Mesfushori ofensiv i Real Madridit, Ricardo Kaka, është i gatshëm të largohet nga Bernabeu, për t’u bashkuar me ish-trajnerin e tij, tani te Chelsea, Carlo Ancelotti.
Tuttosport shkruan se braziliani, jo i përshtatur në lojën e Realit, është i gatshëm të largohet nga Los Blancos në çdo moment.
Kësaj i shtohet edhe kalimi i Jose Mourinhos në pankinën e Realit, me ç’rast Kaka nuk besohet se do të gjente vend në formacionin e portugezit. Kaka do të dëshironte të ribashkohej me Ancelottin te Chelsea, ndërsa Blutë do ta mirëprisnin këtë lëvizje.
Me Real Madridin që pritet të zyrtarizojë brenda ditëve të ardhshme Jose Mourinhon si trajner të ri, shkuarja e portugezit në Spanjë ka shkaktuar jo pak polemika në qarqet e rivalit Barcelona.
Gerrard Pique mendon se Jose Mourinho është transferuar te Real Madridi për të fituar tituj, duke thënë se ai është fitues, por assesi një plan anti-Barcelona.
“Mourinho është një fitues dhe trajner i madh, por nuk mendoj se ai është transferuar si plan kundër Barcelonës. Reali po tenton të gjejë mënyra se si të fitojë tituj, por mbetet të shihet se a do të japin rezultat”, ka thënë Pique.
Përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, do të duhet t’ia bëjë pa sulmuesin Marco Streller gjatë Botërorit të këtij viti, ndërsa në vend të tij ka ftuar kosovarin Albert Bunjaku.
Sulmuesi i Baselit, Streller, mori një lëndim gjatë stërvitjes me kombëtaren, ndërsa ai do të mungojë për disa javë. Streller mungoi edhe në Euro 2008 edhe në Euro 2004 për shkak të lëndimeve.
Hitzfeld ka reaguar menjëherë, duke e ftuar si zëvendësim të Streller, kosovarin me nënshtetësi zvicerane, Albert Bunjaku, që këtë vit ishte një ndër sulmuesit më të mirë në Bundesliga.
Sulmuesi i Nurnbergut, Bunjaku, ka mposhtur në garë për vendin në përfaqësuese talentin e ri, Nassim Ben Khalifa.
Hernan Crespo frikësohet se sulmuesi i Interit, Diego Milito, do të duhet të ‘nxehë’ pankinën e kombëtares argjentinase gjatë Botërorit, si pasojë e zgjedhjeve të Maradonas.
Përkundër faktit se Milito ka hyrë në historinë e Interit, si njëri ndër sulmuesit më të mirë, është pak e mundshme që sipas Crespos, ta shohim Milition në fushë gjatë Botërorit.
“Mendoj se Maradona do të startojë me Lionel Messin dhe Gonzalo Higuainin si sulmues të parë, më pas vijnë Carlos Teves dhe Martin Palermo”.
“Te Argjentina, duke e njohur Maradonan, mendoj se Milito do të kalojë pjesën më të madhe të kohës në pankinë. E di se në Itali njerëzit do ta kenë të vështirë ta shohin Militon si zgjedhjen e dytë, por kështu është këtu…” theksoi Crespo.
Sipas Sky Sports, sulmuesi i Wolfsburgut, Edin Dzeko, është në bisedime me Manchester Cityn për një transferim të mundshëm në Ligën Premier.
Trajneri i ri i Wolfsburgut, Steve McLaren, ka zbuluar se sulmuesit boshnjak të hënën do t’i skadojë klauzola e kontratës së tij, që thotë se klubet e interesuara për të, duhet të paguajnë hiç më pak se 40 milionë euro.
Kjo shumë për Manchester Cityn nuk do të ishte ndonjë problem i madh, ndërsa gjithnjë po bëhet më i qartë destinacioni i sulmuesit fantastik boshnjak, e që sipas të gjitha gjasave do të jetë Manchester City.
Milani thuhet t’i ketë bërë ofertë Barcelonës për sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimovic.
