Anësori i Real Madridit, Kaka, ka thënë se Barcelona nuk do ta ketë aspak të lehtë në duelin përballë Villarealit në El Madrigal.
“Villareali po luan për kualifikim në Evropë. Ata janë në një pozitë të mirë në tabelë dhe do të duhet të luajnë një ndeshje të vështirë, ne e dimë se sa e vështirë është të luajmë atje. Nuk besoj se do ta ketë të lehtë Barcelona”.
“Të kthehem pas 45 ditësh dhe për më shumë të jem vendimtar në ndeshje është diçka vërtetë e veçantë”, përfundoi Kaka.
Pep Guardiola ishte më se i qartë në konferencën e parë për shtyp pas stërvitjes, duke thënë se eliminimi nga Liga e Kampionëve nuk ua ka humbur sigurinë Blaugranëve.
“Të kemi humbur nuk do të thotë që tani jemi të pasigurt. Në futboll tre tituj janë të mundur për t’u fituar, por në futboll më shumë pëson se sa që fiton”.
“Nuk mendoj që nëse pësojmë ndaj Villarrealit do të duhet të përshëndetemi nga gara për titull. Madje edhe nëse barazojmë ne nuk do të dorëzohemi, sepse edhe Reali do të duhet të udhëtojë në Mallorca”, deklaroi Guardiola.
Sipas, tuttojuve.com, Juventusi është i interesuar për mesfushorin kosovar të West Hamit, Valon Behrami.
Gjiganti italian e ka caktuar si prioritet transferimin e Behramit për arsye se pozita ku luan ai është pika e dobët e Bianconerëve. Në krahun e djathtë kanë dështuar të lënë përshtypje Zdenek Grygera, Martin Caceres apo Jonathan Zebina duke bërë që Behrami të jetë në radarin e bardhezinjve.
Kosovari me pasaportë zvicerane ka përvojë të madhe në Serie A, ku luajti për Genoan, Hellas Verona dhe Lazion, para se të kalonte në Angli në vitin 2008.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ishte i ashpër në pyetjet e gazetarëve për trajnerin e Interit, Jose Mourinho, duke thënë se ai nuk mund ta paramendojë portugezin të drejtojë Realin.
“Nuk është mirë të mendojmë se Mourinho do të jetë trajner i Realit sezonin e ardhshëm. Të flasim për të është sikur të dalim nga binarët dhe nuk jam duke menduar për të. Fakt është se nëse një trajner ka mposhtur Barcelonën, në këtë rast Mourinho, ai gjithnjë lidhet me Realin. Të gjithë flasin tani për këtë, por Interi e ka mposhtur Barcën”.
“Shumë njerëz kanë thënë se Barcelona është ekipi më i mirë në botë dhe tani del se ata kanë dështuar në pothuajse çdo garë. Më vjen keq që Barcelona nuk është në finale, doja të shihja një përfaqësues spanjoll. Barcelona ka një ndeshje tejet të vështirë në udhëtim dhe do të doja që të lëshojë pikë. Sidoqoftë, nëse ne nuk fitojmë, atëherë nuk ka rëndësi nëse Barca pëson”, ka thënë Casillas.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson se Liverpooli ka shumë traditë për të menduar se mund ta lë Chelsean të fitojë, për të mos lënë që United të thyejë rekordin e titujve.
Ferguson në të kaluarën nuk ka pasur marrëdhëniet më të mira me klubin nga Anfield, duke përmendur premtimin e kamotshëm se do ta thyente rekordin e 18 titujve të Liverpoolit.
“Unë kam besim se ata do të japin maksimumin. Klubet e mëdha nuk e hedhin aq lehtë historinë dhe traditën në një ndeshje. Ata kanë luajtur në 11 finale evropiane. Ata kanë fituar 18 tituj. Kjo është histori fantastike. Nuk ka mundësi që të hidhet në atë mënyrë. Tifozët e dinë shumë mirë këtë”.
