Roger Federer u kualifikua në çerekfinale të French Open, pas fitores së lehtë ndaj bashkëkombësit Stanislav Wawrinka, duke vazhduar ecurinë e mirë pa asnjë set të humbur.Federer u tregua përsëri ‘i hekurt’ duke e mposhtur Wawrinkan me rezultat 6-3, 7-6 dhe 6-2, ndërsa në çerekfinale takohet me suedezin Robin Soderling që mposhti kroatin Marin Cilic.
Numri një i Britanisë, Andy Murray, u desh të përshëndetet nga French Open, pasi që u mposht nga bartësi i 15-të, çeku Tomas Berdych me rezultat 6-4, 7-5 dhe 6-3, për dy orë e 16 minuta. Berdych në çerekfinale takohet me rusin Mikhail Youzhny.
Mbrojtësit portugez Pepe i është dhënë drita e gjelbër për të përfaqësuar kombëtaren e tij gjatë Kampionatit Botëror, njofton federata portugeze e futbollit.Pepe pësoi një lëndim të rëndë në dhjetor të vitit 2009, ndërsa ishte nën përkujdesje intensive nga stafet mjekësore.
Carlos Queiroz rrezikoi dhe e përfshiu në listën e tij prej 24 futbollistëve për Botëror, me shpresë se ai do të jetë i gatshëm për Botërorin e këtij viti, ndërsa pas ekzaminimeve të fundit nga stafi mjekësor i Portugalisë dhe Real Madridit, konfirmohet se Pepe është në gjendje të mirë.
“Stafet mjekësore të Portugalisë, Real Madridit, Juan Carlos Hernandez, Carlos Diez dhe mjeku që e operoi Pepen, Jose Carlos Noronha, janë pajtuar ta shkarkojnë nga detyrimet mjekësore mbrojtësin Pepe, në mënyrë që ai të vazhdojë programin sportiv rikuperues”, thotë një komunikatë e federatës portugeze.
Portieri spanjoll i Real Madridit, Iker Casillas, e ka krahasuar topin e Kampionatit Botëror të sivjetmë me një top plazhi, pas fitores së vështirë të Spanjës ndaj Arabisë Saudite në Austri të shtunën, duke qenë jashtëzakonisht kritik për paparashikueshmërinë e topit të Botërorit.“Është sikurse një top plazhi. Nuk ankohen për këtë vetëm portierët, por edhe lojtarët në fushë bëjnë të njëjtën gjë. Është thënë se një garë aq e rëndësishme si Botërori do të ketë një element aq vital si ky top me karakteristika anormale”, deklaroi Casillas.
Spanjës iu nevojit një gol në sekondat e fundit nga Fernando Llorente, për të kompletuar fitoren e vështirë ndaj Arabisë Saudite.
Henin ka mposhtur deri tani, kundërshtaren e saj më të fortë, rusen Maria Sharapova, për të arritur në rrethin e katërt të garës të cilën tenton ta fitojë për herë të pestë, French Open.Bartësja e 22-të, belgia Justine Henin, vazhdon kështu garën për vitin e saj të gjashtë pa humbje në French Open (duke mos marrë parasysh dy vitet e kaluara kur ishte në pension), ndërsa në këtë rreth takohet me australianen Samanta Stosur.
Nga ana tjetër, bartësja e dytë, Venus Williams, është përshëndetur nga French Open pas disfatës turpëruese të pësuar nga Nadia Petrova me rezultat 6-4 dhe 6-3.
Trepça është shpallur kampion i Reiffeissen Superligës së Kosovës në futboll, pasi mposhti Besën me rezultat 2-1 në javën e fundit, para një atmosfere fantastike përballë tifozëve vendas.Atmosfera në stadiumin olimpik Adem Jashari ishte e zjarrtë, pasi që në të ishin grumbulluar mbi 20.000 shikues. Fillimisht në epërsi kaloi Besa me anë të kapitenit legjendar, Haxhi Zeka (33’), për të heshtur kështu tifozët ‘Torcida’ të Trepçës.
