Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta pritet të fluturojë për në Spanjë të martën për të negociuar me Atletico Madridin, në tentim të transferimit të sulmuesit argjentinas, Sergio Aguero.
Sportsbook24.com njofton se Marotta do të takohet me drejtorin sportiv të Atleticos, Jesus Garcia Pitarch, për të finalizuar transferimin. Oferta që pritet t’u prezantohet zyrtarëve të Atleticos do të jetë mjaft luksoze. 20 milionë euro, shërbimet e mesfushorit Diego dhe portugezi Tiago që tashmë po luan si huazim te Atletico pritet të përbëjnë ofertën e jashtëzakonshme të Juventusit, ndërsa Andrea Agnelli pret lajme të mira nga kthimi i Marottas.
Thuhet se Agueros i pëlqen Juventusi përkundër moskualifikimit në Ligën e Kampionëve. Tuttosport nga ana tjetër pohon se Edin Dzeko është gjithashtu i dëshiruar në Torino, ndërsa kontaktet për të do të fillojnë nëse dështon tentimi për Agueron.
Jose Mourinho - Jorge Valdano Drejtori i Real Madridit, Jorge Valdano, ka thënë se ai i ka sqaruar hesapet me Jose Mourinhon që prej tre vitesh dhe se nuk ka kurrfarë problemi tani mes tij dhe portugezit.
“Në ta kaluarën, unë e mohova ardhjen e Mourinhos me fjalë agresive, ndërsa ai më është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, por pavarësisht konfliktit që u zhvillua tre vite më parë, ne e kemi ditur se do të jemi një ditë në klubin e njëjtë. Ajo çështje nga atëherë u sqarua dhe nuk ka probleme mes nesh”.
“Jose Mourinho do të jetë te Real Madridi për katër vitet e ardhshme dhe është nder të kemi në skuadër njërin prej trajnerëve më të mirë në botë. Ne jemi shumë të kënaqur ta kemi atë, këtu te Real Madridi. Unë e mbrojta Pellegrinin që nga dita e parë e deri në ditën e fundit, sepse obligimi im ishte i tillë. Këtë do ta bëj tani edhe me Mourinhon”, theksoi Valdano në hapjen e prezantimit të Mourinhos.
Ende pa e shijuar ndjenjën e të qenit trajner i Real Madridit, portugezi Jose Mourinho ka filluar të lidhet me një kalim te Manchester Unitedi, pasi të pensionohet strategu legjendar, Sir Alex Ferguson.
News of the World dhe Manchester Evening News shkruajnë se United e ka bërë Mourinhon synimin kryesor për ta zëvendësuar 68 vjeçarin Ferguson.
Portugezi nënshkroi me Real Madridin duke e bërë Ligën e Kampionëve synimin kryesor, ndërsa burimet brenda klubit nga Old Trafford thonë se Mourinho ka një klauzolë në kontratën e tij me Real Madridin, që i mundëson kalimin në Old Trafford, pas pensionimit të Ferguson.
Drejtuesit e Liverpoolit kanë mohuar spekulimet se Rafa Benitez nuk ka fonde për të shpenzuar gjatë këtij afati kalimtar veror, duke garantuar se ai ka 15 milionë funte për merkaton e kësaj vere.
Thuhej se arkat e The Reds ishin të zbrazura për shkak të dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, ndërsa borxhet llogaritet të jenë 473 milionë funte. Por, News of the World njofton se hierarkia e klubit nga Anfield do t’ia bëjë gati Benitezit rreth 15 milionë funte, plus shpenzimin e parave nga shitja e lojtarëve.
Yossi Benayoun, Fernando Torres dhe Steven Gerrard, spekulohet të jenë emrat që do të largohen nga Liverpooli, ndërsa fondet për sjelljen e superyjeve këtë vit, nuk ekzistojnë.
Australiania Samanta Stosur bëhet tenistja e parë që e mposhtë belgen Justine Henin në French Open pas gjashtë vitesh, për t’u kualifikuar kështu në çerekfinale, pasi dërgoi në shtëpi katër herë kampionen e Roland Garros.
Bartësja e shtatë, që arriti në gjysmëfinale vitin e kaluar, u rikthye nga dizavantazhi, për të fituar sfidën me rezultat 2-6, 6-1 dhe 6-4.
