Sulmuesi i Milanit, Ronaldinho, i ka thënë shtypit se ai është i kënaqur me formën e tij në sezonin 2009/2010, edhe pse ka qenë i sulmuar nga kritikët.
“Unë jam i kënaqur me atë që kam bërë deri tani. Për mua, ishte një vit i mrekullueshëm. Çfarë kam bërë më jep stimulim për të vazhduar më tutje”.
“Më duhet të jem i sinqertë. Më interesojnë vetëm pikët e dy ndeshjeve të fundit. Për të ardhmen time, do të mendohem pas përfundimit të sezonit”, tha Ronaldinho për Milan Channel.
Jose Mourinho ka vazhduar sulmet ndaj rivalit direkt për Scudetto, Romës, duke thënë se duhet t’ua japë bonusin nga Coppa Italia futbollistëve të Sienas, nëse dëshiron që këta të fundit ta mposhtin Interin.
Siena që po lufton për mbijetesë do të takohet javën e fundit me Interin dhe një fitore do të thoshte shpëtim nga rënia në Serie B. Për këtë arsye, presidenti i Sienas, Massimo Mezzaroma, u ka ofruar futbollistëve të tij bonus prej më se 2 milionë eurosh, vetëm e vetëm për ta mposhtur Interin.
“Ne kemi edhe dy ndeshje të mbetura ndaj Chievos dhe Sienas, dy klube që nuk e meritojnë Serien B”.
“Presidenti i Sienas do t’i shpërblejë lojtarët e tij nëse ata na mposhtin dhe ky është motivim shtesë për ata. Por, kush e di, ndoshta edhe Roma do t’i shpërblejë me bonusin e fituar nga vendi i dytë në Coppa Italia”, deklaroi Mourinho për Il Corriere dello Sport.
Portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Saar, ka zbuluar se ai është i befasuar për kohëgjatësinë qëndrimit të tij në Old Trafford.
“Në fillim kur kam ardhur, kam menduar se do të qëndroja vetëm dy vite. Sidoqoftë, unë kam kaluar shumë momente të lumtura këtu”.
“Atëkohë isha 34-vjeçar, por pozita ime nuk është si e Ryan Giggs apo Paul Scholes. Jam duke u kënaqur me kohën që jemi duke kaluar dhe qëndrimi im këtu, kaloi të gjitha pritjet e mia personale”, tha Van der Saar.
Sipas presidentit të Manchester Cityt, Khaldon al-Mubarak, menaxheri aktual Roberto Mancini, do të mbesë edhe një kohë të gjatë te ‘pasanikët’.
“Nuk ka spekulime, Roberto Mancini është menaxheri ynë. Ai ka bërë punë të shkëlqyer, erdhi nga mesi i sezonit dhe ka arritur t’i afrohet aq pranë pozitës së katërt”.
“Edhe unë edhe pronari, Sheikh Mansour, jemi të kënaqur me mënyrën se si ai e ka organizuar ekipin dhe me një para-sezon të mirë para tij, ne ndjejmë se ai mund ta drejtojë klubin edhe një sezon tjetër, me plot sukses”.
“Ai i ka në zemër interesat e klubit dhe ai është definitivisht njeriu i duhur për këtë klub dhe do të jetë edhe për shumë vite të tjera”, tha al-Mubarak.
Trajneri i kampionit të sapoemëruar francez, Marseille, Didier Deschamps, ishte i ngazëllyer për suksesin e arritur nga skuadra e tij, duke thënë se është krenar me futbollistët e tij.
Marseille e fitoi titullin e parë të Ligue 1, që pas vitit të largët 1992, pas fitores prej 3-1 ndaj Rennes, ndërsa nga ana tjetër Auxerre pësoi nga Lyon, gjë që e shpalli kampion Marseillen me tetë pikë para Auxerre, dy javë pa përfunduar kampionati francez.
“Është fantastike, suksesi u takon lojtarëve. Ishte një aventurë e mirë njerëzore, një fitore e madhe si për klubin ashtu dhe për punonjësit e tij. Është rezultat i punës së rëndë prej nëntë muajsh, me shumë ngritje dhe rënie. Jam shumë krenar”, deklaroi Deschamps.
