Sulmuesi i ri i Arsenalit, Marouane Chamakh, është plot besim se ai mund të shndërrohet në një sulmues klasi nën drejtimin e Arsene Wengerit.
“Unë kam ende hapësirë për t’u përmirësuar. Unë ende nuk i kam shfaqur cilësitë e mia të nevojshme për të përparuar në një kampionat tjetër”.
“Kur një menaxher si Arsene Wenger të përcjell, atëherë kjo të jep motivim për t’u përmirësuar”, tha Chamakh për The Mirror.
Chamakh ka shënuar 55 gola në 227 paraqitje në Ligue 1 të Francës.
Holanda ndoshta nuk e ka mbrojtjen më të fortë ndër favoritët e Botërorit, mirëpo opsionet në mesfushë dhe në sulm garantojnë ‘copëtime’ gjatë garës më prestigjioze, me Robin Van Persien që lëvdon bashkëlojtarin e tij Ibrahim Afellay.
“Është kënaqësi të luash me Ibrahimin. Ne e dimë saktësisht çfarë bën secili prej nesh. Kjo lidhje u ndërtua që nga koha kur për herë të parë luajtëm për kombëtaren. Nuk do të ishte befasi nëse ai hyn në njëmbëdhjetëshin e parë të kombëtares. Ai u zhvillua në një lojtar klasi gjatë viteve të kaluara. Ne e dimë se ai është lojtar i madh, por së fundi e ka ngritur veten në një nivel më lartë”.
“Unë vetëm mund të jem i lumtur që jam lindur në Holandë. Unë luaj me super-lojtarë si në klub ashtu dhe në përfaqësuese. Ne ndoshta jemi vend i vogël, por kemi lojtarë të shkëlqyer”, tha Van Persie për NUsport.
Drejtori i Manchester Untiedit, David Gill, ka ritheksuar se klubi do të dështonte nëse do t’i shitej një konsorciumi të llojit të Red Knights.
Gill ka thënë më parë se shitja e klubit te grupi Red Knights, që përbëhet nga milionerë që janë tifozë të United, nuk do të ishte ide e mirë, duke thënë se njerëzit në krye do të krijonin konfuzion.
“Ne jemi këtu me Sir Alex Fergusonin në përgatitje të ekipit për sezonin e ardhshëm, ndërsa shpresojmë të kemi skuadrën që do të luftojë për titujt kyç. Përvoja ime prej 13 vitesh në klub dhe përfshirja në biznese tjera më parë, thotë se të kemi një grup të madh të drejtuesve nuk do të ishte e mirë për klubin”, deklaroi Gill për Sky Sports.
Kampioni aktual i French Open, Roger Federer, është eliminuar në çerekfinale, pas një paraqitjeje turpëruese ndaj bartësit të pestë Robin Soderling.
Numri një i botës së tenisit që synonte ‘grand slem’ gjysmëfinalen e 24 resht, e fitoi setin e parë, para se suedezi të shpërthejë dhe t’ia tregojë vendin zviceranit në dy setet e radhës.
Përkundër dy ndërprerjeve për shkak të shiut, suedezi Soderling mbajti nervat dhe e fitoi duelin me rezultat 3-1 në sete (3-6, 6-3, 7-5 dhe 6-4).
Soderling në gjysmëfinale do të takohet me Tomas Berdych, që mposhti Mikhail Youzhnin në tre sete.
Siç njofton AS, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka nderuar me fjalët më të mira kapitenin legjendar të Realit, Raul Gonzalez, në prezantimin e librit biografik të këtij të fundit, të titulluar “Triumfi i vlerave”.
