Real Madridi ka ndarë rrugët me trajnerin Manuel Pellegrini, duke i lënë hapësirë ardhjes së trajnerit të ri, Jose Mourinho.
Pas një mbledhjeje të bordit të Real Madridit, Florentino Perez edhe zyrtarisht ka konfirmuar në një konferencë për shtyp se bordi i Real Madridit ka shkarkuar Manuel Pellegrinin, ndërsa bëri të ditur negociatat me Jose Mourinhon.
Perez ka bërë të ditur se Real Madridi ka probleme në zgjidhjen e kontratës së Mourinhos nga Interi, ndërsa e ka konfirmuar portugezin si trajner të ri.
“Pellegrini e ka përfunduar epokën e tij te Real Madridi. Jose Mourinho do të jetë trajner i ri i Real Madridit, por kanë mbetur të zgjidhen edhe disa çështje kontraktuale të cilat burojnë nga situata, e cila është krijuar nga pala tjetër (Inter), të cilat do t’i zgjidhim së shpejti. Mourinho do të vijë në Madrid me stafin e tij”.
“Ne i jemi mirënjohës Pellegrinit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për klubin, dhe gjithë atë që ka bërë për ne, por është koha që t’i japim shtytje projektit tonë”.
“Bordi ka vendosur të shkarkojë Manuel Pellegrinin nga posti i trajnerit dhe të konfirmojë ardhjen e portugezit Jose Mourinho”. deklaroi Perez.
Pellegrini ishte në mes të kontratës dyvjeçare me Los Blancos, mirëpo gjiganti spanjoll e dënoi atë për mossuksesin e arritur në sezonin e parë në Bernabeu. Edhe pse shpenzoi 250 milionë euro duke sjellë emra të tillë, si Cristiano Ronaldo, Kaka, Karim Benzema dhe Xabi Alonso, Reali kaloi një sezon të dështuar pa asnjë trofe.
Manchester United është duke u lidhur me një transferim të futbollistit të Santosit, Paulo Henrique.
The Mirror shkruan se i riu i talentuar që konsiderohet ‘Kaka i ri’, është duke u vrojtuar nga një numër skuadrash evropiane, si Manchester United, Bayern Munich, Juventus, Inter dhe Milan.
Sir Alex Ferguson ka thënë se dëshiron të bëjë dy transferime, që do të jenë lojtarë të rinj e të talentuar, ndërsa Henrique mbetet resurs mjaft atraktiv për skocezin.
Presidenti i Santosit nga ana tjetër thotë se Henrique nuk është në shitje, mirëpo vështirë se do të mund ta mbajë në skuadër, duke parë interesimin e klubeve të mëdha evropiane.
Jose Mourinho ka kërkuar nga Real Madridi të ofrojë 50 milionë funte për dyshen e Chelseat, Michael Essien dhe Ashley Cole.
Daily Express pohon se interesimi i Mourinhos për Cole është i njohur, ndërsa një ofertë prej 25 milionë funte tashmë është gati. Por, trajneri në largim i Interit e dëshiron gjithashtu edhe mesfushorin Essien.
Mourinho është duke e vrojtuar edhe Frank Lampardin, edhe pse nuk do të jetë i lejuar ta transferojë atë, ndërsa edhe vetë mesfushori nuk është i interesuar për t’u larguar.
Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, nuk mund ta shoh dot Cesc Fabregasin në largim nga Emirates për të shkuar te Barcelona.
Pires, që do të largohet nga Villareali pasi kontrata e tij të skadojë muajin e ardhshëm, këmbëngul se Topçinjtë nuk do ta lënë mesfushorin më të mirë të tyre të largohet aq lehtë.
“Unë besoj se Arsenali nuk do ta lë Fabregasin të largohet. Cesc është imazhi i Arsenalit. Unë vë bast se do ta shohim Fabregasin sezonin e ardhshëm përsëri në fanellën e Arsenalit”.