Vetëm shtatë minuta ma vonë, lajmërohet kapiteni Elvis Osmani (40’), që zgjoi në këmbë tifozerinë e flaktë me golin e barazimit për 1-1. Goli i titullit u shënua përsëri nga futbollisti më i mirë i Trepçës, Elivs Osmani, në minutën e 58-të të takimit.
Nga Superliga përshëndeten Gjilani dhe Kosova e Vushtrrisë, ndërsa në sfidën e ‘play-offit’ do të përballen Vëllaznimi dhe Besiana, të mërkurën më 2 qershor. Në elitën e futbollit kosovar do të garojnë nga sezoni i ardhshëm Trepça’89 dhe Ballkani.
Rezultatet e javës së fundit në Raiffeisen Superliga:
Trepça-Besa 2:1
Prishtina-KEK-u 1:0
Drenica-Hysi 2:1
Kosova (V)-Liria 1:0
Vëllaznimi-Flamutari 3:1
Ferizaj-Gjilani 2:1
Tabela e Raiffeisen Superligës
1.Trepça 59
2.Prishtina 55
3.KEK-u 53
4.Besa 51
5.Drenica 49
6.Hysi 47
7.Flamurtari 47
8.Liria 44
9.Ferizaj 42
10.Vëllaznimi 42
11.Kosova (V) 34
12.Gjilani 25
Rezultatet nga Liga e Parë:
Trepça ’89 – Gjakova 2:0
Ferronikeli – Lepenci 3:0
Drita – Besiana 2:1
Sharri – Istogu 1:3
Ulpiana - 2 Korriku 2:1
Ballkani - Ramiz Sadiku 5:2
Llapi - Fushë Kosova 3:0 (Z)
Rahoveci - Vullnetari i UÇK-së 3:0 (rezultat zyrtar)
Tabela e Ligës së Parë
1. Trepça ’89 69
2. Ballkani 65
3. Besiana 57
4. F. Kosova 53
5. Istogu 43
6. Llapi 41
7. Lepenci 40
8. Feronikeli 40
9. 2 Korriku 39
10. Rahoveci 39
11. Sharri 39
12. Drita 38
13. R.Sadiku 37
14. Ulpiana 36
15. Gjakova 35
16. Vull. i UÇK-s 12
John Arne Riise është plot besim se Roma do të ketë gjasa më të mëdha për të fituar Scudetton sezonin e ardhshëm, pas largimit të Jose Mourinhos nga kampioni aktual, Inter.“Ai e ka dëshmuar që është trajneri më i mirë. Pa të, Roma do të përfitojë”, theksoi norvegjezi për Dagbladet.
Roma ishte shumë pranë që t’ia marrë titullin Interit, mirëpo këta të fundit treguan edhe njëherë forcën dominuese në Serie A.
Ish-trajneri i Interit, Jose Mourinho, ka shkruar një letër lamtumirës, në shenjë falënderimi ndaj gjigantit të Serie A, Inter, për kohën e kaluar në Meazza.“Para se të nënshkruaj kontratën që do të më mbajë te Real Madridi, unë dua të falënderoj tifozët e Interit dhe të gjithë ata që më ofruan mbështetjen e tyre përgjatë kësaj aventure, kulmi i së cilës ishte triumfi në Ligën e Kampionëve”.
“Nuk po largohem nga askush, as nga tifozët e Interit, as nga punëtorët e klubit e as nga presidenti Massimo Moratti. Ju përqafoj të gjithëve. Ju gjithmonë do të jeni në zemrën time”, përfundon letra e publikuar në La Gazzeta dello Sport.
Sulmuesi italian Alberto Gilardino thotë se kombëtarja italiane po merr kritika pa vend para Botërorit të këtij viti që zhvillohet në Afrikën e Jugut.“Është duke na rrethuar një atmosferë e keqe, pak a shumë sikurse në vitin 2006. Por, skepticizmi nuk është çështje e jona. Ka njerëz të cilët mund ta bëjnë Italinë të madhe dhe këtë nuk po e them pse jam në krye të detyrës”, theksoi Gila për La Repubblica.
