Menaxheri i shumëkritikuar Rafa Benitez ka këmbëngulur se ai dëshiron të mbetet menaxher i Liverpoolit edhe për katër vite të tjera, pas spekulimeve se e ardhmja e tij është vënë në dyshim për shkak të mos kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
“E ardhmja ime është me Liverpoolin. Unë kam edhe shumë vite në kontratën time dhe dua të jem i suksesshëm. Nuk kam pasur oferta. Shpresoj ta bëj një ekip konkurrues. Kritikët e mi në Londër thonë se unë nuk jam menaxher i mirë dhe ekspertët me prirje angleze këtu në Madrid thonë të njëjtën gjë. Por, Liverpooli ka pasur një mesatare prej 69 pikësh në 12 sezonet e fundit”.
“Klubi bëri një gabim shumë të madh, që ishte fillimi i fitimit të katër trofeve. Më pas njerëzit kërkuan më shumë... Fergusonit iu deshën katër vite për ta fituar Ligën Premier”, tha Benitez për AS.
Presidenti i Milanit, Sivlio Berlusconi, u ka premtuar tifozëve kuqezi, se do të transferojë së paku një futbollist të madh gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa aludoi në Filipo Gallin si trajner të ri.
“Në një moment të krizës, sikurse kjo nga e cila janë prekur Bota dhe tërë Evropa, nuk mund t’ia lejoj vetes shpenzime marramendëse. Milani do të mbajë skuadrën aktuale dhe do të përforcohet me katër ose pesë lojtarë nga akademia”.
“Por, duke parë se jam i çmendur pas Milanit që nga fëmijëria, unë nuk do të heq dorë nëse duhet të blejmë një kampion, që mund të na shpjerë në një nivel tjetër. Por, vetëm nëse do të ishte një kampion i madh, vërtetë i madh, që do të mund të bënte diferencën, dikush si Ronaldo”.
“Galli? Ne këtu te Milani e konsiderojmë lartë përvojën në sektorin e të rinjve që është shumë i rëndësishëm, sepse bëhet fjalë për një trajner nga një pikë psikologjike. Sa për Leonardon, ai është kokëfortë, ai nuk i ndoqi këshillat e mia…por ai është njeri i mirë dhe e do Milanin”, deklaroi Berlusconi për Sky Sport 24.
Juventusi duket të jetë në kërkim të superyllit të Bayern Munichut, Arjen Robben, pasi që është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij.
Tuttosport shkruan se Luigi Del Neri dhe drejtori Giuseppe Marotta pritet që edhe zyrtarisht t’i bashkohen Juves ditëve në vijim, me ç’rast Robben menjëherë ka hyrë në planet e Del Nerit, për formacionin e tij 4-4-2.
Megjithatë, është pak e mundshme që Robben të kalojë te Juventusi, për shkak të çmimit të tij prej 30 milionë eurosh, ndërsa Juve nuk paguan më shumë se 25 milionë.
Në radarin e Juventusit janë edhe Edin Dzeko, Sergio Aguero dhe Zlatan Ibrahimovic.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Ivica Olic, do të duhet t’i harrojë ndjenjat e tij, kur të përballet me skuadrën e tij të zemrës, Interin, në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën, duke thënë se ai dëshiron të shënojë.
“Unë shpresoj të shënoj në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës, ndaj Interit edhe pse më duhet të pranoj se jam tifoz i madh i Interit. Unë isha lojtar i Interit. Kur isha 17 vjeçar stërvitesha këtu. Gigi Simoni ishte trajneri, ndërsa Ronaldo ishte po ashtu këtu”.
“Më kujtohen ato ditë shumë mirë. Simoni dëshironte të më transferonte dhe ishin vetëm disa gjëra të vogla që mungonin për të nënshkruar kontratën, por më pas Hertha e shfrytëzoi rastin”.
“Sandro Mazzola atëkohë ishte drejtor sportiv dhe nuk dëshironte që unë të largohesha. Por, në moshën 17 vjeçare kam menduar të shkoj te një klub më mesatar, për të zhvilluar veten”, deklaroi Olic për La Repubblica.
Mesfushori i Chelseat, Deco, është i gatshëm të largohet nga Londra dhe të transferohet në Brazil në ekipin e Fluminense.
Braziliani me nënshtetësi portugeze nuk ka luajtur shumë këtë sezon nën drejtimin e trajnerit të ri Carlo Ancelotti dhe është i gatshëm të largohet nga ekipi anglez. 32-vjeçari erdhi në Chelsea nga Barcelona për tetë milionë funte, por gjatë dy viteve në Ligën Premier ai ishte startues vetëm 31 herë.
