Fran Merida - Atletico Madrid Ish-mesfushori i Arsenalit, Fran Merida, është prezantuar si lojtar i ri i Atletico Madridit në Vicente Calderon, si transferimi i parë i Los Colchoneros për këtë sezon.
Sipas AS, lojtari pati fjalë të mira për ish-menaxherin e tij Arsene Wenger, ndërsa shprehu dëshirën për të shpërthyer në atë që mendon se është kampionati më i fortë në botë.
“Unë do të jap gjithçka për këtë fanellë, ambicia ime dhe puna e rëndë, do të bëjë të mos dështojmë”, ka thënë mesfushori.
Merida është rritur në sistemin e akademisë së Barcelonës, që nga mosha tetëvjeçare, por kaloi tek Arsenali në moshën 15-vjeçare. Ai është një tifoz i njohur i Atleticos, përderisa ka thënë personalisht se e përkrah klubin që nga mosha gjashtëvjeçare.
Jose Mourinho pritet të testojë ‘nervat’ e Liverpoolit, me një ofertë fillestare prej 30 milionë funtesh, në tentim për ta sjellë kapitenin e The Reds në Bernabeu.
Mourinho tashmë ka filluar të mendojë që tani për transferimet e reja, me Gerrardin në listën e tij. Ditë më parë, portugezi deklaroi se do të dëshironte të drejtonte lojtarë si Lampard apo Gerrard.
Sipas The Mirror, Steven Gerrard ka edhe tre vite në kontratën e tij, ndërsa problemet financiare të Liverpoolit pritet të ndikojnë në lehtësimin e transferimit.
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka filluar ta njohë Federatën e Basketbollit të Kosovës. FIBA së fundi ka aprovuar disa kërkesa që janë bërë muajin e kaluar nga FBK-ja.
Sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Patrick Baumann, përmes një shkrese ka njoftuar FBK-në se ndër të tjera zyrtarisht ka lejuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore të të gjitha kategorive deri në moshën 19-vjeçare. Kjo është hera e parë që FIBA aprovon një kërkesë të FBK-së.
"Aprovimi i kërkesave nga ana FIBA-s është hap i mirë për Federatën e Basketbollit të Kosovës. Edhe zyrtarisht është pranuar kërkesa jonë drejtuar Bordit Qendror të FIBA-s për t'i zhvilluar ndeshjet miqësore në të gjitha kategoritë deri në moshën 19-vjeçare".
"Paraqitja jonë në ndonjë ndeshje miqësore do të bëhet pa flamur dhe pa simbole shtetërore. Aprovimi i këtyre kërkesave nuk do të thotë se ne do të ndalemi. Ne do të vazhdojmë të lobojmë për t’u bërë anëtarë të barabartë të FIBA-s”, ka thënë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, të premten në një konferencë për shtyp.
Futbollisti kosovar që ditë më parë nënshkroi kontratë katër vjeçare me kampionin e Holandës, Twente, Emir Bajrami, ka deklaruar se ka pasur shumë oferta të ndryshme, duke shtuar se një ditë synon të luajë në La Liga, ndërsa e ka ëndërr të luajë përkrah Lionel Messit.
“Jam shumë i lumtur. Kam luajtur futboll që nga mosha 9-vjeçare dhe e kam pritur këtë rast deri tani, kurse rasti më erdhi dhe shpresoj të vazhdoj kështu në karrierë”, tha Bajrami Sveriges Radio International.
Në pyetjen se pse zgjodhi Twenten, para skuadrave tjera të mëdha si Ajax, Dortmund dhe Hamburg, Bajrami u përgjigj: “Së pari Twente e ka treguar veten që më ka përcjellë për dy vite, më kanë përcjellë gati të gjitha ndeshjet, ka paguar mirë dhe më ka dhënë një kontratë të mirë, ndërsa do të luajnë në Ligën e Kampionëve”.
“Normal, konkurrenca te Twente është e fortë, sepse është ekip i fortë. Së pari unë do ta gjej vendin tim në ekip dhe do të luaj aq sa mundem dhe shpresoj për një hap tjetër në karrierë, sepse ky nuk është i fundit”.
