Jose Mourinho ka bërë histori me Interin, pasi ka arritur t'ia sjellë titullin e Ligës së Kampionëve pas 45 vjetëve.Nerazurët mposhtën Bayernin e Munichut me rezultat 2-0 në finalen e zhvilluar në Bernabeu, për t'u shpallur kampion i ri i Evropës.
Diego Milito ishte lojtari i ndeshjes, pasi shënoi të dy golat e ndeshjes, nga një në secilën pjesë.
Pjesa e parë Edhe pse posedimi i takoi Bayernit të Munichut, rastet më të mira të pjesës së parë i pati Interi. Nerazurët e filluan ndeshjen në mënyrë më kërkuese duke krijuar disa raste shënimi me anë të treshes sulmuese Pandev, Milito, Eto’o.
Në anën tjetër gjermanët tentuan të krijojnë raste kryesisht me anë të kundërsulmeve që kishin si pikënisje anësorin e djathtë Arjen Robben, por që u shfrytëzuan nga dy sulmuesit Muller edhe Olic.
Holandezi pati një rast të mirë shënimi në minutë e 23-të të ndeshjes pas një rrëmuje para portës së Cesar, por goditja e tij u dërgua lart në publik. Në anën tjetër, mesfushori tjetër holandez, Wesley Sneijder, pati një rast të mirë nga goditja e lirë, por topi u mbrojt nga portieri Butt.
Pas 34 minutash lojë italianët hapën rezultatin me anë të një goli të shënuar nga Diego Milito. Pas një topi të gjatë të pranuar dhe një asistimi nga Sneijder, argjentinasi nuk fali nga afërsia për të çuar në avantazh ekipin e trajnerit Jose Mourinho.
Rastet vazhduan edhe në pjesën e mbetur të ndeshjes, me Robben një goditje e fuqishme e të cilit përfundoi jashtë kuadratit të portës kundërshtare, ndërsa Sneijder huqi nga afërsia në anën e kundër, pasi goditja e tij u mbrojt nga portieri gjerman.

Pjesa e dytë
Vazhdimi i dytë i ndeshjes madje solli edhe më shumë raste dhe emocione. Këtë pjesë ishin gjermanët që kërkonin më shumë golin e barazimit, ndërsa italianët kërkuan të shtojnë epërsinë me anë të kundërsulmeve.
Pas më shumë se një ore lojë, bavarezët patën një rast të shkëlqyeshëm për të barazuar ndeshjen, por Cesar ndërhyri në mënyrë të shkëlqyeshme për të mbrojtur një gol të sigurt (63’). Braziliani pati edhe një reagim të përkryer dy minuta më pas (65’) për të mbrojtur një goditje të dërguar në këndin e djathë nga Robben.
Megjithatë ishin edhe kësaj here nerazurët më të saktë dhe sërish Milito ai që shënoi. Pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 70-të të ndeshjes, argjentinasi arriti të depërtojë nëpër mbrojtjen bavareze nga ana e majtë, për të dërguar topin në të djathtë të rrjetës së Butt.
Edhe pse e panë veten në disavantazh të dyfishtë, të zgjedhurit e trajnerit Louis van Gaal vazhduan të ngulmojnë për të shënuar, por që nuk rezultoi me ndonjë gol, edhe pas inkuadrimit të Miroslav Klose dhe as sulmuesit të tretë në fushë Mario Gomez. Në anën tjetër, i kënaqur me dy gola, në dhjetë minutat e fundit Mourinho tërhoqi sulmuesin Pandev për të inkuadruar mesfushorin Sulley Muntari.Triumfi është i pari për Interin që kur kjo garë quhet Liga e Kampionëve, ndërsa i treti në përgjithësi në garën evropiane dhe i pari që nga viti 1965. Ky po ashtu është i treti trofe këtë sezon, pasi nerazurët fituan edhe Serie A dhe Kupën e Italisë.
