Mbrojtësi i Interit, Lucio, e vlerëson sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba, si rivalin më të vështirë me të cilin është përballur deri tash.
Braziliani do të përballet me Drogban përsëri në Kupën Botërore, pasi kombëtarja e tij është në të njëjtin grup me atë të Bregut të Fildishtë.
“Ai djalosh është një prej sulmuesve më të fuqishëm kundër të cilëve kam luajtur, edhe në aspektin teknik edhe në atë fizik. Kam qenë i dërmuar pas ndeshjes në Stamford Bridge, sa mezi kam lëvizur”, ka thënë Lucio.
Drejtori ekzekutiv i Manchester United, David Gill, thotë se nuk ka shanse që Real Madridi të blejë sulmuesin kryesor të ekipit anglez Wayne Rooney.
Gill thotë se Djajtë e Kuq nuk janë të gatshëm të humbin ndonjë prej yjeve të veta. Kur është pyetur se Real Madridi do të përpiqet të nënshkruajë me Rooney këtë verë, ai ka bërë një përgjigje të shpejtë: “S’ka shanse”.
“Ai ka kontratë. Nuk dua ta vendos në aspekt kohor, por jam i sigurt se ne do të ulemi me Paul [Stretford, agjentin e Rooney] dhe do të arrijmë një marrëveshje të re. Ai nuk do të shkojë atje. Ai nuk dëshiron të shkojë. Mund të ketë zhurmë, por nuk shqetësohem”, ka thënë Gill.
Manchester United raportohet se është duke shprehur interesim për anësorin e Chelseat, Joe Cole.
Times shkruan se United është duke planifikuar një hap befasuar duke transferuar Joe Cole si lojtar të lirë muajin e ardhshëm.
Chelsea nuk ka bërë kontakte me agjentët e Cole për të diskutuar marrëveshjen e re, duke e lënë mesfushorin e Anglisë të kuptojë se ai nuk dëshirohet më në Stamford Bridge.
United nuk mund të bëjë një lëvizje zyrtare derisa kontrata e Cole nuk skadon, por interesimin e vet ia ka bërë të ditur përmes ndërmjetësuesve.
Bashkëpronari i West Ham United, David Sullivan ka konfirmuar se Avram Grant do të jetë menaxheri i ri i klubit.
Ish-menaxheri i Portsmouth pritet edhe zyrtarisht të caktohet në postin e menaxherit të West Hamit në ditët në vazhdim.
“Virtualisht është një marrëveshje e arritur dhe po thuajse është e sigurt se do të jetë Avram Grant. Ne besojmë në përvojë dhe Avram ka 34 vite. Më pëlqen ai shumë. Ai është krejtësisht e kundërta e asaj që unë e kam menduar.
“E kam menduar si një burrë të vrenjtur, mërzitshëm, serioz dhe pa humor. Në fakt ai ka një shije shumë të theksuar humori me po thuajse njohuri enciklopedike për futbollin. Mrekulli. Ai tregon barcoleta dhe ngjarje”, ka thënë Sulivan për Daily Mail.
Pronari i klubit ka thënë se Grant do të fitojë katër vite kontratë. Ai po ashtu ka zbuluar se klubi është shumë serioz për të transferuar Thierry Henry nga Barcelona.
Sportivja spanjolle AS shkruan se ish-trajneri i Real Madridit, Manuel Pellegrini, ka qenë i kontaktuar nga Interi rreth mundësisë që ai të pasojë Jose Mourinhon në Giuseppe Meazza.
Kiliani u shkarkua nga Reali i Madridit me qëllim që klubi mbretëror ta angazhojë Jose Mourinhon, i cili pritet të prezantohet para mediave të hënën, pasi Florentino Perez mbrëmë arriti marrëveshje me Massimo Morattin për shumën e dëmshpërblimit.
Interi tash është në kërkim të një strategu të ri dhe një numër i madh i emrave janë përmendur, në mes të cilëve edhe Fabio Capello dhe Guus Hiddink. Gazeta shkruan edhe se Interi tashmë ka kontaktuar edhe me Pellegrinin dhe kiliani është i joshur nga kjo mundësia.
Për ish-trajnerin e Villarrealit interesim ka shprehur edhe Fenerbahce.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, do të ketë ndikim të madh në atë se kush do të jetë pasuesi i tij kur ai do t’i japë fund karrierës në Old Trafford.