“Dua të shënoj, sepse e dua popullin tim, jam shqiptar, jam në Suedi që nga mosha nëntë vjeçare, por jam shqiptar dhe përgjithmonë do te jem shqiptar”.
“La Ligan e dua me shumë nga të gjitha kampionatet tjera, e di që mund të luaj dhe shpresoj se do të luaj një ditë në La Liga. Messi është lojtari më i mirë në botë, e dua si futbollist dhe do të ishte ëndërr të luaja përkrah tij”, deklaroi mes tjerash Bajrami.
Pronarët e Manchester United, familja Glazer, ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate se klubi nuk është në shitje, ndërsa ata nuk do të shqyrtojnë asnjë ofertë që do t’u bëhet.
Grupi i ashtuquajtur Red Knights ka tentuar që të arrijë marrëveshje për blerjen e Unitedit, por ka pasur spekulime edhe për disa pasanikë në lindjen e mesme, të cilët kanë ofruar 1.5 miliardë euro.
“Bordi ka shqyrtuar spekulimet e fundit rreth shitjes së Manchester Unitedit. Pronarët vazhdojnë të jenë të përkushtuar për pronësinë e tyre afatgjate. Manchester United nuk është në shitje dhe pronarët nuk do të shqyrtojnë asnjë ofertë”, thotë komunikata.
Njëri prej njerëzve më meritorë në përzgjedhjen e Francës si nikoqir i Euro 2016, Zinedine Zidane, është shprehur të jetë i kënaqur, pasi që përmendi kënaqësinë dhe gjithçka tjetër që do të sjellë vendi i tij gjatë kompeticionit.
“Ne jemi të kënaqur ta kemi këtë garë në Francë. Ne jemi të lumtur për të gjithë njerëzit, të cilët do të kënaqen me ngjarjen. Unë e përjetova këtë si futbollist. Mirë, nuk ishte Kampionati Evropian, por ishte Kampionati Botëror, mirëpo këto janë të ngjashme”.
“Më pëlqen ideja që njerëzit do të kënaqen me këtë moment dhe jam i ngazëllyer për miliona francezë të cilët do ta ndajnë këtë kënaqësi. Unë e dua ekipin e Francës dhe ishte detyrim për mua të jem prapa ekipit të Francës. Unë doja ta shihja Francën si organizuese të kësaj gare dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Por, të gjithë ishin mirë të përgatitur për këtë, sidomos djaloshi 10 vjeçar, Nathan, që ishte fantastik”, deklaroi Zidane duke iu referuar në fund djaloshit që përshkroi në mënyrë fantastike Francën, gjatë kandidaturës në UEFA.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, ka pranuar se ai do të mund të lëkundej nga një ofertë e ndonjë klubi nga kampionati amerikan i futbollit (MLS), në sezonet e fundit të karrierës së tij.
Lampard, që është 31 vjeçar dhe ka edhe tre vite në kontratën me Blutë, ka thënë se ai do të mund të ndiqte hapat e bashkëkombësit të tij David Beckham.
“Ky është vendim i Beckhamit, apo nuk është? Kur ai shkoi, mendova mos është shumë herët, por sa më shumë që mendoja për këtë çështje, mendoja se duhet ta lëmë atë të bëjë çfarë të dojë. Unë do të doja të shkoja në MLS kur të bëhem 35 ose 36 vjeçar, por assesi nuk mund t’ia marrim të drejtën askujt të shkojë të luajë ku të dëshirojë”.
“Gjëja e parë që do të bëj pas përfundimit të karrierës është, të mos përfshihem në futboll, as si menaxher e as si agjent ose në media. Nuk jam i interesuar. Dua të merrem me mbështetjen e familjes, në krijimin e një karriere domethënëse, sepse kam një biznes. Nuk dua të kaloj pjesën e mbetur të jetës duke kujtuar të kaluarën”, deklaroi Lampard për The Sabotage Times.
