Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, beson se ylli i Manchester Unitedit, Wayne Rooney është një shembull për futbollistët tjerë, duke shtuar se ai është i ngjashëm me legjendën spanjolle, Raul.Capello ka drejtuar Raulin te Real Madridi, ndërsa ka drejtuar edhe shumë ekipe tjera me lojtarët më të mirë të globit. Italiani është i sigurt se Rooney është njëri prej më të mirëve që ka punuar ndonjëherë, për shkak të etikës së punës.
“Wayne Rooney është njëri prej talentëve më të mirë që kam drejtuar ndonjëherë. Ai është sikur Rauli, lojtar shumë i rëndësishëm dhe talent i madh”.
“Secilën herë që Rooney stërvitet, ai dëshiron të qëndrojë në fushë sa më shumë që të jetë e mundur. Është vërtet me rëndësi që lojtarët tjerë ta shohin Rooneyn, njërin prej më të mirëve në botë, që dëshiron të vazhdojë të qëndrojë në fushë, duke dëshiruar të vazhdojë të mësojë”, ka thënë Capello.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, të premten është prezantuar si lojtar i Barcelonës, me ç’rast ka thënë se do të japë gjithçka për klubin të cilin e quan më të mirin në botë.“Është nder, krenari dhe para së gjithash kënaqësi. Kam bërë një hap të madh në karrierën time, pasi që isha në gjendje të vija këtu”.
“Unë do të jap gjithçka për këtë klub. Shpresoj se të gjithë do të jenë të kënaqur me atë që unë do të tregoj në fushë. Derisa është në dorën time, unë jam i sigurt se do ta bëj atë”, u shpreh Villa për Marca.
Mesfushori francez Franck Ribery do të nënshkruajë kontratë të re me Bayern Munichun, që do ta mbajë atë në Allianz Arena edhe për pesë sezone tjera, duke bërë që spekulimet për të ardhmen e tij të përfundojnë.Gazeta gjermane Bild shkruan se mesfushori 27-vjeçar, i cili nuk do të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve, do të nënshkruajë kontratë të re pesëvjeçare, që do ta bëjë atë futbollistin më të paguar në histori të klubit bavarez, me 10 milionë euro për sezon.
Thuhet se përfaqësuesit e Ribery janë takuar me krerët më të lartë të klubit bavarez, për të finalizuar marrëveshjen e re. Të gjitha spekulimet pritet të ‘bien në ujë’, pasi që sipas njoftimeve të reja, Ribery do të mbetet lojtar i Bayernit deri në moshën 32-vjeçare.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, mendon se David Villa mund të përshtatet mirë me Zlatan Ibrahimovicin në sulmin e katalunasve.“Para së gjithash, me Villan ne kërkojmë shumë gola. Për më shumë, ai është i shumanshëm dhe i përshtatet stilit tonë të lojës. Villa është i përshtatshëm me Ibrahimovicin dhe do të përshtaten mjaft mirë”, tha Puyol.
David Villa u transferua nga Valencia te Barcelona për një shumë prej 40 milionë eurosh.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka thënë se Jose Mourinho nuk është trajneri më i mirë në botë.Spekulimet për një kalim të Mourinhos te Real Madridi vazhdojnë, ndërsa thuhet se Valdano i ka ofruar portugezit kontratë tre vjeçare, të vlefshme 10 milionë euro për sezon.
“Ai është njëri prej më të mirëve, por nuk është më i miri, ka të tjerë”, theksoi Valdano për TMW.
Reali ka shitur verën e kaluar Arjen Robbenin dhe Wesley Sneijderin, ndërsa këta të fundit janë më meritorë tek skuadrat e tyre, Bayerni respektivisht Interi për suksesin. Valdano thotë se Reali nuk pendohet pse e shiti dyshen holandeze edhe pse Perez do ta ketë nderin t’ua japë medaljen në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Pse duhet të pendohet Reali që i shiti ata? Kaka dhe Cristiano Ronaldo erdhën në vend të tyre, dy investime të mëdha”, përfundoi Valdano.
Ylli i Barcelonës, Xavi, ka këshilluar kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas të largohet nga Emirates dhe të rikthehet nga Camp Nou.Mesfushori i katalanasve thotë se është ‘krim’ që një lojtar me kualitetet e Cesc nuk ka fituar një trofe të madh kur është në pyetje futbolli në klube.