Gilardino ka mbajtur premtimin e tij kur udhëtoi rreth e përqark Italisë, katër vite më parë, pas triumfit në Gjermani, ndërsa përfundoi deklaratën e tij: “Këtë herë, unë do të eci në këmbë rreth Italisë”.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka reflektuar në rifitimin e vendit në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, që, sipas tij, duhet të jetë prioriteti i The Reds.“Klube si Real Madridi apo Interi mund të hedhin nga 100 milionë funte në tregun e transferimeve për lojtarë të rinj edhe nëse nuk e fitojnë titullin. Por Liverpooli nuk mund ta bëjë këtë. Ne duhet të ndërtojmë. Ne nuk mund ta bombardojmë tregun e transferimeve”.
“Sezonin e ardhshëm, para se të mendojmë aq shumë për titullin, duhet të përqendrohemi se si të kthehemi në top katërshe”, u shpreh Carragher për People.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka shprehur pakënaqësinë e tij se si përfundoi sezoni 2009/2010, duke pranuar se sezoni i tij i parë në Spanjë është më se frustrues.“Shpresoj të festoj më shumë fitore sezonin e ardhshëm. Jose Mourinho është fitues. Këtë sezon unë isha i frustruar dhe shumë i pikëlluar, por unë parashikoj që sezoni i ardhshëm të jetë krejtësisht ndryshe”, ka thënë Ronaldo.
Real Madridi këtë sezon përkundër shpenzimeve enorme (250 milionë euro), mbeti pa asnjë titull, duke u eliminuar nga Lyoni në Ligën e Kampionëve dhe nga skuadra e divizionit të dytë, Alcorcon, në Coppa del Rey.
Anglia ka arritur të shënojë fitore shumë të vështirë ndaj Japonisë, në miqësoren përgatitore para Botërorit të këtij viti në Afrikën e Jugut, me rezultat 2-1.Pas një harkimi të mirë në zonë nga Keisuke Honda, ishte Marcus Tulio Tanaka ai që u gjend mirë në zonë për të shënuar golin e epërsisë (7’). Anglia intensifikoi përpjekjet në vazhdim të takimit, ndërsa golin e dytë në ndeshje Tanaka e shënoi në minutën e 72-të, por kësaj radhe në portën vet, për të barazuar rezultatin në 1-1.
Joe Cole dhe Aaron Lennon patën një ndikim të jashtëzakonshëm në lojën e Anglisë, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 83-të, përsëri nga një autogol, kësaj radhe golashënues ishte Nakazawa, që devijoi një harkim të Joe Cole. Ishte Japonia ajo që pati rastin të barazojë rezultatin në çastet e fundit të takimit, kur u godit shtylla, por pa sukses.
Kjo ndeshje është një sinjal i qartë për Fabio Capellon, që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për mënyrën e lojës, pasi që Botërori po afrohet, ndërsa me këtë lojë Anglia nuk mund të pretendojë të kalojë as fazën e grupeve.
Piloti i McLaren, Lewis Hamilton, është fitues i Çmimit të Madh të Turqisë, së bashku me bashkëkombësin e tij Jenson Button që u rendit i dyti, për të forcuar kreun në konkurrencën e konstruktorëve.Në fakt, në krye të garës ishin ngasësit e Red Bull, Mark Webber dhe Sebastian Vettel, të cilët u nisën dhe nga pozicionet e para, por 18 xhiro pa përfunduar gara, të dy kolegët përplasen me njëri tjetrin dhe si pasojë, Sebastian Vettel e përfundoi garën para kohe, kurse Webber u rikthye, por 30 sekonda prapa liderit Hamilton.
