Përkundër fitores prej 2-1 kundër Atletico Madridit në Anfield, Liverpooli është eliminuar nga Europa League, pasi që ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për të shkuar në finale.Ndeshja e parë e zhvilluar në kryeqytetin spanjoll, përfundoi me fitore minimale të Atleticos prej 1-0, ndërsa pas ndeshjes kthyese me rezultat të përgjithshëm 2-2, por falë golit në terren mysafir, në finale do të luajë skuadra spanjolle.
Një minutë pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë, Alberto Aquilani kaloi vendasit në epërsi dhe me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë nuk u shënuan gola, ashtu që skuadrat shkuan në vazhdime për të vendosur fituesin.
Në minutat e para të vazhdimeve (95’), izraeliti Yossi Benayoun dyfishoi epërsinë e Të Kuqve për të çuar në këmbë tifozët në Anfield.
Mirëpo, për heshtjen e tyre u përkujdes Diego Forlan, i cili mposhti portierin Pepe Reina (102’) me golin i cili e dërgonte Atleticon në finale.
Deri në mbylljen e 120 minutave, Liverpooli nuk arriti të shënojë gol tjetër, duke bërë që Atletico të sigurojë finalen.
Në finalen e 12 majit në HSH Nordbank Arena të Hamburgut, Atletico Madridi do ta ketë kundërshtar Fulhamin, që në gjysmëfinale eliminoi pikërisht Hamburgun.
Skuadra e Fulhamit ka siguruar finalen e Europa League, pasi në ndeshjen kthyese e ka mposhtur Hamburgun me rezultat 2-1.Edhe pse skuadra Fulhamit ishte skuadra më e mirë në këtë sfidë, ishin mysafirët ata që shënuan të parët. Mladen Petric pas 25 minutash loje shënoi nga 30 metra për të ‘fotografuar’ portierin e Fulhamit.
Simon Davies u tregua i qetë kur shënoi për barazimin e rezultatit në 1-1 (70’).
Gjashtë minuta më vonë (76’), Zoltan Gera nga afërsia pas një goditje nga këndi shënoi golin e fitores dhe të kualifikimit historik të Fulhamit në finalen e Europa League që zhvillohet në Nordbank Arena të Hamburgut.
Cristiano Ronaldo nuk e fsheh entuziazmin për të fituar një titull këtë sezon, në garën e vetme të mbetur për skuadrën e tij Real Madrid, duke shpresuar në një dështim të Barcelonës në ndeshjet e radhës.“Në katër ndeshjet e fundit të sezonit, do të ketë befasi. Barcelona duhet t’i shkojë Villarrealit dhe Sevillas. Unë shpresoj se ata do të humbasin pikë dhe ne të fitojmë. Unë dua të bëhem kampion sivjet. Kanë mbetur edhe katër ndeshje të cilat duhet t’i fitojmë dhe të presim”.
“Unë jam i kënaqur jo vetëm për golat e shënuar, por edhe për numrin e asistimeve dhe gjithçka tjetër në përgjithësi. Pas lëndimit tim, unë humba 12 ndeshje. Unë pata besim se ky do ishte sezoni im më i mirë, por kjo është jeta dhe lëndimet janë pjesë e futbollit”, ka thënë Ronaldo për O Jogo.
Duke folur në konferencë për shtyp pas stërvitjes, Xavi Hernandez tha se eliminimi nga Interi në Ligën e Kampionëve është një zhgënjim dhe jo dështim dhe shtoi se madrilenët mund të jenë tani më të qetë.“Eliminimi në gjysmëfinale nuk është dështim, por zhgënjim. Nxitimi ynë ka mundur të ndikojë paraqitjen tonë në këtë ndeshje. Ne luajtëm lojën që është dashur ta luajmë, por është turp që nuk arritëm të shënojmë më shumë se një gol”.
“Ne u ndiem krenarë për shkak të tifozëve, të cilët ishin të shkëlqyer. Vërtet kemi ndryshuar me mentalitet. Më herët ishim të mbushur me pesimizëm kurse tani është e kundërta”.
“Finalja e Bernabeut ishte një motivim shtesë. Madrilenët vuajtën, por tani mund të jenë të qetë”.