“Nëse sot, po shohim një Fabregas të mirë, është për shkak se ai ka mbështetje të plotë të Arsene Wengerit. Kjo është arsyeja pse nuk mund ta shoh atë të lejuar të largohet”, ka thënë Pires.
Cristiano Ronaldo ka thënë se mezi pret ta shohë Jose Mourinhon në pankinën e Real Madridit, duke shtuar se do të ishte i lumtur me ardhjen e bashkëkombësit të tij.
“Ardhja e Mourinhos do të më bënte të lumtur”, ka theksuar Ronaldo.
I pyetur nëse trajner i Interit do ta bënte Realin më kompetitiv, Ronaldo u përgjigj: “Po, ai është fitues”.
Milani ka në dispozicion vetëm 30 milionë euro për merkaton e kësaj vere, me Adriano Gallianin që e konfirmoi këtë shkurtesë të buxhetit për këtë vit për Milannews.it.
Nëse krahasojmë këtë shumë të konfirmuar nga Galliani me raportin e La Gazzeta dello Sport që shkroi se Interi ka 100 milionë euro për merkato, atëherë del se rivali i përgjakshëm i Milanit ka rreth 70 milionë euro më shumë për të shpenzuar.
Madje, kjo nuk është e tëra. Ato 30 milionë eurot e Milanit pritet të shpenzohen në akademi të klubit dhe në trajnerin e ri, që sipas buxhetit, pritet të jetë Massimiliano Allegri.
Këto shkurtesa buxhetore vijnë pak kohë pasi kompania e kryeministrit, Silvio Berlusconi, Fininvest, ka njoftuar për recesion brenda për brenda kompanisë.
Bartësja e dytë Venus Williams e ka tejkaluar me lehtësi pengesën e quajtur, Arantxa Parra Santonja, me rezultat 6-2 dhe 6-4, për të arritur në rrethin e tretë të French Open.
Venus u tregua tejet e qëndrueshme duke mos lënë rivalen e saj spanjolle ta lëkundë atë në asnjë moment.
“Mendoj se i bëra mirë pikët e mëdha, ndërsa mendoj se ky ishte çelësi. Parra Santonja ishte e papërshtatshme”, theksoi pas sfidës Williams.
Bosi në largim i Interit, Jose Mourinho, ka konfirmuar se ai do të largohet në drejtim të Spanjës, përkatësisht në Real Madrid pas pushimeve.
Mourinho dhe agjenti i tij janë takuar me zyrtarët e Interit në mesditë, ndërsa pas largimit nga zyrat e Interit, Mourinho i pyetur nga gazetarët tha: “Tani jam në pushime, kur të kthehem do të shkoj në Spanjë për ta drejtuar Realin”.
Mourinho aktualisht është duke udhëtuar me agjentin e tij për në Madrid, ku në mbrëmjen e të mërkurës, pritet të prezantohet në një konferencë për shtyp si trajner i ri i Real Madridit.
Zyrtarët e Interit do t’ia garantojnë një shumë prej 100 milionë eurosh menaxherit të Anglisë, Fabio Capello, nëse ky i fundit pranon postin e kryetrajnerit ‘nerazzur’.
Ish-trajneri i Realit është favoriti kryesor për pankinën e Interit, ndërsa zyrtarizimi do të bëhet pas Botërorit. Moratti kishte arritur në vitin 2006 marrëveshje me Capellon, por ajo u shfuqizua pas Calciopolit, ndërsa tani trajneri ka rënë përsëri në radarin e Morattit, me 100 milionë euro ‘të gatshme’ për t’u shpenzuar.
Kjo shumë do të përdorej për të transferuar superyjet e futbollit evropian, si Steven Gerrard, Fernando Torres, Karim Benzema etj. Në ndërkohë, ende nuk dihet si do të përfundojë çështja Mourinho, pasi që pritet që gjithçka të sqarohet në një konferencë për shtyp nga hierarkia e Real Madridit.
Valencia thuhet t’ua ketë bërë të qartë Manchester Unitedit dhe Real Madridit, se mesfushori David Silva nuk është në shitje.
