Glen Johnson dhe Wayne Rooney festojnë golin. Kombëtarja angleze ka arritur të mposhtë në mënyrë solide Meksikën në Wembley, me rezultat 3-1, duke vazhduar fazën përgatitore para Botërorit me sukses të plotë.
Anglezët ishin nervozë në fillim, gjë që bëri të përmirësohen në vazhdim, por edhe mysafirët nuk heshtën.
Ledley King shfrytëzoi mirë një top nga Crouch në zonë, duke shënuar për epërsinë e parë dhe për gëzimin e anglezëve në impiant (16’).
Përkundër futbollit të bukur, meksikanët vërtet treguan se nuk dinë të mbrohen nga ndërprerjet. Edhe goli i dytë ashtu si i pari rrodhi nga ndërprerja, kur Gerrard harkoi në zonë për Rooneyn, goditjen e të cilit me kokë e ndali portieri meksikan, ndërsa topin e kthyer e futi në rrjetë Peter Crouch (33’).
Edhe pse Meksika nuk di të mbrohet nga ndërprerja, diti mjaft mirë të shënojë nga ajo situatë. Pas një harkimi të mirë në zonë, Marquez kërcen dhe topi vërtitet në zonën angleze, me ç’rast te vendi ishte Guillermo Franco (45’+2).
Pas një depërtimi të Walcott, depërtimin e vazhdoi edhe Glen Johnson që pas një ‘slalomi’ arriti të shënojë një gol relativisht të bukur, dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë.
Anglia me këtë fitore vazhdon me sukses fazën përgatitore, para Kampionatit Botëror, ndërsa Meksika mori një mësim para se të udhëtojë në Afrikën e Jugut.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është duke i bërë përpjekjet e fundit për të penguar Jose Mourinhon të kalojë te Real Madridi, tentime këto që duket të jenë të vonuara.
Sipas raporteve të fundit nga Spanja dhe Italia, mësohet se Jose Mourinho është vetëm 48 orë larg stolit mbretëror te Real Madridi, ndërsa Moratti shprehet se shpreson ta mbajë atë.
“Të shohim si do shkojë me Mourinhon. Unë preferoj të takohem me të drejtpërsëdrejti në ditët në vijim. Shpresa vdes e fundit, por ne gjithashtu duhet të respektojmë dëshirën e atyre që ndjejnë se e kanë kryer punën e tyre”, tha Moratti.
Mesfushori spanjoll i Real Madridit, Xabi Alonso, nuk i jep shumë rëndësi të qenit favorit, pasi që sipas tij, mjafton që kombi që përfaqëson ai të besojë se ata mund ta fitojnë Botërorin.
“Ne nuk i japim shumë rëndësi idesë së të qenit favorit. Të jesh favorit…çfarë ju jep kjo? Asgjë. Ekipi po bën mirë, por në Kupën e Konfederatave kemi mësuar se në një ditë të keqe, mund të mbeteni me gishta në gojë”.
“Të jemi të qëndrueshëm gjatë gjithë muajit sa zhvillohet gara është çelësi i suksesit. Këtë vit jemi më shumë se kurrë të përkushtuar dhe ka arsye për të besuar se ne do ta fitojmë titullin. Do të jetë rast mjaft i mirë. Ne shpresojmë të fitojmë përparësi nga kjo dhe të kemi sukses”, u shpreh Alonso për Marca.
Real Madridi ka kontaktuar Valencian për mundësinë e transferimit të David Silvas, ndërsa AS shton se Los Blancos ende nuk kanë bërë ndonjë ofertë zyrtare për mesfushorin e ri ofensiv.
Sipas një raporti të AS, Reali ka filluar kontaktet e para me Los Che për çmimin e mesfushorit, por madrilenët nuk janë të sigurt nëse Jose Mourinho do ta dëshironte spanjollin si përforcim për sezonin e ardhshëm.
Valencia është e detyruar të shesë disa prej futbollistëve më të mirë, për të mbuluar borxhet e mëdha të klubit, ndërsa David Villa tashmë është larguar në drejtim të Barcelonës.
Interi është i vendosur t’i bëjë ofertë Liverpoolit për mesfushorin defensiv Javier Mascherano.