Me fitoren e sotme, Jose Mourinho bëhet vetëm trajneri i tretë pas Ernst Happel dhe Ottmar Hitzfeld që e fiton Ligën e Kampionëve me dy klube të ndryshme, pasi kishte triumfuar në garën evropiane edhe në vitin 2004 me Porton.


Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka premtuar se klubi për të cilin luan ai, do t’u kthehet sukseseve sezonin e ardhshëm, dhe thotë se mezi pret të fillojë sesoni i ri.“Një sezon vërtetë i vështirë ka përfunduar për ne, ishte një rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Por, ne jemi këtu me qëllim që të luajmë mirë. Ne duam të luajmë mirë këto ditë të fundit dhe të shkojmë në pushime më pas të qetë”.
“Edhe pse sezoni ka përfunduar, ne duam të fillojmë aventurën tonë të re. Sezoni i ri do të fillojë së shpejti, ndërsa ne duam ta fillojmë me përkushtim maksimal me urinë për të fituar”, deklaroi Del Piero, për mediat në New York, para turneut të Juventusit në ShBA.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Txiki Begiristain, ka thënë se Barcelona nuk do të këmbëngulë për të filluar bisedimet për transferimin e Cesc Fabregasit, deri sa të mos pajtohet Arsenali.“Fabregas e ka shprehur dëshirën që të luajë për Barcelonën. Cesc ka kontratë me klubin e tij dhe ne duhet ta respektojmë atë”, theksoi Begiristain.
Barcelona dhe Fabregasi dëshirojnë ta përfundojnë marrëveshjen para Kampionatit Botëror.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, shpreson që Jose Mourinho t’ia sjellë atij Ligën e Kampionëve pas 38 vitesh, ndërsa shpreson që edhe tekniku portugez të qëndrojë në pankinën Nerazzure.“Jam i lumtur të jem këtu dhe të marr pjesë në një vend aq të respektuar. Dy ekipet më të forta janë në finale. Ato eliminuan ekipet më të forta gjatë kësaj rruge, veçanërisht Interi. Do të jetë dita më e rëndësishme për ne”.
“Konferenca për shtyp e Mourinhos? Sigurisht se nuk ishte një lamtumirë. A ka nënshkruar Mourinho për Realin? Nuk mendoj se ai e ka bërë këtë”, u shpreh Moratti për shtypin italian.
Milani ka filluar bisedimet me ish-trajnerin e Cagliarit, Massimiliano Allegri, ndërsa ai pritet të takohet sonte në mbrëmje me Silvio Berlusconin.La Gazzeta dello Sport spekulon se Allegri, të cilit i është hapur rruga drejt Milanit nga Galliani të enjtën, është në krye të listës së emrave për trajner të ri të Milanit. Ai pritet të takohet me Berlusconint me në krah edhe Gallianin, ku pritet të definohen detajet e marrëveshjes.
Berlusconi dëshiron të shohë futboll ofensiv dhe spektakolar, ndërsa stili i Allegrit 4-3-1-2 ofron shumë mundësi dhe lëvizshmëri. Filippo Galli është opsioni i dytë nëse marrëveshja me Allegrin dështon.
Cristiano Ronaldo nuk dëshiron të flasë për mundësinë që Jose Mourinho të kalojë në Real Madrid, por dëshiron që bashkëkombasi i tij të triumfojë në Ligën e Kampionëve sonte me Interin."Titujt e fituar në Serie A vetë flasin për kualitetet e tij. Por tash nuk është koha për ta diskutuar këtë. Unë jam i fokusuar vetëm në atë si të kem paraqitje të mirë në Kupën Botërore me Portugalinë dhe jo se cilët lojtarë do t'i blejë Reali ose cilin trajner do ta angazhojë".
"Unë vetëm mund të them se i dëshiroj Mourinhos të gjitha të mirat në finalen e Ligës së Kampionëve. ai është portugez, si edhe unë, andaj dua ta fitojë Ligën e Kampionëve", ka thënë Ronaldo.
