Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, duket të jetë tejet i hidhëruar në Jorge Valdanon, sidomos kur mësoi se Barcelona është kampion, duke aluduar se Valdano është fajtor që e solli Pellegrinin.
Sport shkruan se pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit në sfidën ndaj Malagas, Perez ishte pyetur nga një gazetar i gazetës kiliane El Mercurio, rreth të ardhmes së Pellegrinit.
“Pyeteni Valdanon, ishte ai që e solli atë”, u përgjigj Perez.
Pellegrini nga ana tjetër nuk e ka mohuar marrjen në drejtim të kombëtares kiliane duke thënë: “Unë pendohem që Real Madridi nuk ishte i suksesshëm, por një ditë mund të drejtojë Kilin në Botëror”
Interi është gati t’i fillojë bisedimet me menaxherin e Liverpoolit, Rafa Benitez.
The Mirror shkruan se kampioni i Italisë e di mjaft mirë që Mourinho do të largohet në drejtim të Real Madridit, sidomos pas deklaratës së fundit të Morattit – “Do të ishte befasi nëse ai do të qëndronte”.
Opsioni i parë ishte Capello, por Moratti po përgatitet t’i fillojë bisedimet me Benitezin për të drejtuar pankinën Nerazzaure. Bisedimet jozyrtare kanë filluar, ndërsa marrëveshja pritet të fillojë të zyrtarizohet me të filluar nga java e ardhshme.
Jose Mourinho ka thënë se vështirësitë e tij me publikun në Itali, kanë bërë që ai të vë në pikëpyetje qëndrimin e tij tek Interi, pak para finales së Ligës së Kampionëve.
“E ardhmja ime? Nuk është për shkak të kontratës time apo parave, por për shkak të kënaqësisë personale, respektit në një vend ku kam pasur shumë probleme. Nuk jam trajneri i ri i Real Madridit. Por, pas finales më duhen dy ose tre ditë për të menduar të ardhmen time në qetësi. Interi nuk mund të bëjë më shumë, për të më bërë të ndjehem i lumtur”.
“Nuk më kujtohet ndonjë ndeshje si Inter-Barcelona në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Askush nuk ka luajtur si ne. Ne i sulmuam kampionët e Evropës dhe u kualifikuam në finale në atë ndeshje. Ne kemi luajtur si asnjë ekip tjetër, vetëm shikoni se si kemi sulmuar Chelsean”, shprehet portugezi.
Mourinho është i relaksuar para finales së Madridit, por ai preferon që të flasë për vullkanin islandez që po shkakton telashe, se sa për të luftuar me Louis Van Gaalin.
“Louis Van Gaal po brengoset për gjyqtarin, unë për vullkanin. Unë do të doja të kemi shkuar në Madrid të premten. Por, duhet të shkojmë nesër. Kjo është brenga ime e vetme. Nuk po brengosem për gjyqtarët. Dhe diçka për fund, italianët nuk e kanë harruar ende atë ndeshjen ndaj Fiorentinas”, përfundoi Mourinho duke mos lënë pa thumbuar rivalët e tij.
Mesfushori i Portsmouthit, Kevin Prince-Boateng, mund t’i ketë kërkuar falje Michael Ballackut për ndërhyrjen e tij brutale në finalen e FA Cup, por me këtë nuk është ndarë i kënaqur agjenti i gjermanit që kërkon të ndërmarrë veprime ligjore.
“Secili spektator e ka parë çfarë bëri Boateng. Ajo ishte qartë një ndërhyrje me qëllim, për të lënduar Ballackun. Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e veprimeve ligjore”.
“Ne jemi duke menduar për ta çuar çështjen në gjyqin civil, por dënimi kriminal është gjithashtu një opsion. Ju nuk mund t’i thyeni ashtu rregullat për të lënduar kundërshtarin. Nuk është se fusha e futbollit është vendi ku nuk ekziston ligji, pavarësisht çfarë mendon Boateng”, tha Michael Becker për Bild.
Agjenti i Ballackut shtoi se mesfushori do të humbë së paku 1 milionë euro nga të ardhurat prej sponsorëve dhe bonuseve tjera për shkak të mungesës dy mujore, e shkaktuar nga ndërhyrja brutale e Boateng.
Mesfushori anglez, Steven Gerrard, këmbëngul se bashkëlojtari i tij në kombëtaren angleze, Joe Cole, është po aq i mirë me top sa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
“Joe Cole po bën gjëra të pabesueshme në stërvitje. Ai është po aq i mirë me top sa Messi dhe Ronaldo dhe mund ta mposhtë secilin lojtar kur bëhet fjalë për truqe me top”.
“Të tjerët? Shumica e lojtarëve të tjerë shikojnë filma në aeroplan, por Jermain Defoe pëlqen të luajë në PSP (playstation portable) të tij. Atij i pëlqen të luajë lojën ‘Tiger Woods PGA Tour golf’. Nëse bëni një goditje të gabuar, ai bën që të gjithë në aeroplan ta dinë këtë”.