“Është krim që një lojtar me kualitetet e Cesc nuk mund të fitojë një trofe të madh me klubin e tij. Ai vërtet nuk ka zgjidhje tjetër përveç të largohet. Ai do ta marrë vendimin e duhur dhe shpresoj se fansat e Arsenalit do t’i dëshirojnë të gjitha të mirat”, ka thënë Xavi.
Jose Mourinho ka dërguar një mesazh për të gjithë fansat nerazur përmes faqes zyrtare të klubit, ku ka thënë se dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve për Interin.Në prag të finales së Ligës së Kampionëve në mes të Interit dhe Bayern Munichut, janë gjithnjë e më të zëshme spekulimet se ky do të jetë edhe takimi i fundit i Jose Mourinhos në stolin drejtues të nerazurëve.
Portugezi spekulohet se dëshiron të drejtojë Realin e Madridit sezonin e ardhshëm, por për momentin ai është i fokusuar në finalen e madhe në Bernabeu.
“Liga e Kampionëve është gara më prestigjioze në botë. Kjo është një garë e madhe të cilën çdokush dëshiron ta fitojë dhe jo çdokush mund ta bëjë këtë. Unë dua ta fitoj Ligën e Kampionëve për Interin. Nëse mund t’i ndihmoj futbollistët dhe nëse mund të jap një kontribut të vogël si trajner për t’u realizuar kjo ëndërr, atëherë do të jem shumë me fat”, ka thënë Mourinho.
Sulmuesi brazilian Alexandre Pato thotë se ai nuk ka dëshirë të largohet nga Milani pasi San Siro është shtëpia e tij.Mediat spekuluan se brazilian mund të shitet këtë verë me qëllim që Milani ta ekuilibrojë buxhetin, gjë që ndodhi edhe vitin e kaluar me shitjen e Kaka. Si opsion i mundshëm i transferimit të Pato u përmend Chelsea, por duket se ai dëshiron të mbetet në Itali.
“Kurrë nuk kam thënë se do të largohem. Jam i lumtur këtu, kjo është shtëpia ime, kam marrëveshje deri në vitin 2014 dhe Milani është ai që vendos për të ardhmen time”, ka thënë Pato.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, ka siguruar fansat se ata nuk do t’i shesin lojtarët më të mirë gjatë kësaj vere.Duke folur pas disfatës në finalen e Kupës së Mbretit nga Sevilla, Cerezo ka thënë se lojtarët si Diego Forlan, Sergio Aguero dhe David de Gea nuk do të shiten.
“Kam thënë të njëjtën gjë për tashmë një kohë, andaj nuk do ta ndryshoj. Ne do të vazhdojmë t’i mbajmë lojtarët më të mirë dhe të ndërtojmë një ekip më konkurrues”, ka thënë Cerezo.
Pavarësisht rivalitetit me Interin, portieri i Juventusit, Gigi Buffon, shpreson që ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho të fitojë Ligën e Kampionëve në takimin e nesërm.Kampioni i Serie A, Interi, nesër në Santiago Bernabeu të Madridit do të përballet me kampionin e Gjermanisë, në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Do të përkrahi Italinë. Si gjithmonë, ne duhet të gjejmë ca shpirt patriotik dhe t’i ndihmojmë aspektit kombëtar”.
“Sa i takon Kupës Botërore mendoj se do të kemi një fillim të ngadalshëm. Pavarësisht faktit se ne jemi kampionë, nuk ka shumë besim në shanset tona për ta fituar edhe një herë atë, por mendoj se në fund se mund t’ia dalim mirë”, ka thënë Buffon.
Mbrojtësi i Chelseat, Ashley Cole, thotë se futbolli për të është më shumë si një punë e përditshme se sa si një sport të cilin e dëshiron.“Nëse kujtoj rininë thjesht jam kënaqur në futboll. Ka qenë ëndërr e realizuar të luaj për ekipin të cilin e kam përkrahur dhe të luaj me gjithë ata lojtarë të shkëlqyeshëm. Tash është më shumë një punë për mua dhe ka shumë më shumë presione me të cilat duhet të përballesh”.
“Nuk mund ta hiqni syrin nga topi, duhet të fitoni çdo ndeshje. Ka shumë njerëz të cilët duhet t’i kënaqni, andaj përfundimisht është shumë më vështirë. Është më shumë një punë tash se sa dashuri”, ka thënë Cole.
