Raul Gonzales do të vendosë për të ardhmen e tij në Real Madrid vetëm pasi të takohet me trajnerin e ardhshëm, Jose Mourinho, shkruajnë mediat spanjolle.
Kapiteni i mbretërve, së bashku me agjentin e tij Gines Carvajal, ka folur me menaxherin gjeneral, Jorge Valdano, gjatë javës së kaluar, për vitin e fundit të kontratës së tij.
Raul dëshiron të luajë edhe sezonin e ardhshëm, por nëse kjo do të ndodhë me Realin do të vendoset vetëm pasi ai të takohet me Mourinhon.
Nëse trajneri portugez, që pritet të caktohet këtë javë, nuk mund t’i garantojë vend të rregullt sulmuesit veteran, Raul do të kërkojë të largohet.
Sportivja spanjolle Sport shkruan se Milani është favoriti kryesor në garë me Chelsean dhe Manchester Cityn për të marrë shërbimet e Zlatan Ibrahimovic.
Pasi Barcelona kompletoi transferimin e David Villa, gjithmonë e më shumë janë të zëshme spekulimet në media për largimin e Zlatan Ibrahimovic edhe krahas asaj që drejtuesit e klubit thonë se suedezi nuk është në shitje.
Besohet se Barcelona tashmë ua ka ofruar Ibrahimovic dy klubeve angleze Chelsea dhe Manchester City, klube këto të cilat kanë fuqi më të madhe financiare për të transferuar sulmuesin. Por sipas edicionit të sotëm të Sport, ekipi i Milanit është favoriti kryesor në garë për nënshkrimin e sulmuesit.
Gazeta shkruan se Silvio Berlusconi është i gatshëm të dërgojë një ofertë të majme në drejtim të Barcelonës, me qëllim që ta rikthejë Zlatan Ibrahimovic në Serie A. Edhe Ibrahimovic do të preferonte të rikthehet në Itali, ku ka luajtur në fanellën e Interit dhe Juventusit.
Rafael Benitez ka pohuar se Fabio Aurelio do të largohet nga Anfield gjatë kësaj vere, pasi marrëveshja për mbrojtësin e majtë skadon së shpejti.
Ish-lojtari i Valencias kaloi te Liverpool në vitin 2006 si futbollist i lirë dhe tash në të njëjtën mënyrë do të largohet nga Anfield, pasi Liverpooli nuk ka arritur ta vazhdojë kontratën e tij.
“Marrëveshja me Fabio është në prag të skadimin, andaj ai do të largohet nga Liverpooli këtë verë. Ne jemi përpjekur ta vazhdojmë bashkëpunimin, por në fund nuk arritëm. Ai na ka shërbyer shumë. Fabio është profesionalist i vërtet, një futbollist i shkëlqyeshëm dhe një djalosh i mirë. Vërtet mendoj kur e them këtë”, ka thënë Benitez.
Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, ka pranuar se ai është i gatshëm ta shesë sulmuesin Sergio Aguero për shumën sa është e përcaktuar në klauzulë.
Argjentinasi është duke u kërkuar nga klubet më të mëdha evropiane, përfshirë Chelsea, Manchester United dhe Real Madrid.
“Nuk mendoj se Aguero do të largohet. Ende nuk kam marrë asnjë ofertë, dhe nëse ndonjëherë e shesim, kjo nuk do të ndodhë për më pak se klauzula e tij blerëse prej 60 milionë euro”, ka thënë Cerezo mbrëmë.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka paralajmëruar Real Madridin për sulmuesin Diego Milito.
Argjentinasi është lidhur me një kalim në Madrid së bashku me trajnerin Jose Mourinho, që pritet t’i bashkohet Realit gjatë kësaj jave, pas dy sezoneve në krye të Interit.
“Do të them vetëm një gjë, ka dallim në mes të Milito dhe trajnerit tonë, Mourinho. Mourinho ka klauzulë në kontratën e tij, sipas të cilët nëse ajo shfrytëzohet, ai mund të largohet. Megjithatë, Milito nuk e ka dhe prandaj diskutimi mbaron këtu”, ka thënë Moratti.
Orlando Magic kanë mposhtur Boston Celtics me rezultat 96-92 në kohën shtesë, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në finalen e madhe të NBA-së.
Duke u përballur me eliminim në finalen e Lindjes, Magic arritën të shënojnë fitore, të ndihmuar nga Dwight Howard që ishte shënuesi më i mirë me 32 pikë dhe 16 kërcime. Jameer Nelson shënoi 23 pikë për Orlando, dhe shënoi dy trepikësha në kohën shtesë.
