Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka shprehur hidhërimin e tij me përzgjedhësin e Argjentinës, Diego Maradona, i cili siç dihet ka lënë në shtëpi dyshen e hekurt të Interit, Zanetti-Cambiasso.“Unë nuk dua të mendoj se Maradona nuk i ka ftuar ata në Botëror, për t’ia bërë një të mirë Interit. Në fakt, unë jam i lënduar sikurse vet ata, sepse e di sa kujdesen për kombëtaren. Ata merituan të ftohen. Është vërtet një vendim i çuditshëm, duke marrë parasysh sezonin e tyre fantastik”.
“Unë jam i lumtur për Militon dhe Samuelin, por jam ende i zhgënjyer për dy të tjerët që duhet të qëndrojnë në shtëpi”, përfundoi Moratti.
Andres Iniesta më në fund do t’i rikthehet Barcelonës në ndeshjen vendimtare ndaj Valladolidit këtë fundjavë.Barcelona duhet patjetër të mposhtë Valladolidin nëse dëshiron të fitojë titullin, ndërsa Valladolidi po lufton për mbijetesë. Çdo rezultat tjetër pos fitores, do të thoshte se Reali është kampion i Spanjës (nëse fiton ndaj Malagas), kurse rikthimi i Iniestas vjen në momentin e duhur.
“Shpresoj të luaj të dielën. Unë jam kënaqur me bashkëlojtarët këtë sezon, ndërsa tani jemi në fund dhe duhet të konsolidohemi për ta ngritur titullin”, ka thënë Iniesta.
Interi është duke përgatitur një ofertë luksoze për legjendën e Liverpoolit, Steven Gerrad.The Mirror pohon se gjiganti italian e ka përcaktuar mesfushorin anglez si synimin kryesor për këtë afat kalimtar veror.
Massimo Moratti dëshiron ta mbajë Jose Mourinhon në Meazza dhe për këtë i ka premtuar portugezit lojtarë të mëdhenj gjatë afatit kalimtar veror, në mënyrë që ta bëjë Interin forcën dominuese në Evropë.
Kapiteni i ‘të kuqve’ nuk është aspak i kënaqur me pronarët e Liverpoolit dhe progresin e skuadrës, gjë që mund të ndikojë në realizimin e planeve të Interit.
Steven Gerrard nuk është emri i vetëm i lakuar në merkaton e Interit. Bacary Sagna është cak tjetër i zikaltërve, në mënyrë që të rinohet krahu i majtë i skuadrës italiane.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, dëshiron të ribashkohet me sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibramovic.Daily Express shkruan se City po planifikon transferimin e Ibrahimovicit që dështoi te Barca, ndërsa Mancini po përgatit një ofertë prej 40 milionë funtesh për sulmuesin suedez.
Ibrahimovic, që u transferua te Barcelona për 57 milionë funte verën e kaluar, ka dështuar të tregojë vlerën e tij në Camp Nou, por vazhdon të nxisë interesimin e ish-trajnerit tek Interi, Roberto Mancini.
Synimi i radhës për Manchester Unitedin duket se është sulmuesi i Milanit, Marco Boriello.Sipas burimeve nga Italia, kohëve të fundit Boriello ka rënë në sy të menaxherit Sir Alex Ferguson, ndërsa me Dimitar Berbatovin pranë largimit, Ferguson është në kërkim të zëvendësuesit që do të luajë përkrah Wayne Rooneyt.
Boriello ka shënuar 14 gola për Milanin këtë sezon, ndërsa gjiganti italian duhet të shesë futbollistë për të bërë baraspeshën ekonomike të fundsezonit.
Edhe pse menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger dhe vetë Cesc Fabregas kanë mohuar një largim të mundshëm të spanjollit nga Emirates, është lojtari ai që i ndez spekulimet, duke pranuar se nëse largohet nga Topçinjtë dëshiron të transferohet te Barcelona.“Nëse vendos të largohem nga Arsenali, atëherë unë do ta vesh fanellën e Barcelonës. Se kur do të ndodhë kjo, nuk e di. Jam shumë i lumtur tek Arsenali. Nuk po nxitoj të largohem nga klubi”.
“Unë dua të marr një vendim për të ardhmen para fillimit të Botërorit. Është e pamundshme të fokusohesh plotësisht në një garë të tillë, kur nuk je i përqendruar në aspektet e lojës. Nuk dua të pengohem nga spekulimet e tregut të transferimeve”.