24-vjeçari thuhej të ishte në rrugë për t’u shitur, nëse do të arrinte një ofertë prej 30 milionë eurosh, duke marrë parasysh borxhet e Los Che. Silva personalisht ka preferuar Ligën Premier, me Untiedin destinacionin e tij të mundshëm.
Sidoqoftë, presidenti i Valencias, Manuel Llorente kishte vetëm dy fjalë rreth kësaj çështje, duke thënë për The Sun: “Ai nuk do të largohet”.
Sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, ka refuzuar të përjashtojë një largim të mundshëm nga Anfield, duke thënë se ai është i përqendruar vetëm në Botërorin e radhës.
“Gjëja më e rëndësishme për mua tani është Botërori. E ardhmja ime është Kupa e Botës, të shohim më vonë. E ardhmja ime tani dhe dy muajt e ardhshëm është Spanja dhe Botërori, nuk është asgjë tjetër”.
“A do të qëndroj? Nuk kam lexuar ende asgjë nëpër gazeta rreth kësaj”, deklaroi Torres për Sky Sports, duke iu referuar deklaratës së agjentit të tij se ai do të qëndrojë sigurt te Liverpooli.
Agjenti i Maicon, Antonio Caliendo, ka ftuar Real Madridin që të bëjë një ofertë luksoze për mbrojtësin e krahut të djathtë, një ditë pasi braziliani deklaroi se e ardhmja e tij do të vendoset nga Massimo Moratti.
Të martën Caliendo i tha Sky Sport Italia se Moratti dhe Interi do të vendosin të ardhmen e lojtarit, ndërsa kjo do të ishte qëndrimi në Milano. Megjithatë, fcinternews1908.it raporton se agjenti u ka thënë mediave spanjolle se Real Madridi mund ta transferojë brazilianin nëse i ofron Interit një shumë rreth 25-30 milionë euro.
“Nëse Florentino Perez e bën hapin e parë, atëherë unë mendoj se operacioni do të përfundonte me 25-30 milionë euro”, ka thënë Caliendo.
Të dielën Maicon i kishte thënë gazetës Marca se ai do të shkonte te Real Madridi, nëse këtë do ta bënte edhe Mourinho. Njoftimet e fundit nga Spanja këtë mëngjes thoshin se Mourinho është ende në Milano, ku po negocion me zyrtarët e Interit për t’u larguar.
AS pohon se Nerazzurët dëshirojnë një shumë prej 16 milionë eurosh për ta lënë portugezin të largohet.
Juventusi dhe Milani janë në negociata për të shkëmbyer lojtarë që do të mund të përfshijnë Gigi Buffon dhe Marco Borriello.
Tuttosport mbrëmë ka bërë të ditur se drejtori i ri i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka pasur takim me zëvendës-presidentin e Milanit, Adriano Galliani, dhe të dy kanë biseduar për disa ide rreth tregut të transferimeve.
Në mesin e diskutimeve ka qenë edhe opsioni që ata t’i shkëmbejnë sulmuesit Marco Borriello dhe Amauri. Është folur se Juventusi është shumë i interesuar për sulmuesin italian, por rosonerët ia kanë ofruar Klas-Jan Huntelaar në vend të Borriellos.
Por Tuttosport sot ka shkruar se Marco Borriello është cak primar i trajnerit të ri Luigi del Neri, andaj strategu i Juves madje është i gatshëm t’ia ofrojë Milanit edhe portierin Gigi Buffon si shkëmbim.
Cesc Fabregas ka pohuar se ai ka biseduar me Arsene Wenger për të ardhmen e tij dhe thotë se është strategu francez ai që do të vendosë se ku do të luajë ai sezonin e ardhshëm.
Kapiteni i Arsenalit nuk ka dashur të tregojë se çfarë i ka thënë Wenger në takimin e zhvilluar mes të dyve javën e kaluar. Por spanjolli ka pranuar se dëshiron të rikthehet në Camp Nou dhe mediat spekulojnë se pikërisht këtë edhe ia ka thënë Wengerit.