Sipas El Mundo Deportivo, presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi, i është tërhequr vëmendja nga spekulimet që thoshin se Ibra dëshiron të rikthehet në Itali, ndërsa ka dhënë dritën e gjelbër për transferimin e ish yllit të Interit.
Milani shpreson të arrijë marrëveshje me Barcelonën për sulmuesin suedez, duke bërë ofertë prej 35 milionë eurosh, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e lojtarëve të tjerë në këtë ofertë. Emrat më të lakuar janë Klaas-Jan Huntelaar dhe Marco Boriello.
Ibra është i entuziazmuar nga interesimi i Milanit, pasi që rikthimi i Rossonerëve në piedestalin e futbollit italian, për të do të ishte një sfidë e re. Drejtuesve të Barcelonës nuk u nxitohet, ndërsa presin ofertë edhe nga Manchester City që po tregohet i interesuar.
Guus Hiddink është emri tjetër që lakohet nëpër mediumet botërore, si pasues i Jose Mourinhos tek Interi.
La Gazzeta dello Sport shkruan se me Jose Mourinhon në largim drejt Real Madridit, beteja për të zëvendësuar atë është kokë më kokë mes Guus Hiddinkut dhe bosit të Anglisë, Fabio Capello.
Hiddink porsa është emëruar trajner i Turqisë, por presidenti i Interit, Massimo Moratti, dëshiron ta transferojë atë në Meazza dhe me valixhet plot 100 milionë euro për transferime, shkëputja e kontratës së Hiddink nuk do të ishte problem për kreun e hierarkisë Nerazzure.
Kampioni i kategorisë së rëndë në konkurrencën WBC, ukrainasi Vitali Klitschko, është në disponim të mirë para mbrojtjes së titullit këtë fundjavë, ndërsa nuk e konsideron sfidë të lehtë atë ndaj Albert Sosnowskit.
“Ai do të bëjë gjithçka për të ma marrë titullin. Unë ndjehem në top formë, unë jam mirë i përgatitur, por unë nuk do ta nënçmoj atë”.
“Pres që Albert Sosnowski të jetë në formën e tij jetësore. Përqindja e ‘knockouteve’ tek unë është 97 %, kështu që mundësia për një fitore të hershme është 97%”, deklaroi 38-vjeçari që do të përballet me polakun në gjermani të shtunën.
Pas këtij dueli, vëllezërit Klitscho pritet të përballen me njeriun e vetëm që mund t’ua cenoj dominimin atyre, britanikun David Haye.
Një takim shumë i rëndësishëm është duke u zhvilluar në zyrat e Interit, në mes të drejtuesve të Real Madridit, agjentit të Jose Mourinhos, Jorge Mendes dhe drejtorit sportiv të Interit, Marco Branca, për të prishur kontratën e trajnerit, ashtu si për transferimin e Maiconit dhe Ricardo Quaresmas.
Sky Sport Italia pohon se është shënuar progres i madh në lidhje me klauzolën e Mourinhos prej 16 milionë eurosh, ndërsa zyrtarizimi i portugezit si trajner i Realit do të mund të bëhet të premten në mëngjes, nëse Interi do ta shkëpusë kontratën e trajnerit.
Por, kjo nuk është e tëra. Reali ka dërguar zyrtarë të veçantë në Milano, për të negociuar me Brancan rreth të ardhmes së Maiconit dhe Quaresmas. Quaresma ka qenë dështim këtë sezon te Interi, ndërsa Reali po bën përpjekje të mëdha që së bashku me Mourinhon, ta sjellë edhe Maiconin në Bernabeu.
Megjithatë, sipas informacioneve të fundit nga mediat në Apenine, takimi i drejtuesve të lartë të klubeve në fjalë, ka përfunduar pa sukses. Shkak për mos suksesin e këtij takimi është klauzola e shkëputjes së kontratës së Mourinhos, për të cilën Interi kërkon 16 milionë euro, e që as Mourinho e as drejtuesit e Realit nuk janë ta gatshëm ta paguajnë. Kështu, çështja Mourinho mbetet e hapur për një afat të pacaktuar.
Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka thënë se Milani do ta fitonte Scudetton këtë sezon, nëse ai do të ishte trajner.