“Barcelona po vazhdon ende garën për titull në La Liga, ndërsa unë jam ende lojtar i Arsenalit. Do të ishte mungesë respekti të flisja për një transferim që tani. Asnjë kandidat për postin e presidentit të Barcelonës nuk më ka kontaktuar”, ka thënë Fabregas për Marca.
Trajneri i Argjentinës, Diego Maradona, nuk pendohet aspak për mohimin e shërbimeve të dyshes së Interit, Esteban Cambiasso dhe Javier Zanetti, ndërsa është i nervozuar me ata që e kishin vënë në pikëpyetje skuadrën e zgjedhur nga ai.“Më vjen keq vetëm për Fernando Gagon. Ai ishte njëri prej djemve të mi, por ai luajti shumë pak këtë vit dhe ky është shkaku pse nuk e ftova”.
“Nuk ka asgjë të çuditshme dhe asgjë për t’u sqaruar për mosthirrjen e Javier Zanettit. Kjo ishte e vendosur që moti. Sa për Cambiasson, është tregim i njëjtë”.
“Unë do të mbes përzgjedhës i Argjentinës, sepse që nga koha kur unë erdha në krye të detyrës, unë e bëra një plan, jo vetëm për Botërorin, por edhe për Copa America ”, përfundoi Maradona.
John Terry do të jetë i gatshëm për finalen e FA Cup që zhvillohet të shtunën në Wembley, ndërsa konfirmohet pjesëmarrja e tij në Kampionatin Botëror, pas alarmit të rrejshëm dje (e mërkure), kur u pohua se Terry theu ashtin metatarzal.“Jam 100% i gatshëm. Unë shkova të ekzaminohem dhe pata vërtet dhimbje të mëdha, mirëpo pas disa orësh u çlirova dhe tani jam më mirë. Nuk ka thyerje, asnjë ligament të dëmtuar, vetëm një gërvishtje e vogël në këmbë”.
“Unë jam frikësuar se do të mund të mungoja në Botëror, por fatmirësisht do të jem i gatshëm”, deklaroi Terry.
Andrei Arshavin dhe Gael Clichy janë në krye të listës prej tetë lojtarëve që pritet të largohen gjatë verës nga Emirates.William Gallas, Tomas Rosicky, Eduardo, Philippe Senderos, Mikael Silvestre dhe Fran Merida gjithashtu dëshirojnë largimin nga Emirates, ndërsa kjo është vetëm çështje kohe.
Përkundër faktit se Wenger dëshiron t’u ofrojë që të gjithëve kontrata të reja, duket se nuk ka gjë që mund t’i bindë lojtarët të largohen. Rast konkret është Andrei Arshavin që publikisht ka pranuar se dëshiron të largohet nga Arsenali për të shkuar te Barcelona.
Kjo për shkak se rusi nuk është i kënaqur me përparimin e klubit nga Emirates dhe për shkak të taksës prej 50% nga paga e tij javore prej 70 mijë funtesh.
Megjithatë, nga shtabi i Arsenalit pritet merkato e nxehtë, si nga ana e të larguarve, ashtu dhe nga ana e atyre që pritet të sillen nga Wenger.
Strategu i Interit, Jose Mourinho, edhe një herë ka mohuar se ai ka marrëveshje me Real Madridin, por ka pranuar se në të ardhmen do ta drejtojë klubin mbretëror.Portugezi vazhdimisht është duke u përfolur për një kalim në Real Madrid dhe shumica janë të bindur se ai edhe do të largohet nga Interi në fund të këtij sezoni për të kaluar në Santiago Bernabeu.
Por vetëm Mourinho edhe një herë ka mohuar se është në rrugë për të kaluar në Real, por nuk e ka mohuar se në të ardhmen kjo mund të ndodhë.
“Ajo që shkruhet për mua, se me një këmbë jam në Madrid dhe me tjetrën në Milano, nuk është e vërtetë. Më herët ose më vonë do të jem trajner i Real Madridit. Kam qenë në një klub të madh në Angli, jam në një klub të madh në Itali dhe dua të jem në një klub të madh në Spanjë”, ka thënë Mourinho.
Sol Campbell dëshiron ta ripërtëri marrëveshjen me Arsenalin dhe beson se ai mund t’i ndihmojë ekipit për të sjellë trofe në Emirates Stadium.Veterani befasoi të gjithë kur në janar u rikthye në Ligën Premier me Arsenalin, pas një aventure të shkurtër në Notts County. 35-vjeçari tash synon të vazhdojë kontratën me topçinjtë.