“Kemi edhe katër ndeshje (në La Liga), të cilat janë si katër finale. Ne duhet rimëkëmbemi. Kjo ndeshje është kyçe. Nëse Reali beson se mund të dështojmë diku, atëherë është ndaj Villarrealit”, përfundoi Xavi.
Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka hedhur poshtë mundësinë e largimit nga Manchester City edhe nëse skuadra e tij nuk e siguron pozitën e katërt në tabelë, duke thënë se kjo nuk do të përbënte dështim për të.“Jo, nuk mendoj se do të ishte dështim. Ne duam të përfundojmë në pozitën e katërt dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë. Ne jemi përmirësuar shumë pesë muajt e fundit, por duhet të përmirësohemi edhe më shumë nëse duam tituj. Këtë e dinë mjaft mirë pronarët”.
“Unë e paramendoj veten ende si menaxher i Manchester Cityt. Unë shpresoj kështu. Unë kam një kontratë. Unë do të vendos dhe mendoj se do të qëndroj ende këtu”, ka thënë Mancini.
Ish-trajneri i Bayern Munichut dhe i Interit, Giovanni Trapattoni, e ka përkufizuar finalen e madhe të Bernabeut, si një finale ideale, pasi që asnjëra prej skuadrave nuk u konsideruan favorite në fillim të kompeticionit.Interi eliminoi dy kundërshtarë të kategorisë së rëndë, Barcelonën dhe Chelsean, kurse nga ana tjetër Bayerni tejkaloi edhe një favorit, Manchester Unitedin.
“Çfarë do t’u thosha ekipeve para se të hyjnë në finale? Kjo është një finale që do të jetë e mbushur me nerva, i pari që shënon i afrohet fitores, por i pari që gabon rrezikon të shkatërrojë gjithçka”.
“ADN-ja e ekipeve është e njëjtë. Në këtë nivel, rezultati vlen më shumë se çdo gjë. Bayerni është ekip nordik jo vetëm për lojtarët gjermanë dhe holandezë. Pa Franck Riberyn e suspenduar, Interi ka një përparësi të lehtë. Sidoqoftë, Louis Van Gaal dhe Jose Mourinho kanë nivel të barabartë të përvojës, thellësisë teknike dhe aftësisë së motivimit. Thjeshtë, është finalja ideale e këtij viti”, ka thënë Trapattoni.
Zhvillimet sensacionale rreth çështjes Calciopoli nuk kanë të ndalur. Lazio tashmë edhe zyrtarisht kërkon dëmshpërblim për dënimin e marrë në vitin 2006. Në ndërkohë, Luciano Moggi mund të përshëndetet nga futbolli pasi federata italiane e futbollit (FIGC) ia ka ndaluar ‘krijuesit të Calciopolit’ veprimtarinë në futbollin italian. Pronari i Juventusit, John Elkann ka kërkuar që Juventusit t’i kthehet titulli që iu mor nga Interi.Lazio ishte dënuar nga gjyqi sportiv i Calciopolit me 30 pikë duke e humbur rastin për të luajtur në Evropë, kemi të bëjmë me sezonin 2005/2006. Nga ana tjetër Claudio Lotito u dënua me tri vite e gjysmë suspendim nga aktiviteti i futbollit, por pas apelit ai u dënua me vetëm tre muaj. Pas dëshmive të reja të paraqitura në gjyqin e Calciopolit në Napoli, Lazio edhe zyrtarisht ka kërkuar dëmshpërblim në rast se Paolo Bergamo dëshmon se nuk ka kontaktuar me zyrtarët e Lazios.
Ndalimi përjetë i aktivitetit në futboll për Moggin nuk është pritur mirë nga ky i fundit i cili u shpreh: “Nuk e di çfarë do të thotë gjithë kjo. Ata duhet të kenë turp nga vetvetja pas gjithë asaj që u zbulua. Nuk flas vetëm për veten dhe për Giraudon (edhe ky i dënuar si Moggi), por për të gjithë ata që vuajnë”, ka thënë Moggi.
Tifozët e Juventusit kanë paralajmëruar së shpejti protestë para FIGC në mbrojtje të Moggit.
Dhe më i zëshmi duket se ka qenë pronari i Juves, John Elkann, që me rastin e prezantimit të presidentit të ri, ka kërkuar dhe kthimin e Scudettos që iu dha atëkohë Interit.