Daily Mail njofton se Interi bëhet skuadra e tretë në garë për argjentinasin, pasi që edhe rivali i zikaltërve, Juventusi, gjithashtu po tregohet tejet i interesuar për Mascheranon.
Nga ana tjetër, letrat më të mira duket se i ka Chelsea. Blutë do të largojnë nga skuadra Juliano Belletin dhe Decon pas përfundimit të kontratave respektive, ndërsa këtyre do t’u pasojnë edhe Michael Ballack e Joe Cole, të cilët do të jenë transfere të lira gjatë verës. Kjo ka bërë që Mascherano të hyjë në listën e Ancelottit, në tentim për të mbrojtur titullin e Ligës Premier.
Përzgjedhësi i përfaqësueses nikoqire të Botërorit, Carlos Alberto Parreira, ka lëvduar shpirtin luftarak të skuadrës së tij.
“Ky është grupi më i mirë që kam pasur ndonjëherë, madje më i mirë se Brazili. Këta djem janë të motivuar, punëtorë, të përkushtuar për të luajtur mirë, përkundër asaj se ata nuk konsiderohen favoritë. Më besoni kur them se ne do të shkaktojmë befasi në këtë Botëror”.
“Unë pranoj se nuk jemi favoritë në këtë grup të vështirë. Nuk kërkoj nga lojtarët e mi t’i fitojnë të tria ndeshjet, por unë u kam thënë atyre të luajnë mirë, kurse rezultatet vijnë vet”, tha Parreira.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se Mourinho është trajner më i mirë se Carlo Ancelotti, pasi sipas skocezit, Mourinho ishte më inteligjent dhe frikësohej nga ekipi i tij.
“Jose është një djalosh inteligjent. Sa herë ai flet për mediat, ai e galvanizon ekipin. Ai ka efekt të paparë te lojtarët. Chelsea i sotëm nuk e ka rigjetur atë besimin e paluhatshëm edhe pse e ka fituar titullin”.
“Me Mourinhon, unë e kuptova që pas dy titujve të Chelseat, më është dashur të adoptoja përgatitjet e mia për ekipin tim, në mënyrë që të ishte kompetitiv më herët gjatë sezonit. Nuk mund t’ia lejoja vetes që Chelsea të na ikë larg. Sfida ndaj Mourinhos ishte një sfidë prej inteligjence, e besimit në vetvete. Më është dashur të hyja në këtë sfidë”, deklaroi Ferguson për L’Equipe.
Se Jose Mourinho thuajse është trajner i Real Madridit, kjo gjë dihet, mirëpo fakti se ai dhe njëri ndër kritikuesit e tij më të mëdhenj, Cristiano Ronaldo, do të punojnë së bashku, lë vend për spekulime.
Përkundër problemeve të mëdha në të kaluarën mes Mourinhos dhe Ronaldos, dhe luftërave të tyre mediale, që të dy këta kanë vendosur të lënë mënjanë të kaluarën dhe të punojnë së bashku në paqe, me Ronaldon që ditë më parë deklaroi se nuk do të kishte problem nëse ai do të punonte me strategun portugez.
“Ronaldo është një futbollist i lehtë me të cilin mund të punohet. Secili trajner do të ishte i kënaqur ta kishte atë në skuadër”.
“Ai është fenomen dhe do të duhet të lihet i vetmuar. Nuk i kuptoj sulmet ndaj jetës së tij private, vetëm e vetëm pse është yll. Për mua ai është një jashtëtokësor, por ai duhet të fitojë më shumë tituj nëse dëshiron të konsiderohet legjendë, si Alfredo Di Stefano apo Maradona ose Pele”, theksoi Mourinho për Marca.
Agjenti i anësorit të Interit, Douglas Maicon, ka vendosur të ngurtësojë spekulimet për një kalim të brazilianit te Real Madridi, duke thënë se Massimo Moratti e ka në dorë të ardhmen e klientit të tij.
Marca pohoi se Maicon dëshiron t’i bashkohet Jose Mourinhos te Real Madridi, marrëveshje që pritet të zyrtarizohet brenda 48 orëve.
