Trajneri i skuadrës nga League Championship, Swansea, Carlo Sousa, ia ka kushtuar një nderim emocional Besian Idrizajt, që ndërroi jetë ditë më parë pas një ataku kardiak.
“Është vërtet pikëlluese për të gjithë. Është pikëlluese për gjithë familjen e Swansea, por më shumë për familjen e tij. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për ta”.
“Ai ishte një lojtar në të cilin kam pasur tërë besimin tim. Ai punoi shumë përgjatë sezonit për t’u forcuar dhe të kthehet në formën më të mirë, dhe mendoj se në fund të sezonit të gjithë do të shihnin se sa i talentuar ishte ai. Ai ishte duke u përmirësuar dhe duke u forcuar, kam pritur që ai ta shfaqë talentin e tij në Championship sezonin e ardhshëm, duke luajtur rregullisht”.
“Ai punoi shumë për të plotësuar ëndrrën e tij dhe është e vështirë të pyesim se pse atij iu mor kjo e drejtë në një moshë aq të re. Gjëja e vetme ngushëlluese është se ai nuk vuajti dhe ai ishte pranë dashurisë së familjes, në momentin kur ai ndërroi jetë”, përfundoi i pikëlluar, Sousa.
Diego Milito duke ngritur kupën e fituar. Njeriu që siguroi tre pikët e Interit në javën e fundit të Serie A, Diego Milito, ka thënë se goli ndaj Seinas, që ia siguroi Interit titullin, ishte goli i tij më i rëndësishëm në karrierë deri tani.
“Ky është sigurisht goli më i rëndësishëm i karrierës time dhe unë jam aq i lumtur. Ne patëm shumë raste, por ishte një ndeshje e vështirë. Fatmirësisht unë shënova dhe ishim në gjendje të fitojmë”.
“Goli i qetësoi gjërat dhe na ndihmoi. Ne do të kënaqemi me Scudetton tani për tani, ndërsa më pas do të mendojmë për finalen (e Ligës së Kampionëve), të cilën do të tentojmë ta fitojmë”, përfundoi Milito.
Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoenes, ka deklaruar se skuadra e tij po luan futboll cilësor, duke u përgatitur që tani për festë në Bernabeu.
“Ndeshja ndaj Werderit reflektoi në rritjen natyrale të formës tonë në pjesën e dytë të sezonit. Tani për tani po luajmë futboll të cilësisë më të lartë, gjithnjë sipas kundërshtarëve tanë”.
“Ekipi ishte më luftarak se sa ai i vitit 2001. Për momentin po dominojmë ndaj kundërshtarëve vendorë. Arsyeja pse po e tregojmë klasin qëndron në forcën tonë mendore, ashtu sikurse në aftësitë futbollistike”.
“Jam ekstremisht krenar me ekipin tim, por edhe me të gjithë të tjerët në klub. Tani kemi fituar dy tituj dhe nuk kemi çfarë të humbim në Madrid. Ne do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të bërë të pamundshmen”, sqaroi Hoenes
Sulmuesit të Interit, Mario Balotelli, duket se nuk i lë përshtypje titulli i Serisë A, pasi që ai ka filluar të mendojë për finalen e madhe të Bernabeut, duke premtuar gol nëse ai luan në të.
“T’i fitojmë tre titujt do t ishte fantastike. Tani e dua Ligën e Kampionëve. Ne vërtet e duam atë dhe nëse unë luaj në të, atëherë unë premtoj se do të ndihmoj ekipin dhe do të shënoj gol për ta fituar atë”.
“E ardhmja ime? Tani për tani jam këtu. Është edhe një finale e Ligës së Kampionëve. Unë jam lojtar i Interit. Ku tjetër mund të shkoj?”, përfundoi Balotelli.
Trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka lëvduar paraqitjet fantastike të skuadrës së tij këtë sezon, përkundër faktit se Malaga i ndali në një barazim 1-1 në javën e fudnit të La Ligas.
“Ne e kemi ditur se do të jetë e vështirë ta fitojmë kampionatin, por unë ende mendoj se ky sezon ishte fantastik në La Liga. Është logjike që klubi duhet të konsiderojë opsionet e veta në fund të sezonit, por unë nuk dua të flas për postin tim. Unë mendoj se kemi një bazë të mirë të projektit tonë dhe unë dua të jem i përfshirë në të”.