Javier Zanetti në finalen e sotme të Ligës së Kampioonëve kundër Bayern Munichut në Bernabeu do ta veshë fanellën zikaltër për të 700-tën herë dhe është krenar që kjo shifër vjen në një ndeshje shumë të veçantë."Jam krenar që kam luajtur kaq shumë ndeshje me të njëjtën fanellë. Dhe ta bëj këtë në këtë një ndeshje kaq të rëndësishme siç është kjo finale, do të thotë të krijosh histori".
"Sekreti është puna e palodhshme, dhe të kesh besim në të gjithë trajnerët të cilët i kam pasur", ka thënë Zanetti.
Kapiteni i Interit, i cili së fundi u la anash nga përzgjedhësi i kombëtares së Argjentinës, Diego Maradona, ka folur edhe për emocionet që ofron Liga e Kampionëve.
"Ndjenja ësthë e veçantë. Liga e Kampionëve është një garë shumë e veçantë. Kemi shumë emocione të fuqishme këtë vit dhe kështu do të jetë edhe sonte. Kam pasur shumë finale, por kjo do të jetë e veçantë. Por nuk do të përfundoj këtu, dua edhe në të ardhmen të vazhdoj të fitoj edhe shumë", ka përfunduar argjentinasi.
Presidenti i Arsenalit, Peter Hill-Wood, thotë se klubi mund të mbijetojë edhe pa Cesc Fabregas.Edhe pse është i bindur se Cesc nuk do të shitet te Barcelona, Hill-Wood ka qenë i shpejtë për të thënë se klubi është aq i madh sa t’i bëjë ballë largimit të spanjollit.
“Po, mendoj kështu. Ne ia kemi dalë shumë mirë edhe pa një ose dy lojtarë të tjerë. Do t’i dëshiroja Dennis Bergkamp, Thierry Henry, Patrick Vieira dhe Tony Adams përsëri, por ata tash janë 10 vite më të moshuar”.
“Sidoqoftë, Cesc ende nuk është larguar, mbani mend. Ne shpresojmë shumë se ai do të qëndrojë me ne dhe jemi të bindur se kështu do të ndodhë”, ka thënë Hill-Wood.
Nënshkrimi rekord i Manchester Cityt, Robinho, nuk dëshiron të rikthehet në Eastlands.Pas 18 muajve zhgënjyes në City, Robinho u huazua te ish-klubi i tij Santos në muajin janar. Edhe pse nuk ka shanse që Santos të mund t’i bëjë ballë shumës që City do të mund të kërkonte për 26-vjeçarin, Robinho dëshiron të mbetet në vendlindjen e tij dhe dëshiron t’i provojë të gjitha alternativat.
Robinho po e shijon jetën në Brazil dhe ka shënuar një gol vendimtar kundër Gremio që i siguroi ekipit të tij pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Brazilit më vonë gjatë këtij viti. Megjithatë, ish-ylli i Real Madridit dëshiron të vazhdojë qëndrimin e tij në kampionatin brazilian.
“Do të rikthehem në Brazil pas Kupës Botërore dhe, nëse Zoti dëshiron, do të qëndroj dhe të luaj në Copa Libertadores (në vitin 2011)”, ka thënë Robinho.
Portierit të Portsmouth, David James, nuk i është lejuar të dalë në pozitën e menaxherit nga drejtuesit e klubit.James është përmendur si një kandidat potencial për të qenë lojtar-menaxher për pozitën e zbrazët. Por zyrtari i klubit, Andrew Andronikou, ka thënë se është herët që James të caktohet si menaxher.
“David ka shprehur interesim për të bërë një hap tjetër në karrierën e tij, kësaj here në menaxhim, por ne besojmë se është shumë herët ta caktojmë atë si menaxher”, ka thënë Andronikou për The Times.
Mesfushori i Chelseat, Joe Cole, është lidhur me një kalim në Arsenal nga mediat angleze.Sipas Times, menaxheri i topçinjve, Arsene Wenger, pritet ta forcojë mesfushën e tij gjatë kësaj vere dhe është duke e parë Cole si prej përforcimeve të mundshme.
