Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Wes Brown, mendon se Wayne Rooney është futbollisti më i mirë në botë.
“Nuk do ta shkëmbeja Rooneyn me asnjë tjetër. Ai ishte një lojtar i madh që në fillim kur erdhi tek Unitedi, por ai është përmirësuar vit pas viti dhe unë mendoj se ai e ka vënë veten përkrah futbollistëve më të mirë në botë.
“Për momentin ai nuk është njëri prej më të mirëve, ai është më i miri. Unë e di se jam i ngazëllyer, por ai nuk ka dobësi në lojën e tij dhe ai i shënoi golat me kënaqësi”.
“Ronaldo është fantastik, por ndoshta largimi nga United i ka dhënë rastin Rooneyt të luajë në pozitën e tij të dëshiruar, kurse ai ka qenë i pabesueshëm. Kupa e Botës do të jetë kompeticioni i tij. Atij do t’i pëlqejë të mposhtë mbrojtësit më të mirë”, tha Brown.
Petr Cech ishte i ngazëllyer për faktin që vazhdoi formën e tij të lartë në FA Cup ndaj Portsmouthit, përderisa Chelsea e fitoi trofeun.
Cech ishte vendimtar në fitoren prej 1-0, duke ndalur një rast të Frederic Piquionne, para se të ndalonte penaltinë e Kevin Prince Boateng.
“Natyrisht, jam i ngazëllyer sepse e fituam ndeshjen, ne e dëshiruam fitoren, në mënyrë që të hyjmë në librat e historisë, ne jemi ekipi i parë i Chelseat që ka arritur të fitojë dy tituj, ndërsa jemi ndër të paktat ekipe që e ka mbrojtur atë titull”.
“Ishte FA Cup i imi i tretë, kurse më pëlqen të luaj në FA Cup, sepse kurrë nuk kam humbur një ndeshje të vetme në FA Cup.”, deklaroi Cech për faqen zyrtare të klubit.
Festa e Blaugranëve. Me një fitore bindëse prej 4-0 kundër Valladolidit, Barcelona ka përmbyllur një sezon të shkëlqyer në Kampionatin spanjoll duke e fituar kështu trofeun e më të mirit në Spanjë.
Dy golat e parë në ndeshje (21’ dhe 37’) erdhën nga Pedro, edhe pse goli i parë ishte autogol nga Luis Prieto, punën kryesore e kreu Pedro.
Ndërkohë që dy golat tjerë i takuan mbretit të futbollit Lionel Messi (62’ dhe 76’), i cili edhe njëherë dëshmoi që është lojtarit më të mirë në botë.
Kjo fitore e ngrit Barcelonën në kuotën e 99-të pikëve me tre pikë më shumë se përcjellësi i parë, Real Madrid, që në javën e fundit barazoi kundër Malagas.
Cristiano Ronaldo Real Madridi ka barazuar në transfertë te Malaga, ndërsa edhe po të fitonte do të humbte titullin e La Ligas, duke qenë se Barcelona e fitoi ndeshjen ndaj Valladolidit. Ndërkohë, u ka bërë nder nikoqirëve të cilët mbijetuan nga rënia në Segunda Division.
Real Madridi nuk ishte i aftë të vë presion, pasi që pësoi shumë herët, në minutën e tetë, kur Duda shfrytëzoi mirë një bashkëveprim me Ciacedo, për rezultatin 1-0 (9’).
Los Blancos luajtën më ashpër në vazhdim të takimit, ndërsa pasimet e mira të Ronaldos dhe Marcelos i shfrytëzoi Van der Vaart që u gjend mirë në zonë për të barazuar shifrat (48’).
Reali nuk kishte fuqi që të shënonte fitore, pasi që në ato momente, Barcelona deklasonte Valladolidin, me ç’rast Blaugranët para kohe u konfirmuan kampionë.
Real Madridi e përfundon La Ligan me rekord pikësh, 96, tre më pak se kampioni Barcelona. Malaga me këtë barazim ka 37 pikë dhe shpëton nga rënia në Segunda Divizion, ndërsa nga La Liga do të largohen, Valladolidi, Tenerife dhe Xerez.