Jean-Claude Blanc thotë se Juventusi nuk është në krizë pavarësisht një sezoni shumë zhgënjyes.Blanc: Juve nuk është në krizëBiankonerët i janë nënshtruar një revolucioni këtë javë me Andrea Agnelli që ka dalë në pozitën e presidentit, Beppe Marotta që është caktuar drejtori i ri gjeneral dhe me trajner Luigi Del Neri.
“Ne do të punojmë shumë për ndryshimet që na presin. Falënderoj stafin që është larguar dhe veçanërisht Alberto Zaccheroni, puna e të cilit do të përfundojë pas turneut në Amerikë”, ka thënë Blanc, i cili tash është menaxher gjeneral.
Drejtori i Interit, Lele Oriali, thotë se Bayern Munich është me fat që nesër do të jetë në finalen e Ligës së Kampionëve.Dy klubet takohen nesër në finalen e madhe që do të zhvillohet në Madrid.
“Të dyja ekipet kanë shanse të barabarta për ta fituar. Ne arritëm në finale falë një paraqitje të shkëlqyeshme, futbolli të mirë dhe duke mposhtur ekipet të cilat janë parashikuar ta fitojnë Ligën e Kampionëve”.
“Bayerni arriti këtu pas rezultateve kundër ekipeve prestigjioze Manchester United dhe Lyon, por po ashtu mezi kaloi Fiorentinan me gjithë ato vendime të debatueshme të referimeve. Megjithatë ne i njohim gjermanët, e dimë se ata kurrë nuk dorëzohen dhe do të luftojnë deri në fund për fitore”, ka thënë Oriali.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, dëshiron ta fitojë njërën nga Kupat e Anglisë sezonin e ardhshëm.Moyes është i vetëdijshëm se yjet që ka në skuadër do të tërheqin vëmendjen e klubeve të mëdha, por me Tim Cahill, dhe Seamus Coleman që tashmë kanë nënshkruar marrëveshje të reja, dhe me një kontratë për Jack Rodwell që besohet të arrihet së shpejti, Moyes është më i qetë.“Nuk do të jemi në futbollin evropian sezonin e ardhshëm, andaj do të përqendrohemi t’ia dalim mirë në Kupat dhe ligë. Besoj në ta dhe ata e kanë arritur këtë besim timin me futbollin që kanë luajtur. Ne mund të jemi breshka dhe të tjerët lepuj, por unë ende mendoj se mund t’ia dalim më mirë”, ka thënë Moyes.
Pas lajmeve se klubet angleze janë vënë pas sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, presidenti i kampionit të Spanjës, Joan Laporta, hedh poshtë të gjitha spekulimet duke thënë se suedezi nuk është në shitje.“Ibra nuk është në shitje. Ai është një lojtar shumë i vlefshëm dhe e di se trajnerët llogarisin në të. Transferimi i Villas nuk ndikon në të ardhmen e Ibras”, theksoi Laporta.
Më herët është spekuluar se kalimi i David Villas te Barcelona, mund të ndikojë në të ardhme e suedezit me prejardhje boshnjake.
Silvio Berlusconi ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ai nuk e ka ndërmend t’ia shesë Milanin ndonjë miliarderi arab.“Tifozëve të cilët më thonë ta shes klubin, u them se unë e dua Milanin dhe nuk do t’ia shesë kurrë klubin dikujt që nuk ia vlen ose nuk mund ta bëjë klubin më të madh se ç’është”.
“Një i pasur nga Emiratet nuk do të mund ta bënte Milanin më të mirë se ç’është, sepse një i tillë nuk ekziston. Në kohën e krizës ekonomike, nuk është lehtë të mendoj për një blerës dhe kurrë nuk do t’ia shes klubin personit të parë që më sillet vërdallë”, deklaroi Berlusconi për Milan Channel.