Ibrahimovic si lojtar i Interit. Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka hedhur poshtë një lutje personale nga sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, për ta kthyer sërish në Meazza.
La Repubblica pohon se Ibrahimovic ka kontaktuar Morattin javë më parë për t’i kërkuar falje për sjelljen e tij sezonin e kaluar, duke kërkuar që ta kthejë atë tek Interi këtë verë. Thuhet se suedezi ka ofruar dhe shkurtim dramatik të pagës së tij nëse ky transferim do të ndodhte.
Moratti ishte ‘i sjellshëm’ në përgjigjen e tij, duke i thënë suedezit: “Jo, Faleminderit”.
Sipas këtyre zhvillimeve, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se Zlatan Ibrahimovic mund të largohet nga Barcelona pas një sezoni frustrues.
Asi i Milanit, Ronaldinho, ka thënë se është i hapur për një kalim në Ligën Premier.
La Gazzetta dello Sport pohon se Manchester City dëshiron ta sjellë brazilianin në Ligën Premier sezonin e ardhshëm, ndërsa kjo ka hasur në mirëkuptim të Ronaldinhos, i cili ka thënë se “topi është në fushën e Milanit”.
Vëllai dhe agjenti i Dinhos, Roberto de Assis, është në dijeni për interesimin e Cityt, por thotë se fillimisht ekipi anglez duhet t’i bëjë ofertë Milanit.
Jose Mourinho - Real Madrid Faqet zyrtare të Interit dhe Real Madridit kanë konfirmuar se presidenti i Los Blancos, Florentino Perez, ka zgjidhur çështjen për shfuqizimin e kontratës së Jose Mouronhos tek Interi.
Bisedimet kishin ngecur kur presidenti zikaltër, Massimo Moratti, kishte kërkuar 16 milionë euro për ta liruar portugezin nga trekampioni Inter, mirëpo duket se Perez ka arritur ta përgjysmojë këtë shumë, ashtu që Mourinhos t’i lejohet që të nënshkruajë për Realin për katër sezonet e ardhshme.
Mourinho do të prezantohet si trajner i Real Madridit, të hënën në Santiago Bernabeu.
Cesc Fabregas ka vendosur të largohet nga Arsenali, pas një zënke me presidentin Peter Hill-Wood.
Sipas The Mirror, pohimet e spanjollit se ai është “50-50” për qëndrimin tek Arsenali, ranë në ujë kur Hill-Wood ka thënë se Fabregas nuk do të mund të hynte në formacionin e Barcelonës, komente të cilat e kanë nervozuar mesfushorin.
“E dëshironi mendimin tim? Nuk jam i sigurt nëse ai do të futet në ekipin e tyre. A kanë nevojë ata për Fabregasin? Nuk jam i sigurt nëse kanë nevojë”, komentoi Hill-Wood kohë më parë.
Kjo deklaratë e presidentit e ka shtyrë Fabregasin të kërkojë me ngulm nga Arsene Wenger largimin, ndërsa kjo mbetet çështje kohësh edhe pse Hill-Wood po tregohet arrë e fortë në raport me Barcelonën.
Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka zbuluar se gjiganti spanjoll do ta prezantojë Jose Mourinhon edhe zyrtarisht si trajner të ri, të martën e ardhshme.
“Mourinho do të arrijë në Madrid, ndoshta javën e ardhshme. Është e mundshme që të jetë të martën, por sipas të gjitha gjasave do të jetë të hënën. Ndërrimi i trajnerit, ishte i nevojshëm”, theksoi Valdano.
Drejtori më pas komentoi dhe mbi të ardhmen e sulmuesve, Gonzalo Higuain dhe Karim Benzema, për të cilët thotë se nuk janë në shitje.
“Higuain? Higuain është nën kontratë për edhe tre vite, ndërsa ka qenë kyç këtë sezon, ai nuk është në shitje. Nuk na nevojiten sulmues tjerë, ne kemi shënuar 102 gola këtë sezon dhe Benzema nuk luajti dhe aq. Sezonin e ardhshëm, Karim Benzema është sikurse transfer i ri”, përfundoi Valdano
Franca do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian-EURO 2016, ndërsa kjo u bë e ditur në një konferencë për shtyp në Gjenevë nga drejtuesit e lartë të UEFA-s, me ç’rast Franca ka mposhtur konkurrentë të tillë, si Turqia dhe Italia.