“Kam pasur një bisedo të gjatë me Arsenalin dhe kjo ka qenë biseda më e mirë që e kam bërë në jetën time. E respektoj shumë dhe nuk dua të flas më shumë. Ai më ka thënë të përqendrohem në futbollin tim dhe në Kupën Botërore”.
“Ai më ka thënë t’ia lë atij dhe ai do ta zgjidhë të ardhmen time. Tashmë nuk jam ai i cili vendos për të ardhmen time. Tash për këtë vendos Arsenali. Nuk dua të flas asgjë më shumë”, ka thënë Fabregas.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, thotë se atij do t’i mungojë Jose Mourinho.
Largimi i Mourinhos nga Interi u konfirmua edhe nga presidenti Massimo Moratti mbrëmë, me Real Madridin që është në prag të angazhimit të tij.
“Do të më mungojë Mourinho. Ai ka karakter të fortë dhe Italisë po ashtu do t’i mungojë. Shpresoj se do të mund të përballemi me të në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ranieri.
Rreth mundësisë së kalimi të Daniele de Rossit në Real, Ranieri ka shtuar, “Nuk ka shans. De Rossi është pjesë e reputacionit të Romës”.
Basketbollistët e Phoenix Suns kanë shënuar trepikësha nga të gjitha këndet për të shënuar fitore 115-106 ndaj Los Angeles Lakers dhe për të barazuar edhe serinë e ndeshjeve finale të Konferencës Perëndimore.
Suns treguan një lojë të shkëlqyeshme në çerekun e katërt për të fituar ndeshjen e dytë radhazi kundër kampionit në fuqi të NBA-së dhe për të barazuar në 2-2 ndeshjet me Los Angeles, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në finalen e madhe.
Amare Stoudemire shënoi 21 pikë ndërsa Channing Frye 14. Kobe Bryant shpërtheu me 38 pikë dhe 10 asistime, por Lakers mbetën prapa kur Suns shënuar tre trepikësha për të marrë kontrollin me 98-89 në çerekun e katërt.
Ndeshja e pestë mes dy finalistëve të Perëndimit do të zhvillohet të enjten në orët e vona të mbrëmjes.
Mbrojtësi i Barcelonës, Rafael Marquez, është caku i ri i Villarrealit, bëjnë të ditur mediat spanjolle.
Kapiteni i kombëtares së Meksikës dëshiron ta zgjidhë të ardhmen e tij pas Kupës Botërore dhe është lidhur me një kalim në Galatasaray dhe në kampionatin amerikan të futbollit, MLS.
Por sportivja Cadena Ser shkruan se presidenti i Villarreal, Fernando Roig, po ashtu është i interesuar dhe shpreson të nënshkruajë me Marquez për një çmim të ulur gjatë verës.
Sulmuesi i Barcelonës, Bojan Krkic, ka mirëpritur ardhjen në ekip të ish-yllit të Valencias, David Villa.
Krkic ka mohuar spekulimet se ia është i pakënaqur që David Villa ka nënshkruar me Barcelonën, duke thënë se rritja e konkurrencës në ekipin e Pep Guardiolas vetëm i bën mirë ekipit.
“Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe ekipi do të vazhdojë ta përkrahë njëri-tjetrin”, ka thënë Krkic për faqen zyrtare të klubit.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka bërë publik lajmin se trajneri Jose Mourinho do të largohet nga kampioni i Evropës.
Dyshja kanë pasur një darkë mbrëmë me qëllim për të definuar strategjinë e largimit të Mourinhos, pasi agjenti i tij duket se ka arritur marrëveshje me Real Madrid.
Pasi është larguar nga rezidenca e familjes Moratti, rreth orës 11 të mbrëmjes, Mourinho ka thënë: “E vetmja gjë që mund të them është se më ka pëlqyer shumë të ha darkë me Presidentin tim”.