“Ka shumë mundësi të luaj për Fluminense, por për momentin nuk mund të them asgjë pasi kam marrëveshje me Chelsean. Do të vendosi pas Kupës Botërore. Nuk vij në Brazil për ta përfunduar karrierën. Vij për të luajtur. Besoj se edhe disa vite mund të luaj në nivelin më të lartë”, ka thënë Deco.
Jose Mourinho thotë se ai ka vetëm dy opsione për të ardhmen e tij, ose do të mbetet në Inter edhe pas fundit të sezonit ose do të transferohet në Real Madrid.
Mediat tashmë e shohin Jose Mourinhon si trajner të ri të Real Madridit edhe krahas asaj që strategu në disa raste ka thënë se ai do të vendosë për të ardhmen pas finales së Ligës së Kampionëve.
“Opsionet e mia të vetme janë Inter dhe Madrid. Për t’u larguar nga klubi pas vetëm dy vite pune të shkëlqyeshme, vetëm Real Madridi mund të më joshë. Nëse e bëj këtë, do të largohem me një ndërgjegje të pastër pasi e ndryshova Interin”, ka thënë Mourinho.
Pas deklaratës së presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi, se ai mendon ta shesë Milanin, është Adriano Galliani ai që hesht edhe vet bosin e tij, duke thënë se Milani nuk do të shitet.
“Nuk do të ketë shitje të klubit. Tifozët tanë duhet të qëndrojnë pranë kryeministrit Berlusconi. Për 20 vite ne kemi fituar 13 trofe nacionale dhe 13 ndërkombëtare. Milani duhet të vazhdojë në këtë mënyrë, ne jemi liderë në Ligën e Kampionëve dhe jemi liderë në ranglistën e më të mirëve në Evropë pesë vitet e fundit”.
“Këtë vit, nëse nuk do të ishim prekur nga lëndimet, ne do të luftonim për Scudetton deri në fund. Trajneri i ri? Janë tre ose katër për të cilët shtypi ka folur dhe është njëri që nuk e ka përmendur askush. Ka ende kohë. Ne do të marrim një vendim me presidentin, nuk ka urgjencë, pasi që nuk kemi angazhime të mëdha deri më 29 gusht. Edhe po të dija diçka, nuk do ta tregoja”, deklaroi Galliani për La Repubblica.
Kampioni i Spanjës, Barcelona, ka pohuar në faqen zyrtare të klubit se David Villa është përforcimi i parë i madh i kësaj vere.
Barcelona dhe Valencia mbrëmë u përfshinë në një varg negociatash intensive për transferimin e sulmuesit spanjoll. Joan Laporta ka dashur t’u japë një dhuratë fansave të Barcelonës para se të largohet nga funksioni i presidentit më 30 qershor dhe mediat spanjolle që më herët paralajmëruan se marrëveshja verbale ishte arritur.
“Ekipi i Barcelonës dhe ai i Valencias mëngjesin e sotëm kanë kompletuar transferimin e David Villa të vlefshëm 40 milionë euro. Spanjolli nesër, në orët e mbrëmjes do të arrijë në Barcelona dhe të premten do t’i kompletojë kontrollat mjekësore. Ai do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me mundësi edhe një vit tjetër”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit spanjoll.
Edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, më herët konfirmoi se Barcelona ishte shumë pranë përfundimit të marrëveshjes për transferimin e David Villas në Camp Nou.
“Ne kemi elementet bazikë të marrëveshjes dhe jemi duke biseduar për të gjetur zgjidhjen. Nuk jemi të fiksuar pas një date, por shpresojmë se kjo do të përfundojë para Botërorit”, kishte thënë ai për Marca.
Villa ishte cak i transferimit për Barcelonën edhe verën e kaluar, por atëherë Barcelona vendosi ta angazhojë Zlatan Ibrahimovic. Ai konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë në futbollin evropian, ndërsa për shërbimet e tij kanë qenë të interesuara shumë skuadra të mëdha. Villa ka shënuar 108 gola në 163 paraqitje për Valencian në La Liga, gjatë pesë viteve të fundit.
Bayern Munichu, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se do të pranojë vendimin e Gjykatës për Arbitrim Sportiv (CAS) për suspendimin e Franck Ribery me tri ndeshje.
Ribery do të mungojë në finalen e Ligës së Kmapionëve të shtunën, ndërsa kampioni i Bundesligas ka shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore për të apeluar vendimin fillestar të marrë nga UEFA.
“Bayern Munichu duhet dhe do të pranojë e respektojë vendimin e CAS. Bayern Munichu ka përdorur çdo mjet ligjor në interes të klubit dhe Franck Ribery”, thotë komunikata e lëshuar ng klubi bavarez.