“Rauli do të më kujtojë gjithnjë Di Stefanon, për arsye se është shembull edhe si futbollist, por edhe si njeri. Ai përfaqëson vlerat e besnikërisë dhe etikës profesionale. Ai ka dhënë gjithçka për këtë klub si në fushë ashtu dhe jashtë saj, duke e bërë fanellën e Real Madridit të mrekulluar. Rauli frymon futboll. Klubi kërkon dhe duhet të kërkojë më shumë nga njerëzit e tillë, pasi që Raulit i pëlqejnë sfidat, të cilat dëshiron t’i marrë mbi vete. Rauli është Real Madridi. Faleminderit për gjithë këto vite të kaluara këtu”, deklaroi Perez.
Kjo deklaratë e Perez shton spekulimet për një largim të mundshëm të Raulit nga Bernabeu. Thuhet se në takimin e zhvilluar të hënën, mes Raulit dhe trajnerit të ri, Mourinhos, ky i fundit mësohet t’i ketë ofruar kapitenit legjendar një post drejtuesi moral në stol, por ende nuk dihet nëse ai do të ketë vend në formacionin e portugezit.
Luca Toni e sheh Anglinë si fituese të Botërorit të sivjetmë, ndërkohë që ai ende shfaqet i frustruar për mosthirrjen nga përzgjedhësi i përfaqësueses italiane, Marcello Lippi.
“Nuk kam dëgjuar diçka rreth Lippit. Unë jam i pikëlluar dhe do të më mungojnë bashkëlojtarët. Unë besova në një ftesë deri në fund, por unë e kam paramenduar këtë. Sa për Botërorin, Anglia e Fabio Capellos do ta fitojë atë”.
“Sa për mua, unë nuk dua të kthehem te Bayerni. Louis Van Gaal nuk më do mua, unë nuk e dua atë. Prioriteti im është të qëndroj në Itali”, deklaroi Toni për revistën Chi.
Bosi i Fulhamit, Roy Hodgson, nuk pret që Rafa Benitez të largohet nga Liverpooli për t’iu bashkuar Interit.
Interi thuhet të ketë bërë një ofertë tejet luksoze për spanjollin Benitez, ndërsa reagimi i Hodgson pason spekulimet e fundit rreth kësaj çështjeje.
“Benitez te Interi? Nuk e di. Ka shumë spekulime për të dhe të ardhmen e tij, së pari Juventusi, tani Interi, por kam dëgjuar se ai dëshiron të qëndrojë te Liverpooli, pasi që ai ka kontratë edhe katër vjet atje”, theksoi Hodgson.
Ylli i lënduar i Arsenalit, Aaron Ramsey, ka vazhduar kontratën e tij me klubin nga Emirates.
Ramsey, vetëm 19-vjeçar, është duke u rikuperuar nga lëndimi i rëndë i pësuar në ndeshjen ndaj Stoke Cityt kur e theu këmbën, ndërsa gjatë kohës sa është te Arsenali, ai ka shënuar katër gola në 29 paraqitje.
Ramsey nuk e fshehu gëzimin e tij në deklaratën e parë për faqen zyrtare të Arsenalit, duke lëvduar Arsenalin si klub, ndërsa shpreson për suksese në sezonet në vazhdim.
Instituti për histori të futbollit dhe statistika (IFFHS), ka publikuar listën e 100 klubeve më të mira të globit për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke nxjerrë në pozitën e parë pas një kohe të gjatë Interin, me pikë të barabarta me Barcelonën.