Ca më vonë, Moratti po ashtu ka bërë dalje dhe ka konfirmuar se portugezi do të largohet nga San Siro pas dy viteve të trofeshme.
“Lidhja jonë ka përfunduar. Tash do të shohim se çfarë duhet të bëhet”, ka thënë Moratti
Sulmuesi i kombëtares angleze, Wayne Rooney, shpreson t’i ruajë të gjithë golat e tij për Kupën Botërore që zhvillohet muajin e ardhshëm në Afrikën e Jugut.
Ylli i Manchester United ka shënuar vetëm një në shtatë paraqitje me Tre Luanët, por ai planifikon ta ndryshojë këtë sapo të fillojë gara.
“Sigurisht do të më pëlqente të shënoj, por është kështu si është. Nëse nuk ndodh, jam krenar që është miqësore dhe jo Kupë Botërore”.
“Shpresoj t’i ruaj ata për atëherë. Nuk ndjej presion, përpiqem dhe jap maksimumin. Ndjehem mirë në çdo minutë. Ndjehem në formë të mirë dhe shoh përpara me shpresë për të arritur qëllimin (të shënoj gola)”, ka thënë Rooney.
Mbrojtësi i Arsenalit, Sol Campbell ka zbuluar se ai është në bisedime me klubin skocez Celtic.
Pas bisedave të detajizuara me menaxherin Neil Lennon, mbrojtësi veteran tash pret të vizitojë veriun e Britanisë për të parë bazën e stërvitjeve Parkhead.
“Kam biseduar me Neil për një kalim në Celtic. Dhe jam impresionuar me atë çfarë ai ka thënë. Celtis është një opsion serioz për mua. Ne jemi në biseda, edhe pse ende nuk i kemi diskutuar shifrat. Asgjë nuk është përcaktuar”, ka thënë Campbell.
Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, ka folur për zhgënjimin e tij për mospërshirjen në kombëtaren argjentinase nga Diego Maradona.
“Unë bëra ç’mos për të qenë në kombëtare, por fatkeqësisht nuk u ftova. Isha i zhgënjyer, por kjo është ajo. Nuk ka nevojë të mendohet për atë që ndodhi, ne nuk duhet të mendojmë për të kaluarën”.
“Tani duhet të mbështesim ata që janë atje, shpresojmë se ata do t’i japin kënaqësi kombit”, theksoi Cambiasso.
Sulmuesi i Brazilit, Luis Fabiano, ka përcaktuar qëllimet e tij për Botërorin e radhës, duke thënë se ai dëshiron të përsëris atë që bënë dy legjendat, Romario dhe Ronaldo (i vjetër).
“Brazili duhet të fitojë Botërorin, çdo katër vite është e njëjta gjë. Jam gati për sfidën, unë dua t’i ndihmoj ekipit tim dhe të bëj atë që bënë Ronaldo e Romario”.
“Secili trajtohet njëjtë. Ky është principi i Dungas. Nuk ka përjashtime për të ashtuquajturit ‘yje’. Të gjithë janë të rëndësishëm dhe unë ndjej mbështetjen e të gjithëve”, tha Fabiano.
Portieri i Brazilit, Julio Cesar, ka përqendruar vëmendjen në Botërorin e këtij viti, pas triumfit historik me Interin.
“Unë jam këtu për të kompletuar një festival, pas fitimit të tripletës me Interin unë dua ta përfundoj këtë sezon duke fituar dhe Kupën e Botës me Brazilin”.
“Ata ma kanë dhënë rastin t’i bashkohem kombëtares kur ajo të arrinte në Afrikën e Jugut, por unë preferova t’i bashkohem tani”, theksoi Cesar.
Zëvendëspresidenti organizativ i Benficas, Domingos Soars Oliveira, ka konfirmuar se anësori Angel Di Maria, nuk i është shitur Real Madridit.
Raportet e mediave portugeze thoshin se Di Maria ka kompletuar transferimin e tij nga Benfica te Real Madridi për 40 milionë euro, spekulime të cilat i hedhë poshtë numri dy i hierarkisë së klubit më të madh portugez.
