Barcelona ka shënuar fitore prej 4-1 kundër Tenerifes, për të mbajtur kreun e La Ligas, dy xhiro pa përfunduar Kampionati spanjoll.Barcelona pati dominim të plotë që nga fillimi i takimit dhe fitorja u vu në dyshim vetëm pasi mysafirët shënuan golin e barazimit.
Lionel Messi kaloi në epërsi Barcelonën pas një asistimi me kokë nga Zlatan Ibrahimovic (17’). Barcelona vazhdoi me dominim, por në rastin e pare, Tenerife dënon vendasit. Roman Martinez shfrytëzon një pasim të mirë të Komes për të shënuar golin e barazimit për 1-1.
Në pjesën e dytë Barcelona u desh të vuajë më se 18 minuta për të shënuar golin e epërsisë. Pas një asistimi fantastik të Alvesit, Bojan Krkic shënoi për epërsinë 2-1 të Barcelonës (63’).
Pedro Rodriguez u tregua i saktë kur shënoi për rezultatin 3-1, pas shërbimit të Messit (77’).
Në minutat shtesë të ndeshjes, lojtari më i mirë në botë, Leo Messi, realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Barcelonën
Nga ana tjetër, Almeria ka shënuar fitore të madhe në shtëpi ndaj Villarealit me rezultat 3-2, me ç’rast ka siguruar mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll.
Barcelona me këtë fitore shkëputet në katër pikë nga përcjellësi i parë Real Madrid, por Los Blancos i shkojnë të mërkurën Mallorcas në stadiumin Onno për të zhvilluar ndeshjen e xhiros së 36-të.
Carlo Ancelotti dëshiron me çdo kusht transferimin e ish-asit të tij Ricardo Kaka, nga Real Madridi në Stamford Bridge.Real Madridi shpenzoi hiç më pak se 60 milionë funte për transferimin e Kaka nga Milnai, por duket se pas sezonit të parë zhgënjyes, Reali nuk e dëshiron më në skuadër dhe për këtë arsye Ancelotti dëshiron ta shfrytëzojë rastin.
Gazeta Sport shkruan se Ancelotti nuk është dorëzuar kur bëhet fjalë për dëshirën e tij për t’u ribashkuar me Kakan, dhe ai tani është më se i bindur se mund të lëkundë Realin.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, thotë se do ta mirëpriste Rafa Benitezin si trajner të ri të Juventusit.Trajneri i Liverpoolit është favorit absolut për të zëvendësuar trajnerin aktual Alberto Zaccheroni.
“Rafa Benitez është një profesionist prej 360 shkallësh. Statistikat e tij flasin më shumë. Ai nuk është vetëm një trajner, ai ka gjithashtu aftësi të mëdha të liderit dhe ka demonstruar se di të menaxhojë situata të vështira”, u shpreh Buffon.
Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka thënë se skuadra e tij do të luajë për fitore ndaj Manchester Cityt, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për këto dy skuadra, e cila zhvillohet të mërkurën mbrëma.“Do të jetë si një finale. Do të jetë atmosferë vërtet e mirë. Ne dimë vetëm një mënyrë se si të luajmë, kështu si jemi, me lojtarët që kemi. Ne kemi mesfushorë ofensivë dhe anësorë, të cilët mezi presin të shkojnë në sulm. Unë nuk do të doja të dilja aty duke menduar se ata nuk do të sulmojnë. City ka sulmues të rrezikshëm. Dyshja sulmuese e tyre është rrezik për të gjithë”.
“Me Craig Bellamyn dhe Adam Johnsonin, ai ekip është me tipare sulmuese. Ne do të dalim në fushë dhe gjithashtu do të sulmojmë sepse do të jetë një ndeshje e zjarrtë. A do t’i gëzoheshim plasmanit në Ligën e Kampionëve? Do të ishte çmenduri, vërtet, paramendojeni. Ai vend i Ligës së Kampionëve është aq i rëndësishëm. Të themi të drejtën, në fillim të sezonit askush nuk e kishte menduar Liverpoolin jashtë top katërshes, apo jo?”, përfundoi Redknapp.
Chelsea është favoriti kryesor për transferimin e sulmuesit argjentinas Sergio Aguero nga Atletico Madridi.Sipas The Daily Express, Atletico Madridi tashmë ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Chelseat, e vlefshme rreth 40 milionë funte.
Javën e kaluar ishte vetë Aguero ai që nuk përjashtoi mundësinë e transferimit në Stamford Bridge duke lëvduar në të njëjtën kohë Blutë e Londrës.
Ylli argjentinas, Juan Roman Riquelme, thotë se futbollistë të tipit të Lionel Messit, ndoshta nuk do të kemi mundësi ta shohim më kurrë.Asi i Boca Juniors ka refuzuar të luajë nën drejtimin e Diego Armando Maradonas në kombëtaren argjentinase, por përsëri shpreson që ata ta fitojnë Botërorin.