Sipas The Mirror, bosi i Arsenalit, Arsene Wenger është duke e lutur Cesc Fabregasin të qëndrojë me klubin nga Emirates edhe për dy vite të tjera.
22- vjeçari nuk e di se çfarë të bëjë me të ardhmen e tij, pasi që frikësohet se Barcelona nuk do të kthehet përsëri nëse ai refuzon për herë të tretë këtë verë. Kapiteni do të dëshironte si asgjë tjetër, të qëndronte tek Arsenali dhe të fillonte një epokë të re të suksesit.
Por, gjithçka varet nga fakti nëse Fabregas do të bindet që Arsenali do të jetë në garë për tituj të mëdhenj sezonin e ardhshëm. Ai nuk e ka fshehur faktin që një ditë do të dëshironte të kthehej në vendlindje, te klubi të cilin e la në moshën 16 vjeçare për t’iu bashkuar Arsenalit.
Edhe pse Fabregas ka kontratë afatgjate, Wenger është një menaxher që tenton t’i ndalojë lojtarët të largohen nëse ata dëshirojnë, ndërsa beson se nuk është e mundshme që të mbahet një lojtar i pakënaqur. Por, trajneri është duke tentuar ta bindë mesfushorin të qëndrojë edhe për dy vite të tjera, derisa ekipi të piqet dhe të fillojë epoka e suksesit. Atëherë francezi mendon se Fabregas do të dëshironte të qëndronte edhe më shumë.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka akuzuar fansat kuqezi, të cilët vazhdojnë të abuzojnë dhe fajësojnë pronarin Silvio Berlusconi, duke thënë se ata nuk i falënderohen kryeministrit italian për atë që ka bërë për klubin.
“Tifozët duket të kenë harruar, që kur e morëm ne Milanin, klubi ishte duke bankrotuar dhe falë 25 viteve të investimeve të mëdha, ne kemi përjetuar tetë finale të Ligës së Kampionëve. Do të urreja të shihja çfarë do të ndodhte nëse do të kishim një sezon katastrofal si të Juventusit. Ky është klubi më i suksesshëm në botë dhe ky fakt nuk mund të injorohet”.
“Nuk e di nga e marrin këtë qëndrim tifozët. Unë u them që t’i jenë falënderues Berlusconit, për gjithë këto vite të mrekullueshme së bashku. Pa Berlusconin, Milani do të luftonte për mbijetesë, ashtu siç ishte para se ta merrnim në krye. Ai e nxori këtë klub nga bankrotimi, në maje të botës. Çdo analist neutral e di këtë”.
“Unë e di se sa para ka shkrirë ai në këtë klub. Unë kënaqem në tribuna, kur shoh ekipin e të rinjve duke shënuar, kështu që dashuria ime për Milanin e tejkalon çdo kufi. Deri në momentin kur do të jem zyrtarisht i shkarkuar, unë nuk largohem”, deklaroi Galliani.
Gianpaolo Pazzini Sampdoria sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve, pasi mposhti në shtëpi Napolin, që edhe ashtu e kishte siguruar një javë me parë vendin në Europa League.
Goli i Gianpaolo Pazzinit i shënuar në minutën e 52-të, ishte i artë për Sampdorian, pasi që ky klub me këtë fitore ka përforcuar pozitën e saj, me ç’rast siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Përkundër fitores prej 2-1 të Palermos në çastet e fundit të takimit ndaj Atalantas, sicilianët nuk arritën kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pasi që nga ana tjetër Sampdoria shënoi fitore minimale ndaj Napolit.

Sampdoria përfundon sezonin me 67 pikë në pozitën e katërt, me 27 pikë më pak se kampioni Inter, 3 më pak se Milani që është në pozitën e tretë dhe me dy pikë më shumë se Palermo, që sezonin e ardhshëm luan në Europa League.

Atalanta, Siena dhe Livorno sezonin e ardhshëm luajnë në Serie B.
Diego Milito shënoi golin që ia mundësoi titullin Interit. Interi ka shënuar fitore minimale prej 1-0 si mysafir i Sienas në javën e fundit të Kampionatit italian, për t’u shpallur fitues i Scudettos për edicionin 2009/2010, me dy pikë më shumë se Roma.