Finalisti tjetër i Ligës së Kampionëve, Bayern Munichu, nuk arriti të ngjitej më lartë se pozita e katërt, me skuadrën argjentinase Estudiantes në pozitën e tretë, ende pa përfunduar Copa Libertadores.


Befasi absolute në këtë listë është Fulhami, që e sheh veten të renditur në pozitën e shtatë, që përbën njëkohësisht plasmanin më të mirë në histori të klubit nga Craven Cottage.


Lista e 10 klubeve më të mira në botë sipas IFFHS:


1. Inter 297 pikë
2. Barcelona 297 pikë
3. Estudiantes 286 pikë
4. Bayern Munich 257 pikë
5. Roma 248 pikë
6. Cruzeiro Belo Horizonte 239 pikë
7. Chelsea 236 pikë
8. Werder Bremen 236 pikë
9. Fulham 236 pikë
10. Atletico Madrid 231 pikë

Milani thuhet të jetë shumë pranë finalizimit të transferimit të mbrojtësit të Juventusit dhe kapitenit të kombëtares italiane, Fabio Cannavaro.
Cannavaros i skadon kontrata me Juventusin dhe sipas të gjitha gjasave ai do të duhet të largohet nga Torino. La Stampa pohon se agjenti i Cannavaros, Gaetano Fedele, ka pasur kontakt me Milanin për një kalim të mundshëm në San Siro dhe këtë propozim ai e shqyrtoi me mbrojtësin gjatë fundjavës.
Menaxhmenti i Milanit do të siguronte kështu një sistem rotacioni, pasi që nuk besohet se Cannavaro dhe Mario Yepes do të zënë vendet e Alessandro Nestas dhe Thiago Silvas.
Cannavaro kërkohet edhe nga Parma, ndërsa një vendim definitiv ai do ta marrë pas Kampionatit Botëror.
Real Madridi ka arritur marrëveshje verbale me sulmuesin Gonzalo Higuain për vazhdimin e kontratës.
Marca shkruan se Reali ka arritur marrëveshje me babanë dhe agjentin e Higuain, Jorge, për një kontratë të re gjashtë vjeçare. Marrëveshja e sheh Higuainin me pagë të rritur, nga 2 milionë euro për sezon, në 3.5 milionë euro për sezon, duke llogaritur dhe bonuset bazuar në paraqitjet dhe sukseset.
Mësohet se Jose Mourinho ka kërkuar përshpejtimin e negociatave për sulmuesin argjentinas, pasi që tekniku portugez e sheh Higuainin si pjesë kryesore të realizimit të planeve të tij.
Theo Walcott nuk ka arritur të futet në listën përfundimtare prej 23 futbollistëve që do ta përfaqësojnë Anglinë në Kampionatin Botëror 2010, ndërsa Gareth Barry dhe Joe Cole kanë siguruar vendet e tyre në formacionin e Fabio Capellos.

Mospërfshirja e Walcottit në përfaqësuese është shokuese, për arsye se anësori i Arsenalit ishte pjesë integrale e kombëtares angleze gjatë kualifikimeve të Botërorit. Jashtë listës përfundimtare janë lënë edhe Darren Bent, Lighton Baines, Michael Dawson, Tom Huddlestone, Scott Parker dhe Adam Johnson.

Mesfushori i Manchester Cityt, Gareth Barry, është shprehur i gatshëm të luajë në Botëror, por ai nuk pritet të paraqitet, së paku jo në fazën grupore.

Lojtarët që do ta përfaqësojnë Anglinë në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010:

Portierët: Joe Hart, David James, Robert Green

Mbrojtësit: Jamie Carragher, Ashley Cole, Rio Ferdinand, Glen Johnson, Ledley King, John Terry, Matthew Upson, Stephen Warnock

Mesfushorët: Gareth Barry, Michael Carrick, Joe Cole, Steven Gerrard, Frank Lampard, Aaron Lennon, James Milner, Shaun Wright-Phillips

