Radha e portierëve kritikues të topit “Jabulani”, po bëhet gjithnjë e më e gjatë, me portierin e kombëtares angleze, David James, që parashikon eurogola gjatë Botërorit.
“Padyshim se do të ketë gola të shënuar në këtë kampionat, që në kampionatet e kaluara me topat tjerë nuk do të mund të shënoheshin. Ky top do të lejojë gola të veçantë, por do t’i lë pa opsion shumë portierë”.
“Topi është i papërshtatshëm. Është i tmerrshëm, por është i tmerrshëm për të gjithë. Është mjaft e paparashikueshme trajektorja e topit në fluturim. Shpeshherë topi shkon ashtu siç mendojmë, por shpeshherë jashtë mendimit tonë, kështu që duhet të përshtatemi”, tha James.
Federata Angleze e Futbollit, ka arritur që të nënshkruajë një amendament në kontratën e Fabio Capellos, duke garantuar qëndrimin e strategut italian deri pas Kampionatit Evropian, Euro 2012.
Ky amendament në kontratën e Capellos, e heqë klauzolën që lejonte italianin të largohej pas Botërorit të sivjetmë, duke shuar përfundimisht shpresat e Interit për transferimin e Capellos.
Interi kishte shprehur hapur interesimin për Fabio Capellon pas largimit të Jose Mourinhos në drejtim të Real Madridit.
Shqipëria ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Andorrës, në takimin miqësor të zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Qemal Stafa”.
Kombëtarja kuqezi ishte dominuese gjatë gjithë takimit, mirëpo përkundër rasteve të shumta, vendasit nuk realizuan më shumë se njëherë.
Goli i vetëm në ndeshje u shënua nga Hamdi Salihi, i cili realizoi në minutën e 42-të, ndërsa duhet përmendur se në pjesën e parë iu anulua një gol Endri Vrapit për pozitë jashtë loje.
Kombëtarja braziliane ka pësuar një goditje të rëndë para Botërorit të këtij viti, duke qenë se portieri Julio Cesar u lëndua gjatë ndeshjes miqësore ndaj Zimbabvesë.
Portieri i jashtëzakonshëm brazilian pësoi një lëndim në ndeshjen miqësore të Selecaos, me ç’rast u largua nga fusha në gjysmë të pjesë së pare, për t’u zëvendësuar nga Heurelho Gomes.
Se sa serioz është lëndimi ende nuk dihet, por sipas informacioneve të para, mësohet se Cesar ka pësuar një lëndim në pjesën e poshtme të shpinës. Ende nuk dihet se sa kohë do të mbetet jashtë fushave të blerta, ndërsa ekzaminimet tjera pritet të bëhen ditët në vazhdim.
Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, ka menduar se telefonata e Fabio Capellos për ta informuar atë se ai është lënë jashtë formacionit të Botërorit ishte shaka.
Walcott, që ishte një prej futbollistëve më të qëndrueshëm në kombëtaren angleze, ka menduar se ai e kishte të sigurt vendin në përfaqësuese. Daily Express shkruan se Walcott ishte duke luajtur golf, kur mori telefonatën e Capellos, për lajmin e keq. Ai ishte aq i shokuar nga lajmi, sa që mendoi mos ishte ndonjë shaka.
Një burim i afërt me lojtarin tha se “ky është një shok më i madh se ai kur u ftua për Botërorin e Gjermanisë”.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, ka komentuar për spekulimet e fundit që e lidhin kapitenin e The Reds, Steven Gerrard, me Real Madridin.
“Shpresoj se Gerrard nuk e mbështet Real Madridin dhe se ai do të qëndrojë edhe më gjatë te Liverpooli, shumë më gjatë. Shpresoj se ai do të jetë me ne deri në fund të karrierës së tij”.
“Unë e di pse Reali është i interesuar për të dhe Jose Mourinho e njeh atë shumë mirë. Ai është një futbollist që mund të luajë në çdo klub të botës. Ai është në elitën, ndër dhjetë lojtarët më të mirë në botë, ai është shumë i kompletuar. Shpresoj se Reali nuk do ta transferojë atë”, deklaroi Reina në një konferencë për shtyp.
