Sulmuesi i Bayern Munichut, Ivica Olic, ka zbuluar se klubi bavarez është i uritur për të fituar të tre titujt, kur kanë mbetur edhe dy trofe të mëdha për t’u fituar, Liga e Kampionëve dhe DFB Pokal.
“Ne nuk duam vetëm një trofe, por të tretë. Ky është një rast që nuk vjen shpesh në jetë, por nuk do të jetë dhe aq e lehtë”.
“Werder Bremen është në formë shumë, shumë të mirë. Vitin e kaluar unë u s’kualifikova në gjysmëfinale nga ata, kur luaja për Hamburgun. Tani kam rastin ta fitoj atë dhe do të jap gjithçka që kjo të ndodhë”, theksoi Olic për UEFA.com.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se skuadrës së tij i duhet vazhdimësi për të rritur besimin në vetvete.
“Gjithmonë më ka pëlqyer vazhdimësia dhe besimi, por unë nuk jam ai që i rregulloj këto çështje. Unë gjithnjë do të flas për të zhvilluar sa më mirë të ardhmen e skuadrës, por jo të marr vendime. Që nga konferenca e parë për shtyp, deri tani, e kam parë Manuel Pellegrinin të jetë tejet koherent dhe kompetent. Shpresojmë të kemi stabilitet”.
“Titulli? Gjithçka mund të ndodhë, që nga e mira e deri tek e keqja, por nuk duhet të harrojmë se kemi një ndeshje të cilën duhet ta fitojmë patjetër”, theksoi Casillas për Marca.
Juventusi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me trajnerin e Sampdorias, Luigi Del Neri, i cili pritet ta drejtojë Zonjën e Vjetër në sezonin e ardhshëm.
Sipas La Gazzeta dello Sport, vendimi ishte marrë të mërkurën në një takim të bordit drejtues, ndërsa bashkë me Del Nerin, radhëve të Juventusit pritet t’u bashkohet edhe drejtori i Genoas, Beppe Marotta.
Juventusi do t’i ofrojë Del Nerit kontratë dy vjeçare, të vlefshme 3 milionë euro për sezon, derisa emërimin e tij si trajner, pritet ta konfirmojë Andrea Agnelli, javën e ardhshme.
Në vazhdën e moskualifikimit në Ligën në Kampionëve, pas të cilit pasoi mohimi nga shpërblimet e mëdha, Juventusi duhet të shesë disa futbollistë, ndërsa emrat më të lakuar janë: David Trezeguet, Gigi Buffon dhe Felipe Melo.
Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, këmbëngul se nuk ka arritur kurrfarë marrëveshje me Barcelonën për sulmuesin kryesor të Los Che, David Villa.
Sipas burimeve nga Camp Nou, sulmuesi spanjoll tashmë është lojtarë i Barcës, ndërsa prezantimi i tij pritet të bëhet javën e ardhshme, por këto pohime i mohon kategorikisht presidenti i Valencias.
“Nëse ai dëshiron të takohet me mua, nuk ka problem. Megjithatë, ka kohë për të biseduar rreth këtyre çështjeve”, theksoi Llorente.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ishte vërshëllyer nga fansat madrilenë në një ndeshje tenisi, pasi portugezi refuzoi të përjashtojë një kalim te rivali ‘i përgjakshëm’ i Realit, Barcelona.
Sport shkruan se Ronaldo ishte vërshëllyer nga spektatorët të mërkurën, kur ai u pa në sfidën e Rafal Nadalit ndaj Oleksandr Dolgopolov. Thuhet se Ronaldo ka irrituar tifozët, pasi nuk mohoi një kalim në të ardhmen te Barcelona.
“Barcelona? Tani për tani, Reali është shtëpia ime dhe klubi im, por kurrë mos thuaj kurrë. Nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kurrë nuk i dihet edhe pse do të doja të pensionohesha te Reali”, ka thënë Ronaldo.
Mediumet angleze flasin për një interesim të shtuar të Djajve të Kuq për një portier të ri, para hapjes së merkatos.