“Sigurisht se dua të qëndroj. Dua të mbetem dhe ta jap maksimumin, së paku edhe një vit. Besoj se mund të luaj dy, por menaxheri kurrë nuk e jep këtë. Ne gjithmonë duam diçka më shumë”, ka thënë Campbell.
“Nëse fitoj edhe një vit tjetër, do të punoj me ngulm çdo ditë me qëllim që ta ndihmoj Arsenalin të fitojë dhe ta kthejë namin”, ka shtuar anglezi.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ata do të luftojnë për titullin e Ligës Premier sezonin e ardhshëm.“Ne përfunduam në pozitën e pestë këtë sezon por po, është e mundshme të dalim mbi të gjitha këta ekipe të cilat kanë përfunduar mbi ne. Këtë sezon e kemi mposhtur Chelsean dy herë, kemi barazuar me Liverpoolin dy herë dhe kemi mposhtur Arsenalin”.
“Kemi humbur nga Tottenham dhe Manchester United, por ishim gjithmonë në të njëjtin nivel. Këta janë top ekipet të cilat kanë luajtur në Ligën e Kampionëve, por ne ishim më të fuqishëm kundër tyre dhe ishim të gatshëm të arrijmë mentalitetin e tyre. Kjo është e rëndësishme”, ka thënë Mancini.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, thotë se ai do të dëshironte që Fernando Torres të arrijë në Stamford Bridge.Drogba, i cili fitoi këpucën e artë këtë sezon, ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyeshme me partnerin tij të sulmit, Nicolas Anelka, por nuk e ka fshehur dëshirën se dëshiron ta shohë Torresin si partner.
“I kam dëgjuar zërat se Torres mund të arrijë dhe do t’i dëshiroja mirëseardhje. Gjithmonë kur vjen një futbollist i ri, kjo e bën ekipin edhe më të madh dhe na jep më shumë fuqi. Nëse ai ka shans të vijë këtu, do të jetë i mirëseardhur, pasi çdo ndihmë është e mirëseardhur”, ka thënë Drogba.
Drogba ka shënuar 84 gola në Ligën Premier në 166 paraqitje me Chelsean. Këtë sezon ai shënoi 29 vetëm në Ligën Premier, tre prej të cilave në ndeshjen e fundit të ligës, kur Chelsea shkatërroi Wiganin me rezultat 8-0.
Agjenti i Douglas Maicon nuk mund të garantojë qëndrimin në Inter të mbrojtësit brazilian.Chelsea, Manchester City dhe Real Madrid që të gjithë janë në kërkim të Maicon, i cili po kalon një formë të shkëlqyer dhe ka rastin të fitojë tre tituj me Interin këtë sezon.
“Futbolli është një ndeshje e vjetër argëtuese dhe gjithçka mund të ndodhë. Nuk mund të them për momentin se ai do të qëndrojë 100% në Inter, edhe pse ai është i lumtur në ekip dhe trajneri e admiron atë”.
“Për momentin Maicon është i fokusuar vetëm në dy ndeshjet e mbetura me Interin. Ai ka shans të fitojë tre tituj dhe nuk dëshiron të lejojë që ky rast t’i ikë. Ai është shumë i ndezur, pjesërisht për shkak të ftesës nga Brazili për Kupën Botërore”, ka thënë agjenti i tij, Antonio Caliendo për Sky Sport Italia.
Klubi spanjoll Valencia ka konfirmuar se ata kanë arritur marrëveshje me Galatasaray për të transferuar mesfushorin Mehmet Topal.Transferimi tash varet nëse 24-vjeçari do t’i kalojë testet mjekësore dhe të arrijë marrëveshje për kushtet personale.
Me edhe një ndeshje të mbetur, Valencia tashmë e ka të garantuar pozitën e katër pavarësisht rezultatit. Valencia mbetet 27 pikë prapa pozitës së dytë në tabelë, ku ndodhet Real Madrid, dhe tetë pikë mbi pozitën e katërt, ku ndodhet Sevilla.