“Nuk e di se si do të ndihen lojtarët e Liverpoolit. Unë nuk e di se në çfarë gjendje morale janë ata, pas eliminimit nga Europa League. Jam i bindur se Benitez kreu punën e tij dhe mendoj se nuk është e drejtë që ata luajnë pas një të enjte, të dielën në drekë”, ka thënë Fergie në konferencë për shtyp para takimit ndaj Sunderlandit, duke shtuar se Rooney dhe Ferdinand janë të gatshëm për t’iu rikthyer fushave të blerta.
Trajneri i Liverpoolit, Rafa Bentiez, ishte i frustruar për dështimin e skuadrës së tij këtë sezon, duke thënë se nuk është dashur të pritet më shumë kur dihen investimet e vogla.
“Tani për tani, klubi ka një emër të madh me histori të madhe dhe të gjithë presin që ne të jemi në maje. Por, në realitet ne nuk kemi para, kështu që duhet të menaxhojmë me pritjet. Jamie Carragher dhe Fernando Torres kanë folur për nevojën për tri ose pesë lojtarë të rinj dhe unë pajtohem me ta. Unë në Juve? Nuk e mohoj!”.
“Na duhen lojtarë të rinj për ekip më të fortë. Kur jam pyetur se sa më nevojiten, unë kam thënë se një sulmues klasi kushton mbi 15 milionë funte. A më ka premtuar dikush investime? Jo”, përfundoi Benitez.
Sulmuesi i Chelseat dhe i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, është emëruar si një prej 100 njerëzve më ndikues në botë për vitin 2010, nga revista TIME.
Lista, e cila është në vitin e saj të shtatë që nga themelimi, njeh aktivitetin, inovacionin dhe të arriturat e njerëzve. Drogba duket në kopertinën e kësaj reviste. Ai bëhet vetëm sportisti i tretë që hyn në këtë listë, pas Muhamed Aliut dhe superyllit Michael Jordan.
“Lista e top 100 nga TIME, nuk është listë e njerëzve më të fuqishëm në botë, nuk është listë e njerëzve më të mençur në botë, është listë e njerëzve më ndikues në botë. Ata janë shkencëtarë, mendimtarë, filozofë, liderë, ikona, artistë dhe vizionarë. Njerëz që përdorin idetë e tyre, vizionet e tyre, veprimet e tyre të transformojnë botën dhe të kenë efekt në një masë të madhe njerëzish”.
“Lista e TIME për top 100 nuk është për ndikimin e fuqisë, por për fuqinë e ndikimit. Disa prej njerëzve që do t’i shihni në këtë listë janë ndikues në sensin tradicional. Ne gjithashtu zgjedhim njerëz idetë dhe veprimet e të cilëve revolucionarizojnë fushat ku veprojnë dhe transformojnë jetë”, ka thënë Rick Stengel, kryeredaktori i TIME.
Drogba është në listën e 100 njerëzve më ndikues krah Barack Obamas, Lady Gagas, Bill Clintonit dhe Simon Cowellit.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se ai nuk beson në fjalët e njerëzve se Liverpooli mund ta humbasë me qëllim takimin ndaj Chelseat për të mos e lënë Unitedin ta fitojë titullin e 19-të dhe në të njëjtën kohë potencon se The Reds nuk dinë të lodhen.
“Ata mund të jenë të lodhur për shkak se luajtën dy orë mbrëmjen e kaluar, por unë kurrë nuk e kam parë Liverpoolin të lodhur në Anfield. Nuk mendoj se ata do ta humbasin me qëllim këtë takim”.
“Mendoj se Sunderlandi do të bëjë më të mirën për ta mposhtur Manchester Unitedin dhe të njëjtën do ta bëjë Liverpooli për të na mposhtur, sepse unë mendoj që çdo skuadër respekton Ligën Premier dhe secila skuadër bënë më të mirën deri në ndeshjen e fundit”.
“Kështu, unë them se duhet të jemi të vëmendshëm ndaj Liverpoolit sepse është ekip i fortë dhe të marrim tre pikë në Anfield nuk do të jetë lehtë, por do ta bëjmë sepse na duhen ato tre pikë”, u shpreh Ancelotti në një konferencë për shtyp.
