Përderisa edhe ato pak shpresa të Juventusit për Ligën e Kampionëve ranë në ujë, trajneri Alberto Zaccheroni lëvdoi lojtarët e tij për disa prej të cilëve ka aluduar në largim për shkak të dështimeve.“Ne ishim skuadra e vetme që luajtëm sot. Ndaj një Catania që u mori pikë të gjithëve, mendoj se ekipi im luajti mirë dhe krijoi shumë raste para portës. Por, ne nuk jemi aq konkretë para portës, siç kemi dashur të jemi në këtë fazë të sezonit. Sidoqoftë, kur duhet të merrni pjesë në tri gara, është vështirë të punosh në gjendjen fizike të lojtarëve”.
“Pa një javë të plotë si trajner i Juves, ishte e vështirë t’i zgjidhnim çështjet që na kanë kapluar këtë sezon. Nuk do të doja të hidhja çdo gjasë në ujë tani. Para se të bëja këtë, mendoj se është rrezik i madh që shumë lojtarë do paguajnë shtrenjtë gabimet kolektive të skuadrës”, deklaroi Zacceroni pas ndeshjes për Sky Sports.
Njëri prej golashënuesve ndaj Liverpoolit, Frank Lampard, ka deklaruar se pas fitores së madhe në Anfield, skuadra e tij është më shumë se kurrë pranë titullit të Ligës Premier, një javë para fundit të saj.“Ne erdhëm këtu me qëndrimin e duhur dhe merituam të fitonim me rezultat më të thellë. Komplimente për tifozët e tyre, të cilët qëndruan pranë ekipit në momentet më të vështira. Ne jemi të përkushtuar të fitojmë të dy titujt sepse jemi dhe në finalen e FA Cup dhe javën e ardhshme luajmë në shtëpi ndaj Wiganit, shpresoj se do të mund ta bëjmë atë”.
“Ishim në formë të dobët muajve të fundit, por komplimente lojtarëve, menaxhmentit dhe stafit. Ne e nxorëm veten nga ajo situatë dhe tani jemi shumë, shumë pranë dy titujve të shumëkërkuar”, tha Lampard për Sky Sports.
Rafa Benitez ka refuzuar t’u garantojë tifozëve qëndrimin e tij edhe për një sezon tjetër pas humbjes së rëndë ndaj Chelseat, disfatë që përfundimisht ia shuan Liverpoolit gjasat për Ligën e Kampionëve.Edhe pse Benitez ka edhe katër vite me Liverpoolin në kontratën e tij, spekulohet se nga sezoni i ardhshëm ai do ta drejtojë Juventusin.
“Tani duhet të flasim për futboll, është më mirë se sa të flasim për spekulimet. Unë i kuptoj shumë mirë tifozët dhe brengat e tyre për të ardhmen time, por spekulimet janë gjëra të cilat nuk mund t’i kontrolloj. Kështu që, ne duhet të flasim për ndeshjet, futbollin dhe çfarë ndodhi sot në fushë”.
Ndërsa kur është vënë në presion enorm rreth kësaj çështje, spanjolli tha: “Mos u mundoni kot, mos u mundoni. Mbylleni”.
Përzgjedhësi i kombëtares italiane, Marcello Lippi, ka publikuar listën preliminare të skuadrës së përbërë prej 29 lojtarësh, duke bërë disa zgjedhje shokuese.Përkundër formës së tyre fantastike, Antonio Cassano dhe Fabrizio Miccoli janë lënë befasisht jashtë formacionit të Botërorit nga Lippi. Jashtë kësaj liste është edhe Mario Balotelli që edhe ashtu nuk ishte pritur të luante në Botëror pas telasheve të fundit me klubin e tij.
Lojtarët e kësaj liste do të stërviten së bashku nga e hëna deri të mërkurën në qendrën sportive ‘Borgesiana’ në Romë. Për shkak të finales që do të zhvillohet të mërkurën mes Interit dhe Romës, personeli që duhej të zgjidhej nga Lippi prej këtyre dy skuadrave është lënë përkohësisht mënjanë.