Cesc Fabregas është takuar me trajnerin Arsene Wenger, ku mësohet që Fabregas t’ia ketë bërë të qartë francezit se ai dëshiron të kalojë te Barcelona.
Sipas AS, qëllimet e Fabregasit janë të qarta, ndërsa janë vetëm klubet ato që duhet të merren vesh për çmimin, që besohet se do të jetë mbi 35 milionë euro me mundësi të përfshirjes së Zlatan Ibrahimovicit për të lehtësuar marrëveshjen.
23- vjeçari Fabregas u rrit në akademinë e Barcelonës, kurse si 16-vjeçar nënshkroi për Arsenalin. Ai luan rregullisht që shtatë sezone për Arsenalin dhe luajti në 264 ndeshje, shënoi 70 gola dhe është kapiten i klubit, por një largim duket të jetë i pamundur të ndalet.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, nuk brengoset aspak për mundësinë e largimit të Jose Mourinhos nga Interi, duke thënë në mënyrë ironike se portugezi nuk do t’i mungonte aspak.
“Ai është i ri dhe ende po përmirësohet. A do të më mungonte nëse largohet nga Interi? Ndoshta do të më mungonte”.
“Ai po përmirësohet, sepse më parë ai më ofendonte, kurse tani ai citon librat që i ka lexuar”, tha Ranieri duke iu referuar deklaratës së fundit të Mourinhos në drejtim të Ranierit, ku portugezi përmendi një libër të një filozofi.
Manuel Pellegrini ua ka thënë lamtumirën e fundit lojtarëve të Real Madridit gjatë një seance stërvitore.
AS pohon se kiliani do të mbetet në kontakt me zyrtarët e klubit para se të finalizojë shkëputjen e kontratës së tij të hënën.
Pas stërvitjes, Pellegrini u takua me drejtorin gjeneral Jorge Valdano dhe drejtorin Miguel Pardeza me të cilët foli për më se 15 minuta.
Spekulohet se Valdano ishte i drejtpërdrejtë me Pellegrinin duke e informuar se ai nuk do të jetë trajner i Realit në sezonin e ardhshëm.
Kampioni i Gjermanisë, Bayern Munich, do të ndeshet me Interin në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa Robben pret që Interi të sulmojë dhe jo të mbrohet sikurse ndaj Barcelonës së Camp Nou.
“Nuk pres që Interi të mbrohet ashtu siç bëri ndaj Barcelonës edhe pse ata luajtën me një lojtar më pak. Ne duhet të luajmë lojën tonë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë taktikat tona. Ne kemi luajtur tërë sezonin në të njëjtën mënyrë dhe këtë do ta bëjmë edhe në finale. Duhet të jeni pak edhe me fat, por së paku ju duhet të jeni të mprehtë para portës dhe rastet që të tregohen t’i shfrytëzosh”.
“Qëllimi kryesor për Bayernin ishte ta fitojë kampionatin dhe kjo është ajo që bëmë. Por, tani jemi në finale të Ligës së Kampionëve dhe duhet të tentojmë ta fitojmë. Duhet të jepni gjithçka në atë ditë dhe unë mendoj që ne do të shohim 22 lojtarë të luajnë për vdekje”, deklaroi Robben për UEFA.com.
Barcelona është duke menduar t’ia ofrojë Arsenalit sulmuesin Zlatan Ibrahimovic, në shkëmbim të Cesc Fabregasit.
El Mundo Deportivo pohon se bosi i Arsenalit do të zbusë mendimin e tij për mbajtjen e Fabregasit, nëse Ibrahimovic përfshihet si shkëmbim.
Përkundër ardhjes së Marouane Chamakh nga Bordeaux, Wenger do të mirëpriste transferimin e suedezit, të cilin për pak sa nuk e transferoi kur ishte adoleshent.
Barcelona dëshiron marrëveshjen me Fabregasin para Botërorit, që do të thotë se Ibra mund të bëhet futbollist i Arsenalit brenda pak javësh.
Lojtarët e Interit ofenduan rëndë kapitenin e Romës, Francesco Totti, të martën gjatë paradës me autobus të hapur në Milano.
Duke festuar Scudetton me tifozët e Interit, autobusi i hapur mbajti një pllakatë ku shkruante: “Totti, në vend që të lëpish gishtin tënd, pse nuk e lëpin p****** tënd?”.
Përkundër faktit se këtu u ofendua Totti, gjesti është shenjë e qartë se të gjithë lojtarët janë pajtuar me Mario Balotellin, pasi që ishte ky i fundit ai që u godit në mënyrë brutale nga Totti.