Real Madridi shënoi fitore të lartë ndaj Mallorcas, fitore e cila e detyroi trajnerin Manuel Pellegrini ta lëvdojë Cristiano Ronaldon dhe të shtrojë pyetjen se si do të luante Barcelona dy muaj pa Lionel Messin, ashtu si bëri Reali pa Ronaldon.
Portugezi shënoi një het-trik fantastik për të përmbysur epërsinë minimale të Mallorcas në fillim, e që më vonë mbeti si gol i nderit. Higuain e përfundoi takimin duke i përshëndetur tifozët e Mallorcas me një parabollim fenomenal.
“Cristiano Ronaldo është një figurë e lartë e Real Madridit dhe ne kemi luajtur dy muaj pa të. Përkundër kësaj, ne komponuam një ekip dhe lojtarët tjerë ishin në gjendje t’i fitojnë sfidat. Do të doja ta shihja Barcelonën dy muaj pa Lionel Messin”, ka thënë Pellegrini.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, është i bindur se Wigani mund t’i shokojë të gjithë, në javën e fundit të Ligës Premier.
United duhet të shpresojë në ndonjë dështim të Chelseat dhe të mposhtë Stoke Cityn, për të kompletuar në fund një triumf të pabesueshëm në garën për titull.
“Ishte një sezon mjaft interesant. Numri i skuadrave të fundit të tabelës që i kanë marrë pikë skuadrave të katërshes së madhe ishte më i madh, pasi që dihet se skuadrat e mëdha mposhtin të gjithë dhe pësojnë në duelet direkte me kundërshtarë të barabartë”.
“Ishte sezon mjaft i çuditshëm. Shpresojmë se çudia do të ndodhë edhe në ndeshjen e Chelseat të dielën”, deklaroi Ferdinand.
Juventusi ka vendosur të shesë portierin më të mirë italian, Gianluigi Buffon, në drejtim të Ligës Premier.
Siç mëson Tuttosport, presidenti i ri i Juventusit, Andrea Agnelli, ka filluar të masë pulset e klubeve të fuqishme, për të mësuar se cila është vlera e Buffonit.
Nëse Arsenali dëshiron ta transferojë Buffonin, atëherë duhet ta shkëmbejë atë me Cesc Fabregasin, ndërsa e njëjta vlen edhe për Unitedin- të shkëmbehet me Vidicin.
Manchester City është kontaktuar gjithashtu dhe çmimi për skuadrën nga Eastlands është 20 milionë funte.
Chelsea nuk është e disponuar të heqë dorë nga mesfushori francez, Franck Ribery, edhe pse ky i fundit ka mohuar një kalim në Angli.
Ishte vetë francezi ai që javë më parë hapur deklaroi se nëse ndodh që ai të largohet nga Bayern Munichu, atëherë ai do të kishte dëshirë të luante në Spanjë, te Real Madridi ose Barcelona.
Megjithatë, Daily Express shkruan se Roman Abramovich është në disponim për të shpenzuar këtë verë dhe pritet që ai të fillojë bisedimet me Bayernin, për çmimin e Ribery, e që është hiç më pak se 70 milionë funte.
Raportohet se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka vendosur ta transferojë super-sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
Siç njofton Sport, Perez është i gatshëm të shpenzojë të holla të konsiderueshme, plus të ofrojë Mahmadou Diarran dhe Karim Benzeman, në një paketë të vlefshme rreth 70 milionë funte.
Pritet që ditëve në vazhdim mediat spanjolle të nisin një valë të re spekulimesh, ndërsa Real Madridi është duke marrë lajme të mira. United ka shtyrë rinovimin e Rooneyt deri pas Kampionatit Botëror.
Jose Mourinho u tregua përsëri i pavendosur kur bëhej fjalë për të ardhmen e tij, ndërsa skuadra e tij ka filluar të fitojë tituj edhe pse ai mbetet i lidhur me një kalim te Real Madridi.
“Tani mund të them se kam fituar çdo titull në futbollin portugez, anglez dhe italian. Nuk është keq”.
“Interi ka ndryshuar dhe ka bërë një hap gjigant përpara. Trajnerët dhe lojtarët mund të ndërrohen, por ky klub do të di se si të fitojë. A ka gjasa që unë të qëndroj? Po, gjithsesi”, deklaroi Mourinho.