Manchester Evening News pohon se gardiani i portës së Lyonit, Hugo Lloris, do të jetë pasardhësi i Edwin Van der Saarit, për 15 milionë euro dhe transferimi pritet të finalizohet para botërorit.
Nga ana tjetër, disa burime nga Old Trafford, thonë se njeriu më i kërkuar nga Ferguson është portieri i Juves, Gianluigi Buffon, të cilin mendon ta transferojë duke përfshirë në paketën e transferimit dhe sulmuesin italian, Federico Macheda.
“Nëse do të largohem nga Juventusi, mendoj se Anglia do të jetë destinacioni im i radhës”, ka thënë Buffon javë më parë.
Tottenhami është vënë në ndjekje të mesfushorit gjerman të Bayern Munichut, Bastian Schweinsteiger, që nuk ka treguar formën e tij më të mirë këtë sezon.
Daily Star pohon se mesfushori gjerman dëshiron të gjejë skuadër të re për shkak të sezonit të komplikuar të kaluar te Bayerni, duke u vërshëllyer shpeshherë në fushë.
Për këtë arsye, sipas tabloidit britanik, janë deklaratat e Shweinsteiger ato që kanë zgjuar interesimin e bosëve të Tottenhamit, që dëshirojnë ta kenë atë në radhët e veta, për sezonin e ardhshëm.
David Beckham ka konfirmuar se është në bisedime me Fabio Capellon për një post në pankinën e kombëtares së Tre Luanëve, gjatë Botërorit të radhës.
“Unë kam biseduar me menaxherin dhe me ndihmësin e tij, Franco Baldini. Ata më kanë thënë se e dinë që unë mund të kem një rol gjatë Botërorit. Se a do të jetë një rol drejtues…nuk kam biseduar ende me menaxherin për detajet, ai vetëm më tha se ndjen që ekipi ka nevojë për mua, çfarëdo qoftë të jetë roli”.
“Capello thotë se unë mund t’u ndihmoj lojtarëve dhe ekipit, ndërsa jam i nderuar për këtë, ai ndjen se unë mund të jem i rëndësishëm, por më duhet të shoh se si ecën terapia ime dhe më pas shpresoj të udhëtoj me ekipin”, deklaroi Beckham.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, mezi pret të zhvillojë finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut, edhe pse paraprakisht duhet të mendojë për titullin e Kampionatit italian.
“Nuk mund të them se nuk mendoj për finalen, por unë provoj të mos mendoj për të. Bayerni tashmë është kampion në Gjermani. Ne nuk jemi ende kampionë në Itali. Ne kemi edhe një ndeshje për të luajtur, ndërsa ky trofe është shumë i rëndësishëm për ne”.
“Por, nuk mund ta harrojmë finalen, sepse do të jetë një ndeshje që secili dëshiron ta luajë, një ndeshje që ekipi dëshiron ta luajë, sepse për më se 50 vite, Interi nuk e ka luajtur këtë ndeshje”.
“Mendoj se të gjithë duhet të jenë të bashkuar tani. Unë mendoj se kjo është me rëndësi, kur arrini momentet e mëdha, të cilat janë të vështira. Ne jemi në një moment vendimtar të këtij sezoni, gjithçka vendoset në dy ndeshje, ne po luajmë për trofetë më të rëndësishëm, kampionatin dhe Ligën e Kampionëve”, tha Mourinho për UEFA.com.
Sipas Sport, sulmuesi i Barcelonës dhe legjenda franceze, Thierry Henry ka nënshkruar një parakontratë, që do ta shohë atë të transferuar në klubin e Ligës Amerikane të Futbollit (MLS), New York Red Bulls.
Transferimi pritet të marrë jetë pas Botërorit. Sezoni i parë i Henry te Barcelona ishte fantastik, ndërsa këtë sezon ai dështoi për shkak të lëndimeve, duke qenë zgjedhja e katërt e Pep Guardiolas në sulm, gjë që e detyron francezin të kërkojë klub më luksoz.
Përkundër moshës së tij, Henry mbetet njëri ndër sulmuesit më të rrezikshëm në botë. Gjatë kohës së tij tek Arsenali, ai shënoi 174 gola në 254 paraqitje, përderisa me Barcelonën ai rigjeti formën, duke shënuar 35 herë në 78 paraqitje.