“Nuk mund të them asgjë. Ne jemi ende në një fazë ku Interi nuk e ka analizuar situatën. Ai ka marrëdhënie të mira me Mourinhon, por ai është strateg i Interit dhe mund të qëndrojë ende. Moratti do të vendosë për të ardhmen”, tha Antonio Caliendo për TMW.
Një multi-miliarder nigerian, i është futur luftës për të blerë klubin nga Emirates, Arsenal.
The Sun shkruan se industrialisti i pasur Aliko Dangote është në bisedime për të marrë 16 % të aksioneve të shitura nga Lady Nina Braceëell-Smith. Kjo përqindje është 96 milionë funte e vlefshme, por ajo kërkon 160 milionë.
Dy investitorët më të mëdhenj të Arsenalit, amerikani Stan Kroenke dhe rusi Alisher Usmanov, janë treguar gjithashtu të interesuar, por këta të fundit dëshirojnë të blejnë të gjitha aksionet e klubit.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka thënë se atij më shumë do t’i pëlqente të luante pranë Lionel Messit se sa ish-bashkëlojtarit Cristiano Ronaldo.
“Nuk mendoj se Ronaldo të jetë i kënaqur nga përgjigja ime- Lionel Messi. Përgjatë dy viteve të fundit Messi e ka çuar lojën, kënaqësinë dhe argëtimin në një nivel tjetër”.
“Ronaldo është lojtar i klasit botëror, unë kam luajtur me të dhe mendoj se me të drejtë u shpall futbollisti më i mirë i vitit, por për këtë vit mendoj se Messi e ka çuar futbollin në një nivel tjetër”, tha Rooney pas pyetjes së News of the World se me kë do të dëshironte të luante.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se Adam Johnson i Manchester Cityt, e meriton të jetë në listën përfundimtare prej 23 futbollistëve të Fabio Capellos, për Botërorin e radhës.
“Adam u duk fantastik në stërvitje. Ai është një anësor i majtë tipik, ndërsa harkon mirë brenda zonës dhe duket i eksituar kur e ka topin. Duhet të presim se me cilët lojtarë do të vendosë të shkojë Fabio Capello në listën prej 23 futbollistëve”.
“Por jam i sigurt që Adam ka rastin fantastik për të luajtur në Botëror, sepse ai është një lojtar shumë i talentuar”, deklaroi Gerrard.
Liverpooli është vënë në ndjekje të sulmuesit boshnjak të Wolfsburgut, Edin Dzeko.
News of the World shkruan se agjenti i transferimeve te Liverpooli, Manuel Jungo, ka qenë në Sarajevë për të biseduar me përfaqësuesit e sulmuesit boshnjak.
Chelsea dhe Manchester City pritet të bëjnë oferta të mëdha për të transferuar Fernando Torresin, ndërsa Liverpooli mund të shfrytëzojë këto para për të marrë njërin ndër sulmuesit më me perspektivë në Evropë.
Jose Mourinho pritet që pas 48 orësh edhe zyrtarisht të jetë trajner i ri i Real Madridit, ndërsa kjo duket të jetë çështje e sigurt sipas të përditshmes Marca, që shkruan se agjenti i Mourinhos ka shkëputur kontratën e portugezit me Interin dhe tani po bisedon me zyrtarët e Realit.
“Unë jam në gjendje ta fitoj Ligën e Kampionëve në çdo moment me Real Madridin. Dua të bëhem trajneri i parë që fiton tituj në tre kampionatet më të forta të botës. Cristiano Ronaldo është i pakënaqur te Reali, sepse ai nuk ka fituar tituj”, citohet të ketë thënë Mourinho.
Nga ana tjetër, në një intervistë për televizionin portugez TV1, Mourinho tha se agjenti i tij tashmë është takuar me zyrtarët e Realit, ndërsa marrëveshja është vetëm çështje orësh.
“Unë dua të takohem me njerëzit, në mënyrë që të di saktësisht çfarë duan ata nga unë dhe cilat janë kushtet, jo strukturat, sepse ato tashmë i njoh, por të heq çdo dyshim kur unë t’ia filloj punës”.