Brazili ka mposhtur me rezultat bindës prej 3-0 kundërshtarët nga kombëtarja e Zimbabvesë, në miqësoren përgatitore para Botërorit.
Portat heshtën deri në minutën e 41-të, kur Michel Bastos shënoi një gol fantastik nga gjuajtja e lirë për 1-0. Tre minuta më vonë, pas një pasimi të mirë të Maiconit për Robinhon, ky i fundit kalon një futbollist dhe shënon në portën kundërshtare për të dyfishuar epërsinë.
Rezultati përfundimtar u përcaktua pas ‘një stërvitjeje rutinore’, kur Dani Alves e gjeti të vetmuar Elanon, i cili trefishoi epërsinë (56’).
Kjo fitore e Brazilit para Botërorit që fillon më 11 qershor, është sinjal i qartë për dashamirët e futbollit, se do të shohin futboll të mirëfilltë brazilian gjatë kompeticionit njëmujor.
Sulmuesi i Milanit, Marco Boriello, e ka ftuar sulmuesin e Interit, Mario Balotelli që t’i bashkohet rivalit të qytetit, duke i thënë sulmuesit të ri se ai do të mirëpritej në Milanello.
Balotelli ka pasur telashe me tifozët zikaltër në të kaluarën, pasi që ai ofendoi ata duke veshur në një emision fanellën e Milanit, ndërsa e hodhi atë të Interit në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.
“Unë mund t’i kuptoj tifozët, por gjithashtu e kuptoj edhe Balotellin. Çfarë bëri ndaj Barcelonës nuk ishte e mirë, por ju mund të kuptoni këtë kur gazetat dhe bashkëlojtarët janë kundër jush”.
“Ne do të mirëprisnim atë krahëhapur te Milani. Ne jemi një klub i fortë, ndërsa ai do të gjente bashkëlojtarë të cilët janë të gatshëm ta ndihmojnë, e jo ta godasin në prapanicë”, ka thënë Boriello për revistën GQ.
Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, ia ka porositur presidentit Florentino Perez që të harrojë transferimin e sulmuesit të Manchester Unitedit, Wayne Rooney.
Sipas Sport, ‘I veçanti’ ka deklaruar se Reali do të duhet të përqendrohet në transferimin e dyshes së Interit, Maicon dhe Diego Milito, pasi që Rooney nuk është në shitje.
Më herët portugezi kishte thënë se do të dëshironte të drejtonte Rooneyn, ndërsa Sport shton se Mourinho dëshiron të shmangë një ofertë për Rooneyn, në mënyrë që të mos e vë në presion homologun e tij tek United, Sir Alex Ferguson.
Arsenali duket se nuk e ka ndërmend ta shesë kapitenin Cesc Fabregas te Barcelona, pasi që Topçinjtë kanë refuzuar ofertën e Barcelonës, e që besohet të jetë prej rreth 30 milionë funtesh.
Ekipi anglez e vlerëson Fabregasin për 80 milionë funte, ndërsa me refuzimin e ofertës, Arsenali dëshiron ta detyrojë mesfushorin të qëndrojë deri në fund të skadimit të kontratës.
“Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, është nën kontratë me klubin deri në vitin 2015. Ai është njëri prej lojtarëve më të vlerësuar të ekipit dhe është pjesë e planeve të së ardhmes. Ne i kemi ndjekur spekulimet e fundit që e lidhnin Cesc Fabregasin me një kalim, por me që nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare nga klubi në fjalë, atëherë ne kemi refuzuar të komentojmë”.
“Sidoqoftë, dje (e martë) në mbrëmje kemi marrë një ofertë nga Barcelona për Fabregasin dhe si përgjigje, ne menjëherë në mënyrë të prerë ua kemi bërë të qartë se nuk dëshirojmë ta shesim kapitenin tonë. Të jemi më të qartë, ne nuk do bëjmë ndonjë kundërpropozim apo të hyjmë në bisedime. Barcelona ka thënë publikisht se do të respektojë pozitën tonë dhe ne presim që ata të mbajnë fjalën”, thotë një komunikatë e lëshuar në faqen zyrtare të Arsenalit.
Përzgjedhësi i Italisë, Marcello Lippi, ka thënë se ai e ka pasur të vështirë të lë në shtëpi pesë lojtarë, ndërsa mosthirrja e Giuseppe Rossit, ishte zgjedhja më e vështirë për trajnerin.