“Nga pikëpamja personale, ka qenë e ditur se do ishte e vështirë ta tejkalojmë Barcelonën. Ajo është një skuadër e mirë që prodhon futboll të mrekullueshëm, që u ndërtua në bazë të fondacioneve të viteve te kaluara”, ka thënë Pellegrini pas ndeshjes.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka deklaruar se skuadra e tij e meriton plotësisht titullin e 20-të në histori të klubit, pasi Barcelona ‘copëtoi’ Valladolidin në ndeshjen e fundit të La Ligas për këtë sezon.
“Ne e meritojmë atë. Ishte kampionati më i nxehtë në histori dhe Barcelona e fitoi atë. Lojtarët dhe trajnerët kanë bërë atë që duhej bërë. Sot ne u varëm nga vetvetja, ashtu siç duhej të ishte dhe nuk shikuam diku tjetër”.
“Ndeshja shkoi aq mirë për ne dhe ne vërtet u kënaqëm. Ne ndjemë kënaqësi të madhe në lozhën VIP, por unë u përmbajta, sepse presidenti i Valladolidit vuajti, për shkak se skuadra e tij nuk arriti të mbijetojë”.
“Unë i kam dhënë këtij klubi vitet më të mira të historisë. Unë erdha te Barcelona për t’i bërë të lumtur tifozët. Ne e kemi ditur se të bëmat tona do të shndërroheshin në këso lloj arritjesh. Është si rezultat i një modeli që punoi dhe na ndoqi duke u konsideruar klubi më i fortë në botë. Tani duhet të vazhdojmë me të njëjtat hapa”, tha Laporta.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ishte me lot në sy kur pa skuadrën e tij duke ngritur titullin e Serie A, ndërsa njëri nga njerëzit më të pasur në Itali ia dedikoi titullin të veçantit Jose Mourinho.
“Scudettoja është e bukur, ne vuajtëm, por e merituam në fund, pasi që ishim liderë në Kampionat”.
“A është ky Scudetto i Mourinhos? Po, sigurisht se Scudetto i takon atij”, përfundoi Moratti.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, ishte i frustruar me faktin që Interi u shpall kampion, duke thënë se Roma ishte protagoniste e sezonit 2009/2010 në Serie A.
“Interi i Morattit është dashur ta fitojë titullin, por protagoniste e vërtetë ishte Roma. Më duhet ta përgëzoj ekipin tim, të cilët ishin yjet e vërtetë të këtij kampionati. Ata bënë diçka të pabesueshme. Ne u premtuam tifozëve luftë deri në fund dhe e bëmë atë”.
“Ne nuk fituam asgjë por ne patëm durim. Roma ishte e mrekullueshme, ishte një vit mjaft pozitiv në të cilin ne nuk u mposhtëm në 24 ndeshje. Kur unë erdha, ne ishim të fundit, ekipi më ndoqi mua dhe ne filluam të vrapojmë dhe të fluturojmë përsëri”, ka thënë Ranieri.
Piloti i Mercedesit, Michael Schumacher, është dënuar për tejkalimin e ngasësit të Ferrarit, Fernando Alonso, në një moment kur kjo nuk ishte e lejuar gjatë garës për Çmimin e Madh të Monacos.
Vendimi është marrë që gjermani të dënohet me 20 sekonda, duke e zhvendosur atë në pozitën e 12-të, ndërsa Alonso është ngritur në vendin e gjashtë.
Shefat e Formula 1 thanë se Schumacher ka thyer rregullat e sigurisë, pasi që kaloi Alonson teksa ishte ‘automjeti i sigurisë’, mirëpo Mercedesi ka paralajmëruar se do të apelojë.
Francezja Aravane Rezai, tenistja e 24 në botë, e ka befasuar Venus Williamsin në finalen e Madridit me fitore prej 6-2 dhe 7-5, për të rrëmbyer titullin e Madrid Open.
Ky është vetëm trofeu i tretë i 23-vjeçares, e cila vitin e kaluar fitoi në Strasburg dhe në Bali.
“Nuk mund ta besoj këtë. Ajo luajti shumë mirë dhe unë gjtihmonë e kam respektuar atë si lojtare dhe kampione. Unë thjesht provova të jap më të mirën sot dhe doli e suksesshme”, tha Rezai pas fitores.
Përkundër humbjes në finale, 30-vjeçarja Venus do të rikthehet në pozitën e dytë të rangimeve të përgjithshme.
Rafal Nadal ka shënuar fitore bindëse përballë tenistit më të mirë në botë Roger Federer, me rezultat prej 2-0 në sete (6-4 dhe 7-6), në finalen e Madrid Open.