Heroi i ndeshjes ishte argjentinasi Diego Milito, i cili pranoi një pasim nga bashkëkombësi i tij Javier Zanetti për të shënuar golin e 22-të të sezonit në Serie A (57’), i cili rezultoi të ishte gol i fitores në këtë ndeshje që ia siguron Interit titullin.
Ky është trofeu i dytë i Interit këtë sezon, pas Kupës së Italisë, ndërsa zikaltrit kanë mundësinë të shkruajnë historinë nëse fitojnë më 22 maj në finalen i Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.
Ky është titulli i 18-të për Interin në Kampionatin italian dhe i pesti radhazi, duke e bërë kështu Interin forcën dominuese në Apenine.
Dy golashënusit e Romës, Vucinic dhe De Rossi. Përkundër fitores prej 2-0 kundër Chievos, Roma ka arritur të zë vetëm vendin e dytë në Serie A, duke qenë se Interi u shpall kampion.
Mirko Vucinic kaloi Giallorossët në epërsi (39’), për të dyfishuar Daniele De Rossi në fund të pjesës së parë dhe me këtë rezultat përfundoi edhe ndeshja.
Roma ka arritur të grumbullojë 80 pikë këtë sezon dhe ka siguruar kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve, me dy pikë më pak se tashmë kampioni Inter dhe dhjetë më shumë se Milani që mban pozitën e tretë.
Mark Webber Mark Webber është fituesi i Çmimit të Madh të Monacos, duke përmbyllur kështu edhe një garë tjetër fantastike për skuderinë Red Bull, dhe kështu Webber okupoi pozitën e parë në konkurrencën e ngasësve pas fitores së dytë radhazi.
Mark Webber e përfundoi garën me kohë 1:50:13:355, ndërsa pas tij ishte kolegu i tij në skuderinë Red Bull, Sebastian Vettel. Polaku Robert Kubica me Renault doli në pozitën e tretë.
Pozita e katërt i takoi Ferrarit të Felipe Massas, ndërsa në pozitën e pestë gjendet britaniku Lewis Hamilton me McLarenin e tij, 4 sekonda prapa bashkëkombësit të tij Webber.
Tejkalimi i ditës padyshim se u regjistrua në xhiron e fundit, kur shtatëherë kampioni i Formulës 1, Michael Shumacher, tejkaloi në kthesën e fundit Fernando Alonson, për t’ia marrë këtij të fundit pozitën e gjashtë dhe për t’u dhënë sinjal të qartë të gjithëve se dalëngadalë po rikthehet në formën më të mirë.
Presidenti i ri i Juvenusit, Andrea Agnelli, nuk dëshiron të humbasë kohë dhe menjëherë ka filluar ‘pushkatimet’ e para për të vënë autoritetin e tij, ndërsa të ekzekutuarit e parë janë Jean Claude-Blanc dhe drejtori sportiv Alessio Secco.
Tuttosport shkruan se menjëherë pas ardhjes së Agnellit në klub, ai dëshiron të vë pushtetin e tij, duke larguar nga skuadra të gjithë zyrtarët e lartë të cilët kontribuuan në katër vitet katastrofale të pas Calciopolit.
Blanc, që pas ardhjes së Agnellit është pritur t’i jepet një rol në financat e Juves, do ta japë lamtumirën pas kthimit nga SHBA-të, ndërsa Secco do të shkarkohet për transferimet e dështuara. Hiç më mirë nuk qëndrojnë as Roberto Bettega dhe agjenti i të rinjve, Renzo Castagnini, të cilëve pritet t’u tregohet dera së shpejti.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, do të ishte i lumtur të shihte dyshen e Valencias, David Villa dhe Juan Mata, në Camp Nou.
“Ky është një ekip, ku secili tregon cilësitë e tij, në të mirë të ekipit”.
“Me Villan dhe Matan, Barca do të fitonte stil. Nuk e di si qëndrojnë financat e ekipeve, por që të dy, janë padyshim lojtarë të mëdhenj”, theksoi Cruyff për Sport.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, pranon se ndeshja që zhvillohet të dielën ndaj Malagas, mund të jetë e fundit e tij si trajner i Real Madridit.