Serena Williams në çerekfinale do të takohet me australianen e lartpërmendur, Samanta Stosur, pasi deklasoi tenisten Shahar Peer me rezultat 6-2 dhe 6-2.
Jose Mourinho - Real Madrid Menjëherë pas largimit të tij nga Interi, për t’u bërë dhe zyrtarisht trajner i Real Madridit, Jose Mourinho ka lansuar dhe ‘sulmin’ e parë në drejtim të ish skuadrës së tij, duke vënë në dyshim potencialin e saj për të fituar sërish Ligën e Kampionëve.
“Unë kam pasur një ekip fantastik te Interi dhe shpresoj se ata do të jenë të suksesshëm përsëri, shpresoj se do të fitojnë gjithçka përsëri, përpos Ligës së Kampionëve”.
“Unë kurrë nuk do ta harroj Interin. Nuk kam biseduar me Morattin për trajnerin e ri, por duhet të vijë dikush që është i mençur. Unë tashmë ia kam përgatitur terrenin trajnerit të ri për tre tituj tjerë, Superkupën e Italisë, Kupën e Botës për klube dhe Super Kupën e Evropës”, theksoi Mourinho për Marca.
Portugezi nuk ka përmendur emrat që dëshiron të transferojë te skuadra e tij e re, sepse ka frikë që do t’u rriten çmimet. Njëherit, ai ka thënë se Los Blancos nuk kanë nevojë për shumë lojtarë, sepse kanë një skuadër të fortë. Ndërsa ka shprehur interesim që të bisedojë me legjendën Raul, që sipas Mourinhos, “ai nuk është si të tjerët, ai është në historinë e klubit”, prandaj duhet të bisedojë me të për të ardhmen.
Chelsea dhe Manchester City janë alarmuar nga deklaratat e fundit të agjentit të Zlatan Ibrahimovic, i cili tha se është i mundshëm një transferim i sulmuesit të Barcelonës në Angli.
Mino Raiola ditë më parë deklaroi se Guardiola do të ishte për psikiatri dhe trajtim mental nëse e shet Ibran, ndërsa shtoi: “Ibrahimovic kurrë nuk ka menduar se Barca është klubi i tij i fundit, ai është si Mourinho dhe nëse fiton gjithçka me Barcën ai dëshiron një sfidë të re. Futbolli anglez na intereson, sepse do të ishte test i madh. Gjithçka varet nga klubi”.
Manchester City dhe Chelsea ishin lidhur edhe më parë me një kalim të Ibrahimovicit në Angli, por ky i fundit kishte thënë se nuk i pëlqen shiu, dhe se i pëlqen të luajë në Ligën e Kampionëve, duke rritur gjasat e Chelseat për të.
Ylli i Chelseat, Didier Drogba, është duke u lidhur me një kalim te Real Madridi, sidomos pas kalimit të Jose Mourinhos në Bernabeu.
News of the World pohon se trajneri i ri i Realit do të bëjë çmos për të transferuar Ashley Cole, por kërkesat e tij nuk mbarojnë këtu. Didier Drogba është gjithashtu i dëshiruar nga tekniku portugez, por Chelsea do ta shiste atë vetëm nëse Fernando Torres do të transferohej në Stamford Bridge.
32- vjeçari Drogba ëndërron të luajë sërish nën drejtimin e Mourinhos, por Real Madridi duhet të përgatitet që të hyjë në tavolinë me një ofertë, në përbërje të së cilës është asi brazilian, Kaka.
Nga ana tjetër thuhet se Kaka do të shkëmbehet me Lampardin, ndërsa burime të Chelseat thonë për mediat britanike se Abramovich ka bërë gati 50 milionë funte për Torres apo Kaka.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është duke synuar të bëjë transferime interesante gjatë afatit kalimtar veror, duke u takuar me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, për këtë çështje, ndërsa në bisedime nuk mungoi as Rui Costa i Benficas.
La Gazzeta dello Sprot njofton se top tema e diskutuar nga dy krerët e klubeve, ishin transferimet e Lassana Diarras, Gutit, Marcelos dhe Rafael van der Vaartit.
Në ndërkohë, Galliani pritet që së shpejti edhe zyrtarisht të arrijë marrëveshje me drejtorin e Benficas, Rui Costa, për mbrojtësin brazilian David Luiz. Rui Costa ka marrëdhënie të mira me Rossonerët, për shkak se luajti në San Siro me vite të tëra.