“Të gjitha largimet ishin të vështira, ndoshta i Giuseppe Rossit ishte më i vështiri. Nuk ishte e lehtë të zgjedh të larguarit, sepse kemi kaluar 10 ditë të bukura këtu”.
“Zgjedhjet e mia u bënë në atë se si lojtarët mund të përshtaten në role të ndryshme, jo vetëm në cilësinë e tyre. Nuk është e lehtë t’i lësh në shtëpi pesë lojtarë, por secili e ka ditur se kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Lippi, duke mos e përmendur fare sulmuesin e Milanit, Marco Boriello.
Ish-trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara, ka hedhur poshtë pohimet se ai e ka futur Juventusin në krizë, duke thënë se ekipi luajti më keq nën Alberto Zaccheronin.
“Unë vërtet jam ndjerë i ofenduar pak ditë pas shkarkimit, për arsye se dëgjova lojtarët të thoshin se ata stërviteshin më mirë nën Zaccheronin. Pasuesi im ishte i përgatitur, por lojtarët kanë arritur një mesatare totale të pikëve si gomarë”.
“Unë them se jam dorëzuar pas një starti të mirë, sepse mendova që periudhën e vështirë e kemi lënë prapa. Pos kësaj, gjithë ato lëvdatat e marra, u shndërruan në gjëra negative. Të stërvitësh ish-bashkëlojtarët, ishte gjithashtu një gjë e keqe”, deklaroi Ferrara për La Gazzeta dello Sport.
Agjenti i Cristian Chivu ka thënë se futbollisti rumun është i hapur për një kalim te Real Madridi.
“Unë do të shkoj për t’u takuar me Mourinhon, por nuk e di nëse ai e dëshiron Chivun. Ne nuk kemi biseduar ende, por mendoj se Real Madridi është i interesuar në Kolarovin për krahun e majtë, edhe pse Mourinhos gjithmonë i ka pëlqyer Chivu. Mbetet të shihet…”, theksoi Giovanni Becali.
Real Madridi ka shprehur hapur interesim për mbrojtësin e majtë të Fiorentinas, Juan Manuel Vargas dhe për atë të Lazios, Aleksandar Kolarov.
Kapiteni i Italisë, Fabio Cannavaro, ka arritur marrëveshje dy vjeçare me klubin nga Dubai, Al-Ahli.
Cannavaro ishte transfer i lirë, pasi që Juventusi nuk shfaqi interesim për t’ia vazhduar kontratën, kurse në shprehje erdhi Al-Ahli që ia ofroi një kontratë luksoze italianit. Ai do të fitojë 1 milionë euro në sezon plus bonuset që mund të arrijnë deri në 5 milionë euro.
“Unë jam shumë i lumtur të kem arritur marrëveshje me Al-Ahlin. Unë kam menduar më herët kalimin në Dubai. Është një qytet që e dua. Kjo është një ëndërr që po bëhet realitet për mua, të luaj për një klub të madh në një qytet të mrekullueshëm”, ka thënë Cannavaro për La Repubblica.
Drejtori i Barcelonës, Joan Oliver, ka konfirmuar se Barcelona është edhe zyrtarisht në bisedime me Arsenalin për mesfushorin Cesc Fabregas.
“Ne kemi vënë kontaktet e para me Arsenalin, por dje, më 1 qershor, duke koinciduar dhe me hapjen e afatit kalimtar, ne ia prezantuam Arsenalit një ofertë serioze. Të gjithë e dinë se lojtari ka shprehur dëshirën për të luajtur te Barca dhe klubi dëshiron që ai të vijë, por ekziston dhe një palë e tretë, që është Arsenali. Çfarëdo lloj marrëveshje varet nga dëshira e Arsenalit”, tha Oliver.
Fabregas është i kontraktuar tek Arsenali deri në vitin 2015, ndërsa Barcelona e ka bërë të qartë se nuk do paguajë jashtë parashikimeve, pasi që është duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së lojtarëve tjerë të saj në këtë marrëveshje.
Real Madridi ka vënë fokusin në transferimin e kapitenit të Liverpoolit, Steven Gerrard, njofton gazeta madrilene, Marca.
Bosi i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, njihet si adhurues i mesfushorit anglez, kurse ai ka tentuar ta transferojë atë edhe më herët, sa ishte te Chelsea. I vetëquajturi ‘I veçanti’, është duke e hulumtuar tregun e transferimeve për lojtarë të rinj, në tentim për të përforcuar skuadrën.