“Ne të gjithë udhëtojmë së bashku dhe nuk ka gjasa që dikush të vonohet për fluturim. Por, ju do të gjeni Shaun Wright-Phillips dhe Defoe duke vrapuar për në aeroplan, sepse deri atë kohë ata bëjnë shoping në aeroport”, përfundoi Gerrard.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, ka hedhur poshtë spekulimet se ai do të largohet gjatë afatit kalimtar veror, përkundër ofertave të shumta nga mbarë Evropa.
“Qëllimi im është të vazhdoj me Unitedin, ekipin më të fortë në botë, me të cilin dua ta përfundoj kontratën aktuale. Unë e di se kam kualitete për ta bërë këtë. Me ardhjen te Manchester Unitedi, unë kam arritur gjithçka që kam dashur”.
“Unë dua t’u pyes se pse çdo e dyta pyetje që marr është se ku do të shkoj vitin e ardhshëm. Çuditem se si mediat nuk më urojnë fat të mbarë sezonin e ardhshëm me Unitedin, por më pyesin se ku do të shkoj”, deklaroi bullgari për 24 Chassa.
Luigi Del Neri ka konfirmuar se ai është trajner i ri i Juventusit, duke folur menjëherë për planet e tij të së ardhmes dhe duke kërkuar qëndrimin e futbollistëve në skuadër.
“T’u them të drejtën, jam i emocionuar të jem trajner i ri i Juventusit. Juventusi është për mua pika fillestare, jo përfundimtare. Kur i bashkoheni një klubi të tillë, ju detyroheni t’i vini vetes synime të mëdha. Unë këtë duhet ta bëj me lojtarët, me klubin dhe me veten. Është gjithnjë klubi ai që e bën një menaxher të madh, jo e kundërta”.
“Nëse ata më kanë marrë mua, atëherë kjo do të thotë se ata më njohin. Në futboll ju fitoni me organizim, një mentalitet fitues dhe me cilësi. Dua të rindërtoj një mentalitet këtu”.
“Shpresoj që Buffon do të qëndroj. Buffon është portier i kombëtares italiane dhe nuk është lehtë të zëvendësohet ai. Ai mund të japë shumë për ne si në fushë ashtu dhe në zhveshtore, për shkak të ambicieve dhe urisë për të fituar. Buffon dhe Del Piero tregojnë shumë, sidomos për imazhin e klubit”, tha Del Neri për Tuttosport.
Silvio Berlusconi ka pranuar se është duke e shqyrtuar shitjen e perandorisë së tij, Milanin, pas 24 viteve në krye të skuadrës.
“Unë mund ta dorëzojë Milanin”, i tha Berlusconi senatorëve të partisë politike PDL (Popolo della Liberta), gjithnjë sipas revistës “A”.
“Shitja e Milanit do të ma dëmtonte popullaritetin. Nuk është vendim i lehtë. Kujtohuni kur e shita Kakan? Unë humba tre pikë në zgjedhjet evropiane. Dhe me krizën ekonomike, gjetja e një blerësi nuk është e lehtë”, përfundoi Berlusconi.
Kjo deklaratë e Berlusconit vjen pak ditë pasi pranoi kritika të hapura prej tifozëve në lidhje me ecurinë e klubit. Berlusconi ka krijuar një kulturë të shpenzimeve të mëdha gjatë merkatove, por kjo nuk ka ndodhur dy sezonet e fundit, kur ai për shkak të krizës ekonomike u detyrua të shesë futbollistët kryesorë.
Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, beson se ka ardhur koha që Blutë të shndërrohen në forcën dominuese evropiane, pas triumfit të dy trofeve vendore.
“Nuk ka dyshime, në mendjen e Roman Abramovichit dhe mendjet tona, është Liga e Kampionëve. Ai ka thënë se duhet ta fitojmë sezonin e ardhshëm edhe pse është shumë i kënaqur me dy titujt e fituar, ndërsa ne jemi të përkushtuar ta bëjmë atë”.
“Ne kemi qenë aq pranë pesë ose gjashtë vitet e fundit, por ka ndodhur që herë pas here të jemi ekipi më i mirë në garë, pa e fituar ende atë. Nëse ne mund të fitojmë Ligën e Kampionëve, tifozët, lojtarët, menaxhmenti dhe Abramovich, do të ishin shumë të kënaqur”, theksoi Terry për The Sun.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka thënë se ai është i fokusuar në dy gjëra, fitimin e Ligës së Kampionëve dhe mbajtjen e Jose Mourinhos në klub edhe për një sezon tjetër.
“Tani, mendimet tona janë kthyer kah Bayerni. Por, lojtarët shpresojnë që trajneri të qëndrojë me ne. Për ekipin dhe shoqërinë, ai është shumë i rëndësishëm”.
“Për çdo rast, them se bavarezët janë ekip i fortë dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes ndonjë lëshim. Arjen Robben është lojtar që na frikëson, pasi që është i paparashikueshëm”, u shpreh Milito për TMW.