Sulmuesit: Peter Crouch, Jermain Defoe, Emile Heskey, Wayne Rooney

Interi ia ka bërë ofertën e parë Rafa Benitezit, në tentim për ta bindur atë të largohet nga Liverpooli, njofton The Sun.
Nerazzurët janë në kërkim të pasuesit të Jose Mourinhos, ndërsa ekziston mundësia që Interi të punësojë Fabio Capellon pas Kampionatit Botëror. Sidoqoftë, The Sun shkruan se Federata Angleze e Futbollit ka intervenuar me kohë dhe nuk do ta lejojë Capellon të largohet.
Kështu, zikaltrit janë kthyer ka opsioni tjetër, por frikësohen se Benitez mund ta refuzojë ofertën e tyre, pasi që presioni për të zëvendësuar një trajner jashtëzakonisht të suksesshëm është jashtëzakonisht i madh.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, i ka hyrë me seriozitet punës së merkatos, pasi që dëshiron të kontaktojë Tottenhamin për firmën e mbrojtësit të majtë, Gareth Bale.
La Gazzeta dello Sport shkruan se Galliani e ka identifikuar uellsianin Bale, si njeriun esencial për skuadrën e sezonit të ri. Bale ka lënë përshtypje në White Hart Lane, ndërsa Milani është gati ta transferojë atë në San Siro.
Thuhet se Spursat dëshirojnë rreth 18 milionë euro për njeriun kryesor në krahun e majtë, ndërsa Milani që nuk ka mjete të mjaftueshme financiare, pritet ta përfshijë dhe Klaas Jan Huntelaarin në këtë marrëveshje.
Edhe Gregory van der Wiel i Ajaxit është në listën e Gallianit, ndërsa Ajaxi nuk pranon asgjë tjetër pos 15 milionë euro për të.
Edhe pse Barcelona është duke tentuar të transferojë Cesc Fabregasin nga Arsenali, për mesfushorin Xavi kjo çështje duket e kryer, pasi që, sipas tij, është e qartë që Fabregas do të jetë lojtar i Barcelonës sezonin e ardhshëm.
Në pyetjen e Sport, nëse Fabregas do t’i bashkohet Barcelonës, Xavi u përgjigj: “Po, natyrisht. Kështu do të mbarojë e gjithë kjo. Dy vite më parë thashë se Cesc do të përfundonte duke luajtur për Barcelonën, ndërsa tani kjo është më e qartë se kurrë”.
“Ai e ka shprehur publikisht se dëshiron të kalojë te Barcelona dhe kur një lojtar dëshiron të shkojë diku, ai përfundon atje. Është e qartë se Fabregas do të vijë te Barcelona”, përfundoi Xavi.
Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, ka hedhur poshtë spekulimet se kolegu i tij te Interi, Diego Milito, do të kalojë te Real Madridi pas largimit të Jose Mourinhos.
Il Corriere dello Sport pohoi se Milito ishte lidhur shumë me portugezin Mourinho, ndërsa ai ka pranuar menjëherë pas finales se ka oferta të rëndësishme.
“Unë bisedova me Diego Militon para ndeshjes, ndoshta ai e shprehu veten gabimisht rreth të ardhmes së tij. Ai është i lumtur që është me ne dhe ne kemi kaluar nëpër një sezon ku kemi shkruar historinë. Milito ka bërë histori me Interin. Nuk kam dyshime se ai do të mbetet me ne”.
“Unë njëherë i kam thënë jo Real Madridit, gjithçka ishte gati, transferimi pothuajse ishte finalizuar. Megjithatë, në momentin e fundit Massimo Moratti më bindi të qëndroj dhe ja ku jam sot”, theksoi Zanetti për Inter Channel.
Mbrojtësi i kombëtares angleze, John Terry, llogarit se nëse mbrojtja luan në nivel ata do të mund të shpresojmë në një sukses më të madh në Kupën Botërore.
“Përzgjedhësi ka thënë se me shpejtësinë të cilët e kemi dhe kualitetin për të sulmuar, gjithmonë do të krijojmë shanse dhe do të shënojmë gola. Për ne mbetet ta ruajmë portën”.
“Goli të cilin e pranuam kundër Meksikës dhe mbrojtja nga ndalimet, janë gjërat të cilave duhet t’u kushtojmë më shumë kujdes. Por nëse mund ta ruajmë portën, atëherë kemi mjaft kualitet për të ecur më tej dhe të arrijmë qëllimin tonë”, ka thënë Terry.
Andrei Arshavin ka shprehur shqetësimin për sezonin e kaluar të Arsenalit të cilin e ka quajtur ‘të mjerë’.
Topçinjtë kaluan edhe një sezon pa trofe të fituar dhe përfunduan në pozitën e tretë në Ligën Premier prapa Chelseat dhe Manchester United, ndërsa në Ligën e Kampionëve u eliminuam në çerekfinale.
“Nuk ka pasur diçka të veçantë në sezonin e kaluar në të cilën gjë do të mund të kujtohem. Sezoni ishte normal, madje do ta quaja edhe të mjerë”, ka thënë Arshavin.