Agjenti i Mario Balotelli, ka thënë se sulmuesi i Interit mund të largohet nga klubi nëse gjërat nuk përmirësohen.
“Nëse situata nuk do të përmirësohet, unë mund t’u garantoj se Balotelli nuk do të jetë më lojtar i Interit. Balotelli është duke pritur që të luajë deri në fund të sezonit dhe shpreson të luajë mirë në finalen e Ligës së Kampionëve. Dëshira e Balotellit është që të luajë në paqe dhe të ketë kënaqësi deri në fund të sezonit sepse ai ka pasur disa momente të këqija me stres”.
“Mario nuk ka problem me tifozët apo ekipin, por është e qartë se situata mes tij dhe klubit nuk është zgjidhur ende. Ai nuk ka luajtur edhe aq, por ka treguar talentin e tij. Ai mund të bëhet lojtari më i mirë në botë”, deklaroi Mino Raiola për Il Corriere dello Sport.
Arsene Wenger e ka identifikuar mbrojtjen si pikën e dobët të skuadrës së tij dhe shkaku pse skuadra e Arsenalit nuk ishte në gjendje që këtë sezon të fitojë Ligën Premier, duke premtuar këtë të fundit sezonin e ardhshëm.
“Skuadra është e bindur se ne kemi gjasa të mira vitin e ardhshëm sepse ne kemi hapësirë për t’u përmirësuar. Nëse shikoni pak në statistikat tona, në sulm kemi qenë shumë, shumë efektivë. Golaverazhi ynë në sulm është shumë i mirë”.
“Ne i kemi përcaktuar si qëllim për sezonin e ardhshëm ato 40 golat e pranuara, që janë shumë për të fituar kampionatin dhe është pika ku ne duam të përmirësohemi”, deklaroi Wenger.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka këshilluar drejtuesit e Federatës Angleze të futbollit që ta emërojnë trajnerin e Fulhamit, Roy Hodgson, si menaxherin e vitit në Angli, pas suksesit historik të Fulhamit në Europa League.
Skocezi Ferguson është plot lëvdata për menaxherin e Fulhamit, duke besuar se ai e ka arritur suksesin më të madh që ka arritur ndonjëherë ndonjë skuadër britanike.
“Menaxheri i vitit, absolutisht nuk dyshoj për këtë. Fantastik. Shpresoj se ai do ta fitojë këtë çmim. Mendoj se është njëra prej paraqitjeve më të mira britanike e të gjitha kohërave. Vërtetë fantastike, ata filluan këtë garë në korrik. Korrik! Oh, atëkohë unë isha në plazh. Natyrisht se nuk isha me skuadrën. Është fantastike. Është njëra prej mrekullive dhe është vërtet një e tillë”, u shpreh Ferguson.
Menaxheri i Liverpoolit, Rafa Benitez, ishte treguar cinik kur ishte pyetur për orarin e ndeshjeve në Ligën Premier, pak ditë para takimit që vendos sezonin ndaj Chelseat.
Liverpooli është duke luajtur rol të madh në garën për titull në Ligën Premier, me takimin që e zhvillon ndaj Chelseat, sfidë që ose ia uron titullin Chelseat ose lejon që United të kalojë rekordin prej 18 titujve të Liverpoolit.
“Mendoj se ndeshjet janë fantastike, shumë mirë të organizuara si gjithnjë. Në çfarë kohë luajmë të dielën, 14:30? United luan në ora 16:00. Ah, ata luajnë më vonë. Ne do të tentojmë të japim më të mirën dhe të shohim se sa lojtarë janë të freskët”.
“Unë i kuptoj tifozët të cilët nuk dëshirojnë që United të fitojë titullin e 19-të, por ne luajmë për fitore”, ka thënë Benitez.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Daniel Agger, ka folur për frustrimin e The Reds pas eliminimit të papritur nga Atletico Madridi në Europa League, duke kompletuar kështu një sezon më shumë se katastrofal për Liverpoolin.