Portierët: Buffon, Marchetti, De Sanctis, Sirigu
Mbrojtësit: Bocchetti, Bonucci, Fabio Cannavaro, Cassani, Chiellini, Criscito, Grosso, Legrotaglie, Maggio, Zambrota
Mesfushorët: Camoranesi, Candreva, Cossu, Gattuso, Marchisio, Montolivo, Pepe, Palombo, Pirlo
Sulmuesit: Borriello, Di Natale, Gilardino, Pazzini, Iaquinta, Quagliarella
Kampioni italian në fuqi ka shënuar fitore prej 2-0 në derbin e javës së 36-të përballë Lazios në Olimpico, për të vazhduar qëndrimin në krye të Serie A, dy javë pa përfunduar kampionati.Një top të mirë nga Wesley Sneijder e shfrytëzoi mbrojtësi Walter Adrian Samuel për të mposhtur portierin Muslera në fund të pjesës së parë (45’+1).
Ndërsa njëzet minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Thiago Motta dyfishoi epërsinë e mysafirëve pas një krosimi nga këndi të Maicon.
Pas kësaj fitoreje, Interi mban kreun e Serie A me dy pikë më shumë se Roma, dhe vështirë se do të bëjë ndonjë gabim në dy ndeshjet e mbetura kundër Chievos dhe Sienas.
Lojtari më i shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo, është treguar vendimtar në ndeshjen e cila u zhvillua në Santiago Bernabeu të dielën mbrëma, ndërmjet Real Madridit dhe Osasunës, të cilën Reali e fitoi me rezultat 3-2.
LeBron James e ka festuar çmimin e dytë radhazi si MVP i NBA me një 35 pikësh fantastik në fitoren e Cleveland Cavaliers prej 101-93 ndaj Boston Celtics në sfidën hapëse të serisë gjysmëfinale.James ndihmoi skuadrën e tij të rikthehet nga dizavantazhi prej 11 pikësh në çerekun e tretë dhe pos kësaj, ai shënoi tre pikëshin vendimtar 22 sekonda pa përfunduar sfida.
Te Celtics më të mirët ishin Paul Pierce me 13 pikë dhe Ray Allen që u ndal në vetëm 14 pikë. Kevin Garnett arriti ‘double-double’ me 18 pikë e 10 kërcime.
LeBron James u shpall MVP i këtij sezoni me një mesatare prej 29.7 pikësh për ndeshje, 7.3 kërcimesh dhe 8.6 asistimesh.
Me fitore minimale prej 1-0 kundër Sunderlandit, Manchester Unitedi ka ruajtur shpresat që me ndonjë dështim eventual të Chelseat, të fitojë Ligën Premier në javën e fundit.Djajtë e Kuq ishin më të mirët në këtë sfidë. Një kombinim i Berbatovit, Fletcherit dhe Rooneyt, u përcoll nga Nani, i cili u lirua në krah për të shënuar golin e fitores së Manchester Unitedit (28’).
Përkundër fitores, United mbetet në pozitën e dytë në tabelë me një pikë më pak se Chelsea një javë pa përfunduar Kampionati anglez.
Pas fitores prej 2-0 kundër NAC Breda, Twente është shpallur kampion i Holandës, duke bërë që fitorja prej 4-1 e Ajaxit kundër NEC Nijmegen të jetë vetëm sa për statistika.Twente e filloi ndeshjen duke sulmuar dhe duke krijuar disa raste të mira, ndërsa deri te goli arriti në minutën e 23-të me anë të sulmuesit Bryan Ruiz.
Edhe në pjesën e dytë, Twente dominoi përkundër se ishte mysafir, ndërsa golin e sigurisë e realizoi i huazuari nga Chelsea, Miroslav Stoch (74’).
Ky është titulli i parë i Eredevise në historinë e klubit Twente Enschede.
Juventusi është përshëndetur nga gara më prestigjioze evropiane për klube, Liga e Kampionëve, pas barazimit zhgënjyes ndaj Catanias në transfertë.Ishin sicilianët ata që luajtën më mirë në këtë sfidë, duke prekur në disa momente fitoren. Pas një tollovie, në zonë më së miri u gjet Matias Silvestre, i cili shënoi për rezultatin 1-0. (24’)
Sidoqoftë, me të filluar fraksioni i dytë, një top të pranuar nga Diego e ndali mirë Claudio Marchisio që shënoi në portën e vendasve (52’) për 1-1 dhe rezultatin përfundimtar.