Agjenti i Gianluigi Buffonit ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet të cilat thoshin se portieri do të largohet nga Juventusi gjatë kësaj vere.
“Nuk e di çfarë të them më tepër. Duket se ai është lojtari i vetëm që do të largohet nga Juve. Duke parë spekulimet e vazhdueshme, dua t’ua rikujtoj të gjithëve se ai ka kontratë me Juventusin dhe do të luajë për këtë klub edhe sezonin e ardhshëm”.
“Ai ka thënë se i pëlqen Anglia, por nuk ka asgjë në të. Për më shumë, ai nuk ka thënë se do të largohet. Fjalët e tij janë keqkuptuar. Del Neri është njeri i mençur që e di se mund të llogarisë në Buffonin”, deklaroi Silvano Martina për TMW.
Arsenali e ka vënë portierin francez Hugo Lloris në krye të listës për portier të ri, i cili duhet të transferohet këtë verë.
Sipas Goal.com, nëse Wenger nuk arrin të bindë Lloris të largohet nga Lyoni, atëherë ai do të kthejë vëmendjen kah Andriy Pyatov, portieri më i mirë ukrainas.
Lloris kushton mbi 12 milionë funte, ndërsa është prioritet edhe për Manchester Unitedin, sidomos pas nderimit me çmimin si portieri më i mirë i vitit në Francë, për herë të dytë me radhë.
Wenger do të vendosë për transferimin e Lloris pas Botërorit, pasi që është duke u menduar mirë.
Sipas Tuttosport, Jose Mourinho do të jetë në gjendje t’i bashkohet Real Madridit, pa i paguar Interit klauzolën, nëse ai e fiton Ligën e Kampionëve.
Portugezi ka mohuar spekulimet se ai është duke u larguar nga Meazza edhe pse aludoi shpeshherë të kundërtën, ndërsa një klauzolë në kontratën e tij e detyron atë të paguajë shtatë milionë euro nëse ai largohet në fund të këtij sezoni.
Megjithatë, në fund të marrëveshjes shkruan se Mourinho ka të drejtë të largohet nga Interi pa paguar dënimin, nëse ai e fiton Ligën e Kampionëve.
Ditëve të kaluara trajneri ka thënë se ai do të mendojë për të ardhmen dy-tri ditë pas finales, ndërsa Masssimo Moratti me pohimet e tij se “nëse Mourinho qëndron atëherë unë do të isha i befasuar”, ka lënë të kuptohet që tashmë Mourinho është thuajse trajner i Real Madridit.
Portieri i Milanit, Marco Storari, e ka filluar mirë sezonin te Milani, por pas rikthimit të Abbiatit dhe Didas ai u huazua te Sampdoria, ku shkëlqeu në takime vendimtare duke e dërguar skuadrën nga Marassi në Ligën e Kampionëve.
“Unë jam lojtar i Milanit, por nuk do të marr pjesë në turneun e Milanit në SHBA, sepse po planifikoj një operim në sinus. Ditëve të ardhshme do të bisedoj me klubin, por unë e përsëris që dua të luaj”, tha Storari për Sky Sport 24.
Ka pasur spekulime se Storari ka refuzuar thirrjen e Marcello Lippit për kombëtaren italiane.
Agjenti i sulmuesit brazilian Adriano ka zbuluar se sulmuesi është duke e shqyrtuar mundësinë e të rikthyerit në Evropë te Roma, ndërsa një vendim pritet të merret gjatë verës.
“Adriano është shumë i zhgënjyer nga dështimi për t’u ftuar në kombëtare. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen. Gjatë ditëve të ardhshme do të vlerësojmë një propozim të Flamengos për ta mbajtur atë, por të shohim”.
“Kontakti i fundit me Romën ishte në janar. Në javët e ardhshme ne do të dimë më mirë nëse e ardhmja e tij është në Evropë ose në Brazil”, deklaroi Gilmar Rinaldi për CalcioMercato.
Pasi ngriti titullin e La Ligas, mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka zbuluar se ai është në kërkim të titujve tjerë, pas suksesit të këtij viti.
“Vitin tjetër na pret një sezon i ri dhe ne do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha titujt. Padyshim, ne kemi treguar se Barcelona është ekipi më i mirë në Spanjë”.
“Ne do të luftojmë maksimalisht vitin e ardhshëm për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve. Është kënaqësi të fitosh gjithë këto tituj me gjithë këta njerëz. Ne jemi të gjithë të lumtur”, deklaroi Pique për Marca.
Drejtori i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se Ronaldino është në planet e së ardhmes të klubit kuq e zi, duke mohuar kështu spekulimet se Ronaldinho është pranë largimit.
“Nuk ka problem me Ronaldinhon. Kemi një marrëveshje me vëllanë e tij, Roberto de Assis. Nuk ka dyshim se ai do të luajë për Milanin sezonin e ardhshëm”, theksoi Galliani.
Kontrata e Ronaldinhos skadon në vitin 2011, por pas pohimeve të Gallianit, pritet që së shpejti kontrata të rinovohet.