Lewis Hamilton e përfundoi garën me kohë 1:28:47:620, në pozitën e parë, ndërsa i dyti doli bashkëkombësi i tij dhe kolegu te McLaren, Jenson Button. Pozitën e tretë i zhgënjyer e zuri australiani i Red Bull, Mark Webber, me 24 sekonda prapa fituesit Hamilton. Legjenda e Formulës 1, Michael Schumaher, u rendit i katërti, ndërsa Fernando Alonso u pozicionua vetëm i teti.
Përkundër dështimit në Turqi, lider në renditjen e pilotëve mbetet Mark Webber me 93 pikë, i pasuar nga Button, Hamilton dhe Alonso. Në renditjen konstruktorëve prinë McLaren me 172 pikë, i pasuar nga Renault me një pikë më pak.
Trajneri i Fiorentinas, Cesare Prandelli, ka arritur marrëveshje me federatën italiane të futbollit (FIGC), për të zëvendësuar Marcello Lippin në postin e trajnerit të kombëtares italiane, pas Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.“Prandelli do të jetë trajner i Italisë për katër vite”, ka thënë një zëdhënës i Federatës Italiane të Futbollit, duke sqaruar se akordi është arritur mes Prandellit dhe presidentit të FIGC, Giancarlo Abete.
“Prandelli do të prezantohet zyrtarisht si përzgjedhës i Italisë pas Kampionatit Botëror”, shtoi zëdhënësi.
Detajet financiare dhe përbërja e stafit të Prandellit pritet të publikohen së shpejti.
Legjenda e Manchester Unitedit, Bryan Robson, nuk dyshon se njerëzit e drejtuar nga Sir Alex Ferguson do t’ia marrin titullin Chelseat sezonin e ardhshëm.“Jam i sigurt se United do të kthehet më i fortë sezonin e ardhshëm dhe do të mendojë se si ta kthejë titullin në shtëpi. Ju duhet pak fat për të fituar trofe dhe kjo është ajo që ka pasur United tre vitet e kaluara, me pak lëndime, duke bërë që trajneri të luajë me formacionin më të mirë”.
“Por, fati u mungoi atyre këtë vit për shkak të lëndimeve, sidomos në mbrojtje. Ai nuk i pati opsionet e duhura kështu që kjo i kushtoi atij. Në të njëjtën kohë, ai (Ferguson), u dha mundësi të rinjve që të luajnë, ndërsa përvoja e tyre pritet të shihet sezonin e ardhshëm”.
“Mund të thoni që kartoni i kuq i Rafael Da Silvas ndaj Bayernit, i kushtoi Unitedit Ligën e Kampionëve, por ai do të mësojë nga ajo”, tha ish-kapiteni Robson për Sunday Mirror.
Agjenti i sulmuesit suedez, Zlatan Ibrahimovic, nuk mund të besojë se trajneri i Barcelonës dëshiron ta largojë nga skuadra njeriun të cilin e bleu për 75 milionë euro.Kohëve të fundit po flitet se Guardiola mund t’ia tregojë derën Ibrahimovicit, pasi që ai nuk është i përshtatshëm për taktikat e teknikut të Barcelonës.
“Do të ishte e çuditshme nëse Guardiola nuk e lë atë të luaj, pasi e detyroi klubin të paguajë për të 75 milionë euro. Në fakt, nëse këtë e bën Guardiola, atëherë ai do të duhej të ishte në psikiatri dhe në përkujdesje psikike. Do të ishte një vendim prej budallai”, theksoi Mino Raiola.
Trajneri i shkarkuar nga Real Madridi, Manuel Pellegrini, mendon se edhe Jose Mourinhos nuk do t’i zgjasë shumë kënaqësia e të qenit trajner i Real Madridit.Kiliani ishte shkarkuar të mërkurën për t’i lënë hapësirë Mourinhos, që nesër do të prezantohet si trajner i ri i Real Madridit.
“Nuk mendoj se unë bëra ndonjë gabim të madh. Unë isha trajner për pesë vite në Spanjë dhe e kam ditur se trajnerëve nuk u zgjatë shumë te Real Madridi”.