Catania ka mundur të sigurojë shumë lehtë dhe fitoren nëse Maxi do të shënonte në mënyrë akrobatike, por goditjen e tij e ndali Gianluigi Buffon.
Sampdoria dhe Palermo u treguan solide duke shënuar fitore ndaj Livornos, respektivisht Sienas për të vazhduar luftën për pozitën e katërt.
Juventusi përveç se është përshëndetur nga Liga e Kampionëve, nëse edhe në dy javët e fundit luan kështu, mund t’i thotë së shpejti lamtumirë edhe Europa League.
Blutë kanë shënuar fitore prej 2-0 në kështjellën e Liverpoolit, Anfield, për ta mbajtur kreun e Ligës Premier, një javë pa përfunduar Kampionati anglez.Pikët e reja e mbajnë Chelsean katër pikë para Manchester United, që doemos duhet të fitojë ndaj Sunderlandit për të shpresuar për ndonjë lëshim eventual të Bluve në xhiron e fundit.
Pas një gabimi trashanik të kapitenit të Liverpoolit, Steven Gerard, përfitoi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didier Drogba, i cili realizoi golin e parë të karrierës në Anfield në kuadër të Ligës Premier (33’), ndërsa me epërsi minimale përfundoi pjesa e parë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (54’), një pasim i bukur i Anelkas u shfrytëzua nga Frank Lampard, i cili bëri atë që di më mirë për të dyfishuar epërsinë.
Deri në fund të takimit, Liverpooli nuk ishte në gjendje të ndryshojë diçka, duke bërë që të turpërohet para tifozëve të vet në derbin e javës së 37-të të Ligës Premier.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea duhet të presë dështimin eventual të Manchester Unitedit, ose të shpallet kampion në javën e fundit, duke e mposhtur Wigan Athleticun në Stamford Bridge.
Mesfushori kosovar i Sunderlandit, Lorik Cana, ka shprehur krenarinë e tij për progresin e Sunderlandit këtë sezon, por ua ka tërhequr vërejtjen tifozëve që të mos shpresojnë për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm.“Në këtë kampionat, askush nuk mund të bëjë hapat e mëdhenj në shpejtësi. Nëse shikoni top-tetëshen e këtij kampionati, ajo është shumë, shumë e fortë”.
“Top-katërshi përbëhet nga klubet ndër më të mirat e botës dhe katërshi tjetër, Tottenhami, Manchester City, Aston Villa dhe Evertoni,m përbëhet nga ekipe të forta evropiane. Nëse këta do të luanin në ndonjë kampionat tjetër, jam i sigurt se ata do të luftonin për titull”.
“Është vështirë të hysh në top-tetëshe në vitin tënd të parë”, deklaroi Cana për The Northern Echo.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, këmbëngul se ekipi i tij nuk do të dorëzohet në garën për titullin e Serie A deri në javën e fundit.Roma është dy pikë larg Interit dhe nëse ndodh që kampioni në fuqi të rrëshqasë te Lazio, atëherë Roma do të mbetej në pozitën e parë.
“Historia vazhdon. Ishte ndeshje e mirë ndaj Parmës, plot pasion dhe dëshirë të hekurt për fitore. Ne dëshmuam gjënë më të rëndësishme. Ne jemi ende në garë për të (titull). Ne do të jemi në garë për të deri në momentin e fundit të kampionatit”, deklaroi Totti.
Përkundër faktit se e ka bërë Manchester Cityn afër të prekë Ligën e Kampionëve, Carlos Tevez ka shprehur gatishmërinë të largohet nga Manchester City, me Real Madridin dhe Milanin të interesuar për të.Pos klubeve të lartpërmendura, raportohet se edhe Jose Mourinho është alarmuar nga më të rejat e fundit në lidhje me argjentinasin. Sidoqoftë, e ardhmja e Tevezit duket të jetë ngushtë e lidhur me të ardhmen e Mourinhos, pasi që sipas spekulimeve Mourinhon sezonin e ardhshëm mund ta shohim në bankinën e Realit.