Këto pohime sensacionale, kryeministri italian i bëri gjatë një tubimi politik.
“Milani është ekipi që e dua, prandaj unë jam tifozi numër një. Megjithatë, këtë sezon, përkundër shumë lëndimeve, nëse unë do të isha trajner, atëherë ky Milan do ta fitonte Scudetton me pesë ose gjashtë pikë epërsi”, theksoi Berlusconi.
Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, ka thënë se ai do të ndihej në pozitë të papërshtatshme nëse e këndon himnin e Anglisë gjatë Kampionatit Botëror, dhe për këtë arsye ai nuk do ta këndojë atë.
“Himni? Unë jam i vetëdijshëm për fjalët rreth kësaj çështje, por nuk mendoj se është mirë të këndoj një himn, që nuk është i vendit tim edhe pse rrëqethem kur e dëgjoj atë”, theksoi Capello për Sky Sport 24.
Sa i përket Wayne Rooneyt, Capello ka thënë se ai është një lojtar i rëndësishëm, “por është me rëndësi që edhe ekipi të jetë në gjendje të fitojë”. Trajneri shpreson që sulmuesi i Manchester United të rikthejë formën e tij që e pati këtë sezon para se të lëndohej.
Përkundër faktit që Bayern Munichu ka qenë një ndër forcat kryesore evropiane këtë sezon, anësori Arjen Robben shprehet të jetë i kënaqur me sezonin e kaluar, por nuk mendon se ekipi për të cilin luan ai është i madh.
“Natyrisht, ne kemi një ekip shumë të mirë. Por ne ende nuk jemi një ekip i madh. Kemi qenë shumë të suksesshëm këtë sezon, por ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar. E kemi zvogëluar distancën me Barcelonën, por ata janë ekip shumë më i mirë se ne. Kombinimet tona duhet të bëhen më shpejtë dhe duhet të ndërrojmë më shpesh pozitat”.
“Ne duhet të bëjmë transferime kualitative këtë verë nëse dëshirojmë të shkojmë përsëri larg në Ligën e Kampionëve. Ne gjithnjë mund të bëhemi më të mirë”, ka thënë Robben për Kicker.
Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, ka thënë se skuadra ka bërë çmos për ta bindur teknikun portugez, Jose Mourinho, të qëndrojë ende në pankinën Nerazzure, por thotë se portugezi e kishte kërkuar që moti Real Madridin.
“Mendoj se kemi bërë gjithçka në mundësitë tona, si në fushë ashtu dhe jashtë saj, për ta bindur atë të qëndrojë, por duhet të respektojmë zgjedhjet personale. Ne kërkuam që ai të vazhdojë të qëndrojë këtu, sepse mendojmë që ky ekip mund të vazhdojë të fitojë, ndërsa këtë kërkuam ta bëjmë me atë”.
“Ne kemi arritur shumë dy vitet e kaluara me të, ndërsa ne kemi dashur që ai të vazhdojë të qëndrojë, për të ecur më tej duke fituar gjëra të mëdha, por ai zgjodhi një sfidë në Spanjë. Ne i urojmë atij çdo të mirë. Pas finales së Ligës së Kampionëve, unë e falënderova për punën që e ka bërë këtu”, deklaroi Zanetti për Il Corriere della Sera.
Bosi i Chelseat, Carlo Ancelotti, ka thënë se sezoni i parë si menaxher i Chelseat, ishte një përvojë e mirë për të, duke shtuar se ai ka mësuar shumë gjatë kësaj periudhe.
“Unë tentova të ndryshoja diçka në lojë, por për mua ishte një përvojë mjaft e mirë këtë vit. Unë mësova shumë gjëra, jo vetëm taktike por edhe fizike. Për shembull, në Itali stërvitjet fizike i bënim pa top. Këtu ne gjithnjë punojmë me top dhe këtu e kam mësuar këtë. Kjo është një gjë shumë e mirë”.