Mbrojtësi i djathtë i Barcelonës, Dani Alves, ka thënë se ai dëshiron ta fitojë titullin këtë fundjavë, me fitore në udhëtim te Sevilla.
“Duhet ta mposhtim Sevillan dhe Reali do të dështojë vetvetiu ndaj Athletic Bilbaos. Po, Reali do të dështojë ndaj Athletic Bilbaos dhe ne duhet ta fitojmë titullin. Sidoqoftë, gara për titull mund të vendoset edhe në javën e fundit, sepse kurrë nuk i dihet”.
“Zlatan Ibrahimovic ka luajtur mirë këtë sezon, por ka qenë pre e lëndimeve. Mourinho? Komplimente për strategun i cili e ndali sulmin tonë. Interi me meritë gjendet në finalen e Ligës së Kampionëve”, deklaroi Alves në një intervistë për Marca.
Mesfushori i Real Madridit, Esteban Granero, ka vënë në pah edhe njëherë besimin e ekipit të tij në skuadrën e Sevillas, që kjo e fundit ta detyrojë Barcelonën të dështojë në Ramon Sanchez Pizjuan.
“Kam besim se Sevilla do të luajë mirë ndaj Barcelonës. Ne duhet të fitojmë gjithashtu ndaj Athletic Bilbaos, sepse nëse nuk fitojmë, atëherë gjithçka do të bie në ujë”.
“Cristiano Ronaldo është lider i lindur dhe futbollist fenomenal. Ai i sheh dobësitë e një ekipi dhe më pas tenton t’i shfrytëzojë ato”.
“Gara për titull? Një ekip është para nesh për arsye se ka një pikë më shumë dhe kjo do të thotë se ka luajtur më mirë se ne. Megjithatë, ne kemi dy ndeshje të mbetura, të cilat nëse i fitojmë, atëherë kemi gjasa reale për ta fituar titullin në fund”, deklaroi Granero për AS.
Yjet e Tottenhamit, Gareth Bale dhe Luka Modric, pritet që të refuzojnë një kalim të mundshëm te Manchester Unitedi, pas kualifikimit të Spursave në Ligën e Kampionëve.
Dyshja, së bashku besohet të ketë vlerën prej rreth 50 milionë funtesh, duke qenë atraksion i vërtetë për menaxherin e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, që po planifikon ta rinojë skuadrën e tij.
Por, duket se kualifikimi i Tottenhamit në Ligën e Kampionëve automatikisht ka mbyllur dyert e një kalimi të Bale dhe Modric te Djajtë e Kuq. Pak kohë më parë, Harry Redknapp kishte hedhur poshtë të gjitha spekulimet duke pohuar qëndrimin e të gjithë lojtarëve aktualë.
Fabio Capello ka pranuar se ai ndoshta nuk do të ishte sot trajner i Anglisë, nëse nuk do të ekzistonte skandali më i madh në futbollin italian, Calciopoli, para katër vitesh.
“Ndoshta jo”, iu përgjigj Capello pyetjes nga Eurosport nëse ai do të ishte trajner i Tre Luanëve, po të mos ishte Calciopoli.
“Unë nuk do të shkoja te Reali, nuk do të mbetesha gjashtë muaj pa punë dhe nuk do të isha i lirë për kombëtaren angleze. Kjo tregon se gjërat negative mund të shihen si pozitive”, deklaroi Capello.
Tenistja e dytë në botë Caroline Wozniacki është eleminuar herët nga Italian Open, pas humbjes prej 2-0 në sete (6-4, 6-2) nga Maria Jose Martinez Sanchez që në raundin e tretë të kësaj gare.
Tenistja numër një në botë Serena Williams me vështirësi (6-2, 3-6, 6-0) kaloi gjermanen Andrea Petkovic.
Venus Williams mposhti Shahar Peer (6-3, 6-4), ndërsa Ana Ivanovic eliminoi tenisten e gjashtë në botë, Elena Dementieva (6-1, 7-6). Teksa serbja tjetër, Jelena Jankovic impresionoi me fitoren bindëse (6-2, 6-0) ndaj belges Yanina Wickmayer.