Tevez ka shënuar 28 gola për Cityn këtë sezon në të gjitha garat dhe përkundër këtij fakti, Roberto Mancini ia ka treguar atij derën, pasi që ishte Tevez ai që kontestoi autoritetin e italianit.
Carlo Ancelotti ka deklaruar se një takim urgjent mes tij dhe lojtarëve pas eliminimit të rëndë nga Interi në Ligën e Kampionëve, ka shpëtuar sezonin e Chelseat.“Pas ndeshjes ndaj Interit, ne patëm një takim të mirë me lojtarët, pas të cilit ne ndryshuam synimet tona. Pas disfatës nga Interi, ne kemi pasur edhe 11 ndeshje të mbetura, nëntë në Ligën Premier dhe dy në FA Cup. Ne menjëherë zhvendosëm fokusin tonë në Ligën Premier dhe FA Cup”.
“Këta lojtarë kanë shumë përvojë. Ata po luajnë me vite në Ligën Premier, ata kanë përvojë, personalitet dhe karakter. Ata janë një grup shumë i mirë. Atyre u pëlqen të qëndrojnë së bashku, u pëlqen të punojnë së bashku. Mendoj se problemet private jashtë fushës kanë qëndruar jashtë stërvitjeve. Ato kurrë nuk ndërhyjnë për të penguar atmosferën tonë”, deklaroi Ancelotti për News of the World.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Forlan, ka pranuar se ai shpreson që ish-klubi i tij Manchester United ta fitojë Ligën Premier.“Chelsea ka një ndeshje të vështirë ndaj Liverpoolit. Ata janë të zhgënjyer pasi u eliminuan nga ne dhe do të kërkojnë fitoren, prandaj do ta shikoj këtë takim. Nuk do të jetë lehtë për Unitedin te Sunderlandi, por natyrisht se unë shpresoj që United do ta fitojë titullin. Unë ende jam tifoz i United dhe gjithnjë do të jem”, deklaroi për Forlan për News of the World.
Nëse Chelsea dështon të mposhtë Liverpoolin dhe United fiton në Stadiumin e Dritave të Sunderlandit, atëherë Djajtë e Kuq do të ngjiteshin në pozitën e parë, një javë para fundit të Ligës Premier.
Ylli i Milanit, Ronaldinho, ishte shumë i kënaqur me fitoren minimale të arritur ndaj Fiorentinas me anë të golit të tij nga penaltia, duke thënë se ajo fitore ishte më e rëndësishmja këtë sezon për Rossonerët.“Është fitorja më e rëndësishme e sezonit, sepse na lejon të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve dhe të përcaktojmë synimet tona për sezonin e ardhshëm”.
“Unë jam i lumtur që po luaj mirë për ekipin dhe për vete. Më pas, nëse Dunga vendos të më marrë në Botëror atëherë gjithçka do të jetë më mirë…”, deklaroi Dinho për Sky Sport Italia.
Mesfushori anglez, Frank Lampard, thotë se nuk do të kishte arsyetim nëse Chelsea do të dështonte të fitonte Ligën Premier.“Nëse nuk keni sukses atëherë zhgënjimi prek gjithë klubin. Madje e merrni shumë pranë vetes. Dështimet nuk i kam për qejf dhe kurrë nuk do t’i kem. Për një klub të përmasave të Chelseat me gjithë ato investimet e bëra, dështimi për të fituar një trofe është i papranueshëm”.
“Sezonin e kaluar zhgënjimi ishte aq i madh saqë arritëm të ngushëllohemi vetëm me një titull, atë të FA Cup. Nuk do të kishte arsyetim nëse dështojmë këtë sezon. Ne e dimë se nëse fitojmë ndeshjet e mbetura, Manchester Unitedi nuk mund të bëjë asgjë. Ne jemi të fokusuar dhe e dimë se çfarë është në lojë”, tha Lampard për Sunday Mirror.