“Yje janë futbollistët e Interit, ata janë kampionët e Evropës. Mesazhi im për lojtarët e Realit është që nëse i drejtoj ata, ata nuk janë yje, as trajneri nuk është yll, por ylli është ekipi. Nëse ata të gjithë e pranojnë këtë sikur te Porto, Chelesea apo tek Interi, atëherë fitoret nuk do të mungojnë”, përfundoi Mourinho.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, është i bindur se sulmuesi Fernando Torres do të vazhdojë qëndrimin në Anfield.
Reina ka folur me bashkëvendësin e tij këtë javë dhe thotë se Torres është i përkushtuar të rikthehet sërish në klub.
“Jam i qetë për Fernando. Kam folur me të për të ardhmen e tij dhe ai më ka thënë se synon të vazhdojë me ne. Fernando ka pasur aq shumë dëshpërime sezonin e kaluar, por ai është një profesionist dhe gjithmonë dëshiron të japë më të mirën për ne. Kjo është ajo që thotë ai – i përkushtuar ndaj klubit të tij”, ka thënë Reina.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, thotë se ai nuk mendon për mundësinë për ta rikthyer Roberto Mancinin në Giuseppe Meazza.
Kampioni i Italisë dhe Evropës është në kërkim të një trajneri të ri, pasi Jose Mourinho filloi negociatat me Real Madridin për të kaluar në Santiago Bernabeu.
Mediat kanë përmendur serbin Sinisa Mihajlovic dhe italianin Fabio Capello si opsione të mundshme, ndërsa është përmendur edhe një rikthim i Mancinit në Inter.
“A kam menduar për Mancinin? Jo, mendoj se kjo nuk është e mundshme. Mancinit i pëlqen jeta në Angli”, ka thënë Moratti.
Trajneri i ri i Juventusit, Luigi del Neri, thotë se do të punojë me ngulm për ta rikthyer kredibilitetin e klubit.
“Sigurisht kjo është një sfidë e rëndësishme për mua. Pas sezonit të kaluar, klubi do ta rikthejë kredibilitetin. Për mua puna është sfiduese pasi ju ofrohet një mundësi për t’u sprovuar në nivelin më të lartë”.
“Është e nevojshme të bisedojmë për përmirësim, jo për rikonstruktim, pasi mendoj se në një grup të kampionëve nuk ka nevojë për rikonstruktim. Por sigurisht është e nevojshme të sillen disa përforcime për t’u realizuar qëllimet për këtë sezon”, ka thënë Del Neri.
Portieri i Fiorentinës, Sebastian Frey, nuk e di se si do të jetë e ardhmja e tij por është i gatshëm për një sfidë të re.
Francezi 30-vjeçar ka marrëveshje me Violan deri në vitin 2013, por besohet se ai mund të ndërrojë ambient gjatë kësaj vere, pasi për të janë të interesuar një varg klubesh, mes të cilave Arsenali dhe Manchester United.
“Kam biseduar me presidentin e Fiorentinës. Do të bisedoj me të edhe një herë pas pushimeve. Kam pasur marrëveshje me Fiorentinën deri në vitin 2013. Por në jetë, në momente të caktuara, keni nevojë për sfida të reja dhe nuk mund ta fsheh faktin se unë kam nevojë për një të tillë”, ka thënë Frey në një intervistë për La Gazzetto dello Sport.
“Por sfida e re nuk do të thotë se patjetër duhet të largohesh, kjo do të thotë edhe të mbetesh nëse ekipi përforcohet mirë. Vitin e ardhshëm nuk do të luajmë në Evropë dhe për këtë arsye kemi nevojë për një ekip të fuqishëm që do të luajë në nivelin më të mirë në Serie A”, ka shtuar portieri.
Barcelona këtë javë do të dërgojë ofertë zyrtare të vlefshme 45 milionë euro për shërbimet e Cesc Fabregas.
El Mundo Deportivo thotë se kjo javë do të tregohet shumë kyçe për të ardhmen e Cesc Fabregas. Spanjolli tashmë ka zhvilluar takime me Arsene Wenger për t’ia përcjellë dëshirën për të kaluar në Camp Nou dhe se dëshiron ta kompletojë transferimin në Kupën Botërore.
Por, Arsenali nuk dëshiron të dëgjojë për shitje të kapitenit dhe për këtë arsye ka vënë një çmim të lartë në mes të 87-92 milionë funte. Megjithatë sipas El Mundo Deportivo në disa ditët e ardhshme Barcelona edhe zyrtarisht do të dërgojë ofertë, e cila do të jetë përgjysmë e shumës së kërkuar nga Arsenali, 45 milionë euro.
