Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ende shpreson se skuadra e tij mund ta ngrejë trofeun e kampionit të Spanjës, duke qenë se Barcelona duhet të luajë kundër Valladolidit që po lufton për mbijetesë.“Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë ta fitojmë titullin. Ne duhet të fitojmë dhe të presim. Barcelona fitoi titullin njëherë në një situatë siç jemi ne, para 17 ose 18 vitesh. Real Madridi është dashur të fitojë ndaj Tenerifes, por pësoi disfatë. Isha shumë i ri, por më kujtohet. U duk e pamundshme për Real Madridin të pësojë disfatë, por pësoi, ndërsa Barcelona e ngriti titullin”.
“Është turp që vetëm një skuadër mund të fitojë titullin, kur dihet që të dyja kanë pasur një sezon fantastik. Barcelona ka përparësinë dhe meriton ta ketë atë. Nuk do të jetë e lehtë ta fitojmë titullin. Gjithçka duket të jetë kundër nesh, por Valladolidi ka për çfarë të luajë, sepse nuk dëshiron të bie në një rang më të ulët. Gjithashtu edhe Malaga ka për çfarë të luajë. Të dyja ndeshjet do të jenë të komplikuara. Shohim çfarë do të ndodhë pas orës 21:00”, deklaroi Casillas për faqen zyrtare të Realit.
Real Madridi i shkon Malagas, ndërsa Barcelona pret Valladolidin, në javën e fundit dhe vendimtare të La Ligas, kurse të dyja ndeshjet zhvillohen të dielën me fillim nga ora 19:00.
Sipas disa raporteve rreth e përqark Italisë, Juventusi është dorëzuar përfundimisht në luftë për të transferuar menaxherin e Liverpoolit, Rafa Benitez.Sky Sport Italia pohon se marrëveshja e arritur është e vdekur, ndërsa e përditshmja sportive torineze Tuttosport shkruan se pas një mbledhje të bordit të Juves, është vendosur që të gjendet një alternativë në vend të Benitezit.
Disa spekulime thoshin se Juventusi është gati të joshë Arsene Wengerin e Arsenalit, sidoqoftë, pak është e mundshme që francezi të kalojë në Olimpico të Torinos, pasi që ka filluar të përgatisë skuadrën e tij për sezonin e ardhshëm.
Sipas Sport, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar se përkundër asaj se ai do të lirohet nga posti i presidentit përfundimisht më 30 qershor, ai në respektim të statutit të klubit, do të fillojë transferimet për forcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.“Çështja e transferimeve u përket Txiki Begiristainit dhe Pep Guardiolës, por sa për mua, besoj se ne duhet të fillojmë që tani transferimin e lojtarëve të rinj”, tha Laporta.
Arsyeja prapa kësaj deklarate mund të jetë çmimi i caqeve të Barcelonës, që pritet të rritet drastikisht pas Botërorit të këtij viti.
Barcelona është lidhur me lojtarë, si David Villa, David Silva, Juan Mata, Cesc Fabregas, Franck Ribery dhe Andrei Arshavin. Burimet brenda klubit katalanas thonë se tashmë ekziston marrëveshja për transferimin e David Villas.
Klubi i Juventusit edhe zyrtarisht ka kërkuar që t’i kthehet Scudettoja e vitit 2006, pasi dërgoi një kërkesë në CONI (Komitetin Olimpik Italian), në FIGC (Federatën Italiane të Futbollit) dhe në Gjykatën Federale.Juventusit iu mor Scudettoja duke iu dhënë Interit për shkak të Calciopolit dhe katër vite më vonë, pas një takimi të bordit të drejtorëve të Juventusit, është vendosur që me anë të një kërkese zyrtare, të kërkohet titulli, që sipas Bianconerëve u takon atyre.
Ky reagim i klubit nga Torino vjen disa javë pas rihapjes së gjyqit të Calciopolit, të skandalit më të madh në histori të futbollit, që ndryshe tani quhet “Calciopoli 2”.