Trajneri i Milanit, Leonardo, ka konfirmuar se ai do të largohet nga posti i trajnerit të Milanit, pas ndeshjes së fundit të këtij sezoni ndaj Juventusit.
Ishte spekuluar se braziliani do të largohej gjatë kësaj periudhe, ndërsa erdhi dita kur ai dhe Galliani e konfirmuan këtë gjë.
“Ne jemi këtu për të komunikuar se kemi vendosur të ndërpresim bashkëpunimin tonë, në mënyrë të qetë dhe të butë, ashtu siç ishte edhe marrëdhënia jonë gjatë viteve të fundit. Nuk ka befasi. Gjithçka ishte e qartë sot sikurse përherë. Ne kemi ardhur në fund”.
“Ne jemi kualifikuar në Ligën e Kampionëve, që është ajo që dëshiruam, ndërsa këtë mëngjes vendosëm që ta bëjmë zyrtar vendimin që kemi marrë në Via Turati. Tani kjo erdhi shumë pranë, por këtë e kemi përfunduar me qetësi”, thotë një komunikatë e lansuar në faqen zyrtare të Milanit.
Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Fabio Capello, thotë se Wayne Rooney është një prej futbollistëve më të mirë me të cilët ai ndonjëherë ka stërvitur.
Capello ka po thuajse 20 vite përvojë si trajner dhe ka drejtuar ekipet si Milani, Real Madridi, Roma dhe Juventusi, ka punuar me numër shumë të madh të futbollistëve, por thotë se Rooney është një prej më të mirëve.
“Wayne Rooney është një prej talenëve më të mirë me të cilët ndonjëherë është stërvitur. Ai është si Raul, një futbollist shumë i rëndësishëm dhe një talent i madh. Çdo herë kur stërvitet, ai dëshiron të mësojë diçka të re dhe dëshiron të mbetet në fushën e stërvitjes sa më gjatë që është e mundur”, ka thënë Capello.
Roberto Mancini ka fituar mandat për ndryshime në Manchester City dhe buxhet transferi prej rreth 150 milionë funtesh për të krijuar një ekip me ambicie të kampionit.
Strategu italian të mërkurën për herë të parë është takuar me pronarin e klubit, Sheik Mansour, pasi udhëtoi në rubai për t’i detajizuar planet për sezonin e ardhshëm.
Mediat në Angli shkruajnë se Mancini do të ketë në dispozicion rreth 150 milionë funte për të angazhuar lojtarë të ri, me qëllimin për të fituar kampionatin anglez.
Përforcimi i parë i qytetarëve pritet të jetë mbrojtësi i Hamburgut, Jerom Boateng, që vlerësohet rreth 11 milionë euro. City po ashtu do të bëjë ofertë për lojtarin e Benficas, David Luiz, ndërsa spekulohet se në plane është edhe Fernando Torres.
Në listën e dëshirave gjenden edhe mesfushori i Napolit, Marek Hamsik dhe sulmuesi i Interit, Mario Balotelli.
Menaxheri i Valencias, Unai Emery, ka nënshkruar marrëveshje të re me klubin spanjoll.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Emery, i cili iu bashkua Valencias në vitin 2008 nga Almeria, është zotuar se do të ndihmojë klubin ‘të vazhdojë të zhvillohet’ edhe më tej.
“Sfida për sezonin e ardhshëm do të jetë të vazhdojmë të zhvillohemi. Ne do të ecim përpara në vazhdimësi dhe me përkushtim dhe ambicie për të plotësuar përgjegjësitë. Kam entuziazëm të madh për sezonin e ri dhe do të japim më të mirën nga vetja”, ka thënë Emery.
Spanja mund të jetë destinacioni i fundit i mbrojtësit të Romës, Marco Motta.
Ndarja e pronësisë së Mottas në mes të Roma dhe Udinese do të rregullohet në javët e ardhshme, derisa ai përgatitet të largohet nga kryeqyteti italian këtë sezon.
