Pep Guardiola ka pohuar në mënyrë të jashtëzakonshme se rivali i përbetuar i Barcelonës, Real Madridi, meriton gjithashtu ta fitojë La Ligan pas paraqitjeve të fundit.“Real Madridi gjithashtu e meriton ta fitojë La Ligan, sepse pati sezon fantastik. Edhe nëse do ta humbnim titullin, ne do të shkonim në pushime verore krenarë. Nëse do të më pyesnit se kush e meriton titullin, unë do të thosha që ne e meritojmë, por të njëjtën gjë do ta thoshte për ekipin e tij dhe Manuel Pellegrini. Të dyja ekipet e meritojnë atë”.
“Kanë mbetur edhe dy javë dhe sipas mediave ndeshjet tona janë më të vështira. Tani për tani ne kemi një orar jo të mirë kur dihet se Tenerife po lufton për mbijetesë, Sevilla për Ligën e Kampionëve dhe të shohim se çfarë bëhet me Valladolidin”, deklaroi në një konferencë për shtyp, Pep Guardiola.
Mesfushori kreativ i Juventusit, Diego, ka shprehur zhgënjimin e tij, pasi klubi bardhezi dështoi të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.“Ne e kemi ditur se do të ishte e vështirë. Catania në shtëpi gjithnjë jep gjithçka për të fituar. Fatkeqësisht ne nuk ishim në gjendje të tregojmë veten dhe të shënojmë fitore”.
“Jam i pikëlluar për shkak se ky rezultat na lë jashtë Ligës së Kampionëve, që ishte njëri prej qëllimeve tona këtë sezon”, deklaroi Diego.
Rafael Nadal ka mposhtur bashkëkombësin e tij David Ferrer me rezultat 2-0 në sete (7-5 dhe 6-2) për të arritur rekordin e Andre Agassit me 17 tituj të fituar në Rome Masters.Amerikani Agassi e arriti këtë rekord në moshën 34- vjeçare, ndërsa Nadal është vetëm 23-vjeç.
“Është me rëndësi motivimi për t’u përmirësuar, kjo është gjëja kryesore. Kështu ka qenë e gjithë karriera ime, jeta ime dhe unë vazhdoj kështu. Më pëlqen të luaj tenis”, tha Nadal pas fitores.
Anësori ofensiv i Bayern Munichut, Franck Ribery, ka konfirmuar se ai e sheh të ardhmen e tij më parë te Barcelona ose Real Madridi, sesa te Chelsea.“Me kë do të doja të luaja? Pa kurrfarë hezitimi me Lionel Messin. Do të doja të luaja me të dhe Xavin. Me dikë që di të organizojë lojën e ekipit të tij dhe që ka cilësi të jashtëzakonshme të pasimeve. Aktualisht, Xavi është në formë fantastike”.
“Ka shumë ekipe që i kam ëndërruar, si p.sh, Real Madridi ose Barcelona”, deklaroi Ribery duke lënë mënjanë klubet angleze.
Ylli i Santosit, Robinho, ka deklaruar përsëri se ai nuk dëshiron të rikthehet te klubi që e ka në pronë atë, Manchester City.Huazimi i Robinhos te Santos përfundon më 4 gusht dhe të dyja klubet dëshirojnë një zgjatje të huazimit për Robinhon, së paku edhe për një stinor.
“Unë jam shumë i lumtur. Ky është një titull i rëndësishëm për mua që nuk e kam pasur kurrë më parë. Unë kam gjetur lumturinë në këtë fushë me këtë ekip të mrekullueshëm që luan në mënyrë ofensive, me buzëqeshje. Më lejoni të qëndroj këtu i qetë, është mirë këtu”, tha Robinho duke iu referuar titullit të fituar me Santosin.
Mesfushori i Tottenhamit, Luka Modric, ka thënë se ndeshja vendimtare e të mërkurës ndaj Manchester Cityt është më e madhja deri tani në karrierën e tij.“Është ndeshje e madhe, ndoshta ndeshja më e madhe që kam luajtur ndonjëherë për shkak se është në lojë Liga e Kampionëve. Ne arritëm një fitore të rëndësishme ndaj Boltonit, City fitoi ndaj Villas dhe ndoshta kjo do të jetë kryendeshja e sezonit. Në fakt, jo ndoshta, por kjo definitivisht është ndeshja e sezonit për të dyja ekipet”.