“Nga pikëpamja ime, ky është një gabim strategjik dhe shpresoj që herët apo vonë ata ta rregullojnë këtë”, tha Pellegrini.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka pranuar se në listën e tij të transferimeve është futur mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, duke thënë se po merr thirrje të shumta nga tifozët zikaltër për të transferuar kapitenin e The Reds.“Në mesfushë më pëlqejnë edhe Cesc Fabregas edhe Steven Gerrard. Tifozët e duan Gerrardin në Liverpool dhe ata shihet qartë që dinë shumë rreth futbollit”, theksoi Moratti.
Presidenti i Interit shtoi gjithashtu se Real Madridi do të duhet të luftojë drejtpërsëdrejti me të, për firmën e mbrojtësit të djathtë, Douglas Maicon, duke i paralajmëruar Los Blancos të mos e ëndërrojnë brazilianin në skuadrën e tyre.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se dëshiron ta ketë në stafin e tij drejtues, treshen e veteranëve të përbërë nga Ryan Giggs, Paul Scholes dhe Gary Neville.Që të tre të lartpërmendurit kanë vazhduar kontratat e tyre edhe për një vit, për t’u pensionuar në fund të sezonit të ardhshëm, ndërsa Ferguson mendon se ata mund të inspirojnë gjeneratën e re të talentëve lokalë të Unitedit.
“Ata janë dëshmi të gjalla për lojtarët e rinj, se sistemi i Unitedit u lejon lojtarëve të kenë sukses. Kur të pensionohen, ata do të qëndrojnë. Që të tre janë duke i marrë diplomat për trajner. Nuk mendoj se klubi do të lë t’i ikë nga dora ajo përvojë e madhe”, ka thënë Ferguson.
Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart, nuk është aspak i ngazëllyer të shohë Jose Mourinhon të drejtojë rivalin e përbetuar të Barcës, Real Madrid.“Unë kam marrëdhënie shumë të mira me Mourinhon dhe e respektoj atë, por nuk më pëlqen që ai shkoi te Real Madridi dhe si rezultat nuk i dëshiroj suksese atje. Shpresoj se do t’i dërgojë ata në Segunda Division (kategorinë e dytë spanjolle)”.
“Unë e njoh atë, por shpresoj se ai do të dështojë dhe të ketë shumë probleme në Madrid”, deklaroi Gaspart për Ona FM.
Mourinho punoi te Barca gjatë kohës kur Gaspart ishte në krye të Blaugranëve.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, dëshiron të sjellë në Bernabeu dyshen e Chelseat, Frank Lampard dhe Ashley Cole, ndërsa në këmbim do të ofrojë asin brazilian, Kaka.Daily Mail shkruan se Kaka do të mund të përfshihej në këtë super-marrëveshje për shkak se ishte njëherë nën urdhrat e menaxherit të Chelseat, Carlo Ancelotti, ndërsa edhe opsioni Gonzalo Higuain mund të jetë në shqyrtim si mjet shkëmbimi.
Megjithatë, nuk besohet se Carlo Ancelotti pritet të heqë dorë nga dy prej futbollistëve të tij më të rëndësishëm, ndërsa pos këtyre të lartpërmendurve, Mourinho nuk e ka në plan të ndalet, pasi që do ta kërkojë edhe mbrojtësin e djathtë të Interit, Douglas Maicon.
Për Lampardin, një lëvizje e tillë do të ishte mjaft atraktive dhe një ofertë e parefuzueshme, duke parë pohimet e mëparshme të tij se ai dëshiron të kalojë jashtë Anglisë, ndonjëherë gjatë karrierës së tij.
Nga ana tjetër, Ashley Cole mund të konsiderohet i transferuar, por paga e tij prej 120 mijë funtesh në javë do të jetë problem për Realin, prandaj opsioni tjetër është mbrojtësi i majtë i Lazios, Aleksander Kolarov.