Për Boston, Paul Pierce shënoi 32 pikë dhe pati 11 kërcime. Ray Allen shënoi 22 pikë në këtë ndeshje. Boston tash avancon me rezultat 3-1 në serinë e ndeshjeve finale të Konferencës Lindore.
Sipas GloboeSporte, sulmuesi i Flamengos, Adriano, u ka thënë bashkëlojtarëve se ai do të largohet nga Flamengo, për t’iu bashkuar Romës gjatë verës.
Sulmuesi brazilian, kontrata e të cilit me Flamengon skadon më 30 maj, vazhdimisht është lidhur me një rikthim në Serie A pas një sezoni të suksesshëm me klubin brazilian.
Drejtuesit e Flamengos do të mundohen të bindin ish-yllin e Interit të qëndrojë, por vështirë që kjo të ndodhë duke marrë parasysh dëshpërimin e ‘perandorit’ për mos përfshirjen në kombëtaren braziliane.
Përzgjedhësi i kombëtares angleze, Fabio Capello, dëshiron më shumë nga lojtarët e tij, edhe pse ata mposhtën kombëtaren e Meksikës me rezultat 3-1.
Golat nga Ledley King, Peter Crouch dhe Glen Johnson i dhanë fitoren anglezëve, derisa i vetmi që u shënua nga meksikanët ishte ai i Guillermo Franco. Por Capello nuk ka qenë krejtësisht i kënaqur me paraqitjen e të zgjedhurve të tij, pavarësisht fitores.
“E di se meksikanët janë të mirë teknikisht, më të shpejtë se ne, dhe ishte vështirë ta marrim topin përsëri. Por kam mësuar shumë nga kjo ndeshje me gjendjen në fushë, pasi kam folur me lojtarët pas pjesës së parë”.
“Ne duhet të bëjmë presion më shumë. Jo të gjitha ekipet do të luajnë kështu – ky ishte një stil ndryshe. Por e dini, për mua është e rëndësishme të avancosh topin dhe ta fitosh atë përsëri shpejt”, ka thënë Capello.
Anësori i Anglisë, Theo Walcott, beson se ai e ka merituar vendin në kombëtaren e Anglisë për Botërorin që zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik në Afrikën e Jugut.
“Unë nuk kam luajtur as në Ligën Premier dhe t’iu them të drejtën nuk e prisja ftesën. Më duket më ndryshe këtë herë. Të hyja brenda 30 më të mirëve më bën të ndjej se e meritoj të jem këtu, unë isha pjesë e kualifikimeve dhe unë po luaj rregullisht në Ligën Premier”.
“Gjithçka varet nga puna e madhe. Nëse kthehemi prapa në kohën time te Southamptohni, te Newbury, këto momente ishin fillestare”, tha Walcott.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka përmendur mos përfshirjen e Javier Zanettit dhe Esteban Cambiassos në kombëtaren argjentinase, duke thënë se atij i vjen keq për dy legjendat e futbollit argjentinas.
“Si bashkëlojtar dhe mik i tyre, më vjen keq që ata nuk janë këtu. Ata janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por duhet të respektojmë vendimin e Diego Maradonës”, theksoi Milito pasi arriti në Buenos Aires.
“Si të gjithë të përzgjedhurit edhe unë dua të luaj në secilën ndeshje me kombëtaren. Argjentina është një ndër favoritët e Kampionatit Botëror”, përfundoi Milito.
Sipas radios portugeze TSF, Real Madridi ka arritur marrëveshje me Benfican prej 40 milionë eurosh, për transferimin e mesfushorit argjentinas, Angel Di Maria.
Mesfushori argjentinas është lidhur me një kalim në Santiago Bernabeu, ndërsa spekulimet u rritën pas qartësimeve se Mourinho po bëhet trajner i Real Madridit, e që është adhurues i Di Marias.
TSF shton se Benfica, pos 40 milionë eurove, do të mund të marrë edhe ndonjë lojtar në këmbim, ndërsa në tavolinë janë Ezequiel Garay dhe anësori Royston Drenthe.
Kombëtarja argjentinase ka shkatërruar Kanadanë me rezultat 5-0, në ndeshjen me karakter miqësor dhe përgatitor para Kampionatit Botëror.
Maxi Rodriguez gjeti dy herë portën kanadeze, në minutat 16 dhe 32, për të vulosur që në fillim fitoren. I kërkuari nga Reali, Angel Di Maria, shënoi për 3-0 dhe pushimin e qetë në fund të pjesës së parë.
Carlos Tevez pas një pasimi të Higuainit e katërfishoi epërsinë (63’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vuri Segio Aguero (71’).
Kjo fitore shton besimin e kombëtares argjentinase para Botërorit, sidomos kur merret parasysh kjo shkelje ndaj Kanadasë, e cila u dërrmua në pothuajse çdo statistikë.