“Ne kemi luajtur tri herë me Cityn që nga ardhja ime dhe i kemi fituar të gjitha sfidat, duke përfshirë edhe atë prej 3-0 në këtë stadium (Stadiumin e qytetit të Mançesterit). Është ndeshje aq e madhe, saqë mendoj se do të jetë kënaqësi të luaj në të. Ne kemi një ekip të mrekullueshëm me gjithë ata lojtarë kualitativë dhe jam i sigurt se mund të shkojmë atje duke u kthyer me fitore”, përfundoi Modric.
Seanca e ardhshme gjyqësore e Calciopolit mbahet më 11 maj dhe dëshmitë më të reja janë jo pak shokuese. Presidenti i ndjerë i Interit, Giacinto Faccheti, është përsëri në qendër të vëmendjes me deklaratat e tij. Marco Tronchetti Provera ka akuzuar Moggin për rrëmujën, ndërsa në seancën e radhës pritet që të merret në pyetje edhe Massimo Moratti.“Interi duhet dhe do të duhej të fillonte një varg veprimesh për të eliminuar nga sipërfaqja klube si Milanin dhe Juventusin, të cilat janë më të fuqishme dhe që e kanë në dorë futbollin italian. Interi duhet të jetë lideri në një sistem jo të bazuar në fuqinë e arrogancës, por në një korporatizëm të njerëzve me të njëjtat qëllime, të cilët përdorin politikën për të ndryshuar futbollin”, është deklarata e publikuar e Facchetit nga gazeta Il Mattino.
Gjykatësja e rastit të Calciopolit, Teresa Casoria, do ta emërojë Roberto Porton si njeriun që do të duhet të kujdeset për ekstraktimin e 171 mijë telefonatave për të nxjerrë bërthamën e tyre dhe fajtorin e vërtetë.
Në seancën e radhës që do të duhej të mbahej nesër (e martë) e që është shtyrë për datën 11 maj për shkak të grevës së avokatëve, do të merren në pyetje Carlo Ancelotti dhe Roberto Mancini. Mbrojtja e Luciano Moggit pritet që të merr në pyetje presidentin e Interit, Massimo Moratti, mbi zhvillimet e fundit.
Në ndërkohë, njëri prej anëtarëve në bordin e Interit dhe drejtori i fabrikës së gomave ‘Pirelli’, Marco Tronchetti Provera, ka akuzuar rëndë Luciano Moggin dhe avokatët e tij për pohimet se Scudettoja e sezonit 2005/2006 duhet t’i merret Interit.
“Në të gjitha sportet, kur një ekip diskualifikohet, ekipi i dytë fiton dhe kështu me radhë. Por, futbolli ka më shumë ndikim nga mediat dhe njerëzit që dëshirojnë t’i thyejnë rregullat. Ne duhet të pranojmë gjithçka, por kjo është e gabuar”.
“Telefonatat e Facchetit? Mendoj se për këtë kemi qenë të qartë…Moratti në vitin 2006 tha se nuk kishte asgjë këtu. Njerëzit tentojnë të bëjnë diçka nga asgjë duke e ringjallur Calciopolin. Ata po tentojnë ta manipulojnë të vërtetën. Është skandaloze”, deklaroi Provera për La Stampa.
Drejtori i Realit, Jorge Valdano, ka deklaruar se Ronaldo ka shpirtin e Realit dhe se Los Blancos nuk janë ekip që varet nga një njeri.Cristiano Ronaldo tregoi vlerat e tij kur e shpëtoi Realin me një fitore prej 3-2 ndaj Osasunas në Bernabeu.
“Shpëtimtari i ekipit, është vetë ekipi. Por, Cristiano Ronaldo është njeri që i ka vlerat si të Real Madridit. Për këtë arsye, tifozët presin më shumë nga ai dhe presin deri në frymën e fundit, sepse ata e dinë se ky është lojtar që jep gjithçka”.
“Tifozët tanë e dinë këtë dhe për këtë arsye ata kërkojnë shumë nga ai”, ka thënë Valdano.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, duket të ketë filluar gjahun për të gjetur zëvendësuesin e Leonardos.Duket se Berlusconit i ka ardhur në maje të hundës Leonardo dhe pas dy sulmeve të Leonardos ndaj tij, ai sipas La Gazzeta dello Sport, është në heshtje mediatike duke kërkuar në ndërkohë njeriun që do ta pasojë Leonardon.