Përfaqësuesi i kombëtares angleze do të jetë pa kontratë që nga muaji i ardhshëm dhe ende nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e saj me zyrtarët e Cheleseat
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder duket i emocionuar me rikthimin e tij në Bernabeu, dhe në ndeshjen e sotme finale të Ligës së Kampionëve synon t’u tregojë fansave të Real Madridit se çfarë kanë humbur.Reali e shiti mesfushorin holandez në gushtin e kaluar për të parë atë të udhëheqë Interin në finalen e Ligës së Kampionëve që mbahet në fushë të klubit spanjoll.
Për ta bërë situatën edhe më të pakënaqur në mesin e fansave të Los Blancos, edhe një lojtar tjetër i larguar, Arjen Robbem, po ashtu ka arritur në finale me Bayernin e Munichut.
“Është mrekulli të rikthehesh në këtë stadium. Pres një finale të vështirë. Edhe Interi edhe Bayerni janë ekipe të fuqishme. Ata e kanë treguar atë gjatë Ligës së Kampionëve. Do të jetë një ndeshje e vështirë”, ka thënë Sneijder.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, ka mirëpritur ardhjen e trajnerit të ri Gigi del Neri.Së bashku me Del Nerin në mesin e drejtuesve të Juves ka arritur edhe ish-drejtori sportiv i Sampdorias, Beppe Marotta, i cili është emëruar menaxher gjeneral, ndërsa Andrea Agnelli tash është president i klubit.
“Është koha t’iu dëshirojmë mirëseardhje këtyre të cilët kanë filluar një udhëtim të ri me Juventusin. Mirëseardhje presidentit, drejtorëve të rinj dhe trajnerit të ri. Kampanja do të fillojë së shpejti dhe ne duhet të nisim që nga fillimi me përkushtimin më të madh dhe me urinë për fitore, andaj mund t’i lëmë prapa zhgënjimet e fundit”, ka thënë Del Piero.
Real Madridi ka vendosur ta lejojë Raul nga kontrata e mbetur e tij prej edhe një viti, me qëllim që ai të mund të largohet si lojtar i lirë.Sportivja AS shkruan se drejtuesit e Realit e kishin bërë propozimin gjatë bisedave të djeshme në Bernabeu me Raul dhe me agjentin e tij, Gines Carvajal.
Rul ka kërkuar kohë për të marrë këtë vendim, por Reali preferon një ndarje të shpejtë nga lojtari, i cili ka qenë në klub për rreth 16 vite.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Txiki Begiristain, thotë se Thierry Henry pritet të largohet nga kampioni i Spanjës gjatë kësaj vere.“Kam arsye të mendoj se ai nuk është vërtet i lumtur me situatën dhe se ai dëshiron një zgjidhje. Henry ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, por kjo nuk ka shkruar në mënyrë të duhur për të”, ka thënë Begiristain.
Sulmuesi francez është lidhur sot me një kalim në West Ham United, edhe pse më herët gjatë javës presidenti Joan Laporta tha se Henry mund të fluturojë drejt SHBA-së dhe t’i bashkohet ekipit amerikan New York Red Bull.
Ish-kapiteni i Arsenalit, William Gallas, është i gatshëm të largohet nga klubi londinez për të kaluar në klubin e kryeqytetit francez, Paris Saing-Germain.Guardian shkruan se Gallas pritet të largohet, së bashku me një mbrojtës tjetër, Mikaël Silvestre, që po ashtu do të lejohet si lojtar i lirë nga topçinjtë.
Wenger ishte i gatshëm ta thyejë rregullin e tij sipas të cilit ai iu ofron vetëm nga një vit vazhdim kontratave të lojtarëve më të moshuar se 30 vjet, me Gallas të cilit i ofroi kontratë dyvjeçare por edhe një pagë dukshëm të zvogëluar.