Mbrojtësi ishte afër kalimit në Manchester City në muajin janar, ndërsa edhe Sevilla po ashtu ishte interesuar për të gjatë afatit kalimtar dimëror.
Tash raportohet se fituesi i Europa League, Atletico Madrid, është duke e përcjellë situatën e Motta, duke pasur dyshime rreth të ardhmes së mbrojtësit Tomas Ujfalusi.
Manchester United është duke përgatitur ofertë për mesfushorin e Real Madridit, Lassana Diarra.
Me dyshime rreth formës së Owen Hargreaves dhe Anderson, menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, është afër për të sjellë Diarra sërish në Angli gjatë kësaj vere.
Ferguson përgatitet të ofrojë 20 milionë funte për Diarra, që shijoi një sukses në Portsmouth pas disa përvojave jo të mira në Arsenal dhe Chelsea.
Diarra do të mirëpresë një kalim në United, por edhe mund të qëndrojë në Madrid nëse Jose Mourinho arrin si trajner i ri, me të cilin kishte punuar në Chelsea.
Kevin Garnett Boston Celtics ka shënuar fitore me rezultat 94-85 për të eliminuar liderin e tabelës së Perëndimit, Cleveland Cavaliers, nga gara e mëtejme e NBA-së.
Fitorja ishte e katërta e Celtics kundrejt dy fitoreve të Cavaliers gjatë kësaj gjysmëfinaleje së play-offit dhe në finalen e Lindjes ata do të takohen me Orlando Magic, që nuk kanë humbur që nga 2 prilli.
Kevin Garnett udhëhoqi ekipin vendas me 22 pikë dhe 12 kërcime, ndërsa Rajon Rando shënoi 21 pikë. LeBron James përfundoi me 27 pikë, 19 kërcime dhe 10 asistime, dhe pritet të largohet nga Cleveland si lojtar i lirë gjatë verës.
Agjenti i Giuseppe Rossi ka deklaruar se sulmuesi italian do të largohet nga Villarreal në fund të këtij sezoni.
Klubi spanjoll është duke u përballur me probleme financiare dhe ka nevojë të shesë lojtarë për të balancuar librat.
“Rossi po thuajse sigurt do të largohet nga Villarreali dhe mund të rikthehet në Itali. Ai është duke u ndjekur nga shumë klube, por ne nuk e kemi me nguti”, ka thënë Andrea Pastorello, agjenti i ish-sulmuesit të Manchester United.
Trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, nuk pret harxhime të mëdha për transferime gjatë kësaj vere.
Ancelotti konfirmoi se pas finales së Kupës FA që Chelsea e zhvillon nesër kundër Portsmouth, ai do të ulet me bordin e klubit në fund të sezonit dhe do të diskutojë planet e transferimit, por ai nuk do të bëjë kërkesa për lojtarë të rinj.
“Ne do të kemi një takim me klubin pas kësaj ndeshje dhe do të marrim vendim për të ardhmen. Nuk kam nevojë të kem [lojtar] dhuratë për mua. Së bashku do të marrim një vendim”, ka thënë Ancelotti.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai planifikon t’i kthehet menaxhimit kur karriera e tij si futbollist të marrë fund.
24-vjeçari i ka bërë këto komente derisa foli duke pranuar çmimin si Futbollisti i Vitit 2010 nga Asociacioni i Shkruesve të Futbollit.
“Do të doja të futem në menaxhim. I jam bashkuar Evertonit kur isha nëntëvjeçar dhe futbolli ka qenë pjesë e madhe e jetës time. Kur të ndaloj të luaj, dua të jem i përfshirë në futboll”.
“Kam filluar të ndjek mësime për trajner këtë vit, dhe mbase nuk kam bërë aq shumë klasë sa kam dashur. Shpresoj të vazhdoj vitin tjetër. E dua futbollin dhe kënaqem me futboll. Nuk mund të mendoj të hap një restorant, dua të jem në futboll”, ka thënë Rooney.
Tottenhami raportohet se është duke planifikuar të bëjë një lëvizje befasuese për mbrojtësin e Arsenalit, William Gallas.