“Di Maria nuk i është shitur Real Madridit. Ne nuk do të flasim për largime. Vetëm kur të bëhen konfirmime zyrtare, atëherë mund t’i merrni largimet si të garantuara. Deri atëherë, Benfica nuk do të flasë për largime apo transferime të mundshme”.
“Siç e dini, çdo ofertë që kemi në dorën tonë, duhet t’i raportohet tregut (Komisionit të sigurisë së tregut portugez). Ne nuk kemi ofertë tani për tani, por është e natyrshme që të vijë”, ka thënë Oliveira.
Mbrojtësi i Barcelonës, Carles Puyol, i ka thënë gazetës sportive Marca se Cesc Fabregas po fillon të shfaqë vuajtje nga spekulimet e vazhdueshme për të ardhmen e tij.
“Është e pazakonshme të shohim Fabregasin e nervozuar, por kjo është paksa problematike për të, sepse po flasim çdo ditë për këtë temë. Tifozët e tij, menaxheri i tij dhe të gjithë të tjerët duhen respektuar”, theksoi Puyol.
“Cesc është një lojtar i madh, një mik i mrekullueshëm dhe mendoj se ai është i përkryer për Barcelonën. Për mua, unë do të doja ta shihja te Barcelona, por fakti që ai është nën kontratë tek Arsenali duhet respektuar”, përfundoi Puyol.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka thënë se ai më shumë preferon të jetë menaxher i Anglisë se sa përzgjedhës i kombëtares së tij, Italisë.
“Shpresoj që të luaj ndaj Italisë në finale ose gjysmëfinale, por për momentin fanella ime është fanella e Anglisë. Unë nuk do të doja t’i ndërroja pozitat me Marcello Lippin. Preferoj të jem menaxher i Anglisë”, u shpreh Capello.
Anglia dje vuajti ndaj Meksikës në miqësoren që u zhvillua në Wembley, ndërsa Capello nuk brengoset, pasi që dëshiron të mësojë nga këto paraqitje para Botërorit dhe jo në Botëror.
“Nuk brengosem për ato paraqitje. Është me rëndësi t’i bëjmë gabimet tani. Ne kemi kohë të punojnë në këto gabime dhe në gjëra tjera të cilat duhet t’i bëjmë më mirë, duke u siguruar se ky ekip do të luajë si di, sepse kemi vërtet lojtarë të mirë. Ne duhet ta rikthejmë shpirtin e asaj që bëmë në kualifikime”, deklaroi Capello.
Giorgio Chiellini ka filluar të vë në dyshim të ardhmen e tij te Juventusi, duke thënë se ai mirëpret interesimin e klubeve tjera, ndërsa nuk mohon kalimin në asnjërën nga klubet e interesuara.
Sipas spekulimeve, Manchester United, Manchester City, Real Madridi dhe Barcelona janë jashtëzakonisht të interesuara për shërbimet e mbrojtësit italian.
“A do të qëndroj te Juventusi? Nuk e di ende, unë nuk kam biseduar me askënd. Po, mendoj se mund të largohem, nëse ata më dëshirojnë. Unë gjithashtu dua të shoh se cilat janë idetë e liderëve të rinj të klubit”, theksoi Chiellini.
Sipas agjentit të Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi i Barcelonës nuk do të largohet nga Camp Nou në drejtim të Milanit, duke heshtur kështu të gjitha spekulimet që pohuan një kalim të tillë.
Sport pohoi në mëngjes se Milani ishte gati të paguajë 80 milionë euro për sulmuesin suedez, ndërsa kjo informatë nuk hasi në mirëkuptim tek agjenti i Ibras, Mino Raiola.
“Ibrahimovic do të qëndrojë te Barcelona. Çdo javë, gazetarët e transferojnë atë te Chelsea, Juventusi dhe kështu me radhë. Por ai nuk është në shitje, Barca tashmë e ka thënë këtë”.