Gjasat që Manuel Pellegrini të mbetet trajner i Real Madridit po zvogëlohen dita ditës, me AS dhe Marca që citojnë El Larguero të ketë raportuar se Jose Mourinho i ka dërguar një ultimatum Real Madridit.“Nëse më dëshironi në pankinë, duhet të më tregoni që tani”, thuhet të jetë ultimatumi i Mourinhos dërguar Florentino Perezit, sipas El Larguero.
Mourinho shpreson që marrëveshja të nënshkruhet hiç më larg se javën e ardhshme, pak orë pasi të zhvillohet finalja e madhe e Ligës së Kampionëve në Bernabeu, ndërsa pak rëndësi ka nëse Interi i fiton të tre titujt.
Mourinho është nën kontratë me Interin deri në vitin 2012 dhe ka një klauzolë prej 7 milionë eurosh në kontratën e tij. I pyetur nëse ai do të vazhdonte të ishte drejtues i pankinës Nerazzure, ‘I Veçanti’ u përgjigj: “Interi po ecën tani vet. Ata mund të ndryshojnë trajnerin, lojtarët dhe të vazhdojnë të ecin përpara”.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, tha se ngritja e titullit të Ligës Premier të dielën, ishte momenti më i mirë i karrierës së tij, ku përveç titullit fitoi dhe këpucën e artë si golashënuesi më i mirë.“Ky është momenti më i mirë që kam pasur që prej se u bëra futbollist profesionist. Ishte sezon fantastik, ne shënuam shumë gola, 103, ndërsa kemi luajtur futboll të mirë, gjë që është me rëndësi për ekipin”.
“Ekipi punoi shumë këtë sezon dhe ata më ndihmuan të fitoj Këpucën e Artë, që gjithnjë do të jetë e veçantë për mua. Është fantastike që e kam okupuar këtë çmim dhe unë ia dedikoj ekipit”.
“Ne mbajtëm identitetin tonë përgjatë sezonit, gjë që është e mirë dhe ky është mesazh për të gjithë njerëzit se sa i fortë është Chelsea. Ne patëm një sezon të mrekullueshëm dhe meritojmë të jemi kampionë”, përfundoi Drogba.
Tottenhami është duke përgatitur një transferim shokues, bëhet fjalë për legjendën dhe kapitenin e Real Madridit, Raul Gonzalez.News of the World pohon se bosi i Spursave, Harry Redknapp, dëshiron të forcojë skuadrën e tij pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve, duke vënë kontaktet e para me agjentin e Raulit, Gines Carvajal, ndërsa shpreson që Reali ta lë kapitenin të largohet si transfer i lirë.
“Rauli gjithnjë ka qenë i interesuar për Ligën Premier. Ai ka biseduar me miqtë si Fernando Morientes dhe Michel Salgado, të cilët e njohin Anglinë, kurse ata e kanë inkurajuar që ai të shkojë atje”, tha agjenti i Raulit.
Raul Gonzalez që tashmë është 32-vjeçar, ka shënuar vetëm 7 gola në 39 ndeshje këtë sezon. Megjithatë, ai ka qëlluar 24 herë portat kundërshtare në vitin 2009.
Mbrojtësi i majtë i Barcelonës, Maxwell, do të mungojë për tri javë për shkak të dëmtimit muskulor të pësuar në takimin përballë Sevillas.Marca njofton se braziliani ka një çarje në kofshën e tij të majtë, lëndim që kërkon së paku tri javë për t’u sanuar. Ky lëndim, do ta mbajë brazilianin jashtë aksionit në sfidën e javës së fundit ndaj Valladolidit.
Lëndimi i Maxwellit koincidon me rikthimin e Eric Abidalit nga një lëndim gjashtëjavor. Francezi pritet ta zëvendësojë Maxwellin në ndeshjen e të dielës ndaj Valladolidit në Camp Nou.