Arshavin po ashtu ka shprehur lakminë për bashkë-kombasin e tij Yuri Zhirkov, i cili fitoi Ligën Premier me Chelsean.
Drejtori i përgjithshëm i Barcelonës, Joan Oliver, thotë se ata janë të gatshëm ta shesin mesfushorin Yaya Toure, nëse ai dëshiron të largohet.
Manchester United, Manchester City, Chelsea dhe Arsenali, që të gjitha janë lidhur me një transferim të mesfushorit të Bregut të Fildishtë.
“Rasti i tij është i ngjashëm me atë të Ibrahimovic, edhe pse Toure ka qenë me klubin për një periudhë më të gjatë. Ne nuk jemi të interesuar ta largojmë asnjërin prej këtyre lojtarëve, por nëse Toure nuk është i lumtur, ne nuk do ta detyrojmë atë të qëndrojë”.
“Ajo çfarë nuk do të ndodhë është të shkojmë kundër interesave tona. Nëse ai dëshiron të qëndrojë, ne do të jemi të ngazëllyer. Nëse jo, atëherë zgjidhja duhet të jetë e mirë për klubin, jo vetëm për lojtarin”, ka thënë Toure.
Roma raportohet se është e gatshme të bëjë hapin e duhur për të transferuar mbrojtësin në largim të Arsenalit, William Gallas.
Duket se francezi po thuajse sigurt do të largohet nga Emirates Stadium këtë verë pasi ka refuzuar ofertat e topçinjve të cilët dëshirojnë të nënshkruajnë me të vetëm marrëveshje afat-shkurtër.
Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, është një fans i Gallas pasi kishte punuar me të në Chelsea gjashtë vite më parë dhe italiani dëshiron të ribashkohet me 32-vjeçarin.
Presidenti në largim i Barcelonës, Joan Laporta, nuk hezitoi fare dhe menjëherë pas emërimit të Jose Mourinhos si trajner i Real Madridit, sulmoi rivalët e përbetuar duke thënë se kjo është shenjë e qartë kundër Barcelonës.
“Ata po kërkojnë mënyra se si t’i përgjigjen modelit tonë të futbollit dhe besoj se ata e kanë sëmundjen e quajtur ‘Barcelonitis’. Ata janë në një situatë ku Barcelona ka fituar gjithçka dhe ata nuk kanë fituar asgjë. Ne do të vazhdojmë të shkëlqejmë në fushë dhe është punë e tyre të gjejnë përgjigje për modelin tonë”, ka thënë Laporta për Marca.
Laporta shtoi se ai nuk do të nxitohet për të finalizuar sa më shpejtë transferimin e Cesc Fabregasit, duke u shprehur mirënjohës mbi dëshirën e mesfushorit të Arsenalit, për të kaluar në radhët e Barcelonës.
Mbrojtësi i kombëtares së Portugalisë, Pepe, është i ngazëllyer pasi kuptoi se është i gatshëm për Botërorin e këtij viti dhe shpreson se lojtari që do të shkëlqejë këtë Botëror do të jetë bashkë-lojtari i tij te Real Madridi, Cristiano Ronaldo.
“Unë ndjehem mirë. Ekipi i mjekëve të Real Madridit e di se sa i rëndësishëm është rikuperimi psikologjik për një futbollist, si mjekët ashtu dhe unë pajtohemi me këtë mendim”.
“Portugalia është në formë të mirë, ndërsa ne jemi duke punuar shumë. Ne jemi të gatshëm dhe kemi atë që na duhet për të luftuar për titullin e Botërorit. Cristiano Ronaldo do të jetë lojtari që duhet vëzhguar. Ai pati një përfundim të fuqishëm në La Liga dhe e ndihmoi shumë Real Madridin. Nëse e mban formën, ai do të jetë lojtar vendimtar në Afrikën e Jugut”, deklaroi Pepe.
Fiorentina akuzon Federatën italiane të Futbollit (FIGC) për shkak se nuk është pyetur a është i lirë trajneri Cesare Prandelli, duke arritur marrëveshje me të pa dijeninë e Violas.
“Duke iu referuar raporteve në media të dielën dhe të premten dhe me respekt për marrëveshjen e arritur mes FIGC-së dhe Cesare Prandellit si trajner i ri i kombëtares italiane, ACF Fiorentina bën të ditur se, deri tani, klubi pret të informohet ose t’i tërhiqet vërejtja nga ndonjëra prej palëve”.
“Ne e kemi marrë këtë lajm vetëm nga faqja zyrtare e FIGC-së dhe mediave, se është arritur një marrëveshje mes presidentit të FIGC-së, Giancarlo Abete dhe Cesare Prandellit. Ne e konsiderojmë këtë sjellje si shumë jo respektuese ndaj klubit dhe tifozëve të tij”, thotë komunikata e klubit nga Firenca.
Drejtori i Barcelonës, Joan Oliver, ka ripërsëritur qëndrimin e klubit për të ardhmen e Zlatan Ibrahimovicit, duke konfirmuar se suedezi nuk është në shitje.