Por, Gallas nuk është i gatshëm ta pranojë një ulje të pagës dhe Paris St-Germain, klubi nga vendlindja e tij, është i pari në listë për t’i ofruar atij një marrëveshje afatgjate, edhe pse për të janë të interesuar edhe klube nga Serie A.
Avram Grant duket se është i gatshëm të marrë nën drejtim ekipin e West Ham United.Burime nga Izraeli thonë se Grant ka pranuar një ofertë për kontratë trevjeçare për të pasuar Gianfranco Zola në stolin e menaxherit të West Ham United.
Grant dhe Pini Zahavi, agjenti i tij, janë pajtuar për detajet e vogla që të mërkurën, një ditë para se Grant të zbulonte largimin nga Portsmouth me një deklaratë emocionale në ueb-faqen e finalistëve të Kupës FA. Një deklaratë zyrtare pritet të bëhet para fundit të muajit.
Në West Ham United angazhohet edhe mesfushori kosovar me nënshtetësi zvicerane Valon Behrami, i cili megjithatë në sezonin e ardhshëm pritet të rikthehet në Serie A me një varg ekipesh të interesuara për të, përfshirë Palermo, Roma dhe Juventus.
Trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se do ta fitojë Ligën e Kampionëve për presidentin e Interit, Massimo Moratti.“Nuk kam se çfarë të them ende për të ardhmen time. Si të gjithë lojtarët, unë po mendoj vetëm për finalen. Kur hy në finalen e Ligës së Kampionëve nuk ke se çfarë të mendosh tjetër pos saj. I gjithë ekipi po luan për ëndrrën. Pas ndeshjes, fillon jetë e re. Nuk mund të them nëse do të jetë ndeshja ime e fundit me Interin”.
“Unë dua ta shoh zotëri Morattin duke e marrë trofeun dhe duke qarë. Dëshira ime e vetme është që ta bëj këtë ëndërr realitet për familjen Moratti”.
“Unë kam kaluar tri vite të shkëlqyera me Van Gaalin. Unë kam punuar shumë nën drejtimin e tij dhe kam mësuar shumë. Nesër, vetëm njëri prej nesh do të bëhet trajneri i tretë që ka fituar Ligën e Kampionëve me dy ekipe të ndryshme”.
“Van Gaal ka thënë se Barcelona, Chelsea dhe Manchester United janë ekipe më të mira? Nuk pajtohem me këtë. Ne fituam gjithçka në vendet tona dhe jemi në finalen e Ligës së Kampionëve. Nuk ka dyshim se që të dyja ekipet janë të mëdha”, përfundoi Mourinho.
Filippo Inzaghi ka arritur marrëveshje me Milanin duke nënshkruar kontratë një vjeçare, njoftoi klubi nga Via Turatti të premten pasdite.Pasiguria rreth të ardhmes së Inzaghit më në fund u shua, pasi kontrata e tij skadonte në qershor, ndërsa ai ishte lidhur me një kalim te Parma. Sidoqoftë, sulmuesi ka kërkuar edhe një sezon në fanellën e Milanit dhe pas kësaj Adriano Galliani ia ofroi kontratën e re.
“AC Milan komunikon se futbollisti Filippo Inzaghi ka rinovuar kontratën e tij deri më 30 qershor 2011”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit.
Kapiteni i Bayern Munichut, Mark Van Bommel, ka vënë në pikëpyetje politikat e transferimit të Real Madridit, pas shitjes së futbollistit më të mirë të Bayernit këtë sezon, Arjen Robben.“Nuk e di pse Reali nuk e dëshironte atë më gjatë në skuadër. Finalja e Bernabeut është e madhe dhe ne kemi gjasa vërtet të mëdha për ta fituar atë”, theksoi Bommel në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, lajmi se Ribery do ta rinovojë kontratën edhe për pesë vjet të tjera është pritur në heshtje nga shtabi teknik i Bayernit.