“Ai nuk ndjen se është në shitje, sepse klubi ka thënë se ai nuk është në shitje. Ai është i kënaqur me sezonin e kaluar edhe pse vuajti nga lëndimet”, përfundoi Raiola.
Jose Mourinho ka vazhduar të lëvdojë asin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, duke e quajtur veten dhe atë më të mirët e rruzullit. Portugezi shkon aq larg, sa që e quan Ronaldon nga një planet tjetër.
“Ne jemi të dy portugezë. Ai është lojtari më i mirë në botë, ndërsa unë jam trajneri më i mirë në botë. Unë dua shumë gola prej tij sezonin e ardhshëm”.
“Askush nuk ka të drejtë ta kritikojë atë, nëse ai shkon në pushime me Paris Hilton në Los Angeles ose nëse blen një Ferrari të ri, sepse dikush që stërvitet dhe luan si ai, është nga një planet tjetër. Ai është një futbollist historik”, theksoi Mourinho për Daily Mail.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se ai mund të rikthehet te Real Madridi, për të vazhduar bashkëpunimin me trajnerin Jose Mourinho.
Holandezi ishte ‘përzënë’ vitin e kaluar nga hierarkia në Bernabeu, për t’iu bashkuar Interit. Pasi fitoi gjithçka me Nerazzurët dhe pas kalimit të Mourinhos, që pritet të finalizohet brenda pak orësh, ai nuk mohoi një rikthim sensacional.
“Të rikthehem te Real Madridi? Gjithçka është e mundshme. Por nuk kam biseduar me Mourinhon për këtë. Unë fitova tre trofe me Interin këtë sezon, prandaj mendoj se klubi nuk do të më lejojë të largohem…”, theksoi Sneijder për De Telegraaf.
Këto pikëpamje të Sneijderit për të ardhmen, vijnë dy ditë pasi pohoi se ai do të qëndronte sigurt tek Interi.
Mbrojtësi italian, Marco Materazzi, ka pranuar se ai ka tentuar ta bindë Jose Mourinhon të qëndrojë ende në pankinën nerazzure, ndërsa këto tentime hasën në vesh të shurdhër, pasi që duket se Mourinho ka vendosur të shkojë te Real Madridi.
“Ne kemi folur pak momente pas fitores, ndërsa unë i thashë atij: ‘Të lutem qëndro, sepse do të vazhdosh të mos më duash nëse qëndron këtu’, dhe përderisa po qante, ai më tha: ‘Më duhet të shkoj’, më pas e kuptova, në të kundërtën do të qaja”.
“Çfarë humbim nga largimi i Mourinhos? Një bashkues, një lider, dikë që do të bënte gjithçka për klubin e tij. Pres nga njerëzit që të thonë se sa shumë do të mungojë ai. A mund të nisim një cikël? Gjithçka varet nga ajo se a do ta mbajmë mentalitetin Mourinho”, tha Materazzi për La Gazzeta dello Sport.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka bërë shaka me spekulimet të cilat thoshin se ai ka refuzuar një ofertë prej 150 milionë eurosh për mesfushorin Kaka, ndërsa ai e shiti brazilianin te Reali për vetëm 65 milionë euro.
“Adriano Galliani erdhi këtu dhe më sqaroi gjithçka. A do ta pranoja ofertën prej 150 milionë eurosh? Jo, por të paktën është dashur të jem i informuar”.
“T’i lëmë shakatë anash. Nuk më kujtohen këto oferta. Merkatoja e Milanit ka qenë gjithnjë mirë e menaxhuar. Tifozët ma kërkuan Ronaldinhon. Ai erdhi dhe shfaqi spektakël”, deklaroi Berlusconi për La Gazzeta dello Sport.
Jesus Navas Sipas Marca, struktura e Jose Mourinhos te Real Madridi ka filluar të merr formë. Sipas të përditshmes madrilene, ‘I veçanti’ ka kërkuar nga menaxhmenti i Real Madridit, të transferojë dy anësorët kualitativë, Jesus Navasin e Sevillas dhe Angel Di Marian e Benficas.