Drejtori ekzekutiv i United, David Gill, është zotuar se këshillat e Ferguson do të merren parasysh kur skocezi do të vendosë të tërhiqet nga pozita e menaxherit të ekipit.
“Ne nuk e dimë se kur Alex do të pensionohet dhe sa kohë ai do të mund të vazhdojë. [Pasuesi i tij] do të diskutohet me Alex, Bobby Charlton dhe pronarët. Mendoj se Alex do të jetë kyç. Ai i njeh njerëzit. Ai do të ketë një rol të madh në këshillim dhe do të jetë zëri i bordit”, ka thënë Gill për The Independent.
Presidenti i federatës italiane të futbollit, Gianluca Abete, ka konfirmuar se trajneri i Firoentinës, Cesare Prandelli, do të jetë përzgjedhësi i ardhshëm i kombëtares italiane.
Prandelli do të largohet nga Viola për të marrë nën drejtim kombëtaren azure menjëherë pas përfundimit të Kupës Botërore.
“Ne do ta respektojmë zotimin që kemi bërë dhe do ta nominojmë taktikun e ri para 8 qershorit, në fakt disa ditë më herët”.
“Prandelli sapo është rikthyer nga turneu në Kanada me klubin, andaj nuk e di se kur do të takohemi, por përshëndetja e tij me fansat dhe komentet që vijnë nga Fiorentina e kanë shtruar themelin”, ka thënë Abete për Sky Italia.
Njëri nga pronarët e West Ham United, David Sullivan, ka konfirmuar se ai do të dëshironte të nënshkruajë me David Beckham,
Ekipi ku aktivizohet edhe kosovari Valon Behrami është ende pa menaxher, dhe Avram Grant pritet gjatë javës së ardhshme të konfirmohet si pasues i trajnerit të shkarkuar Gianfranco Zola.
Por Sullivan, i cili bleu klubin vitin e kaluar së bashku me David Gold, tashmë është lidhur me transferim të emrave të mëdhenj si Thierry Henry dhe ka konfirmuar se ka dëshirë të sjellë edhe yllin e LA Galaxy, David Beckham, në vendlindjen e tij si huazim.
“Më pëlqen David Beckham. Ai është shumë i dashur në Londrën lindore dhe ende ka shtëpi jo larg nga fusha e stërvitjeve. Ai është nga Chingford, që është qendra jonë. Nëse Milani nuk e dëshiron atë në janar, unë do të dëshiroja ta kem. Ai është një profesionist”, ka thënë Sullivan.
Pronari i West Hamit po ashtu ka zbuluar se ai ka kërkuar nga Joe Cole të rikthehet te ish-klubi i tij, por mesfushori i Chelseat ka refuzuar.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, beson se lidhja e hidhur e Jose Mourinho me mediat e ka detyruar atë të shkojë në krahët e Real Madridit.
Transferimi i Mourinhos në stolin drejtues të Realit është konfirmuar dje nga të dyja palët, Inter dhe Real, të cilët kanë arritur marrëveshje për prishjen e kontratës paraprake të portugezit me kampionin e Evropës.
“Derisa tash sa di unë, asgjë nuk ka ndryshuar me Mourinhon, pasi ai ka punuar mirë me ne. Lamtumira e tij nuk e prish respektin që ka ekzistuar në mes nesh. Dera mbetet gjysmë e hapur për të, e gatshme të rihapet përsëri”.
“Sipas mendimin tim Mourinho nuk e la Interin si të tillë, ai e la Italinë. Mbase nuk i ka shëruar disa plagë nga dy vitet e kaluara dhe personaliteti i tij po ashtu e ka udhëhequr atë në kërkim të aventurave të reja”, ka thënë Moratti.
Mesfushori i Sevillas, Renato, ka nënshkruar kontratë të re me klubin spanjoll e cila skadon në vitin 2012.
Kontrata e mëhershme e brazilianit ishte deri në vitin 2011, ndërsa kjo është vazhduar për 12 muaj. 31-vjeçari, i cili iu bashkua Sevillas nga Santos në vitin 2004, ka të futur një klauzulë në vlerën e 36 milionë eurosh në kontratën e tij të re.
Renato dhe Sevilla vitin e ardhshëm do të luajnë edhe një herë në Ligën e Kampionëve, pasi siguruan pozitën e katërt në tabelën e kampionatit spanjoll, që i dërgon ata në fazën e kualifikimeve për në garën më të madhe evropiane.