Trajneri i Argjentinës, Diego Maradona, e ka bërë të qartë se Lionel Messi do të ketë ndikim shumë më të madh në Botërorin e sivjetmë, sa që ka pasur ai në Kampionatin e vitit 1986, të cilin e fitoi Argjentina.
“Messi është më i mirë saqë kam qenë unë në Kampionatin Botëror ’86. Ai është lojtari më i mirë në botë dhe shumë larg atyre me të cilët krahasohet”.
“Është fat që Leo ka lindur në Argjentinë dhe unë jam trajner i tij. Kushdo që nuk e kupton këtë , është problem i tyre. Messi është i vetëdijshëm se kolegët presin që ai të jetë qershia mbi tortë. Ai duhet të jetë lider me topin”, ka thënë Maradona për Sport.
Liverpooli dhe Chelsea janë të shqetësuar me lajmin që Jose Mourinho ka caktuar disa emra nga skuadrat e tyre për të transferuar në Santiago Bernabeu, pasi të caktohet trajner i Real Madridit.
The Sun bën të ditur se fituesi i Ligës së Kampionëve dëshiron të transferojë Didier Drogban, Frank Lampardin dhe Ashley Cole nga ish-skuadra e tij Chelsea, si dhe dyshen e Liverpoolit, Steven Gerrard dhe Fernando Torres.
Po ashtu, Mourinho, që do të fitojë 8 milionë funte për sezon te Reali, planifikon që të ‘vjedhë’ nga Interi edhe Diego Militon, Wesley Sneijderin dhe Julio Cesarin.
Gianluigi Buffon ka refuzuar të kënaqë botën e spekulimeve në lidhje me të ardhmen e tij, duke thënë se ai do të qëndrojë te Juvetnusi edhe pas kësaj vere.
Sipas spekulimeve, Bianconerët janë të gatshëm të heqin dorë nga portieri italian për të grumbulluar para për blerjen e lojtarëve të tjerë, mirëpo i të njëjtit mendim nuk është Buffon.
I pyetur nga Sky Sport 24 mbi këtë temë, Buffon u përgjigj se ai është marrë vesh me presidentin e ri të Juves, Andrea Agnelli, që ta vazhdojë karrierën me fanellën bardhezi.
Natyrisht, as vigani i mbrojtjes italiane, Giorgio Chiellini, nuk e la pa u shprehur për finalen e madhe të Bernabeut, të cilën e fitoi Interi, me ç’rast ai lëvdon Interin dhe Diego Militon.
“Interi demonstroi meritë të plotë në Ligën e Kampionëve pasi që mposhti Chelsean, Barcelonën dhe Bayern Munichun. Nuk e mbështeta askënd të shtunën mbrëma, por është e drejtë të nderoj palët kur është nevoja”.
“Diego Milito ishte fantastik këtë sezon, duke qenë vendimtar në tri ndeshjet kryesore të sezonit. Edhe pse ai u poq vonë, më duhet të them se ai definivitisht ka arritur në skenën botërore”, theksoi Chiellini.

Carlos Tevez ka thënë se ai është në kërkim të formës së tij më të mirë para Botërorit, ndërsa dëshiron t’i lë përshtypje Maradonas për një vend startues në formacionin e Argjentinës.
Argjentina ka shumë opsione në sulm, me Lionel Messin, Higuainin, Tevezin dhe Militon, mes të cilëve Maradona do të duhet të bëjë zgjedhjen përfundimtare.
“Unë gjithnjë tentoj të jem fizikisht i përgatitur. Kjo është gjëja më e rëndësishme, dua të arrij majën e formës. Më pas, trajneri merr vendimin përfundimtar, ndërsa ne duhet ta respektojmë atë”.
“Ka kohë ende deri në ndeshjen e parë të Botërorit. Në stërvitje unë besoja dhe kam dëshmuar se jam gati të luaj, jam i motivuar kur luaj në fanellën e kombëtares. Nëse luaj me dy sulmues tjerë, mendoj se do t’ia dali mjaft mirë, sepse këtë e kam bërë disa herë”, tha Tevez për Sporting Life.