Bartësi i dytë Rafael Nadal ka arritur të kalojë me lehtësi në rrethin e katërt të French Open, pas fitores prej 6-3, 6-4 dhe 6-3 ndaj australianit, Lleyton Hewitt.Spanjolli që po lufton për titullin e tij të pestë në French Open, në rrethin tjetër do ta ketë përballë brazilianin Thomasz Bellucci.
Amerikani Andy Roddik bëhet tenisti i parë i kategorisë së rëndë që dështon në Roland Garos, pas humbjes ndaj të kualifikuarit për këtë turne, Teimuras Gabashvili, me rezultat 6-4, 6-4 dhe 6-2.
Edhe Fernando Verdasco është kualifikuar më tej pas fitores së vështirë ndaj gjermanit, Philipp Kohlschreiber.
Vitali Klitschko ka mbrojtur titullin e tij në konkurrencën WBC të kategorisë së rëndë, pas fitores në raundin e dhjetë me një ‘knock-out’ teknik ndaj Albert Sosnowskit, në betejën e zhvilluar në Gelsenkirchen të Gjermanisë.Sosnowski dominoi lehtë deri në raundin e nëntë, kur iu nevojit zilja e ringut për ta shpëtuar nga debakli. Megjithatë, në raundin e dhjetë, një goditje e jashtëzakonshme e ukrainasit Klitschko bëri që Sosnowki të kapitullojë, i rrahur e i rraskapitur në dyshemenë e ringut.
“Unë isha në formë të mirë, Sosnowski është më i ri se unë, por njerëzit e kanë parë se unë bëra punë të mirë ndaj tij. Ai bëri gjithçka për ta fituar këtë duel, por përvoja ime më dërgoi më tej”, tha pas duelit Vitali Klitschko, duke shtuar se kundërshtari i tij i radhës do të jetë ose britaniku David Haye ose Ruslan Chagaev.
I goditur nga kjo mbrëmje u la edhe shqiptari Nuri Seferi, që është dashur të përballet në ringun e njëjtë ndaj gjeorgjianit Sandro Siposhvili, por organizata e vëllezërve Klitschko, (Klitschko Menagement Group), e kishte anuluar duelin Seferi-Siposhvili, me qëllim përgatitjen dhe përqendrimin e vëmendjes në duelin kryesor, Klitshcko-Sosnowski, duke e lënë me orë të tëra Seferin në Veltins Arena.
Adriano është shumë pranë transferimit te Roma, ndërsa për rrezikun që e pret Interin ka filluar të brengoset portieri Julio Cesar, që pranon se Roma do të jetë më e fuqishme nëse e transferon brazilianin.“Adriano është një njeri i veçantë dhe një lojtar që mund ta bëjë diferencën. Roma definitivisht do të jetë më e fortë sezonin e ardhshëm me Adrianon në vijën e sulmit”, theksoi Cesar për TMW.
Më pas portieri brazilian komentoi dhe për të ardhmen e pankinës së Interit, pas largimit të Jose Mourinhos.
“Epoka post-Mourinho nuk mund të mohohet. Na nevojitet një karakter i rëndësishëm, një fitues. Dikush si Fabio Capello do të ishte një plotësim i kërkesave”, përfundoi Cesar.
Spanja ka arritur të shënojë fitore të vështirë ndaj Arabisë Saudite me rezultat 3-2 dhe atë në çastet e fundit të takimit me një gol të Fernando Llorentes, për të vënë kështu në dyshim Spanjën dhe statusin e saj si favorite para Botërorit, gjë për të cilën nuk brengoset dhe aq përzgjedhësi Vicente Del Bosque.“Shpeshherë gjërat nuk shkojnë siç janë planifikuar, por ne duhet të jemi optimistë. Ne ishim të ngathët në fillim, sepse kemi kaluar 15 ditë pa luajtur, ndërsa kjo na bëri të vuajmë pak, por është mirë”.