Mesfushori i Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger, ka dhënë shenja se ai mund të mos jetë pjesë e kampionit të Bundesligës për sezonin e ardhshëm.Schweinsteiger së fundi është lidhur me një largim nga Bayerni dhe është spekuluar se Chelsea është duke u interesuar për të.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas Kupës Botërore. Jam vërtet i lumtur që kemi pasur një sezon kaq të mirë, por të them tash se gjithmonë do të luaj për Bayern Munichun do të jetë gabim”, ka thënë Schweinsteiger.
Michael Ballack synon të sigurojë kontratën e re me Chelsean para se të fillojë Kupa Botërore, Afrika e Jugut 2010.Mesfushori gjerman do të jetë pa kontratë gjatë kësaj vere dhe ende po diskuton vazhdimin e saj me kampionin e ri të shpallur të Ligës Premier. Klubi më herët gjatë javës bëri të ditur se nuk do të ketë negociata deri pas fundit të finales së Kupës FA që Chelsea e zhvillon të shtunën kundër Portsmouth.
“Roman Abramovich do të zhvillojë diskutime për kontratat sapo të përfundojë sezoni. Nuk dua ta gjykoj këtë dhe duhet ta pranoj. Por gjithçka bëhet më e vështirë me kalimin e kohës”, ka thënë Ballack.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, synon të përforcojë mbrojtjen gjatë kësaj vere, pasi ka thënë se paraqitjet e ekipit të tij në mbrojtje kur pranoi 41 gola në ligë këtë sezon, kanë qenë ‘mesatare’.Dështimi për të triumfuar në garat vendore dhe eliminimi në Ligën e Kampionëve nga Barcelona këtë vit, do të thotë se Arsenali tashmë ka mbledhur pesë sezone pa fituar trofe.
“Nëse e ndani sezonin në dy – në sulm kemi qenë shumë të mirë, por në mbrojtje kemi qenë mesatar. Kur pranoni 40 gola, nuk e fitoni kampionatin dhe dua ta korrigjoj këtë”.
“Mënyra ime e punës këtë verë do të jetë të vazhdoj ta përmirësoj sulmin, të shtoj një lojtarë, dhe të përforcoj më shumë mbrojtjen e ekipit tonë”, ka thënë Wenger.
Olympique Marseille dëshiron të fillojë negociatat me Manchester City për anësorin brazilian Robinho.Robinhos i është shpërblyer huazimi në Santos duke e gjetur veten në listën e kombëtares së Brazilit për Kupën Botërore dhe nguron të kthehet në City sezonin e ardhshëm.
Direct Sport shkruan se trajneri i Marseille, Didier Deschamps, dëshiron ta sjellë Robinhon në Francë dhe gjiganti francez shpreson të arrijë marrëveshje huazimi me Cityn para Kupës Botërore.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, po tenton të jetë sa më i thjeshtë dhe i durueshëm pas ‘masakrës’ së Dungas, me ç’rast Pato nuk do luajë në Botërorin e këtij viti.“Kampionati Botëror? Po, unë besoja në të deri në momentin e fundit…Është turp për Dungan, por jam ende i ri”.
“Unë do të punoj shumë, në mënyrë që të jem gati për Brazilin në Botërorin e vitit 2014”, theksoi Pato për Il Corriere dello Sport.
Mesfushori francez, Patrick Vieira, nuk kishte fjalë të mira për përzgjedhësin francez, Raymond Domenech, pasi që ky i fundit e ka lënë në shtëpi Vierian, përkundër përvojës së tij të madhe në fanellën e kombëtares franceze.“Përderisa kombëtarja ka kriteret e veta, unë e pranoj këtë vendim pa kurrfarë problemi. Sidoqoftë, unë nuk kam marrë një telefonatë nga ai qe gjashtë muaj, përkundër faktit se kam pasur marrëdhënie të mira me të edhe kur ai ishte në telashe. Duke parë numrin e paraqitjeve të mia (107) dhe vitet e kaluara në kombëtaren franceze, unë do të doja më shumë respekt, një telefonatë”.
“Tani e kam mbyllur kapitullin e kombëtares franceze. Unë do të preferoja që ai të më thoshte: ‘Ti nuk e ke më nivelin e duhur dhe ka lojtarë më të rinj që luajnë më mirë se ti’. Mourinho e bëri këtë tek Interi dhe unë e pranova”.
“Ta zbuloja këtë në momentin e fundit, para televizorit, kjo lloj mosmençurie, mungesë e klasit, amatorizmi, janë gjërat që më prekën më shumë. Por, kjo nuk do të fshijë kujtimet e momenteve të bukura që i kalova në fanellën franceze. A do ta përfundoj karrierën? Jo. Unë jam i sigurt se nuk do ta përfundoj karrierën”, deklaroi Vieria për Canal +.