Njëri nga kandidatët për postin e presidentit të Barcelonës, Sandro Rosell, ia ka tërhequr vërejtën klubit që të rishikojë borxhin, para se të hedhë para për Cesc Fabregasin.Kampioni i Spanjës ka një borxh prej 420 milionë funtesh, që janë ngritur pas transferimit të yjeve si Ibrahimovic, Thierry Henry dhe Chygrynskiy. Kjo shumë do të rritet pas transferimit të David Villas për 34.2 milionë funte, ndërsa spekulohet për edhe 40 milionë funte të tjera për mesfushorin, Cesc Fabregas.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nga një këndvështrim ekonomik ne nuk qëndrojmë mirë. Ne kemi një nivel stratosferik të borxhit. Mbi 420 milionë funte që duhet të paguhen pas transferimeve të Ibrahimovicit dhe Chygrynskiyt”.
“Ne duhet ta përmirësojmë skuadrën çdo vit, por duhet të jemi të sigurt në menaxhimin e resurseve financiare të klubit, për t’u mbijetuar krizave”, ka thënë Rosell.
Agjenti i Guus Hiddink, Cees van Nieuwenhuizen, ka mohuar se holandezi mund të jetë zëvendësuesi i Jose Mourinhos tek Interi për sezonin e ardhshëm.“Është e pamundshme që Guus Hiddink të drejtojë Interin sezonin e ardhshëm. Unë e përjashtoj menjëherë këtë mundësi. Është e pamundshme”, theksoi agjenti.
Sipas të gjitha gjasave, Jose Mourinho do të vazhdojë të ndjekë rivalin e tij të përbetuar Barcelonën, me rivalin e përbetuar të kësaj të fundit, Real Madridin, ndërsa Interi duhet të vihet në kërkim të një strategu kualitativ.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, mund të kalojë për 46 milionë funte te Manchester Unitedi, Chelsea apo Manchester City, pas shkuarjes së David Villas në Camp Nou.Transferimi i Villas ka bërë që Ibrahimovic të fillojë të mendojë për një klub tjetër, sepse për të duket se nuk do të ketë hapësirë në formacionin ‘e stërngarkuar’ të Pep Guardiolas.
United është lidhur me suedezin që një kohë të gjatë, për të krijuar partneritetin me Rooneyn, kurse nga ana tjetër, milionat e Cityt dhe prezenca e ish-trajnerit të Interit, Roberto Mancini, bëjnë që City të jetë destinacion i mundshëm për Ibrahimovicin. Chelsea gjithashtu është në garë, sepse po kërkon një sulmues me emër.
Ibrahimovic ka dështuar të fitojë zemrat e tifozëve blaugranë dhe përkundër 21 golave të shënuar në të gjitha garat, ai do të mund të detyrohej të largohet pas vetëm një sezoni të kaluar në Kataloni.
Portieri i Interit, Julio Cesar, ka thënë se kundërshtarët i frikësohen ndikimit të trajnerit Jose Mourinho, që është padyshim njëri prej trajnerëve më të mirë në botë aktualisht.“Mourinho është sistematik dhe preciz, ne e marrim shumë seriozisht atë që bën ai. Ai gjithashtu i frikëson kundërshtarët”, ka thënë braziliani.
I pyetur nga sport.it se çfarë ka përgatitur Mourinho për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, ndaj Bayernit, Cesar tha: “Tani për tani ky është sekret. Duhet të shikoni të shtunën për ta zbuluar”.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Andriy Voronin, ka akuzuar John Terryn për ndërhyrjen e tij, që e la të lënduar ukrainasin në hundë, dëmtim që e detyroi atë t’u drejtohej sallave të operimit.“Terry nuk arriti të ma marrë topin pastër, kështu që më goditi në fytyrë. I poshtër! Për mua, ai e bëri këtë me qëllim. Terry është i aftë për këto poshtërsi, ashtu sikurse Jamie Carragher dhe Rio Ferdinandi. Këta janë mjeshtrit”.
“Në Angli bëhet kërdi. Nëse në një ndeshje një lojtar nuk qan, nuk e godet kokën e tij në një duel, apo nuk e thyen këmbën e tij, atëherë tifozët ndjehen të mashtruar, ndeshja ishte dështim”.
“Është një ritëm i çmendur që nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit. Përkushtim i plotë, atmosferë inkandeshente nëpër stadiume, por taktikat e ekipeve janë aq të thjeshta, sa dhe ekstreme: hidheni topin 50 metra larg portës tuaj, më pas vraponi të gjithë në drejtim të golit kundërshtar për të shënuar”, deklaroi Voronin për Daily Mail.
