Barcelona ka hartuar dy plane për të arritur transferimin e Cesc Fabregasit nga Arsenali.Sport shkruan se Barca do të intensifikojë përpjekjet për transferimin e spanjollit javën e ardhshme, menjëherë pas përfundimit të sezonit në La Liga.
Barcelona dëshiron të ofrojë 40 milionë funte për kapitenin e Topçinjve. Sidoqoftë, kjo ofertë do të binte shpejtë në ujë, kur dihet se oferta fillestare duhet të jetë 50 milionë funte, aq sa kërkojnë drejtuesit në Emirates.
Plani B është të bëjë ofertë në formë të hollash plus një lojtar për Fabregasin. Barcelona është e gatshme të japë 25 milionë euro plus Yaya Touren për asin e Topçinjve.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka zbuluar planet e tij pas përfundimit të karrierës si lojtar, duke thënë se ai do të dëshironte të bëhej menaxher dhe të menaxhojë Chelsean.“Më pëlqen ideja e të qenit menaxher. Më duhet të marr certifikimet e duhura dhe ky është proces i gjatë, të cilën jam duke e harruar fare. Por, kur të vjen koha dhe vullneti për ta bërë këtë, unë natyrisht se atëkohë do të jem i pensionuar, sepse më pëlqen të jem menaxher”.
“Kam pasur fat të punoja me gjithë këta menaxherë të mirë dhe unë kam mësuar shumë nga disa, pak nga të tjerët dhe kështu po mendoj t’i bashkoj këto njohuri. Do të doja të drejtoja Chelsean, por ndoshta ka aq shumë njerëz që duan ta drejtojnë Chelsean, kështu që, kush e di?”, deklaroi Lampard për ESPN.
Bayern Munichu duket se mezi pret të sigurojë shërbimet e boshnjakut Edin Dzeko, kësaj radhe si shkëmbim me të dështuarin Mario Gomez.Sipas një raporti nga Bayern 3, kampioni i Bundesligas është në përgatitje të një oferte për Wolfsburgun, ku përfshihen shërbimet e Mario Gomezit plus 10 milionë euro dhe thuhet se një ofertë e tillë do të pranohej menjëherë.
Gomez ka dështuar të shkëlqejë në fanellën e Bayernit pas transferimit në verën e vitit 2009, ndërsa Dzeko ishte fenomenal me 49 gola në 66 paraqitje për Wolfsburgun. Klube si Chelsea, Juventus, Milan dhe Real Madrid janë gjithashtu të interesuara për 24-vjeçarin Dzeko.
Marco Van Basten përfundimisht ka hedhur poshtë mundësinë e drejtimit të Milanit, duke thënë se ai nuk është ende gati për këtë post.“Unë nuk jam gati sepse kam një problem me gjurin tim, të cilin duhet ta rregulloj. Unë nuk mund të marr tani një punë të rëndë siç është të jem trajner i Milanit”, tha Van Basten për Sky Sport 24.
Në ndërkohë, Il Corriere dello Sport në suplementin e mëngjesit pohoi se Galliani do të preferonte partneritetin Mauro Tassotti/Filipo Galli si zëvendësues të Leonardos.
Mediat italiane kanë filluar të parashikojnë një ‘tërmet’ në rrafshin e afatit kalimtar veror, duke spekuluar në mënyrë sensacionale mbi lëvizjet e njerëzve më me ndikim në botën e futbollit.Sipas La Gazzeta dello Sport, Interi thuhet se tashmë ka filluar të hedhë kontaktet e para me trajnerin e Anglisë, Fabio Capello, si alternativë për zëvendësimin e Jose Mourinhos, ndërsa ky është në rrugë për në Bernabeu, mirëpo nëse i fiton të tri titujt.