“Ditëve të ardhshme do t’i prezantojmë diçka FIGC-së për të kërkuar kthimin e titullit të sezonit 2005/2006. Sipas asaj në çfarë besojmë ne, rregullat janë të njëjta për të gjithë”, deklaroi Elkann për La Stampa.
Një vendim defintiv për fatin e Calciopolit pritet të merret në qershor, kur të transkriptohen rreth 100 telefonata mes zyrtarëve të Interit dhe klubeve tjera me planifikuesit e gjyqtarëve. Është shumë e mundshme që Interit t’i merret titulli i sezonit 2005/2006 ose të dërgohet në Serie B.
Sir Alex Ferguson ka deklaruar se për të ishte agoni të shikonte gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve nga televizori, pasi që nuk është mësuar ta bëjë këtë pa qenë në stol.“Për mua ishte agoni t’i shikoja këto ndeshje. Por, kjo është ajo që ndodh kur nuk je në të. Duhet ta shikoni atë në televizor”.
“Padyshim, mosprania në Ligën e Kampionëve ndihmon në përgatitjet tona për fundjavë, por unë e di se çfarë do të kisha në atë rast. Ndeshjet të mërkurën e pastaj të shtunën është saktësisht ajo që kërkohet këtu. Ne jemi mësuar kështu”, deklaroi Ferguson për MUTV.
Shtegu britanik i Silverstone, ka prezantuar planin e ri të tij kur të jetë nikoqir i skuderive të Formulës 1 në garën për Çmimin e Madh të Britanisë.Konfiguracioni i ri, që e zgjat pistën prej 0.76 kilometra deri në 5.9 kilometra, është shtegu i parë që ka një plan zhvillimi dyvjeçar.
“Shtegu i ri siguron shikim më të mirë, kapacitet më të lartë dhe sfidë të pa parë”, u shpreh Damon Hill, drejtori i shtigjeve dhe i komunitetit të ngasësve britanikë
Gradualisht, pjesët do të zhvendosen, si p.sh, vija e finishit do të zhvendoset në pjesën tjetër të pistës në vitin 2011.
Siç njofton AS, mjeshtri i mesfushës, Xavi Hernandez, është larguar nga stërvitja e mëngjesit të sotëm i lënduar në këmbën e tij të majtë, duke iu nënshtruar menjëherë testeve të para.Xavi, i shoqëruar nga stafi mjekësor i Barcelonës, u largua nga qendra stërvitore i lënduar, një ditë pasi Barcelona u eliminua nga Interi në Ligën e Kampionëve. Ende nuk dihet se kur do të rikthehet spanjolli, por kjo do të mësohet së shpejti.
Me Andres Iniestan që do të mungojë deri në fund të sezonit, lëndimi i Xavit duket se do ta paralizojë mesfushën Blaugrane para derbit ndaj Villarrealit, duke rrezikuar seriozisht që Barcelona të pësojë disfatë nga Nëndetësja e Verdhë dhe për t’ia dhënë kreun Realit.
Manchester United e ka përcaktuar mesfushorin defensiv të Real Madridit, Lassana Diarra, si synim për t’u transferuar nga Djajtë e Kuq gjatë kësaj vere.Siç shkruan Marca, Djajtë e Kuq janë duke shqyrtuar mundësinë për të ofruar 17 milionë funte për lojtarin, i cili dështoi të jetë në formacionin e parë në Madrid, pasi që në vendin e tij, tani standard luan Fernando Gago.
Diarra iu bashkua Realit për 20 milionë funte 15 muaj më pare, kurse nuk ka arritur të lë përshtypje në Bernabeu. Nëse transferimi i Lassana Diarras dështon, atëherë opsion për Fergusonin është Mahmadou Diarra që është i preferuari i skocezit. Mahmadou Diarra luajti vetëm pesë herë këtë sezon, ndërsa këto transferime mund të ndikohen nga kërkesa e Real Madridit për Patrice Evran.
Atletico Madridi do të hyjë me përparësi minimale në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Europa League, që zhvillohet në Anfield ndaj Liverpoolit, ndërsa Sergio Aguero ka deklaruar se mënyra e vetme për të arritur në finale janë kundërsulmet.“Secili lojtar do të dëshironte të luante në një stadium të tillë (Anfield) dhe jam me fat që jam në gjysmëfinale ndaj Liverpoolit. Në ndeshjen e parë unë doja të isha i përfshirë, por kam mundur vetëm të shikoj. Fakti se mund të marr pjesë do të thotë se mezi pres të luaj mirë dhe t’i ndihmoj ekipit të kualifikohet. Është ndeshje e madhe kjo ndaj Liverpoolit, njërit prej ekipeve më të mira në botë”.