Përzgjedhësi i Brazilit, Carlos Dunga, ka sqaruar motivet prapa thirrjeve të tij në listën para Botërorit të këtij viti në Afrikën e Jugut, listë që ka zgjuar vëmendjen e mbarë opinionit futbolldashës.Dunga para të gjithë të tjerëve ka publikuar listën e tij përfundimtare prej 23 futbollistëve, me ç’rast, ai nuk ka ftuar emra të mëdhenj si Adriano, Ronaldinho dhe Alexandre Pato.
“Duhet t’i shikoni lojtarët në kombëtare. Lojtari në klub dhe në kombëtare nuk është i njëjtë. Adriano ka pasur një numër rastesh për t’u kthyer nga situatat jo të mira të tij, por ka ardhur koha kur është dashur të marrim një vendim racional në të mirë të grupit. Ka futbollistë që luajnë vetëm pesë minuta dhe shfrytëzojnë rastin. Grafite bëri këtë, kurse ai është i ngjashëm me Adrianon”.
“Neymar dhe Paulo Henrique? Pse nuk më keni pyetur në dhjetor? Ose në janar, ose në shkurt?! Njerëzit thonë që është dashur t’i ftoj për të fituar përvojë në mënyrë që të përgatiten para Botërorit të vitit 2014. Por, mua më duhet të fitoj tani. Unë bëra shaka me asistentin tim Jorginhon, kur i thashë se është e drejtë që t’i ftojmë bijtë tanë për t’u dhënë përvojë. Ata janë lojtarë të talentuar, por ishin zëvendësues në fund të kampionatit brazilian dhe nuk e di si do reagonin në Botëror”.
“Julio Baptista në vend të Ronaldinhos? Është e thjeshtë. Julio Baptista është rezervist sepse te Roma është një futbollist si Totti, që është mbreti i Romës dhe luan në atë pozitë. Sa për Donin, ai është zënë me klubin për të ardhur me kombëtare për t’u përballur me Anglinë. Për shkak të kësaj ai u dënua nga Roma. Unë nuk mund ta harroj këtë. Nëse e bëj këtë, lojtarët tjerë do thoshin se nuk isha i drejtë me të”, përfundoi Dunga, duke iu larguar pyetjes për mosthirrjen e Ronaldinhos.
Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, ua ka tërhequr vërejtjen bashkëlojtarëve të tij që të mos e nënçmojnë kundërshtarin e javës së fundit, Valladolidin, duke thënë se ndaj kësaj skuadre do të jetë shumë e vështirë për të fituar.“Është ndeshje e vështirë, sepse po luajmë ndaj një rivali që po lufton për mbijetesë. Nuk ka ndeshje të lehta. Kjo nuk do të jetë shëtitje nëpër natyrë, pasi që Valladolidi ka për çfarë të luajë”.
“Ne po hyjmë në sfidë me respekt për kundërshtarin. Do të jetë me rëndësi të mbajmë nën kontroll emocionet. Me rëndësi është të fitojmë, por me tifozët tanë është një plus për ne”, tha Puyol.
Legjenda e Liverpoolit, Robbie Fowler, beson se është koha e duhur që Rafa Benitez ta largohet nga pankina e Liverpoolit.“Me Rafan, çfarë shihni është ajo çfarë do të merrni. Mendoj se ai është mjaft i hidhëruar dhe ai këtë e mban në vete. Unë gjithnjë i jam falënderuar për arsyen që më riktheu në skuadrën e Liverpoolit, por para së gjithash, klubi është i madh dhe askush nuk është mbi klubin”.
“Së pari, ne duam të fitojmë trofe dhe të jemi në krye të ranglistave. Është situatë e palakmueshme. Nuk dua të ulem këtu dhe të them se ai duhet të largohet, por secili ka mendimin e vet”.
“Unë vetëm dua që Liverpooli të luajë mirë, a është me Benitezin, apo pa të, nuk më intereson dhe aq. Para së gjithash, Liverpooli është Liverpool dhe unë mendoj se ne meritojmë të jemi në krye të tabelës çdo vit. Kushdo që është në krye të detyrës, ka përgjegjësi të madhe në duart e veta”, deklaroi Fowler.
