Mediat angleze bëjnë të ditur se Chelsea mund të kthehet kah sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain.
Kohëve të fundit është spekuluar se Chelsea përpiqet ta angazhojë Fernando Torres, i cili do të mund të largohej nga Anfield në kërkim të një ekipi më konkurrues. Por konkurrenca për Torres është e madhe dhe është e paqartë nëse sulmuesi do të transferohej në një klub rival të Liverpoolit.
Telegraph-i anglez shkruan se nëse Chelsea nuk arrin ta angazhojë Torres, do të kthehet kah Gonzalo Higuain, për të cilin është duke përgatitur ofertë prej 34 milionë funtesh.
Higuain pati një sezon fantastik në Real Madrid dhe së bashku me Crsitiano Ronaldon janë më të mirët në ekipin spanjoll.
Phoenix Suns ka marrë kontrollin e gjysmëfinales së Konferencës Perëndimore kundër San Antonio Spurs duke e mposhtur për të dytën herë në play-off, kësaj here me rezultat 110-102.
Spurs avancuan 80-78 në fillim të pjesës së katërt, para se Suns të dominojë dhe të shënojë fitore në fund të takimit. Amare Stoudamire ishte më i sakti me 23 pikë dhe 11 kërcime.
Te Spurs, Tim Duncan ishte më i sakti me 29 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Tony Parker erdhi nga stoli për të shënuar 20 pikë. Ndeshja e tretë në mes dy ekipeve zhvillohet në San Antonio gjatë të premtes.
Roberto Mancini është i bindur se Carlos Tevez do të mbetet në Manchester City edhe krahas asaj që ekipi nuk arriti të kualifikohet për në gara të Ligës së Kampionëve.
Tevez pati një sezon të shkëlqyeshëm në Manchester City, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që qytetarët të kualifikohen për në garën evropiane. Ata mbrëmë u mposhtën me rezultat minimal 1-0 nga Tottenhami, që me këtë fitore siguroi biletën e fundit për në Ligën e Kampionëve.
“Carlos Tevez ka marrëveshje me Manchester Cityn dhe do të mbetet këtu edhe sezonin e ardhshëm”, ka thënë Mancini.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është përpjekur ta lehtësojë tensionin pas disfatës së mbrëmshme në finalen e Kupës së Italisë nga Interi.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, u dërgua jashtë loje derisa kishte edhe përleshje të lojtarëve gjatë 90 minutave.
“Ne u penalizuam nga incidenti në prag të pauzës mes ndeshjeve, dhamë më të mirën nga vetja, andaj komplimentet shkojnë për Interin. Ne donim ta mbanim topin në këmbë, pasi e dinim se nëse luanim me topa të gjatë nuk mund ta luftonim Interin”.
“Ne i urojmë mysafirët. Interi erdhi këtu, luajti ndeshje të mirë dhe fitoi, andaj ne mund t’iu bëjmë komplimente atyre”, ka thënë Ranieri.
Nicolas Anelka raportohet se do të nënshkruajë vazhdim dyvjeçar të kontratës me Chelsean, e cila do ta mbajë atë në Londër deri në verën e vitit 2013.
Guardian shkruan se marrëveshja pritet të zbulohet pas finales së Kupës FA ndaj Portsmouthit që zhvillohet më 15 maj.
Bisedat në mes të Chelseat dhe agjentit të sulmuesit francez janë zhvilluar tashmë një kohë, me kontratën aktuale të Anelkas që skadon në fund të këtij sezoni.
31-vjeçari zbuloi më herët gjatë javës se Chelsea është ‘klubi i parë’ ku ai ishte ndjerë si në shtëpi.
Trajneri i kombëtares së Italisë, Marcello Lippi, është i bindur se Roma ende mund ta mposhtë Interin në garën për Scudeto.
Gialorosët kanë udhëhequr tabelën para se befasisht të mposhten në fushë të vet nga Sampdoria me rezultat 2-1 dhe tash Interi ndjek me dy pikë.
“Ka qenë një turne i shkëlqyeshëm, pjesërisht për faktin se ka qenë një luftë më e ngushtë se në vitet e fundit. Mbi të gjitha, mendoj se duhet të potencohet se gara për Scudeto ende nuk ka përfunduar. Gjithkush thotë se titulli tashmë është përcaktuar, por ka edhe dy ndeshje të mbetura dhe nuk duhet ta harrojmë këtë”, ka thënë Lippi.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se ai ka qenë i ngazëllyer me formën e mbrojtësit Patrice Evra gjatë këtij sezoni.