Kapiten i Arsenalit, Cesc Fabregas, pritet të refuzojë kalimin te skuadra më e fundit e intresuar për të, rivali i përbetuar i Barcelonës, Real Madrid.
Sipas El Mundo Deportivo, Fabregas e ka në zemër kthimin te Barcelona, ndërsa nuk do të ndryshonte mendje për të kaluar te Real Madridi, përkundër kalimit të ndoshta-trajnerit më të mirë në botë, Jose Mourinho.
Mourinho nga ana tjetër është marrë vesh me presidentin e Los Blancos, Florentino Perez, për të njoftuar Arsenalin se është i gatshëm të bëjë një ofertë shumë më të madhe se Barcelona, nëse Topçinjtë vendosin ta shesin atë te Blaugranët, ndërsa kjo shihet si taktikë kundër Barcelonës.
Paolo Maldini ka thënë se ai do të bisedojë me presidentin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, për postin e menaxherit të kombëtares italiane në stafin e Cesare Prandellit të sapo emëruar si përzgjedhës.
“Unë nuk mund të mendoj për këtë sepse do të thoshte një ndryshim i të ardhmes së menduar nga unë. Nuk mund të them po ose jo, sepse nuk e di se çfarë do të më ofrohet”.
“Lippi do të largohet, ndërsa rezultatet do të tregojnë nëse është bërë zgjedhja e duhur. Natyrisht, Prandelli është trajner që mund të arrijë shumë me Italinë”, deklaroi Maldini për Sport 24.
Jose Mourinho prezantohet në Real Madrid. Jose Mourinho është prezantuar edhe zyrtarisht si trajner i Real Madridit sot në dhomën e shtypit në Santiago Bernabeu.
Një javë pasi fitoi Ligën e Kampionëve me Interin në Bernabeu, Mourinho është rikthyer në të njëjtin stadium për të pasuar Manuel Pellegrini në karrigen e trajnerit. Mourinho ka qenë I shoqëruar në konferencë nga menaxheri gjeneral Jorge Valdano.
“Nuk e di nëse jam lindur për të stërvitur Real Madridin, por sigurisht jam lindur për të qenë trajner. Më pëlqejnë sfidat dhe kjo është një sfidë për mua. Jam joshur nga historia e shkëlqyeshme dhe tradita që ka Madridi, por po ashtu edhe për shkak të frustrimit të tyre në vitet e fundit për të fituar tituj. Madrid është një klub i veçantë, dhe të mos jem në gjendje të drejtoj Madridin do të ishte një boshllëk në karrierën time”.
“Unë kam një mentalitet fitues dhe Madridi duhet gjithmonë të ketë lojtarë të shkëlqyeshëm dhe trajnerë ët shkëlqyeshëm. Dua lojtarët e mi të ketë të njëjtin mentalitet fitues. Ky është motivim, për të pasur lojtarë që ndajnë të njëjtin mendim”, ka thënë Mourinho.
Portugezi do të jetë trajneri i 11-të që drejton Real Madridin në shtatë vitet e fundit.
Sipas thashethemeve të fundit në mediat angleze, Chelsea dëshiron të nënshkruajë me mesfushorin e Liverpoolit, Yossi Benayoun gjatë kësaj vere, si zëvendësim për Joe Cole i cili do të lejohet të largohet nga Stamford Bridge.
U raportua se Redsat tashmë kanë refuzuar një ofertë prej 4 milionë funtesh nga Chelsea për izraelitin dhe besohet se kërkojnë jo më pak se 6 milionë.
Bisedat e bluve me përfaqësuesin e Cole për një marrëveshje të re besohet se kanë hasur në pengesa dhe ai së fundi është lidhur me një kalim te Tottenham Hotspur. Cole ka dështuar të gjejë hapësirë në formacionin e parë të Carlo Ancelottit që kur është rikuperuar nga lëndimi serioz.
Benayoun, i cili së fundi është përfolur për një kalim në West Ham United dhe Spurs, javën e kaluar zbuloi edhe vetë se Ancelotti është duke u interesuar për të.
Portieri i Juventusit, Gigi Buffon, e ka quajtur topin e Kupës Botërore si ‘të turpshëm’.