Kjo ishte përballja e parë e rivalëve të përbetuar që nga finalja e vitit të kaluar në Masters Series, të cilën e fitoi Federer.
Titulli i Madridit e bën spanjollin favoritin kryesor për turneun e radhës French Open, i cili fillon këtë javë.
Nadal, i cili është katër herë kampion i French Open, ka fituar 168 nga 174 përballjet e tij që nga viti 2005.
Duke qenë se fitoi edhe në Monte Carlo, të hënën Nadal rikthehet në vendin e dytë të renditjes së përgjithshme të tenistëve, prapa Federer dhe para Novak Djokovic.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka lëvduar klubin e tij pasi fitoi titullin e pestë me radhë të Serie A.
“Kjo është për familjen time, bashkëshorten time, miqtë dhe të gjithë tifozët. Tani le ta festojmë Scudetton të cilin e meritojmë edhe pse kemi pasur një përfundim të vështirë”.
“Scudettoja ishte fituar ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje. Ne kemi treguar forcën në secilën ndeshje. Askush nuk na dhuroi asgjë. Ekipi më i fortë fitoi. Komplimente Romës për një sezon të mirë, por ne jemi kampionë”, deklaroi pas ndeshjes Zanetti.
Daniele De Rossi që është dhe pretendent për golin më të bukur të sezonit të shënuar ndaj Chievos, përgëzoi Interin për titullin e Serie A, ndërsa u shpreh të jetë krenar me ekipin e tij.
“Ne u kemi shkaktuar atyre mjaft telashe. Komplimente kampionit të ri, Inter. Ata ishin të paprekshëm, por ne i kemi ndjekur deri sot (e diel). Shpresojmë se me këtë skuadër që kemi, do të mbetemi të fortë dhe herët apo vonë do ta fitojmë Scudetton. Ndoshta, nëse nuk do të kishin shkuar aq larg në Ligën e Kampionëve, ata do ta fitonin titullin më herët”.
“E ngushëllova Francesco Tottin në fund të ndeshjes si të gjithë të tjerët. Nuk është e drejtë të themi se ne romakët jemi më të përulurit në krahasim me të tjerët, sepse unë pashë njerëz me kilometra larg duke qarë. Jam krenar për bashkëlojtarët e mi”, deklaroi De Rossi për Rai Sport.
Sipas New of the World, Sir Alex Ferguson, dëshiron ta transferojë me çdo kusht sulmuesin uruguaian të Ajaxit, Luis Suarez, për të krijuar partneritetin e tij me Rooneyn.
Ky sezon për Suarezin ishte fantastik, pasi që shënoi 35 gola në 33 paraqitje për skuadrën holandeze. Ferguson mendon se mund të lëkundë Ajaxin me një ofertë prej 20 milionë funtesh
Suarez është i përfshirë në listën provizore të Uruguait, ku së bashku me Diego Forlanin, do të tentojë të lë përshtypje gjatë Botërorit.
Bosi i Interit, Jose Mourinho, është i lumtur me ish-skuadrën e tij Chelsea, që fitoi dy tituj këtë sezon, por shton se ky nuk është sukses më i madh se i tij, pasi që ai solli për herë të parë Ligën Premier, pas 50 vitesh.
Mourinho mendon se për këtë sukses, Chelsea duhet t’u falënderohet Manchester Unitedit, Arsenalit dhe Liverpoolit, për dështimet e tyre. Chelsea ka grumbulluar më së paku pikë këtë sezon, që pas vitit 2003.

“Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të dëshirojnë. Më vjen mirë që Chelsea e bëri atë. Sinqerisht, më vjen mirë që ata e fituan Ligën Premier. Ata bënë çfarë ata bënë dhe ne bëmë atë që ne bëmë. Ata e fituan pas katër vitesh titullin, ne pas pesëdhjetë. Ata shënuan më shumë gola, ne fituam më shumë pikë. Ata ishin eliminuar nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales, ne në gjysmëfinale”.

“Ata e fituan FA Cup, pa luajtur ndaj asnjë klubi të madh, ne e fituam Carling Cup, duke luajtur ndaj Man Unitedit në gjysmëfinale dhe Liverpoolit në finale. Fanella e tyre është e kaltër edhe e jona ishte e kaltër. Kohë e ndryshme, kundërshtarë të ndryshëm, sukses. Dhe për Chelsean, kjo vlen”. deklaroi Mourinho për Sunday Times.