Oliver iu përgjigj në mënyrë agresive deklaratës së agjentit të Ibrës, Mino Raiola, që tha se Guardiola mund të mos jetë mirë mentalisht nëse shqyrton shitjen e Ibrës.
“Nuk na pëlqyen qëndrimet e zotëriut Mino Raiola, sidomos me tonin e përdorur. Referenca bërë ndaj trajnerit është me shije shumë të hidhur. Klubi nuk ka nevojë për të holla. Ne nuk duam ta shesim atë”.
“Nëse gjërat komplikohen, nuk do të ketë opsion tjetër pos shitjes. Sidoqoftë, ky nuk është qëllimi i klubit në këtë moment”, tha Oliver për faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, ia ka lënë derën të hapur një kalimi të mundshëm te Real Madridi, mirëpo pas përfundimit të Kampionatit Botëror.
“Të shkoj te Reali? Së pari dua të luaj në Botëror, më pas do të shohim”, theksoi Eto’o për AS, ndërsa ia uroi Mourinhos çdo të mirë me skuadrën e re.
Eto’o filloi karrierën e tij prej profesionisti te Real Madridi në vitin 1997, por pati pak paraqitje, ndërsa u transferua te Mallorca, nga ku më pas kaloi te Barcelona dhe tek Interi ku fitoi të gjithë titujt me të dyja klubet dy vitet e fundit.
Sulmuesi me përvojë, Miroslav Klose, nuk ka arritur të rigjejë formën e tij më të mirë te Bayern Munichu, duke vënë kështu dyshime për trajnerin Joachim Loew, i cili nuk mund ta mohojë një sulmues si Klose.
“Është e qartë që nuk do të jetë lehtë ta rikthejmë Miroslav Klosen në formë. Do të jetë punë e vështirë për ne. Ai duhet të punojë shumë. Ai ende nuk po e shfaq formën të cilën është në gjendje ta arrijë”.
“Për Klosen tani vlen se si të bëhet më i sigurt në stërvitje. Njerëzit e kishin përjashtuar nga kombëtarja Klosen para disa sezonesh. Por, kur kemi të bëjmë me kombëtaren, ai gjithnjë e ka vendin e tij”, ka thënë Loew për Bild.
Klose gjatë dy Botërorëve të kaluar ka shënuar nga pesë gola, duke u bërë kështu njëri prej sulmuesve më të rrezikshëm gjatë Botërorëve.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se është pak e mundur që Kaka të rikthehet te klubi i tij i vjetër gjatë kësaj vere.
“Çfarë bisedova me Florentino Perezin? Ishte vetëm një bisedë mes dy miqve të vjetër. Berlusconi kërkon Cristiano Ronaldon? Ai ka thënë se nuk largohet për asnjë çmim. Të rikthehet Kaka? Mendoj se ai është i pashitshëm”, tha Galliani sipas La Gazzeta dello Sport.
Kaka kaloi gjashtë sezone të jashtëzakonshme te Milani, derisa u transferua te Real Madridi për 65 milionë euro.
Adidas ka hedhur poshtë kritikat e portierëve, Julio Cesar, Iker Casillas dhe Gianluigi Buffon, për topin e Botërorit, të cilët e quajtën atë tejet të lehtë dhe të pamundur për t’u kontrolluar.
Kompania gjermane e ka lansuar topin ‘Jabulani’ në dhjetor, i cili do të përdoret gjatë gjithë Kampionatit Botëror. Javëve të fundit, po ky top ishte kritikuar ashpër nga portierët e kombëtareve, e sidomos nga Iker Casillas që tejkaloi çdo kufi duke thënë se ‘Jabulani’ u ngjan topave të plazhit.
Duke folur për gazetarët, zëdhënësi i Adidas, Thomas van Schaik, ka hedhur mënjanë akuzat për topin. Ai tha se topi u testua gjatë gjithë kohës pas lansimit të tij, duke marrë pëlqimin e profesionistëve. Van Schaik kishte lëvduar më herët krijimin e topit, kur pohoi se ai është i vogël dhe i rëndë, duke lejuar saktësi maksimale, goditje perfekte dhe fluturim jashtëzakonisht stabil.
Futbollistët e sponsorizuar nga Adidas si Kaka, Michael Ballack dhe Frank Lampard, gjithashtu e kanë mbrojtur topin e Botërorit.
Juventusi ka njoftuar për largimin e drejtorit të klubit, Roberto Bettega, pas një periudhe të vështirë kohore të qëndrimit të tij në Olimpico të Torinos.
Bettega erdhi në mes të sezonit në krye të Bianconerëve, pikërisht në kulmin e krizës, ndërsa duket që presidenti i ri, Andrea Agnelli, t’ia ketë treguar derën atij, për të filluar revolucionin në klub me në krye Luigi Del Nerin.
“Juventusi dhe Roberto Bettega dëshirojnë të komunikojnë ndërprerjen me sukses të bashkëpunimit të tyre”, citohet në komunikatën e lëshuar nga Juventusi, ku falënderohet Bettega për kontributin e tij dhënë për klubin.