“Ne duhet të jemi të qetë, të relaksuar dhe të shikojmë se si t’i lëndojmë me kundërsulme. Liverpooli do të presë që ne të mbrohemi dhe për këtë arsye ne duhet të presim dhe t’i dënojmë”, u shpreh Aguero për UEFA.com.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka ndërhyrë për të hedhur poshtë citatet e Silvio Berlusconit bërë nga Il Corriere dello Sport gjatë paraditës, në të cilat ai tha se Leonardo është pranë largimit.E ardhmja e Leonardos është vënë në dyshim kohë më parë kur Berlusconi tha se fajtorë për situatën në ekip janë krerët e bankinës, të cilët nuk po i lënë lojtarët të luajnë si duhet.
“Nuk mendoj se Berlusconi ka thënë se Leonardo është pranë largimit nga Milani”, ka thënë Galliani për Sky Sport 24.
Pronari i Juventusit, John Elkann, edhe zyrtarisht e ka emëruar Andrea Agnellin si president të ri të Juventusit.Agnelli pritet të punojë përkrah Jean-Claude Blanc si president i ri i klubit. Ai pritet të mbajë së shpejti një konferencë për shtyp mbi synimet e tij, ndërsa John Elkann shprehet i kënaqur me emërimin e Agnellit si president.
“Duke parë situatën në muajt e fundit, jam i nderuar të prezantoj Andrea Agnellin. Duke e ditur se ai do të jetë kreu i Juventusit është inkurajuese për mua dhe një shenjë se Juventusin e pret një e ardhme e ndritur. Andrea Agnelli ka fituar përvojë në sport me vite të tëra dhe jam i sigurt se ai, Blanc dhe të gjithë të tjerët do të punojnë për të forcuar elementet e ekipit. U dëshiroj punë të mbarë”.
“Nuk dyshoj mbi vlerën e Juventusit. Shumë gjëra, siç është stadiumi i ri, e kanë forcuar klubin”, deklaroi Elkann për Tuttosport, ndërsa të njëjtën gjë e ka konfirmuar dhe klubi në faqen zyrtare.
Nuk vonoi shumë dhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, vizitoi lojtarët e tij në stërvitjen e parë pas eliminimit nga Interi në Ligën e Kampionëve, duke shprehur edhe njëherë zhgënjimin në mesin e lojtarëve.“Për ta fituar La Ligan, ne duhet t’i fitojmë katër ndeshjet e fundit dhe natyrisht se do ta bëjmë këtë. Ne duhet të vdesim nëse ka nevojë për të fituar La Ligan, sepse ne jemi mirë të renditur në tabelë, por nuk mund të kemi besim aty ku gjendemi aktualisht. Na duhet një ngritje e moralit brenda ekipit”.
“Lojtarët është dashur të jenë kryelartë sepse janë më të mirët e botës. Ata duken të mposhtur. Duhet të rikthehemi nga kjo dhe të analizojmë gabimet që i bëmë, t’i përmirësojmë dhe të kemi besim në sistemin tonë të lojës. Interi meriton lëvdatë sepse ata ditën se si të shkatërrojnë stilin tonë të lojës”, tha Laporta sipas Marca.
Agjenti i mesfushorit Mauro Camoranesi ka zbuluar se Juventusi më nuk do të llogaritë në shërbimet e klientit të tij.Në takimin e mbrëmshëm në Torino, drejtuesit e Juventusit kanë porositur agjentin e tij të kërkojë një klub të ri për lojtarin e kombëtares italiane, pasi ata nuk dëshirojnë ta ketë atë në radhët e veta.
“Mauro më nuk është pjesë e planeve të Juventusit. Kam marrë porosi nga drejtorët për të gjetur një ekip të ri për të”, ka thënë agjenti.
Camoranesi, i cili ka edh enjë vit marrëveshje me Juven, tashmë një kohë të gjatë është cak i disa klubeve franceze, mes të cilave edhe Marseille që drejtohet nga ish-trajneri i Juventusit, Didier Deschamps.