Në fakt, dilema mes votave ekzistonte ndërmjet Turqisë dhe Francës, ndërsa duket se infrastruktura e dobët italiane e ka bërë që ajo të gjendet pas këtyre dy shteteve. Në fund, Franca doli për pak vota më e mirë se Turqia, duke siguruar kështu evropianin e dytë në histori.
“Është një ditë e madhe për ne,” u shpreh presidenti i Federatës franceze të futbollit, Jean-Pierre Escalattes.
Franca ka plane të mëdha për EURO 2016, duke filluar rindërtimin e stadiumeve që tani, ndërsa ky do të jetë motiv shtesë për ta fituar atë, pasi që në evropianin zhvilluar në vitin 1984, Franca triumfoi në vend të vet.
Sulmuesi i Wigan Athletic, Hugo Rodallega, ka thënë se ai mund të transferohet te Arsenali gjatë kësaj vere.
Rodallega pranon se topçinjtë dëshirojnë të nënshkruajnë me të dhe nuk fsheh edhe dëshirën e tij për të kaluar në Emirates Stadium.
“Nuk e di nëse do të qëndroj në Wigan ose jo, por e di se Arenali ka bërë një ofertë për mua”, ka thënë sulmuesi 24-vjeçar i Wiganit.
Sulmuesi argjentinas Lionel Messi beson se kombëtarja e Anglisë është në mesin e favoritëve kryesorë për të fituar Kupën Botërore, Afrika e Jugut 2010.
Spanja dhe Brazili janë favoritët kryesor të turneut sipas shumicës së fansave të këtij sporti, por 22-vjeçari argjentinas e vendos edhe ekipin e Fabio Capello në të njëjtën kategori.
“Mendoj se për momentin, ekipet më të fuqishme në Kupën Botërore janë Spanja, Anglia dhe Brazili. Ata janë rivalë shumë të vështirë”.
“Shpresoj se do të jetë Kupa Botërore e imja, Kupa Botërore e Argjentinës dhe ne do të dalim në fushë duke vrapuar dhe luajtur për të arritur pritet e njerëzve dhe të fitojmë Kupën Botërore”, ka thënë Messi.
Arjen Robben thotë se bashkëkombësi i tij Rafael van der Vaart dëshiron t’i bashkohet atij te Bayerni i Munichut.
Robben ishte i detyruar të largohet nga Real Madridi verën e kaluar pasi mbretërit filluan një periudhë të re nën drejtimin e Florentino Perez dhe angazhuan Cristiano Ronaldon, Kaka, Benzema dhe Xabi Alonson.
Van der Vaart arriti të qëndrojë në Real verën e kaluar, por thuhet se ish-ylli i Ajaxit dhe Hamburgut do të nxirret në shitje sapo në stolin e trajnerit të arrijë Jose Mouriho.
“Rafa është ai i cili më tha se sa klub i madh është Bayerni kur ne të dy luanim në Real Madrid. Po ashtu më këshilloi të transferohem në Munchen. Ai më ka thënë se nëse Bayern dëshiron ta angazhojë, ai do të udhëtojë me biçikletë deri në Munchen për të nënshkruar”, ka thënë Robben për Kicker.
Pronari i Milanit, Silvio Berlusconi, edhe një herë ka mohuar në mënyrë kategorike se synon ta shesë klubin italian.
Kryeministri italian thotë se ai është i lodhur duke lexuar shkrime nëpër gazeta për shitjen e Milanit.
“Nëse do ta shes Milanin? Nuk e kuptoj këtë pyetje, unë e kam shkruar historinë e këtij klubi. Unë e kam udhëhequr Milanin deri te fitimi i më shumë trofeve se Real Madridi. Milani është një ekip i cili ka fituar më së shumti trofe në historinë e futbollit dhe unë jam presidenti më i suksesshëm”, ka thënë Berlusconi për shoun ‘Mattino Cinque’ në Canale 5.