Buffon ka paralajmëruar fansat italian se topi mund të luajë rol të rëndësishëm në turneun e muajit të ardhshëm.
“Deri tash përgatitjet shkojnë shumë mirë, përveç një aspekti negativ të cilin mendoj se duhet ta nënvizoj, siç kanë bërë të ditur kolegët e mi më herët. E kam fjalën për topin i cili shfrytëzohet në të gjitha ndeshjet në këtë turne”.
“Modeli i ri është absolutisht i papërshtatshëm dhe mendoj se është turp që një garë kaq e rëndësishme me aq shumë kampionë, duhet të luajë me një top të tillë”, ka thënë Buffon.
Genoa është afër për të arritur marrëveshje me mesfushorin e Romës, Julio Baptista.
Sky Italia shkruan se menaxherët e Genoas kanë bërë kontakte me përfaqësuesit e Baptistas për mundësinë për ta transferuar atë.
Trajneri i i Genoas, Gian Piero Gasperini, e sheh brazilianin më shumë në pozitën e sulmuesit dhe dëshiron që ai të luajë si sulmues i qendrës për sezonin e ardhshëm.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka mirëpritur mundësinë e rikthimit të Adrianos në Itali.
Ish-sulmuesi i Interit pritet të nënshkruajë me Romën pasi riktheu karrierën e tij në kahe të duhur në Brazil me Flamengon.
“Jam i kënaqur për atë, pasi ai gjithmonë ka qenë në gjendje të luajë mirë në liga të vështira si ajo e Italisë. Është mirë që ta shoh të rindërtojë karrierën e tij pas kohëve të vështira të kaluara. Shpresoj se çdo ndeshje ai do të tregojë kualitetet e tij”, ka thënë Moratti.
Portieri i Almerias, Diego Alves, thotë se ai është krenar që një klub si Milani interesohet për të.
Braziliani është lidhur me një kalim në San Siro gjatë kësaj vere, dhe ai pëlqen idenë të luajë me Ronaldinhon në të njëjtin stadium.
“Jam i nderuar të kuptoj se një prej klubeve më të fuqishme në botë ka menduar për emrin tim. Besoj se për një brazilian, Milani është një shtëpi e dytë. Kam punuar me Ronaldinhon në olimpiadë. Ronaldinho është një përbindësh, ai është nga një planet tjerë”, ka thënë Alves.
Kobe Bryant ka shkëlqyer për të ndihmuar Los Angeles Lakers të shënojë fitore me rezultat 111-103 ndaj Phoenix Suns në ndeshjen e gjashtë mes tyre dhe të sigurojë vend në finalet e NBA-së.
Lakers, të cilët arritën deri te titulli i 15-të në NBA sezonin e kaluar, fituan finalen e Perëndimit me rezultat 4-2 me ndeshje dhe do të kenë për rival në finalet e përgjithshme Boston Celtics.
Bryant shënoi 37 pikë në ndeshjen e fundit kundër Suns duke qenë i saktë në 12 nga 25 tentimet nga loja e hapur, derisa Ron Artest shënoi 25 pikë. Amare Stoudemire kontribuoi me 27 pikë për Suns.
Lakers do të jenë nikoqir të ndeshjes së parë finale të NBA-së të enjten, që është hera e 12-të që ata përballen me rivalët e hidhur Celtics në një seri të play-offit.
Ish-trajneri i Sevillas dhe Realit të Madridit, Juande Ramos, është në rrugë për të marrë nën drejtim ekipin turk Fenerbahce.
Marca shkruan se Ramos, i cili është i lirë pas një përvoje të shkurtër me CSKA Moskën, tashmë është duke negociuar me Fener.
Ish-menaxheri i Tottenhamit, po ashtu ishte lidhur me një rikthim në Sevilla, para se Antonio Alvarez ta drejtojë klubin drejt pozitës së katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Milani raportohet se është duke u përgatitur të bëjë ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Emmanuel Adebayor.
Mail on Sunday ka shkruar se italianët bënë hapin e parë drejt transferimit të afrikanit gjatë javës së kaluar, kur dy klubet u takuan për të diskutuar mundësinë e transferimit të Alexandre Pato në kahe të kundërt.
Mundësia e largimit të 20-vjeçarit brazilian është refuzuar nga zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliain, i cili më pas është interesuar për Adebayor, lojtarin më të paguar në City.