Rio Ferdinand është kapiten i Anglisë, ndërsa këtë detyrë do ta bartë për herë të parë në jetën e tij, pasi John Terryt iu mor shiriti i kapitenit nga Fabio Capello, për shkak të skandalit të mirënjohur.
“Të jem kapiten është një nder fantastik dhe përgjegjësi për të cilën po përgatitem. Por, nuk është diçka që do të më ndryshojë, unë do të sillem në të njëjtën mënyrë.
“Edhe më parë unë isha krijuar për të qenë kapiten, lojtarët e rinj më njihnin si njeriun të cilit duhet t’i shpreheshin, në një mënyrë, është më e rëndësishme se sa të jem kapiten. Kur keni përvojë nëpër gara të mëdha, jeni në gjendje për të qenë njeriu që të rinjtë kanë nevojë t’i shprehen”, u shpreh Ferdinand për AP.
Yli i anglez i Aston Villas, James Milner, ka refuzuar të kalojë te Manchester United, për shkak të lidhjeve të tija me Leeds Unitedin.
Marrëdhëniet e Manchester Unitedit me Leeds Unitedin janë aspak të mira, ndërsa sipas News of the World, kjo duket të ketë ndikuar te Milner, që kaloi fëmijërinë te Leeds, para se të kalonte te Newcatle United në vitin 2004 për 3.6 milionë funte.
Manchester City ka bërë tashmë një ‘kundërofertë’ prej 20 milionë funtesh, ndërsa duhet të rrisë ofertën nëse e dëshiron atë në skuadër. Chelsea gjithashtu duket të jetë e interesuar, ndërsa te Liverpooli, Milner do të pranonte të shkonte nëse Martin O’Neill do ta pasonte Benitezin në postin e trajnerit.
Atletico Madrid ka konfirmuar se ka siguruar shërbimet e të riut Fran Merida, të cilin e ka transferuar si lojtar të lirë nga Arsenali.
Mësohet se 20-vjeçari nuk kishte arritur të merrej vesh me Topçinjtë për vazhdimin e kontratës, duke lejuar kështu ndërhyrjen e spanjollëve.
Merida ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Atleticon, dhe pritet që ai të jetë në dispozicion të skuadrës që në ndeshjen për Superkupën e Evropës kundër Interit, që do të shënojë fillimin e sezonit 2010-2011.
Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, ka këmbëngulur se ai nuk do të shqyrtojë kalimin në Ligën Premier gjatë kësaj vere.
Po flitet se Barcelona dëshiron ta shesë sulmuesin suedez pas ardhjes së David Villas në Camp Nou, ndërsa për Ibrën thuhet të jenë të interesuara skuadra nga mbarë Evropa.
“Anglinë nuk e ndjej afër meje. Nuk më pëlqen shiu. Futbolli gjithnjë do të jetë në zemrën time, është pjesë e imja. Shpresoj t’i kontribuoj futbollit suedez me anë të diturisë time në njërën ose tjetrën mënyrë”, theksoi Ibra për revistën Café.
Pippo Inzaghi duket të jetë ende i pakënaqur me të arriturat me Milanin, duke thënë se ai ka ambicie të mëdha për fazën e fundit të karrierës.
“Qëllimi im kryesor është që të mbes në formë. Të mposht rekordet e golave është me rëndësi për mua pas gjithë kësaj që kam arritur, ndërsa tani jam i kënaqur me zgjatjen e kontratës”.
“Allegri? Le të presim dhe të shohim çfarë do të ndodhë. Gjithnjë kam thënë se të luajmë ndaj skuadrës së Allegrit ishte e vështirë, sepse ai është një strateg shumë i organizuar. Lojtarët e tij gjithmonë e dinë çfarë roli kanë në fushë”.
“Interi me plot meritë e meritoi kurorën evropiane, por shpresoj që ne të rikthehemi në maje dhe të kënaqemi me sukseset shumë shpejt”, u shpreh Inzaghi.
Bayerni nuk ishte në gjendje të thyejë mbrojtjen e Interit në finalen e madhe, ndërsa presidenti bavarez Uli Hoeness flet për një sezon fantastik dhe për një Inter konkret.
