm. Kur arbitri të vërshëllejë për herë të parë, besoj se Diego dhe Gabi do të harrojnë se janë vëllezër”, ka deklaruar Busquets në konferencë për shtyp.
