“Natyrisht, ne jemi të lënduar. Është zhgënjyese të jemi aq afër. Por, ky është futbolli. Tifozët meritojnë një sezon më të mirë se ky. Atmosfera që ata krijuan tregon se ata ishin prapa nesh dhe mendoj se ndihmoi të jemi agresivë dhe të shënojmë ndaj Atleticos. Ata ishin fantastikë”.
“Chelsea? Më falni, por në fjalorin tim nuk ekziston disfata. Ne do të luajmë për fitoren”, deklaroi Agger.
Ngasësi i Red Bull, Mark Webber, thotë se rikthimi i Michael Schumacherit nuk duhet të gjykohet pa përfunduar dhe dy garat e ardhshme.
Schumacher u rikthye në Formula 1 pas pauzës trevjeçare, mirëpo gjermani nuk ka qenë në formën më të mirë me skuderinë e Mercedes.
“Pas garës së Monacos do ta dimë se si është forma e tij e vërtetë. Ai nuk do të kthehet prapa për të fajësuar apo akuzuar njerëzit. Ai e di se duhet të mësohet me këtë. Ai nuk është aq naiv”, deklaroi Webber për BBC.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka pranuar për herë të parë se marrëdhëniet e tij me presidentin e klubit, Silvio Berlusconi, janë tejet të komplikuara.
“Nuk e di çfarë thotë Berlusconi, përpos kësaj, unë nuk mund të mohoj se raportet tona janë të komplikuara. Ne jemi tipa të ndryshëm, të papërshtatshëm për njëri-tjetrin. Por, me rëndësi janë ndeshjet e mbetura”.
“Mospërshtatshmëria është e bazuar në stilin dhe mënyrën se si po luajmë. Secili ka mënyrat e veta, me respekt për të gjithë”.
“Kurrë nuk kam folur për të ardhmen time sepse nuk mendoj se është kohë e duhur për arsye të ndryshme”, deklaroi Leonardo.
Sipas të përditshmes sportive Marca, Valencia dhe Barcelona kanë arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit David Villa për një shumë të jashtëzakonshme.
Dihet se Barcelona ka tentuar dhe verën e kaluar ta transferojë sulmuesin spanjol, por pas dështimit të parë, duket se Joan Laporta ka nxituar dhe ka bindur drejtuesit e Los Che për ta shitur atë pak para Kampionatit Botëror, në kohën kur mbahen zgjedhjet presidenciale të Barcelonës.
Marrëveshja peshon 40 milionë euro plus dy lojtarë tjerë të Barcës, bëhet fjalë për Aliaksandr Hleb që është si huazim te Stuttgarti dhe sulmuesin e ri Bojan Krkic.
David Villa ka shënuar 21 gola këtë sezon, gjashtë më pak se Lionel Messi i Barcelonës.
Strategu italian Fabio Capello ka kryesuar listën e menaxherëve më të pasur në Britaninë e Madhe.

Italiani 63-vjeçar ka një pasuri prej 34 milionë funtesh dhe ka dalë të jetë menaxheri më i pasur në listën e Sunday Times për vitin 2010.


Kontrata e Capellos me Federatën Angleze të Futbollit raportohet se i sjell atij 6.4 milionë funte në vit, që e bën atë edhe menaxherin më të pasur që ka drejtuar kombëtaren angleze ndonjëherë.


Befasisht, ish-mesfushori i Manchester United, Roy Keane, është gjendur i dyti, duke e tejkaluar ish-bosin e tij Sir Alex Ferguson, derisa menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, qëndron i katërti.


Lista e Sunday Times Sport për menaxherët më të pasur të futbollit:


1. Fabio Capello, Angli, pasuria e vlerësuar 34 milionë
2. Roy Keane, Ipswich Town, 30 milionë
3. Sir Alex Ferguson, Manchester United, 24 milionë
4. Carlo Ancelotti, Chelsea, 21 milionë
5. Giovanni Trapattoni, Republika e Irlandës, 18 milionë
6. Arsene Wenger, Arsenal, 17 milionë
7. Sven-Goran Eriksson, Bregu i Fildishtë, 16 milionë
8. Roberto Mancini, Manchester City, 13 milionë
9. Rafa Benitez, Liverpool, 11 milionë
10.Steve Bruce (Sunderland), Mark Hughes (Manchester City, 2008-09), Martin O'Neill (Aston Villa), Ole Gunnar Solskjaer (rezervat e Manchester United), Gianfranco Zola (West Ham United) – të gjithë me një pasuri të vlerësuar me rreth 10 milionë.