“Gjatë gjithë vitit, sidomos javëve të fundit, nuk ka pasur një përgjigje të qartë. Përkundër paqartësisë, unë gjithnjë e kam pasur mbështetjen e futbollistëve. Nuk mendoj se Reali flet prapa shpinës së trajnerit, ky nuk është stili i Realit. Por nuk jam aq naiv sa të besoj se gjithë këto njoftime janë spekulime të thjeshta”.
“Nëse, për çfarëdo arsye, ky projekt nuk vazhdon më, personi që do të vijë në krye do të ketë punë të vështirë… Ai duhet të bëjë më shumë se 100 pikë për të qenë më i suksesshëm se unë. Unë e di që nëse dështojmë ta fitojmë titullin, nuk do të ishte mirë, por vendimi i fundit nuk do të ndryshojë shumë, si e fituam, si nuk e fituam titullin”, përfundoi deklaratën e tij Manuel Pellegrini.
Manchester City ka vendosur të përfshijë Emmanuel Adebayorin dhe Stephen Ireland, në paketën prej 80 milionë funtesh, për dyshen e Liverpoolit, Steven Gerrard dhe Fernando Torres.
Sipas News of the World, përkundër moskualifikimit në Ligën e Kampionëve, City mendon se mund të transferojë dy ikonat e The Reds, në një ofertë të parefuzueshme për Liverpoolin.
Adebayor nuk është i kënaqur me formën te City, ndërsa Ireland ka dështuar të ketë ndikim këtë sezon. Vlera e Adebayorit mendohet se është 30 milionë funte, kurse e Ireland deri në 10 milionë funte, që do të thotë se City do të ofrojë edhe 40 milionë funte të tjera për të arritur caqet e transferimeve.
Problemet financiare të Liverpoolit, do të jenë faktor kyç, pasi që kjo ofertë është vështirë e refuzueshme për klubin nga Anfield.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, pritet ta shpërblejë Carlo Ancelottin pas suksesit historik, duke lansuar një ofertë sensacionale në drejtim të mesfushorit kreativ të Real Madridit, Kaka.
Sipas News of the World, miliarderi rus ka dhënë dritën e gjelbër për të sjellë superyllin brazilian në Stamford Bridge, në mënyrë që ky i fundit të bashkohet me ish-trajnerin Carlo Ancelotti.
Real Madridi do të dështojë sipas të gjitha gjasave në garën për titull të La Ligas, gjë që do të detyrojë Los Blancos të shpenzojë gjatë afatit kalimtar veror. Kaka është pranë transferimit te Chelsea, por i vetmi problem qëndron te shuma, pasi që Chelsea nuk do ishte i gatshëm të paguante 56 milionë funte për të, ashtu siç bëri Reali.
Liga e Kampionëve është ende një ëndërr për Blutë, gjë që do të ndikojë që Abramovich të sjellë në Stamford Bridge njerëz me përvojë në garën më të madhe evropiane për klube, kurse Kaka është njëri prej tyre.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka filluar të frikësohet nga rivalët e përbetuar Manchester City, të cilët, sipas tij, sezonin e ardhshëm do të jenë pretendentë për titull.
“Ata do të jenë shumë më të fortë. Me përvojën e këtij viti prapa tyre, ata do të jenë mirë të pajisur për të luftuar për titull, sepse përsëri do të shpenzojnë. Fitimi i titullit do të bëhet më i vështirë për të gjithë. Këtë herë ishim ne, Chelsea dhe Arsenali për një periudhë, por mendoj se kemi filluar t’i dëgjojmë kuajt duke u afruar”.
“Pos Cityt, unë pres që edhe Tottenhami të jetë i përzier këtu. Supozoj se njerëzit neutralë do ta mirëprisnin situatën ku konkurrenca është rritur, pasi që kjo do të ishte mirë për futbollin anglez”, deklaroi Ferguson për Daily Mail.
Interi thuhet të ketë kontaktuar menaxherin e Liverpoolit, Rafa Benitez, pasi që dita ditës po qartësohet se Jose Mourinho mund të jetë trajner i ardhshëm i Real Madridit.