Ishte vetë Massimo Moratti ai që aludoi se e ardhmja e Mourinhos tek Interi nuk është e sigurt, duke thënë: “E ardhmja e Mourinhos? Të shohim pas ndeshjeve të fundit çfarë do të ndodhë”.
Në ndërkohë, Tuttosport po spekulon se Rafa Benitez mund të qëndrojë në Anfield, kurse po e njëjta gazetë shkruan se Arsene Wenger është tani opsioni numër një në Olimpico të Torinos. Nga ana tjetër kandidatë të fortë janë dhe Cesare Prandelli i Forentinas dhe Luigi Del Neri i Sampdorias.
Sipas mediave portugeze marrëveshja e përfolur e arritur mes zyrtarëve të Benficas dhe atyre të Real Madridit për Angel Di Marian, në fakt ende nuk është arritur.Benfica nuk është aspak e interesuar të shesë yllin e saj për një çmim të ulët, duke kërkuar hiç më pak se 40 milionë euro për të.
Megjithatë, Real Madridi nuk dëshiron të paguajë më shumë se 34 milionë euro, duke u dhënë hapësirë skuadrave si Manchester City dhe Chelsea t’ua prishin punët Merengezëve.
Di Maria ka kaluar nëpër një formë fantastike këtë sezon, duke qenë njeriu kryesor për titullin e fituar nga Benfica në Kampionatin portugez. Përkundër konkurrencës së madhe në kombëtaren argjentinase, Di Maria pritet të zë vend në të dhe pritet që të shkëlqejë në Botëror.
Kapiteni i Romës, Francesco Totti, është dënuar me katër ndeshje suspendim për shkak të reagimit josportiv ndaj Mario Balotellit në finalen e Kupës së Italisë.33-vjeçari goditi Balotellin në mënyrë të qëllimshme gjatë finales së Kupës së Italisë dhe u përjashtua nga kjo ndeshje për këtë reagim të tij. Totti është dënuar me katër ndeshje moslojë dhe do të mungojë në ndeshjen e vikendit ndaj Chievos, që mund të jetë vendimtare për titullin e Serie A.
Gialorosët vazhdojnë të qëndrojnë dy pikë prapa Interit dhe mund të arrijnë te Skudetoja vetë nëse fitojnë në Verona ndërsa Interi humb nga Siena.
Krahas Tottit dënime nga federata italiane e futbollin kanë marrë edhe Mario Balotelli dhe Cristian Chivu, të cilët nuk do të luajnë në ndeshjen e fundit të sezonit. Balotelli është suspenduar për shkak të reagimit ndaj arbitrave, ndërsa Chivu për shkak të gjesteve të pa tolerueshme ndaj fansave të Romës.
Fansat e Romës janë dënuar me 40 mijë euro për shkak të tollovisë së krijuar, ndërsa drejtori i Interit, Gabrielle Oriale po ashtu do të paguajë 15 mijë euro.
Carlo Ancelotti është i ngazëllyer pas shpalljes së Chelseat kampion i ri i Anglisë, dhe ka thënë se edhe pse ekipi është ‘i moshuar’ ata kanë kapacitet për të fituar edhe më shumë trofe.“Mendoj se ky klub do të ketë të ardhme pasi këta lojtarë nuk janë aq të moshuar dhe ne kemi një ekip shumë të mirë për vitin e ardhshëm dhe vitet tjera që do të pasojnë”.
“Ne patëm një sezon fantastik, jo vetëm duke fituar Ligën Premier, por pasi treguam një stil të mirë në fushë. Pas një viti, shpresoj të qëndroj këtu për shumë kohë dhe të fitoj shumë tituj”.
“Është një moment fantastik. E mbaj mend çdo fitore, pasi çdonjëra qëndron në mendjen tuaj. Jam i lumtur që e kam arritur këtë në sezonin tim të parë këtu. Kam pasur shumë ndihmë pasi kam gjetur një ekip dhe një klub fantastik. Andaj ka qenë më lehtë për mua ta jap më të mirën”, ka thënë Ancelotti.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, dëshiron të mbajë në Eastlands dyshen sulmuese Craig Bellamy dhe Carlos Tevez.Bellamy është lidhur me një transferim në Tottenham, derisa Real Madrid është i interesuar për Tevez.