“Ai është lojtar unik, lloji i të cilit nuk do të mund të shihet kurrë më. Sa për Argjentinën, ata duhet t’i ndihmojnë Messit nëse dëshirojnë që ai të luajë sikurse për Barcën, tha Riquelme.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, pritet të testojë Liverpoolin me një ofertë për sulmuesin kryesor Fernando Torres.Me bosin e The Reds, Rafa Benitez, në drejtim të Juventusit, Moratti duket se e sheh rastin ideal për transferimin e Torresit që pritet të ndjek bashkëkombësin e tij te Juve. Ndërkohë që edhe Barcelona interesohet për shërbimet e ‘el Ninos’.
SportItalia shkruan se Torres ishte ëndërr e Morattit që një kohë të gjatë dhe ai është i bindur se mund ta lëkundë Liverpoolin, pasi që këta të fundit dështuan të sigurojnë vend në Ligën e Kampionëve.
Chelsea është gati të bëjë një ofertë marramendëse për dyshen e Milanit, Thiago Silva dhe Alexandre Pato.Corriere dello Sport shkruan se bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti dëshiron t’i sjellë brazilianët gjatë verës për një çmim që mendohet të jetë rreth 80 milionë euro.
Kjo ofertë që pritet të arrijë në Milanello javën e ardhshme do të mirëpritej nga Silvio Berlusconi, që mezi pret të bëjë biznes me futbollistët që sipas tij janë dështakë.
Interi është duke planifikuar t’i bëjë një ofertë Manchester Cityt për sulmuesin argjentinas Carlos Tevez.Mediaset njofton se Interi është alarmuar pas njoftimeve se marrëdhëniet mes Tevezit dhe Roberto Mancinit ishin përkeqësuar dhe për këtë arsye Interi dëshiron ta sjellë atë në Meazza gjatë verës.
Por, kjo nuk është e tëra. Në ofertë do të përfshihej problematiku Mario Balotelli, që do të shkonte në drejtim të kundërt. Në të kaluarën Mancini ka pranuar se do të dëshironte të punonte përsëri me SuperMarion.
Sipas agjentit të Rafa Benitezit, spanjolli dëshiron qëndrimin te Liverpooli, por vetëm nëse atij i garantohen investime për lojtarë të rinj.Agjenti i Benitez, Manuel Garcia Quilon, ka konfirmuar se klienti i tij do të ulet dhe do të bisedojë me drejtuesit e klubit rreth kushteve të tij për qëndrim të mëtutjeshëm, sidomos për investimet, pa të cilat Benitez do t’i përshëndeste zyrtarët e The Reds.
“Benitez do të takohet me kryetarin e klubit Martin Broughton në fundjavë, dhe nga ajo çfarë mund të them unë, ai dëshiron të qëndrojë te Liverpooli”.
“Benitez duhet të di se cilat janë planet për të ardhmen. Sidomos për investimin në lojtarë. Kjo do të jetë e rëndësishme”, deklaroi Quilon për Goal.com.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka folur për mundësinë që skuadra e tij të dështojë në La Liga, duke thënë se kjo gjë do të ishte një dënim për madrilenët, por realitet.“Për Barcelonën dhe për ne, të përfundojmë sezonin pa asnjë titull është dënim i rëndë. Teorikisht, për neve është më vështirë, sepse ne nuk e fituam atë vitin e kaluar. Ne shpresojmë se forma që kemi shfaqur në La Liga do të na shpjerë deri te titulli”, tha kiliani.
Në fund të konferencës për shtyp, Pellegrini shtoi se ndeshja e të mërkurës ndaj Mallorcas, është më e vështira nga të gjitha ndeshjet e mbetura. Mallorca është në pozitën e katërt dhe po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve, kur dihet se klubi nga ishulli është pothuajse i pamposhtshëm në shtëpi.
Revista gjermane Der Spiegel ka lansuar një fushatë kundër Interit para finales së Ligës së Kampionëve mes Interi dhe Bayern Munichut, duke pohuar se Nerazzurët mund të dënohen me rënie në Serie B për shkak të përfshirjes në Calciopoli.“Telefonata të shumta, manipulime të arbitrave dhe dyshime mbi Serien A, dhe jo, nuk po flasim për Juventusin. Katër vite pas skandalit në futbollin italian, kur Juventusi ishte dërguar në Serie B dhe iu morën dy Scudetto, Interi rrezikon sot të njëjtin dënim. Nuk ka ditë kur detaje të reja të pista nuk dalin në shesh, të nxitura nga Luciano Moggi që ka vendosur t’i ndërrojë letrat në Napoli”, thotë një pjesë e tekstit disa faqesh në Der Spiegel kushtuar dënimit të mundshëm të Interit.