Milani e di se përfaqësuesi i kombëtares së Togos do të kushtojë së paku 25 milionë funte, sa City i pagoi Arsenalit një vit më herët. Por klubi anglez mund ta lejojë atë të largohet si huazim, nëse arrin të transferojë edhe ndonjë sulmues tjetër.
Sulmuesi i Tottenhamit, Peter Crouch, thotë se ai e dëshiron futbollin dhe thotë do të vazhdonte të luante me shokët e tij edhe nëse nuk do të kishte talent të luajë në ligën më të mirë.
“A janë pagesat shumë të mëdha? Nuk jam ekspert financiar, por gjithmonë mundoheni të nxirrni kontratën më të mirë që mundeni. Po, ne paguhemi shumë mirë, por edhe ndeshja gjeneron para gjithkund nëpër botë”.
“Lojtarët janë pjesë e një produkti, por e di se shumica do të luanin pa para nëse duhet. Shokët e mi luajnë ndeshje të dielave dhe e di se edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë nëse kjo do të ishte aq sa do të mund të shkoja. Më pëlqen kjo ndeshje”, ka thënë Crouch.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka për cak mesfushorin e Bordeaux, Yoann Gourcuff, si zëvendësim për kapitenin Cesc Fabregas, nëse ky largohet nga klubi.
Gourcuff mund të bëhej nënshkrimi rekord për topçinjtë nëse ai do të transferohej në Emirates Stadium, për një shumë që raportohet të jetë 21.8 milionë funte. Burime të afërta me klubin thonë se francezi do të arrijë në Emirates nëse Fabregas largohet për të kaluar te Barcelona.
“Derisa çdo përpjekje është duke u fokusuar që Cesc të mbahet në klub, menaxheri po ashtu punon drejt një alternative tjetër. Ai beson se finesat dhe hijeshia e Gourcuff do të përshtaten në mënyrë të përkryer me mënyrën e lojës së Arsenalit dhe do ta bëjnë më pak të rëndësishëm tranzicionin nëse Cesc largohet”, ka thënë burimi.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është duke negociuar me Sevillan në lidhje me transferimin e sulmuesit brazilian, Luis Fabiano.
Galliani ishte në Madrid për të ndjekur ndeshjen e legjendave të Realit ndaj atyre të Milanit, ndërsa të hënën do të udhëtojë në Sevilla për të negociuar transferimin e Fabianos.
Football Italia pohon se Galliani ka hartuar një listë të shkurtër të transferimeve potenciale, ku gjendet treshja e Real Madridit, e që përbëhet nga Royston Drenthe, Rafael van der Vaart dhe Fernando Gago. Luis Fabiano vlerësohet të kushtojë afro 20 milionë euro.
Bosi i Anglisë, Fabio Capello, ka thënë se ai e ka në kokë listën përfundimtare prej 23 futbollistëve që do të luajnë në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Italiani do të duhet të largojë nga skuadra provizore shtatë lojtarë, ndërsa shpreson se Gareth Barry të jetë i gatshëm për të luajtur.
“Unë i kam në kokë 22 lojtarët, i di kush janë ata. Janë po ata 22 që vendosa javën e kaluar. Asgjë nuk ka ndryshuar. Ne duhet ta presim Gareth Barryn. Ne do të vendosim për të pasi të marrim edhe konfirmimin përfundimtar se a do të jetë në gjendje të luajë në Botëror”, u shpreh Capello.
Luka Modric ka zgjatur kontratën e tij me Tottenhamin edhe për gjashtë vite të tjera, e që do ta mbajë atë në White Hart Lane deri në vitin 2016.
Mesfushori kreativ kroat shfaqi besnikërinë ndaj Tottenhamit përkundër interesimit të Manchester United.
“Tottenhami ma dha mundësinë të luaja në Ligën Premier dhe unë dua të arrij suksese me Tottenhamin. Po, ka pasur oferta nga klube tjera të mëdha, por nuk më ka interesuar të kaloj diku tjetër”.
“Përfundimi në pozitën e katërt ka treguar se ku jemi si klub dhe unë ndjej se mund të përmirësohem dhe të arrij gjithçka që dua me Spursat”, ka thënë Modric për faqen zyrtare të klubit.