Raportohet se West Ham United ka porositur sulmuesin italian Alessandro Diamanti të gjej klub të ri.
Gazeta britanike “The Telegraph” shkruan se agjenti i Diamantit, Luca Puccinelli, është ftuar nga zëvendëspresidenti i klubit Karren Brady gjatë të mërkurës dhe i është thënë të gjej një klub të ri për klientin e tij, i cili ka dështuar të impresionojë bashkëpronarin klubit, David Sullivan, i cili tash është përgjegjës për transferimet.
Përveç Diamantit, klubi ka vendosur të mos vazhdojë kontratën e Guillermo Franco, i cili po ashtu do të largohet nga klubi.
Lorik Cana - Sunderland Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana thotë se ata janë të gatshëm ta befasojnë Manchester United gjatë këtij vikendi.
Djelmoshat e Sir Alex Ferguson do të zbresin në Stadiumin e Dritave sapo ndeshja në mes të Chelseat dhe Liverpoolit të përfundojë. Djajtë e Kuq janë vetëm një pikë prapa bluve në tabelë dhe kanë sfida më të lehta në krahasim me Chelsean, por Cana nuk mendon kështu.
“Ne duam të bëjmë punën për vete dhe për fansat tanë dhe do të ishte gabim të mendojmë se Chelsea është i vetmi ekip me ndeshje të vështirë këtë vikend. Rekordi ynë në shtëpi është fantastik dhe nuk shoh arsye se pse të mos kemi një ndikim të madh në atë se kush e fiton titullin. Nuk mendoj se dikush duhet ta nënçmojë atë çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne”, ka thënë Cana.
“Nëse Manchester United dëshiron ta fitojë ligën, ata duhet të vijnë dhe të na mposhtin neve në Stadiumin e Dritave. Sigurisht ata kanë lojtarë dhe ekip për ta bërë atë, kjo është krejtësisht normale për një ekip të kreut të tabelës, por unë mund t’ju premtoj se nuk do të jetë e lehtë”, ka shtuar mesfushori kosovar.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ai është i zhgënjyer me komentet e bëra nga Andrey Arshavin, i cili tha se nëse luan ndonjëherë për Barcelonën, kjo do të ishte kulmi i karrierës së tij.
“Po jam i zhgënjyer pasi ai tregon një prirje krejtësisht tjetër. Ai dëshiron ta rinovojë kontratën me ne dhe qëndron me ne, andaj zhurma që vjen nga Rusia është vështirë për t’u shpjeguar”.
“Ai duket shumë i lumtur këtu, andaj duhet ta pyesni atë prej nga vjen kjo. Ne sigurisht nuk e pranojmë këtë. Kur je në Arsenal, je në Arsenal. Kur je diku tjetër, je atje. Gjithkush ka lirinë për të folur, por duhet të siguroheni që së pari të respektoni klubin tuaj”, ka thënë Wenger.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është i kënaqur që rivali për Skudeton, Inter, ka arritur në finale të Ligës së Kampionëve.
Nerazurën u mposhtën 1-0 në ndeshjen e kthimit në Barcelona, por arritën të kualifikohen për në finale me rezultat të përgjithshëm 3-2.
“Interi ka kompletuar akt të madh heroik në Barcelona. Jam vërtet i lumtur për futbollin italian, jo vetëm për koeficientin në UEFA. Ata ishin të shkëlqyeshëm, duke marrë parasysh se situata kishte nevojë për lojë defensive”, ka thënë Ranieri.
Menaxheri i Fulhamit, Roy Hodgson, e ka quajtur kualifikimin e klubit të tij për në finalen e Europa League si një ‘arritje të jashtëzakonshme’.