Mediat në Itali shkruajnë se Silvio Berlusconi mbrëmë ua ka pohuar një grupi të senatorëve se trajneri Leonardo do të largohet nga Milani në fund të sezonit.Tashmë një kohë të gjatë spekulohet se edhe pse Leonardo ka edhe një vit marrëveshje me Milanin, ai do të largohet. Megjithatë këto vazhdimisht janë mohuar nga Adriano Galliani.
“Po, ai do të largohet. Kush do të jetë trajneri i ri? Janë duke u zhvilluar negociata të caktuara, nuk mund të them asgjë më shumë...”, thuhet të ketë thënë Berlusconi.
Besluconi po ashtu ka thënë se ka bërë tifo për Interin në Ligën e Kampionëve, ashtu siç do të bënte për ‘çdo klub italian’.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, është betuar se ai kurrë nuk do të mendojë të drejtojë Barcelonën.“Nuk jam aq budalla të mendoj se kjo urrejtje mund të shndërrohet në dashuri. E respektoj Barcelonën dhe kurrë nuk harroj se çfarë më dha ky klub në katër vite sa isha këtu, por diçka ka ndodhur në mua që është vështirë të bëhet pozitive”.
“Është shumë e qartë se do ta përfundoj karrierën pa e drejtuar Barcelonën”, ka thënë Mourinho.
Takimi mbrëmshëm ishte i 10-ti në mes të Mourinhos dhe Barcelonës në gjashtë vitet e fundit, me katalanasit që gjashtë herë janë përballur me Chelsean dhe katër herë me Interin.
Gjashtë prej këtyre ndeshjeve kanë qenë në fazën eliminuese, me Mourinho që tash ka eliminuar Barcelonën për të dytën herë.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është duke u përgatitur për një pastrim të madh të lojtarëve gjatë verës.Sipas gazetës Metro, italiani dëshiron të largojë një numër të madh të lojtarëve, përfshirë Emmanuel Adebayor, Wayne Bridge dhe Shaun Wright-Phillips që do të largohen nga Eastlands pas disa muajsh.
Mancini dëshiron t’i largojë disa lojtarë që ka sjellë paraardhësi i tij, Mark Hughes, dhe dëshiron të sjellë disa lojtarë të tij, mes tyre sulmuesin e Liverpoolit, Fernando Torres.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, edhe një herë ka dështuar të tregojë të tregojë veten kundër një ekipi të drejtuar nga trajneri Jose Mourinho.Edhe pse Barcelona shënoi fitore minimale ndaj Interit në takimin e mbrëmshëm, Lionel Messi dështoi të gjejë rrjetën edhe kësaj here. Në shtatë ndeshje kundër Mourinhos (Chelsea dhe Inter), Messi ka dështuar të shënojë të paktën një gol.
Portugezi duket se din se si duhet të punojë me argjentinasin dhe e tregoi këtë edhe në dy ndeshjet e fundit gjysmëfinale.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, është ‘në qiellin e shtatë’ pasi nerazurët arritën në finale të Ligës së kampionëve.Holandezi arriti të rikuperohet nga lëndimi për të qenë pjesë e ndeshjes së mbrëmshme ndaj Barcelonës, që edhe përkundër disfatës i siguroi Interit vend në finale.
“Është mahnitëse dhe të jesh në finale është një realizim i ëndrrës. Është momenti më i shkëlqyeshëm në karrierën time dhe deri tash po ashtu sezoni më i mirë. Jam në qiellin e shtatë dhe do të festojmë”.
“Duhet ta shijojmë këtë moment, por pastaj menjëherë të përqendrohemi në Serie A dhe në Kupën e Italisë. Interi nuk dëshiron të lejojë t’i ikë asgjë këtë sezon”, ka thënë Sneijder.
Milwaukee Bucks ka bërë një rikthim të vonshëm për të shënuar fitore 91-87 ndaj Atlanta Hawks dhe për të marrë avantazhin në serinë e rundit të parë të play-offit.Duke qenë në disavantazh prej nëntë pikësh në katër minutat e fundit të ndeshjes, Bucks shkëlqyen në këto minuta duke shënuar 14-0 dhe duke fituar në fund ndeshjen ndaj Hawks.