“Teknikisht, mendoj se ekipet më të vogla kanë më shumë njohuri në Itali. Është vështirë t’i mposhtësh ato ekipe me rezultat 7-0 ose 9-1, sepse ato qëndrojnë në mbrojtje dhe luajnë vetëm me kundërsulme. Këtu mund të themi se ekipet e vogla luajnë futboll të mirë, ato sulmojnë. Këtu është më ndryshe”, është shprehur Ancelotti.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka thënë se ai dëshiron të mbesë në radhët e klubit nga Torino, përderisa ai është duke e pritur një sezon më të mirë.
“Siç e dinë të gjithë, unë kam një situatë lineare me Juventusin, pasi që si Juventusi ashtu dhe unë, duam të vazhdojmë të punojmë së bashku. Unë kam afeksion për tifozët dhe klubin, ndërsa kjo është e rëndësishme për mua. Është një vlerë e pallogaritshme, ndërsa kjo do të thotë shumë për sezonin e ri”, theksoi Buffon për Stadionews.it.
Nga ana tjetër agjenti i Buffon tha për Radio Milan Inter: “Nuk ka dyshime se Buffon do të vazhdojë të luajë për Juventusin. Ka pasur shumë spekulime për transferime javëve të fundit, por kjo është e tëra”.
Jose Mourinho ka deklaruar për gazetën madrilene AS, se ai do të krijojë një Real Madrid stabil, duke mos premtuar që në start tituj, por duke premtuar përforcime të mëdha në mbrojtje, duke mos përjashtuar transferimin e Maicon dhe të Ashley Cole.
“Dua tre ose katër mbrojtës, sepse kështu do të bëhemi më të mirë në sulm. Natyrisht, ekipet që drejtoj unë luajnë me katër mbrojtës, por me mbrojtës si Ashley Cole dhe Maicon…do të ishim tejet të përgatitur. Maicon është i pathyeshëm, një çudi fizike, ai ka cilësi fantastike dhe është mbrojtës që shënon shumë gola gjatë sezonit, jo nga ndërprerjet. Nuk dua të them që nuk e dëshiroj te Real Madridi”.
“Di Maria? Ai është lojtar fantastik në kampionat të vogël, por nuk e di si do të luante në kampionate më të mëdha, si në Spanjë apo Itali. Nëse do të ishte një çmim i arsyeshëm, atëherë ne do ta transferonim pa problem, por me çmimin aktual, unë nuk dua ta detyroj klubin tim të paguajë shuma marramendëse. Si qendër sulmues, Milito i ka të gjitha. Ai është sulmues fantastik. Por, mendoj se ai ka hyrë në histori të Interit dhe nuk besoj se klubi do ta lë të largohet”, theksoi portugezi për transferimet e mundshme këtë verë.
“Në mesfushë ne mund të luajmë në krah apo me taktikë trekëndëshe. Nëse e përdorim stilin trekëndësh, unë mund të luaj me tre sulmues. Do të jetë një ekip i baraspeshuar. Ne do ta kemi identitetin tonë, nuk do ta kopjojmë askënd. Një ekip është ekip. Është e vështirë të jesh më i mirë se kundërshtari për 90 minuta, kështu që ka momente kur duhen bërë sakrifica”.
“Nuk jam kundërshtar i askujt, nuk jam anti-Barcelona apo anti-Milan. Unë jam një tifoz i Interit dhe tash e tutje do të jem tifoz i flaktë i Realit. Ka gjëra që dua t’i ndryshoj. Kurrë nuk kam pasur dëshirë të krijoj armiq. Ky nuk ka qenë kurrë qëllimi im. Do të jetë një kampionat fantastik, pasi që Barcelona ka bërë disa përforcime të forta”, tha Mourinho për rivalitetin në La Liga.
Agjenti i mbrojtësit të liruar të Liverpoolit, Fabio Aurelio, thotë se e ardhmja e brazilianit është ende e padefinuar.
Aurelio ka refuzuar të pranojë ofertën e re të Liverpoolit dhe pritet të largohet nga Anfield këtë verë.
“Ai është i lirë, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në disa javët e ardhshme. Aktualisht nuk mund të përjashtoj Olympiakos dhe Panathinaikos. Në Itali kam pasur kontakte me një ekip, por nuk është Milani ose Roma. Mos më pyetni emrin” ka thënë Juan Figer për calciomercato.it.