Përderisa është pothuajse e pamundur që Interi të dënohet me rënie në Serie B, ekspertët e futbollit italian thonë se Der Spiegel është duke i bërë këto përpjekje për të destabilizuar Interin para finales së Ligës së Kampionëve që zhvillohet më 22 maj në Bernabeu.
Aktualisht, situata rreth Calcipolit qëndron kështu: FIGC (Federata Italiane e Futbollit) do të lansojë një hetim special për dëshmitë e publikuara në gjykatën e Napolit dhe pas këtij lajmi po mendohet se Interit mund t’i merret Scuettoja e vitit 2006, por kjo mundësi ende mbetet e pakonfirmuar.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ka thënë se ai është duke pritur një finale të balancuar të Coppa Italia, kur Inter dhe Roma të takohen në Stadio Olimpico.“Roma dhe Interi janë në nivel të njëjtë. Nuk ka favoritë. Do të jetë ndeshje mes dy protagonistëve dhe një festë futbolli duke shpresuar të mos ketë incidente”.
“U kam thënë lojtarëve të mos mendojnë për Scudetton. Unë u kam folur atyre vetëm për Coppa Italia. Ne po luajmë në një finale dhe kjo tregon udhëtimin e vështirë që kemi pasur. Ne duhet të luajmë lojën tonë. Nëse e bazojmë në luftë atëherë ne do ta humbim”, deklaroi Ranieri.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka mohuar spekulimet se ai është i interesuar të transferohet te Manchester United.Menaxheri i djajve të kuq, Sir Alex Ferguson, dëshiroi ta transferojë sulmuesin francez që gjatë verës së kaluar, por Real Madridi ishte më i shpejtë veprime. Por, pas një sezoni dëshpërues për Benzema, spekulimet për një kalim në kampionatin anglez sërish janë bërë të zëshme.
“Vitin tjetër do të shihni një Benzema tjetër. Jam i lumtur që jam këtu. Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të luaj për Real Madridin dhe është një kënaqësi e pafund. Dua të qëndroj këtu për gjithë jetën. Rrethanat për mua nuk kanë qenë më të lehtat, e pranoj. Kam kaluar tre muaj në hotel. Por tash gjithçka është rehatuar”, ka thënë Benzema.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, thotë se Thierry Henry pritet të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni.Francezi ka edhe një vit të mbetur nga kontrata e tij aktuale, por është i pakënaqur me kohën e paktë që aktivizohet dhe dëshiron të largohet këtë verë.
“Ai ka edhe një vit kontratë me ne, por pas një viti dëshpërues nuk e di se çfarë do të bëjë ai. Në Barcelona ne i respektojmë kontratat, por ai duket se nuk ia dalë aq mirë sa ka dashur. Andaj, them se ai mund të largohet”, ka thënë Laporta.
Menaxheri i Fiorentinës, Cesare Prandelli, është duke u lidhur me një kalim në stolin e Liverpoolit.Me Rafa Benitez që është në prag të kalimit në Juventus, Daily Express shkruan se Prandelli mund të arrijë në Liverpool si zëvendësim i spanjollit.
Prandelli ende nuk e ka nënshkruar kontratën e re të ofruar nga Fiorentina disa javë më parë, që ka lënë hapësirë të mendohet se ai dëshiron të largohet nga klubi italian.
Ka pasur spekulimet se gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve në mes të Fiorentinës dhe Liverpoolit në Firencë, Prandelli ishte takuar me pronarët e klubit anglez Tom Hicks dhe George Gillett.
Mesfushori i Interit, Patrick Vieira, dëshiron ta zgjatë qëndrimin e tij te Manchester City.Huazimi i Vieira në Eastlands skadon në fund të këtij sezoni, ndërsa edhe kontrata e tij me Interin përfundon në qershor.
“E ardhmja ime është jashtë duarve të mia. Është shumë e qartë se çfarë dua të arrij, të kapim pozitën e katërt. Dhe nëse mund të luaj edhe një sezon tjetër këtu, pse jo?”, ka thënë Vieira.
Presidentja e Romës, Rosella Sensi, thotë se fitorja e Interit ndaj Lazios ka qenë një ditë e turpshme për futbollin italian.Roma është e tërbuar pasi ka parë fansat e Lazios të brohorasin për golat e Interit, në fitoren 2-0 të nerazurëve.
“Pas asaj që kemi parë, ta quash këtë ligën më të bukur në botë, është paradoksale. Nëse unë do të isha në vendin e Interit, do të isha turpëruar nga fitorja në këtë mënyrë, kënaqësia e fansave të Romës nuk është më inferiore se ajo e Interit”.