“Santiago Bernabeu është në vendin e dytë për mua dhe në nder të tij ia kanë dhënë emrin stadiumit. Ai ka fituar dyfish më pak trofe se unë”, ka shtuar kryeministri italian.
Manchester United raportohet se është në avantazh ndaj rivalit lokal Manchester City për të marrë shërbimet e anësorit të Valencias, David Silva.
The Sun shkruan se City do ta testojë rezistencën e Valencias për të mbajtur anësorin spanjoll Silva gjatë kësaj vere. Valencia tashmë ka shitur një vlerë të çmuar, David Villa, por është e vendosur të mbajë Silvan.
Por, Roberto Mancini e ka vendosur 24-vjeçarin në listën e dëshirave të tij dhe është i gatshëm të ofrojë 30 milionë funte për të.
Megjithatë City ka për rival Manchester United edhe në këtë garë. Meqë United luan në Ligën e Kampionëve, ekipi i drejtuar nga Alex Ferguson është në avantazh ndaj ekipit të Mancinit.
Mesfushori i Juventusit, Diego, thotë se ai dëshiron të qëndrojë me ekipin italian.
Braziliani është i bindur se ai mund të gjejë vend në formacionin e trajnerit të ri Gigi del Neri.
“Juve mund të më besojë mua. Do të qëndroj në formë të mirë dhe ta dëshmoj veten. Nuk kam problem të punoj me Del Nerin”, ka thënë Diego.
Ish-mesfushori i Werderit së fundi është lidhur me një shkëmbim me yllin e Atletico Madrid, Sergio Aguero.
Ron Artest ka shënuar pikët vendimtare të ndeshjes për t’i dhënë fitoren 103-101 Los Angeles Lakers ndaj Phoenix Suns ndeshjen e pestë të finaleve të Konferencës Perëndimore.
Me ndeshjen që u barazua 101-101 në sekondat e fundit të ndeshjes, Kobe Bryant huqi gjuajtjen e tij, por Arest kërceu dhe shënoi pikët e fitores për Lakers, që i japin avantazhin 3-2 kampionit në fuqi të NBA-së.
Bryant shënoi 30 pikë, 11 kërcime dhe nëntë asistime, derisa për Suns, Steve Nash shëoi 29 pikë dhe 11 kërcime.
Ndeshja e gjashtë mes dy ekipeve zhvillohet të shtunën në Phoenix dhe Lakers do të tentojnë të shënojnë fitore që do t’i dërgojë ata për të tretën herë me radhë në finalet e NBA-së.
Sevilla raportohet se është e gatshme ta shesë sulmuesin Luis Fabiano gjatë kësaj vere.
Brazilianit i ka mbetur vetëm edhe një vit nga kontrata e tij me klubin spanjoll dhe ka ndaluar bisedat për një marrëveshje të re.
Estadio Deportivo shkruan se drejtuesit e Sevillas nuk dëshirojnë ta lejojnë Fabianon ta ‘harxhojë’ kontratën dhe dëshirojnë ta shesin menjëherë.
Sevilla shpreson të fitojë rreth 20 milionë euro nga shitja e sulmuesit, i cili është lidhur me një kalim në Manchester United dhe Milan, në mesin e shumë gjigantëve evropian.
Trajneri në arritje i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se yjet e kombëtares angleze, Steven Gerrard dhe Frank Lampard, janë në vështrimin e tij.
Mourinho është në prag të emërimit menaxher i ri i Real Madridit. Dhe sot ai ka thënë për AS se dëshiron të sjellë në Madrid kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard dhe yllin e Chelseat, Frank Lampard.
“Ata janë dy mesfushorë të shkëlqyeshëm, të cilët japin gjithçka nga vetja, dhe mua më pëlqen të nënshkruaj me lojtarë 30-vjeçarë”, ka thënë Mourinho.