Francezi 33-vjeçar u vërejt pas mungesës së tij në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Fulhamit, dhe drejtori Peter Hill-Wood së fundi e quajti kërkesën e Gallas për pagë prej 80 mijë funtesh në javë si ‘ekstravagante’.
Spurs raportohet se janë të gatshëm t’i ofrojnë ish-mbrojtësit të Chelseat një kontratë më të madhe se ajo prej një viti të cilën ia ofron Arsenali, dhe po ashtu i jep Gallas mundësi të luajë në Ligën e Kampionëve.
Lorik Cana Lorik Cana po qëndron për një vizitë në Kosovë, me ç’rast ka vizituar Universitetin Amerikan në Kosovë, ku dhe foli për futbollin shqiptar, duke mos lënë anash as pohimet sensacionale mbi karrierën e tij.
I pyetur se çfarë mendon për cilësinë në përfaqësueset e Kosovës dhe Shqipërisë, Cana tha: “Shqipëria dhe Kosova mirë është të mbajnë një përfaqësuese, sepse nuk kemi kualitet për dy”.
“Talentët? Ka shume talentë. Në Zvicër dhe Gjermani, kudo në ekipet e juniorëve ka shqiptarë. Në kombëtaren tonë ka për t’u punuar shume, sepse punët nuk janë bërë si duhet. Po të pyetesha unë, 90% e kombëtares shqiptare do të përbëhej nga kosovarët”, theksoi Cana.
Lorik Cana e përfundoi vizitën e tij në AUK me një pohim sensacional, duke thënë se ai ka gjasa që të kalojë te 13-herë kampioni i Ligës Premier, Arsenal.
Golashënuesi më i mirë i Ligës Premier, Didier Drogba, ka deklaruar se ai nuk çmendet pas golave, ndërsa kjo e dallon atë prej sulmuesve tjerë.
“Golat nuk janë objektivi im, por trofetë me Chelsean janë objektivi im. Nëse golat vijnë, në rregull, por sezonin e kaluar nuk shënova shumë gola, por isha shumë i kënaqur me formën time”.
“Nuk çmendem pas golave, kjo është ajo që më dallon nga sulmuesit tjerë. Unë jam i kënaqur edhe kur asistoj dhe këtë sezon kam shumë asistime, shpeshherë festoj më shumë se golashënuesi, për shkak të asistimit”, përfundoi Drogba.
Real Madridi edhe zyrtarisht ka hyrë në luftë për mesfushorin e Liverpoolit, Steven Gerrard, duke iu bashkuar Interit në garë për ikonën nga Anfield.
Real Madridi ka ofruar tashmë 26 milionë euro për 29-vjeçarin, ofertë që pritet të analizohet në Anfield.
Megjithatë, dilema tjetër do t’i takojë strategut të ardhshëm të Realit, që do të duhet të vendosë se kë do ta inkuadrojë në lojë, Kakan apo Gerrardin, nëse ky i fundit do të arrijë në Bernabeu.
David Villa ua ka bërë me dije gazetarëve që ai ka edhe katër vite kontratë me Valencian, por nuk ka mohuar një kalim te Barcelona.
“E ardhmja ime është përfundimisht e sqaruar. Unë kam edhe katër vite kontratë me Valencian”.
“Unë nuk kam biseduar as me Xavin, as me Puyolin, Piquen ose Busquetsin, por një gjë është e sigurt. E ardhmja ime do të vendoset para ose pas Botërorit, assesi gjatë Botërorit”, deklaroi Villa.
Agjenti i Marco Boriellos ka pranuar se klientit të tij nuk i interesojnë spekulimet dhe as që i bën përshtypje interesimi i Manchester Unitedit.
“Unë e kam parë atë lajm për Manchester Unitedin dhe është mirë të shoh gjëra të tilla. Fakti që ai parashihet si partner ideal për Rooneyn tregon se sa i mirë ka qenë ky sezon për Borriellon”.
“Nuk kam biseduar me menaxhmentin e Milanit. Marco tani është i fokusuar në javën e fundit të kampionatit dhe në ekipin kombëtar”, deklaroi Tiberio Cavalieri për Calciomercato.