Arsenali është në ndjekje të mesfushorit të West Hamit, Scott Parker.Sunday Mirror shkruan se bosi i Topçinjve ka ndryshuar paksa planin e tij të shpenzimeve duke dëshiruar të sjellë më shumë emra me përvojë se sa emra të mëdhenj, ndërsa Parker është njeriu ideal.
Arsene Wenger do të fillojë fushatën e tij të transferimeve pas dy javësh, kur të prezantojë sulmuesin maroken Marouane Chamakh si transfer i lirë nga Bordeaux, pasi Wenger dështoi ta konkretizojë transferimin korrikun e kaluar.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, nuk dyshon se klubi i tij do të vazhdojë të jetë atraksion për emrat e mëdhenj, përkundër moskualifikimit në Ligën e Kampionëve.Spanjolli thotë se nuk ka futbollist që nuk do të dëshironte të kalonte në Anfield përkundër sezonit katastrofal 2009/2010 të The Reds.
“Unë e kam bërë të qartë se çfarë mendoj kur nënshkrova kontratën. Unë nuk kam probleme dhe nuk pendohem pse e kam nënshkruar kontratën. Unë dua të vazhdoj më tutje dhe të përmirësohem sezonin e ardhshëm. Unë synoj të fitoj disa tituj dhe të luajmë më mirë se këtë sezon”.
“Nëse do të isha ndonjë lojtar kudo në botë, unë do të isha tërhequr nga Liverpooli. Liverpooli është ende emër i madh, njëri prej klubeve më të mira në botë. Natyrisht, ata do të dëshironin të vinin këtu. Ky është ende klub i madh për të qenë në të. Është me rëndësi për ne që të shkojmë përpara. Le të shohim si do të shkojnë gjërat”, deklaroi Reina për liverpoolfc.tv.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka vendosur të shpenzojë gjatë afatit kalimtar veror, duke tentuar të joshë Karim Benzeman e Real Madridit dhe Luka Modricin e Tottenhamit.Sunday Mirror shkruan se Benzema është ende i preferuari i Ferguson për fazën ofensive, prandaj është i gatshëm të shpenzojë 30 milionë funte për të, me Realin që nuk dëshiron ta përfshijë Berbatovin në këtë marrëveshje.
Nga ana tjetër, një burim brenda United ka pohuar se Tottenhami dhe Manchester Unitedi kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit kroat Luka Modric.
Shuma e transferimit besohet të jetë diku rreth 25 milionë funte dhe kalimi do të zyrtarizohet menjëherë pas përfundimit të sezonit, pasi që duhet të negociohet dhe me përfaqësuesit e lojtarit.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka akuzuar Barcelonën për çështjen kontroverse të lëshimit të ujit në fushë pas sfidës kthyese gjysmëfinale.Pas triumfit të Interit të mërkurën mbrëma, Barcelona lëshoi ujin në mes të fushës, pikërisht në vendin ku po festonte finalen skuadra e Interit.
“Ne fituam, ne ishim të nxehtë dhe na nevojitej ky dush i ftohtë! Ne ishim të lumtur për ujin e lëshuar”, theksoi me ironi Sneijder.
Xavi pohoi pas takimit se uji është lëshuar për të parandaluar tifozët e Interit të hyjnë në fushë.
“Nuk është e vërtetë, gënjeshtër. Ata lëshuan ujin për të na ndaluar festën, por nuk i shkoi për dore. Ne nuk jemi merakosur”, përfundoi Sneijder duke iu referuar deklaratës së Xavit.
Pasi që pa skuadrën e tij t’i rikthehet fitores pas rreth një muaji, Leonardo u shpreh të jetë i kënaqur me fitoren e vështirë ndaj Fiorentinas, që praktikisht siguron pozitën e tretë në tabelë.“Ishte ndeshje shumë e vështirë. Të fitonim ishte e vështirë ndaj Fiorentinas, larg prej thjeshtësisë. Ishte një fitore e rëndësishme dhe keni parë reagimin e djemve të mi pas golit të Ronaldinhos. Sa i përket luftës për vendin e tretë, kjo fitore ishte shtytje e madhe. Edhe pse matematikisht gara është e hapur, ne kemi fituar moral pas rezultateve zhgënjyese”.