Boston Celtics ka siguruar vend për në Finalet e NBA-së duke mposhtur në shtëpi Orlando Magic me rezultat 96-84, për të fituar kështu edhe finalen e Konferencës Lindore me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Paul Pierce ishte më i sakti te Boston në ndeshjen e mbrëmshme me 31 pikë dhe 13 kërcime, derisa e Dwight Howard shënoi 28 pikë për Magic.
Celtics, kampionët e NBA-së dy vite më herë, shënuan tre fitore radhazi në tre ndeshjet e para, por pësuan dy humbje në ndeshjet e radhës. Por ndeshja e gjashtë u tregua vendimtare për Celtcis, që do të presin në finale njërin nga rivalët e Perëndimit, Los Angeles ose Phoenix.
Në finalen e Perëndimit, Los Angeles Lakers udhëheq 3-2 me ndeshje ndaj Suns, me ndeshjen e gjashtë që zhvillohet sonte në Phoenix.
Përzgjedhësi i përfaqësueses gjermane në futboll, Joachim Loew, ka emëruar mbrojtësin e krahut të djathtë, Philipp Lahm, si pasardhës të Oliver Kahn në shiritin e kapitenit të kombëtares gjermane.
Nga ana tjetër, emërimi i Philipp Lahm si kapiten i Gjermanisë, nuk është pritur aspak mirë në qarqet e futbollit gjerman, e sidomos nga kapiteni legjendar, Oliver Kahn, që dyshon mbi aftësitë e Philipp Lahm për të qenë lider.
“Keni përgjegjësi të madhe si kapiten i kombëtares dhe lojtari që e mban shiritin e kapitenit duhet gjithnjë të jetë në krye të lojës. Lahm duhet të dëshmojë se ka aftësi për të qenë lider. Philipp është një futbollist i madh, por nuk e di nëse është mjaft i pjekur për këtë punë”.
“Një Kampionat Botëror është shumë i gjatë dhe me faza të vështira. Si kapiten, ju gjithnjë duhet të jeni optimist dhe guximtar”, deklaroi Kahn për TZ.
Mbrojtësi legjendar i Milanit, Paolo Maldini, ka mbështetur emërimin e Massimiliano Allegrit si trajner të rosonerëve.
Ish-bosi i Cagliarit po spekulohet se mund të jetë trajner i ri i Milanit, ndërsa këtë opsion e përkrah Maldini.
“Nuk është ende zyrtare, por nuk do të ishte befasi. Ai vërtet më pëlqen, më pëlqen mënyra se si shprehen ekipet që i drejton ai. Ne mund të themi se stili i tij i përshtatet stilit të së kaluarës së Milanit”, tha Maldini.
Agjenti i sulmuesit të Interit, Diego Milito, ka thënë se klienti i tij do të qëndrojë te Interi dhe do ta respektojë kontratën trevjeçare, një javë pasi ishte vetë sulmuesi ai që pohoi të ketë pranuar një numër ofertash të rëndësishme.
“A do të qëndrojë Milito 100 % te Interi? Ai ka kontratë edhe për tri vite të ardhshme dhe nëse Interi nuk i shqyrton ofertat, atëherë ai do të qëndrojë”.
“Ne kemi biseduar për këto gjëra me të dhe me klubin. Muajin e kaluar bisedova me Interin për të ardhmen e tij, por ne do të bisedojmë ende në javët në vazhdim”, deklaroi Fernando Hidalgo për Sky Sport Italia.
Pas largimit të Jose Mourinhos, presidenti i Interit, Massimo Moratti, është vënë në gjah për një trajner të ri. Ndërsa opsionet janë të shumta, ai ka hedhur poshtë transferimin e Leonardos, por pohoi se ka menduar për Pep Guardiolan.
“Capello është njëri prej kandidatëve. Por, unë ende nuk kam marrë ndonjë vendim. Mendoj se ka shumë trajnerë që dëshirojnë të bashkëpunojnë me Interin”.
“Unë kam menduar për Guardiolan. Por ai është shumë i lidhur me Barcelonën dhe nuk mendoj se ai do të largohej për të holla. Spalleti ka bërë punë të mirë te Roma ashtu si në Rusi. Por, mendoj se Spalleti do të qëndrojë atje”.
“Leonardo? Unë kam menduar për të, por nuk do të doja të rrezikoja me të për trajner të Interit. Kam menduar edhe për Zdenek Zeman, por të shohim, duhet të zgjedhim një trajner me përvojë”, ka thënë Moratti.