“Unë jam i zhgënjyer dhe i pikëlluar. Kur arrini në finale, dëshironi ta fitoni atë. Por, ne nuk duhet të mbahemi në zhgënjimin tonë. Ne kemi pasur një sezon fantastik. Para ndeshjes thamë, që edhe nëse pësojmë disfatë nuk duam ta shkatërrojmë sezonin dhe se nuk duhet të fillojmë ta shkatërrojmë këtu dhe tani”.
“Interi pati më shumë përvojë, kurse ne nuk ishim mjaft konkretë. Interi ishte ekip fantastik, pasi që eliminoi Barcelonën nga kjo garë. Ata patën tre raste dhe shënuan dy herë, ne patëm një rast të mirë për të barazuar por nuk e shfrytëzuam. Kjo ishte diferenca”.
“Të themi se ne duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm është shumë e lehtë të thuhet. Është rrugë e gjatë, 12 ndeshje deri te finale, mund të jeni të pafat në short apo t’iu përfshijë një ditë e keqe. Do të më duhet të isha profet nëse do të doja të thosha se vitin tjetër do ta fitojmë”, ka thënë Hoeness.
Sulmuesi i Ajaxit, Luis Suarez, shpreson të bëjë një kalim te Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar veror, pasi që Sir Alex Ferguson është duke e ndjekur uruguaianin që një kohë të gjatë.
Trajneri i Ajaxit, Martin Jol, me çdo kusht dëshiron ta mbajë Suarezin, i cili ka shënuar 35 gola në 33 ndeshje këtë sezon. Megjithatë, një burim brenda klubit thotë se Ajaxi do t’u rezistonte ofertave deri në 25 milionë funte.
“Suarez është lojtar që Ajaxi dëshiron ta mbajë. Ai është një talent i shkëlqyer dhe ai ka shënuar shumë gola për ne këtë sezon. Për momentin, ai është lojtar i Ajaxit dhe ne duam ta mbajmë kështu. Nëse vjen një ofertë e lartë për të, ne duhet ta shqyrtojmë atë. Ai është lojtar ambicioz”, theksoi burimi për Daily Star Sunday.
Mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery, ka vazhduar kontratën e tij, që do ta mbajë atë në Allianz Arena deri në verën e vitit 2015.
Përkundër humbjes prej 2-0 në finale ndaj Interit, francezi ka vendosur t’i përkushtohet klubit nga Allianz Arena edhe për pesë vite tjera, duke shuar kështu spekulimet për një kalim te Real Madridi ose në Ligën Premier gjatë kësaj vere.
Në faqen zyrtare të klubit, është drejtori i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge ai që komentoi: “Ne jemi krenarë që kemi zgjatur kontratën me njërin prej futbollistëve më të mirë në rruzull. Ky është gjithashtu indikacion i qëllimeve afatgjate të klubit në përgjithësi”.
Ribery vet u tregua i ngazëllyer me vazhdimin e kontratës duke shtuar: “Familja ime dhe unë jemi shumë të lumtur në Munich. Unë jam fatlum të kem vazhduar bashkëpunimin me Bayern Munichun”.
Milani është në negociata për sulmuesin Zlatan Ibrahimovic dhe me mesfushorin brazilian Hernanes, ndërsa që të dy këta në rast të transferimit do të përbënin një merkato bombastike për Rossonerët.
Calciomercato spekulon për një telefonatë në orët e mëngjesit mes dy presidentëve, Silvio Berlusconi dhe Joan Laporta, ndërsa marrëveshja pritet të arrihet së shpejti për arsye se Ibra nuk gjen dot vend pas ardhjes së David Villas.
Nga ana tjetër, transferimi i mesfushorit brazilian Hernanes është çështje kohe, pasi që agjenti i tij ka arritur marrëveshje me zyrtarët e Milanit, e vlefshme 15 milionë euro. Me po të njëjtën shumë pritet të largohet Klaas Jan Huntelar në drejtim të Tottenhamit.
Ibrahimovic ende konsiderohet njëri ndër pesë sulmuesit më të mirë në botën e futbollit, ndërsa Hernanes konsiderohet njëri prej mesfushorëve më të talentuar sot në botë.