Wesley Sneijder llogarit se Guus Hiddink do të ishte zëvendësimi ideal për Jose Mourinhon në stolin e Interit.
Mourinho është në prag të nënshkrimit të marrëveshjes me Real Madridin, ndërsa Guus Hiddink është një prej emrave të cilët spekulohen nga mediat italiane si pasues të mundshëm të portugezit.
“Edhe Mourinho edhe Hiddink kanë një kapacitet të madh për ta motivuar ekipin, por më e rëndësishmja është që të dy po ashtu fokusohen në aspektin taktik, duke iu dhënë lojtarëve shumë kurajë. Falë këtij qëndrimi ju fitoni vetëbesim”.
Hiddink ka përvojë të madhe, ishte trajner i Real Madridit dhe Chelseat, dhe të mos harrojnë se ai ishte personi që fitoi gjithçka me PSV Eindhoven në vitin 1988. Ai do të ishte një trajner i shkëlqyeshëm për Interin”, ka thënë Sneijder.
Megjithatë Guus Hiddink ka marrëveshje me përfaqësuesen e Turqisë dhe është pak e besueshme se ai do të mund ta prishë këtë marrëveshje dhe të ulet në stolin e Interit.
Fiorentina ka zbuluar se trajneri Cesare Prandelli do të largohet nga klubi për të marrë nën drejtim kombëtaren e Italisë.
“Ne nuk kemi sekrete. Gjatë të premtes kishim takim në të cilën të gjithë planifikuam strategjinë e transferove për sezonin e ardhshëm, sistemet taktike dhe objektivat. E shikuam të ardhmen me Prandellin”, ka thënë zëvendëspresidenti Mario Cognini në faqen zyrtare të klubit.
“Pastaj të mërkurën gjithçka ndryshoi pas kontakteve nga Federata. Klubi nuk ka pasur kontakte të mëhershme me Federatën dhe as Prandelli. Kur erdhi telefonata, ne dhamë leje për biseda. Nuk ka qenë e drejtë t’i ndalojmë”.
“Është ëndërr për çdo trajner të udhëheqë Italinë. Nuk mund ta pengoni një taktik nga kjo zgjedhje ose të vendosni për të nëse mund ta pranojë një mundësi kaq prestigjioze. Ai do të bëhet një prej pesë trajnerëve më të famshëm në botë”, ka shtuar Cognini për faqen zyrtare të klubit.
Sampdoria ka emëruar Domenico di Carlo si trajner të ri të ekipit, pasi ish-trajneri Gigi del Neri, u largua javën e kaluar për të marrë nën drejtim Juventusin.
Më pak se një orë pasi Chievo zbuloi se Di Carlo i ka dhënë fund lidhjes me këtë klub, Sampdoria edhe zyrtarisht ka caktuar taktikun si trajner të ri.
“Kjo ishte një ofertë e cila thjesht nuk mund të refuzohej. E di se duhet të mbush këpucë të mëdha, por përgjegjësia nuk më tremb”.
“Disa shanse ju kalojnë afër rrallë dhe duhet t’i kapni. Unë doja të qëndroj në Chievo, por kur mu ofrua mundësia të shkoj në rundin para-eliminator të Ligës së Kampionëve, nuk mund të thosha jo”, ka thënë Di Carlo.
Klubi portugez Benfica ka konfirmuar interesimin për sulmuesin e Milanit, Klaas-Jan Huntelaar.
Benfica është në nevojë për një sulmues pasi Sevilla ka ofruar 9 milionë funte për yllin e tashëm Oscar Cardozo.
“Është vështirë për një ekip portugez të mbajë lojtarët si Cardozo. Huntelaar është në listën tonë të dëshirave si një zëvendësim potencial”, ka thënë trajneri i Benfica, Jorge Jesus.
Valon Behrami po thuajse është e sigurt se do të qëndrojë në West Ham edhe sezonin e ardhshëm, ka bërë të ditur agjenti i lojtarit.
Kosovari me nënshtetësi zvicerane është përfolur se është në bisedime me Palermon së fundi, por agjenti i tij, Alessandro Beltrami, thotë se klienti i tij do të jetë në Upton Park së paku edhe një sezon.