“Gjithmonë ka dëshirë për të bërë protestë zyrtare, por rastisja na bën neve të jemi më të qetë. Kjo është për shkak të faktit se të mërkurën do të luajmë një ndeshje të komplikuar në këndvështrimin e publikut kundër Interit”, ka thënë Rossi.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i gatshëm të transferojë sulmuesin e Ajaxit, Luis Suarez.Mirror shkruan se pas edhe një sezoni pa trofe për topçinjtë, menaxheri Arsene Wenger është i vendosur të forcojë ekipin gjatë verës për ta bërë të gatshëm për sezonin e ardhshëm.
Wenger këtë sezon ka qenë më i mangët në sulm, me largimin nga klubi të Emmanuel Adebayor drejt Manchester Cityt verën e kaluar, dhe me sulmuesin kryesor Robin van Persie që mungoi një pjesë të madhe të sezonit për shkak të lëndimit
Tash Wenger e ka identifikuar Suarez, 23-vjeçar, si një zgjidhje të mundshme. Uruguaiani ka shkëlqyer këtë sezon, duke shënuar 45 gola në 46 ndeshje për Ajaxin, dhe 98 në përgjithësi në më pak se tre sezoni me klubin holandez.
Boston Celtics ka prishur festën e LeBron James duke e mposhtur ekipin e tij Cleveland Cavaliers me rezultat 104-86 në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së play-offit në Konferencën Lindore.James mbrëmë pranoi trofeun MVP i sezonit, por nuk arriti ta shtojë gëzimin duke shënuar edhe fitore, pasi u mposht nga Celtcis që barazuan në 1-1 serinë e ndeshje të këtij rundi gjysmëfinal.
Rajon Rondo shënoi 13 pikë dhe 19 asistime, ndërsa Ray Allen pati pikët më të larta për Boston, 22. James përfundoi ndeshjen me 24 pikë për Cavaliers.
Mesfushori i Liverpoolit, Yossi Benayoun, ka dalë në mbrojtje të menaxherit Rafa Benitez.Lojtari i kombëtares së Izraelit thotë se ai dëshiron që Benitez të mbetet në Anfield edhe sezonin e ardhshëm.
“Kur jeni një klub i madh dhe gjërat shkojnë keq, është normale që të ketë presion mbi menaxherin. Rafa ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe ne përpiqemi të mos shikojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.
“Rafa ka dëshmuar veten, ai është një menaxher i madh. Njerëzit që janë sipër do të marrin vendimin e duhur”, ka thënë Benayoun.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, thotë se ai do të mirëpriste një kalim në Ligën Premier, nëse ndonjëherë do të largohet nga Juventusi.Buffon vazhdimisht është lidhur me një kalim në Ligën Premier, ku si klube të mundshme që nga viti i ri janë përmendur Arsenali, Manchester United dhe Manchester City.
“Nëse duhet të shkoj, mendoj se Britania do të ishte cak. Dëshira ime për t’u larguar nga Juve është e barabartë me dëshirën e Juves për të më lejuar mua të largohem”.
“Të gjitha këto gjëra për mua do të rregullohen me klubin. Gjithçka mund të ndodhë. Prioritet gjithmonë ka qenë Juventusi. Do të shohim nëse vendosim të shkojmë përpara së bashku”, ka thënë Buffon.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka porositur fansat nga Eastlands ta bëjnë stadiumin më të veçantë se kurrë më parë për ndeshjen vendimtare për pozitën e Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit.Qytetarët nesër presin Tottenhamin ndaj të cilit do të kërkojnë vetëm tre pikë, pasi barazimi nuk do t’i përshtatet Cityt, që gjendet një pikë prapa rivalit në tabelën e Ligës Premier.
Drejtuesit e klubit kërkojnë nga tifozët të marrin shalle, flamuj, zbukurime tjera dhe ta bëjnë stadiumin ‘City of Manchester’ një det me ngjyrë blu.
“Ne kemi nevojë për fansat tanë. Tifozët e klubit kanë qenë fantastik dhe ne kemi nevojë që ata të dalin në përkrahje të ekipin që nga minuta e parë deri në të fundit”, ka thënë Mancini.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, shprehet të jetë i sigurt se skuadra e tij do ta fitojë titullin e Ligës Premier dhe atë me plot meritë.“Ne kemi pasur disa momente këtë sezon kur nuk kemi qenë në formën më të mirë, kurse momentin më të mirë atëkohë e kishte United. Por, në 10 ndeshjet e fundit paraqitjet tona kanë qenë fantastike, në atë mënyrë që qëndrimi ynë është përforcuar dukshëm”.
“Ne jemi shumë pranë titullit. Ka mbetur edhe një sfidë, por jemi në një pozitë të mirë. Nëse dëshironi të fitoni tituj, duhet t’i keni momentet e mira. Edhe pse është një ditë vendimtare e diela, sikurse kjo e javës së kaluar, mendoj se ndeshjen në shtëpi duhet ta fitojmë me lehtësi”, tha Lampard.
