“Çështja Berlusconi? Ne kemi raporte të mrekullueshme kur dihet se ne punuam së bashku për më shumë se 13 vite. Nuk dua të komentoj për asgjë tjetër përpos fitores së arritur ndaj Fiorentinas”, ka thënë Leonardo pas ndeshjes.
Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, ka pranuar se do ta mbështesë rivalin e përbetuar të Romës, Lazion, në duelin që Biancocelestët e zhvillojnë ndaj Interit të dielën.“Ishte me rëndësi të kthehemi pas humbjes nga Sampdoria. Ne do të besojmë në Scudetton deri në minutën e fundit të sezonit”.
“Lazio do të luajë ndeshjen e saj për mbijetesë dhe kështu unë i pres ata të luajnë si Parma që bëri ndaj nesh, pasi që ishte ndeshje e vështirë. A do ta mbështes Lazion? Po, natyrisht”, deklaroi ai për Sky Sports.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ishte i ngazëllyer me tre pikët e arkëtuara ndaj Boltonit, pasi që kjo fitore ka rëndësi të veçantë në kohën kur gara për pozitën e katërt po i afrohet fundit.“Ishte një goditje e bukur. Ishte goditja më e pastër në top që kam parë ndonjëherë. Ishte një fund fantastik”, theksoi Redknapp për golin e Huddlestone.
“Ne po shkojmë te Manchester City në formë të mirë. Është ndeshje e madhe, ne kemi një pikë më shumë dhe do të shohim nëse do të nxjerrim një rezultat pozitiv atje”, përfundoi Redknapp.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka thënë se ndeshja e të mërkurës ndaj Tottenhamit në stadiumin e qytetit të Mançesterit, do të jetë ndeshja më e rëndësishme në dhjetë vjetët e fundit.Pas fitores ndaj Aston Villas, City gjendet një pikë prapa Tottenhamit para duelit vendimtar për pozitën e katërt që zhvillohet të mërkurën.
“Ishte me rëndësi të fitojmë ndaj Villas por ende asgjë nuk ka përfunduar. Ne kemi një ndeshje të rëndësishme të mërkurën ndaj Tottenhamit dhe ajo do të jetë ndeshja më e rëndësishme në 10 vjetët e fundit. Ne nuk merituam të humbnim, por kur Aston Villa shënoi golin e parë ishte me rëndësi që ne të ktheheshim dhe ne shënuam plot tre gola”.
“Ne duhet të fitojmë ndaj Tottenhamit, por mendoj se duhet të përqendrohemi si sot (e shtunë) sepse është me rëndësi të bëjmë përgatitje të mira për ndeshjen”, deklaroi Mancini pas ndeshjes për BBC, duke mohuar të flasë për të ardhmen e tij.
Barcelona si mysafir ka mposhtur me meritë Villarrealin në El Madrigal me rezultat të bindshëm në fund, 4-1. Ekipi Blaugrana dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes duke ia vështirësuar punët Villarrealit.Në minutën e 19′, Barcelona kalon në epërsi falë Lionel Messit i cili ndryshon shifrat në El Madrigal.
Në minutën e 34′ Pedro Rodriguez faulohet dhe nga gjuajtja e lirë Xavi mposht poriterin Diego Lopez me një gol tejet spektakolar.
3′ minuta para fundit të pjesës së parë, Bojan Krkic trefishon epërsinë duke dhuruar qetësi tek ekipi Blaugrana.
Në 45′ minutëshin e dytë u shënuan edhe dy gola. Fillimisht në minutën e 67′ Joseba Llorente ngushton epërsinë në 3-1, kurse 2 minuta para fundit të takimit, Alves nga krahu i djathtë asiston perfekt për Messin dhe ky i fundit shënon për kapitulimin e Villarrealit.
Barcelona me këtë fitore ka gjithsej 90 pikë me një ndeshje më shumë të zhvilluar se Real Madrid, kurse Villarreal bën një hap prapa drejtë një vendi në Champions League me 52 pikë.
