Brandon Jennings udhëhoqi me 25 pikë, ndërsa John Salmos shënoi 19 pikë për Bucks, që tash avancojnë 3-2 në serinë prej shtatë ndeshjeve. Al Horford shënoi 25 pikë dhe 11 kërcime për Atlanta.
Në ndeshjen tjetër në Denver, Nuggets kanë mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në rundin e ardhshëm duke shënuar fitore me rezultat 116-102 ndaj Utah Jazz. Carmelo Anthony shënoi 26 pikë dhe 11 kërcime për Nuggets, të cilët ngushtojnë në 3-2 disavantazhin e ndeshjeve.
Portieri i Sunderlandit, Marton Fulop, është i ngazëllyer me rastin e huazimit te Manchester City.Pas lëndimit të Shay Given që do të qëndrojë jashtë fushe për pjesën e mbetur të sezonit, Cityt i është dhënë një leje e veçantë nga Liga Premier për të nënshkruar me Fulop, i cili do të debutojë në ndeshjen e të shtunës kundër Aston Villas.
“Mora telefonatë të martën nga City dhe isha më se i lumtur të vij dhe ta ndihmoj klubin. Është fantastike të jesh këtu në këtë kohë. Jam i ngazëllyer të mundohem t’i ndihmoj Cityt t’i arrijë synimet”.
“Jam i gatshëm të luaj, nëse zgjidhem. Erdha këtu të bëj një punë dhe jam i bindur se mund ta bëj atë. Ndjehem mirë, dhe ne kemi nevojë për një fitore për të siguruar vendin e katërt, që është aq e rëndësishme për klubin”, ka thënë Fulop.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ndjen keqardhje që blaugranët nuk kanë arritur në finalen e Ligës së Kampionëve, por thotë se ata tash duhet t’i kthehen kampionatit.Interi, edhe pse me 10 lojtarë në fushë, arriti të mbrohet mirë dhe u mposht vetëm me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e mbrëmshme në Nou Camp duke u kualifikuar për në finale me rezultat të përgjithshëm 3-2.
Guardiola mendon se kartoni i kuq i Thiago Motta kishte efekt negativ edhe për Barcelonën, pasi që nga ai moment Interi mbylli tërësisht lojën.
“Ndjehem keq që nuk do të mund të shkojmë në Madrid. U përpoqëm dhe jemi krenar për këtë. Duhet t’u kërkojmë falje fansave. Mund vetëm ta urojmë Interin”.
“U përpoqëm të gjejmë hapësira dhe ta hapim kundërshtarin. Por, kur ekipi mbrohet me nëntë futbollistë, aspak nuk është e lehtë. Gjithmonë është vështirë dhe goli i Pique erdhi shumë vonë”.
“Kartoni i kuq i Motta ndikoi në lojë, pasi ata u mbyllën dyfish. Milito dhe Eto’o u zhvendosën në krah. Ata kishin një linjë mbrojtëse prej rreth gjashtë futbollistëve”, ka thënë Guardiola.
Menaxheri i Interit, Jose Mourinho, e ka përshkruar eliminimin e Barcelonës si disfatën më të lezetshme në jetën e tij.Pas 45 vitesh pauzë Interi përsëri është kualifikuar në finalen e garës sportive më të madhe në Evropë, pasi nerazurët në Nou Camp u mposhtën me rezultat minimal 1-0.
“Fitorja iu takon të gjithëve që luajtën sonte dhe atyre që nuk ishin në fushë, fansave të cilët vuajtën me ne në Nou Camp dhe fansave të cilët vuajtën në shtëpi. Historinë të cilën e shkruam sonte është diçka të cilën do të duhet t’ua tregojmë nipave tonë dhe jo mediave. Kjo është një ditë e mahnitshme”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes së mbrëmshme.
“Kjo është festa jonë dhe dua të që gjithë fansat të vijnë në aeroport në Milano dhe t’i presin këta djelmosha. Nuk mund ta mendoj gëzimin e tyre pasi të gjithë fansat tanë e kanë ditur se çfarë ndeshje e vështirë na pret. Ishte vështirë me 11 lojtarë, ndërsa edhe më vështirë me 10”.
“Është humbja më e lezetshme në jetën time, por ky ekip ka merituar barazim 0-0. Ky është ekip i heronjve, të gjithë e dhanë gjakun në fushë. Jam krenar me ta”, ka shtuar portugezi.
