Marca shton se qëndrimi i Rafa Benitezit në Anfield mund të pengojë transferimin e Gerrard, pasi që ky i fundit u tregua besnik ndaj teknikut spanjoll në të kaluarën. Shitja e anglezit varet shumë dhe nga situata financiare e Liverpoolit, që aktualisht është e mjeruar.
Agjenti i anësorit të Sevillas, Jesus Navas, është duke pritur thirrje nga Reali i Madridit.
Navas është lidhur me një kalim në Real që nga fundi i sezonit dhe agjenti i mesfushorit, Jose Jesus Mesas, pret që bisedat tash të fillojnë pas caktimit të Jose Mourinhos si trajner të ri.
“Para se të arrijë Mourinho, shpesh kam biseduar me Realin. Tash që portugezi është trajner aty, le të shohim nëse ata ende janë të interesuar ose jo”, ka thënë agjenti i lojtarit.
Barcelona është duke përgatitur ofertë për anësorin e Valencias, Juan Mata.
Sipas mediave spanjolle, pasi ka nënshkruar për 34 milionë funte me David Villa, Barca do të rikthehet në Valencia me një ofertë tjetër, kësaj here për anësorin Mata.
Ish-mesfushori i Real Madridit është favorit i trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola, i cili e sheh atë si një zëvendësim natyral të Thierry Henry.
Barcelona kishte shprehur interesimin për Mata gjatë negociatave me Valencia për të nënshkruar me Villa.
Agjenti i Guus Hiddink ka zbuluar se ka pasur interesim nga Interi për trajnerin holandez.
“Ne kurrë nuk mund të themi 100% për diçka, andaj nuk mund të them se Hiddink nuk do të shkojë në Inter. Por mendoj se kjo duket e pamundur. Interi më ka pyetur nëse Hiddink mund të jetë kandidat për stolin e nerazurëve, por kam thënë se ai dëshiron të përjetojë një përvojë të re me Turqinë dhe nuk do të kërkojë nga Federata ta përfundojë kontratën”.
“Ai dëshiron ta plotësojë marrëveshjen. Kjo është çështje në mes të Interit dhe Federatës Turke. Sa mund të them unë, që nga ajo bisedë Interi ka folur me Rafa Benitez dhe Fabio Capello, dhe jo me Federatën Turke të Futbollit”, ka thënë agjenti i Hiddink.
Ylli i Cleveland Cavaliers, LeBron James, ka dhënë shenja se ai do vazhdojë të luajë me ekipin e tij aktual me të cilin dy herë u shpall MVP, duke thënë se ata kanë avantazhin për të nënshkruar me të.
Në një intervistë për CNN, James, i cili do të jetë lojtar i lirë që nga 1 korriku, ka thënë se ai dëshiron të vazhdojë kontratën me Cleveland
“Absolutisht. Ky qytet, këta fansa... më kanë dhënë shumë gjatë këtyre shtatë viteve. Dhe, e dini, për mua, është shumë komforte. I kam të gjitha kujtimet këtu. Andaj ata edhe e kanë avantazhin”, ka thënë James.
James kurrë nuk e ka fituar kampionatin dhe shumë media spekuluan se ai mund të kalojë në New York Knicks ose Chicago Bulls, dy prej klubeve të interesuara për ta transferuar atë.
Sulmuesi i Bayern Munich, Luca Toni, thotë se ai është i zhgënjyer që nuk ka arritur të jetë pjesë e ekipit kombëtar që do të udhëtojë në Kupën Botërore.
Sulmuesi rrallë luajti në gjashtë muajt e parë të këtij sezoni në Bayern Munich, edhe pse për pak sa nuk ndihmoi Romën të fitojë skudeton pasi iu bashkua nënkampionit të Serie A në muajin janar.
“Jam i dëshpëruar, dhe do të më mungojnë bashkëlojtarët e mi dhe kjo ngjarje. Kam besuar, por të jem i sinqertë, edhe nuk jam shumë i befasuar”, ka thënë Toni.
Ish-mesfushori i Palermos, Fabio Simplicio, ka nënshkruar me Romën, ka bërë të ditur klubi nga kryeqyteti italian.
Në një deklaratë të lëshuar, Roma ka konfirmuar se Fabio Simplicio ka nënshkruar kontratë trevjeçare të vlefshme 1.1 milionë euro në sezon.
31-vjeçari, produkt i Sao Paolo, për herë të parë erdhi në Itali në vitin 2004 kur u angazhua me Parmën, ndërsa më pas në vitin 2006 u transferua te Palermo.