The Sun raporton se dështimi i Liverpoolit këtë sezon ka bërë që të spekulohet se trajnerit spanjoll do t’i tregohet dera, ndërsa me spekulimet gjithnjë në rritje se Mourinho do të largohet nga Giuseppe Meazza, ekziston mundësia që Benitez ta drejtojë Interin.
Juventusi gjithashtu u tregua i interesuar një kohë për Benitezin, por me Real Madridin që është duke e kërkuar me ngulm Mourinhon, destinacioni i radhës për Benitezin do të ishte Interi edhe pse Nerazzurët mohuan bisedimet.
Pasi përfundoi punën e tij si trajner i Milanit në mënyrën më të mirë të mundshme duke e mposhtur Juventusin, Leonardo u shpreh në mënyrë emocionale pas takimit.
“Mendoj se gjërat ndodhin kështu në jetë, ndërsa ne duhet të marrim vendimet në momente të caktuara. Nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse kam marrë këtë vendim, kurse më duhet t’i falënderoj të gjithë për 13 vitet e mrekullueshme të kaluara këtu”.
“Përkundër kësaj, unë nuk e di se çfarë është e ardhmja ime. Qëllimi im kryesor është të qëndroj i lumtur, duke mos nxituar në diçka pa u menduar mirë. Po flas për veten dhe të gjithë përreth meje, kjo nuk ndodhi për shkak timin. Unë i respektoj tifozët për qëndrimin e tyre përkundër largimit tim, por jam i sigurt se Milani do të gjejë zgjidhje për të shkuar përpara”, theksoi Leonardo duke iu referuar protestave të Rossonerëve ndaj Berlusconit.
Juventusi përfundoi sezonin me një turpërim nga Milani, ndërsa portieri Gianluigi Buffon, nuk ishte aspak i kënaqur me zëvendësimin gjatë ndeshjes ndaj Milanit, duke spekuluar se mund të jetë ndeshja e tij e fundit në fanellën e Juventusit.
“Nuk e di nëse do të jetë ndeshja ime e fundit. Sot (e shtunë), unë nuk e prita mirë lënien në pankinë, sepse nuk e kam pritur kurrë se nuk do luaja në javën e fundit”.
“Vërtetë nuk e di. Këto çështje kanë rëndësi shumë tani për tani, duke parë problemet me të cilat u ballafaqua klubi këtë sezon”, deklaroi Buffon për Sky Sport.
Leonardo e ka përfunduar përvojën e tij të shkurtër si trajner i Milanit me një fitore të madhe ndaj Juventusit, ndërsa protagonisti i saj, Ronaldinho, ia dëshiroi çdo të mirë mikut të tij.
“Ishte e bukur të punoja me të. Ai është miku im dhe i dëshiroj çdo të mirë kudo që të jetë. Nuk e di se kush do të jetë trajner i Milanit vitin e ardhshëm. Tani të gjithë do të shkojmë në shtëpi për të pritur thirrjen nga trajneri i ri, në fillim të sezonit të ri”, theksoi Dinho.
Ronaldinho nuk e la të paprekur çështjen Dunga, i cili nuk e ka ftuar të luajë në Kampionatin Botëror me Brazilin.
“Nuk dua të krahasoj atë që kam bërë unë, me të arriturat e të tjerëve këtë sezon. Unë respektoj vendimet e trajnerit, pasi që ai është njeriu që zgjedh më të mirët për të përfaqësuar kombin”, përfundoi Ronaldinho.
Alberto Zaccheroni do ta mbajë gjatë në mend gjysmësezonin e kaluar në pankinën e Juventusit, pasi që sezoni edhe ashtu katastrofal i Bianconerëve u përmbyll me një disfatë, kësaj radhe nga Milani me rezultat 3-0.
“Është lojë tjetër që duhet të përshtatet, sidomos pas takimeve të fundit. Përkundër krijimit të rasteve herët në sfidë, ne i komplikuam gjërat kur nuk gjetëm rrjetën. Por, pasi Milani shënoi golin e parë, ishte i aftë të gjejë hapësira dhe të na dënojë”.