Ekipi anglez arriti të rikthehet nga disavantazhi minimal për të shënuar fitore me rezultat 2-1 në fund të ndeshjes ndaj ekipit gjerman Hamburg dhe për të siguruar kështu vend në finalen e garës evropiane.
“Ky klub ka kaluar nëpër disa momente të vështira këtë sezon dhe kemi shikuar në greminë një ose dy herë. Çdokush është krenar që ne do të fillojmë edhe sezonin e 10-të në Ligën Premier”.
“Dhe, të arrijmë në finale të Europa League, dhe nuk është me rëndësi a jeni Fulham ose një prej top katër klubeve, është një arritje e jashtëzakonshme. Këtë e pranon gjithkush. Mund vetëm të kënaqem me këtë moment”, ka thënë Hodgson.
Fulhami do të takohet në finalen e 12 majit me Atletico Madrid, ekip i cili eliminoi Liverpoolin nga gjysmëfinalja e Europa League.
Mesfushori i Real Madridit, Van der Vaart, ka refuzuar një ofertë të bërë nga gjiganti gjerman Bayern Munich.
Holandezi një kohë të gjatë është përfolur për një largim nga Reali, por ai thotë se është i lumtur në Bernabeu, duke refuzuar interesimin nga Bayern Munich dhe së fundi edhe Liverpooli.
“E respektoj interesimin e (trajnerit të Bayernit) Van Gaal, por klubi im është Real Madrid dhe dua të qëndroj këtu”, ka thënë Van der Vaart.
Basketbollistët e San Antonio Spurs kanë luftuar fuqishëm për të triumfuar në rundin e parë të play-offit duke eliminuar Dallas Mavericks në ndeshjen e gjashtë të serisë, të cilën e fituan me rezultat 97-87.
Spurs kështu janë hakmarrë për humbjen nga Dallas në play-offin e vitit të kaluar, duke fituar serinë e ndeshjeve me rezultat 4-2. Manu Ginobili ishte më i mirë në radhët e fituesve me 26 pikë, ndërsa Tim Duncan shënoi 17 pikë dhe 10 kërcime.
Spurs në rundin e ardhshëm gjysmëfinale të play-offit, do të përballen me lojtarët e Phoenix Suns, që shënuan fitore 99-90 ndaj Portland Trail Blazers, duke e eliminuar në rundin e parë pas po gjashtë ndeshjeve të zhvilluara (4-2).
Trajneri i Atletico Madrid, Quique Sanchez Flores, thotë se ata i kanë kundërshtuar hapur kritikët me suksesin e fundit kundër Liverpoolit në gjysmëfinale të Europa League.
Ekipi i Flores arriti në finale falë golit në udhëtim të shënuar nga Diego Forlan në takimin e mbrëmshëm në Anfield (2-1).
“Askush nuk e ka pritur këtë. Ne jemi të lumtur që do të përfaqësojmë vendin tonë dhe do të jemi ekipi i vetëm i Spanjës në një finale evropiane”.
“Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme. Nuk mund të vini në Anfield pa e ditur se do të kaloni nëpër disa momente të vështira, por ne ishim një ekip më i fuqishëm në kohën shtesë dhe merituam të kalojmë më tej”, ka thënë Flores.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, e ka uruar Interin për triumfin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve këtë javë.
Alves thotë se eliminimi shkakton ‘dhimbje’, por refuzon të kritikojë paraqitjen e Interit gjatë dy ndeshjeve gjysmëfinale.
“I uroj ata për këto arritje. Ne kemi humbur një mundësi për të mbrojtur trofeun. Shpresoj se njerëzit kanë vërejtur se ne dhamë gjithçka në të dy ndeshjet. Fakti se finalja luhet në Bernabeu nuk do t’i ndryshojë shumë gjërat për mua, por fansat kanë qenë me ne”
“Gjithmonë kam thënë se dua të shkoj në finale dhe ta fitoj atë, kudo që ajo duhej të luhej”, ka thënë Alves.