“Jam i lumtur që kam pranuar ftesë nga Roma dhe po shoh përpara të përjetuar atë që më pret”, ka thënë Simplicio.
Mbrojtësi i Fiorentinas, Juan Manuel Vargas, thotë se Real Madrid dëshiron të nënshkruajë me të.
Sapo trajneri i ri i Realit, Jose Mourinho, zbuloi se dëshiron të forcojë pozitat e mbrojtjes, përfaqësuesi i kombëtares së Perusë, Vargas, zbuloi se Madrid është i interesuar për të.
“Është e vërtetë, Real Madridi më dëshiron mua. Unë po largohem i lënë në duart e agjentit tim. Unë jam në pushime dhe dua vetëm të pushoj. I kam kërkuar atij të më informojë vetëm kur të vendoset se cili është destinacioni më i mirë për të ardhmen time”, ka thënë Vargas.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka hedhur poshtë spekulimet të cilat e lidhin atë me një transferim në Real Madrid.
“Është e shpeshtë të thuash ‘kurrë mos thuaj kurrë’, dhe kjo gjithmonë ndodh, nëse një trajner i tillë është caktuar në një klub aq të madh, shumë caqe të mundshme paraqiten në shtyp”.
“Për momentin kjo është vetëm në nivelin e thashethemeve të mëdha dhe nuk mendoj se është e patjetërsueshme t’i komentojmë ata. Spekulimet gjithmonë do të ekzistojnë, por unë nuk shoh që kjo të mund të bëhet reale. Pozita e portierit është e fundit që duhet të përmirësohet në Real dhe kjo i jep fund tregimit për mua”, ka thënë Cech.
Sulmuesi i Sunderlandit, Darren Bent, thotë se ai është i zhgënjyer që është lënë anash nga ekipi kombëtar për Kupën Botërore.
Bent, i cili ishte pjesë e përzgjedhjes së parë prej 30 lojtarëve, dje nuk u përfshi në 23 lojtarët që do të udhëtojnë në Afrikën e Jugut.
“Ndjehem vërtet i zhgënjyer. Gjithmonë i kam thënë vetes – nëse luan mirë dhe jep më të mirën për Sunderlandin, atëherë ka shanse që të mund të shkosh në turneun më të mirë në botë. Por si duket në këtë rast kjo nuk ka funksionuar”, ka thënë Bent.
Portugalia ka shënuar fitore ndaj Kamerunit me rezultat 3-1, në miqësoren përgatitore para Botërorit që fillon më 11 qershor.
Portugalia u paraqit në takim me formacionin më të fortë, ashtu si Kameruni. Ishte Raul Meireles ai që pas shërbimit të Simaos shënoi për golin e parë të Portugalisë (32’). Vetëm dy minuta më vonë, Eto’o merr dy kartonë të verdhë dhe përjashtohet nga loja.
Fituesi u përcaktua me të filluar pjesa e dytë. Raul Meireles kësaj radhe i asistuar nga Nani shënoi për 2-0 (47’), ndërsa rezultatin e zbuti Pier Wbo (69’). Luis Nani sa për formalitet e shënoi edhe golin e tretë dhe të fundit për Portugalinë në këtë takim për 3-1 (81’).
Kjo fitore për Portugalinë ka domethënie të madhe para Botërorit, pasi që forma e mirë e portugezëve automatikisht i futë ata në rrethin e favoritëve.
Holanda ka ‘shkelur’ Ganën në miqësoren përgatitore para Botërorit, Afrika e Jugut 2010, me rezultat të thellë 4-1.
Rezultatin e zhbllokoi Dirk Kuyt pas gjysmë ore lojë (30’), ndërsa më pas holandezët është dashur të presin deri në minutën e 72-të për të filluar festivali i golave kur Van der Vaart shënoi për rezultatin 2-0, kurse tetë minuta më vonë Asamoah Gyan shënoi golin e nderit për Ganezët.
Ishin Wesley Sneijder (81’) dhe Robin Van Persie nga penaltia (87’), ata që i dhanë vulën takimit që përfundoi me rezultat 4-1.
Holanda me këtë fitore dëshmon se është tej mase e rrezikshme në fazën ofensive dhe stabile në mbrojtje, duke u dhënë sinjal të qartë ‘armiqve’ për atë që i pret në Botëror.
Carlos Queiroz ka pasur detyrë më të lehtë për dallim nga kolegët e tij në kombëtaret tjera, pasi që është dashur të largojë vetëm një futbollist nga skuadra preliminare, për të nxjerrë dhe listën përfundimtare para Botërorit që fillon më 11 qershor.