“Craig dështoi në West Ham pasi lëndoi gjurin kundër Tottenhamit. Pres që ai të jetë lojtar i Cityt edhe sezonin e ardhshëm. Carlos do të jetë këtu po ashtu. Nuk ka probleme me të. Ai dëshiron të qëndrojë në City dhe të fitojë”, ka thënë Mancini.
Pasi krijoi shpejtë e shpejtë një vepër artistike ndaj Chievos në fitoren e Interit prej 4-3, Diego Milito thotë se ka filluar të mendojë vetëm për Sienën, sepse kjo sfidë do të jetë finale e vërtetë.“Unë jam i kënaqur me golin tim, por para së gjithash me fitoren e arritur. Tash jemi të fokusuar vetëm në finalen që na pret në Siena”.
“Është turp që kemi pasur rënie të formës në mes të sezonit, por me rëndësi është që jemi rikthyer mirë. Unë ndjehem në formë të mirë përkundër disa çalimeve të vogla dhe jam gati të jap gjithçka për kapitullin e fundit të sezonit”, deklaroi Milito për faqen e enterit Inter.it.
Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, thotë se ai është i dëshpëruar që ekipi i tij është renditur i dyti këtë sezon në Ligën Premier prapa Chelseat, pasi kishte preferuar të fitojë edhe titullin e katërt radhazi në ligë, si sukses të tij të fundit.“Ishte shumë e dhimbshme në pauzën mes pjesëve kur kuptova se Chelsea avanconte 3-0. Ishte vështirë, është një ditë e dëshpëruar sot. Mund t’i uroj të gjithë bashkë-lojtarët e mi pasi nuk ka qenë lehtë këtë vit dhe të përfundosh në pozitën e dytë është mirë”.
“Por ky nuk është mentaliteti im. Gjithmonë kam thënë se nëse nuk përfundojmë të parët në ligë, do të ndjehem sikur nuk e kam bërë punën time mirë në United. Kur luani për United gjithmonë duhet të fitoni. Jam këtu për katër vite dhe kjo është hera e parë që nuk e kam fituar ligën. Ndjehem çuditshëm. Sot, është një ditë shumë, shumë e dëshpëruar për mua”, ka thënë Evra.
Duke luajtur me syrin e djathtë po thuajse të mbyllur, Steve Nash ka ndihmuar ekipin e tij Phoenix të arrijë në finalen e Konferencës Perëndimore, pasi Suns mposhtën San Antonio Spurs me rezultat 107-101.Nash, i cili lëndoi syrin gjatë një përplasje me Tim Duncan gjatë çerekut të tretë, shpejt u dërgua në dhomën e zhveshjes për të marrë ndihmë dhe për t’u rikthyer me fashë në sy dhe për të shënuar 10 nga 20 pikët e tij në çerekun e katërt. Amare Stoudemire shënoi pikët më të larta për Phoenix, 29.
Fitorja është e katërt për Suns në po aq ndeshje dhe i kualifikon ata në finalen e Perëndimit pa pasur nevojë të zhvillohen të shtatë ndeshjet. Në finale ata do të takohen me fituesin e gjysmëfinales tjetër, Los Angeles Lakers ose Utah Jazz.
Në Konferencën Lindore, Boston Celtics nuk është dorëzuar para Cleveland Cavaliers, duke shënuar fitore 97-87 në ndeshjen e katërt mes tyre për të barazuar në 2-2 rezultatin e ndeshjeve. Cleveland Cavaliers tash do të jenë nikoqirë në takimin e pestë mes tyre që zhvillohet të martën.