“Unë kam pritur më shumë nga lojtarët sonte (e shtunë) dhe verdikti është i qartë, ne sot nuk kemi luajtur futboll. Unë shpresoj se klubi mund të rikthehet pas një sezoni të tillë, duke i dëshiruar çdo të mirë në të ardhmen”, përfundoi Zaccheroni.
Pas triumfit në FA Cup, golashënuesi i vetëm Didier Drogba, ka thënë se ky është sezoni më i mirë në histori të Chelseat për shkak të dy trofeve të fituara.
“Po, ky është sezoni më i mirë, sepse arritëm aq shumë gjëra së bashku si ekip dhe pasi erdhën trofetë, por vërtetë kjo është për shkak se skuadra luajti mirë, ndërsa mua mu dha rasti për këpucën e artë”.
“Është gjë e rëndësishme për arsye se unë përsëri shënova në finalen e madhe dhe klubi fitoi dy trofe një sezon, që vlerësohet shumë në Angli. Të jetë ekipi i parë ta ketë bërë atë, për Chelsean është fenomenale”, tha Drogba.
Në ditën kur emocionet ishin të zjarrta, me luftën mediatike mes Ranierit dhe Mazzarit kundër Mourinhos, ishte radha e trajnerit të Catanias, Sinisa Mihajlovic, që ndezë edhe më shumë atmosferën në Apenine.
Mihajlovic reagoi ashpër mbi spekulimet që thoshin se ai do të mund të kalonte te rivali lokal i Catanias, Palermo.
“Kurrë jo. Nuk bëj këso lloj gjërash dhe me gjithë respektin për Palermon, unë kam një mënyrë të caktuar të sjelljes time që nuk më lejon ta drejtoj atë”.
“Ndoshta do të jem varfanjak, por më mirë do të vdisja se sa të drejtoja Milanin ose Palermon”, deklaroi Mihajlovic për Ansa.
Besian Idrizaj Lojtari i Swansea dhe njëri nga talentët më të mëdhenj të futbollit në Austri, Besian Idrizaj, ka ndërruar jetë në moshë 22-vjeçare në shtëpinë e prindërve të tij në Linz.
Idrizaj, ish-lojtar i kombëtares së Austrisë U-21, ka ndërruar jetë në gjumë të premten në mbrëmje që besohet të ketë qenë pasojë e infarktit në zemër, megjithëse shkaktari i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar.

Sulmuesi, i cili iu bashkua Swanseas në gusht të vitit 2009, më herët kaloi tre vite te Liverpooli. Ai ka qenë i huazuar te Luton dhe Crystal Palace, para se të transferohej në Gjermani dhe Austri.

Në vitin 2008 ai iu nënshtrua disa testeve, pasi kishte kolabuar dy herë gjatë ndeshjeve, mirëpo në mars pati deklaruar se problemet shëndetësore janë pas tij.
Haxhi Krasniqi Boksieri nga Juniku i Kosovës, Haxhi Krasniqi, më 6 qershor do të luftojë për titullin GBO internacional të Gjermanisë në kategorinë gjysmë të rëndë. Kjo është hera e parë që Krasniqi dylufton për një titull dhe i caktohen 10 raunde luftë.
Titulli GBO është një ndër 3 titujt që ka Gjermania, sepse në Gjermani ka gjithsejtë 3 federata të boksit profesionist: GBO, GBA dhe BDB.
"Ky titull nuk është shumë i rëndësishëm për mua sepse unë dua të fitoj titullin e botës, por besoj se nuk është hap i gabuar dhe do të më japë përvojë për duelet me distance më të gjatë", u shpreh Haxhi Krasniqi për AlbanianBoxing.com.
Kundërshtari i Krasniqit për mbrëmjen e 6 qershorit akoma nuk është bërë i njohur, por ai duhet të jetë po ashtu një boksier i cili mban licencën gjermane të GBO-së dhe me një karrierë të mirë profesioniste.
Haxhi Krasniqi sapo ka arritur moshën 23-vjeçare, por rezultati i tij flet për vete, ai ka fituar 31 nga 33 duelet e zhvilluara, dhe ka bërë famë në trojet Shqiptare si dhe në Gjermani.