Ferguson e vendos Evran në rresht me Wayne Rooneyn si performuesit më të mirë të ekipit këtë sezon.
“Mendoj se nëse e shihni mbrojtjen si fillim, çdokush është i vetëdijshëm se katër mbrojtësit tanë janë asgjësuar gjatë sezonit në kohë të ndryshme, dhe vetëm Patrice Evra ka luajtur mirë gjatë gjithë sezonit. Ai është në kategorinë e atyre që kanë pasur një sezon të jashtëzakonshëm”, ka thënë Ferguson.
Sulmuesi i Romës, Luca Toni, ka thënë se ata janë dëmtuar nga zyrtarët në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Italisë përballë Interit.
Francesco Totti u dërgua jashtë loje para se Diego Milito të shënojë një gol për t’i dhënë fitoren minimale Interit, që ia solli edhe trofeun e parë nga tre për të cilët ka luftuar këtë sezon. Roma pati dy ankesa për penalti, së pari gjatë një përballje të Tonit me Walter Samuel dhe një tjetër ndaj Jeremy Menes.
“Ne luajtëm një ndeshje të mirë, por Interi e shënoi atë gol në kundërsulm me Diego Milito dhe nuk krijoi shumë gjëra tjera. Incidentet para golit ishin të dyshimta. Neve nuk na janë dhënë dy penalti, pasi ka pasur kontakt edhe me Jeremy”.
“Kur luajmë me një ekip më prestigjioz, neve nuk ja jepen këto vendime. E gjithë çfarë është dashur ishte një incident i vetëm në favor tonin, për të rihapur ndeshjen. Interi është ekip i fuqishëm, por nuk mbaj mend ndonjë incident të referëve kundër tyre. Në Gjermani top ekipet ndihmohen më pak se në Itali. Këtu referët kanë frikë të dalin kundër ekipeve të mëdha”, ka thënë Toni.
Peter Crouch është i ngazëllyer që ka shënuar golin e fitores së Tottenham në triumfin prej 1-0 në Manchester City.
Crouch gjithmonë ka besuar se Tottenham ka qenë i aftë ta thyejë dominimin e Chelseat, Manchester United, Arsenalit dhe Liverpoolit në top katërsh në sezonet e fundit.
“E kam ditur se kemi një ekip fantastik dhe një ekip që ishte në gjendje të bëjë gjithçka. Por top katërshi ka qenë top katërsh për aq shumë vite, pasi ata kanë qenë më të qëndrueshëm”.
“Për një klub si ne, të depërtosh në top katërsh është një arritje fantastike. Është mbase një prej mbrëmjeve më të mira që kam shijuar”, ka thënë Crouch.
Het-trik nga Cristiano Ronaldo Real Madridi është kthyer nga disavantazhi prej 1-0, për të shënuar fitore prej 4-1 kundër Mallorcas në Ono Stadi, për të shpresuar për ndonjë lëshim të Barcelonës në dy ndeshjet e fundit të sezonit në La Liga.
Të parët në epërsi kaluan vendasit me anë të Aritz Aduriz, i cili u gjet më së miri për të mposhtur portierin Casillas (16’).
Mirëpo epërsia e ishullarëve zgjati vetëm dhjetë minuta, pasi që Cristiano Ronaldo u përkujdes për të barazuar shifrat dhe me rezultat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë u shfaq një Real ndryshe, Los Blancos ishin dominues. Ishte sërish Ronaldo lojtari që krijoi epërsinë e parë të mysafirëve (57’). Në minutën e 72-të, portugezi kompletoi het-trikun e tij për të vulosur dilemën për fituesin.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u përkujdes Gonzalo Higuain, i cili shënoi golin e tij të merituar në këtë ndeshje, duke paraboluar portierin Aouate (82’).
Pas kësaj fitoreje, Reali mban hapin me një pikë prapa Barcelonës, kur dihet se fundjavën që vjen Blaugranët janë mysafirë të Sevillas.