Kjo kërkesë e Mourinhos pritet të zgjojë interesim në qarqet madrilene, për arsye se në rast se këta dy anësorë transferohen, atëherë kjo do të thoshte se portugezi dëshiron ta hapë lojën e tij nga krahu, gjë për të cilën Pellegrini ishte kritikuar.
Reali dëshiron që këto transferime të marrin fund para Botërorit, pasi që pritet që vlera e të dy anësorëve të rritet dukshëm pas Botërorit. Vlera aktuale e secilit është nga 40 milionë euro. Sipas mediave portugeze, thuhet se Di Maria tashmë ka nënshkruar për Realin.
Flitet se edhe Giorgio Chiellini i Juventusit është në radarin e Mourinhos, për të formuar partneritetin titanik në mbrojtje me Pepen.
Mesfushori gjerman Michael Ballack ka thënë se ai do ta vazhdojë kontratën me kampionin e Anglisë, Chelsea, ndërsa thotë se kjo do të bëhet për arsye se Carlo Ancelotti ka besim tek ai.
33-vjeçari do të mungojë në Kampionatin Botërorin për shkak të një lëndimi në gju, ndërsa zbuloi mbështetjen nga klubi londinez.
“Mendoj se do të vazhdoj të luaj për Chelsean, pasi që ditëve të fundit kam pasur disa telefonata nga klubi. Njerëzit po tentojnë të më akomodojnë dhe të më inspirojnë”.
“E gjithë kjo thotë se unë do të qëndroj tek Chelsea. Gjithashtu, Carlo Ancelotti gjithnjë ka shprehur besimin e tij ndaj meje, gjatë gjithë sezonit”, citohet Ballack nga Daily Mail.
Babai Cesc Fabregas ka përmendur edhe njëherë dëshirën e të birit të tij për të kaluar te Barcelona, ndërsa shton se Arsenali duhet të respektojë vendimin e tij.
“Negociatat mes Arsenalit dhe Barcelonës do të jenë shumë të gjata. Cesc është i përqendruar në kombëtare, por ai dëshiron përfundimin e transferimit të tij sa më shpejtë që është e mundshme”.
“Nuk jam i sigurt se si do të mbarojë, por unë mendoj se Arsenali duhet të respektojë vendimin dhe dëshirën e lojtarit. I falënderohem Arsene Wengerit që e shndërroi birin tim, nga një djalosh, në burrë, por tani ka ardhur koha që ai të largohet”, tha Francesc Fabregas ‘senior’ për Radio Marca.
Nga ana tjetër drejtori i Barcelonës, Joan Oliver, i ka thënë faqes zyrtare të klubit se ata ende nuk e kanë bërë ofertën për Fabregasin.
“Ne kemi pasur kontaktet e para me Arsenalin, në të cilat i kemi bërë të ditura qëllimet tona, ndërsa kjo është situata. Nuk kemi bërë ende një ofertë zyrtare. Ne nuk po nxitojmë. Kurrë nuk i dihet sa mund të zgjasë ky operacion”, përfundoi Oliver.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka hedhur poshtë spekulimet për një kalim tek Interi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, tashmë ka filluar të krijojë një listë të trajnerëve të dëshiruar, për të drejtuar skuadrën e tij, ndërsa nuk e mohoi ardhjen e Capellos kur tha për Ansa: “Ne kemi pasur kontakt me të edhe në të kaluarën dhe ndoshta ai mund të jetë i interesuar”.
Capello nga ana tjetër këmbëngul se është plotësisht i fokusuar në Kampionatin Botëror me Anglinë, ndërsa i pyetur se cili do të jetë destinacioni i tij i radhës, Capello tha me sens humori: “Juventusi, Interi, Real Madridi, disa ekipe tjera dhe Milani. Është mirë për mua, por unë jam i fokusuar në Kampionatin Botëror”.