“Valoni është duke menduar për Kupën Botërore, e ardhmja e tij do të diskutohet më vonë. West Hami e ka deklaruar atë si të pa-transferueshëm, andaj mendoj se 99% ai sigurisht do të mbetet në Angli”.
“Bisedat me Palermon? Kjo është mirë pasi do të thotë se lojtari ia ka dalë mirë. Megjithatë, ne jemi të lumtur që West Hami nuk e ka nxjerrë atë në listën e transferove”, ka thënë Beltrami për tuttomercatoweb.
Trajneri i shkarkuar i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka zbuluar se dyshja holandeze Wesley Sneijder dhe Arjen Robben janë shitur pa dëshirën e tij.
Ish-mesfushorët e Realit, Sneijder dhe Robben, që të dy arritën në finalen e Ligës së Kampionëve në Madrid me Interin, respektivisht Bayern Munichun.
“Kam dashur Sneijder dhe Robben të qëndrojnë, por kurrë nuk kam biseduar me Real Madridin për atë se kënd e preferoj, nëse ai ishte Cristiano ose Kaka dhe Snejder dhe Robben”.
“Ai (Perez) vendosi t’i shesë [Robben and Sneijder], dhe mendoj se kjo ka qenë gabim. Unë kurrë nuk kam pasur përballje me presidentin. Trajneri duhet të ketë zë më të rëndësishëm në atë se çfarë ka nevojë ekipi. Në këtë aspekt, jam ndjerë i vogël”, ka thënë Pellegrini.
Sulmuesi brazilian Ronaldo thotë se ai mendon të pensionohet pasi trupi i tij kërkon që ai të ndalojë së luajturi futboll.
“Trupi im kërkon të ndërpres të luaj futboll. Po bëhem gjithnjë e më i moshuar, trupi im më kërkon të pensionohem”, ka thënë Ronaldo për O Globo.
Ish-lojtari i Barcelonës, Interit, Real Madridit dhe Milanit, edhe para se të kthehet në Brazil tha se ai dalëngadalë mendon për pensionim. Shumica parashikuan se karriera e tij do të përfundonte kur në fillim të vitit 2008 ai pësoi një lëndim të rëndë, që e la atë jashtë fushe për nëntë muaj.
Por Ronaldo nuk u dorëzua dhe në fund po të njëjtit vit nënshkroi për Corrinthians. Në shkurt të këtij viti ai vazhdoi marrëveshjen me të njëjtin klub që do ta mbajë atë deri në fund të vitit të ardhshëm (2011).
Carlos Vela pret që kapiteni i tij Cesc Fabregas të largohet gjatë kësaj vere nga Arsenali për të kaluar te Barcelona.
Daily Express shkruan se komentet e Vela sigurisht se do të nxehin drejtuesit e topçinjve.
“Ai do të kthehet përsëri në vendin e tij dhe kjo është mirë për të. Është vështirë për lojtarët e mëdhenj, ata duan të fitojnë trofe dhe të luajnë në ndeshje si finalja e Ligës së Kampionëve. Jam i sigurt se ai është i zhgënjyer që nuk kemi fituar asgjë për pesë vite”.
“Sigurisht, do të isha i dëshpëruar të shoh Cesc të kalojë në Barcelona. Ai është ylli i ekipit të Arsenalit dhe është mirë ta kemi atë në ekip. Por është vendimi i tij”, ka thënë Vela.
Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka shprehur shenja të besimit se skuadra për të cilën luan ai do të shfaqet më serioze në sezonin e ardhshëm, pas fushate zhgënjyese në të gjitha garat.
“Na duhet pak pushim për t’u rimbushur për sezonin e ardhshëm. Ne jemi pritur mirë në SHBA. Kërkoj falje që nuk u kemi dhënë tifozëve atë që merituan”, theksoi Del Piero për Il Corriere dello Sport.
Përkundër lëndimit që ia mohoi një pjesë të sezonit, 35-vjeçari Del Piero ka shënuar 9 herë në Serie A këtë sezon, ndërsa nuk është ftuar nga Marcello Lippi që të udhëtojë në Afrikën e Jugut me përfaqësuesen e Italisë.