Julio Cesar ka shprehur pakënaqësinë e tij për topin me të cilin do të luhet në Kampionatin Botëror, ‘Jabulani’, për të cilin thotë se është i tmerrshëm.
Pasi e testoi topin për më shumë se një muaj, Cesar shprehet se topi nuk është i përshtatshëm për Botërorin që zhvillohet në Afrikën e Jugut.
“Topi është i tmerrshëm. Duket sikur është nga ata topa që i blejmë nëpër supermarkete”, theksoi Cesar.
Nuk është hera e parë që Adidas kritikohet për topin e Botërorit. Javë më parë futbollistët anglez u shprehën të pakënaqur nga topi gjatë stërvitjeve në kampin e tyre.
Duke e ditur se e ardhmja e tij qëndron larg Barcelonës, sulmuesi francez Thierry Henry, pritet që në ditët në vijim të kërkojë nga klubi të jetë transfer i lirë, për të kaluar te destiancioni i spekuluar, New York Red Bulls.
Ish-lojtari i Arsenalit që aktualisht po stërvitet me kombëtaren franceze për Kampionatin Botëror, nuk ka thënë diçka zyrtare për planet e tij për t’u larguar nga Camp Nou, por raporti i AS duket të jetë më shumë se i besueshëm.
Henry ka kaluar tre vite tejet të komplikuara në radhët e Barcelonës, duke dështuar në momente të caktuara, për shkak të lëndimeve, ndërsa sezonin e fundit Pedro ia zuri vendin në formacionin startues.
Carlos Dunga ka shprehur mbështetjen e tij për kontingjentin e futbollistëve brazilianë të Interit, të cilët do të luajnë për kombëtaren e Selecaos në Botërorin e radhës.
“Unë do të tentoj ta fitoj Botërorin duke përdorur ‘murin’ e Interit. Pesë muaj më parë kam thënë se Lucio ka qenë futbollist i jashtëzakonshëm këtu, kam thënë se ai do ta bëjë Interin të fitojë dhe nuk isha i gabuar”.
“Ai është fitues. Ne kemi urinë e Lucios, klasin e Julio Cesarit dhe fuqinë e Maiconit…është pothuajse e pamundur për ekipet tjera të shënojnë në murin e këtyre lojtarëve”, ka thënë Dunga për La Gazzeta dello Sport.
Rafael Nadal ka mposhtur argjentinasin Horacio Zebollos për të arritur në rrethin e tretë të French Open, ndërsa kualifikimin në fazën 1/8 e ka siguruar Roger Federer pas fitores ndaj gjermanit Julian Reister.
Nadal ka vazhduar me sukses garën për titullin e tij të pestë në French Open, pasi mposhti me lehtësi argjentinasin me rezultat 6-2, 6-2 dhe 6-3, për një orë e 44 minuta, ndërsa në rrethin e tretë takohet me Lleyton Hewitt, që mposhti Denis Istomin në pesë sete.
Federer që nga ana tjetër po kërkon titullin e tij të dytë në French Open, ka mposhtur gjermanin Julian Reister me rezultat 6-4, 6-0 dhe 6-4, ndërsa në rrethin 1/8 takohet me fituesin nga takimi në mes Stanislav Wawrinka dhe Fagio Fognini.
Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka pranuar se do të dëshironte që një ditë të punonte me sulmuesin e Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
Portugezi thotë se Rooney është njëri nga lojtarët që ai dëshiron t’i drejtojë së paku një herë gjatë jetës së tij, ndërsa pranon se transferimi i Rooneyt në Bernabeu është i pamundur.
“Unë them se është e pamundur. Unë do të doja ta drejtoja Rooneyn, si nga ana e lojtarit ashtu dhe nga ana mendore. Por miku im, Sir Alex Ferguson, mund të qëndrojë i qetë sepse kjo është e pamundur”, theksoi Mourinho për AS.
Emmanuel Adebayor duket se nuk do të largohet nga Manchester City për të shkuar te Milani, pasi që agjenti i tij Stephane Courbis mohoi të gjitha spekulimet që thoshin se togolezi është në rrugë për në San Siro.
Il Corriere dello Sport raportoi për një interesim të shtuar të Milanit për ish-sulmuesin e Arsenalit, duke qenë se Berlusconi është admirues i togolezit.
“Nuk di asgjë rreth kësaj. Milani nuk më ka kontaktuar, e as Manchester City. A është Adebayor i pakënaqur te City? Nuk kam se çfarë të them rreth kësaj”, deklaroi Courbis për Calciomercato