Berlusconi më herët e ka menduar mundësinë e inkuadrimit të Filipo Gallit nga ekipi i të rinjve, por ai gjithashtu dëshiron të bisedojë edhe me Marco Van Bastenin, në mënyrë që ky i fundit t’u kthehet Rossonerëve.
Në listën e shkurtër të Berlusconit janë dhe Frank Rijkaard dhe ish-trajneri i Cagliarit, Massimiliano Allegri.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka hedhur poshtë mundësinë që Kaka t’i jetë shitur Real Madridit i lënduar.Kaka gjatë gjithë sezonit pati probleme muskulore, por sipas disa spekulimeve thuhej se ai është transferuar i lënduar te Real Madridi edhe pse për këtë gjë ishte në dijeni stafi mjekësor i Milanit.
“Absolutisht që jo. Kaka luajti çdo ndeshje të Serie A para se të shkonte te Reali. Këtu përfshihet dhe ndeshja e fundit e sezonit ndaj Fiorentinas të cilën Milani e fitoi me rezultat 2-0. Lëndimi është një legjendë që nuk është e vërtetë. Ne e shitëm atë te Reali shumë të shëndoshë”, ka treguar Galliani.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, sipas të gjitha gjasave do t’u rikthehet fushave të blerta në sfidën ndaj Genoas.Sipas milannews.it, Pato do të rikthehet pas lëndimit të pësuar më 21 mars, kur e zgjeroi lëndimin e marrë ndaj Napolit më herët në San Siro. Ai është rikuperuar me sukses dhe pritet që të luajë në dy ndeshjet e mbetura të sezonit.
Pato duket se do të ketë teste të mëtutjeshme gjatë javës dhe ai do të jetë në gjendje të luajë vetëm kur të jepet drita e gjelbër nga stafi mjekësor i Milanit.
Rossonerët këtë fundjavë udhëtojnë te Genoa, ndërsa në javën e fundit do të kenë punë me Juventusin në derbin që do të luhet sa për prestigj.
Duket se Juventusi ka vendosur të nënshkruajë me Rafael Benitezin e Liverpoolit dhe se marrëveshja përfundimtare do të arrihet më 10 maj.La Stampa shkruan se presidenti i Juves, Jean-Claude Blanc, do të paraqitet para bordit të Juventusit më 10 maj së paku me një marrëveshje verbale me Benitezin dhe me një transferim të sigurt të drejtorit të Sampdorias, Beppe Marotta.
Nëse ndodh që angazhimi i Benitezit të dështojë, atëherë presidenti i ri, Andrea Agnelli do të duhet t’ia nisë punës nga fillimi për një trajner të ri.
Benitez aktualisht ka kontratë të vlefshme 6 milionë euro me Liverpoolin, ndërsa te Juve do të përfitonte 4 milionë euro në sezon, si edhe bonuset luksoze që do të jenë në dispozicion të spanjollit.
Futbollisti më i shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo, e ka quajtur paraqitjen e ekipit të tij ndaj Osasunas si të dobët, përkundër fitores së arritur.“Për mendimin tim, i gjithë ekipi ishte shumë i keq. Unë po flas për sulmuesit, mesfushorët dhe për vijën e fundit. Ne nuk është dashur ta lejojmë Osasunan të shënojë gola dhe të na shkaktojë gjithë këto telashe. Ne duhet të kuptojmë se po luftojmë për La Ligan dhe duhet të jemi më të fokusuar. Kjo nuk mund të përsëritet, pasi që në atë rast nuk do të jemi në gjendje të rikthehemi. Ne shpresojmë se mund të kemi sukses”.
“Nëse falni pikët në këtë fazë të sezonit, ju e humbisni titullin. Falë Zotit ne ishim në gjendje të shënojmë golin e tretë dhe ta fitojmë ndeshjen. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë. Barcelona ka ekip të mrekullueshëm, por edhe ekipet e mrekullueshme pësojnë. Ne duhet të mendojmë se ata mund të humbasin pikë dhe ne t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Gjëja më e mirë e mbrëmjes së kaluar ishin tre pikët e fituara”, deklaroi Ronaldo për Marca.
