“Jam gjysmë i kënaqur. Përgatitjet tona ishin shtyrë për shkak se sezoni në kampionat përfundoi shumë vonë. Gjithë ajo që mund të bëjmë tani, është të vazhdojmë të punojmë hap pas hapi”, përfundoi Del Bosque.
Spanja do të takohet me Korenë e Jugut të mërkurën, para se të mbarojë përgatitjet për Botëror të shtunën e ardhshme me sfidën ndaj Polonisë.
Pas dështimit të radhës për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, Manchester City po shqyrton mundësinë e transferimit të sa më shumë yjeve për të qenë sa më konkurrues në sezonin e ardhshëm.Për këtë arsye, Roberto Mancini ia ka vënë syrin dyshes së Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic dhe Yaya Toure- shkruan Daily Mail.
Manchester City planifikon të ofrojë 50 milionë funte për Ibran, ofertë që do të pranohej pa problem nga hierarkia e Barcelonës. Toure gjithashtu mund të transferohet lehtë te City, duke marrë parasysh statusin e padefinuar të disa lojtarëve te ekipi anglez.
Manchester City është i gatshëm t’u ofrojë që të dyve, pagë javore prej 150 mijë funtesh, përkundër faktit se nuk luan në Ligën e Kampionëve.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se rosonerët janë të gatshëm të investojnë në lojtarë të klasit botëror, duke paralajmëruar kështu një merkato të nxehtë për kuqezinjtë.“Nëse dikush duhet të vijë këtu, atëherë është një superlojtar. Ne jemi gati të investojmë në një kampion të madh”.
“Ibrahimovic? Paga e tij është shumë e lartë që ai të kthehet në Itali. Ne do ta mbajmë Huntelaarin sepse ai dëshiron të qëndrojë”, tha Galliani për Sky Sport 24.
Pasi transferoi David Villan nga Valencia, Joan Laporta nuk tregon shenja se do të ndalet në tregun e transferimeve, pasi që e dëshiron Cesc Fabregasin e Arsenalit.Megjithatë Laporta duket të ketë hasur në arrë të fortë kësaj here me Arsenalin që kërkon hiç më pak se 40 milionë funte.
“Ne kurrë nuk kemi paguar mbi çmimin e tregut për një futbollist. Po, Cesc është një lojtar në të cilin jemi të interesuar dhe Arsenali këtë e di mjaft mirë, ne duhet të vijmë deri te çmimi i tregut. Ne do të bëjmë gjithçka që ai të vijë, por duhet të jetë një çmim logjik”.
“Ne nuk do të paguajmë jashtë parashikimeve, por ne do të bëjmë një ofertë të veçantë për të sepse ai e ka bërë të qartë pozicionin e tij, duke thënë se dëshiron të vijë. Ky është një gjest që na pëlqen dhe të cilit duhet t’i përgjigjemi”, tha Laporta për Goal.com.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, në një intervistë për La Gazzeta dello Sport, ka folur për largimin e tij nga La Liga dhe mendimin e tij për Pep Guardiolën, duke thënë se ai do të dëshironte ta kishte atë trajner te Interi.“Askush nuk mund të mohojë atë që bëri Interi. Sa për Mourinhon, ai ka gjithë respektin tim për punën që bëmë, por secili ka të drejtë të marrë vendimet e veta. Interi është njëri prej ekipeve më të mira në botë dhe ne mund të fillojmë një cikël këtu”.
“Verën e kaluar, unë dëgjova gjithnjë gjërat e njëjta. Kaka, Zlatan Ibrahimovic dhe Cristiano Ronaldo shkuan në Spanjë, duke menduar se La Liga është më e mira. Por, unë shkova tek Interi. Një ekip italian e fitoi Ligën e Kampionëve, kjo do të thotë se Serie A është më e mira”.
“Pep Guardiola është njëri prej trajnerëve më të mirë në botë. Massimo Moratti do të bënte një zgjedhje të mrekullueshme nëse ai e sjellë atë në Milano”, deklaroi Eto’o.
