Marouane Chamakh edhe zyrtarisht është lojtar i Arsenalit, pas kompletimit të transferimit nga Bordeaux, duke nënshkruar kontratë afatgjate me skuadrën nga Emirates.26- vjeçari ka shënuar 79 gola në 293 paraqitje për Bordeaux, ndërsa Topçinjtë në garën për të kanë mposhtur skuadra si Liverpool, Tottenham dhe Juventus, duke e transferuar marokenin si transfer të lirë.
“Kjo është ëndërr që është bërë realitet dhe kënaqësi që unë iu bashkova Arsenalit. Qëllimi im ishte që të luaja në Ligën Premier dhe Arsenali ishte zgjedhja e zemrës time”, theksoi Chamakh për faqen zyrtare të Arsenalit.
Trajneri i Bayern Munichut, Louis Van Gaal, ishte tejet realist në konferencën për shtyp para finales së Ligës së Kampionëve, duke pranuar se Bayerni nuk është ndër klubet më të forta evropiane dhe duke pranuar se klubi i tij ka arritur në finale falë gjyqtarëve.“Nuk mendoj se jemi ndër ekipet më të mira të Evropës. Interi, Chelsea, Barcelona dhe Manchester Unitedi janë ekipet më të forta në Evropë, jo Bayerni”.
“Ne kemi pasur fat që kemi arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. Ne kemi arritur në finale për shkak të gabimeve të gjyqtarëve në favor tonin. Kjo është arsyeja pse duhet të përdoren kamerat në mbështetje të gjyqtarëve”, theksoi holandezi.
“Për mendimin tim, Jose Mourinho është njëri prej trajnerëve më të mirë. Këtë nuk e them për shumë trajnerë, por Mourinho e meriton këtë. Ai e ka bërë Interin një ekip fitues dhe ka transferuar lojtarët të cilët janë të dobishëm në formacionin dhe stilin e tij të lojës”, përfundoi Van Gaal.
Sir Alex Ferguson ende nuk mund të pajtohet me faktin që është eliminuar nga Liga e Kampionëve, duke thënë se skuadra e tij është dashur të luante në finalen e madhe të Bernabeut ndaj Interit.“Ne është dashur të jemi në atë finale. Ne e kemi vrarë Bayernin, por nuk e patëm fatin në atë mbrëmje që u përcoll nga vendime të tmerrshme të gjyqtarëve ndaj nesh, në një ndeshje që na ndryshoi kursin e sezonit. Nëse shikoni të gjitha ndeshjet e Bayernit këtë sezon, do të vëreni se kanë pasur fat. Ndoshta emri i tyre tashmë është i shkruar në trofeun e Ligës së Kampionëve”.
“Por, mos bëni gabim, Interi është ekipi më i mirë. Interi është shumë, shumë ekip i mirë. Mourinho ka ndryshuar tërë klubin. Unë mendoj se është ekipi më i mirë. Ata mund ta fitojnë atë, por Bayerni ka fat dhe kjo është gjëja e vetme brengosëse”, ka thënë Fergie për AP.
Barcelona pritet që të hënën e ardhshme të bëjë ofertën zyrtare për transferimin e mesfushorit të Arsenalit, Cesc Fabregas.Sipas The Mirror, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta do të fillojë tentimet e tij për ta transferuar mesfushorin katalan që prej të hënës. Gjigantët spanjollë besojnë se mund të arrijnë një marrëveshje para Kampionatit Botëror.
Barcelona nuk e ka ndërmend të japë më shumë se 30 milionë funte, shumë për të cilën nuk dëshiron të dëgjojë Arsenali. Për këtë arsye, Barcelona do t’ia shtrojë Arsenalit një listë të lojtarëve që dëshiron t’i shesë, e të cilët janë: Rafa Marquez, Dmytro Chygrynskiy, Jonathan Dos Santos, Gai Assulin dhe Thiago Alcantara.
Barca nuk do ta përfshijë Yaya Touren, pasi që beson se Chelsea interesohet për të, ndërsa Zlatan Ibrahimovic do të mbesë jashtë listës për arsye se Arsenali nuk është i interesuar në të.