Trajneri i Milanit, Leonardo, pati fjalë jo të mira për paraqitjen e futbollistëve të tij, duke thënë se ajo ishte e një niveli të dobët, por shton tash po mendon vetëm se si ta mposht Juventusin.“Ishte një ndeshje jo reale dhe më vjen keq për një të diel të tillë. Paraqitja jonë ishte katastrofë. Unë madje ngurova të them diçka rreth kësaj sfide. Sot ne luajtëm në një nivel të dobët, duke vuajtur ndaj një Genove befasuese”.
“Ne po mendojmë për të dielën e ardhshme. Milan-Juve është gjithnjë një ndeshje e madhe për t’u përjetuar. Jam krenar që jemi kualifikuar në Ligën e Kampionëve”, tha Leonardo pas ndeshjes ndaj Genoas.
Drejtori sportiv i Real Madridit, Jorge Valdano duket se nuk dëshiron të dorëzohet pasi ka thënë së fundi se skuadra e tij do të luftojë deri në momentin e fundit për të fituar La Ligën.“Përderisa ka pak shenja shprese, ne vazhdojmë të jetojmë me to. Është e qartë që opsionet tona janë minimizuar, por ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të jemi në gjendje për ta bërë këtë. Ne mund të përqendrohemi vetëm në atë çfarë po ndodh në ndeshje. Unë isha më shumë i fokusuar në atë se çfarë po bëjmë në takimin tonë, kurse Sevilla më interesoi vetëm pasi përfundoi takimi ynë”.
“Kjo luftë është e mirë për Spanjën dhe për kampionatin. Ne luajmë ndaj Malagas dhe Valladoidi duhet të udhëtojë në Camp Nou, gjithçka është e mundshme sepse frika dhe nervat mund të luajnë rolin e tyre”, përfundoi Valdano.
Përderisa Juventusi po vazhdon me humbjet e njëpasnjëshme, kapiteni legjendar Alessandro Del Piero ka përmendur incidentet para fillimit të takimit, duke thënë se të tilla gjëra nuk është dashur të ndodhin.“Ka shumë tension tani për tani. Kjo është për shkak të pakënaqësisë me paraqitjet tona, të cilat kuptohet se nuk janë pritur mirë nga tifozët”.
“Është normale kur nuk arrini atë që është pritur, njerëzit të ndjehen të zhgënjyer. Megjithatë, nuk është normale kur hidhen mjete piroteknike në prani të fëmijëve”, ka thënë Del Piero për Sky Sport pas ndeshjes.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ishte jashtë mase i zhgënjyer me dështimin e skuadrës së tij për ta fituar titullin, por u tregua i drejtë dhe përgëzoi rivalët që e fituan titullin.Ferguson po ashtu ka thënë se lëndimi i sulmuesit kryesor të ekipit, Wayne Rooney, nuk është aq serioz dhe se ai mund të luajë në Kampionatin Botëror.
“Ai e ka lënduar nyjen përsëri. Nuk mendoj është serioze. Mendoj se ai do të jetë i gatshëm për Anglinë”.
“Ne e dimë se është e vështirë të fitohet Liga Premier, prandaj ne përgëzojmë Carlo Ancelottin dhe ekipin e tij, është një arritje e madhe të mposhtësh Manchester Unitedin. Për më shumë, jam i kënaqur me përkushtimin e futbollistëve të mi dhe të tifozëve të cilët ishin të mrekullueshëm. Unë nuk kam ankesa”, theksoi për Sky Sports, Fergie.
“Zhgënjimi më i madh është eliminimi nga Bayerni i Munichut në çerekfinale. Ne është dashur të luajmë në Madrid, por nëse nuk keni pak fat atëherë gjithçka shkon mbrapsht për ju”.
“Natyrisht, të jemi aq pranë titullit na shtyn të mendojmë për të tentuar përsëri. Duhet të ndryshohet kjo strukturë e klubit, kemi disa lojtarë të rinj, kemi lojtarë të rinj të forcuar, por mendoj se duhen bërë një ose dy ndryshime të vogla”, përfundoi Ferguson.
Menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka filluar të mendojë menjëherë për synimet e se ardhmes, duke thënë se ai e ka për qëllim të bëjë atë që bëri edhe Mourinho.“Mendoj se Mourinho bëri një punë të shkëlqyer këtu. Ai fitoi dy tituj me radhë këtu. Ky është titulli im i parë dhe shpresoj se do të bëj të njëjtën gjë si Mourinho”.
“Ishte fantastike, unë bëra më të mirën për këtë klub. Kam gjetur një atmosferë fantastike në këtë klub, me këta tifozë. Mendoj se merituam të fitojmë titullin. Jemi shumë të kënaqur”, deklaroi Ancelotti pasi skuadra e tij ‘shkeli’ Wiganin.
Agjenti i sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka mirëpritur spekulimet se Ibra mund të rikthehet te Juventusi, duke thënë se asgjë nuk është e pamundshme.Ibrahimovic u largua drejt Interit në vitin 2006 për shkak të Calciopolit, ndërsa kaloi te Barcelona nga Interi në një transferim marramendës. Ibra nuk ka qenë në formën më të mirë, duke marrë kritika nga të gjitha anët, që është tani shkak për spekulimet më të reja para merkatos verore.
“Është normale që Juventusi dëshiron emra të mëdhenj për të ringjallur klubin, dhe Zlatan Ibrahimovic është njëri prej futbollistëve më të mirë në botë”.
“Për mua, asgjë nuk është e pamundshme në jetë. Nëse jo asgjë, këtë rikthim do të doja ta shndërroja nga të pamundshëm në të mundshëm”.
“Përkundër asaj se të gjithë flasin, Ibras i pëlqen Barcelona dhe ai do të luajë atje edhe për një kohë të gjatë. Ibra kurrë nuk është detyruar të largohet. Ishte gjithmonë ai që vendosi se kur dhe ku të largohet, apo kur të rinovohet kontrata. Kështu që, në pyetjen se kur do të largohet, më mirë pyeteni atë, sepse ai do ta zgjidh këtë dilemë”, deklaroi Mino Raiola për Tuttosport.
Roma ka arritur të shtyjë festën e Interit, kur riktheu në mënyrë sensacionale rezultatin, ndërsa trajneri Claudio Ranieri nuk humb shpresat një javë para fundit të Serie A.“Ne duhet të vazhdojmë kështu deri në fund. Interi është rival stratosferik, por ne bëmë mirë që i kemi detyruar të luftojnë deri në javën e fundit”.
“Unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si është përgjigjur sot në fushë Francesco Totti, pas reagimeve dhe gabimeve gjatë finales në Coppa Italia”, u shpreh Ranieri.
I pyetur nga gazetarët se çfarë mendon për kritikat e Mourinhos që tha se Ranieri u dha lojtarëve të shikojnë filmin “Gladiatori”, për shkak të agresivitetit të tyre, Ranieri në mënyrë ironike u përgjigj: “Ua kam dhënë filmin ‘Donald Duck’”.
Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ende mendon se skuadra e tij do të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, përkundër faktit se një javë para fundit, Palermo ka një pikë më pak se Sampdoria.“Unë po ndjehem mirë pas këtij rezultati dhe jam i bindur se ne do të luajmë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Është barazim i mirë dhe rezultat i drejtë për ne”.
“Shumë ka qenë në lojë sot për të parë një takim të mirë. Jam i bindur se Sampdoria do të barazojë me Napolin dhe ne do ta mposhtim Atalantën për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”, tha Zamparini pas takimit Palermo-Sampdoria që përfundoi me barazim.
Me që jemi te Atalanta, kjo e fundit tashmë ka ‘siguruar’ kalimin në një rang më të ulët, Serie B.
