Agjenti i sulmuesit të Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, thotë se një kalim i tij në kampionatin Anglez është një opsion në të ardhmen.
Ibrahimovic është lidhur me një kalim në Manchester City, Manchester United dhe Arsenal gjatë kësaj jave.
“Ibra kurrë nuk ka menduar se Barcelona do të jetë klubi i tij i fundit. Ai do të duhet të shkojë diku tjetër, pasi është i ngjashëm me trajnerin Mourinho dhe ai është në gjendje të fitojë gjithçka, ai vetëm ka nevojë për motivim”.
“Anglia mund të jetë një destinacion i mundshëm pasi kjo do të ishte një sfidë e re për të. Por për momentin e ardhmja e tij e afërt është në Barcelona”, ka thënë Mino Raiola.
Presidenti në largim i Barcelonës, Joan Laporta, beson se Blaugranët kanë epërsinë ndaj Real Madridit para sezonit të ri, duke thënë se talentët nga akademia e Barcelonës e kanë detyruar Realin të reagojë në tregun e transferimeve.
“Barcelona është para konkurrentëve të saj në strukturën e akademisë, që është pjesë esenciale e klubit”.
“Mourinho do të implementojë modelin e tij, ai do të bashkojë ekipin dhe do t’i bëjë ata të reflektojnë. Në këtë aspekt, Barcelona ka një përparësi të caktuar. Mourinho është trajner i mirë, që një kohë e kishte Barcën në zemër. Por, modeli Mourinho dhe modeli Barcelona janë dy modele si dy klube të ndryshme”, deklaroi Laporta.
Sulmuesi që po lidhet me një transferim te Roma, Adriano, ka pranuar se ka për të sqaruar edhe disa hesape në Itali, duke aluduar kështu në një transferim te rivali i ish-klubit të tij Inter, Roma.
“Diçka më mungonte, më duhet të harroj gjithë atë që bëra në Itali. Prandaj më kanë mbetur disa hesape të pasqaruara. Tani jam mirë dhe shumë i lumtur”, theksoi Adriano për Gobo.
Adriano u largua nga Interi, pas problemeve personale të paraqitura në mes të sezonit të kaluar, ndërsa tani thuhet se ka arritur marrëveshje trevjeçare me Romën.
Bashkëpronari i Liverpoolit, Tom Hicks, beson se ka shumë palë të interesuara për të investuar në klubin e Liverpoolit edhe pse ai beson se Liverpooli do t’i shitet një blerësi nga Lindja e Mesme ose Azia.
“Liverpooli ka një gamë të gjerë të blerësve të interesuar. Është një numër i madh i njerëzve të pasur në botë, sidomos në Lindjen e Mesme dhe Azi, të cilët janë tifozë të flaktë të Liverpoolit”, tha Hicks.
Ai shtoi se klubi i tij i bejsbollit në SHBA ka bankrotuar për shkak të dëshirës së tij për t’ia kthyer familjes së tij privatësinë, sepse nuk dëshiron të fokusohet më në asete sportive.
UEFA ka konfirmuar se eksperimenti me dy gjyqtarë shtesë gjatë lojës, që u përdor për herë të parë në Europa League, u tregua i suksesshëm dhe kështu ai do të implementohet edhe në Ligën e Kampionëve, ashtu si në kualifikimet e evropianit 2012.
“Komiteti ekzekutiv i UEFA-s, ka vendosur që propozimin me dy gjyqtarë shtesë t’ua rekomandojë edhe FIFA-s dhe IFAB-s, pas aprovimit të edhe dy viteve shtesë të eksperimenteve me dy gjyqtarë shtesë, në garat e Ligës së Kampionëve, Super Kupës së Evropës dhe Kualifikimet e Kampionatit Evropian Euro 2012”, thotë një komunikatë e UEFA-s.
Sipas këtij eksperimenti, dy gjyqtarët shtesë, përpos gjyqtarit kryesor dhe dy asistentëve, do të qëndrojnë secili në nga njërën portë. Edhe kampionatet tjera janë të lira të përdorin këtë sistem sipas dëshirës.