Real Madridi thuhet të ketë refuzuar të transferojë sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic.Marca pohon se menjëherë pas transferimit të David Villas te Barcelona, këta të fundit kanë njoftuar agjentin e Ibras, Mino Raiola, për largimin e suedezit.
Raiola menjëherë ka filluar të kontaktojë me klube të ndryshme, ndër ta edhe Real Madridi. Te Reali, Raiola nuk është pritur me fjalët më të mira, pasi që besohet se drejtuesit e Realit i kishin thënë: “Jo, faleminderit”.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, duket se nuk është dorëzuar në luftën për të mbajtur trajnerin aktual Jose Mourinho në pankinën e Interit, pas interesimit të hapur të Real Madridit.Për shumë njerëz, Mourinho do të largohet në drejtim të Real Madridit, menjëherë pas përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve.
“Nata e nesërme (e shtunë) do të jetë e paharrueshme. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë të fundit. Dhe nëse e bëjmë, atëherë ne mund ta mbajmë Jose Mourinhon. Ai do të japë më të mirën. Unë nuk kam humbur shpresën. Ai do të qëndrojë si trajner i Interit”, theksoi Moratti.
Chelsea është duke përgatitur një ofertë sensacionale në drejtim të Real Madridit, për mesfushorin Ricardo Kaka.AS pohon se Carlo Ancelotti është më shumë se kurrë i bindur se ai mund ta transferojë ish-futbollistin e tij, sidomos pasi që pronari i klubit dha dritën e gjelbër për këtë.
Ish-trajneri i Milanit ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kakan falë kohës së kaluar së bashku në San Siro, ndërsa Ancelotti tani e kërkon brazilianin si pasues të Joe Cole dhe Deco, të cilët pritet të largohen.
Italiani është i bindur se Kaka mund të transferohet për 40 milionë funte, duke shfrytëzuar edhe pakënaqësinë e tij te Reali.
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka lëvduar pronarët e klubit nga Old Trafford, familjen Glazer, duke thënë se ata e kanë mbështetur atë në çdo formë që kishte kërkuar ai.“Ata janë pronarë të mrekullueshëm. Ata më kanë mbështetur në të gjitha mënyrat që kam kërkuar. Sa herë kemi kërkuar një lojtar të ri, ata kanë siguruar paratë”.
“Çfarë njerëzit harrojnë është se ne kemi shpenzuar rreth 20 milionë funte në lojtarë të rinj, duke përfshirë Chris Smalling, Mame Biram Diouf dhe Javier Hernandez. Ne gjithmonë e kemi parë të ardhmen tk lojtarët e rinj”.
“Por, për shkak se po transferojmë lojtarë të rinj, jo futbollistët më me emër, ata mendojnë se ne nuk po punojmë. Njerëzit nuk e dinë se si e shikojmë ne të ardhmen tonë”, deklaroi Ferguson për radio Fan 590.
Mbrojtësi i Interit, Lucio, ka thënë se pret të gjitha llojet e futbollit në finalen e Ligës së Kampionëve, por një gjë është e sigurt sipas tij, Jose Mourinho kërkon futboll defensiv.“Mourinho ka kërkuar nga ne të luajmë futboll defensiv dhe të jemi plotësisht të përqendruar gjatë gjithë lojës. Ka funksionuar për mrekulli ndaj Chelseat dhe Barcelonës. Nëse secili lojtar i ekipit tonë luan mirë, ne do të fitojmë”.
“Në një finale të tillë gjithçka mund të ndodhë. Bayerni është ekip i madh dhe ka arritur për mrekulli në finale. Van Gaal ka bërë punë të mirë, ndërsa ka sjellë shumë lojtarë të mëdhenj. Robben dhe Olic janë në top formë. Ne duhet ta dimë se i gjithë ekipi është në formë të mirë”, deklaroi ish-lojtari i Bayernit.
