Pas rikthimit të Pepes, Ze Castro është viktima e vetme e Carlos Queiroz që nuk do të marrë pjesë në Botërorin e radhës. Skuadra e Portugalisë sivjet përbëhet nga një përzieje mes përvojës dhe rinisë, duke përbërë njërën nga skuadrat që mund të shpërthejë.


Portierët: Eduardo, Daniel Fernandes, Beto.


Mbrojtësit: Miguel, Ricardo Costa, Paulo Ferreira, Ricardo Carvalho, Bruno Alves, Rolando, Pepe.


Mesfushorët: Fabio Coentrao, Duda, Pedro Mendes, Tiago, Deco, Raul Meireles, Miguel Veloso, Sabrosa Simao, Danny, Nani.


Sulmuesit: Cristiano Ronaldo, Liedson, Hugo Almeida.

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew, ka vendosur për përbërjen e kombëtares gjermane, në Botërorin e sivjetmë, Afrika e Jugut 2010.

Për shkak të lëndimeve të lojtarëve kyç, si Michael Ballack, Christian Traesch dhe Heiko Westerman, Loew është dashur të largojë vetëm një futbollist nga skuadra gjermane, ndërsa ai është Andreas Beck i Hoffenheimit.


Portierët: Manuel Neuer, Tim Wiese, Hans-Joerg Butt.


Mbrojtësit: Philipp Lahm, Dennis Aogo, Holger Badstuber, Jerome Boateng, Per Mertesacker, Serdar Tasci, Arne Friedrich.


Mesfushorët: Bastian Shweinsteiger, Sami Khedira, Piotr Trochowski, Marko Marin, Mesut Ozil, Toni Kroos, Marcell Jansen.


Sulmuesit: Mario Gomez, Cacau, Thomas Muller, Miroslav Klose, Lukas Podolski, Stefan Kiessling.

Marcello Lippi ka vendosur se cilët do të jenë 23 futbollistët që do ta përfaqësojnë Italianë në Kampionatin Botëror, Afrika e Jugut 2010, duke mos ftuar Marco Boriellon dhe Giuseppe Rossin.

Përpos, Marco Boriellos dhe Giuseppe Rossit, në Botërorin e sivjetmë nuk do të marrin pjesë as Mattia Cassani, Salvatore Sirigu dhe Andrea Cossu. Mauro Camoranesi përkundër lëndimit të pësuar në stërvitje do të luajë dhe do të jetë i gatshëm për skuadrën që do të mbrojë titullin e vitit 2006.


Portierët: Gianluigi Buffon, Morgan De Sanctis, Federico Marchetti.


Mbrojtësit: Salvatore Bocchetti, Leonardo Bonucci, Fabio Cannavaro, Giorgio Chiellini, Domenico Criscito, Christian Maggio, Gianluca Zambrotta.


Mesfushorët: Mauro Camoranesi , Daniele De Rossi, Gennaro Gattuso, Claudio Marchisio, Riccardo Montolivo, Angelo Palombo, Simone Pepe, Andrea Pirlo.


Sulmuesit: Antonio Di Natale, Alberto Gilardino, Vincenzo Iaquinta , Giampaolo Pazzini, Fabio Quagliarella.